KORI I NXËNËSVE

Të gjithëve na kujtohet si na fliste edukatorja në kopsht, ose mësuesja në fillore – në mënyrë të tillë që ta bënte grupin e fëmijëve të përgjigjej si një “trup” i vetëm.

Nga disa vizita të shkurtra në shkolla fillore në Tiranë m’u krijua përshtypja se kjo teknikë pedagogjike ende përdoret gjerësisht.

Studiuesit e kanë quajtur teacher talk, duke e mbajtur si nën-kategori ose vazhdim të baby talk, ose të mënyrës si u flasim bebeve.

Nuk di çfarë vlere didaktike ose pedagogjike i është njohur kësaj teknike komunikimi nga rekomanduesit dhe entuziastët e saj; veçanërisht dukurisë që do të përshkruaj më poshtë.

Dhe pikërisht – kur mësuesja nis t’u flasë fëmijëve dhe, në rrjedhë të ligjëratës, sidomos kur duhet të shqiptojë emrin e një koncepti të rëndësishëm ose të vështirë, ose edhe thjesht për të përfshirë në komunikim fëmijët që ka përpara, e artikulon fjalën përkatëse në mënyrë të tillë, që ajo të shqiptojë fillimin e fjalës, ndërsa fëmijët ta përfundojnë atë fjalë në kor.

Për shembull, mësuesja dëshiron të përcjellë informacionin se Skënderbeu mbante në kokë një përkrenare, prandaj thotë:

Skënderbeu mbante në kokë një përkre↗…

Dhe pastaj pritet që fëmijët ta plotësojnë fjalën, duke shtuar: …nare.

E gjithë kjo është shumë komplekse. Para së gjithash, kërkon fjalë shumërrokëshe, për të funksionuar. Më pas, fjala plotësohet zakonisht në thënie. Më tej akoma, theksi i vihet ndarjes së fjalës në rrokje – nëpërmjet asaj që e kanë quajtur hiper-artikulim, meqë rrokjezimi shoqërohet me një ndryshim të pitch-it – p.sh., te fjala për-kre↗…nare, vetëm pjesa e parë, ose ajo që shqipton mësuesja, vjen e ndarë në rrokje; dhe pitch-i ngrihet në maksimum pikërisht te zanorja e rrokjes ku fjala ndërpritet. Përkundrazi, pjesa që plotësojnë fëmijët …nare nuk shqiptohet e rrokjezuar (edhe pse gjithnjë me pitch artificialisht të lartë). Më në fund, fjala problematike qëndron zakonisht në mbyllje të thënies – dhe fundi i fjalës përkon edhe me mbarimin e thënies.

Në këtë kontekst, rrokjezimi, i nisur prej mësueses, shërben si një ftesë verbale (verbal cue) që u bëhet fëmijëve për t’u përgatitur që ta plotësojnë fjalën; kjo shoqërohet edhe me gjithfarë gjestesh dhe ngritje vetullash; dhe sidomos, përfundon me një rritje të pitch-it, sipas rastit edhe me një glissando të spikatur.

Vetë rrokjezimi i fjalës vjen e trajtohet si një farë sintakse – madje mësuesja, duke rrokjezuar dhe pastaj duke u ndalur në mes të fjalës, teksa e ka rritur pitch-in, në fakt është duke e shndërruar gjysmën e shqiptuar të fjalës në pyetje – përgjigjja ndaj së cilës nuk është veçse vazhdimi i shqiptimit të pjesës tjetër të fjalës, ose plotësimi.

Për nga shqiptimi, plotësimi nuk dallon nga rrokjezimi i rëndomtë, sidomos i fjalëve të gjata, si bi-çi-kle↗-ta, ku rrokja e theksuar, kle-, shqiptohet me zanoren të tejzgjatur, dhe me një pitch që vjen duke u rritur në mënyrë fare artificiale, madje ndonjëherë me glissando (për t’u shënuar dhe artikulimi i zgjatur dhe me ulje-ngritje të pitch-it edhe i zanoreve në rrokjet bi dhe çi, a thua se shqiptuesi po merr vrull si për të kapërcyer zanoren e theksuar e; provojeni vetë, për ta konfirmuar; mos harroni të bëni një pauzë sado të shkurtër pas kle↗).

Natyrisht, e njëjta teknikë mund të përdoret edhe me thëniet:

Mësuesja: Çfarë kishte vjedhur dhelpra? Dhelpra kishte vjedhur një↗… [fëmijët:] puuuulë.

Te ky shembull i dytë, pyetja Çfarë kishte vjedhur dhelpra? shqiptohet me intonacion normal dhe madje pak më shpejt se zakonisht (duke u trajtuar si ligjëratë e rimarrë ose e cituar); hiper-artikulimi fillon me fjalinë e dytë, si një cue që, në fakt, mësuesja është duke shqiptuar diçka për llogari të fëmijëve, ose ashtu siç do ta kishin shqiptuar fëmijët.

Presupozimi, në këtë mes, është se fëmijët flasin me hiperartikulim, gjë që në fakt nuk është e vërtetë, sepse fëmijët flasin me hiper-artikulim vetëm atëherë kur e kuptojnë se mësuesja (ose kushdo tjetër që u shfaqet në këtë rol) u kërkon që të hiper-artikulojnë.

Përshtypja ime, edhe nga mësimet që kam ndjekur, është se kjo mënyrë komunikimi krejt artificial, me plotësim fjalësh, denduri pyetjesh, hiper-artikulim dhe rrokjezim, nuk shërben për gjë tjetër, përveçse që mësuesja dhe fëmijët të riprodhojnë rolet e tyre, si mësues dhe si fëmijë, në kontekstin e klasës.

Dhe jo vetëm kaq. Kur riprodhojnë rolin e tyre duke u përgjigjur në kor, fëmijët e shohin veten si pjesë të një organizmi kolektiv: klasës; mirëpo situata kur një grup komunikon me autoritetin duke iu përgjigjur njëzëri nuk ka gjë të përbashkët me situatat reale – meqë homo sapiens si rregull komunikon individualisht, ndërsa shqiptimi koral i thënieve kërkon stërvitje paraprake dhe bëhet vetëm për efekt skenik – p.sh. në manifestime politike, ushtarake dhe sportive, kur masa merr përparësi ndaj individit; pa çka se fëmijët vetë zbaviten kur artikulojnë në kor – sepse e shohin këtë si një lloj loje (bashkërendimi, etj.); por edhe se shqiptimi koral i zhvesh nga përgjegjësia individuale, duke iu veshur një si uniformë zanore.

Për t’u theksuar, më në fund, se plotësimi, si teknikë komunikimi me një klasë të fillores, përdoret më shpesh nga mësuesja kur kjo i flet grupit, jo një fëmije të vetëm; dhe se shpesh shërben edhe për ta disiplinuar grupin, duke e bërë të ndihet përballë një pyetjeje dhe, për pasojë, duke e detyruar të marrë pjesë, si grup, në mësim. Është pra, edhe teknikë angazhimi ose mobilizimi kolektiv; dhe jo thjesht komunikimi verbal.

Ndërkohë, kam rezerva të mëdha edhe ndaj rrokjezimit të përdorur në këtë mënyrë, meqë ai u përcjell fëmijëve supozimin – e diskutueshëm, në rastin më të mirë – se struktura fonetika e fjalës mund të shërbejë si model për të strukturuar edhe vetë thëniet; dhe se ka ndonjë farë lidhjeje midis rrokjeve dhe kuptimit (konceptit); sa kohë që shqiptimi i ngadalshëm dhe i hiperartikuluar kujtohet se i shërben sado pak të kuptuarit.

Nuk ka komente

  1. Shume interesante analiza mbi-segmentore fonetike dhe ajo pragmatike e Xhaxhait ketu! Ja edhe dy centet e mia kritike shoqerore 🙂

    Mendoj se edhe mesuesja edhe nxenesit jane te bindur se kjo menyre te kenduari i ndihmon qe te perparojne dijen duke mesuar gjera te reja. U jep idene se po punojne mire, si duhet dhe po shenojne suksese. Ne fakt ne kete menyre, as mesohet gje e re, dhe as analizohen me mire ose me thelle gjerat e njohura. Kjo lloj metode, per fat te keq nderpritet vetem ne gjimnaz, sepse vazhdon ne doza me te lehta edhe ne 8-vjecare. Kjo eshte edhe nje arsye pse nuk me ka pelqyer fare sistemi qe i jep nje vit me shume 8-vjecares duke e bere ate 9-vjecare, ndersa cungon me nje vit gjimnazin ku ka nje sjellje dhe diskutim me serioz te dijeve.

    Nga ana tjeter, sistemi i ashper i “te ngriturit ne mesim” dhe dalja para derrases se zeze dhe gjithe grupit (sikur je per t’u pushkatuar), sikur balancohet pakezme kete menyren e te kenduarit ne grup. Kjo ul tensionin ne klase dhe u jep te gjitheve kenaqesine e mesimdhenies apo mesimnxenies kur ne fakt asgje e tille s’po ndodh; i ben nxenesit te mendojne se mesuesja eshte e embel dhe ndihmetare dhe mesuesen se nxenesit jane te pergatitur dhe te gatshem te pergjigjen, kur as kjo s’eshte keshtu bazuar mbi te kenduarit; i ben edhe nxenesit e papergatitur te mendojne se ca gjera i dine dhe mund t’i artikulojne lehtesisht. Pra, nese ka nje ane te mire, kjo eshte krijimi i nje atmosfere me miqesore dhe kooperative. Por kjo s’do ishte aspak e nevojshme sikur te eliminohej metoda e te ngriturit para tabeles dhe sikur pergjigjet te ishin me te lira e te pastrukturuara. Nderkaq njohurite e perftuara duheshin kontrolluar nepermjet quizesh e testesh te shpeshta me shkrim.

    Kjo e te kenduarit mendoj qe eshte nje levozhge e harruar mesjetare qe nuk duhet te ekzistoje as ne kopsht. Me femijet duhet folur pa deformime, sidomos kur keto jane krejt bosh per nga qellimet. Ka menyra dinjitoze per t’i bere femijet te ndihen mire duke mesuar dhe jo duke kujtuar se po mesojne.

  2. Presja: “Kjo e te kenduarit mendoj qe eshte nje levozhge e harruar mesjetare qe nuk duhet te ekzistoje as ne kopsht.”

    Jam kurioz Presja, te eshte dhene rasti te jesh ne nje klase fillore(Pre-K and up) ne nje vend perendimor, ta zeme USA, ku i mesohet femijeve te dallojne, te ndergjegjesohen fonemikisht(per femijen shqiptare fonetikisht), te lexojne, te shqiptojne, te rrokezojne, etj?

    Teknika korale, bile duke e kthyer edhe ne melodi(duke huazuar nga burime te ndryshme muzikore), eshte shume e perhapur ne pedagogjine e te mesuarit si ne stadin para leximit ashtu edhe duke mesuar leximin.

    1. Po, Read Me: te dy vajzat e mia kane qene neper shkolla (dhe parashkolla) jashte Shqiperie. E vogla ne shkolla me moderne se e madhja, perderisa kisha me shume mundesi t’ia paguaja shkollat me te mira. Me ka bere pershtypje gjithnje qe kendohet vetem kur kendohet. Une nuk e di cilave shkolla u referohesh, por te mesuarit e germave dhe tingujve eshte bere nepermjet leximit, dhe femijeve u eshte folur si qenieve racionale dhe serioze, dhe jo me te folur te deformuar.

      Ajo fonetikisht apo fonemikisht me lart, nuk eshte sic thua, por kjo s’lidhet fort me temen e ketij diskutimi.

  3. Presja: “Une nuk e di cilave shkolla u referohesh, por te mesuarit e germave dhe tingujve…”

    Presja, i referohem arsimit publik, ta zeme ne nje qender te madhe urbane, ne nje metropoli, per te cilen forme arsimimi edhe jam dhe besoj se e njoh mire si funksionon.

    Si strategji quhet leximi ne kor, ne unison (choral reading). I ndihmon femijet te pervetsojne ritmin, rimen, te shqiptojne sic duhet fjalet e reja, te ndajne fjalet dhe rrokjet, te dekodifikojne ne pergjithesi te kuptuarin dhe domethenien e fjaleve, dhe te rrisin besimin se mund t’i thone fjalet si duhet duke qene pjese e nje grupi, kori. Eshte nje nga strategjite e te mesuarit per parashkolloret, filloren, dhe me siper, etj.

    Ne lidhje me fonemik(phonemes) versus fonetik(sounds), as qe u perpoqa t’i futem kesaj pune, sepse do te na nxjerre nje sere problemesh(ne vete thelbin) ne lidhje me veshtiresite qe kane dialektet per te pervetsuar dhe iu pershtatur standardin, apo anasjelltas. 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin