SQARIM

Panorama e sotme ka botuar një ad hominem të Agron Gjekmarkaj kundër meje dhe blogut “Peizazhe të fjalës.”

Çfarë u bë shkas për këtë fletë-rrufe, ishte shkrimi i botuar para pak ditësh, me titullin Neoskënderbegasit, dhe me autor Jabanxhiun.

Sikurse mund ta dinë shumë lexues, synim kryesor i blogut Peizazhe të fjalës ka qenë dhe mbetet që të ofrojë një platformë pluraliste të mendimit bashkëkohor shqiptar dhe në lidhje me punët e Shqipërisë e të shqiptarisë.

Jabanxhiu i atij shkrimi ka qëlluar të mos jetë shqiptar (këtë mund ta dallojë kushdo thjesht duke lexuar tekstin), por amerikan; studiues që e ka mësuar shqipen relativisht vonë; pa çka se prej kohësh i ndjek dhe i njeh nga afër punët tona, fermentet kulturore dhe mendimin shqiptar bashkëkohor.

Edhe pse ai shkrim s’është imi, dhe përfaqëson një pikëvështrim të ndryshëm nga imi, unë i dal megjithatë zot nga fillimi deri në fund, sa kohë që autori ka qenë i ftuar në blog prej meje dhe është lejuar të shkruajë me pseudonim, edhe ngaqë unë e njoh mirë.

Reagime brutale si ky i sotmi në Panorama janë pikërisht arsyejaJabanxhiu zgjodhi të shkruajë me pseudonim – sepse ndryshe nga unë, që mbetem palë e këtyre debateve dhe e kam njëjtësuar identitetin tim publik me to, ka të tjerë që kanë edhe interesa të tjera për t’u kujdesur.

Gjekmarkaj mund të dëshirojë të dijë, me çdo kusht, emrin “real” të Jabanxhiut, kushedi që t’ia qëndisë edhe atij një ad hominem të posaçëm, kur t’i vijë radha; madje ka ndonjë pasazh në shkrimin e tij, ku aludohet se Jabanxhiu mund të jem unë!

Do t’i përgjigjesha me fjalët e Foucault-it: “Mos pyesni kush jam dhe mos më kërkoni të mbetem po ai… Le t’ua lëmë burokratëve dhe policisë të kujdesen që t’i kemi dokumentet në rregull.”

Dhe, megjithë vrerin që ky njeri vjell kundër blogut tonë, do të shtoja se një shkrim si ky i sotmi i Gjekmarkajt në Panorama, vështirë se do të ish botuar ndonjëherë te Peizazhet: ne i kemi më të larta standardet.

Nuk ka komente

  1. Me cuditi fort fakti qe Panorama ka botuar nje shkrim te tille. Jo pse kritikohej 2xha (kritikat per 2xha s’mungojne as ketu, nga une e kushdo tjeter), po sepse aty s’pashe ndonje kritike; lexova vetem sharje pa fund, muhabete pa lidhje si grate e liga qe cucurisin tek stoli duke te bere biografine teksa ti kalon atypari dhe i thua miremengjes…xhanem me keq, se ato i bejne llogjet vec me njera-tjetren, nuk nrihen te mbajne fjalim ne lagje.

    Nese ky sqepari e konsideron anomali shkrimin me pseudonin–apo blogimin–ne vitin 2014, apo nese thjesht deshte te bente nje fleterrufe alla-moniste per 2xha dhe PTF, s’e kuptoj arsyen per uljen e vetes ne kete nivel gjirizi te Panorames, e cila ne kete rast u shnderrua ne nje lopate qenefi.

    Per rrjedhoje ama, ironikisht besoj se shkrimi do te sherbeje si reklame per PTF sa i perket lexuesve te Panorames qe s’jane te familiarizuar me kete blog 😀

  2. Jam e bindur se nese shkrimi i Jabanxhiut do te ishte botuar ne faqet e Panorames apo cdo gazete tjeter do te ishte injoruar ose e shumta do te kish provokuar nje pergjigje ku e ku me te bute. Qe Gjekmarkaj e nis me blogun dhe AV tregon se i gjemojne rastet si ky per te sulmuar blogun. Bring it on!

  3. Panorama i lutet lexuesve të mos ofendojnë në komentet e tyre, duke i paralajmëruar se komente fyese nuk botohen. Por vendosën të botojnë një paçavure artikull që të vret sensin qytetar me luzmën e sharjeve dhe kënaqësinë orgazmike që i jep GjeLmarkajs baltosja. Bëra të numëroja epitetet përfolës, po pas fjalës “Zoti i ndihtë”, ishin shumë, hoqa dorë, humbje kohe, ndotje syshë e veshësh. S’e meriton komplimentin e arsyetimit racional.

  4. Ja, kësaj i thonë “to intelligently serve the country” – shkrimi i gazetës është i një niveli përtej atij akademik. Dhe shtypi në Shqipëri ka një rekord të çuditshëm në këtë drejtim.

  5. Pergjithesisht, reagime si i Gjekmarkajt vijne kur je aq kunder nje shkrimi saqe nuk di nga ta kapesh per te kunderargumentuar, keshtu qe ia keput me te share shkruesin.
    Mirepo ne kesi rastesh eshte me mire te heshtesh, ta anashkalosh apo injorosh, sepse çdo pergjigje do te dale ekstremisht kunder dhe sa do niset sherri.
    Gjekmarkaj zgjodhi rrugen e sherrit, e cila eshte rruga e zakonshme e dueleve te publicistikes shqiptare, gje qe tregon sesa e pagdhendur eshte publicistika shqiptare, aq me teper ne debatet me teme kulturore qe duhet te jete e para dege e publicistikes, e cila rafinohet dhe del nga gangsterizmi intelektual.

  6. I rreptë por i drejtë: Gjekmarkaj ka qenë anëtar i asaj jurie që, në vitin e largët 2010 A.D., më akordoi mua çmimin “Gjergj Fishta” për librin Shqipja totalitare me këtë motivacion: “për vështrimin e thellë sociogjuhësor të deformimit të shqipes nën trysninë e dogmës komuniste”. Kryetar i asaj jurie ishte Mark Marku, ndërsa anëtarët ishin Bardhyl Londo, Parid Teferiçi, Agron Gjekmarkaj dhe Mirela Kumbaro. Ironikisht, ai libër nuk do të ishte shkruar, pa nxitjen dhe fermentin intelektual të blogut Peizazhe të fjalës.

    1. Më mirë ta lemë jashtë drejtësinë, pasi ofendimet përtej blogut tuaj që ka lëshuar ky shkërdhatokrat i veshur me kredenciale akademike, një taleban i krishterë fshehur karneval pas një manteli papnor, meritojnë një përgjigje të cilën ju s’do ta botonit kurrë.

      1. Pa simpati a miratim per Gjekmarkajn, gjuha juaj e perdorur ndaj tij ne kete koment nuk ndryshon nga ajo e perdorur prej tij ndaj Xhaxhait ne ate artikull. Kaq sa per te mos u zgjatur….ah, dhe besoj se pa dashje (keshtu shpresoj te pakten) i keni dhene te drejten vehtes te percaktoni meritime.

        1. Kur nisesh me këmbët e tua e shkon i nxjerr sytë tjetrit, me hapin e parë e ke humbur edhe të drejtën për t’i mbajtur në ballë sytë e tu. Predikimet e moralit të fabulës së faqes tjetër kthyer mbaja vetes, jo botës. Dil publikisht e jetoje jetën ashtu dhe, kushedi, ndoshta të tjerët do kthejnë mendje nga ky shembull e do heqin dorë nga këto zakone “barbare” për të përqafuar ato zakonet “evropiane”. Me bukën e “bëj si them unë” njerëzia është e ngopur. Gjer në fyt. Unë kam emrin tim përkrye asaj ç’shkruaj, e gjuhës sime i jam vetë zot.

        2. Nga e gjete zotrote qe te sugjeruam te kthesh faqen tjeter?!? Sugjerimi ishte per pak me teper moderim ne gjuhen e perdorur pavaresisht se kunder kujt. A nuk eshte kjo edhe nje nga gjakimet e ketij blogu qe eshte per tu respektuar ne kete pike?

          Nje shprehje ketej nga jam une thote: “Mos hyr ne debat me derrat se ata te terheqin ne balte dhe meqe kane me shume eksperience me balten, gjtihmone fitojne”. Pra sic shihet po perpiqesha te te mbroja e jo te te sulmoja.

          Ajo puna e emrit perkrye nuk besoj se perben ndonje motiv per t’u mburrur me shume se sa cilesia e asaj qe shkruan. Shendet dhe respekt

  7. Mua në ndërhyrjen e Gjekmarkajt më pëlqeu veçanërisht ky pasazh:

    “Në këto vite ai … fut hundët në çdo çështje dhe që ka sidomos alergji për figura si Skënderbeu, Nënë Tereza, Kadareja dhe të gjithë ata të tjerë që tregojnë një farë respekti për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.”

    Dua të them se personalisht më eksitojnë pa masë ndërhyrje të tilla, ku në një fjali të vetme i sulmuari demaskohet se qëndrimi i tij nuk është në vijën e Skënderbeut, Nënë Terezës dhe Kadaresë. Pra radhitja e këtyre të treve si argument vdekjeprurës është vërtetë madhështore.

    Një pyetje kisha unë, se kam 25 vjet që kam ikur nga Shqipëria dhe e kam humbur (apo nuk e kam pasur asnjë herë) atë mprehtësinë e nevojshme për ta kuptuar se sa seriozisht e kanë njerëzit, kur shkruajnë kështu. Këta janë, apo bëjnë? Ky artikulli i Gjekmarkajt është gjë ndonjë performancë arti bashkëkohor, apo ky njeri vërtetë është në këtë derexhe? Dhe nëse vërtetë ky është në atë derexhe, cili është roli i gazetës Panorama që e boton? Me kë tallen ata? Me Gjekmarkajn? Me lexuesin? Me veten?

  8. Mendoj se shkrimi i lartcituar ia rrit vlerat blogut Peizazhe të Fjalës. Në një farë mënyre e fton atë të vijojë në rrugën që ka nisur prej kohësh.

  9. XhaXha, sapo pashe c’ka ndodhur me bisedat, komentet, shkrimin e Gjekmarkajt etj, dhe duke rastisur njeriu i pare qe kisha komente dhe sqarime per ”jabanxhiun’, deshiror thjeshte te nenvizoj se lexuesi si i juaji ashtu edhe i mediave shqipe duhet ndoshta te mesohet me faktin qe ne kete bote ka edhe fashiste. Nuk perben asnje te vecante ky fakt qe Gjekmarkaj eshte fashist pasi si te tille mund te cilesohen pa teklif adhuriesit jo te pakte te zjarrte (ne te gjithe krahet politike sa majtas djathtas perfshi ketu edhe mjaft miq tuaj) te figures te Mustafa Krujes,nder te tjere, si kryetar i partise fashiste shqiptare dhe kryeminister kuisling me nam dhe shume nishane. Gjithe te mirat

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: