NJË STIL PËR BLOGUN…

Shkrimi i fundit i Xha Xhait, Atë e bir, jep dorë për të skicuar ndonjë ide mbi veçoritë e të shprehurit në blogosferë. Flas për blogje intelektuale të hapura, të një natyre të përgjithshme, se vërehet që kur është fjala për shkrime të cilat shfaqen anash ndonjë sit-i gazete të njohur, natyra e tyre përgjithësisht nuk ndryshon shumë nga ajo e gazetës-mëmë edhe pse në to mund të gjesh ide për të cilat nuk ka vend në versionin e saj letër, për arsye vendi por edhe thjesht sepse gazeta nuk e sheh të arsyeshme të shprehet drejtpërdrejt. Kjo nuk e ul vlerën e tyre, por në pikëpamje stilistike ato nuk sjellin ndonjë risi.

Megjithatë, prej kohësh përpiqem të kuptoj nëse blogu ka një stil të vetin? A ekziston një mënyrë të shkruari që e bën një shkrim të dallohet se është konceptuar nga një autor blogu të pavarur, një blogu që ushqehet dhe tërheq prurje origjinale dhe nuk ribluan shkrimet e gazetave sikundër PPU (që edhe kjo është një zgjidhje që duhet respektuar në vetvete)?

Pikërisht shkrimi për të cilin po flasim më duket shumë përfaqësues dhe të jep dorë të veçosh ndonjë cilësi të re që shfaqet në blogosferën shqiptare, edhe pse njoh shumë pak të tjera, veç PTF. Të bie menjëherë në sy se aty gjejmë një shkrirje të disa lloj përjetimeve krejt personale , me një analizë ose të paktën me konsiderata thelbësore ndaj një vepre letrare (objekti mund të ishte i çfarëdollojshëm, një koment politik, një përshtypje për modën më të fundit të rrobave të banjës, apo analizë për një ndeshje futbolli ).

Që këtu jemi para një veçorie blogu, në të cilën ia vlen të ndalesh, kjo kuptohet më lehtë po qe se mendojmë për një çast se të njëjtin shkrim e ndeshim në faqet e një gazetë të zakonshme. Me siguri që do të ngrinim supet dhe do të ndjenim që diçka nuk është në vendin e vet. Si rregull, konsideratat për një vepër letrare jepen duke mbajtur një lloj distance, duke mos u afruar shumë personalisht me autorin. Që në kurset e para, studentëve të gazetarisë u flitet fare qartë se prania e “unit” nuk është shumë profesionale, se duhet evituar në të gjitha rastet për të mos bërë të pranishme idenë e një qëndrimi vetjak.

Stili i gazetarisë tradicionale ndikohet nga autoriteti institucional i gazetës, që nuk lë mundësi për një përqasje prej bashkëbiseduesi me lexuesin. Nuk është fjala fare për të gjykuar se cila mënyrë të shprehuri është më e mira, por është e njohur se gazeta është disi repulsive ndaj informacioneve personale, u hap me vështirësi vend kujtimeve a përjetimeve emocionale vetjake, ka tendencë të ulë peshën e tyre.

Madje shtoj se jam pothuaj i sigurtë se edhe xhaxhai, po të kërkojë ta botojë në gazetë shkrimin në fjalë, ai do të lëvizë diçka nga pjesa e tij e parë, do t’i japë një formë të tillë ku frazat e mbyllin më mirë mendimin, do të kufizojë natyrën dialoguese dhe do t’i japë një frymë disi ligjëruese. Kjo nuk do të thotë aspak se shkrimi nuk ka formën e duhur, por se ai nuk ka formën më të përshtatshme për gazetën sepse është konceptuar duke patur parasysh se komunikon me mjete të tjera me lexuesin e, se mbi të gjitha ky i fundit ka fjalën e tij për të thënë dhe si i tillë ndihet dhe është më afër autorit, se është ‘i shtëpisë’, edhe pse kjo lloj afërsie nuk duhet ngatërruar me atë të një rrjeti social në linjë.

Autori nga ana e tij e “shfrytëzon” këtë afërsi për të thënë se edhe ai ndihet mirë në prani të lexuesit të tij (ose të paktën me pjesën më të madhe të tyre) dhe me këtë rast fut midis rreshtave disa konfidenca të vetat. “Transaksioni” mbyllet. Palët mbeten të kënaqura, por edhe kur nuk janë të tilla, dera për negociata të mëtejshme është e hapur.

Pra a rrëzon blogu një mur të vjetër sa vetë shkrimi? Kjo mbetet për t’u parë më tej.

Ndryshe nga blogjet e pavarura, edhe në gazetat e hapura në linjë vihet re ruajta e prerogativave të gazetarisë tradicionale. Edhe aty autorët janë diskretë dhe përgjithësisht mbesin « në mëshirë » të vërejtjeve apo edhe të sharjeve të kalimtarëve të rastit, sepse një pozicion i caktuar i imponuar nga gazetaria klasike e pengon atë të dalë nga shtrofulla e tij dhe të mbrojë territorin e vet. Ai gjithnjë duhet të lërë përshtypjen se nuk e vë në dyshim asnjë sekondë saktësinë e asaj që ka shprehur. Në rastin më të mirë ai duket sikur u thotë lexuesve: juve askush nuk ju pengon të keni mendim tjetër nga i imi, të cilin edhe mund ta shprehni, por unë nuk kam kohë ta dëgjoj. Në të vettetë ai e ‘dëgjon’ fshehurazi dhe po aq fshurazi vuan pamundësinë e komunikimit.

Ndërkohë, po qe se autori i shkrimit “Atë e bir”, një ditë do të vendosë të shkruajë kujtimet e jetës së tij, përshtypjet e mbresat e brezit të tij, jam i sigurtë se në këtë rast ai do të shkurtojë a heqë fare pjesën e dytë të shkrimit të tij, që do ti shkonte më mirë jo kujtimeve, por një përmbledhje të ardhshme me shënime kritike.

Pra, mund të themi se blogu ka shtyrë mjaft larg kufijtë e gjinive të ndryshme të njohura, se ndonjëherë i zhduk fare ato dhe ka zhdërvjelltësuar e demokratizuar mënyrën e komunikimit.

A po sjell blogosfera një gjini të re të shkruari?

Nuk mund të thuash se ka shenja tepër të dukshme, dhe pse ato nuk mungojnë.

Atëherë, a ka lindur një stil i ri blogu?

Ka mundësi që kjo të jetë e vërtetë. Radhët e mësipërme kishin për qëllim të vinin në dukje ndonjë veçori të tij.

Nuk ka komente

  1. 1- Nuk me duket se autori i shkrimit te cituar eshte plak te cilit s’i ka mbetur tjeter perpos rrefimi i kujtimeve te veta. Pervoja vetjake vlen kur i sherben argumentit, perndryshe thirren nipçet e mbesat. Nderkaq stili artistik nuk i shkon pershtat levrimit jo-artistik, megjithese nuk jane te pakte miqte e librit (letersise artistike) qe do u pelqente te mblidheshin gjekundi e te rrefeheshin.

    2- Jo, nuk ka ndryshuar gje, si perhere ka:
    Home-Histori-Kulture-Politike-Sociologji-Totalitarizem

    3- Prej kohesh s’ka fituar komentues’ te rinj aktive, jane bere komentuesit si Baka me Zeken apo Kadrija me Nafijen, pak a shume si gjithe forumet dhe blogjet kur arrijne piken e ngopjes

  2. Lyss, stil i ri ne lidhje me blogjet ne pergjithesi apo ato shqiptare?

    Ne blogjet e huaja (te pakten ato amerikane) keto stile (variacione te tilla) jane mjaft te perdorura, bile dhe ne blogjet e gazetave/gazetareve, meqe i permend ato si kontrast.

    Ne blogjet shqiptare, s’e di, frekuento per momentin vec PPU dhe PTF, dhe PTF padyshim shquhet per prurje origjinale, ose eshte kryesisht i tille, dhe kjo eshte per tu vleresuar ne vetvete (e prurjeve origjinale, packa se shumica jane te vete xhaxhait … e hamendesoj kete si angazhim kryesisht te tij, jo si mbyllje dere ndaj autoreve/komentatoreve te tjere).

    PPU, meqe e permende, ka dhe aty mjaft prurje origjinale, ose te linkuara nga blogjet individuale, sidomos krijime letrare, po per nga natyra eshte voluminoz, ku qe nga faqosja perparesi ka pasqyra e shtypit dhe reagimet/komentet e mases ndaj saj dhe opinion-prurjeve te vecuara te komentuesve. Different animal dmth, kur thone keta.

    Mbase mund te rekomandoni dhe ndonje blog tjeter shqiptar nese vizitoni?

    Pavaresisht ketyre, mua me pelqen nderthurja qe ve re ti, e mbresa-analizes, si stil i xhaxhait, edhe kur s’jam dakort. P.sh. tek shkrimi “at e bir” me pelqeu sinqeriteti i xhaxhait ne te pasqyruarit e Bashkimit si elite aristrokratike e asaj kohe, pse jo dhe per tu patur zili qe nga te tjerat deri tek gruaja e tij e bukur. Dmth me pelqeu prurja e pershtypjeve te tij te atehershme dhe nderthurja me analizen letrare te tanishme. Mbase kjo pelqese eshte pjeserisht dhe ngaqe jemi mesuar me stilin dhe kete pritshmeri kemi.

    1. Xhibi, kam parasysh kryesisht blogjet shqiptare, por fenomeni nuk mbyllet aty. Ne rastin konkret edhe mua më tërhoqi vëmendjen ajo që ju e quani mbresë-analizë.
      Më duket se është një fenomen që në Shqipëri po rishfaqet, mos u habisni… pas 500 vjetësh. Është një periudhë kur disa ligjësi të letërsisë a publicistikës nuk janë kristalizuar, nuk kanë ende formën me të cilën i njohim sot, por mund të vësh re aty edhe disa tipare të përbashkëta me humanistët evropianë të asaj kohe, tipare që rishfaqet pas një gjysmë mijëvjeçari, tashmë vehikuluara nga format e komunikimit që lindën me zhvillimin e internetit.

      Gjithnjë kam pyetur veten përse etërit e letrave shqip, kryesisht katër B-të, më duken më afërt se shumë nga autorët e ditëve të sotme. Natyrisht nuk kam ndërmend të hap faqet e tyre, po kujtoj se jo rrallë Barleti, te Historia e Skënderbeut, por më shumë te Rrethimi i Shkodrës (që i lexoja si libra përrallash), jo rrallë përmend shprehje të tilla si : unë mendoj kështu, kjo mu duk kështu, gënjen trashë por këndshëm kur thotë ’nga tanët u vranë nja dhjetë vetë ndërsa nga armiqtë nja tetë mijë vetë’ (nuk i kujtoj saktë shifrat, por raporti i tille eshte), kur përshkruan në vetën e parë çfarë sheh nga bedenat e kalasë së Shkodrës e, për të dalë pastaj te fillimi i vërtetë i letrave shqipe , pra te Buziku që fillon me : … u Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom…

      Pra edhe Buzukut i mjafton vetëm vetja e tij, vezhgimet personale, ajo çka pare me syte e tij dhe asnjë provë a analizë tjetër për të provuar ekzistencën e një gjendjeje tragjike të shkrimeve shqipe.

      (Zaten, për të mirë a për të keq, fakti që ai nuk jep asnjë provë a pasqyrë të kohës, bën sot që shumë vetë të ëndërrojnë për ekzistencën e shkrimeve të tjera më të vjetra në shqip)

      Duke u kthyer te tema, them se nuk është e vështirë të kuptohet se humanistët e asaj kohe dhe blogistët e sotëm operojnë me mbresë-analizën që përmendet dhe që unë u përpoqa ta shtjelloj më sipër.

      Por duhet theksuar se në mes ka një element të pashprehur, por thelbësor: mirëbesimi midis palëve, pra një pakt i nenkuptuar midis shkruesit dhe lexuesit për të mos thënë gjëra të paqena a te paraqitura me keqdashje, qe kur konstatohen kane pasoja te pariparueshme.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: