KONSUMI PER DUKJE NE SHQIPERI

You know i love Bling-Bling
Telefonin me roaming
Bvlgari Perfume, makinën pink…

Bleona Qerreti – Mandarinë


Pyetja shtrohet kështu: Përse një shqiptar/e me të ardhura mujore prej $300 shpenzon $150 për një palë çizme? Dukuri të tilla njihen me emrin “konsum për dukje”, dhe zakonisht nënkuptojnë blerjen e mallrave luksoze nga konsumues me të ardhura të kufizuara, për sigurim statusi. Kjo është një formë reklame nga ana e konsumatorit për t’i trumbetuar botës se reklamuesi i mallit në fjalë është pjesëtar i një shtrese të lartë të shoqërisë. Dëshira e shqiptarëve për të bërë pjesë në familjen europiane është menyra më e thjeshtë për ta shpjeguar këtë fenomen në aspektin social/kulturor, një shpjegim jo shumë i ekzagjeruar ky po të kemi parasysh izolimin dhe zvetënimin e kulturës shqiptare. Me këtë dua të them që shqiptarët i ka kapluar një dëshirë për t’i përngjarë një shoqërie e cila sipas tyre është e denjë për imitim.

Përveç aspektit social/kulturor, shumë i rëndësishëm është edhe aspekti ekonomik i konsumit për dukje. Në literaturën ekonomike ky konsum trajtohet si një sinjal me përfitime ekonomike të prekshme, mbështetur në besimin se përkatësia në një shtresë të lartë sociale sjell përfitime financiare. Biznesi në Shqipëri i jep prioritet lidhjeve farefisnore ose shoqërore në përzgjedhjen e punonjësve, ndaj përkatësia në një rang më të lartë rrit mundësinë e një rroge më të mirë. Për ilustrim: Një kontigjent studentësh i sapo-diplomuar del në treg për t’u punësuar. Le të supozojmë se aftësitë e secilit janë të vështira të deduktohen nga notat (gjë që nuk është larg të vërtetës po të kemi parasysh gjendjen e universiteteve shqiptare). Nëse punëdhënësi nuk ka pikë referimi profesional për vlerësimin e aftësisë të një kandidati, rrjedhimisht mund të përdorë statusin si një nga faktorët njësues të aftësive, duke i ofruar kështu vendin e punës kandidatit, kollandrisja e të cilit është më premtuese. Në këtë shembull, konsumi i dukshëm nuk është thjesht një mënyrë reklamimi por një investim për të ardhmen. Ky lloj konsumi i mallrave “firmato” (term shqiptar ky) është pjesë e luftës për mbijetesë dhe bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm atëherë kur treguesit e tjerë të aftësisë janë të dobët ose të paqartë.

Ekonomistët dhe sociologët që kanë treguar interes në këtë subjekt nuk janë të pakët. Thorstein Veblen ishte nga të parët që ndërmori një studim të mirëfilltë mbi konsumin për dukje në veprën e tij: “Theory of the Leisure class”. Megjithatë studimet empirike për të vërtetuar se statusi ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e individit janë më të vonshme. Një e tillë (Hurst et. al.) përqendrohet në konsumin pamor, të përkufizuar si mallra që bien në sy në kontaktin e pare me mbartësin, në komunitetet afrikano-amerikane dhe latine të SHBA. Autorët mbështesin supozimin se dallimet racore shoqërohen me diferencën e të ardhurave ndërmjet grupeve të ndryshme. Dy klasat e mesipërme konsiderohen me të ardhura më të ulta në krahasim më bashkështetasit e tyre të bardhë. Autorët konkludojnë se sa më e ulët paga e grupit racor në të cilin një individ bën pjesë, aq më i lartë është edhe konsumi pamor si përqindje e të ardhurave të disponueshme, duke bërë më të besueshme teorinë se statusi është i vlefshëm. Më pak fjalë, studimi i mësipërm jep prova empirike se “nëse shtresa në të cilën individi bën pjesë konsiderohet më të ardhura të ulëta, atëherë individi kundërpërgjigjet duke shtuar konsumin e dukshëm.” Për më tepër autorët vërtetojnë se kjo sjellje është e njëjte edhe brenda për brenda grupit.

Këtu është e nevojshme të përmend që unë po presupozoj se konsumi për dukje është bërë pjesë e realitetit shqiptar, pra që një pjesë e mirë e të ardhurave të një familjeje shqiptare harxhohet kundrejt tij. Kjo hipotezë nuk mbështetet ende në studime empirike kështu që analiza mbi të është thjesht një përsiatje e mbështetur nga faktet e përditshme.

Si mund t’ia përshtasim këtë studim realitetit shqiptar? Brenda për brenda vendit lufta për status sa vjen e ndizet më keq dhe pasojat duken qartë në shpërthimin e dyqaneve të firmave në Tiranë. Në fillim të viteve ‘90 kapitalizmi i gjeti shqiptarët pothuaj të padallueshëm nga njëri tjetri. Më dashje apo jo, komunizmi arriti ti zvogëlojë diferencat në status dhe arritje midis individëve, duke lënë mbrapa një uniformitet tejet deprimues. Kushdo që ka jetuar në Shqipëri përpara viteve nëntëdhjetë e mban mend ngjashmërinë e dukshme të mobilimit të çdo apartamenti shqiptar. Këtu filloi edhe rritja e madhe e konsumit të dukshëm, e nxitur prej një dëshire për tu dalluar nga një popullatë pothuaj uniforme. Sigurisht, fakti që struktura socio-ekonomike e vendit u shndërrua rrënjësisht shkaktoi dobësim të dukshëm të mjeteve për të përcaktuar vlëren apo aftësinë profesionale të një individi. Kanalet e zakonshme zyrtare që dikur mund sado pak të reflektonin këtë aftësi profesionale, si për shembull edukimi apo vendi i punës, ngadalë i humbën veçoritë e tyre sinjalizuese. Vlera e diplomës së universitetit të Tiranës ra thellësisht në treg, për studentët e mirë si dhe për ata më mediokër. Përderisa nota nuk mund të ishte më shenjë e fortë dallimi midis të aftëve dhe të paaftëve, problemi i adverse selection u bë më i thellë. Më sa duket shqiptarët kanë adoptuar konsumin për dukje si formë sinjalizuese të aftësisë apo trashëgimisë sepse mënyra të tjera me kosto më të ulët dhe më të qarta për ta arritur këtë janë të padisponueshme. Ky fakt konfirmohet edhe nga pozicionet e majme që u ofrohen studentëve të diplomuar jashtë shtetit; diplomimi nga një shkollë e huaj merret si një sinjal më bindës i aftësisë së individit. Konsumi për dukje është një garë që nuk mund të ketë fitues, sepse sa më i lartë është shpenzimi, aq më të mëdha bëhen mundësitë për të shpenzuar. Për më tepër, kjo dukuri e ka rritur nivelin e konsumit të pranueshëm nga shoqëria në një stad pothuaj të paarritshëm nga një familje mesatare shqiptare. Në perëndim sinjalet e aftësisë (shkollimi/vendi i punës dhe eksperienca) ndoshta nuk janë perfekte, por janë qartësuar, dhe prejardhja e një individi po bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme për të ardhmen e tij. Në fund të fundit, ky duhet të jetë edhe qëllimi i një demokracie.

Në kontekstin europian, Ballkani mund të konsiderohet si një geto e kontinentit, ku diplomatët pragmatikë europiane janë mësuar ta fshehin nënqeshjen ndërsa takohen më përfaqësuesit lokalë. Ballkani është një zonë ku paktet me djallin janë pak a shumë të nevojshme për të zbatuar një projekt, sado i vlefshem të jete ai. Në këtë ambient kaq të pakëndshëm, vendet e gadishullit janë në garë kush e kush te mos konsiderohet më si vend ballkanik. Edhe në krahasim me këtë grup Shqipëria është mbrapa; GDP e vendit është ende një nga më të ultat. Pra edhe në skenën ndërkombëtare konsumi për dukje ka një rol për të luajtur për të maskuar varfërinë mbarëshqiptare. Vini re krenarinë djaloshare më të cilën lexojmë ndonjë artikull gazete perëndimore që mahnitet më faktin se rinia tiranase është kaq metropolitane dhe europiane. Ndërkohë ne harrojmë që e njëjta gjë mund të thuhet për rininë e Damaskut, Kairos apo Teheranit. Në gjithashtu harrojmë se opinioni i amebës çuditërisht qose, të veshur në Gucci dhe të larë në kolonjë që popullon “Le Bloc” është rrënjësisht i pavlefshëm.

Kundër ekzistencës së konsumit për dukje mund të bëhet një argument tentativ: figurat e të ardhurave për kokë nuk janë të plota sepse një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë lëvrin jashtë kanaleve zyratre. Praktikisht kjo do të thotë që një familje Shqiptare ka të ardhura suplementare të cilat nuk janë të rregjistruara. Megjithatë më një llogari të thjeshtë, ky argument del i pabazë. Le ti dyfishojmë të ardhurat e një familje shqiptare nga $600 në $1,200, për të përfshirë këtu edhe të ardhurat e pataksuara, pra konsiderojmë një familje me të ardhura vjetore prej $14,400. Po të përdorim PPP, kjo shumë shndërrohet në $26,640. Pra, kjo do të thotë që një familje Amerikane me katër anëtarë shpenzon rreth $278 për një palë çizme. Për këdo që ka jetuar në Amerikë, ky fakt do të duket i paarsyeshëm. Për ta vënë këtë shumë në perspektivë, qeveria e SHBA e konsideron të varfër zyrtarisht çdo familje që ka të ardhura nën $21,027. Megjithatë këto shuma bazohen në të ardhura totale dhe jo të disponueshme, kështu që ka vend për verifikim. Sidoqoftë, argumenti qëndron, se edhe duke marrë parasysh të ardhurat e parregjistruara ky lloj konsumi ngelet “konsum për dukje”.

Konsumi për dukje tërheq burime financiare nga kursimet duke influencuar kështu negativisht investimet në ekonominë shqiptare. Ngritja e taksave për sendet e luksit do të ishte një reagim i ashpër dhe naiv ndajt këtij fenomeni. Ndonëse kjo përgjigje mund të jepte rezultate të menjëhershme, do të dëmtonte padrejtësisht ata që mund t’i blejnë këta artikuj dhe do të ulte përfitimet e firmave shqiptare. Një reagim më i arsyeshëm do të ishte përmirësimi i institucioneve të edukimit të lartë në Shqipëri dhe të studentëve që ato diplomojnë. Kthimi i studentëve të diplomuar jashtë, që ka filluar kohët e fundit nuk është aq pozitiv sa duket në pamje të parë. Së pari numri i të kthyerve nuk është aq i madh sa të krijojë ndonjë ndryshim serioz dhe shumë shpejt të kthyerit përpihen nga sistemi. Së dyti, kthimi i tyre nuk përmireson aspak cilësinë e studentit shqiptar dhe krijon konflikt dhe një lloj armiqësie midis të dy grupeve. Së treti, diplomimi në perëndim nuk është domosdoshmërisht sinjal i një aftësie të lartë; për këtë është e nevojshme dhe eksperienca e punës në fushën e caktuar. Një i sapodiplomuar nga jashtë është më pak i vlefshëm se një i diplomuar brenda vendit që ka vite të tëra eksperience. Qeveria duhet ta thyejë atë kuazi-monoplin që ka në tregun e krahut të punës, duke e lënë të lirë tregun t’i motivojë punonjësit nëpërmjet pagesës. Konkurrimi për talent nga OJQ-të ndërkombëtare duhet doemos të tkurret po qe se duam që firmat shqiptare të kenë mundësi të punësojnë kandidatët më të aftë. Deri më sot shumë firma të vogla nuk e kanë këtë mundësi sepse nuk mund të konkurrojnë drejtpërdrejt më kuletat e fryra të OJQ-ve. Liberalizimi i tregut të punës do të krijonte një kulturë e cila bën dallimin në bazë të rezultatit qe jep secili, duke lejuar kështu punëdhënësit të bëjnë dallimin midis punëtorëve të dedikuar, dhe dembelëve të cilët po përfitojnë nga kaosi i sotshëm.

Diamantin të thashë e dua 3 karat

Dhe mos harro koleksionin “Dolce & Gabbana” 2007.

[Shënim: Artikulli u përkthye nga autori. Origjinali në anglisht mund të lexohet këtu.]

Rreth Autorit

Elton Dusha është i doktoruar në Universitetin e Torontos, dhe prej vitesh ushtron profesionin si profesor, analist, dhe konsulent ne fushën e ekonomisë. Fokusi i punës së tij është makroekonomia, veçanërisht politikat monetare, zhvillimi ekonomik, korrupsioni dhe tregjet financiare. Përveç publikimeve akademike, ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në diskursin publik, sidomos gjatë qëndrimit të tij në Kili, nëpërmjet artikujve për institucionet shtetërore dhe publikun, ku prek tema kyçe dhe aktuale për politikat ekonomike.

Author Archive Page

18 Komente

  1. Dua t’u tregoj diçka që më ka ndodhur para do kohësh, në dukje pa lidhje, por që e pasqyron më së miri atë Bling-blingun e Bleonës. Po u përktheja nja dy ushtarëve amerikanë që ktheheshin nga baza e tyre në Gjermani. Njëri ish me origjinë shqiptare. Ndërsa po i afroheshim Laprakës, aty ku ishte edhe hoteli ku do qëndronin, shqiptaro-amerikani më pyeti:
    – Is this Gërdec?
    E ç’t’i thoja!

  2. Falemnderit per shkrimin. Deshiroj te bej nje verejtje megjithate. Jo Theodore por Thorstein Veblen, te lutem [korrigjuar]! Mendova se ne anglishte qe nje lapsus calami i pafajshem, mirepo tani qe e shoh edhe ne versionin shqip filloj te dyshoj se ky autor, i njohur sa per trogloditizmin e jetes se vet private, aq edhe per penen e mprehte e gjuhen pazakonte, vepra e te cilit duket si e bere enkas per te pershkruar Shqiperine e psikologjine e saj te sotme, me sa duket permendet si autor referim pas referimi por nuk eshte lexuar.

    Conspicuous consumption ose conspicuous leisure te elitave te sotme shqiptare, pervec veshtrimit nga rrafshi ekonomik, tani ndoshta edhe me shume se me pare vlejne te sqarohen para se gjithash veshtruar prej rrafshit sociologjik dhe si filozofi baze ne themelet ekonomike te se sotmes.

  3. Ngritja e taksave për sendet e luksit do të ishte një reagim i ashpër dhe naiv ndajt këtij fenomeni.

    Mendoj qe konsumi i luksit nga nje minoritet eshte destabilizues per nje ekonomi si ajo e Shqiperise. Nqs gjysma e te ardhurave te shkon per konsum luksi, atehere tere ekonomia e ekspozuar ndaj nje shock-u te jashtem qe e zhduk ate. Prandaj me duket ide e mire qe te taksohet luksi ne menyre qe te nxitet kapaciteti per kursim.

    Si eshte destabilizues konsumi i luksit per Shqiperine?

    Minoriteti qe e ka kete aftesi e ka prej punesimit ne nje administrate te fryre ose ne OJQ. Administrata nuk ka jete me te gjate se 4 vjet, se vjen administrata tjeter qe te pushon nga puna. Punesimi ne OJQ-te po ashtu varet nga faktore te jashtem qe mund te thahen (Erion Veliaj nuk eshte me MJAFT per kete arsye).

    Nderkohe ata qe kane luks prej nje aktiviteti ‘nentokesor’ rrezikojne si koken ashtu edhe burgun.

    Pra nje ekonomi komerciale dhe e nendheshme si Shqiperia rrezikon nje shock te papare prej keti minoriteti me luks. Duhet shpuar ajo ‘conspicuous consuption bubble’ dhe jo te zhvendoset me vone ne kohe. Sa me shpejt aq me mire.

  4. thjesht dicka plotesuese per grupin e studenteve jashte qe e njoh disi. Problemi me te kthyerit nga jashte eshte qe pjesa derrmuese jane te degeve shoqerore (sidomos shkenca politike, juridik, filozofi etj) pra jane studente qe kane mbaruar dege ku tregu i punes jashte nuk i le shume hapesire per punesim. Ata nuk jane konkurrente ne keto dege ne vendet qe kane studiuar (jo per shkak mungese profesionalizmi por per faktore te tjere si gjuha, rrethi social etj) e rrjedhimisht kane prirje per tu kthyer shume me teper sesa pjesa qe ka mbaruar shkenca natyrore ekonomike apo inxhinierike.

    Ajo qe eshte interesante eshte qe studentet jashte vendimin se cfare dege do te studiojne e marrin para se te nisen jashte dmth. qe gjate kohes qe jane ne Shqiperi. Pra vendimi mbi degen e studimit eshte nje vendim qe varet nga konteksti i tregut te punes dhe drejtimit ekonomik shqiptar e jo nga tregu i punes ku studentet do te studiojne. Rezultati eshte qe studentet jashte kane prirje te ngjashme te zgjedhjes se deges me ata qe studiojne ne Shqiperi, ku deget mbizoteruese jane shkencat politike, ekonomi, juridik e te ngjashme.

    Problemi ne kete mes eshte qe “tregu shqiptar” qe ofron hapesira ne fushat e mesiperme perbehet praktikisht vetem nga sektori shteteror, OJF-te e universitetet. Nje pjese e madhe e te kthyerve jane punonjes shteteror apo OJF-sh. E si te tille atyre ju mungon pavaresia qe do ti jepte fjala vjen tregu privat e jane shume me te prirur te thithen nga “sistemi” pa e ndryshuar ate. Nga i gjithe ky proces pozitiv eshte vetem angazhimi i te diplomuarve jashte ne universitetet shqiptare pasi kjo mund te sjelle nje permiresim te lehte ne nivelin e te diplomuarve shqiptare.

  5. Elton Dusha shkruan:

    “Pyetja shtrohet kështu: Përse një shqiptar/e me të ardhura mujore prej $300 shpenzon $150 për një palë çizme?”.

    Sepse nuk paguan qerà !

    Gjithmone kam qene i mendimit se shqiptaret kaluan nga nje kapitalizem i ashper 50 vjeçar (qe e theriste veten socializem), ne nje kapitalizem disa here me te bute, dmth më socializues . Kete, midis te tjerash, e konfirmon vete paragrafi juaj (citoj): ” Qeveria duhet ta thyejë atë kuazi-monoplin që ka në tregun e krahut të punës, duke e lënë të lirë tregun t’i motivojë punonjësit nëpërmjet pagesës”.

    Une njoh plot familje shqiptare qe marrin te ardhura mujore ne total prej $300 dhe kane vetura fringo te reja Benz-Mercedes.

    Une ketu ku jetoj fitoj disa here me shume se ata, por nuk kam veture (ose zere se kisha), por kurrsesi nje fringo te ri Benz-Mercedes !

    Sepse une paguaj qerà !

  6. “Pyetja shtrohet kështu: Përse një shqiptar/e me të ardhura mujore prej $300 shpenzon $150 për një palë çizme?”.

    Anglezi ka nje proverbe qe thote: Nuk jam aq i pasur sa te ble gjera te lira.

    Por ka te tjere qe mendojne ndryshe, varet ka koncepti qe ka cdokush per materialen dhe prioritetin.
    Nese nje bluze qe kushton $300 ka cilesine, stilin, dhe materialin qe te pelqen athere c’vlere ka paraja perpara deshires se permbushur, por nese 300 bluza qe kushtojne $1 secila, mbushin dollapin dhe ti prape je i kenaqur perseri paraja e humbet vleften.
    E rendesishme eshte te jesh comfortable me materialen qe perdor vetem keshtu mund te krijosh nje lidhje te sigurt midis. Tani, nese fillon dhe i jep prioritet gjykimit te tjereve per menyren personale te perdorjes se materiales, une mendoj qe aty eshte pikenisja e divorcit te njeriut me materialen. Nese telefoni qe ke ne shtepi eshte antik, por krejtesisht ne gjendje perfekte te kryeje punen, perse te duhet nje i ri?

  7. po shtoj më poshtë një artikull timin të paradokohshëm, që ndoshta e plotëson shkrimin e Eltonit me disa përsiatje të natyrës sociologjike.

    LISAT, RIGONI DHE KËMBËT E DHISË

    U bë deti kos, thotë populli, për të përshkruar një rrokopujë sociale të tillë që fare mirë do t’i ngjasonte së sotmes në Shqipëri – teksa shthuren trishtueshëm hierarkitë e vjetra dhe të reja, tradicionale dhe moderne, fshatare dhe qytetare, për t’u zëvendësuar me një sistem materialist vlerash që i bën pothuajse të gjithë të ndihen të paqetë e të palumtur. Barazitizmi i trashëguar prej komunizmit ose ndoshta pak edhe prej bashkësive fshatare të lira të dikurshme e gildave të zejtarëve, në kombinim me mbipopullimin e qyteteve dhe zvogëlimin e hapësirës private individuale, kanë përftuar një atmosferë të nginjur nga ankthi i pozitës shoqërore në sy të së tjerëve; sidomos në raport me “të barabartët”, fqinjët, miqtë e shokët, të afërmit e të gjithë ata pa të cilët nuk bëjmë dot, e me të cilët përsëri nuk po bëjmë dot. Shqiptari i mesëm statistikor, ose tmerri i politikanëve dhe ekonomistëve, duket i zënë ngushtë më shumë se kurrë. Për të çarë përpara e shkëlqyer shoqërisht i duhen para, më shumë para, gjithnjë e më shumë para; me të cilat të blejë Benz-at, të ndërtojë vilat, të engledisë konkubinat, të investojë për doganat, të korruptojë nëpunësit e tenderëve, të vajisë deputetët kryeneçë dhe gazetarët kureshtarë, të trazohet në trafiqe dhe tregti të dyshimta e të braktisë çdo lloj skrupulli ndaj atij sistemi moral me të cilin e mëkuan në vogëli. Ndërkohë të tjerët, më të shkathëtit e më të shpejtët, ndodh që i ngrenë vilat e pallatet më të larta dhe veturat i blejnë më të shtrenjta e me gjithë shofer brenda dhe gratë i marrin për së dyti e së treti më të bukura dhe pushimet i bëjnë me katalogje edhe më të largëta e farfuritëse dhe jo në hotele po në kështjella, madje jo në kështjella po në tempuj. Deti vërtet është bërë kos, por njerëzit po gjykohen nga lugët në brez – dhe lugën më të madhe deri më sot gjithnjë e ka pasur ai tjetri.

    Mobiliteti social si faktor dinamik është relativisht i ri në historinë shqiptare. Deri të paktën në fund të shekullit XIX, struktura e shoqërisë ndër ne mbetej përgjithësisht e shtangët, në kuptimin që gjithsekush e kishte të qartë vendin që zinte në hierarkitë; dhe ambicjet individuale e familjare synonin jo aq t’i cenonin hierarkitë, sesa t’i përdornin si modele referimi. Rrallë ndodhte që fshatarit të varfër t’ia prishte gjumin madhështia e sarajeve të beut të zonës, ose prestigji i oxhakëve a familjeve të mëdha. Edhe në qytete hierarkitë ishin të gdhendura në gur, në përputhje me normat e perandorisë osmane të asaj kohe; dhe ishte pikërisht ky ekuilibër hierarkish që i bënte shtresat e shumta shoqërore – të burokratëve, ushtarakëve, klerikëve, zejtarëve, tregtarëve, ndërtuesve – të gjenin një modus vivendi të pranueshëm. Pavetëdija kolektive ndiqte, siç mund të pritej, modelin klasik mesjetar të shoqërisë si organizëm i gjallë, ku klasat dhe grupet e ndryshme luanin role të krahasueshme me ato të organeve e të gjymtyrëve. Megjithë përpjekjet e ndriçimtarëve të Rilindjes Kombëtare për të kumtuar diçka nga idealet liberale të Iluminizmit e të Revolucionit Francez, strukturat vertikale ndër shqipot mbetën praktikisht të patundura, sepse vetëm qëndrueshmëria e tyre ia garantonte njëfarësoj funksionimin jetës së përditshme. Feja, nga ana e vet, u shërbente për bukuri hierarkive duke ua gjetur e sjellë ngushëllimin e domosdoshëm të gjithëve, sidomos të dënuarve t’i shtynin ditët në katet më të ulëta të piramidës – meqë si për të krishterët, ashtu edhe për myslimanët, të skamurit, të vobegtët e të përulurit mbeteshin më pranë Zotit.

    Modernizimi i Shqipërisë së pavarur, siç u fillua me maturi nga Zogu, e siç u përçudnua nga E. Hoxha, do të shpinte, përkundrazi, në një rishikim rrënjësor të armaturave sociale. Sidomos në rastin e reformave komuniste, nuk ishte fjala aspak për një ndërrim aktorësh ose banorësh të strukturave të piramidës – sipas të famshmes formulë të Mao Ce Dunit për borgjezinë që bëhej proletariat dhe proletariatin borgjezi – por më tepër për një atentat ndaj vetë nevojës për të pasur struktura sociale vertikale. Komunizmi trashëgoi diçka nga krishtërimi, meqë edhe për “proletariatin” fitimtar të luftës së klasave në Shqipërinë e Pasluftës premtimi për një të ardhme të ndritur mbetej e vetmja trofe; por ndryshe nga krishtërimi, u ngut që të pasurve, elitave dhe ajkave t’ua merrte shpirtin (dhe pronën) për së gjalli. Në totalitarizëm mobiliteti social u kthye në kusht të ekzistencës së marrëdhënieve ndërqytetare, pse pozita e askujt nuk ishte e garantuar, përveçse në raport me syrin inkuizicional të Partisë. Barazitizmi, në trajtën e vet më të frikshme, u ul këmbëkryq në jetët e të gjithëve; pse askush nuk do të guxonte të shquhej prej së tjerëve, përveçse po të dallohej si luftëtar i çështjes djallëzore të anonimitetit, thjeshtësisë proletare, vetëmohimit, shpërbërjes publike së egos nëpërmjet vetëkritikës dhe vetëkamzhikimit. Për çudi, ishte pikërisht ky regjimentim i ambicjeve që u bë shkas për një ndjenjë të vetvetishme solidariteti horizontal, një vetëdije difuze prej viktime ose ngazëllimi prej të mos qenit vetmitar në fatkeqësi. Shkëputja e udhëheqjes së lartë prej së përditshmes – mbyllja prapa kangjellave, mureve të larta të oborreve, tuneleve të mbrojtjes strategjike, truprojeve të armatosura, perdeve të trasha të veturave, sekretit shtetëror, vetë misterit të intrigës që i kish katapultuar kryesorët në majë të shtetit – sikur e bënte edhe më të njëtrajtshme qetësinë e konstatimit të pamundësisë.

    Post-komunizmi, përkundrazi, u përvijua si vizion meritokratik, pse shumë prej atyre po revoltoheshin ndaj parodisë totalitare të R. Alisë projektonin rivendosjen e strukturave sociale vertikale të tilla që t’i përgjigjeshin njëfarësoj hierarkive të natyrshme në shoqëri, ose të paktën hierarkive që atyre u dukeshin “të natyrshme”. Çka ndodhi, në të vërtetë, ishte pafuqia e autoritetit publik për të vendosur ndonjë rregull ose kriter çfarëdo në luftën e shfrenuar për pasurim; akaparim malli, prone dhe parash në rrugë të ligjshme dhe të paligjshme, madje edhe në rrugë për të cilat ligji asgjë nuk dinte. Gerontokracia komuniste u zbyth për t’u hapur vend strukturave të tjera, më të zhdërvjellëta, të operativëve, kamerierëve, diplomatëve, berberëve, sigurimsave, shitësave, magazinierëve dhe gjithkujt tjetër që parazitonte prej kohësh mbi kufomën e shtetit barazimtar të dikurshëm (“shkërdhatokracia” e D. Agollit). Shqiptari statistikor e pa më në fund veten mirëfilli të lirë – për të shkatërruar pasuritë publike, për të shpërfillur ligjin, për të ikur në Perëndim, për të larë haqe e gjaqe e për të shlyer borxhe të vjetra, për t’u organizuar në grupe parakriminale e më në fund për të realizuar ëndrrat e përkëdhelura, çuditërisht modeste në mos groteske, me vetura të markës Benz, vila të fortifikuara buzë detit dhe restorante me buzuqi. Historia e Shqipërisë në vitet nëntëdhjetë mund edhe të përmblidhet e tëra në këto përpjekje titanike për t’i hapur vend ambicjes personale, ose për t’u çimentuar në vetrinat e jetës publike në Shqipëri; krahas me konstatimin e vonë se materializmi paskësh qenë më dështakja e feve, meqë gjyqin e fundit e lejon madje e nxit të mbahet përditë e në sytë e të gjithë atyre që nuk duan të shohin.

    Mes pështjellimit që pasoi shpërbërjen e strukturave totalitare në Shqipëri, nuk pati natyrisht vend për ndonjë restaurim të raporteve të dikurshme, siç do ta dëshmonin protagonistët e mbijetuar të hierarkive të vjetra, të cilët ç’prej gjysmë shekulli po e prisnin lumin t’u sillte kufomën e armikut. Vetë kandidati për fron L. Zogu, i energjizuar nga shtegtimi nëpër librat e ndaluar të historisë, u shndërrua marramendthi në simbol jo të rimëkëmbjes së hierarkive, por të kotësisë së kësaj rimëkëmbjeje. Në të vërtetë, shembja e regjimit komunist ndodhi pikërisht pasi disa hierarki rudimentare ishin kristalizuar sërish nën R. Alinë, kryesisht rreth teknokratëve dhe embrioneve të shoqërisë civile në Tiranë; por edhe me pjesëmarrjen e të gjithë atyre që, në një mënyrë ose në një tjetër, kishin nisur kontakte ose marrëdhënie me universin “Përtej”. Për këtë arsye, epoka post-totalitare në Shqipëri startoi me gjestin aq domethënës të rrëzimit të statujës së E. Hoxhës si kurorëzim i një shtyse në thelb barazimtare – shprehur kësaj radhe nëpërmjet thirrjes për “demokraci”, në një kohë që vendi kishte mbetur, në thelb, pa struktura sociale. Në të tilla rrethana, pasurimi individual do të imponohej si i vetmi proces i rikthimit të njëfarë normaliteti në jetën e përditshme; pa çka se mungesa e e rolit rregullues të autoritetit publik të shtetit e komprometoi këtë proces që në rrënjë. Krahasimet me fillimet aq të ashpra e të dyshimta të kapitalizmit në SHBA vijnë në vështrim detyrimisht; thuase një nga ligjet e historisë do të ishte edhe vetë nevoja për të përsëritur gabimet, sidomos ato më të shmangshmet. Mirëpo Shqipëria nuk e ka hapësirën e Perëndimit të Largët amerikan dhe teknologjia e transportit dhe e komunikimit sot mëton t’i afrojë njerëzit deri në atë pikë sa bashkësitë vijnë e u ngjajnë koshereve ose foleve të milingonave; që këtej, nuk është e tepruar të thuhet se pabarazia në pasurimin material po i bën shqiptarët të ndihen intimisht të palumtur.

    Kjo palumturi natyrisht nuk krahasohet me ankthin ekzistencial kolektiv të ditëve nën totalitarizëm, as me vetëdijen e pamundësisë për të dalë nga roli që “ata lart” kishin shkruar për ne vdekëtarët e na mbikqyrnin rreptë teksa e ekzekutonim; por ka të bëjë me ankthin tjetër, ndoshta më meskin por njëlloj gërryes, të pamundësisë për të fituar në një garë teorikisht mes të barabartësh. Lartësitë dhe kubaturat e ndërtesave, xhirot e hoteleve dhe të restoranteve, fitimet e trafiqeve dhe të pastrimit të parave, llogaritë bankare dhe të investimeve, miljet e fluturimeve dhe hektolitrat e verërave të gostive e banketeve, të gjitha këto u binden ligjeve të hekurta të sasisë, disiplinës së numrit, verdiktit të pamëshirshëm të aritmetikës. Ngushëllimi përthithet në vrimën e zezë midis teje dhe kujt të ka tejkaluar. Dikur feja do ta mbushte atë hapësirë me mjegullën e ëmbël të fjalës së mirë në mos të një premtimi; dhe për ato pak mendje të familjarizuara me filozofinë e të vjetërve, urtësia e stoikëve do të tingëllonte njëlloj e mençur e lehtësuese. Sot etikës nuk po i dëgjohet zëri, madje as edhe brenda institucioneve që etikën e kanë arsye për të ekzistuar; në një kohë që shqiptari statistikor rrezikon çdo ditë t’ia bëjë vetes pyetjen shkatërruese se mos vallë e ka humbur tanimë betejën për jetën. Ndjenjë e hidhur ajo e të qenit fillikat në mes të një qyteti që harliset egërsisht rreth teje, me njerëz që të duken aq të përfshirë gëzimesh rreth tryezave të shtruara të fitores; ose konstatimi fatal se gjithçka ke arritur – televizori, kolltuqet, vetura që e ke blerë të përdorur, soba elektrike, apartamenti në Shkozet – nuk po të hyn më në sy, krahasuar me çfarë ndodh atje ku kremtojnë meshë priftërinjtë e Mamonit.

    Hierarkitë në Shqipërinë e shekullit XXI mbeten ende për t’u kristalizuar, por kjo nuk do të mund të sjellë ndonjë qëndrueshmëri sociale, pa u konsoliduar një klasë e mesme që të shërbejë si buffer midis atyre që “nuk kanë” dhe atyre që “kanë me tepri”. Sot për sot, kontakti i skamjes me luksin sidomos në qytetet kryesore të vendit duket të ketë arritur një nivel pothuajse pornografik. Les nouveaux riches në Shqipëri jo vetëm nuk po e tregojnë as mirëkuptimin, as delikatesën për t’u tërhequr gradualisht nga sytë e publikut e për ta shijuar njëri-tjetrin larg vëmendjes së galerisë; por përkundrazi, e gjejnë arsyen madje harenë e ekzistencës së tyre në një ekzibicionizëm sa kitsch, aq edhe të rrezikshëm. Kjo paturpësi etike e pasunarëve të sotëm mund të shpjegojë edhe dëshirën e shumë prej të tjerëve – në dukje absurde – për të emigruar tani nga Shqipëria, megjithëse të ardhurat mund t’i kenë në thelb më të mira se ç’mund të shpresojnë t’i sigurojnë në Perëndim; pa llogaritur avantazhet e të jetuarit në vendin tënd, sipas rregullash e nomesh të mëkuara që në fëmini. Psikoza kolektive e disfatës është vërtet pasojë e zbatimit të një modeli social ku etika i nënvendoset materializmit dhe fitimtarët duan konsideruar, vetvetiu, si “të mirët” e momentit; por në Shqipëri kjo ndërlikohet edhe nga barazitizmi, që u ka mbijetuar shndërrimeve përndryshe aq rrënjësore në shoqërinë shqiptare. Kush gatitet a gjithnjë ëndërron të ikë, kërkon ta lëjë këtë mundim pas krahëve e të fshihet në faqen e pasme të Hënës, ku alibitë e shmangies së krahasimit do t’i ketë me bollëk, e ku fitimtarët gjithsesi do t’i përkasin një dimensioni tjetër, praktikisht të paarritshëm.

    Shqipëria do të bëhet për të plasur shqiptarët, thotë një aristokrat te “Nëntori i një kryeqyteti” të I. Kadaresë; dhe nuk ka kaluar dhjetëvjeçar që prej kohës kur është botuar romani (1974), madje që prej kohës kur jetonte ai personazh imagjinar (fund i viteve 30), pa më bërë të mendoj se shkrimtarëve nuk është e thënë t’u realizohen profecitë vetëm një herë.

  8. Kur e postova artikullin ketu isha shume i interesuar te dija se c’mendonin Shqiptaret per kete argumentin se mungesa e mjeteve per te deduktuar aftesine e cdokujt eshte shtysa me e forte per konsumin per dukje. Te them te drejten, kur e degjova per here te pare si argument m’u duk pak qesharak, sepse nuk bindesha dot qe nje individ racional mund t’a beje kete pa thyer rregullat me te thjeshta te llogjikes. Sot jam me i bindur qe racionaliteti individual eshte thjesht funksion i rrethanave, kur te gjithe ulerasin eshte mese llogjike te ulerasesh edhe ti, ndonese mund te mos ta dish perse. Perderisa nuk e kundershtoi njeri kete argumentin thelbesor te artikullit, mund te arrij ne perfundimin se eshte, te pakten ne pamje te pare, jo edhe aq larg te vertetes. Nepermjet ketij artikulli desha te jepja nje arsye ekonomike qe nxit konsumin per dukje sepse ato kulturore jane thene e sterthene. Po iu pergjigjem nje nga nje qe te mos ngaterrohem me veten e me ju:

    Qafir: Argumenti im qendron ne faktin qe pjesa me e madhe e qytetareve konsumojne per dukje, jo vetem nje minoritet. Ekonomikisht, konsumi i tepruar i atyre qe ua mban xhepi eshte neutral sepse atyre ua mban xhepi. Kriza ne fund te fundit le pa gje pikerisht ate qe nuk ka gje.
    Ketu me duket se po ngaterron shkakun dhe efektin; Konsumi per dukje nuk eshte shaku i fryrjes se organizmave shteterore por efekti i saj. Ky qe argumenti im;shfryni organizmat shteterore dhe lejoini kompanite te paguajne sipas nje tregu te krahut te punes qe nuk eshte fiktiv.
    Po ta shohesh pak me holle ate punen e taksimit do e kuptosh pse thashe qe taksimi eshte naiv. Ne nje vend si Shqiperia, rritja e perqindjes me te cilen taksohet nje mall nuk perkthehet direkt ne rritjen e taksave qe mblidhen, sepse shumica e firmave paguajne pak ose aspak taksa. Mbledhja e taksave ne shqiperi eshte nje nga problemet me thelbesore, keshtu qe te rrisesh taksat ne nje vend ku asnjeri nuk i paguan ato eshte si ta kercenosh nje te mbytur me varje…nuk ha buke. Per me teper, rritja e taksave do shtynte disa biznese, qe sot mund te operojne kuazi-ligjerisht, nen-toke, duke e bere edhe me te veshtire mbledhjen e taksave. Nga ana tjeter, nje ligj i ri per taksimet e materialeve te luksit do te hapte njemije e nje rruge per korrupsion (mendo vetem kodin taksor, kush quhet material luksi? sa taksa jane doganore dhe sa sales tax?). Te gjitha keto menjehere do nxjerrin ne pah paaftesine e sistemit shqiptar per te taksuar popullsine dhe do bejne te pasur vetem tregtaret e mallrave, do krijojne nje monopol ne tekstile (vetem ai qe e ka vellain tek ministria do kete mundesi te operoje).

    Eni: Jam teresisht dakort me ty, e di qe shkencat shoqerore jane me te preferuara nga studentet shqiptare sepse i tille eshte tregu ne Shqiperi. Kjo eshte fatkeqesi se per nje ekonomi eshte shume me i vlefshem nje inxhinier sesa nje ekonomist. Megjithese me duket llogjik argumenti yt se kush kthehet nuk le shume mbrapa (ne vendin e huaj) eshte prape argument spekulant. Kjo per arsye se nje vend i mire ne nje ministri, nepermjet rryshfeteve mund te te jape te ardhura te menjehershme dhe te majme. Pastaj i njejti person mund te kthehet ne vendin qe ka lene per te rifilluar karrieren aty ku e la. Pra nuk eshte e thene qe kush kthehet ne Shqiperi nuk e ka qullosur dot “andej”, ndoshta e quajne thjesht te perkohshme kthimin e tyre. Ver re qe ketu po perjashtoj idealistet sepse motivet e tyre nuk i kuptoj dot.

    Stalker: Ti ve re faktin qe shqiptaret nuk paguajne qera. Kjo do te thote qe si perqindje e te ardhurave te pergjithshme, te ardhurat e disponueshme (te ardhurat qe ngelen pas harxhimit per gjerat e nevojshme per mbijetese) jane me te larta ne Shqiperi se sa ne SHBA. Pra ne qofte se nje Shqiptari i ngelen 80% te te ardhurave mbasi paguan per ushqim drita dhe uje, nje amerikani i ngelen 60%. Pikerisht per ta heshtur kete lloj argumenti e bera ate eksperimentin mendor ne fund te artikullit. Edhe mbas dyfishimit te te ardhurave te pergjithshme argumenti qendron. Keshtu qe nuk me duket se qeraja eshte arsyeja.

  9. “Për t’u dukur mirë në sy të komunitetit është e nevojshme të sajosh nje farë standardi konvencional të pasurisë; po ashtu sikurse në fazën e parë të grabitjes është e nevojshme për njeriun barbar të arrijë standardin e fisit për rezistencë fizike, dinakëri dhe mjeshtëri në përdorim të armës” – Thorstein Veblen

    Conspicuous Consumption natyrisht nuk është ndonjë fenomen i ri, përkundrazi. Edhe studimi i kërkuesve Charles, Hurst & Roussanov, në rrafsh të thjeshtë e në thelb konfirmon çka shpërfaqet si “conspicuous and obvious”. Dhe në Shqipërinë e sotme nuk ka nevojë për ndonjë studim empirik, që të na konfirmojë sesa i vret sytë kjo shpalosje e lakuriqtë dhe e shëmtuar e konsumit. Kategoritë e racave që merr në shqyrtim studimi – me gjithë sasinë e zinxhirëve të verdhë në qafë, numrit të unazave në çdo gisht të dorës ndonjëherë edhe të këmbës, e radhëve me byzylykë ne kyçe të duarve, pa llogaritur metalet e vendosura tjetërkund – kanë si analoge parvenue-të e sotëm shqiptarë, gjela në majë të shkallares nga ku drejtohet shteti dhe ekonomia. Kjo klasë e re sundonjëse, për nga manierat dhe fillesat joelitare, më sjell ne mendje pikërisht sesi një mik m’i prezantoi afro-amerikanët për herë të parë kur mbërrita në ShBA 13 mote të shkuara: “Prishin gjithë sa fitojnë!” Por, atëhere, këta i identifikoja me Jimi Hendrix, Ray Charles, Stevie Wonder, Grace Jones, e të tjerë artistë e balerinë ekzotikë e dekorativë të spektakleve të RAI-it.

    Veblen ne librin e vet “Conspicuous Consumption” përshkruan ekzibicionizmin e klasave të pasura. Sa më shumë të ekspozohet pasuria, mirëqenia dhe luksi aq më fort shijohen. Ja një anekdotë për banalitetin e së cilës lyp ndjesë.

    Thonë se Cindy Crawford dhe një katundar qëlluan të ishin te vetmit prej pasagjerëve që mbijetuan kur anija iu mbyt. Dallgët i degdisin të dy bashkë në një ishull të vetmuar. Duke mos patur kërrkënd veç njeri-tjetrit, të dy nisën të pajtohen me rrethanat dhe eventualisht, siç mund ta merrni me mend, kryejnë edhe marrëdhënie seksuale. Fill pas aktit Cindy e pyet katundarin: “Më thuaj, a të pëlqeva?”. Fshatari lëviz kryet në mënyrë pohuese, porse dëshiron të lypë edhe një favor më tepër. “A mund të zhdeshesh, të mbathësh teshat e mia e të vizatosh mustaqe si të bashkëfshatarit, shokut tim të ngushtë?” e pyet. Cindy pak e çuditur pranon e ia përmbush sakaq dëshirën. Fshatari e vështron i ngazëllyer, e duke iu afruar me fytyrën që i vezullon lumturie, e godet lehtë e me vrik me gishtin tregues në dërrasë të kraharorit edhe thotë: “Hej, a ta merr men’ia mor lum v’llai, se me çin sapo e bana atë punë…? Me Cindy Crawford, dora vetë!”

    …Për klasën e kamur të shqipatarëve standardi i ekspozimit për hir të ekspozimit evidentohet përmes faqeve të shtypit e të suplmenteve… Kujtoni presidentin Topi kur ekspozonte vilën e vet prej pasunari dhe ne të gjithë mesuam që jo vetëm se e kish pagëzuar muzealisht Etna por edhe sidomos se Etna qenkërka kombinim simbolik i emrave të të bijave; ose kur u informuam se zonjës së parë shtepia e vet i dukej më komode dhe më e mirë se vila presidenciale, porse ç’e do po të lypej patjetër që do të lëvizte atje ku ia kërkonte detyra. Por, sillni ndër mend edhe martesat e hareshme dhe fotografimin e luksit të deputetëve Trashani e Balla, luksin e dasmës së artistes Maliqi dhe bashkëshortit bizenesmen të famshëm – për analogji kujtoni dasmat e çifteve topolakë që rinovojnë duke u ngashëryer përbetimet martesore në “reality show”në TV; sillni ndër mend edhe helikopterët e Xhoana Nanos e pushimet në bregdete përrallore të deputetëve e VIP-ave; edhe hapni sytë se mos harroni modelet e kostumeve, kombinimet e ngjyrave e nuancave, e markën e këpucëve, celularit dhe aksesorëve të Lajla Përnaskës…

    Njeriu i sotëm, siç vëren Veblen, s’është veçse barbar i mbuluar me vel të hollë civilizimi, i cili njësoj e ka ndierë dhe e ndien nevojën për të ekspozuar normën e shpenzimeve.

    Nga ana tjeter vegjëlia, edhe pse e pakënaqur dhe e revoltuar me nivelin e saj të jetesës, prap emërues të përbashkët ka qëndrime e shprehi të njejta. Në këtë kuptim punonjësit e çfarëdoshëm në korporata, ente publike e private, nuk është se kërkojnë të mënjanojnë apo t’u zenë vendin menaxherëve që kanë në krye, as shtetasit e zemëruar nuk synojnë gjë asgjësimin e leader-ve që kanë mbi krye; përkundrazi, kërkojnë t’i imitojnë ose të bëhen si ata, të ngjiten në lartësinë e tyre, ose sikur shkallarja të përmbysej, do të bënin njësoj të njejtën gjë, madje po të mundeshin akoma edhe më shumë.

    Ky rreth vicioz i psikopatologjisë socio-ekonomike, më shumë se me gjuhë ligjesh e taksimi, mund te zgjidhet thonë mendje të ndritura me zgjim shpirtëror edhe etik. Por, ky shteg kërkon shtjellim të posacëm e të hollësishëm.

  10. Xha Xhai thote:

    Hierarkitë në Shqipërinë e shekullit XXI mbeten ende për t’u kristalizuar, por kjo nuk do të mund të sjellë ndonjë qëndrueshmëri sociale, pa u konsoliduar një klasë e mesme që të shërbejë si buffer midis atyre që “nuk kanë” dhe atyre që “kanë me tepri”.

    ky konstatim, megjithese ne thonjeza (“nuk kane” dhe “kane me tepri”) me duket sikur i kundervihet linjes se mendimit qe perconte shkrimi yt Xha Xha! Kam pershtypjen se shoqeria shqiptare me shume se per nje klase te mesme ka nevoje per nje klase cfaredo (te mesme, te larte, apo te ulet) qe te jete ne gjendje te imponoje mbarevajtjen etike dhe shpirterore te shoqerise. Sic thote edhe B-ja vete:

    Ky rreth vicioz i psikopatologjisë socio-ekonomike, më shumë se me gjuhë ligjesh e taksimi, mund te zgjidhet thonë mendje të ndritura me zgjim shpirtëror edhe etik.

  11. Një faktor që ndoshta do mbajtur parasysh për të kuptuar dukurinë e konsumit për dukje në Shqipëri është inercia e çmimeve të artikujve të konsumit, në bazë të konfigurimit që kanë pasur gjatë viteve 1945-1990.
    Në vitet e komunizmit, familje me të ardhura modeste ishin gati të shpenzonin shuma relativisht marramendëse për artikuj të ndryshëm luksi ose joluksi. Për shembull, një familje punëtorësh me të ardhura, të themi, 1000 lekë të reja në muaj, ishte gjithnjë gati të blente një televizor vendi që kushtonte 4500 lekë – madje në kushtet kur shteti nuk jepte kredi për blerje të tilla.
    Çmimet e artikujve të veshmbathjes, ose porcelanit, ose mobiljeve, ose orëve të dorës, ose këpucëve me porosi, ose biçikletave kanë qenë gjithnjë jashtëzakonisht të larta, në raport me rrogat. Që njerëzit gjithnjë arrinin të blenin një frigorifer ose një lavatrice, shpesh pasi i kishin siguruar autorizimet përkatëse me mundime të mëdha, kjo mund të shpjegohet vetëm me varfërinë e madhe të ofertës së përgjithshme në treg.
    Çmimet në tregun e zi ishin edhe më të larta; në fund të viteve 1980 unë mbaj mend të kem paguar 50 lekë të reja për një kasetë magnetofoni, ose diçka si 7% të rrogës sime mujore (680 lekë të reja). Tani, në mos ishte ky konsum për dukje, atëherë çfarë ishte? Përndryshe, po në atë kohë, një magnetofon stereo Sanyo i dorës së tretë, 2 + 2 W plastikë e gjallë, kushtonte 3000 lekë të reja, ose diçka më tepër se katër rroga mujore të miat.
    Megjithatë, për afro pesëdhjetë vjet, shqiptarët u mësuan të paguanin kështu për artikuj të konsumit të gjerë (duke përjashtuar ushqimin), çka duhet t’i ketë hapur rrugë edhe konsumit për dukje pas 1990-ës.
    Paradoksi, gjatë viteve totalitare, kishte të bënte me fuqinë blerëse të masave; në kuptimin që, aso kohe, shoqëria “admironte” ata që kishin akses ndaj mallrave të importit, jo ata që kishin mundësi të blenin. Për ta thënë ndryshe, shitja ishte shumë më e vështirë sesa blerja, çka mund të shpjegojë disi edhe absurditetin e çmimeve.

  12. A nuk eshte dora e fshehte ajo qe i rregullon deshirat e njerezve me mire se sa cdo ligj i krijuar prej tyre?

    Stock markets around the world
    Iceland -88.7%
    Russia -73.9%
    Ireland -73.4%
    Peru -73.2%
    Vietnam -70.5%
    China -69.8%
    Poland -62.6%
    Hong Kong -60.1%
    Brazil -57.2%
    Egypt -56.9%
    Italy -55.2%
    South Korea -54.5%
    Turkey -58.5%
    India -58.3%
    Singapore -58.2%
    Japan -58.1%
    Mexico -48.3%
    Germany -47.0%
    Spain -46.4%
    U.S.-S&P 500 -44.0%
    Australia -43.3%
    Great Britain -42.3%

    Sa per kuriozitet ekonomik, ne periudhen midis L1B dhe L2B nje nga monedhat me te forta ne bote ishte leku shqiptar. Madje ne pikun e depresionit te 1929-1933, kur cdo monedhe tjeter, pa perjashtim, u cvleresua ne raport me floririn, leku shqiptar u forcua mbi 5%.

    E njejta gje edhe sot. E gjithe Europa e Lindjes, nga Polonia, Hungaria edhe Sebia vete, kane zene radhe qe ne 2 te mengjesit tek dera e FMN me kapele ne dore. Nga c`lexoj, ne Shqiperi gjerat jane me qete, goxha me qete.

  13. Idashur on October 28, 2008 at 3:22 am,
    Kriza eshte financiare, nuk eshte ekonomike!
    Nese ende nuk je ne dijeni, Shqiperia nuk zoteron as mekanizmin minimal qe mundeson nje treg financiar, qe eshte bursa. Kurse bankat shqiptare mbajne thjesht depozitat e kursimeve te shqiptareve dhe nuk jane te perfshira ne asnje nga investimet dhe veprimet e komplikuara financiare qe shkaktuan krizen e sotme. Por edhe sikur kriza te behet ekonomike, sikurse edhe pritet te behet, ekonomia shqiptare eshte e fundit ne rajon dhe ne nuk kemi per te marre vesh nese prekemi apo jo, sepse pjesa tjeter e botes i nis krahasimet dhe llogarite nga siper dhe jo nga poshte.
    E vetmja gje qe komenti yt konfirmon eshte se ne kemi qene edhe atehere edhe sot te izoluar, te pakten ekonomikisht.

  14. Duke iu referuar mendimit tim, se një shtresë e mesme në Shqipëri do të shërbente si buffer midis atyre që nuk kanë dhe atyre që kanë me tepri, Ujku i zi shkruan:

    Kam pershtypjen se shoqeria shqiptare me shume se per nje klase te mesme ka nevoje per nje klase cfaredo (te mesme, te larte, apo te ulet) qe te jete ne gjendje te imponoje mbarevajtjen etike dhe shpirterore te shoqerise.

    Në të vërtetë unë e kisha fjalën kryesisht për efektin amortizues ose ekuilibrues të klasës së mesme; edhe në kuptimin që kjo klasë do t’i mbante larg njëri-tjetrit ekstremet (të kamurit dhe të skamurit).
    Gjithashtu, një klasë e mesme e fuqishme do të ekuilibronte edhe çmimet në treg, duke ua ulur dukshmërinë publike artikujve të luksit, të cilat kushtojnë artificialisht shumë.
    Forcimi demografik i shtresës së mesme do të ndikonte edhe në pamjen e trafikut qytetar të automjeteve – duke i dëbuar, statistikisht, Benz-at dhe Touareg-ët nga dukshmëria.
    Ashtu edhe të varfrit do t’u referoheshin të mesmëve si pikësynim ekonomik më të arritshëm.

  15. Xha xha,
    Se pari ideja se shtersa se mesme eshte ajo qe i jep ekuilibrin shoqerise ka ne vetvete supozimin, mendoj te gabuar, se shtresat e uleta dhe te larta jane shtresa desikuilibruese apo paraqesin rrezikshmeri shoqerore.
    Nderkohe nuk mendoj se Shqiperia nuk ka nje shtrese te mesme nga pikpamja statistikore. Perkundrazi. Porse kjo shtrese e mesme nuk udhehiqet nga vlera te vecanta, te forta, etike dhe morale. Shumica e kesaj shtrese eshte ateiste ne thelb dhe priret nga vlera siperfaqsore sikurse jane vene re edhe ne shkrimin tuaj. Pra sic e thashe edhe ne komentin e mesipermem ideja e shtreses se mesme me duket nje perqasje statistikore ndaj problemit, zgjidhje qe nuk ofron cilesisht agje te ndryshme nga realiteti.
    Por le te marrim shembullin e Amerikes, dhe krizes se fundit financiare. Dihet tashme se bazen e vet te suksesit ekonomia amerikane me shume se cdo gje tjeter ia detyron etikes protestane te punes dhe biznesit. Thuhet qe njehere e nje kohe amerikanet benin biznes edhe me nje “shtrengim duarsh”. Pra etika dhe fjala e dhene kishin me shume rendesi se ngasja per t’ia hedhur tjetrit. Eshte e kote ta thuash se po te shohesh ambientin e biznesit sot ne US pak gjen te trasheguar nga ajo etike e dikurshme, ose e gjen ne biznesin e vogel dhe ne baze, por ajo ka humbur teresisht ne biznesin e madh dhe ne korporata. Shoqeria amerikane sot vuan, jo ne menyre te pasherueshme, nga grykesia dhe ambiciet pa fre te cilat kane dale jashte cdo kontrolli, dhe dominohet tersisht nga etika e konsumit me te cilen e bombardon media shoqerine. Shoqeria amerikane eshte shnderruar thjeshte ne statistike ne sherbim te korporatave dhe ambicies pa fre.
    Nderkohe nga statistikat nuk duket se ka ndonje ndryshim te madh ne perberjen e te ashtequajtures shtrese e mesme. Atehere c’fare ka ndodhur?
    Per mendimin tim ajo qe ka ndodhur eshte zhdukja e shtreses se pasur me vlera etike, “blue blood Americans”, si Rockefellers, Firestones etj, zevendesuar me nje shtrese CEO-sh dhe menaxheresh anonim, qe sigurisht nuk percojne asnje vlere. Nuk eshte e rastit qe Warren Buffet del si orakull ne mbrojtje te shtresave te ulta dhe te mesme, sepse ai eshte thjesht ne traditen e shtreses se vet ne Amerike qe e ka luajtur kete rol qysh heret ne kohet e revolucionit. Kurse ne te kundert shih diskretitimin qe i ben media familjes Hilton duke marre perfaqsuesin me te padenje te saj dhe duke e kthyer ne “celebrity”. Jo rastesisht trashegimtari i ligjshem i Hilton, gjyshi, ne testament nuk u la asgje pasardhesve te vet. Pra korporatat dhe media ne Amerike i kane hyre etikes dhe moralit me kazme, dhe sidomos asaj shtrese qe ka ditur me mire ta mbaje dhe t’ia imponoje shoqerise kete moral. Dhe kjo shtrese nuk me rezulton te kete qene shtresa e “mesme”

  16. Kriza eshte financiare, nuk eshte ekonomike!

    Edhe? Kush e diskutoi?!?

    Nese ende nuk je ne dijeni, Shqiperia nuk zoteron as mekanizmin minimal qe mundeson nje treg financiar, qe eshte bursa.

    Edhe? Kush e diskutoi?!?!

    Kurse bankat shqiptare mbajne thjesht depozitat e kursimeve te shqiptareve dhe nuk jane te perfshira ne asnje nga investimet dhe veprimet e komplikuara financiare qe shkaktuan krizen e sotme. Por edhe sikur kriza te behet ekonomike, sikurse edhe pritet te behet, ekonomia shqiptare eshte e fundit ne rajon dhe ne nuk kemi per te marre vesh nese prekemi apo jo, sepse pjesa tjeter e botes i nis krahasimet dhe llogarite nga siper dhe jo nga poshte.

    Edhe? Kush e diskutoi?!?!

    E vetmja gje qe komenti yt konfirmon eshte se ne kemi qene edhe atehere edhe sot te izoluar, te pakten ekonomikisht.

    Komenti im u perpoq te vinte ne dukje se gjerat e padukshme jane me te forta e te quta se sa gjerat e dukshme. Kaq.

    Ajo mbi shqiperine dhe paret e saj, ishte thjesht nje kuriozitet.

    …Po c`ne, tha,ku mund te kete ze pa kembana…

  17. Idashur, leku ishte i forte se bazohej fuqimisht tek ari. Kartmonedhat ne shqiperine e asaj kohe perdoreshin shume pak. Cdo e gjeje arin se ka krize financiare, asgje,biles do forcohet. Paradoksalisht ishim nje shtet i varfer qe dispononte rezerva te mira ari.

    Tani persa i perket konsumit per luks, mendoj se ne nje situate kaosi ne strukturat sociale (sic ndodhet Shqiperia) ,kjo eshte normale. Borgjezet franceze ne fund te revolucionit, benin blerje te jashtezakonshme ne mallra luksi e biles shitja e titujve te fisnikerise ishte gje e rendomte aq sa ne kohen e Napoleonit, borgjezet u bene princa e mbreter.

    Ne shqiperi ky makth,filloi qe ne 1992 kur blinte komshia televizor me ngjyra, do e blije se s’ben me leke borxh edhe ti, sepse ti dhe komshia ishe i te njejtit status social dhe televizori do i ngrinte statusin tjetrit.
    Pak a shume ishin femrat ato qe kristalizuan kete rryme, me te dhena sic jane prej natyres pas luksit e arturinave.

    Shqiptaret jane teper te dhene ende sot, pas statusit social fiktiv, pasi nuk eshte akoma e pranueshme qe nje i njohuri jot,qe ke ngrene e ke pire, te ndodhet ne status me te larte social.
    Po ashtu trashegimia parakomuniste nuk llogaritet me ne statusin social, si i thone: Po te pyes si je, jo si ke qene.

    Xha xhai ngre problemin e shtreses se mesme, mirepo ne Shqiperi 80% e njerezve pretendojne se i perkasin shtreses se mesme, meqe eshte turp e ulje te thuash se i perket shtreses se varfer.
    Ne Shqiperi me shume se kudo, varferia eshte krim dhe biles krim i rende.
    Cdo njeri ne Shqiperi, pretendon te kete status social me te larte se cu njohin te tjeret qe e rrethojne.

    Ne keto kushte mallrat e shtrenjta jane e vetmja mundesi qe te kerkohet ky status me i larte.
    Kur ne Shqiperi , varferia te mos jete me krim, njerezit te shohin me shume punen se gunen, korrupsioni te mos jete me mjet per permiresimin e statusit social atehere ky tren(d) do kthehet brenda binareve.

    ”””Per mendimin tim ajo qe ka ndodhur eshte zhdukja e shtreses se pasur me vlera etike, “blue blood Americans”, si Rockefellers, Firestones etj, zevendesuar me nje shtrese CEO-sh dhe menaxheresh anonim, qe sigurisht nuk percojne asnje vlere.”””’

    Ujku i zi, jam plotesisht dakort. Zhdukja moralit klasor ,si pasoje e uniformizmit te moralit , shkaktoi deme te renda ne modelin per tu ndjekur.
    Struktura sociale po ndryshon teper shpejt e nuk ka realisht kohe per formimin e nje morali klasor, i domosdoshem per formimin e modeleve per tu ndjekur, keshtu qe njerezit ndodhen vazhdimisht ne veshtiresi, me u identifiku ne nje sistem vlerash.
    Tashme ndodhemi ne buze te gremines. Po forcohen ekstremet e ndersa e majta e reformuar apo social-demokracia grabit te djathten per te mbijetuar e djathta nuk e lufton por leshon terren duke forcuar te djathten ekstreme.

    Ndersa ndodh gjithe kjo levizje socio-politike, elita e finances, nuk eshte aspak e afte (deri tani) te mbaje rendin e as te mbaje nje qendrim te qarte,biles mua me duket se as qe i intereson te mbaje pergjegjesite e saj.
    Mirepo kur elita nuk mban pergjegjesite e saj zakonisht ndodhemi afer krizave sociale.

    Nese Perendimi nuk do kishte qene kaq i pasur, mendoj se do kishin plasur ‘fishekzjarret’. Do Zoti kjo krize nuk e varferon deri ne piken e shperthimit se do shtohen jakobinet si kerpudha pas shiut psh andej nga peshku pa uje bie shume shi,se jane shtuar shume kerpudhat.

  18. Shqiptaret blejne sende luksi sepse nuk munden me ato pak para qe kane te argetohen ndryshe.

    Nuk ekziston sektori “argetues” ne asnje lloj forme.

    Ne te njejten kohe eshte shume e veshtire te udhetosh jashte shtetit 🙁

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin