ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: KOPIL

kopíl, fem. kopile “fëmijë ilegjitime, dobiç”; në tosk. jugore “shërbëtor a shërbëtore për punët e rënda të shtëpisë”, kopil i druve “shërbëtori që vete çan dru në mal dhe i sjell me kafshë në shtëpi”; në geg. krahas me kuptimin “dobiç” edhe për­do­ri­mi metaforik “dinak; i zoti”, poashtu kopilane (me -an), kopilí f. “djallëzi, dinakëri”, kopilisht “me kopili” (dobiçin e mbajnë ku­do për të djallëzuar e të zotin, sh. dobiç); kopiloj “punoj si shërbyese; bëj punë të rënda, rëndoj”, e kopiloj “i bëj dredhi”. Në dialektet e Greqisë e t᾽Italisë “djalë” e “vajzë”.

Fjalë me përhapje ballkanike. Përveç shqipes e ka dhe sllavishtja e Ballkanit (sll. e vj. kishtare kopelъ “nothus”, bullg. kópele kopelák “kopil”, skr. kopil “kopil; njeri i zoti” kòpilan), rum. copil “fëmijë, djalë” copilă “vajzë”, gr. e re κοπέλι “djalë i ri, shërbëtor” κοπέλα “vajzë, vajzë e re”, nga arom. copelă, gr. e mesme κόπελος “spurius” (te Du Cange); edhe turq. kopil “djalë grek; dreq; kopil”. Jashtë Ballkanit ukr. kópyɫ “kopil”.

Etimologjia e fjalës është shumë e diskutuar. Ndërsa Kamarda I 162 mendonte për gr. κόπος “mundim”, Miklosichi EW s.v. u shpreh për burimin shqiptar të fjalës. G. Meyeri (f. 198, NS II 67, AS IV 69) merr për kuptim bazë “dobiç” dhe kështu rindërton për të një lat. *copilis, prej copa “e zonja e një taverne”. Kundër këtij mendimi Pederseni KZ 33, 537, Bernekeri I 564. Ky edhe kundër spiegimit të Vasmerit nga një lat. vulgare cuppella “kupëz, poculum”, që shkoi sipas tij në greqishten si κοπέλλα “kurvë, vajzë”. Mendimin e Vasmerit e përsërit me një variacion Andriotis 108, duke u nisur nga një it. coppella. Për një tjetër bazë latine, pupillus “jetim”, mendon Scribani (Arhiva XXXIX 154), po sh. Jokl IJ XIX VII 209. Poaty XXIII VII 183 ky dijetar shprehet kundër mendimit të Grégoire-it që kopil si fjalë ilire të jetë e afër me gr. κόβαλος “demon, hie e keqe” (Recueil publié en ľhonneur du bimillénaire d’Horace 81vv.). Capidani (DR II 458) sheh këtu një fjalë ball­kanike, Puşcariu LR I 179 për punë të përhapjes gjeografike më fort një relikt të gjuhëvet autoktone sesa një huazim. Khs. edhe Elezović Arhiv II 248, Sandfeld 93v., Rosetti ILR II 102. Oštir (WuS V 220 shën. 1) sheh këtu, si dikur Miklosichi, një fjalë shqipe; ai e zbërthen në ko-pil, ku ko- = ind. e vj. kā- “keq” e ‑pil nga një *-pelnos që shkon me pjell, pra “pjellë e keqe”. Këtë etimologji e pëlqen Jokli LKU 6v., një­ko­hë­sisht duke hedhur poshtë (poaty f. 311) një tjetër spiegim të Oštirit. Sëfundi Mla­denovi 250 mendon për përzjerjen e një fjale ballkanike me lat. copa ose me lat. cuppella, po anon ndërkaq nga mendimi që fjalët sllave të ngjiten te rrënja i.-e. *(s)kap- “bëj, krijoj” e të afrohen kështu me gjerm. schaffen “me punue, me krijue” e me lat. copia “burí, sasi e madhe”; pra kop-ile kop-ele “krijesë, prodhim”.

Fjalë e shqipes mbarë, që del sëpari te Bogdani (I 61, 22): kopile “adultera”. Për formën do shënuar se sll. e vj. kishtare kopelъ bashkë me gr. e re κοπέλι κοπέλα, gr. e mesme κόπελος e me arom. copelă lë­në të mendohet dhe për shqipen një for­më më të vjetër *kopél fem. *kopelë, dhe se forma e sotme me -i- mund të jetë ajo e një shumësi të singularizuar, sh. LP VIII 72; ndryshe nga Skoku, i cili (Arhiv I 219v.) te forma me -i- gjen akuzativin e hershëm të fjalës. Sa për kuptimin, domethënia “djalë” e “vajzë” e dialekteve shqiptare të Greqisë (Kamarda II 82) e t’Italisë bashkë me gr. e re κοπέλι κοπέλα e me rum. copil që nuk e dinë përdorimin pejorativ, lejon të me­ndo­het që kuptimi i parë i fjalës ka qenë “djalë” e “vajzë”; gjuhët sllave me për­do­ri­min “dobiç” shkojnë me gegërishten; në toskërishten kuptimi “shërbëtor, shër­bë­tore” është një fillim pejorativi.

Për etimo­logjinë do të kthehemi te mendimi i Miklosichit, i cili e pa se fjala e ka burimin në shqipen. Forma bazë e kësaj është *ko-pelë, ku ko- është prefiksi i njohur, si në kobisht, kollum, dhele e kodhele, tesha e kotesha, sh. për këtë Xhuvani-Çabej, BSS 4 (1956) 76. Pjesa rrënjore është pelë; ky emër kafshe përdoret në gjithë Shqipëri edhe metaforikisht për “vajzë e rritur, vajzë e shëndoshë” me një nuancë pejorative. Pra fjala u përdor sëpari për vajza. Prej femërores u formua mashk. *kopél, në shumës kopil, prej të cilit fem. e re kopile. Në këto rrethana gjuhët e tjera, në të cilat kjo fjalë nuk gjen spiegim me asnjë mënyrë, e kanë marrë këtë prej shqipes. Prej formës më të vjetër *kopel *kopelë rrjedhin gr. e mesme κόπελος e gr. e re κοπέλι κοπέλα me arom. copelă, sll. e vj. kishtare kopelъ bullg. kópele. Prej më së resë kopil kanë dalë skr. kopil e rum. copil, prej së cilës dhe ukr. kópyɫ. Mendimi i Reichenkronit (Das Dakische, Heidelberg 1966, f. 180) që o pa­ra­theksore e dakishtes në rumanishte është ruajtur si o është me vend. Veçse kjo rrethanë nuk do interpretuar me atë dijetar në vështrimin që fjala nuk i përket shqipes (poaty f. 113), po vetëm ashtu, që ajo është një formim i brendshëm e relativisht i ri i kësaj gjuhe. Kemi të bëjmë me një nga ato fjalë të sferës sociale që shqipja u dha gjuhëve fqinje gjatë mesjetës së hershme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin