PUBLIKO OSE HUP

Në Kosovë së fundmi studentët janë ndërgjegjësuar për problemet me cilësinë e kërkimit shkencor dhe të integritetit të personelit akademik. Ndërsa në Shqipëri ekziston prej vitesh edhe përse as shteti e as universitetet nuk kanë ndërmarrë masat e duhura dhe studentët nuk janë mobilizuar. Sidomos cilësia e publikimeve në revista jo-serioze shkencore është një problem gangrenë për sistemin e kërkimit shkencor në Shqipëri. Shakaja e fundit me rektorin e Universitetit të Prishtinës dëshmon për përmasat që ka marrë ky problem edhe në Kosovë.

Në vitin 2006 u nis reforma në sistemin e kërkimit shkencor që integroi institutet e kërkimit shkencor në universitetet publike, për të cilin kemi diskutuar edhe në këtë blog. Ndër synimet kryesore të reformës, të shprehura në Strategjinë Kombëtare e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ishin rritja e volumit të kërkimit shkencor dhe e cilësisë së personelit akademik.

Për këtë qeveria ndërmorri shkurtimisht disa hapa si rritja e investimeve në kualifikimin e personelit (p.sh. bursat e ekselences), ndryshime në kuadrin rregullator të promovimit të pedagogëve dhe të shpërblimit të tyre, ngritjen e një institucioni koordinues për projektet kombëtare e ndërkombëtare të kërkimit (AKTI) etj.

Ndryshimet në kuadrin rregullator përfshinin kriteret për promovimin e pedagogëve në Dr., profesor i asociuar dhe profesor, edhe shpërblimet financiare përkatëse në bazë të titullit akademik. Për këtë ministrat e arsimit gjatë qeverisë Berisha vendosën që ndër kriteret e promovimit të vendoseshin volumi i kërkimit shkencor (p.sh. për Dr. deri në katër botime shkencore dhe kumtesa në konferenca brenda e jashtë vendit, parashikuar në udhëzimin Udhëzim, Nr.5, Date: 22.01.2008). Kritere relativisht të vështira u vendosën për titujt profesor i associuar dhe profesor (Vendim i KM, Nr.467, Date: 18.07.2007, i ndryshuar në vitet 2008, 2012), ku sipas vendimit të Këshillit të Ministrave një ndër botimet shkencore duhet të ishte në revistat shkencore me faktor impakti dhe peer review. Faktor i impaktit është një tregues për seriozitetin e revistës shkencore pasi është një tregues për citimet në një disiplinë të caktuar. Ndërsa peer review siguron shqyrtimin e studimit nga studiues të së njëjtës disiplinë. Gjithashtu për të rritur nivelin e personelit në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat, qeveria vendosi në ligjin e arsimit të lartë (2007) kushtin për numrin minimal të pedagogëve dhe të profesorëve për fakultet (minimalisht një profesor dhe një profesor të asociuar për fakultet), kushte këto të ngjashme me idenë e profesurës në perëndim (Lehrstuhl në Gjermani, apo chair në SHBA). Objektivat e qeverisë synonin njëkohësisht reagimin e komunitetit akademik për tu shndërruar në një komunitet më selektiv ndër rradhët e tyre, pasi vlerësimi i kritereve do të realizohej nga Këshilli i Profesorëve në fakultet apo universitet.

Gjatë qeverisjes socialiste ishte ndërtuar një mekanizëm korruptues për promovimin akademik, duke filluar nga kuadri ligjor. Ish-kandidatët e shkencave dhe studiuesit e instituteve të ndryshme të kërkimit u njësuan automatikisht me titullin Dr. edhe pse kriteret nuk  ishin medoemos të njëjta. Disa prej tyre u bënë edhe profesorë pa kurrfarë produkti kërkimor ose me një produkt mediokër. Institutet e kërkimit në fakt u mbushën me të tillë profesorë duke degraduar sistemin e kërkimit shkencor në gjendje vegjetative.

Por mekanizmi i korruptuar vijoi edhe gjatë viteve 2005-13,  edhe pse jo në të njëjtat përmasa. Objektivat e qeverisë u shndërruan në objekte shkëmbimi interesash brenda komunitetit akademik. Pedagogë pa skrupuj dhe mediokër nxituan të merrnin titujt profesor dhe doktor duke përdorur mekanizmat klientelist në fakultete. Madje, objektivat e qeverisë dhe kriteret për publikim të lidhura me promovimin shkaktuan një lumë “shkencëtarësh” shqiptarë të shpiknin konferenca ndërkombëtare në Shqipëri, të publikonin në revista shkencore jo-serioze dhe një valë plagjiature të pashoqe në temat e doktoraturës dhe të masterit.

Objektivat fisnike të qeverisë nuk patën rezultatin e dëshiruar për nga cilësia, por për nga sasia. U rrit numri i publikimeve dhe konferencave ndërkombëtare. Universitetet publike dhe private, si nën trysninë e marketingut, por edhe të kritereve për publikim në kuadrin e fitimit të titullit Doktor, filluan të publikojnë vetë periodikë “shkencore” apo të organizojnë konferenca ndërkomëbtare. Disa prej revistave nuk kanë ndryshim nga gazetat e përditshme në cilësi dhe ambicie profesionale, por ka ndër to edhe revista me pretendim serioz. Të tjerë pedagogë gjetën hapësira të publikojnë jashtë shtetit, por në revista jo-serioze. Si rezultat u rrit numri i personelit akademik me tituj Doktor dhe Profesor i Asociuar, edhe përse jo gjithmonë nën pritshmëritë e ligjit dhe strategjisë së qeverisë. Pra, problemi me botimet në revista jo-serioze u shkaktua nga strategjia e qeverisë, sepse kriteret u vlerësuan formalisht dhe jo nën thelbin e tyre.

Komuniteti akademik i vlerësoi kriteret për dhënien e titujve akademikë formalisht për nga numri minimal i botimeve apo kumtesave shkencore duke injoruar pjesën ligjore që kërkonte vlerësimin për nga cilësia. Këshillat e Profesorëve p.sh. injoruan kriterin e revistave me faktor impakti dhe nuk nxorrën një listë të revistave të njohura nga institucioni, por pranuan botime në revista aspak serioze.

Në Shqipëri nuk është nga kulti i kargos, por akademia është bërë një industri fitimprurëse dhe që siguron të ardhura në një vend ku papunësia është e madhe dhe mediokriteti edhe më i madh. Sidoqoftë, një zgjidhje do të ishte që ministria të nxirrte një listë të zezë ose të bardhë të revistave (sikur në Malajzi), por kjo është mirë të ngelet në përgjegjësi të universiteteve si vlerësuesit më të mirë të integritetit akademik. Duhet marrë parasysh se ka revista shkencore që sapo kanë hyrë në treg dhe që të regjistrohesh për faktor impakti duhen minimalisht tre deri në pesë vjet. Gjithashtu hulumtuesit shqiptarë për shkak të gjuhës dhe të nivelit të kërkimit e kanë të vështirë të botojnë në revista me faktor impakti, e ky është një faktor shtytës edhe për studiues seriozë.

Marrim shembull disa prej këtyre revistave ku botojnë zakonisht studiuesit shqiptarë (në Internet gëlojnë mbi 4000 revista të tilla, të cilat kryesisht përfitojnë para  nga hulumtuesit, por unë do të përqendrohem vetëm në tre prej tyre dhe në artikujt më të fundit):

  1. European  Scientific Journal – është një revistë me vendndodhje në Maqedoni dhe e preferuar kryesisht nga universitetet në rrethe (Gjirokastra, Vlora dhe Durrësi). Nuk është revistë me faktor impakti pasi nuk është në database e Thomson Reuter, por pretendon të jetë në njërën prej database të shumta në internet. Nuk nxjerr numra me një tematikë apo disiplinë të caktuar dhe nuk është me peer review. Niveli akademik i kësaj reviste sipas vlerësimit tim është jashtëzakonisht i ulët. P.sh. vetëm në dhjetor të 2013 ka lëshuar katër edicione speciale ku një ndër to janë punimet e një pseudo-konference organizuar nga shkolla e lartë Vitrina.  Në një numër gjen studime mbi fizikën bërthamore, modele ekonometrike të shfrytëzimit të puseve të përbashkëta në zonat rurale të Mozambikut, e deri tek bashkëjetesa e fëmijëve me persona me aftësi të kufizuar në familjet shqiptare (Universiteti i Vlorës, 2014). Në tre numrat e fundit (2014) ka ndër të tjera artikuj mbi mësimin e gjuhës angleze profesionale në Shqipëri (nga Universiteti i Durrësit), për trajtimin me lazer të lesionit vaskular në buzë (me bashkëautor ë nga Universiteti Mjeksisë, Tiranë),  mbi analizën faktoriale me R, MATLAB dhe SPSS (nga Universiteti i Tiranës).  Artikulli mbi përdorimin e gjuhës angleze nuk është studim, por kopje e udhëzimeve që gjenden rëndom në librat shkollorë. I së njëjtës natyrë udhëzuesi është edhe ai mbi analizën faktoriale, një kopje udhëzimesh pa asnjë risi në interpretimin apo trajtimin e analizës faktoriale.
  2. Mediterranean Center of Social and Educational Research: është me qendër në Itali dhe nxjerr katër revista, ku publikojnë kryesisht nga Universiteti i Tiranës. P.sh. në Academic Journal of Interdisciplinary Studies një doktorande nga UT ka publikuar mbi mundësitë e punësimit në të rinjtë e zonave rurale (2013, 2-3); një tjetër nga Universiteti i Durrësit ka publikuar mbi zgjedhjen ndërmjet trenit dhe autobusit nga Tirana në Durrës (2013, 2-4); profesorë nga Universiteti Bujqësor kanë botuar një analizë ekonomike në Mediterranean Journal of Social Sciences mbi dëshirën e kasapëve për të paketuar mishin e qingjit (2013, 4-9); receptimi kritik i Gjergj Fishtës, në po të njëjtën Academic Journal of Interdisciplinary Studies është vepër e një pedagoge në departamentin e historisë në UT (2013, 2-3) etj.
  3. International Scientific Publications:  Ka revista mbi ekonominë, gjuhësinë, bujqësinë etj. dhe frekuentohet kryesisht nga universitete private (edhe pse serioze) dhe universitetet e Tiranës. P.sh. dy pedagogë të Universitetit të Tiranës, Filiali i Sarandës, kanë botuar në 2012 (n. 3) Economy & Business mbi fleksibilitetin e tregut të punës në turizëm, rasti i Sarandës, ndërsa dy të tjerë nga Universiteti i New York-ut në Tiranë kanë publikuar në 2009. Në një tjetër revistë të po kësaj kompanie, Agriculture & Food (2012, n. 1) kanë publikuar me bashkëautorësi 5 autorë nga Universiteti Bujqësor, sikur dy të tjerë në vitin 2013 (volumi 1 n. 2). Në revistën tjetër Language, Individual & Society, numri 6 (2012) kanë botuar dy pedagogë nga Universiteti i New York-ut në Tiranë.
  4. International Journals of Engineering and Sciences: me qendër në Pakistan dhe ku botojnë kryesisht nga Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT). P.sh. mbi hartat gjeologjike të hapësirave turistike në Divjakë (2012, n. 4); mbi algorithmin stenografik në imazhet binare nga dy pedagogë të Universitetit të Tiranës (2012, n. 3); mbi rrjetet jo-kabllore nga një pedagog në UPT (2012, n. 5); mbi kitet radiofarmaceutike nga një studiuese në Universitetin e Gjirokastrës (2011, n. 2) etj.

Nuk ka komente

  1. Kam pershtypjen se jemi perpara vazos se Pandores.
    Kush do te marre guximin ta hape?
    Eshte mire te organizohet nje fushate denoncuese mbi te gjitha fushat kerkimore ku gjithsecili duhet medoemos te beje te veten. Per sa me perket kam goxha material per lemen e teatrit apo artit qe me duhet vetem pak kohe per ta kopsitur sic duhet.
    Kujtoj, per ata qe duan t’i futen valles se denoncimit te palacolliqeve, se duhet patur kujdes nga padite e mundeshme te ketyre pseudo-institucioneve dhe pseudo-kerkuesve sepse kane lidhje pushtetare dhe burime financiare qe s’jane per tu nenvleftesuar. Prandaj kur citoni apo jepni te dhena beni kujdes ne saktesine e tyre!!!

    1. zakonisht keto revista shkencore predatore i kane qendrat e tyre ne indi, pakistan apo nigeri, se nuk mund te regjistrohen ne vende serioze .. kryesisht nuk qendrojne shtepi botuese por individe me nje llogari bankare apo ne western union

      P.sh. European Scientific Journal eshte e regjistruar ne nje individ privat “jovanpraven ne yahoo”, me emer Jovan Shopovski dhe jo ne adresen e universitetit te shkupit, edhe pse ky individ ka qene doktorand ne kete universitet ne vitin 2011.

      1. edhe kete te drejte per pergjegjesine, une nuk permenda emra sepse disa prej autoreve une i njoh personalisht, jane pedagoge te nderuar, njerez qe kane aspirata ne shkence, por qe nuk kane mundesi te botojne ne revista serioze …

        po shihja per regjistrimin e Mediterranean Center of Social and Educational Research, eshte e regjistruar ne nje individ privat ne shqiperi..

        International Science Publications eshte e regjistruar gjithashtu ne nje individ privat ne Bullgari, Burgas

        ndersa international journals of engineering and sciences eshte e regjistruar nga nje organizate :Brain Telecommunication Ltd. , ne Lahore, Pakistan, qe eshte nje ISP, pra ofrues interneti

  2. “Gjithashtu hulumtuesit shqiptarë për shkak të gjuhës dhe të nivelit të kërkimit e kanë të vështirë të botojnë në revista me faktor impakti, e ky është një faktor shtytës edhe për studiues seriozë.”

    Shume bute e ke kaluar kete pjese Kapedan, nderkohe qe te pakten sipas meje eshte problem thelbesor. Them thelbesor sepse eshte i lidhur ne menyre te drejtperdrejte me sistemin dhe jo emrat. Nese shteti yne nuk u ofron dot studiuesve dhe aspiranteve per tituj kushte minimale per te qene konkurues ne “treg” te hapur, me cfare justifikimi mund te vendosesh lista te zeza e te bardha me revista me faktor impakti. Natyrisht, kush eshte i zoti le te botoje ne to, por ky gjithmone te sherbeje si nje kriter plotesues jo perjashtues. Fakti qe shteti ketu ( ose privati xhanem ) nuk prodhon dot institucione botuese, seleksionuese, promovuese dhe investuese te besueshme, nuk do te thote se zgjidhja eshte delegimi i ketyre kompetencave neper institucione te huaja qe pak ose aspak kane te bejne me nivelin dhe kontekstin tone. Une jam per nderhyrjen e shtetit ketu, qofte edhe duke krijuar terrenin e nevojshem qe praktika te tilla qe burojne prej privatit. Ne fund te fundit nuk po i kerkon kush kujt te studioje mbi vrimat e zeza apo polymer chemistry, se nuk ngeli te ne tha.

    1. nderhyrja e shtetit per te vendosur kritere te tilla krijoi lumin e doktorave dhe profesoreve ne shqiperi. Si mendon? se disa byrokrate ne ministri, ndoshta te asistuar nga ndonje keshilltar akademik, jane ne gjendje te prodhojne dhe te perditesojne lista te tilla? – ta them une aspak, perkundrazi do te krijojne nje ngerc institucioal qe do te ngerthejne komunitetin akademik dhe do ta ngulfatin zhvillimin e shkences ne shqiperi.. ne mos me keq akoma, kur te korruptojne te gjithe sistemin per te futur ne ato listat e bardha edhe revista mediokre.. pervec nje tjetri problemi madhor: revistat shkencore ne vend

      nuk e di nese e vure re qe fola edhe per lumin e revistave dhe konferencave ne universitetet publike e private ne shqiperi.. kjo ka sjelle rritje te volumit te prodhimit ne kerkim.. por revistat nderkombetare qe une pasqyrova me siper kane artikuj disa here me serioze ne aspirata sesa artikujt qe botohen ne revistat shkencore te universitetit te gjirokastres, korces apo shkodres

      si do te sillet ministria me revistat shkencore ne vend? a do te futen ne liste? a do te rrisin universitetet vendore cilesine ne revistat e tyre? kush do ta vleresoje? .. pakenaqesite do te jene te medha

      perse? kur qeveria e Berishes shkriu akademine per ta riorganizuar dhe solli eksperte te huaj te benin vleresimin e anetareve te akademise ai u sulmua nga te gjitha krahet.. imagjino se cdo te behet me revista… kjo do te ishte nje lufte e tepert dhe e ngathet per cilindo minister qe do te shpenzonte energji qe mund ti perdore ne luftera te tjera..

      1. Vetë profesorati do duhej të rebelohej, sepse çdo gradë shkencore e fituar me këto marifete ua zhvlerëson gradat dhe titujt të tjerëve, të cilët i kanë fituar me mund – dhe ka plot të tillë, të cilët janë, në fakt, elita e kombit.

        Çfarë po e njollos përfundimisht këtë elitë të mendjes, është pasiviteti, ose konformimi me një situatë e cila, objektivisht, është duke i reduktuar në raja të pushtetit politik dhe të mafieve gjithfarësh.

        Nga krejt trashëgimia politike e totalitarizmit, vija e masave paska qenë më e forta, më paprekshmja, më e pandryshueshmja!

        1. vleresimi i situates ka te beje edhe me pritshmerite e brezit te kaluar akademik .. botimet ne revistat nderkombetare besoj se kane qene te rralla dhe teper te kontrolluara (disa here tejkaluar peer review).

          ndersa tani profesoret tane te vjeter nuk mund te konkurrojne te rinjte qe dine gjuhe, kane perfunduar jashte shtetit etj.. shto ketu edhe kriteret per promovimin nga qeveria … dhe kjo krijon nje konflikt brezash ne fakultete .. atehere cfare bejne te vjetrit? .. korruptojne sistemin per te qendruar vete ne sistem … shtojne individe ne keshillat e profesoreve te cilet nuk kane ansje vlere akademike por qe kontrollohen lehtesisht nga te vjetrit.. nderkohe qe te rinjve u mbyllen dyert dhe u vendosen pengesa .. situata eshte kjo qe kemi, dhe nuk vjen nga masat, por nga deshira e pleqve per te gezuar te njejtat priviligje (statusin, rrogat etj.) sikur me pare

      2. Sot Edvin Prifti te Shqiptarja e thekson, më se një herë, se kërkimi shkencor sot në mjekësinë universitare shqiptare nuk ekziston. Në këto rrethana, asnjë mjek nga Shqipëria nuk mund të pretendojë të botojë një artikull shkencor në një revistë akademike serioze. Alternativa ndaj botimeve në revista të regjistruara në lavanderitë e Sofjes dhe të Tashkentit është artikulli popullarizues për efektet e çajit të lule-shpatores ndaj hipertrofisë së prostatës, i botuar sërish te Shqiptarja.

        1. para dy vjetesh, perpara se qeveria te rriste 4-fish kuotat per doktoraturen dhe specializimet, nje vend per specializim apo doktorature shkoi deri ne 10 000 euro ne fakultetin e mjekesise.. cfare kerkimi do te beje nje doktorand i tille ne fushen e mjekesise qe e blen vendin e kerkimit? .. me dhimbje kujtoj nje rast te nje mikeshes sime qe vinte verdalle, dhe ishte kerkuese, kishte pasion per tu specializuar ne nje fushe te mjeksise dhe nuk mundi edhe pse i plotesonte kriteret… cirk i benin, i ndryshonin kriteret 2 ore perpara se te shpallnin listat, nuk njoftoheshin kandidatet per interviste.. te gjitha ne fakultetin e mjeksesise… e Xhaxha, thua masat… iu desh qeverise te rriste kuotat sepse me ate lloj sistemi selektiv po shkaterrohej shendetesia.. e qeveria, per mire apo per keq, vendosi qe le te hyne te gjithe e te nisin garen te barabarte te pakten..

  3. Teme shume interesante, por per fat te keq per mendimin tim pa zgjidhje te afert. Se pari, nese ne Shqiperi (dhe/ose Kosove) do te kryhej kerkim shkencor me nivel te pranueshem per t’u botuar ne revistat e impaktit dhe me reputacion, autoret nuk do te shkonin pas lloj-lloj te ashtuquajturash revista interneti, por do te perpiqeshin te botonin ne revista serioze. Pra nuk eshte qe “autoret” rendin pas internetit sepse aty eshte me lehte te botosh, autoret rendin pas ketyre revistave, sepse aty eshte i vetmi vend ku ata mund te botojne. Se dyti, fakti qe autore-profesoret e kalafendur botojne ne keto revista, ne vetvehte nuk i pengon shkencetaret serioze shqiptare (nese ka te tille) te botojne ne revistat serioze. Keshtuqe seriozet nuk kane sepse te ankohen. Madje kjo u jep dore te krahasojne reputacionet e revistave dhe te fitojne avantazh. Sipas meje, pra problemi nuk eshte “Perse kemi botime jo dinjitoze”, problemi eshte “Perse nuk kemi, ose kemi fare pak botime dinjitoze”.

    Publikimet ne revista, qofshin ato edhe serioze nuk jane qellim ne vetvehte, ose se paku nuk duhet te jene, packa se ne shume raste eshte shume me i rendesishem numri i tyre sesa cilesia e tyre, gje qe i ben profesoret e doktoret edhe ketu ne perendim, te “stretchin” subjektet ne me shume se nje artikull, nganjehere deri ne 4 – 5 artikuj, kur lenda e thate e ketyre artikujve mund te zhvillohet fare mire ne nje artikull te vetem, per te mos folur pastaj per nderet reciproke qe i bejne njeri tjetrit duke u konsideruar bashke-autore, si nje mekanizem i thjeshte per te rritur numrin total te artikujve te publikuar. Ky eshte nje abuzim i nje lloji pak te ndryshem nga ai per te cilin ben fjale shkrimi me siper, gjithesesi eshte nje problem qe mund te vije ne te ardhmen ne Shqiperi. Si prove e ketij lloj problemi mund te sherbeje edhe fakti qe shume pak artikuj fondamentale i rezistojne kohes dhe referohen vazhdimisht, ndersa masa e artikujve te botuar psh para 10, ose me keq para 20 vjetesh nuk i permend me njeri. Dhe ketu e kam fjalen edhe per revista shume autoritare ne fushat perkatese.

    Une do te thosha qe si fillim, le te mos u kerkohen profesoreve shqiptare botime ne revistat nderkombetare me reputacion. Fusha te ndryshme, te mirelevruara ne Shqiperi mund te krijojne revistat e tyre, qofte edhe ne shqip (aq me mire nese munden ne anglisht) brenda vendit dhe peer reviewed. Edhe mund te kete sukses, ia vlen te provohet. Gjithesesi eshte me mire se sa botime ne revistat e internetit, dhe jane me te kontrollueshme sa i takon cilesise dhe ne syte e te gjitheve.

    Per ta mbyllur, mund te them se edhe vlera e ulet e parametrit qe diskutojme ketu, nuk eshte perjashtim, vetem se shkon me te njejtin hap te ngadalte dhe capraz si shume gjera te tjera ne atdhe.

    1. ne perendim po kritikohet qasja e ashtuquajtur “ekonomizimi” arsimit dhe shkences (marketization, commercialization ne frymen e kritikes ndaj projekteve neoliberale) qe ka te beje kryeisisht me vleresimin e performances se pedagogeve ne baze te kerkimit dhe fondeve qe fitojne nga projektet kerkimore .. kjo qasje “performative” qe i vendos pedagoget perballe kerkeses per llogari (accountability) ndaj taksapaguesve ka problemet e veta.. por ne shqiperi, me duket mua, se problemi qendron ne komunitetin akademik qe nuk eshte ne gjendje minimalisht te ndertoje modele (nje reviste platforme per kerkime serioze, nje akademi shkencash, nje institut me nam boteror etj.), te cilat te sherbejne si referenca … se mos na del Rama me librin e tij e bertet cfare ka shkruar, se pikerisht “sistemi” ka korruptuar cdo pike reference vlerash… modelet ndertohen nga njerezit, keta jane shume te paket ne shqiperi, e pak here ne vende kyce: Drejtori i Agjencise Kombetare per Kerkim, Teknologji dhe Inovacion, nje njeri qe eshte akuzuar per plagjiature!

      1. Jam dakort edhe une me kapedanin. Qeveria qe iku pati perpjekje te jashtezakonshme dhe arritje relativisht te kenaqshme ne rritjen kryesisht sasiore dhe pse jo dhe cilesore te botimeve akademike. Qe kur erdhi Rama gjendja ka precipituar ne menyre drastike.

        S’na the gje o kapedan, po asgje fare ama.

        1. degjo pra Ramen qe keput fraza ideologjike “dija nuk eshte mall” , ne te njejten linje te kritikes teper siperfaqesore ndaj ndryshimeve globale: se komodifikimit te dijes e marketizimit te arsimit te larte etj. …

          futja e mekanizmave te tregut ne sistemin e arsimit te larte, sidomos ne menaxhim dhe ne menyren e operimit, rrit eficiencen e perdorimit te burimeve publike dhe per me teper i shnderron institucionet e arsimit te larte nga institucione qe i sherbejne (si tani) pedagogeve dhe administrates, ne institucione qe i sherbejne dijes dhe studenteve..

          Ministrja e Arsimit ja keput edhe me keq: arsimi si sherbim publik? dhe per me teper vetem ne kete menyre i sherbeka biznesit? me keto fraza nuk del gjekundi.. arsimi i larte nuk eshte thjeshte sherbim publik – se ketu perfitojne kryesisht studentet dhe me pak komuniteti (sidomos ne rastin e shqiperise: ekononomi joformale, papunesi relativisht e madhe nder te arsimuar etj.)

          cilat jane shkurtimisht pasojat per kete lloj qasje (shpresojme te ngelet ne rrafshin retorik e ideologjik, se ne ate operativ do te ishte katastrofale)?

          – Cilesi pa shtuar burimet financiare nuk ka; dhe nese nese nuk ftohen studentet te ndajne koston e edukimit te tyre keto burime nuk kane per te ardhur nga qielli (fraza se arsimi i larte eshte e mire publike vetem sa justifikon nje pjesemarrje me te madhe te qeverise ne kosto), pra pasoja do te jete me pak burime ne arsimin e larte, me pak cilesi

          – nese qeveria do te rrise investimet ne arsimin e larte, do ti ule ne arsimin baze qe eshte i detyrueshem, dhe me kushtetute vetem ky arsim eshte e mire publike … atehere niveli i arsimit te nxenesve nga shkollat e mesme do te jete edhe me i ulet..

          – do te detyrojne arsimin e larte fitimprures te shnderrohet ne jofitimprures? do te ulen serish investimet ne arsimin e larte, me pak shkolla private dhe me pak studente qe investojne koston e plote te arsimit etj..

  4. Një profesor i UP-së pretendon që Teoria e Relativitetit e Ajnshtajnit është gabim. Pretendimet i bën publike, bile edhe në botime të American Institute of Physics, që është një federatë shoqatash shumë e respektuar. Këto shoqatat e mëdha ju bëjnë vend edhe të lajthiturive (lexo http://www.bbc.co.uk/news/science-environment-22171039 për një shpjegim), porse nuk lejojnë që numri i të lajthiturive të kalojë masën kritike.

    Unë reagoj në qershor të 2012 dhe, pas shumë peripecive, arrij ta botoj një shkrim popullarizues në një gazetë kosovare (jo online), përderisa profesori gjendet në TV dhe në çdo portal shqip. Shkrimi im nuk ka shkaktuar as edhe një reagim të vetëm, përderisa profesori vazhdon të botojë “rrëzimin e TR-së”, tash në bashkëautorësi me një – supozoj – studente të vet.

    Unë vendosa të reagoj profesionalisht, dhe në shtator të vitit të kaluar ja nis një koment Buletinit të FSHN-së së UT-së, që më duket botim dinjitoz (e gjeni në http://buletini.fshn.edu.al/). Buletini m’u duk si vend i përshtatshëm, sepse 1. profesori e ka bërë doktoraturën në Tiranë, dhe 2. unë, profesori, dhe komuniteti profesional të cilit i takojmë, e lexojmë këtë buletin. Por, botuesi i Buletinit më përgjigjet se komenti im, edhepse i saktë, nuk mund të botohet, sepse artikulli të cilit i referohem unë nuk është botuar nga buletini.

    Pra, mësoj që botimi shkencor nuk bëhet për diskutim, siç e kisha menduar, por për çështje administrative. Ndërkohë, unë e “botoj” komentin në http://dx.doi.org/10.6084/m9.figshare.836024, më tepër për të arsyetuar diplomën time të UP-së, se sa për ta shpëtuar Ajnshtajnin.

    Sot, profesori i UP-së, që ka më tepër se pesë botime, pra, sipas rregullave të UP-së i takon tenura, është një nga ata që e kërkon dorëheqjen e Rektorit, kurse unë mbetem shumë shumë larg sh’pisë sime.

    1. Alpha Beta, sipas mendimit tim modest, ju nuk terhiqni vemendjen sepse ajo qe beni ju eshte teresisht triviale, ju mbroni tezen se Einstein-i ka te drejte. Asnje nuk cuditet me kete. Nese doni vemendje duhet te thoni ndonje sakrilegj si puna e “profesorit” tuaj. Megjithate ju kujtoj (sepse besoj qe ju duhet ta dini) se i pari qe e ka kundershtuar Einstein-in, madje shume seriozisht, eshte prof. Robert Dicke, mbi bazen e 4′ diference ne perihelin e planetit Merkur qe nuk shpiegohen nga teoria e pergjithshme e relativitetit. Mesa di une ende sot ky eshte nje problem qe debatohet.

    2. “Por, botuesi i Buletinit më përgjigjet se komenti im, edhepse i saktë, nuk mund të botohet, sepse artikulli të cilit i referohem unë nuk është botuar nga buletini.”

      Botuesi i Buletinit ka te drejte. Perveç faktit qe komenti zakonisht botohet ne te njejten reviste, mund te shkruajne komente vetem autoret e cituar ne artikull, pra ata qe ne njefare menyre preken drejtperdrejt dhe personalisht nga nje botim i caktuar.

      Nese nuk jeni dakord me profesorin, ju mund te botoni ne nje nga revistat e AIP-se nje artikull ku te argumentoni qendrimin tuaj.

      Revistat shkencore dhe permbledhjet e akteve te konferencave nuk jane blogje ku gjithkush mund te botoje komente.

      1. Po, Buletini ka të drejtë të ma refuzojë komentin, dhe këtë gjë e dija. Por, shpresoja që do ta pranonin, bile si letër redaksisë, sepse komuniteti profesional që merret me problemet në fjalë është shumë i vogël dhe nuk ka vend tjetër për botim. (Në fakt, janë disa revista tjera, si Kërkime e ASAHK-ut apo Aktet e Alb-Shkencës, mirëpo nuk dua të kem punë me to, sepse nuk më duken serioze.)

        Në revista serioze, çdokush që ka diçka për të thënë mund të shkruaj komente, të cilat i nënshtrohen recenzionit dhe marrin përgjigje nga autori i punimit fillestar. Bile në fizikë kështu qëndron puna.

        Unë nuk e kam hallin t’i tregoj AIP-së që një vëllim i tëri i konferencës së tyre është gabim, sepse, siç tentova ta ilustroj me artikullin e BBC-së, ata ja kanë ngenë këtyre punëve. Tek e fundit, të komentosh për akte konferencash është të rrahësh ujë në havan, sepse ato nuk çojnë peshë në promovime akademike, kurse diskutimin shkencor rreth punimit të profesorit e bëjnë duke e matur Crackpot Index-in.

        Hallin e kam te komunikimi profesional shkencor ndërshqiptar: jam i zhgënjyer nga mediet, por edhe nga kolegët profesionistë, meqë heshtin. Assesi nuk e akuzoj Buletinin që nuk ma botoi komentin, sepse ata janë në të drejtën e tyre, por e akuzoj komunitetin që nuk ma krijon mundësinë të komentoj.

        Situatën e gjej të mjerë, sepse tash i lihet hapsirë profesorit të kundërshtojë rektorin, përderisa asnjëri nuk e meriton të gjendet në Universitet. Zhurmë dhe çudi, me këto kalojnë kohën njerëzit.

      2. Botuesi i Buletinit ka te drejte. […] mund te shkruajne komente vetem autoret e cituar ne artikull, pra ata qe ne njefare menyre preken drejtperdrejt dhe personalisht nga nje botim i caktuar.

        E ke katërcipërisht gabim. Dhe gabimi yt me shumë gjasa induktohet nga fakti se zakonisht ata që replikojnë janë individë që janë të fushës, pra që e njohin temën në fjalë; replikat ndonjëherë janë “të shpejta”, dmth përshtypje të para, që lihen edhe në fushën e komenteve.
        Kjo nuk do të thotë se ata që e njohin temën në fjalë, si në rastin e ilustruar nga Alfa Beta, duhet medoemos të jenë të cituar. Reagimet mund t’i bëjë kushdo, si një fizikant, ashtu edhe një student i fizikës, dhe teorikisht çdokush që di të argumentojë pavarësisht gradës apo titullit që ka.

        Tani, Alfa Beta i kërkon FSHN që t’i botojë një artikull, një opinion, apo një koment. Pa hyrë në meritat e replikës së AB, FSHN nuk mund ta refuzojë botimin për arsyen e parashtruar këtu. Është idioteske. Mund ta refuzonte sepse jashtë tematikës së revistës, por nuk duket rasti. Mund ta pranonte dhe ta shtynte botimin, meqë nuk ka vend në nr. e afërt. Etj.
        Për ilustrim, shiko këtë artikullin e ditëve të fundit të botuar tek BMJ. Nyja e vendosur nga unë të shpie tek “përgjigjet e shpejta” (http://www.bmj.com/content/348/bmj.f7412?tab=responses). Artikulli në fjalë është botuar në BMJ, por referencat, siç e shikon vetë janë të llojllojshme (http://www.bmj.com/content/348/bmj.f7412#ref-1).

        Një ilustrim tjetër: këtu (http://www.nature.com/news/trick-of-the-light-1.14662) gjendet një Editorial (apo Lajm) tek Nature. Nëse lexohet vihet re se kritika i bëhet një punimi të botuar tek ScienceMag.

        Pastaj thua: “pra ata qe ne njefare menyre preken drejtperdrejt dhe personalisht nga nje botim i caktuar”. Në këto nivele nuk flitet për persona, por për ide të reja, për kritika ndaj ideve dhe argumenteve të paraqitura dhe për avancim të dijeve, duke i nënshtruar këto ndaj sensit dhe arsyes kritike. Kështu FSHN meqë pretendon të ketë një buletin shkencor, duhet ta kishte pranuar opinionin e AB meqë është në interes të informimit të publikut. Vetë FSHN, mbi premisën e vërtetësisë së atyre që thotë AB, mund ta botonte ndërhyrjen në një kënd të veçantë, të dalluar nga punët e mirëfillta kërkimore. Në një kënd si Opinion, Reagim, Editorial. Buletimi ka pikërisht natyre tellallisëse, pra përhapëse të botimeve të reja. Por mesa duket “shkencëtarët” e FSHN, nuk e kanë parë të arsyeshme.
        Pra, këtu nuk flitet për spekulime letrare (dhe pothuaj letrare) të tipit K. gjigand, apo K. burracak…

        1. Phaino,

          ta marrim shtruar:

          se pari, profesori ne fjale u ftua ne nje konference shkencore dhe mbajti nje kumtese, cila u botua ne aktet e konferences. Zakonisht ne konferenca shkencore pas çdo kumtese te pranishmit mund te diskutojne mbi te, ta kundershtojne, te shprehin rezerva etj. Keto diskutime dhe komente rregullisht botohen ne akte.
          Me ka qelluar te shoh komente mbi artikuj te botuar edhe nga bordi botues apo editoret e konferences.

          Sa here na qellon te lexojme budallalleqe ose gjera me te cilat nuk jemi dakord! A mos duhet te dergojme komente neper revista shkencore per gjithçka qe na duket e pasakte? Nese dikush shkruan nje budallalleqe, pergjegjesine morale dhe profesionale e mban editori qe e ka botuar, nuk na takon neve lexuesve te korrigjojme me komente çdo budallallek qe lexojme.

          Se dyti, nese dikush nuk eshte dakord me nje teori a interpretim te caktuar zakonisht shkruan nje artikull (dhe jo koment) ku mundohet te argumentoje pozitivisht idete e tij. Nuk mjafton vetem te thuash ne dy paragrafe “une nuk jam dakord me ty, s’ma mbushe mendjen, e ke gabim, po ia fut kot” etj., sepse kjo nuk i vlen askujt.

          Sipas meje, nese Alpha Beta kishte ndonje gje te re per te thene, fjala vjen, mbi vlerat, perspektivat, aplikimet praktike etj. te eksperimentit te Michelson-it, mund te shkruante nje artikull dhe aty te fuste nje paragraf apo fusnote ku te shprehte edhe rezervat e tij mbi shpjegimin e gabuar te profesorit. Nje artikull i tille, nese gjendej i vlefshem, edhe mund te merrej ne konsiderate per botim nga buletini i FSHN-se.

          Keto dite lexova nje liber te nje kolegu tim, ku veç te tjerash kishte nja dy-tri pohime krejtesisht te gabuara. Eshte e qarte se ato gabime rrjedhin nga fakti se se autori i librit nuk ka lexuar disa autore te rendesishem qe kane trajtuar para tij ato çeshtje.

          Tani ty te duket normale qe une te shkruaj nje koment gjysme faqe ku te them se autori i librit e ka gabim ngaqe nuk eshte i perditesuar me zhvillimet shkencore dhe ta dergoj ate per t’u botuar ne nje reviste shkencore?
          Jo vetem qe nuk do te ma botonin, por do te behesha edhe gazi i botes.

          1. Shtruar shtruar, por ti nuk lexon, ose nuk do të lexosh. Nyjen ta propozoj për të fundit herë kësaj radhe në pdf (faqja 6 e nr përkatës të Nature*), edhe sepse nuk është kjo tema qëndrore dhe nuk ka pse zgjatem në replika boshe: http://www.nature.com/polopoly_fs/1.14662!/menu/main/topColumns/topLeftColumn/pdf/506006b.pdf

            *Si kështu Nature, kolosi anglez, merret dhe këta të FSHN jo?

            Po mos të bëhej as kjo gjë nuk do të kishte kuptim komuniteti shkencor.

  5. Per autorin e shkrimit, lexuesit dhe komentuesit po shtroj nje pyetje qe besoj se do te na ndihmoje te gjitheve te zbresim me kembe ne toke.

    Hidhini nje sy listes se anetareve te Akademise se Shkencave te Shqiperise dhe asaj te Akademise se Shkencave dhe Arteve te Kosoves.

    Ne baze te standardeve akademike e vendeve euopiane, sipas jush, sa prej tyre e meritojne titullin profesor? Sa prej tyre kane botime ne revista me faktor impakti, apo monografi te denja per te pasur impakt shkencor nderkombetar ne fushat perkatese?
    Sa prej tyre bejne pjese ne bordin botues te ndonje reviste me faktor impakti?
    Sa prej tyre kane bere ndonje zbulim a kane hartuar ndonje teze a teori te denje per t’u marre ne konsiderate nga bota shkencore sot?

    Flasim per akademike, pra per ajken e shkences shqiptare, te perzgjedhur mes dhjetera profesoreve dhe studiuesve tane me te mire.

    Sipas meje, pa permendur emra, shume prej tyre nuk do te pranoheshin as si asistente ne universitetet e Europes Perendimore. Per t’u bindur per kete, mjafton te hyni ne faqet online te universiteteve perendimore dhe te lexoni listat e botimeve te profesoreve dhe te asistenteve te tyre.

    Natyrisht, me kete nuk dua kurrsesi te perligj katrahuren tone, por vetem te them se ne Shqiperi behet kuvendi sipas vendit.

  6. Kam përshtypjen se çdo fushë e shkencës do të prodhojë, herët a vonë, një teori joshkencore të tillë që të mund të përcaktojë vetë thelbin e asaj shkence.

    Për shembull, në albanologji kjo do të ishte teoria e shqipes si gjuha më e vjetër në Europë; në histori ajo e shqiptarëve ose e para-ardhësve të tyre si rrënjë e qytetërimit europian (grek), e kështu me radhë.

    Në fizikë besoj se ky atribut u shkon hipotezave që hedhin poshtë teorinë e relativitetit të Einstein-it (Einstein was wrong!); sikurse në mjekësi (farmakologji) “ilaçit” kundër kancerit; dhe në kimi formulave ose marifeteve për shndërrimin e çdo lloj substance në ar.

    Këto përpjekje, të cilat në fakt afrojnë më shumë me të menduarit magjik sesa me racionalitetin shkencor, nuk janë veçse riformulime patologjike të sfidave në çfarë do ta quanim frontierë të shkencës: shpejtësia e dritës, vdekja, origjina e gjuhës, transmutimi i materjes, etj.

    Kur isha herën e fundit në Shqipëri, përveçse u ngopa me pelazgologji në raftet e librarive, dëgjova edhe – por nuk e konfirmova dot – se Akademia e Shkencave ishte mbledhur për të diskutuar një vaksinë kundër kancerit, që kish shpikur një yni (qofsha i gabuar).

    Shumëzimi i tanishëm i patologjive të tilla në Shqipëri është simptomë e kthimit të irracionalitetit në shkencë, në kushtet kur kësaj ka ardhur duke iu zbythur autoriteti. Dje e kuptonim se shkenca nuk mund të zhvillohej nën diktatin e ideologjisë; por sot fare lehtë po mësohemi t’i tolerojmë magjistarët në nivele institucionale.

    1. ceshtje konkurrence, nese nuk konkurron me rregullat e lojes qe ka vendosur shkenca, te metodave konvencionale e te mireprovuara e transparente, do t’ja shkelesh me metoda jo-konvencionale… sikur ai qe pasi lodhet te vrapoje ne nje drejtim me te tjeret e nuk i ze dot, ja keput ne drejtimin e kundert, atje garuesit si ai jane me te rralle per tu konkurruar

  7. Fjalëkyçi që po dua ta transmetoj është “masa kritike”, që duhet të kuptohet edhe si sasi (masë), por edhe si cilësi (e aftë të kritikojë).

    Editori (botuesi) i akteve të përmbledhjes së AIP-së është piskolog me doktoraturë të fituar në institucionin e paakredituar që e ka themeluar vet. Prania e tij në fizikën botërore është e papërfillshme. Prania e profesorit kosovar në fizikën kosovare është qenësore, sepse ai e mban lëndën Fizika Bashkëkohore në Fakultetin e Edukimit. Prandaj, komenti im në figshare dhe pjesëmarrja në këtë diskutim i drejtohet shqiptarit të merakosur për çështje të arsimit, jo fizikanit (nuk bëhet fizikë duke u ballafaquar me “crackpot”). Pra, Buletini pati plotësisht të drejtë të ma refuzojë komentin, por nuk bëri mirë.

    Ja një shembull tjetër: Senati i UP-së e ka themeluar një ekip prej tre profesorësh për shqyrtimin e revistave në të cilat ka publikuar stafi akademik. Tash, shërbimi më autoritativ për administrimin/indeksimin e punës akademike sot, përfshirë dhe revistat, është Thomson’s Web of Science (http://en.wikipedia.org/wiki/Web_of_Science). Anomalia – normale, do ta quaja – është se asnjërit prej profesorëve nuk i del emri në Thomson.

    Mendoj se mungesa e profesionalistit sjell deri te tolerimi i patologjive.

    1. E keqja sipas meje eshte te koha qe jetojme. Profesoret tane ne Kosove dhe Shqiperi japin aq sa mundin. S’kemi ç’i bejme, nuk nxirret dhjame nga pleshti.

      Une njoh shume studiues shqiptare te rinj e te talentuar, emrat e te cileve mund t’i gjesh ne databazen ISI. Veçse ata sot punojne per universitete dhe institute te huaja ane e mbane botes.
      Kur te vije koha qe Kosova dhe Shqiperia te behen atraktive per studiuesit tane, atehere ndoshta gjerat do te ndryshojne.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin