Një ditë do të shkruhet edhe historia e shkatërrimit të librit në Shqipëri.
U nisa të shkruaj “e djegies”, por sakaq u kujtova se zjarri nuk është e vetmja formë për t’i ndarë shkronjat nga letra.
Por djegia, mundësisht në pirg të madh në mes të sheshit, mbetet forma më spektakolare e ekzekutimit – sepse zjarri jo vetëm shkatërron, por edhe pastron.
Kam dëgjuar për flakadanët me libra të institucioneve katolike që i mbyllën me përdhunë, në Shkodrën e vitit 1967 – një pjesë e të cilëve libra do të kenë qenë edhe shqip. Një kolegu im në Akademinë e Shkencave (F.L.) më pat treguar për çfarë kish arritur të shpëtonte nga zjarri atëherë – më tepër si ilustrim për shprehjen “shkon i njomi me të thatin.”
Ideja këtu ishte se, kur dikush fillon të djegë, më mirë të kesh edhe ti diçka për të hedhur në turrë. Kur djeg Fishtën, pse të mos djegësh edhe Mjedën, ose fundja edhe Migjenin?
Ka pasur plot raste qyqarësh që janë dënuar me burg, pse kanë pasur Lahutën të fshehur në shtëpi; por nuk di të ketë pasur raste qyqarësh që të jenë dënuar me burg pse kanë djegur, publikisht, Juvenilia-n.
[Kur kryqtarët u kërkuan banorëve të qytetit Bézier, në Francë, që t’u dorëzonin katarët, për t’i ekzekutuar si heretikë, këta refuzuan; me ç’rast Amalric-u, i dërguari i Papës në këtë fushatë, dha urdhër që ta sulmonin qytetin dhe t’i vrisnin të gjithë banorët, meqë Zoti do të mund të dallonte të vetët nga të tjerët, kur t’i dilnin përpara në botën tjetër.]Diku kam lexuar se libri, njëlloj si njeriu, është tepër i vështirë për t’u djegur: i reziston flakës, i mbledh shkronjat në thellësi, duke sakrifikuar ndërkaq anët.
Edhe pse, nga një pikëpamje, të djegësh njeriun është shumë më e lehtë – se libri duhet djegur i gjithi, në të gjitha kopjet, ose nuk ia vlen fare.
Pa folur pastaj për dorëshkrimet e djegura: në momente krizash vetëbesimi, ose kur dikush arrin ta shohë të vërtetën të kthjellët. Ose nga tmerri se mos dorëshkrimin një ditë ta zbulojnë, së bashku me armikun që strukej aq dinakërisht brenda teje.
Pa folur edhe për spastrimet vullnetare të bibliotekave private në rrjedhë të krizave politike, plenumeve dhe kthesave historike – si prishja e Bashkimin e Madh Sovjetik. Dimri i vetmisë së madhe nuk do të përballohej dot pa soba që digjnin me kapacitet të plotë.
E çuditshme si paranoja u jep modele të gatshme regjimeve autoritare, të të gjitha ngjyrave.
Ndërkohë, mund të përfytyroj edhe libra të djegur për t’u ngrohur – si në një film apokaliptik të Hollywood-it, kur botën e kish pushtuar akulli, dhe një grusht amerikanësh patën gjetur strehë në ndërtesën e Bibliotekës Publike, në NYC.
Nuk di çfarë përbën fyerje më të madhe për librin: ta djegësh si të dëmshëm, apo ta djegësh si të djegshëm.
Gjithsesi, shembujt edhe të njërës edhe të tjetrës i gjen me bollëk.
Te një monografi e Walter Kolarz, Myths and Realities in Eastern Europe, kam lexuar për një turrë të madhe librash me alfabetin arab, që i paskan djegur në Shqipëri, në 1913 (f. 22). A new beginning?
E veçanta e asaj djegieje, është se do të ketë qenë frymëzuar jo nga përmbajtja e librit, por nga alfabeti i përdorur.
Nga ana tjetër, me pak përjashtime, regjimi totalitar librat preferonte t’i ekzekutonte me mbytje, jo me zjarr: duke pasur parasysh këtu se edhe uji, njëlloj si zjarri, purifikon.
Librat e padëshiruar, në vitet e komunizmit, dërgoheshin për “karton” – në pamundësi për t’u kthyer sërish në pyll ose në kashtë.
Sa e sa herë, kur kam prekur me dorë karton në ato kohëra, kam menduar për zërat e sedimentuara mes pulpës, njëlloj si fosilet në rërën e plazhit.
Dërgoheshin për karton librat e autorëve të ndaluar, librat e ndaluar të autorëve të lejuar, librat e ndaluar që pa u botuar – me urdhrin që vinte natën që pa gdhirë, me Gaz.
Këtë farë ekzekutimi unë do ta quaja me ujë: madje jam gati të përfytyroj një skenar ku librin e dënuar e hidhnin në hauz, dhe nëse nuk zhytej teposhtë, ia falnin jetën.
Kam parë edhe një lloj tjetër dënimi me vdekje: kur internuan familjen e një të arrestuari politik, në lagjen time (Ali Zotëria quhej), librat e tij, dorëshkrimet, materialet e daktilografuara që kish në apartament erdhën e u shpërndanë, si gjethe të rëna, në oborrin e brendshëm të pallatit ku banonte (tek Flora). Mendova atëherë, jo pa ngjethësirë, se të njëjtin fat mund të pësonin edhe librat e dorëshkrimet e mia, ndonjëherë aq kaligrafike.
Një tjetër shkatërrim i madh librash, në Shqipëri, është bërë menjëherë pas rrëzimit të regjimit komunist, në fillim të viteve 1990 – kur gjindja hoqi qafe veprën e Enver Hoxhës.
Duke llogaritur peshën e një vëllimi të veprave të plota si 1 kg; dhe duke supozuar një tirazh prej 50 000 kopjesh për çdo vepër të radhës, i bie që të ketë pasur në qarkullim rreth 3 000 ton libra të kësaj serie; pa llogaritur veprat e zgjedhura, ditarët, fjalimet, raportet dhe fjalimet dhe librat me kujtime të Enverit.
Besoj se pa frikë do të arrinim në rreth 10 000 ton material të padëshiruar.
Çfarë ndodhi me atë vepër, të ndërtuar edhe fizikisht për t’u rezistuar elementëve? E dogjën për t’u ngrohur, e dërguan edhe atë për karton, e lanë të mbulohej nga plehrat, e groposën gjëkundi?
Një nga misteret e Shqipërisë post-totalitare.
Ai shkarkim aq masiv i vëllimeve të rënda të Enverit, i kundërt në koncept me furnizimin e shtëpive me dru për dimër, një ditë do të kërkojë disertacionet e veta. Një pjesë jona i hoqi qafe librat e liderit me po aq zell sa ç’i kish blerë dhe ekspozuar dikur: sepse i tillë është zelli i konformizmit.
Shqiptarët – pa dallim klase, feje dhe krahine – liruan vend të konsiderueshëm në bibliotekat e tyre private: të matshëm me kilometra kub. Vështirë të thuash se këtë vend e zunë libra të tjerë – më lehtë të supozosh se, pas librave, radha e asgjësimit u erdhi bibliotekave.
Kanë qenë kohë problematike për nënproduktet e drurit.
Përndryshe ka një fije që lidh së bashku, sado në mënyrë imagjinare, radhët me libra të shtrembër në parmakët e Urës së Lanës, në Tiranë, me industrinë e skrapit; një fije që i referohet të gjithë atyre që mbijetojnë, duke ricikluar materjen e lënë pas nga bota totalitare.
Një fije që të kujton parimin e ruajtjes së lëndës, sikurse të kujton alegorinë aq epike të plehrimit dhe, më në fund, krejt estetikën e filmave dhe letërsisë së zhanrit post-apokaliptik në ShBA.
Ndërkohë të gjithë ne, pa e kuptuar edhe vetë, e kemi filluar migrimin drejt hapësirave elektronike; ku librat, dhe vetë personalitetet tona, ekzistojnë në formë elektriciteti dhe drite.
Të paktën kështu pemët do të marrin frymë lirisht.
Sa fara e ide jane ngrene duke mbajtur ne dore nje kaush me leter cilesore nga ndonje Veper, edhe vete Enveri do ishte habitur per nga bolleku.
Mund te dime dicka me teper per ate ndodhine e 1913-s te lutem?
Për djegien e librave me alfabet osman, në vitin 1913, nuk shtoj dot gjë – edhe pse librin e kam në shtëpi. Autori e përmend si ilustrim në hyrjen që ia bën argumentit, por pa e referuar gjëkundi. Duke parë bibliografinë, mundet që burimi të ketë qenë Kostë Çerkezi, por këtë s’e them dot me siguri. Edhe unë jam kurioz të marr me mend se ku mund të jetë kremtuar kjo festë: në Durrës? Në Korçë? Në Shkodër?
Veshtire te kene qarkulluar aq shume libra ne shqip me alfabet arab sa te krijonin pirgje te tera per t’u djegur.
Shuteriqi ne “shkrimet shqipe” permend nja dy libra me alfabet osman, nje gramatike shqipe te shkruar ne vitet ’30 te shek. XIX dhe nje fjalor shqip-turqisht te po asaj periudhe. Sipas tij ishin shkruar per t’u ardhur ne ndihme ushtareve dhe nepunesve osmane qe sherbenin ne vilajetet shqiptare.
Me pas, me 1869 u botua edhe nje abetare shqipe me alfabet arab nga Daut Boriçi. Te dhena te tjera per libra shqip me alfabet arab nuk ka.
Ndoshta do te kete qene pikerisht ky liber i fundit qe kane djegur ne vitin 1913. Po te kemi parasysh kontekstin e kohes, do te merrte kuptim djegia e nje abetareje me alfabet arab.
Mund edhe të kenë qenë libra në osmanishte ose arabishte – po t’i ketë parë ndonjë i huaj këto djegie, nuk do ta ketë bërë dot dallimin.
Ndoshta, por kur komentova kisha ne mend me shume kete citim qe sjell Read Me me poshte:
Sipas Çekrezit: “…ata(turqit e rinj) dekretuan se tash e tutje gjuha shqipe duhet te shkruhet me germa turke ne vend te germave latine. Ata botuan një seri librash shkollore me germa turke, por veçse u bene dëshmitare (teksa shihnin) qe ato (librat) te përqesheshin (te viheshin ne loje, te bëheshin objekt talljeje) dhe te digjeshin ne pirgje (heaps) ne sheshet e pazareve (marketplaces) prej shqiptareve.”
Nuk besoj qe xhonturqit te kene botuar “nje sere librash shkollore me germa turke”.
Materiali i perkthyer nga une ne shqip, eshte cituar nga libri i Cekrezit, Albania Past and Present, faqe 67, liber i botuar ne vitin 1919.
Mund te konsultohet/krahasohet me origjinalin ne linkun me poshte:
https://archive.org/stream/albaniapastandp00chekgoog#page/n97/mode/2up
Linku i sakte eshte treguar ne kete postim, ne te meparshmin ishte gabim.
Harrova te shtoj (per te shuar kuriozitetin e shumices besoj) disa detaje te tjera ne lidhje me ngjarjen e permendur nga Cekrezi. Ne botimin e Vatres, The Adriatic Review, edicioni i tetorit te 1918, nga Noli dhe Cekrezi, ne Memorandum on Albania, te Mehmet Konices, delegat i Vatres, permendet djegia e abetareve te mesimit te shqipes, por ne alfabetin arab, te shtypura nga qeveria osmane, pra xhonturqit.
Keshtu qe te gjithe me kete rast, po mesojme fakte te reja, per me shume, rreth nje djegie publike te mijra abetareve ne alfabetin arab, te grumbulluara e te te djegura publikisht ne qytetin e Beratit. Ngjarja ka ndodhur para 1913, si prelud i shume ngjarjeve te tjera.
Ja qe paskan ndodhur djegie te organizuara publike librash edhe nga shqiptaret. 🙂
Per konsultim lexoni linkun e meposhtem(google books), faqe 54:
http://goo.gl/hbvZor
Robert Elsie përmend djegiet e teqeve të Jugut nga “ekstremistët grekë” gjatë luftrave ballkanike dhe LIB si një “humbje të pamatshme kulturore” pas së cilës “shkrimi bektashi” nuk e mori më veten. “Padyshim që paaftësia e letërsisë së mbetur bektashie për t’iu përshtatur alfabetit latin dhe shtypshkrimit, shënoi dhe shuarjen e saj përfundimtare”- argumenton Elsie.
Viti me alfabetin përputhen shumë në dy tekstet.
Mbase në librin e tij të historisë së letësisë shqiptare (prej nga ku m’u kujtua episodi i djegieve) Elsie vendos edhe referencën e duhur, por në pamundësi u dokumentova këtu:
http://www.elsie.de/pdf/articles/A1994Current.pdf
Duke qene vetem objektiv, demi me i madh kultures shqiptare duhet ti jete bere nga djegiet e doreshkrimeve dhe librave prej klerit grek, rreth mesit te shekullit XIX. Jean Claude Faveyral ka nje kapitull (kap. 73) me deshmi mbi keta “vandale” per te perdorur fjalen e perzgjedhur ne Historine e tij te Shqiperise. Arkivi i Shen Naumit dhe ai i Peshkopates se Ohrit, (sidomos ky i fundit jashtezakonisht i rendesishem per historine mesjetare shqiptare) kaluan mes flakeve mes keqardhjes se murgjevve ndersa ne te njejten kohe ne manastiret e malit Athos, “pas nje beteje te pergjakur nga nje murg tek tjetri” u dogjën edhe te gjithë dorëshkrimet e shumte ne latinisht.
2xha: “Te një monografi e Walter Kolarz, Myths and Realities in Eastern Europe, kam lexuar për një turrë të madhe librash me alfabetin arab, që i paskan djegur në Shqipëri, në 1913 (f. 22).”
Rasti qe sillet si shembull, është një ilustrim edhe i faktit se çfarë ndodh me informacionin, kur përcillet nga një tekst ne tjetër. Teksti migrator pëson transformime dhe i jepen interpretime te reja.
Çfarë mbetet është një fakt i thjeshte, qe vazhdimisht librat janë djegur, motivet pastaj janë diçka me vete.
Kolarz-i e përdor ngjarjen për te ilustruar luftën(ne territorin e banuar nga shqiptaret) midis alfabeteve: grek, arab dhe latin, ku ne fund fitoi ky i fundit; sipas autorit “te ndihmuar ne 1913, nga një turre, pirg (pyre) flakesh qe hoqi qafe librat shqip te shkruara me germa arabe.”
Mund te tingëllojë, te duket pak si ekzagjerim nga ana e autorit, Kolarz-it, qe ka zgjedhur një shembull te nxjerre nga konteksti, për te ilustruar nëpërmjet flakadanit te krijuar nga librat qe digjen, luftën për zgjim kombëtar. Një autor tjetër ka marre shkas dhe e citon te njëjtin paragraf ne fjalë nën titullin: Nacionalizmi “i ndihmuar nga turra e flakëve”.
Nuk jam i sigurte se kë ka përdorur Kolarz-i për reference ne lidhje me vitin, 1913. Po t’i referohemi Çekrezit (supozohet se ky është “the source”), kjo do te ketë ndodhur ne një periudhë disi më te hershme, kur shqiptaret nuk kishin shpallur akoma pavarësinë, mëvetësinë prej Perandorisë.
Çekrezi e sjell si shembull për te treguar skizmën e madhe midis shqiptareve dhe turqve te rinj, kur turqit e rinj mbyllen shkollat, botimin e librave dhe gazetave ne shqip.
Sipas Çekrezit: “…ata(turqit e rinj) dekretuan se tash e tutje gjuha shqipe duhet te shkruhet me germa turke ne vend te germave latine. Ata botuan një seri librash shkollore me germa turke, por veçse u bene dëshmitare (teksa shihnin) qe ato (librat) te përqesheshin (te viheshin ne loje, te bëheshin objekt talljeje) dhe te digjeshin ne pirgje (heaps) ne sheshet e pazareve (marketplaces) prej shqiptareve.”
Pavarësisht, shqiptaret kane treguar një venerim për librat. Nuk ka pasur djegie publike ne sheshe nen efektin e ziqera-ve nacionaliste, fetare, ideologjike, histerizmave te turmave, ceremonive publike, me përjashtim te atyre rasteve; jo tipike apo masive, ku spikateshin kapterët, togerët harbute te sigurimit apo militantet rinore, qumështorët(red guards) e agjitpropit komunist te ekzaltuar prej rolin qe i ishte caktuar, dorës se lire qe i ishte lëne për te desakruar objektet e kultit dhe bibliotekat e tyre te pasura e te moçme.
Një ilustrim plot efekte kinematografike, se si bëheshin djegiet e organizuara te librave ne një qytet provincial te Gjermanisë, është një film qe po shfaqet ne kinematë këto kohë, “The Book Thief”, i bazuar ne librin me te njëjtin titull. Një prej shfaqjeve te shumta piroteknike ne Gjermaninë naziste, si trashëgimtare te denja te piromanisë libradjegëse shekullore, ku shkrumboheshin germat magjike te dijes e kulturës gjermane dhe asaj botërore.
Historia e alfabetit dhe librit shqip, besoj se është një nga historitë me befasuese, me heroike. me transformuese, me shënjuese te etnisë, kombit shqiptar (duke përfshire edhe djegiet ne fjale). 🙂
Nje nga periudhat kur jane shkaterruar shume libra, madje biblioteka te tera, ka qene fill pas luftes, kur komunistet moren pushtetin. Praktikisht vete pronaret e librave, qe pergjithesisht nuk ishin komuniste, nga frika e bastisjeve dogjen, groposen, hodhen ne lumenj e ne det te gjithe librat qe kishin ne shtepi, sidomos ato ne gjuhe te huaja. Besoj se ka qene shkaterrimi me i madh i librave ne Shqiperi.
Im ate tregonte se i futen librat ne sunduke dhe i groposen ne oborr, me idene qe t’i nxirrnin sapo te kalonte ajo vale, sepse nuk besonin se komunistet do ta mbanin gjate pushtetin.
Mbase ka qene nga fundi i qeverise teknike, kur ne librarine Flora ne qender te Tiranes ra nje zjarr i madh. E tepert te thuhet se ishte nje zjarr i qellimshem. Ne fakt zjarri “ra” ne depon e librarise, aty ku ishin librat. Me derguan shefat per nje shkrim, por m’u duke se nuk ia vlente per me shume se nje informacion. Edhe gazetat e tjera, te nesermen, ishin mjaftuar me nga nje informacion. Me perjashtim te Zerit te popullit, ku nje gazetare e re, qe me pas u konvertua ne nje demokrate te prape, kishte shkruar gjate e gjere per barbaret qe digjnin librat qe mbanin dituri e te shkruar me nje alfabet qe i cili etj., etj… Ne asnje rast ajo nuk thoshte se ishte fjala per librat e E. Hoxhes. Nje fetishizem primitiv, nje amalgame e qellimeshme per te pare si kopje te rralle dhe liber te paçmuar çdo abuzim me shpikjen e Gutembergut.
Ne te tilla raste, personalisht nuk mendoj se digjen librat me shume se sa simboli, ajo qe ata perfaqsojne. Ne rastin konkret arsyet ishin te dyfishta, mediokriteti i permbajtjes se atyre librave (pergjegjes per imaturimin e kombit) dhe veprimi politik i autorit te tyre qe kalli edhe me thelle traditen otomane te privatizimit dhe njesimit te pushtetit me veten, praktike nga e cila veshtire se do te shpetojme ndonjehere. .