MBISHKRIME SHQIP

Sikurse dihet, shumë gjuhë dokumentohen për herë të parë me shkrim nëpërmjet mbishkrimeve mbi sipërfaqe të forta, si gur ose metal, të cilat i qëndrojnë mirë kohës.

Të tjera gjuhë, si shqipja, janë shkruar fillimisht në letër – siç ka qenë rasti me Formulën e Pagëzimit, dhe më pas me Mesharin e Buzukut.

Është për t’u shënuar që tekstet më të hershme të shqipes janë zakonisht të shtypshkruara.

Një shkak për këtë gjendje të sendeve do të jetë, besoj unë, që dorëshkrimet shqipe të periudhës paraosmane që mund të kenë qenë ruajtur në manastire dhe në arkiva në trojet arbërore humbën gjatë viteve të pushtimit osman.

Megjithatë, dorëshkrime të tilla nuk gjenden as në Raguzë as në Venedik – ose vende ku, logjikisht, do të ketë pasur arbër që dinin të shkruanin, bie fjala, latinishten.

Përndryshe, letra nuk është mediumi më i mirë për të ruajtur diçka të shkruar; sepse letra kërkon, të paktën, një mjedis të mbyllur ku të ruhet vetë – p.sh. një bibliotekë ose një arkiv.

Edhe pergamena, sado që më e durueshme se letra, do të degradojë me kalimin e kohës, nëse nuk mirëmbahet.

Realiteti tregon se mbishkrimet në material të fortë – p.sh. në gur ose në pllakëza balte ose në metal, janë shumë më të qëndrueshme, dhe mbijetojnë ndonjëherë me mijëra vjet.

Trojet shqiptare i kanë dhënë dijes një numër të madh mbishkrimesh – që nga ato të lashtësisë, në greqishte të vjetër dhe në latinishte, e deri tek ato të mesjetës së vonë e të kohës së re, në osmanishte, arabishte dhe greqishte të re.

Të gjitha tekstet e historisë së gjuhës shqipe e përmendin Formulën e Pagëzimit (1462); e cila ekziston në të vërtetë brenda një teksti në latinishte (kohët e fundit autenticiteti i saj është vënë në dyshim). Por askund nuk kam parë të identifikohet mbishkrimi i parë ose më i hershëm në gjuhën shqipe.

Sot të tilla mbishkrime i gjen rëndom, bie fjala, në pllakat emërore të rrugëve ose të institucioneve; në citatet që gdhenden ndonjëherë në mure të ndërtesave publike; në rrasat e varreve, etj. Regjimi totalitar vajti dhe gdhendi fjalëkyçet e veta ose kronogramet deri edhe në shpatet e maleve, ku i sheh sot e kësaj dite.

Meqë shqipja u sanksionua si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar vetëm në shekullin XX, atëherë mbishkrimet në shqipe, të periudhës para 1912-ës, do të kenë ekzistuar për të identifikuar ndoshta dyqane; ose artizanë dhe artistë që kanë prodhuar një send, një vepër arti ose një armë, etj.; ose si shenja datuese të përfundimit të një ndërtese ose një ure, së bashku me emrin e kryemjeshtrit, etj.

Këto mbishkrime do të jenë bërë nga njerëz me shkollë; dhe shkolla, deri në fund të shekullit XIX, nuk mund të ketë qenë shqipe.

Që këtej, mbishkrimi i parë në shqipe është me interes edhe për kulturën në përgjithësi: kush e ka bërë, ku dhe pse?

Nuk kam ndeshur informacione për këtë – të cilat megjithatë do të ekzistojnë. Ndonjë arkeolog ose etnolog i specializuar në artin popullor mund të ndihmojë.

Kështu, lexoj në një shkrim të Luan Ramës, se një arkeolog francez, Léon Heuzey, gjatë një vizite që bëri në bregdetin shqiptar në vitin 1861, në gjurmët e betejave të Cesarit me Pompeun, ishte ndalur edhe në të famshmin gji të Gramatës, i njohur edhe për mbishkrimet që gjenden aty (çka ia shpjegon edhe emrin vetë). Mes mbishkrimeve, zakonisht në greqishte, Heuzey kish parë edhe një në “gjuhën vulgare”, i cili fliste për zakonin e të bërit vllam. Ky mbishkrim sot nuk ekziston më.

Gjetiu lexoj se edhe Shtjefën Gjeçovi paska lënë një mbishkrim në Gur të Rubikut, në fillim të shekullit XX, por edhe ai nuk lexohet më.

Dëshmi të kësaj natyre meritojnë të mblidhen dhe të sistemohen, për të parë nëse ekzistojnë premisat për ndonjë histori, qoftë edhe në trajtë eseje, të epigrafisë shqipe; e cila lulëzoi veçanërisht gjatë shekullit XX – në forma institucionale ose rituale (si ato të varreve) dhe në forma antikulturore, siç mund të jenë mbishkrimet zhgarravitëse që janë lënë, nga vandalë të ndryshëm, mbi afresket e kishave të Voskopojës pas vitit 1967.

Nuk ka komente

  1. Ne te vertete te gjitha keto gjenden te nje veper monumentale e prof. Shuteriqit Shkrimet shqipe. Perveç rasteve qe permenden ketu ai sjell dhe analizon me dhjetra e dhjetra dokumente tregtare, rregjistra bakallesh, leterkembime te ndryshme, regjistra familjare te familjeve elbasanese qe mbanin shenime per gjenealogjine e tyre etj.. Pak para se te vdiste me kishte treguar se kishte gjetur edhe plot shkrime te tjera shqipe te para Pavarsise,por nuk e di nese e ribotoi dot vepren e tij te pasuaruar.

    Mua gjithnje me ka intriguar nje shenim i Prof. Cabejt, qe thote se nderkohe qe po punonte per tezen e tij ne Itali, takoi nje prift (me duket qe lishte lidhje me Vatikanin) dhe ai i kishte folur per nje veper tjeter te shkruar shqip te para Buzukut. Me pas kur Çabej shkoi ta takoje perseri, personi ne fjale kishte vdekur.

    Gjithsesi ai besonte se nje tekst a fraze ne shqip qe do te zgjithte mjaft enigma, do te gjendet ne territoret e banuara nga shqiptaret, ne Shqiperi. Nuk e di kur e ka shkruar kete para apo pas shembjes se kishes se Vaut te Dejes, e vetmja e stilit roman ne Shqiperi, apo te dhjetrave monumenteve te kesaj natyre, ku zakonisht ruhen te tilla dokumente.
    Nuk na e ka bere turku ate qe i kemi berte vetes!

  2. Xha xhai ky lloj studimi eshte i realizueshem nga Epigrafia, e cila, edhe nese mbeshtetet tek filologjia, arkeologjia dhe historia, ka autonomine e saj shkencore. Me sa di une, mbase gabohem sepse ka vite qe jam shkeputur nga realieti universitar shqiptar, ne Shqiperi nuk ka specializim te tille. Pra, shkurt, nuk kemi mjetin-njeri per te realizuar kete chek-up. Une vazhdoj te konstatoj se historia e ilireve, e kam fjalen per nivelin universitar dhe pasuniversitar, jepet akoma (p.sh) me punimet e arkeologut Neritan Ceka. Vertet historia antike huazon shume lende te pare nga arkeologjia, por kjo nuk e justifikon arkeologun te zevendesoje interpretimin metodologjik te historiografise. Me kete nuk dua te them se studimi eshte i pamundur, pasi tek ne muratori ben edhe bojaxhine, por per nje studim serioz duhet akoma kohe.

    Epigrafia tek ne eshte ne hapat embrionale, te krahasueshme me studimet evropiane – ne kete sfere – te shek. XVIII. Kjo sepse nuk i eshte kushtuar rendesia e duhur, sepse mbishkrimet nuk jane aq te shumta , sepse ideologjikisht nuk kane gjetur mbeshtetjen tek politika e regjimit, ndersa keto te sotmit e kane mendjen tek suposta e “endrres evropiane”.

    Nuk dua te bej krahasime secifike me Perendimin, sepse eshte sikur te qellosh, siç thone ketu, mbi Kryqin e Kuq, por te kujtoj sa eshte i avancuar studimi epigrafik ne Bosnje-Hercegovine, nje vend ballkanik pra, per disa i konsideruar edhe si “oriental”. Sigurisht, atje ka nje material interesant qe vjen nga te ashtuquajturit “Steçak” apo “Nishan”, nepermjet te cilit eshte plotesuar nje pjese e erret e historise se ketij vendi (shek. XIII-XVI), duke u zgjatur ne sundimin osman, i cili gjithashtu ka lene gjurme epigrafike te konsiderueshme.

    1. Këtu fajet i ka një logjikë e llojit utilitar, që unë do ta quaja murtaja e dijes historike – ose ajo që çdo gjetje dhe çdo gjakim intelektual e teston sipas kriterit: “për çfarë na shërben.”

      Që kriterin e kanë përdorur, madje abuzuar, më tepër kombëtaristët kjo nuk do të thotë që nuk mund të përdoret nga të tjerët; p.sh. ka qenë një kohë që pyetej: si do ta gjykojnë këtë shokët sovjetikë?

      Dijen e shkatërron kështu dëshira jo gjenuine, e dijetarit që kërkon të dijë më tepër, por e ideologut dhe e demagogut, që kërkon ta përdorë rezultatin real ose të ëndërruar, ose qoftë edhe projektin e vet, për kapital politik.

      Shembull: zbulohet një vendbanim i lashtë. Arkeologu i mirëfilltë kërkon t’i qaset me synimin për ta përshkruar, për të gjetur se ç’popull e ç’fis jetonte aty, cilës periudhë i përket, etj.; ose në pajtim me normat klasike të fushës. Ai tjetri, pehlivani i shkencës, menjëherë pyet: janë tanët këta apo nuk janë? Për çfarë mund ta përdorim këtë vendbanim? Kujt mund t’ia futim sa krahu? Etj.

      I dyti nuk ka se ç’të zbulojë më, sepse gjithnjë e koncepton veprimtarinë e tij si konfirmim të një dijeje dogmatike, që është vendosur tashmë gjetiu dhe ekziston në trajta gati transhendentale. Ai nuk ka interes intelektual, por praktik; nuk synon ta dojë objektin e vet të kërkimit, por veç ta përdhunojë.

      Edhe ky është një lloj vandalizmi, tek e fundit; pa çka se në një plan për shumëkënd të padukshëm.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: