ONFRE GODET PËRSËRI

Filozofi Mishel Onfre (Michel Onfray) nuk është i panjohur për lexuesit e këtij blogu. Për të kemi folur edhe  me rastin e botimit të një libri që shkaktoi debat të madh në Francë rreth themeleve të psikanalizës e veçanërisht për rolin e S. Frojdit në formulimin e parimeve bazë të saj. Në të vërtetë nuk pata rast të jem i një mendje me idetë e tij, veçanërisht kur merrej me jetën private të Frojdit. Megjithatë kjo nuk më pengon ta admiroj natyrën e tij prej perturbatori dhe gjeneruesi debatesh të mëdha socialë e filozofike. (Edhe pse nganjëherë është thuajse acarues, acid fare).

E pra, këto ditë ai goditi përsëri. Ndërkohë më duhet të them se kam ndjerë disa tendenca për të kaluar  në kampin e tij që në fillimin të këtij viti, me rastin e botimit të një libri ku ai  merr në analizë filozofinë e A. Kamysë dhe Zh.P. Sartrit, libër nga i cili ky i fundit nuk del fort i larë.

(Pyetjes se, çfarë kemi nga Parisi, të komandantit të parashutistëve, gazetari i përgjigjet: -Ka dalë një artikull i Sartrit. Ky ka qenë një dialog që më ka shjenjuar që në adoleshencën time, kur doli në Tiranë Beteja e Algjerit)

Është fjala për një gjigant me kult të padiskutueshëm (me dhjetra vetë ma kanë konfirmuar se shfaqja e një artikulli të tij në vitet pesëdhjetë ishte ngjarje kombëtare) dhe për të cilin është e vështirë të shprehësh ndonjë opininion edhe për atë pjesë të jetës së tij, kur megjithatë dëshmitë që vinin nga kampi i Lindjes, ai (Sarti) rreshtohet në pozicione të pashpjegueshme ekstremiste e maoiste, vihet në mbrojtje të  grupeve terroriste gjermane etj.

Ndërkohë, në debatet që u bënë për dhe rreth librit në fjalë, Onfre-i shprehet publikisht për gjëra që as që guxoja t’i mendoja.

Ja çfarë thotë gjatë një diskutimi me atë rast: “Parapëlqej A. Kamynë ndaj Zh.P. Sartrit për shumë arsye dhe kryesisht sepse Sartri e S. Bovuar (mikesha e bashkëpunëtorja e tij) kanë bashkëpunuar me nazistët dhe përfaqësuesin e tyre në Francë, regjimin e Vishisë, në vitet e para të L2B…”

Më tej, angazhimin e madh politik të Sartrit gjatë Luftës së Algjerisë ai e sheh si një mënyrë për të lënë në hije të kaluarën e tij. Një gjë e tillë tronditi katedra të tëra universitare, pa llogartitur viktimat e shumta individuale.

Të vijmë te debati i fundit që ka ngjallur miku ynë toksik, Mishel Onfre. Në të vërtetë nuk është fjala për ndonjë botim të ri të tijin, por për paraqitjen që i bën librit të një ekzegjeti të madh francez, Zhan Soler me titull Cili është Zoti?

Soler është një studiues i madh, por jo fort i njohur. Vepra e tij përmbledh kërkimet e një jete të tërë dhe në hartimin e saj ai ka patur rast të shkelë nëpër shumë vende, madje shtatë vjet ai ishte edhe këshilltar shkencor në ambasadën franceze në Izrael. Kjo ka rëndësi të thuhet sepse tri veprat e tij kryesore titullohen: Në origjinën e Zotit të vetëm, Shpikja e monoteizmit dhe Ligji i Moisiut dhe Jeta e Vdekja ne Bibël.

Libri që përmendem në fillim Cili është Zoti? paraqitet si një sintezë e tre librave të mësipërm. Eshtë tamam ky që analizon Onfre dhe nga ku nxjerr disa përfundime të cilat kanë shkaktuar valë inati te intelektualë të mëdhenj.

1. Bibla e njohu njerëzimin me Zotin e vetëm.

Analiza e Soler-it e hedh poshtë këtë ide duke treguar se ajo mëson politeizmin dhe Zoti i çifutëve nuk është gjë tjetër veçse një zot midis zotëve të tjerë të panteonit. Feja çifute nuk mëson monoteizmin por monoaltrinë ( adhurimin e një zoti të vetëm). Monoteizmi çifut do të shfaqet vetëm pas shekullit V-të erës së Vjetër.

2. Bibla ka dhënë shembullin e parë të një morali universal.

Kjo ide hidhet poshtë me argumentin se thëniet e saj nuk i drejtohen njerëzimit por një tribuje. Dashuria për të afërmin nënkupton vetëm dashurinë për ata që janë si ty, të ngjashmit, çifutët. Për të tjerët predikohet vdekja.

3. Profetët kanë bërë të njohur formën shpirtërore të kultit hebraik.

Për autorin në fjalë, kjo ide është pa themel sepse bibla nuk njeh jetën pas vdekjes. Ideja e ringjalljes është huazuar nga persët dhe shfaqet vetëm në shek. e II-të para Krishtit, ndërkohë që pavdekshmëria e shpirtit, që mungon në Bibël është huazuar nga grekët.

4. Kënga e këngëve (kemi folur për të këtu në blog në rastin kur disa vargje të saj paraqiten te një novelë e Kutelit), himnizon dashurinë reciproke midis Zotit dhe çifutëve.

Një ide e tillë paraqitet si e pavërtetë sepse ai tekst është një këngë e thjeshtë dashurie. (gjë që mund t’jua konfirmoj edhe unë sepse më është dukur gjithnjë tepër sensuale, madje seksuale).

5. Zoti u ka besuar çifutëve një mision në shërbim të njerëzimit.

Ide e gënjeshtërt për autorët. Bibla himnizon pastërtinë (e gjakut) të atij populli, ndalon kashtisjen (e racës) dhe përzierjen e gjakut, pra martesat e përziera. Është zoti i biblës ai që ka kërkuar segregacionin, ka ndaluar konvertimin ( në çifut), idenë e negociatave me popuj të tjerë. Është një zot etnik, kombëtar, identitar.

Më tej thuhet se Moisiu edhe pse është skrib i Torah-s, nuk dinte të shkruante. Hebrenjtë nuk e shkruanin gjuhën e tyre para shekujve IX-të – VIII-të. Pra edhe nëse Jahvé do t’i kishte shkruar Dhjetë porositë, ato nuk do të qenë deshifruar dot përgjatë shumë shekujve.

Krizat e hebraizmit ( Soler thotë se ka patur pesë të tilla) i ka shtyrë besimtarët e të presin gjithnjë Mesinë. Ka patur shumë të tillë. Krishti është njëri prej tyre. Është ky ai që heq dorë nga nacionalizmi i tribusë së tij për t’i lënë shteg të hapur universalizmit. Që atëherë ka një zot të vetëm. Pra me këtë rast nuk ka nevojë për ndalimet e shumta të judaizmit që çimentonin fenë tribale.

Shpikja e gjenocidit. Ti nuk do të vrasësh, thotë një nga Porositë, por kjo ka të bëjë me çifutët dhe jo me gjithë njerëzimin. Te Exodi, ai urdhëron vrasjen e tre mijë njerëzve. Më tej, edhe kur është fjala për vetë çifutët, historiani çifut Flavius Jozef sjell një listë të gjatë që përligjin dënimin me vdekje, përdhunimi, tradhtia bashkëshortore, homoseksualiteti, rebelimi kundër prindërve, gënjeshtra mbi virgjërinë, të punuarit të shtunën etj..

Duke argumentuar idenë se çifutët janë shpikësit e gjenocidit Soler sjellë shembullin e shfarosjes etnike të popullit kanaan-ian. Një akti i tillë që përshkruhet në librin e Zhozues është “…i pari në datë në letërsinë botërore..”

Soler nuk mungon të paraqesë edhe përfundime të tjera tronditëse. Për të skema çifuto-kristiane ka shënjuar edhe ideologjitë që i qëndronin larg fesë, komunizmin dhe nazizmin. Te Marksi, proletariati luan rolin e popullit të zgjedhur, bota shihet si kundëndërvënie e së keqes me të mirën, apokalipsi (lufta e klasave) shpall ardhjen e amëshimit (shoqërinë pa klasa).

Edhe Hitleri (për të cilin Soler thotë se nuk ka qenë asnjëherë ateist), me mënyrën se si e paraqit nazizmin te Mein Kampf, ka përputhje të plotë me modelin hebraik, ku nuk mungon as Zoti. Hitleri, sikundër Moisiu, është udhëheqësi i popullit të tij, por këtë radhë është fjala për popullin gjerman. Në të nuk mungon asgjë, raca e zgjedhur, supremacia, pastërtia e gjakut, ndalimin e përzierjes me popuj të tjerë…

Siç shihet Soler, i ka shpallur luftë feve monoteiste, sipas fjalëve të Onfre-it. Por natyrisht ai nuk kërkon të kthehemi te politeizmi. Ai vetëm se na thotë të vëmë pak më shumë kulturë e filozofi greke në shkollë, pas një dominimi më se mijëvjeçar judeo – kristian.

Në të nuk njihet mungesa e tolerancës, rëndomtësia e dënimit me vdekje, luftërat shkatërruese midis qyteteve. Të shtohet më shumë në shkolla ajo Greqi që ngre kultin e grave (edhe të burrave; do të thoja se kurrë nuk kam parë shtatoren nudo të ndonjë gruaje greke, të gjithë janë burra, por me forma të çuditshme grash), një Greqi që e injoron mëkatin, ndjenjën e fajësisë, një Greqi, që kur arrin Shën Pali i kishte ngritur një altar një zoti të panjohur, provë e gjerësisë shpirtërore dhe mikpritjes. Ky pastaj u dekretua nga Pali i Tarsës si altari i një Zoti të vetëm, të vërtetit.

(Këtu së fundi ka pak idealizim, për mua, por thelbi më duket interesant.)

Nuk ka komente

  1. Siç shihet Soler, i ka shpallur luftë feve monoteiste, sipas fjalëve të Onfre-it. Por natyrisht ai nuk kërkon të kthehemi te politeizmi. Ai vetëm se na thotë të vëmë pak më shumë kulturë e filozofi greke në shkollë, pas një dominimi më se mijëvjeçar judeo – kristian.

    Soler nuk eshte se ka sjelle ndonje risi te re ne kete lemi. Tertulliani (grek Kartagjenas me sa di), nje nga Eterit e Kishes, para 2000 vjetesh hapi kete lufte ideologjike duke ngritur pyetjen ” C’lidhje ka Athina me Jeruzalemin?” Sigurisht pergjigjja eshte asnje. Shkollat filozofike greke per ‘jeruzalemitet’ jane thjesht nje pop-fenomen, i ngjashem me le te themi Scientology-ne e Hubbard-it, komplet pa vlere. Sic e konstatoni ju Lyss, kete lufte e fitoi kampi i Jeruzalemit, nderkohe qe sot ky kamp ka 200 vjet qe eshte ne terheqje ne Perendim.

    Greket e lashte nuk ishin shume ndryshe nga Perendimori modern sot. Filozofia e tyre, ashtu si sot, perbente nje kercenim serioz per Jeruzalemin. Madje ishte aq serioz sa per Hebrejte Greket nuk quhen helene, por Epikuriane (Apikorsim). Kunder ketij mentaliteti epikurian qe kish magjepsur rinine e Jeruzalemit u zhvillua nje lufte e pameshirshme qe sic duket u transplatua tek konvertet e greko-romake ne judaizem, dhe me pas tek konvertet e krishterimit.

    Soleri, duket se ka nostalgji per koherat kur Epikuri dhe blatimet tek altari i ‘tolerances’ ishin ne mode, dhe luften e tij e nis pikerisht te Jeruzalemi si epiqendra e ‘katastrofes’ anti-greke. Keta helenizues moderne duket sikur harroje qe parimi nr 1 i Jeruzalemit eshte: ‘njeriu nuk mbahet vetem me ‘buke’ (filozofi)’. Masat greke qe permbyten sinagogat me urine e tyre per dicka me shume, u bene substrati i ngadhjimit te Krishterimit. Une besoj se keto masa njerezish do te vazhdojne t’i rezistojne Epikurit, dhe studimi ne shkolle i filozofise greke nuk besoj te shkaktoje ‘zbaticen’ qe kerkon Soleri.

  2. nje diskutim interesant, sidomos persa i perket me shume te ardhmes (se e kaluara eshte ne sherbim te saj gjithsesi) te Bashkimit Europian, si nje “bashkim vlerash”, bazuar tek tradita ashtu-e-interpretuar “judeo-kristiane”.

    Pra pyetja praktike qe rrjedh nga kjo trajtese persa i perket aspektit kulturor eshte: a mund te bazohet bashkejetesa e ardhshme evropiane ne nje tradite historike “judeo-kristiane”? Cilat do te ishin pasojat e saj ne lidhje me ata qe jane “jashte”? Kjo trajtese jep nje pergjigje te pakendshme.

    Pyetja tjeter lidhet me motivet tona si lexues, jo te Onfre si filozof, per te receptuar (marre, rezeption) nje trajtese te tille ne kuadrin e problemeve ekonomike dhe dyshimeve qe kane sjelle keto ne pranimin e nje “projekti mbareevropian” per bashkejetese kombesh. A perben ky “projekt” (neoliberal apo gjithcka tjeter e cilesuar) nje alternative “moralisht bindese” dhe “ekonomikisht perfituese” per te ardhmen e evropianeve (e tepert ne ambicie, perse me europianet? Keshtu me mire le te shprehimi: te shqiptareve)?

  3. Nuk mu duk se kishte ndonje gje te re tronditese, psh qe kishte zota te tjere e thote qarte Bibla per mbreterine e Izraelit(ne veri), pas ndarjes (jug, mbreteria e Judes).

    Propozimi per me shume helenizem e me pak judeo-kristianizem, nuk me gjen dakort, sepse helenizmi deshtoi.
    Zoti i çifuteve eshte modeluar ne menyre te persosur, duke shkuar perhere e me teper drejt Qenies se Parmenidit, ka nje force te madhe qenderzuese dhe ashtu si Qenia e Parmenidit, behet i palevizshem, duke u lene njerezve punet e njerezve.

    Koncepti i pandashmerise se Qenies/Zotit, eshte edhe themel i sotem per shtetet e kombet, shtetet e kombet jane nje e te pandashme. Qytetaria e sotme kalon nga nje forme statolatrie, ashtu si e djeshmja nga adhurimi i Zotit.
    Sipas meje, metafizika e shtet-kombit te sotem eshte me zanafille metafiziken judeo-kristiane, prandaj pertej zerave 60 vjeçare te krizes se shtet-kombit, qendron e verteta se shtet-kombi eshte shendoshe si molla, madje ne rang boteror.

    Safiri thote qe perendimori eshte epikurian si helenisti, por perendimori eshte ‘i detyruar’ te jetoje me institucione judeo-kristiane. Kjo e parandalon zhdukjen e perendimorit si epikurianet heleniste.

    Zoti i çifuteve eshte menduar me nje mençuri te rralle, vete Niçja ia ndezi driten jeshile nje Zoti te atille, qe eshte shprehje e deshirave, krenarise e vullnetit te nje populli. Zot-pasqyre ku populli sheh vetveten.

  4. Nuk e di se kush e pat thene, gjyshja ime apo Shekspiri, se “te gjitha haqet lahen ne kete bote”.
    Tek “Kujtimet e Adrianit” te Marguerite Yourcenar, sheh nje shtet ne apogje te vet. Nje perandor erudit, perfaqesues tipik i nje kulture te pjekur greko-romake, qe kish paqtuar thuajse te gjithe boten e njohur.
    Ne “Jeta e perditshme ne Rome”, i Jerome Carcopino sheh nje qytet kozmopolitan, me thuajse asgje me pak se sa nje qytet i sotem modern: ndertesa shume kateshe, monumente madheshtore, sistem rrugor qe do te ishte modern edhe per ditet e sotme, stadiume dhe teater per te gjitha shijet, palestra dhe pishinat publike per te dy sekset. Madje edhe gazete te perditshme. Dy biblioteka publike madheshtore, nje per literaturen romake dhe tjetra per ate greke. Stoiket, qe mbas Athines, e kishin ndertuar shtepine e re ne Rome, dhe qe me se fundi arriten ta bejne shtetin te tyre me Traianin, Adrianin, Marc Aurelin. “Virtyti eshte i mjaftueshem qe te jesh i lumtur”, ishte motoja e tyre. Kishte nje unison ne ide, pa pasur nevoje per ti dhene Cezarit ate qe i takonte Cezarit, dhe Zotit ate qe i takonte Zotit.
    Vetem disa dhjetevjecare me vone, dhe gjithshka do hidhesh poshte,shperbehesh sikur te mos kish ekzistuar.

    Per mendimin tim cfare e shkaterroi shpirtin e Romes, te ndertuar ne baze te mendimit grek, ishte globalizmi i asaj kohe. Roma iu hap te gjitheve dhe gjithshkaje. Betejen midis Jupiterit, Mitres dhe Zotit, e fitoi ky i fundit. Duke garantuar gjithshka per gjithekend, pesha e administrates se shtetit u be e paberballueshme, pa asnje lloj ideje qe ta justifikonte apo spjegonte dot gjendjen. Ne grahmjet e fundit te perandorise se perendimit, ishte Shen Ambrozi me duket, qe pershkruante gezimin e njerezve qe i lumturoheshin shpetimit te pagimit te taksave te shtetit romak, mbas renies se tyre nen pushtimin barbar.

    Edhe sot, mungesa e sigurise ekonomike ka krijuar kushtet per krijimin e pasigurise shpirterore. Per sa kohe qe ideja mbizoteruese, dhe ne perendim ky eshte krishterimi, spjegonte mireqenien ekonomike, asnje nuk do te mund ta vinte ne dyshim pozicionin e saj. Dke kur kjo mireqenie cenohet, cenohet edhe froni qiellor i idese qe perdoret per te spjeguar realitetin. A nuk ishte pak a shume e njejta gje edhe gjate kohes se renies Romes, me idene e vet greko-romake?

    Chi di spada ferisce di spada perisce…

    ps: inati i Soleri-it ndaj Satrit si bashkepuntor i gjermaneve flet per nje seder akoma te lenduar te mashkullit galik. Nuk i lejohet nje polymathi – po ti besosh Onfre – te mos njohe historine e sundimit jo edhe aq te ashper gjerman ne France gjate L2B. Me c’kam lexuar, ka patur mbi 1 miljon femije te lindur nga mardheniet midis femrave franceze dhe ushtareve tee wehrmacht-it. Dhe ketu nuk behet fjale per perdhunim.

    pss: Soleri ne mbeshtetje te superioritit te mendimi grek mbi ate ebraik,gje te cilen personalisht e pranoj, shkruan se nga 130 qytetet greke, ne antikitet, asnje nuk u zhduk nga faqja e dheut? Po dialogu melian i Thucidid dhe pasojat e tij, cfare eshte? Trill letrar i autorit? Kur flitet per Greqine klasike, e vetmja qe permendet eshte Athina, me periudhen e arte te saj. Por ka edhe nje realitet tjeter. Ai i Spartes, shtetit te pare fashist ne historine e njohur te njerezimit.

    psss: spegimi me i bukur i natyres se njeriut me kontradiktat e saj eshte ne kete dialog nga nje film i vjeter, “The Third Man”:
    -Mos ji kaq i nxire. Ne fund te fundit, gjerat s’jane kaq keq.Sic e thote i vjetri, ne 30 vjetet e Borgia-s Italia pati vecse lufte, terror, vrasje dhe gjakderdhje. Por ata prodhuan Mikelanxhelon, Leonardo Da Vincin dhe Rilindjen. Ne Zvicer, ata paten dashurine vellazerore. Dhe… ata paten 500 vjet demokraci dhe paqe. E cfare prodhoi ajo? ….The cuckoo clock ! Gjithe te mirat…

    1. Roma kishte financa parazitare, lufta sill plaçke e skllever, keto perktheheshin ne ar.

      Tregtia e brendshme, nuk rregullon dot sasine e arit/parase ne qarkullim, gjendja financiare e shtetit rregullohet nga tregtia e jashtme. Romaket nuk u dalluan ndonjehere si tregtare te medhenj. Perendimi s’kish me ke te bente tregti, Lindja kishte Azine dhe Afriken Lindore, keshtu Bizanti mbijetoi, Perendimi u rrezua.

      Bizantinet te vetedijshem per rolin kyç te tregtise se jashtme, u bene fuqia me e madhe tregtare per 7-800 vjet.

      Problemet ne financat e nje shteti me tregti te jashtme te kufizuar dhe defiçitare, solli shtimin e taksave e ndryshimet strukturore, qe sollen fuqizimin e pronareve te medhenj ose latifondisteve, te cilet kane qene gangrena e çdo pushteti qendror, se s’paguajne taksa e decentralizojne pushtetin, rrjedhimisht parane.

      Me e keqe se tregtia e kufizuar ishte defiçiti tregtar, se Roma nuk prodhonte pothuaj asgje qe Persia, India apo Kina e Largme mund te deshironte, nderkaq nxirrte floririn me tonelata per mallrat kineze, erezat indiane dhe tekstilet persiane.

      Sisitemi parazitar i financave, solli qe kur mbaruan lufterat ‘e lehta’ me grabitje masive, Roma te fillonte te vuante nga probleme financiare, me ate qe njihet si kriza e shek 3.

      Sa per ‘fashizmin’ e Spartes, kjo eshte terminologji komuniste. Sparta kishte model feudal, nga nje ane shteti spartan si çifligar me spartanet si bejlere, agallare e sejmene, nga ana tjeter ilotet si çifçinj.

      Sparta ishte me e evoluar se Athina nga pikepamja e rendit ekonomik, ne rast se feudalizmi do quhet me i evoluar se skllavopronarizmi.
      Athina ne 500 mije banore kishte 360-370 mije skllever.
      Mund t’u qash hallin 250 mije iloteve te Spartes, por me shume duhet t’ua qash 370 mije sklleverve te Athines. Ilotet ne ndryshim nga sklleverit kishin familje e nuk shiteshin ne treg si berra.

      1. …”Problemet ne financat e nje shteti me tregti te jashtme te kufizuar dhe defiçitare, solli shtimin e taksave e ndryshimet strukturore, qe sollen fuqizimin e pronareve te medhenj ose latifondisteve, te cilet kane qene gangrena e çdo pushteti qendror, se s’paguajne taksa e decentralizojne pushtetin, rrjedhimisht parane…”

        Me pak ndryshime e pershtatje ne terma, dhe paragrafi i mesiperm behet i kuptueshem nga dhjetra miliona vete qe kane nje puls ne dore sot. Pa patur nevoje per te lexuar qofte edhe nje faqe te vetme libri.

    2. Soleri ne mbeshtetje te superioritit te mendimi grek mbi ate ebraik,gje te cilen personalisht e pranoj

      “Mendimi grek nuk eshte ‘mendim’, eshte thjesht retorike” Flavius Jozefus rreth shek te I A.D.

      1. Mundet.

        Por do te ishte interesant te dihesh se si thuhet “rhetorike” ne aramaisht.

        Ndofta Jozefus e ka pasur fjalen per Berenicen…. 🙂

  5. Por ka edhe nje realitet tjeter. Ai i Spartes, shtetit te pare fashist ne historine e njohur te njerezimit…
    Me siguri eshte lapsus, ke dashur te thuash shteti i pare komunist. Te pakten verej se shume historiane strukturat e para komuniste i shohin ne Sparte, fjetja ne kapanone te perbashketa, u ul vlera e parase dhe u rrit pesha e monedhes, nje pese qindarkesh peshonte shtate kg, pra me mire te shkoje te menca e perbashket se sa te transportoje nja treqind kv metal per te blere pak mish e buke ne treg, punimi i tokes, ndarja e te ardhurave, edukimi i femijeve etjj…
    Gjithsesi me e pranueshme se sa praktika tjeter e zhdukjes se prones private me metoden e njohur te vrasjes se tregtarve, shpalljes bashkepuntore te armikut dhe sekuestrimit te pasurise etj..

    1. Lysus,

      Se pari, te kerkoj ndjese sepse kam pershtypjen qe nderhyrja ime po e con diskutimin ne drejtim tjeter nga ai i synuar.

      Se dyti, specifikimi i Spartes si shtet fashist nuk ishte lapsus.
      Ka ca karakteristika ne shoqerine e saj qe jane emuluar nga ose jane evidentuar te ekzistojne kryesisht ne shoqeri me sisteme fashiste organizimi. Mund te futesh ketu eugjenizmin, militarilizimin e jetes, ose ruajtja e supremacise se races.
      Ekziston nje lloj ndarje ideologjike kur vjen puna tek qendrimi ndaj kultures klasike greke. Britaniket, gjithnje jane identifikuar me Athinen (per shembull Bayron & co).
      Gjermanet kane pasur nje “love affair” me Sparten.
      Intelektualet e te dyja grupeve jane marre kryesisht me ate pjese te kultures greke, me te cilen identifikoheshin. Kur britaniket ndihmonin jo vetem me fjale kauzen greke te 1821, kur ata perkthenin te gjithe tragjedite e tyre, gjermanet ne 1824 botonin “Der Dorier”. Gjermanet qe prej asaj kohe e paten bere rryme te rendesishme te kultures se tyre identifikimin e spartaneve fitimtare ushtarake dhe lider te races dorike, me racen moderne ariane dhe nordike, ku perfaqesuesit me te mire ishin Prusianet.
      Britaniket admironin te greket e TYRE lirine, lirine e fjale, tolerancen, pranimin e pushtetit te ligjit.
      Gjermanet, admironin tek greket e TYRE kurajon, bindjen, thjeshtesine ne te jetuar. Madje ata e benin edhe Platonin athinas bashkepunetore te tyre, kur ai perze nga qyteti i vet poetet dhe ndalon qarkullimin e mendimeve te rrezikshme. Beteja e Termopileve, dhe lidhja midis shtetit ushtarak te Spartes me kryeracen nordike luanin rol te rendesishem ne propaganden naziste dhe ne paraqitjen e realitetit nazist, me eugjenizmin, pastertine e races, kontrollin e shtetit mbi pronaret e tokave ( brezi i ri i nazifikur i urrente brezat e tjere me te vjeter, qe nga junkeret, intelektualet apo jeten ne nje shoqeri te industrializuar. “Blut unt Boden” ishte motoja per Sparten e re.)

      E pare nga nje aspekt tjeter, rasti i vete Spartes eshte shume interesant. Eshte nje nga kulturat e pakta ne bote, dhe e vetmja ne Europe, qe ben pjese ne grupin e atyre qe kategorizohet si shoqeri me zhvillim te bllokuar. Dhe kjo ne menyre artificiale dhe nga brenda e jo nga jashte. Nga germime te ndryshme del se kultura spartane ne shek 5 pes ka qene materialisht me e zhvilluar se sa ajo e Athines. Henri Marrou ne vepren e tij semilane “Edukim ne antikitet” shkruan se ka shume te ngjare qe nga mesi i shk te 5pes ne Sparte te jete kryer nje revolucion ku rezultati nuk ishte avancimi i nje ceshtje, por frenimi i saj. Nje Sparte qe deri ne ate kohe kishte pasur poetet e saj, artin e vet, arkitekturen e vet, nje jete kulturore ndofta me te pasur se edhe vete Athina, vendos te tkurret, te mbyllet brenda guackes se saj dhe te mos zgjeroje horizontet me tej. Se cfare mund te kishte qene nje Sparte e lire nga ky frenim, ai sjell shembullin e Sirakuzes, nje koloni spartane kjo ne Itali, qe u be nje nga qytetet me te famshme te antikitetit.

      1. Ipare, nje gje eshte perdorimi dhe tjeter gje se ç’ishte. Ne historine gjate komunizmit, dukej sikur Rilindesit ishin komuniste shqiptare ‘ante litteram’.

        Gjermanet nuk e kane pase dobesine thjesht per Sparten, por per doriket ne pergjithesi. Ne fakt, doret ishin i vetmi fis indoeuropian i Greqise, fiseve te tjera nuk ua dinte kush origjinen (dhe as dihet ende).

        Lidhja me Sparten, kishte funksion te dyfishte specifik, pa lidhje me racizmin.
        E para, militarizmi prusian gjente justifikim ideologjik dhe e dyta, autoritarizmi si model i Perandorise se re Gjermane.

        Sa per racizem, Anglia ishte me keq se Gjermania, per shkak te kolonive. Ideologjia raciste e shek 19 rrenjet i ka ne Angli dhe France, jo ne Gjermani, sado qe sot i duhen ngjeshur Gjermanise, per te mbajtur paster Angline e Francen.

        Nje nga shembujt e pastrimit etnik ne Greqine e lashte, eshte debimi e pellazgeve nga Atika, natyrisht prej athinasve ‘te adhuruar’.

        Sparta kishte nje model te suksesshem per kohen, arriti deri te imponohej di fuqia kryesore ne Greqi, nderkaq pavaresisht moszhvillimit te saj, kolonite dorike, fale mbrotjes se Spartes, lulezuan me shume sesa ato te joneve e eoleve.
        Pa mbrotjen e Spartes dhe Lidhjes se Peloponezit te komanduar prej saj, nuk ma ha mendja se do kish ekzistuar ajo diference e llahtarshme mes kolonive dorike dhe ato te fiseve te tjera. Pothuaj gjithe kolonite me te zhvilluara anembane Mesdheut ishin dorike.

        Pra funksionin kulturor e ka kryer ne menyre te terthorte, ne fakt nuk ka zhvillim kulturor pa nje garanci ushtarake, Sparta u garantoi dorikeve me forcen e saj ushtarake zhvillim kulturor.

        Ne njefare menyre edhe Gjermania naziste u modelua, qe te ishte garantja ushtarake e races ariane, qe ishte koncept i gjere e nuk perfshinte vetem gjermanet. Gjermanet do ishin brenda races ariane garantet ushtarake te zhvillimit kulturor te races ariane, si ishte Sparta per racen dorike.

  6. Në lidhje me spartanët dua të bëj edhe unë disa shënime për këta fashistë, morracakë, perversë, dhe shqoqerinë e tyre të krimbur që e kishin ngritur pas një murri gjermanolindor. Spartanët kanë qenë i vetmi fis grek që mbante një fis tjetër grek në robëri, mesinët dhe ilotët që ishin me origjinë mesine për 350 vjet. I donin për skllevër që spartanët të hanin gati sepse spartanët në fakt nuk punonin. Dhe kjo vazhdoi deri sa ilotët u çliruan nga maqedonët.

    Spartanët ishin i vetmi fis grek që nuk kontribuoi as në letrat, as në shkenca, as në art. Pikërisht në ato gjëra që veçojnë grekët e lashtë nga popujt e tjerë. Përkundrazi, spartanët ishin ai fis që rrënoi Athinën më 404 p.K, qendrën më të madhe të letrave, shkencës arteve të kohës.

    “Ligjet” e tyre të famshme të “kodifikuara” nga Likurgu janë përralla me mbret. Vetë Likurgu është një personazh fiktiv dhe në fakt ligjet nuk qenë gjë tjetër veçse dëshirat e pleqësisë. Kodifikim ligjor nuk kanë patur, madje një nga ligjet ishte “Ου χρη νόμων εγγράφων” (= s’ka nevojë për ligje të shkruara”).

    Spartanët nuk qeshnin kurrë, ishin melankolikë, njerëz që vuanin nga depresioni dhe me tendenca vetëvrasëse. Dhe këto nuk i them unë. Plutarku i thotë. Po përmend dy tradita që tregojnë pasigurinë dhe paranojën e tyre. Αξενία dhe Ξενηλασία. Në bazë të traditës së parë nuk lejohej të hynte i huaj në Spartë. Në bazë të së dytës, po hynte një i huaj e ndiqnin për të mos parë si jetonin spartanët. Raste unike besoj në histori pasi të gjithë popujt në lashtësi dhe në modernitet e postmodernitet shquhen për mikëpritjen e tyre. Pra flasim për perde të hekurt, mur Berlini.

    Kur grekët e Azisë së Vogël rebeluan kundër persëve më 499 p.K. dhe kërkuan nga grekët e tjerë ndihmë, shtetet e tjera i ndihmuan edhe pse rebelimi nuk pati sukses. Spartanët nuk i ndihmuan për të mos prishur marrdhëniet me persët. Por edhe në rastet e tjera kur u kërkua të dilnin nga strofa e tyre, edhe pse kishin një ushtri të përgatitur me rreth 20.000 efektiva, nuk marshuan me më shumë se 5.000 ushtarë. Dhe kjo pse mbanin ilotët nën zgjedhë dhe kishin frikë mos rebelonin. Si ata terroristat që mbajnë peng pasagjerat e ndonjë aeroplani dhe nuk dalin të gjithë për negociata.

    Një rast tjetër unikal në botën antike ka qenë rasti ku në mënyrë të pabesë e të paturp, në mënyrë frikacake vranë dy lajmëtarë të pambrojtur e të paarmatosur të persëve. Po, po. This is Sparta! Nuk ka popull në botë të ketë bërë një sakrilegj të tillë. Dhe si nuk mjaftonte kjo, për të larë shurrën me mut (më falni për shprehjen), dërguan tek persët dy spartanë që këta t’i therrnin si dëmshpërblim për lajmëtarët. Natyrisht persët nuk pranuan të derdhin gjak të pafajshëm dhe i kthyen mbrapa. Ky ka qenë mentaliteti spartan.

    Në betejën e Maratonës më 490 p.K., spartanët nuk morrën pjesë me pretekst se fazat e hënës nuk ishin të favorshme! Dhe kur panë se grekët e tjerë po qeshnin me bëmat e tyre, edhe pse kishin siç thamë një ushtri me 20.000 burra, në mos më shumë atë kohë, dërguan një kontigjent me 300 veta e një nga dy mbretërit me urdhër që të mos kthehet asnjeri mbrapa, vetëm nga psikoza e tyre që të tregojnë grekëve të tjerë se ata sakrifikojnë dhe mbretin e tyre. Dhe këta morracakë, këta malokë që nuk dinin as si i hipet varkës, deshën të komandonin edhe forcat detare, kur Euribiadis ia futi me shpullë Themistokliut para betejës së Salaminës.

    Ka edhe më. Pausania, nipi i Leonidës, nën dijeninë e pleqësisë (eforëve) shkëmbente ltra me Kserksin e mundur dhe i garantonte se po e bëri Kserksi satrap të Greqisë dhe dhëndër të tij ai ia dorëzonte greqinë e tërë. Kur grekët e tjerë e mësuan, eforët e kapën me kurth Pausanian dhe e ekzekutuan mnë mënyrë çnjerëzore dhe pa gjyq që të mos u dilnin përjashta të palarat.

    Dikur, gjatë luftës së Peloponezit, kur ishin gjetur ngusht kërkuan ndihmë nga ilotët. Dhe këta fukarenjtë, me nja dy mijë veta i ndihmuan. Cili qe shpërblimi? Ditën i morrën spartanët, i kurorëzuan (vetëm e vetëm për të sinjalizuar personat që do vriteshin) dhe natën i zhdukën deri tek i fundit. Asnjeri s’kuptoi si dhe qysh u vranë ata burra, shënon Tukididi. Kështu të shpagonin spartanët.

    Dhe si përfundim, në vitin 386 p.K. diktatori Antalkidas (se aktualisht në Spartë qeveriste si diktator një nga pesë eforët bashkë me dy mbretërit), kur pa se pas 45 vjetësh nuk mund të sundonin Greqinë nënshkroi aktin e turpshëm me persët, që për eufemizëm u quajt paqe (paqja Antalkidiane) me kusht që spartanët të vepronin në Greqi si “xhandarë” të persëve.

    Këta banditë e fundërima pra kanë qenë spartanët, me geton e tyre Spartën, qendër pervesive të Greqisë së lashtë. Njerëz të shfrenuar, të devijuar, paranojakë, pedofilë, homoseksualë, incestuozë, dhe kështu mbetën deri sa i shfarosën maqedonët dhe u çlirua Greqia nga një gangrenë.

    Të gjitha të tjerat janë pjella romanesh, novelash e telenovelash dhe aventurash romantike kalorsiake gjermane e franceze të shek. XIX dhe XX.

  7. Edhe disa shënime të tjera mbi temën në pëgjithësi.

    Në lidhje me monoteizmin, mendimi im duke studiuar grekët dhe më pak romakët, është se të gjithë popujt indoeuropjanë kanë qenë fillimisht monoteistë. Që nga epoka homerike del qartë të paktën karakteri patriarkal i perëndive dhe veçohet Zeusi si at njerëzish e perëndish. Perënditë femërore duket se kanë hyrë në një epokë kur panteoni grek është ndeshur me një panteon jo-grek, në një epokë parahistorike dhe të fundit hyjnë në panteon perënditë, seksualiteti i të cilëve është në pikëpyetje (psh Dionisi, i cili në epokën homerike ka qenë një perëndi e klasit të dytë a të tretë dhe në epokën klasike shndërohet në perëndinë e dëfrimit). Edhe perënditë e tjera të gjinisë mashkullore mbajnë emra të cilat fillimisht kanë qenë cilësi të Zeusit.

    Ares, që do të thotë vrasës në hakmarrje (dhe fillimisht, para se të shndërohet në perëndinë e luftës ka qenë perëndi e vrasjes në hakmarrje), Apollon, që do të thotë shfarosës, të gjitha këto fillimisht ishin epitete apo cilësi të Zeusit që më vonë u konsideruan si perëndi më vete. Dhe në rrjedhë të kohës këto perëndi patën edhe korrespondenten femërore ose çiftin e tyre. Në këtë mënyrë pra monoteizmi grek u kthye në politeizëm.

    Nuk mund të themi se Greqia e injoron mëkatin dhe ndjenjë e fajësisë. Edhe pse “mëkati” sot është një koncept kryesisht i krishterë, ka ekzistuar edhe në Greqinë e lashtë. Natyrisht nuk mund të bëhet një krahasim i lehtë midis perëndive greke dhe judaizmit apo krishterimit pasi edhe perëndit greke edhe shfaqnin të njëjtat dobësi si dhe njerëzit e thjeshtë, pra gabojnë, vrasin, përdhunojnë, irritohen, hakmerren, bien në dahuri, janë xhelozë etj, pra diçka e huaj në fenë judaike apo në besimin kristian ku Zoti është perfekt. Por ka raste në mitologjinë greke ku shfaqet “mëkati”, si në mitin e Orestit, Sisifit, Tantalit, Iksionit, Tityut etj dhe kemi Eliziumin për të mirët dhe Tartarin për të këqijt që i presin ndëshkime dhe tortura.

    Dënimi me vdekje edhe ai ishte mjaft i përhapur në Greqinë e lashtë si dënim kapital, pavarësisht regjimit të qytetit (Athina demokratike e dënoi filozofin Sokrat me vdekje) dhe i aplikueshëm për një numër të madh veprah penale, që nga vjedhja deri në ateizëm. Në Dhjatën e Vjetër (është gabim të thuhet në Bibël, pasi Bibla përmban edhe Dhjatën e Re e cila për nga ana ligjore e ka shfuqizuar të Vjetrën) dënimi me vdekje vendoset për katër vepra penale kryesore: 1. Për vrasje (përjashtohet vrasja në vetmbrojtje, dhe vrasja e kryer kundër një personi i cili ka hyrë në shtëpi a pronën e një personi tjetër pa dijeninë e këtij të fundit pas perëndimit të diellit dhe para lindjes së diellit), 2. Për vepra të natyrës seksuale (përdhunim, prostitucion, incest, marrdhënie me kafshë, kurvëri etj). Kështu shpjegohet se pse në Izrael gratë si Ruthi me Noeminë, Resfaja, Sullamitis, nëna e Krishtit etj qarkullonin pa frikë e të pashoqëruara (diçka e panjohur për Greqinë antike). Në epokën e gjyqtarëve të Izraelit ngaqë një fis nuk dorëzonte për ekzekutim përdhunuesit e një gruaje u bë luftë civile që desh e zhduku fisin që i mbronte. 3. Për dëshmi të rremë në gjyq (kur akuza ishte vrasje) dhe 4. Për braktisje të fesë. Në Dhjatën e Re, që përbën doktrinën e krishterë sot, janë shfuqizuar të gjitha ndëshkimet që parashikonte Dhjata e Vjetër, përfshi edhe dënimin me vdekje.

    Pastaj, kur flasim për grekët e lashtë nuk duhet të ushqehemi akoma me romantizmin e shekujve të kaluar. Edhe ajo Greqi që do të futi në shkolla Onfre apo Soler duhet parë me sy kritik. Dikush duhet të thotë se me të vërtetë grekët e lashtë ishin inteligjentë e të zgjuar por njëkohësisht edhe xhelozë, egoistë, individualistë dhe vetëshkatërrues.

    Që kanë qenë xhelozë dhe smirëzinj kjo duket nga katër fakte kryesore. 1. Nga të gjithë popujt vetëm grekët, edhe pse inteligjentë, bënë perënditë e tyre smirëkëqinj, që kur shikonin një njeri që ishte i lumtur e begatonte ata e vrisnin, madje në mënyrë sadiste. Dhe kjo ishte besim i përgjithshëm, si bindje absolute fetare. Nuk është gjë tjetër veçse projeksion psikologjik i shpirtit të tyre. 2. Ç’pret nga njerëz, literatura e të cilëve fillon me një himn ndaj mërrisë dhe inatit (fjala e parë tek Iliada)? 3. Kur në të njëjtën epokë kombet e tjera kishin ngritur shtete mbaretnike, grekët vetëm ndaheshin në rreth 160 shtetëruce (kaq numëroi Aristoteli) dhe si të mos mjaftonte kjo, therreshin midis tyre çdo behar. 4. Kur at e bir, Filipi dhe Aleksandri, i bashkuan në një shtet dhe Aleksandri për 13 vjet i bëri superfuqi botërore, këta pas vdekjes së këtij të fundit i vranë nënën, gruan, komandantin e gardës, trashëgimtarin, tre djemtë e tjerë dhe për 22 vjet shkatëruan pas një lufte civile që s’ka parë me sy bota herë tjetër të gjithë perandorinë.

    Kjo pak a shumë ka qenë toleranca greke.

  8. Natyrisht nuk mund të bëhet një krahasim i lehtë midis perëndive greke dhe judaizmit apo krishterimit pasi edhe perëndit greke edhe shfaqnin të njëjtat dobësi si dhe njerëzit e thjeshtë, pra gabojnë, vrasin, përdhunojnë, irritohen, hakmerren, bien në dahuri, janë xhelozë etj, pra diçka e huaj në fenë judaike

    Ne fakt keto atribute nuk jane te huaj per YHWH (te pakten ne Testamentin e Vjeter). Ne qoftshin keto atribute edhe te hyjnive Greke, atehere teza e Solerit per superioritetin e mendimit helenik mbi ate judaik bie. Vetem ne qofte se ai i referohet shkolles te Epikurit dhe jo ortodoksise helenike mund te duket sikur greku i lashte eshte i ngjashem me perendimorin e sotem. Por mua nuk me duket sikur epikurianizmi te ishte aq i perhapur nder masat.

    1. YHWH-ja nuk merret vesh i kujt ka qene, ca thone Atoni i Akenatonit, ca hyji i Sinajit, me siguri s’ka qene i çifuteve.
      Mund te kete qene nje perzierje, emri do na thoshte shume, po YHWH nuk dihet me saktesi se ne ç’gjuhe eshte e vete çifutet e ndaluar perdorimin e atij emri me preteksin, mos e perdor kot emrin e Zotit, gje qe e mbajti krishterimi dhe YHWH vetem te krishteret e kenduar e kane pase ditur se ishte emri i vertete i Zotit.

      Cifutet vete ishin nje perzierje fisesh, danet psh jane danunet e popujve te detit, te integruar si fis çifut, levitet fis i krijuar nga familjet e prifterinjve egjiptiane te Atonit qe u persekutuan pas vdekjes se Akenatonit.

      Te kuptosh mendimin e vjeter çifut duhet te njohesh mire mendimin dhe qyteterimin egjiptian. Per mua vetem nje egjiptianolog mund te jete edhe çifutolog i mire.

      Perpos epersise se mendimit monoteist ndaj atij politeist, se qenia eshte nje dhe e pandashme ( gje qe u dhunua nga tresia e krishtere, por u respektua nga islami), besoj se rol kyç ka pasur deshira e pamase per pushtet e Akenatonit, ai vuri nje Zot dhe veten si bir i Zotit, duke shkaterruar traditen ku faraoni ishte nje zot i vogel e pa privilegje te medha, se kishte nje mori zotash.

      Shiko çfare kalimi, nga nje njeri-zot mes qindra zotash ne bir i Zotit te vetem.

      Perqendrimi i pushtetit eshte i garantuar. Ne fakt s’mund te kalohet nga shumesia ne njesi pa diktat.
      Ne fund te fundit,Roma e pranoi krishterimin per te ruajtur njesine e Perandorise qe po kercenohej nga shumesia. Fati i Krishterimit eshte i lidhur pashmangshmerisht me nevojen per perqendrimin e pushtetit dhe ruajtjen e njesise nga shumesia.

      1. Ne fund te fundit,Roma e pranoi krishterimin per te ruajtur njesine e Perandorise qe po kercenohej nga shumesi…

        Eshtë gjësendi për të cilën diskutohet ende edhe pse është e vërtetë që pranimi i një zoti të vetëm u lejonte perandorëve të mëvonshëm një mundësi më shumë për të kërkuar edhe unitetin e perandorisë që po shpërbëhej. Deri vonë zotëronte mendimi se provincat e Mesdheut ishin fort të prekura nga kristianizimi dhe konvertimi i Kostandinit nuk ishte fillimi por kurorëzimi i një procesi të tërë kristianizimi.
        E megjitahtë, Robin Lane Fox mendon se më 312 të krishterët përfaqësonin vetëm 4-5 % të popullsisë, por duket se pas debatit të shifrave ka një problem ideologjik. Ndërkohë pjesa më e kristianizuar nuk është Roma, siç mendohej, por Egjipti.

        Të krishterët vazhdonin të persekutoheshin rreptë dhe ky mbahet si më i gjati në histori. Por ndërkohë hyjnë në lojë edhe elementë « personalë ». Perandori Galer më 311 urdhëron ndalimin e persekutimit dhe u kërkon të krishterëve të luten për shëndetin e … tij .
        Dhe për të dalë te tema jonë (ku nuk desha të shprehem personalisht) progresioni i mëtejshëm i krishterimit shpjegohet edhe me faktin se ajo si fe u mbështet te kultura antike (që Soler e sheh të arsyeshme ta predikojë sot si gjësendi të re). Krishterimi nuk e shkatërroi kulturën antike (edhe pse e dimë se u shtoi nga një gjethe fiku shtatoreve nudo të asaj periudhe). Ai që quhet antikitet i vonë është parë si pasojë e kësaj vazhdimësie (pagano – kristian).
        Edhe disa nga filozofët e mëdhenj të Antikitetit u pranuan edhe si ‘filozofët zyrtarë’ të kristianizmit. Këtu kam parasysh Aristoteli, Ptolemeun dhe sistemin e tyre gjeocentrik, për të cilin kisha të vriste po ta prekje.
        Por ka edhe një periudhë transicioni komik, për të cilin flet gjatë Giboni, ku zotit të ri romakët i organizonin rite që nuk ndryshonin nga ato të antikitetit etj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin