FAJI I EMIGRANTËVE

Jo rrallë mediat shqiptare u kushtojnë vëmendje emigrantëve kur bëhet fjalë për lajme të këqija. Kohët e fundit, kam përshtypjen se informacioni me konotacione negative për emigrantët sikur është shtuar.

Shembuj mund të jepen shumë. Mund ta fillojmë me lajmin e rënies së dërgesave, që në mënyrë ciklike zë hapësirë në faqet e gazetave. Në të vërtetë lajmi qëndron, ngaqë grafiku i valutës që vjen në Shqipëri nga emigrantët po vjen duke u ulur gradualisht. Këtë ecuri studiuesit e kanë parashikuar prek kohësh, meqë ulja e dërgesave ka të bëjë strukturalisht me integrimin e tyre në shoqëritë e vendeve ku jetojnë. Vetë habia fëmijërore e mediave për uljen e dërgesave është e pafalshme, ndërkohë që është e qartë për këdo se integrimi i emigrantëve dhe konsolidimi i dukurisë migratore shpien detyrimisht në uljen e dërgesave drejt vendlindjes. Me kalimin e viteve në mërgim, zërat si shtëpia, familja, fëmijët, shkolla, etj. fillojnë e “rëndojnë” gjithnjë e më shumë në bilancin ekonomik të emigrantit. Vetë niveli i jetesës (automjeti, veshmbathjet, banesa) rritet natyrshëm për emigrantin, çka e detyron t’i reduktojë dërgesat për në Shqipëri. Ka edhe faktorë të tjerë që veprojnë nga vendlindja, por kjo është çështje tjetër.

Dërgesat janë ulur gjithashtu për arsye konjukturale, kryesisht të krizës ekonomike të dy viteve të fundit. Kjo krizë, që i ka ngërthyer keq vendet perëndimore, ka prekur detyrimisht edhe emigrantët. Vetë kriza e Greqisë mbetet ende e pazbërthyeshme ekonomikisht, sidomos në lidhje me efektet e mundshme mbi emigrantët shqiptarë e, si rrjedhim, mbi sasinë e dërgesave të tyre.

Problemi është se lajmi i mësipërm, pra i uljes së dërgesave, përveçse me habinë e zakonshme të zanatit, jepet me nuanca negative nëpër media. Tituj si “Emigrantët sjellin më pak para në Shqipëri”, “Emigrantët nuk dërgojnë më para”, etj. mund të keqkuptohen nga lexuesit. Në mënyrë të pavetëdijshme lajme të tilla mund të lexohen e të përshoqërohen me koncepte të diskutueshme si: detyrë, papërgjegjësi, kurnacëri, tradhti, egoizëm, e kështu me radhë. Si rrjedhojë, kalimi imagjinar në sallën e gjyqit, përballë opinionit të egërsuar, nuk është edhe aq i largët.

Emri i emigrantëve shfaqet në sferën e informacionit pashmangshmërisht gjatë festave. Për festat e vitit të ri dhe gjatë verës lajmet e mediave përsëriten mërzitshëm. Radha të gjata në kufi, tragetet plot e për plot, trafiku i rënduar, aksidente të përgjakshme… Do të ishte naive të mohohej një farë lidhje që ekziston midis emigrantëve dhe ndodhive të mësipërme. Por më duket absurde që të fajësohen emigrantët si kategori, qoftë në mënyrë implicite, për keqshërbimin nëpër dogana ose trafikun e rënduar. Personalisht, do ta shprehja habinë time “mediatike” duke pyetur institucionet përkatëse për masat e marra, meqë prurjet e automjeteve të emigrantëve janë të parashikueshme sikurse prurjet monetare. Ndërsa habinë për “përgjakjen e rrugëve” për shkak të emigrantëve po ua lë të tjerëve.

Sipas lajmeve të fundit emigrantët janë “fajtorë” edhe për krizën e tregut të shtëpive. Sipas të dhënave statistikore, informojnë mediat, kanë rënë shumë shitblerjet e pasurive të paluajtshme. Apartamentet kanë mbetur pashitur, ndërkohë oferta rritet gjithnjë e më shumë. Emigrantët nuk blejnë shtëpi si dikur, madje duan t’i shesin edhe ato që kanë. Në pamundësi për të analizuar dinamikat e tregut të pasurive të paluajtshme dhe ecurinë e sektorit të ndërtimit në Shqipëri, mund të thuhet se lëvizjet e emigrantëve ishin mëse të parashikueshme, aq më tepër kur shikon ecurinë e përgjithshme të ekonomisë.

Kush nuk ka lexuar tituj bombastikë për vetëvrasje emigrantësh të vetmuar, apo për ekzekutime mërgimtarësh enigmatikë? Lajme të tilla jepen vazhdimisht, shpesh me konotacione të padëshirueshme. Vetë përdorimi i fjalës “emigrant” nëpër lajme të tilla mëton të thotë diçka më shumë. Nënteksti i dorëzohet pa kushte infokonsumuesit mëshirëmadh, që jo gjithnjë lexon me dashamirësi e pa paragjykime. Po çfarë nënkuptohet, në këtë rast, me fjalën emigrant? Që emigranti ka probleme psikologjike? Që ka andralla të pashpjegueshme? Të përtejme? Po krimet që kryejnë emigrantët në vendlindje si interpretohen? Si të importuara? Shumë pyetje lindin.

Në qoftë se fjala “emigrant” e ka brenda përmasën e largësisë, atëherë ai mund t’i shërbejë kujtdo për ta projektuar fajin përtej vetes. Nga ana tjetër, përmasa kolektive që përçohet nga fjala “emigrantët” në shumës, jo vetëm që i mjegullon problemet që duhen ndriçuar në themel, por falë përgjithësimit rrezikon ta betonojë ekuacionin “emigrantë = probleme”, i cili po merr formë gjithnjë e më të qartë në infosferën shqiptare. Është e vështirë, në mos e nxituar, ndoshta e rrezikshme, të pyesësh nëse ky proces është ngjizur fillimisht në epruvetat e redaksive të informacionit, apo në tryezat e politikanëve alkimistë, për t’u kultivuar më pas në serrat e pafundme mediatike. Ndoshta kemi të bëjmë me një dukuri “të natyrshme”, që merr jetë zakonisht në shoqëri që i anashkalojnë problemet nëpërmjet alibive kolektive e nuk i përballojnë me guxim të sinqertë. Sidoqoftë, rëndësi ka që qyrkun e fajit të mos ia veshim me zor të tjerëve. Sidomos kur të tjerët jemi ne vetë. Pastaj, mos vallë gjetja e fajtorit i zgjidh gjithnjë problemet?

Nuk ka komente

  1. ndoshta do duhej lexuar si shenje e mire nje koordinim i qellimeve te elitave politike me ato mediatike ne Shqiperi …si nje shenje kur organizimi shteteror e shoqeror, si dhe manipulimi i publikut kane arritur nje stad profesionalizmi (kjo, duke presupozuar qe ka nje pjese nder media qe ende mbeten te ndara/te pavaruar nga politika). Por nuk besoj te jete keshtu. Besoj se reagimet politike te ketij tipi jane akumuluar si pasoje e disa kushteve te ndryshme qe sjellin pak a shume te njejtin rezultat. Frustrimi me gjendjen pa shprese ne Shqiperi dhe mungesen e ndonje drite ne horizont, besimin e pashprehur se Shqiperia tani s’duhet ta caje koken fort “se ka bijte matane” e ata kane per detyre ta mbajne nenen plake e te vuajtur, si dhe nevoja e vazhdueshme e mediave te sotme per lajmin qe pozon si gjeme, si e papritur, e pabese, imorale, apo ekstreme dhe shnderrohet ne sensacion, qe u ben thirrje emocioneve dhe ngacmon inatet e njerit apo tjetrit- kjo pjese u ka shijuar gjithnje mediave, dhe jo vec atyre ne Shqiperi.

    Perderisa ekzistonte ekuacioni i padiskutueshem Emigrant-zgjidhje, te cilit njerezit dhe institucionet i faleshin, une nuk cuditem fare me ekuacionin e ri emigrant-problem. I pari u ndertua jo vec se kish nje baze, por edhe se ishte me interes te konsiderohej si i perhershem, edhe si nje bartes potencial i ekuacionit te dyte, kur te na duhej. Ne, si perjetesisht, pjellim mite para cdo lloj logjike realiste. Nuk besoj se jane aq te pafajshem mitet tona, sa duam t’i trajtojme. Miti te mban ne enderr a jerm, sikur te jesh “Lucy in the sky with diamonds”: jete e embel…keshtu te mbron nga sikletet e perballimit te vertete te problemeve. Dhe ne e shtyjme me keto lloj mitesh duke genjyer veten.

    Thene keto, mendoj tamam si ti per retoriken fajtore te konteksteve ku gjenden “ceshtjet e emigranteve” ne shtypin e koheve te fundit. Ne fakt po e prisja, per hir te ndryshimeve te pritshme te qytetaresimit kulturor te emigranteve neper vendet ku jetojne, si edhe te krizes, qe te forcohej kjo retorike.

  2. Vete fjala emigrant ka kanotacion negativ ne media pasi eshte fjale shume nje-dimensionale. Emigrant ne media do te thote dergues parash dhe vizitues i Shqiperise per pashket/krishlindjet/veren sic thuhet dhe ne shkrim, kaq. Emigrant nuk do te thote doktor, specialist profesor, punetor ndertimi, familjar tek nje familje e perziere shqiptaresh e joshqiptaresh etj. etj. Si nuk ka marre njehere njeri mundimin ti analizoje ata te shkrete emigrante.

  3. Nuk kam hasur ndonje habi te medias per renien e dergesave te emigranteve. Edhe me aq pak sa e ndjek une median ne Shqiperi, kam konstatuar se lidhur me problemin e remitancave lajmi ka si burim Banken e Shqiperise.

    Sa i perket titujve te gazetave ne fromen qe percillet ne shkrim, mendoj se aty ka nje ekzagjerim. Keto tituj vijne me gjase nga mediat qe jane afer opozites dhe synojne dokumentimin e krizes ekonomike, apo edhe eventualitetin e saj ne Shqiperi. Por sikurse dihet thuajse cdo familje shqiptare ka nje lidhje me emigracionin, prandaj nuk e kuptoj sesi dikush mund te egersohet me emigrantin, te cilin e ka brenda ne shtepi, vetem e vetem se keshtu shkruajne disa gazeta.

    Nga ana tjeter me duket se bartet nje kontradikte ne diskutimet e ketushme kur vjen puna per median. Nga njera ane jo konsiderohet nje pacavure e vertete, qe pocaqis ambientin njerezor, me nje nivel poshte mediokritetit dhe pse jo me nje imazh shume te ulet mes qytetareve te ketij vendi, nga ana tjeter i mvishet roli i edukuesit te opinionit, i cili do te duhet te ishte i imunizuar pse e di mire tani se cfare jane gazetaret. Prandaj te flasesh ne kete menyre mendoj une sikur calon pak ne arsyetim. Mendoj une.

    Theksohet aty edhe puna e krimeve te emigranteve jashte vendit. Ketu une nuk shoh asgje te keqe, sepse nese do te flisnim per raportin e lajmit te kronikes, te pakten per kete vit Shqiperia ka thyer cdo rekord. Pa folur ketu per aksidentet rrugore qe jane bere ritual i perditshem. Do te perbente problem sikur mediat te benin te veten moton “Imazhi i keq i Shqiperise ne bote vjen nga emigrantet”, nderkohe qe thuhet se “Imazhi i keq i Shqiperise”.

    Ekuacioni emigrant – probleme eshte i dobishem vetem per nje aspekt; natyrisht pa nenvleftesuar se ky distancim eshte normal per shkak te alienimit te pakten kulturor te 1 milion shqiptareve. Ky aspekt eshte e drejta e Votes. Ketu po, por nuk mund te supozojme se loja qe synon kete perjashtim te kete filluar qe tani me sallaten mediatike qe udhehiqet tani per tani nga interesa te tjera.

  4. eni: po pergatitet nje vellim me shkrime shkencore, ese dhe letersi nga e per emigrantet. Del ne nr e ardhshem te revistes “Perpjekja”. Kam idene se do jete nje gje e mire.

    Theollogos: nuk do ta quaja kontradiktor qendrimin, sepse jane te dyja karakteristikat te qenesishme, dhe jo vec per mediat tona. Mediat jane te domosdoshme: pa to, se paku nje tufe e madhe prej emigranteve do duhej t’i kishin lajmet nga mamate e baballaret, madje edhe gjyshet ne rruge telefonike. Ky version i “telefonit te prishur” do ishte sh me i prishur sesa ai qe funksionon tash kur informacionet i marrim nga mediat. Por jane edhe nje e domosdoshme qe calon nga te gjitha krahet. Mund te gjesh pa dyshim mes mediave, zera si me te sakte (dhe sigurisht qe “e sakte” perkufizohet gjithnje ne varesi te atij qe konsumon mediat), thene kjo per lloje gazetash–por jo edhe aq ne kete sens– apo per individe gazetare — me shume ne kete sens. E gjitha kjo kuptohet qe i kalon edhe setes kohore, qe kap krunde, por edhe lejon krunde te kalojne. Mediat sipas meje “formojne” opinione ose me mire “perforcojne” opinione me shume sesa jane “edukuese”. Por kjo eshte kur flasim ne pergjithesi. Sic thashe, ne realitet, une gjej pacavuren dhe informuesen ne po ato media. Por e gjitha pastaj do pare duke u analizuar e jo marre teresisht si e mire apo e keqe. Ndoshta shprehja “e keqe e domosdoshme” nuk eshte e sakte. Une do preferoja “domosdoshmeri defektoze”.

    1. Si emigrant, që kam provuar të njëjtat ndjesi që përmëndëte Zana në komentin e mëposhtëm, irritohem (se të them skandalizohem është e tepërt me ç’hynere na dëgjojnë veshët nga gazetarët shqiptarë) kur dëgjoj fjalën tufë.
      Ndoshta është ky perceptim/konsiderim prej bagëtie, me të cilin na konsiderojnë “vendalinjtë”, që na vret më shumë se kafshëria që ka mbuluar ata dhe që ne, me sado që të mundemi, nuk do të mundemi asnjëherë t’i bëjmë të ndryshojnë mëndje.

    2. Per nje krahasim: Mediat ne SHBA zgjodhen Presidentin.

      Lote te pafundem te nje bjondeje seksi ne ekranin e CNN, e cila me syte drejt Shtepise se Bardhe, me shpirtin te trazuar nga nje dashuri enderrimtare per Ndryshimin e misheruar te Baraku buzagaz, pas te cilit e ardhmja mund te perfytyrohet ashtu si e deshiron.

      Ky ishte imazhi i stampuar ne ekranin numer 1, por qe na u dha live edhe ne picirrukeve amerikanlepires te ketej Adriatikut nga ekranet riprodhuese.

      Paraprakisht, kjo fushate ne stil te gjere, e masivizuar deri ne histeri ia doli qe Obama ende pa u kurorezuar (se nuk ishte zgjedhje ajo) te mblidhte ne Berlin 1 milione gjermane plus 1 milion aparate fotografike. (Sa te ngjashem me duken tani keta gjermanet me qytetaret e Fushe – Krujes. Rezistojne fort republikanet ne keto ane dhe as qe do i hapnin kutite sikur te permbysej)

      E sjell kete shembull qe i largohet shume ne dukje ceshtjes se ketushme per te theksuar se sistemi aktual jo vetem e ka nen kontroll te plote situaten, por me kete rast une mendoj se ka skllaveruar permes efektit paralizues, cdo insinuate te brendshme ndaj asaj qe Paraprakisht eshte vendosur. Ky eshte organizim i mirefillte dhe kjo e ben te kuptueshem kete ndikim. Ketu une nenvizoj edhe njehere ate qe thoni ju ED se “qe “e sakte” perkufizohet gjithnje ne varesi te atij qe konsumon mediat”. Perballe ketij bombardimi informativ, qe i paraprin objektit duke diktuar mendimin e tij nuk mbetet vecse te themi se kemi te bejme vetem me konsumatore; pra nuk ka dallese esenciale mes nje komuniteti lexuesish dhe nje tjetri. Ne thelb parimi i punes eshte po ai; manipulimi.

      Me nje falje per zgjatjen me lejo te flas pak per situaten ne vatanin tone.
      Une nevizova faktin se perballe nje opinioni publik media shqiptare, sidomos shtypi (se ne televizor vdesim ne te dalim nje cike) eshte i diskretituar. I DISKRETITUAR. Dhe shyqyr qe eshte keshtu. Pra ai nuk eshte i besueshem, eshte i lodhshem, monoton, zhurmues, idiotesk deri ne acarim me titujt dhe utilitar per te mbeshtjelle buken. Prandaj te flasesh ketu (theksoj per gazetat sidomos) per nje rol qe kerkon si premise suksesi, pikerisht te kunderten e te gjithe kesaj shfaqjeje qe sapo u tha dhe qe pranohet, mendoj se vetepercaktohet si kontradiktore. Shto ketu se beteja e supozuar e medias ndaj emigrantit (ne kuptimin e shkrimit kryesor) eshte pa sens, sepse tradhetohet nga fakti se ketu interesi i pergjithshem pajtohet me ate vetiak. (emigrante kemi te gjithe).
      Me rendesi eshte te shihet se te dyja keto shembuj si funksion kane te njejtin parim. Prandaj, kritika qe i adresohet shtypit shqiptar per mua eshte e ceket dhe formale, sepse i drejtohet vetem performimit te tij te dobet dhe keqperdorimit; nderkohe qe nje skeme manipuluese si rasti i Obames i jep medias amerikane statusin e cilesise se klasit te pare.

  5. Mua me behen gati 20vjet qe kam ikur nga Shqiperia.Qysh ne fillim e deri me sot raporti me shqiperine e familjaret nuk ka qene dhe nuk eshte idiliak.Kur dergonim nuk ishte sa duhej,kur nuk dergojme koprace dhe egoiste.Rralle na pyesin per hallet e problemet tona,kurre nuk mundohen te kuptojne sidomos mallin e sa na mungon Shqiperia.Ne fillim me dhimbte shpirti nga ky insensibilitet.Qe kur m’kane lindur femijet jam me e qete dhe me e sigurte …ndjej me pak dhimbje .Jam munduar ti kuptoj e justifikoj.Por eshte absurde sepse ende mendojne se eskluzivitetin e problemeve,te halleve ,nevojen e vemendjes e kane vetem shqiptaret e Shqiperise.

    1. Zana ke shume te drejte. Une nuk jam “emigrant”, dmth jetoj ne Shqiperi por te kuptoj. Rasti me banal eshte qe nga Shqiperia rralle marrin ne telefon miqte e vet emigrante ose edhe kur i marrin vetem sa thone hallin e vet. E kunderta ndodh kur i marrin nga jashte, nuk dine te thone mirupafshim. Ajo qe une ndjej eshte qe edhe nga “vendalinjte” (te me falni per huazimin) eshte rritur sensibiliteti per hallet e te afermeve ne emigracion. Kjo po ndodh me pjesen qe punon e rropatet ne Shqiperi jo me pjesen qe mezi pret te marre 50 euro nga i afermi i vet ne emigracion qe te pije ca gota raki me qofte tek Tymi.

  6. Jam dakort me Pishakun qe ka tashme nje lloj ndarje, ne nivel te pandergjegjshmes, mes nesh qe jetojme ne shqiperi dhe emigranteve. sa kane ndikuar mediat dhe politika ne kete ndasi nuk jam ne gjendje ta percaktoj po qe edhe ato kane rrolin e tyre ne krijimin e nje opinioni. kete e them me bindje mjafton te ndjekesh mediat shqiptare.
    Edhe qe ka nje perpjekje te brendshme per ta projektuar deshtimin tone te rradhes te emigrantet kjo duket ashiqare dhe Pishaku e trajtoi me lart.
    per mendimin tim emigrantet do ishte mire mos te investonin asnje kacidhe ne shqiperi.

  7. Theollogos: ti po e merr ceshtjen e shkrimit te Pishakut ne diskutimin e vetem njeres prej arsyeve pse gjendja e paraqitjes se “emigrantit” neper media eshte ajo qe pershkruan Pishaku. Dhe une besoj si ti, se mediat shqiptare (e po ashtu si ti, sidomos broadcast media: TV e radio), kane shume probleme ne raport me mediat perendimore. (Ti prisje te ishte ndryshe?) Besoj se problemi themelor eshte profesionalizmi (sido qe ky term sulmohet vazhdimisht), ose me mire joprofesionalizmi, qofte ky edhe vetem si aftesia per te manipuluar ashtu si duhet, shkencerisht e me talent.

    Por a them une se me mire pa media fare, sesa me media pacavure? Pa dyshim nuk e them kurre kete (dhe jo vec per arsyet e T. Jeffersonit). Mediat pasqyrojne zhvillimin tone si shoqeri dhe nuk besoj se mund t’i ndryshojme sot per neser, e as t’i eliminojme sepse jane ne gjendje te keqe. Ne mund t’i kritikojme–sic po bejme– dhe te ndihmojme ne ate qe ne e konsiderojme si permiresim. Mendo se pjesa me e madhe e shkruesve tane, prezantuesve, drejtuesve te institucioneve mediatike, jane njerez qe u futen ne ate lume te turbullt ne pesevjecarin e 10-vjecarin e pare pas 1990, pa ditur fare te notonin. Ne nje gjendje te tille, une mahnitem, shkrihem, dhe me raste me vjen turp, me performancen e aktoreve tane mediatike. Ceshtja eshte qe shume prej tyre kane zene vendet e te tjereve qe ndodhta sot kane pergatitjen qe duhet e qe kane mentalitete te reja njerezish qe nuk jane 40 apo 50 vjec, por 20 e 30. Kjo eshte dicka qe duhet zgjidhur nepermjet funksioneve te shtetit dhe tregut te lire…por ne Shqiperi nuk kryhet per hir te nje tradite te qelbur kulturore qe bllokon shume leva te burokracise dhe logjikes moderne. (sic e sheh nuk them: per shkak te “ngercit”, sepse kjo fjale dhe perdorimi i saj ne media si buzz word, me acaron shume se fundmi)

  8. Po, Edrus. Them se eshte e drejte te irritohesh nga ideja e “tufes”. Ne fund te fundit jemi te gjithe pjese e nje lloj “tufe”, por tamam emigrantet, duke qene me te panjesuar e “te pakontrollueshem” nga i njejti tip mediash, sistemi zyrtar kulture, sistem shkollash etj, si edhe duke qene per nga natyra e vete brezit te pare emigrues me cilesite e ketij emigracioni: kerkues i paepur i lidhjes me te shkuaren e vet, me kritiken e vazhdimit te se shkuares pa te (emigrantin) dhe me kerkimin e vendit te vet ne kete “vazhdim” te historise se vet- qe per emigrantin eshte nje histori thellesisht personale,…
    pra, tamam per keto arsye, emigranti eshte me pak “tufe” sesa bashkesi te tjera qe mbeten bashke, dhe nuk perjetojne nje nderprerje kulturore apo nje shok shumeplanesh qe jep nje perspektive te re e me te mire shikimi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin