MËSUESI NË SHESH

nga Teuta Toska

Para disa ditësh mbërriti në telefonin tim videoja e një edukatoreje kopshti, e cila kishte regjistruar për fëmijët e grupit të vet një përrallë të krijuar nga vetë ajo. Ishte ulur përpara një tavoline, të cilën ajo e kishte sajuar si një skenë miniteatri kukullash: një arush, disa lapsa në tryezë, një gotë uji që e derdhi aty, një zë i ngadaltë me zanore të zgjatura të fjalëve, tipike për edukatorët dhe mësuesit e klasës së parë, të cilët me atë zë përpiqen të mbajnë vëmendjen e fëmijës që shpërqendrohet lehtë – shkurt në pamje të parë gjithçka dukej aq qesharake. Pastaj pas reagimit të parë të vetvetishëm, fillova të mendoj. Prit pak, edhe unë në klasë jam ndonjëherë qesharake. A nuk kemi qeshur edhe ne me mësuesit tanë kushedi se sa herë? A nuk i kemi imituar ata? Por, nga ana tjetër, a nuk i kemi dashur dhe i kujtojmë ende me shumë respekt? A e dini që mësuesi në klasë është pak qesharak? Sepse emocioni i tij, qëndrimi i tij, komunikimi i tij, gjithçka që ai/ajo bën kushtëzohet nga vendi dhe koha, puna dhe tematika e asaj që mëson. Nëse unë dal e flas për Sosyrin, Çomskin, Çabejin, Xh.Lloshin në një vend tjetër që s’është klasa ime, a nuk dukem edhe unë pak qesharake? Se jam duke ngatërruar vendin me kuvendin. Bëhem si Zyloja, që e merrte shtëpinë për zyrë dhe zyrën për shtëpi. A më mirë, ai e merrte gjithë botën e vet për zyrë. Kështu që u trishtova me veten që qesha me edukatoren. M’u duk se “kisha futur hundët” në klasën e saj. Kisha përgjuar punën e saj, jetën e saj. Kisha hyrë mes saj dhe fëmijëve të grupit të saj.

Edukatorja e mirë po përpiqet të përshtatet në një kohë të vështirë. Shumë si ajo i kishin përdorur telefonat e tyre vetëm për të folur me kolegët dhe familjen. Tani duhet të mësojnë të përdorin: kamerën, të bëjnë fotografi, të përdorin aplikacionet e bisedave të shkruara (whats app, viber etj.), të krijojnë grupe në telefon, të mësojnë të shkruajnë pa gabime në tastierat e telefonave, të kujdesen të kenë internet gjithë ditën, jo vetëm orarin zyrtar të punës në shtëpi, sepse japin e marrin gjithë ditën me klasën e tyre në distancë, nga ana tjetër të kujdesen që shtëpia e tyre, e shndërruar në klasën e tyre, të duket mirë nga kamera dhe familja po ashtu të duket mirë.

Disa që janë treguar të pakujdesshëm me këtë gjënë e fundit kanë përfunduar në rrjetet sociale. Gajasen prindër, nxënës, sehirçinj për nja një javë me ndonjë skenë shtëpie që rastis të ndodhë brenda mësimit online. Pakkush kujtohet se publikimi i këtyre materialeve jashtë klasës, tashmë virtuale, është një shkelje e konfidencialitetit mes nxënësit e mësuesit. Në shumë rrjete sociale studentësh kam lexuar fotografi të screenshot-eve të bisedës me tipa furacakë që përdorin edhe fjalor të ndyrë mu në mes të komunikimit me mësuesin/pedagogun në klasën virtuale. Kjo më kujtonte skena të zakonshme në shkollën time të fillores, kur djem të lagjes hipnin në hekurat e dritares dhe përpiqeshin të prishnin mësimin herë duke bërtitur, herë duke ngacmuar ndonjë nga ne. Ne shihnim me ankth mësuesin për ndihmë, ai/ajo hutohej nga guximi i budallenjve dhe na linte vetëm për ca kohë, me gojëndyrët në dritare, sa të lajmëronte mësuesin dezhurn.

U bënë pak a shumë dy muaj, që nga java e dytë e marsit, që i gjithë procesi mësimor në Shqipëri ka kaluar në rrugë virtuale. Fjala-dëshmi e këtyre dy muajve për gjithë shoqërinë, “distanca”, është termi që përdoret edhe për këtë ndryshim të qenësishëm të procesit mësimor. Të parët filluan ata të arsimit parauniversitar, pastaj vijoi edhe sistemi universitar. Të gjithë të shtrënguar nga e njëjta darë. Shifrat e përfshirjes së të gjithë aktorëve: nxënësve/studentëve, por edhe mësuesve/pedagogëve në platformat e mësimit online thonë se janë shumë të mira. Dihej dhe pritej që nuk do të përfshiheshin dot të gjithë. Nuk mund të ëndërronim me kaq shumë fantazi. Për shembull, nuk mund të presësh befas që një profesor që ka vite e vite punë përpara një klase dhe dërrase të zezë të bëhet ekspert i mësimit online për dy javë. Nuk mund të presësh që të gjithë nxënësit të kenë të njëjtat mundësi për internet dhe pajisje të mira elektronike.

Por, meqë po përballemi me një shndërrim të befasishëm të procesit mësimor dhe të kurrikulës universitare mu në mes të vitit akademik (sapo kishte mbaruar semestri i parë dhe kishim vetëm 2 javë që kishim nisur të dytin), procesi ka nxitur sfida dhe ka ngjallur debate. Veçanërisht mësimdhënia online dhe në distancë e arsimit parauniversitar ka ngjallur edhe më shumë debate, për shkak të ekspozimit të tij në rrjete sociale dhe përpjekjeve të përjavshme për t’u përshtatur me kushtet e reja, duke ndjekur një ritëm që nuk po dimë se kush e pse e dikton.

Se ç’po ndodh realisht me mësimdhënien në distancë, pak mund të marrim dijeni. Për shkak të pamundësisë së vëzhgimit nga afër të këtij procesi, arrijmë të kuptojmë se ç’po ndodh vetëm nga faqe në media sociale: mësues, prindër dhe studentë (në instagram faqja “studentët_denoncojnë” përmban shumë komente studentësh për cilësinë e mësimdhënies). Pyetjet sporadike që u kam bërë studentëve të mi për mbarëvajtjen e këtij procesi i tregojnë ata deri diku të kënaqur, por të përmalluar për mësimin në klasë. Nga ana tjetër, një pjesë e kolegëve shprehen të kënaqur, disa edhe të befasuar, sepse pritshmëritë i kanë pasur të ulëta. Një pjesë po kënaqen me eksplorimin e një mënyre krejt tjetër të ushtrimit të profesionit. Sot (sa për ta regjistruar këtë të dhënë) mësimi kryhet prej platformave google classroom, zoom, google meet, skype, whats app, viber ose edhe thjesht me shkëmbim të organizuar emailesh. Për nga instrumentet me të cilat kryhet, në Shqipëri, mendoj se një pjesë e madhe e profesoratit e ushtron tani profesionin prej kompjuterit, ndërsa pjesa më e madhe e nxënësve/studentëve përmes telefonit. Po e përsëris, pjesa më e madhe e mësimdhënies universitare dhe parauniversitare sot në Shqipëri kryhet përmes telefonave. E konfirmon këtë pohim timin edhe dhurata prej 5000 telefonash (ose tabletash) nga ana e një kompanie celularësh për fëmijët e familjeve në nevojë[1]. Mund të ishin dhuruar kompjuterë, apo jo.

Tek ato ekrane të vogla, ku mezi mund të shohësh e lexosh tekste, tani po dërgohen faqe të fotografuara librash, video, mesazhe zanore, fotografi, pastaj grafikë, tabela, ushtrime të niveleve të ndërlikuara matematike, algjebre, gjeometrie, kimie, madje edhe muzike.

Në këtë pikë, mendoj se po flas edhe për vështirësinë e parë të këtij procesi: mjeti i papërshtatshëm për mësimdhënie online në Shqipëri. Dhe çështja duhej shtruar kështu, mendoj: a po përshtatet mësimdhënia nga ana e mësuesve/pedagogëve në një nivel të atillë që të jetë sipas lexueshmërisë, shikueshmërisë, dallueshmërisë që mund të marrësh prej një telefoni? Tani klasa është shndërruar në një pamje sa një pëllëmbë (për ata që kanë fat të kenë një tabletë), ose sa një bërxhik. Këtë varfëri tonën dhe të nxënësve e studentëve tanë nuk duhet të bëjmë sikur nuk e dimë. Na mungojnë kompjuterët dhe interneti për mësimdhënie online cilësore.

Nisur nga ndërprerja e befasishme dhe e paparashikuar e shkollës, nga gjendja e një ankthi social prej epidemisë dhe nisur edhe nga varfëria në mjetet teknologjike, duhet të ishin menduar e përcaktuar të paktën dy gjëra:

  1. Për sistemin parauniversitar didaktë dhe edukatorë të diskutonin dhe të përcaktonin standardet që duhet të arriheshin në këto rrethana, të përcaktonin pritshmëritë e mësuesve dhe të prindërve. Psikologët, veçanërisht shkollorë, duhet të përfshiheshin në këtë diskutim dhe të thoshin fjalën e tyre se SA mësimi mund të ndihmojë në këto kohë ankthi social, SA mësim duhet bërë në kushte shtëpie dhe KUR ai rrezikon të bëhet një shtrëngesë antipedagogjike. Mirëpo paparashikueshmëria ditë pas dite e situatës së virusit në Shqipëri ka përcaktuar edhe llojin e mësimdhënies që po zhvillohet këto ditë: dërgim urdhrash të paparashikuar – ekzekutim urdhrash (në nivelin e qeverisjes dhe administrimit të sistemit arsimore) dhe dërgim detyrash – ekzekutim detyrash (në nivelin e shtëpisë).
  2. Mësuesit dhe profesorati i universitetit duhet të ndiqnin një program më të moderuar, kërkesat pedagogjike dhe didaktike të përshtateshin me kushtet e përqendrimit të nxënësit në shtëpi dhe të përdorimit të një mjeti që të shpërqendron si celulari. Gjithashtu duhet të merrnin parasysh edhe praninë e prindit në shtëpi dhe të përcaktonin masën dhe natyrën e bashkëpunimit të tij në këtë proces.

Mirëpo, ndryshe nga ne në universitet që e kemi lirinë për të moderuar programet dhe kurrikulën dhe ta përshtatim atë me kushtet e reja (studenti, për shembull, mund ta bëjë vetë kërkimin në rrjet dhe përdorimin e celularit, ndërkohë nxënësi jo), mësuesit nuk i është dhënë kjo liri. Ose më mirë nuk i është lënë kjo liri, sepse sipas dijenisë sonë në udhëzimet ministrore për mësimin në kushtet e shtëpisë, mësuesi në parim nxitet ta gjejë vetë formën e komunikimit me nxënësit.

I shoh kolegët e mi të arsimit parauniversitar këto kohë nën një presion në rritje mbi ta dhe klasat e tyre jo aq për të realizuar objektiva të mësimdhënies, por të dëshmuar performancën e tyre dhe të klasës së tyre, nën një presion për imazh mediatik. Ky presion i ka detyruar ata të përdorin edhe forma të teknologjisë, që nuk lidhen drejtpërdrejt me procesin e tyre mësimor dhe që e tejkalojnë komunikimin mësues-nxënës në klasën virtuale. Përveçse të realizojnë planin e tyre mësimor me klasën e tyre në kushte të tilla të vështirësisë në mjete dhe situatës së ankthit social, atyre u janë imponuar edhe detyra të krijimit të një imazhi publik të shkollës së tyre, të zyrës arsimore të qytetit të vet, deri edhe të Ministrisë së Arsimit. Befas, një ditë, facebook-u u mbush plot me video dhe materiale didaktike, shkollore, të cilat nuk kanë fare qëllim të ndihmojnë klasën dhe nxënësin. Nuk publikohen që të shihen prej nxënësit, pra. Dhe kjo nuk ndodh në asnjë vend përqark nesh. Madje në asnjë vend të botës. Mësuesve në Itali dhe Greqi u është dhënë liria të menaxhojnë situatën me klasën e tyre, sipas gjendjes së klasës së tyre. Dhe, me gjithë kureshtjen tonë të madhe me këtë rast, nuk kemi parë asgjë nga puna e kolegëve tanë në rrjetet sociale.

Nuk i shpjegoj dot me mësimdhënien dhe qëllimin madhor të shkollës urdhrat e mëposhtëm pa datë, pa numër protokolli, pa nënshkrim të urdhëruesit, pa bazë ligjore, siç duhet të jetë dokumenti që vë në lëvizje mekanizmin e madh shtetëror. Këto mesazhe-urdhra janë nga drejtues për mësues, shpërndahen në whats app, viber, messenger dhe në çdo formë tjetër komunikimi elektronik, dhe i kam riprodhuar ashtu si i kanë shkruar autorët.

 “Mirembrema!

Per neser e pasneser, duhet te angazhojme nxenesit te jene pjese e jetes familjare duke marre pjese ne veprimtari te ndryshme si gatimi,pastrimi,krijimi, etj. Per te qene gjithperfshires duhet te publikoni ne faqet tuaja fcb video ne te gjitha klasat dhe ne dy kategori Djem-Vajza. Linkun si gjithmon e dini ku e dergoni tashme. Edhe per femijet e parashkollorit sigurisht.[2]

“Ju lutem kur postoni materiale ne faqen e fcb te rrjeteve sociale beni tag Zyra vendore arsimore …….. dhe DPAP. Per kete me pare duhet t’i pelqeni keto faqe. Kjo do te mundesoje lehtesimin e telefoneve tuaj si dhe do krijoje hapsire qe informacioni juaj te ndahet me nje numer me te madh aktoresh te interesuar.”

“Miremengjesi dhe jave te bukur! Sot eshte dita e videove per klasen e pare. Keshillojme qe te publikoni videot ne faqet tuaja facebook dhe te behet tag Zyra vendore arsimore …… dhe DPAP. Ne kete menyre videoja del e publikuar edhe nga faqja jone dhe mund te shihet ne gjithe Shqiperine.”

Të nxënët është një proces i padukshëm, edukimi është diçka që e kupton se po ndodh prindi në shtëpi dhe mësuesi në atë intimitetin e klasës. Në mjedisin intim të të nxënit në klasë, ku dikur ishte vetëm mësuesi, nxënësi dhe shoku i klasës, tani ka hyrë me forcë edhe drejtuesi i ZA-së dhe DPAP-së, madje dhe prindi me dëshirën e natyrshme për suksesin e fëmijës së vet (në facebook). Të mësuarit tani është bërë një mjet, publikimi në rrjetin social një qëllim. Ne të tjerët që shohim rastësisht ose me vetëdije demonstrimet e orëve mësimore jemi futur, si të thuash, me zor në një klasë. Ose në rastin më të keq, ndërsa i jap vetes lirinë e kureshtjes për të parë, nuk i shpëtoj dot ndjesisë se kam hyrë në mjedisin e punës së kolegut pa leje.

Kështu mësimi dhe mësuesi, si të thuash, ka dalë në shesh, ne mund ta shohim atë, punën e tij dhe ne jemi bërë pjesë e klasës së tij. A jemi thirrur kështu për të qenë edhe ne, publiku, palë në këtë proces, për ta vlerësuar, gjykuar, matur punën e tij? Pse nuk e ka përqafuar edhe universiteti këtë derdhje në publik të procesit mësimor? Të them të drejtën, kam imagjinuar shpesh si mund të ishte që ndonjë prej profesorëve të marrë guximin dhe të dalë edhe ai në sheshin e mediumit social. Edhe vërtet do të ishte diçka absurde.

Mësuesit e dinë pse po ndodh e gjithë kjo: mësuesi duhet ta tregojë se po punon, drejtuesi që po punon shkolla e tij, zyra arsimore që po punojnë shkollat e veta etj. Për shkak të shpejtësisë me të cilën kanë rrjedhur ngjarjet, ngutjes për të marrë vendime pa u këshilluar me njeri dhe nevojës për të vëzhguar dhe kontrolluar punën e mësuesit, drejtuesit kanë zgjedhur këtë formë kaq të rëndomtë kontrolli me diktat: publiko punën në facebook dhe mate me “like” (!!!). Dil sheshit dhe na trego që bën punën për të cilën paguhesh. Pavarësisht cilësisë, pavarësisht se s’lidhet me mësimdhënien, me të mësuarit. Kështu në këtë situatë i kam parë shumë mësues të reagojnë në një mënyrë të panatyrshme.

Si mund ta bësh mësuesin tënd shënjestër të publikut, ta ekspozosh në mes të sheshit të medias sociale të mbushur me tallës, manipulues dhe vlerësues të përciptë? Shumë prej këtyre mësuesve, duke mos qenë të aftësuar për këtë tip të mësimdhënies, kanë nxjerrë në shesh edhe diletantizëm. Si mund të publikosh, për shembull, video të mësimit të gjuhës së huaj kur në you tube ka me miliona video profesionistësh, ka me dhjetëra aplikacione për mësimin e gjuhëve të huaja nga telefoni, ka me dhjetëra programe kompjuterike për të mësuar gjuhën e huaj pa mësues? Si mund të publikosh video të mësimit të fizkulturës kur ka me miliona video që marrin miliona klikime me ekspertë fitnessi, yoga etj.? Çfarë guximi shkencor duhet për të regjistruar dhe publikuar një orë mësimi në matematikë, algjebër, kimi kur ka me mijëra në internet të prodhuara prej profesionistësh të distance education dhe e-learning?

Si përfundim, mësimi në distancë dhe online është i vetmi mjet që kemi këto kohë. Dhe e gjithë shoqëria u është mirënjohëse mijëra mësuesve (ndoshta edhe neve në universitet), që janë duke e zhvilluar me përpjekje të mëdha dhe me aftësi të jashtëzakonshme përshtatëse këtë proces në Shqipëri. Po që mësuesi të jetë krenar me punën e vet dhe kështu ky proces të jetë i frytshëm, ju lutem, lejojeni mësuesin të jetë vetëm mësues këto kohë dhe mos e nxirrni nga klasa e vet.

 

(c) 2020, Teuta Toska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] https://euronews.al/al/aktualitet/2020/04/23/mesimi-online-fondacioni-vodafone-albania-dhuron-5-000-pajisje-smart-per-femijet-e-familjeve-ne-nevoje

[2] Kjo kërkesë ka ardhur madje një të premte, pra mësuesi urdhërohet të punojë edhe të shtunë dhe të diel. Nxënësit e tij, gjithashtu. I nderuar psikolog, punonjës social, drejtues, a lejohet më pushimi? E shtuna dhe e diela a vijojnë të jenë ditë pushimi këto kohë?

2 Komente

  1. Te faleminderit Teuta per kete trajtese.

    Qeveria qe gjemon videot e Mamaqit nuk e merr seriozisht jo vetem dinjitetin e mesuesit, por edhe te drejten e autorit. Cfare ndodh ne klas eshte pronesia intelektuale e mesuesit dhe asgje nuk mund te regjistrohet vetem se me miratimin e tij.

    Ketu kemi edhe shkelje te kontrates kolektive, pasi jashte 45 min te mesuesit, cdo ore e tepert per pergatitjen e videove, koston e teknologjise etj., duhet paguar si ore ekstra. Cdo video qe qarkullon per te terhequr klikime apo si propagande e qeverise, i duhet paguar mesuesit.

  2. Kjo më kujtonte skena të zakonshme në shkollën time të fillores, kur djem të lagjes hipnin në hekurat e dritares dhe përpiqeshin të prishnin mësimin herë duke bërtitur, herë duke ngacmuar ndonjë nga ne. Ne shihnim me ankth mësuesin për ndihmë, ai/ajo hutohej nga guximi i budallenjve dhe na linte vetëm për ca kohë, me gojëndyrët në dritare, sa të lajmëronte mësuesin dezhurn.

    Phuhph!
    Vazhdimisht gjindet dikush qe te ma rikujtoje se sa te ndryshme kane qene pervojat tona ne nje vend aq te vogel si Shqiperia.
    Vras mendjen, a eshte kjo nje nga arsyet pse nuk mbrothesojme me ritmet qe deshirojme, mos ndoshta kohezioni yne i dobet si komunitet vjen nga numri i ulet i eksperiencave te perbashketa, nga njeri vis ne tjetrin…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin