PERËNDITË E FINANCËS

Vitet e fundit zërat kritikë kundër agjensive vlerësuese të kreditit (credit rating agency) janë shtuar gjithnjë e më shumë. Vlerësimet e këtyre agjensive janë bërë prej kohësh të domosdoshme për investitorët anembanë botës dhe deri pak kohë më parë kapnin vetëm faqet e revistave të specializuara për ekonominë. Tani, agjensi si Standard & Poor’s, Moody’s e Fitch, zënë titujt kryesorë të edicioneve të lajmeve të vendeve të zhvilluara e më pak të zhvilluara.

Shikueshmëria e agjensive të vlerësimit është rritur proporcionalisht me fuqinë e tyre për të kushtëzuar bursat dhe ekonominë financiare. Mjafton një ngrysje vetullash, ose ndonjë thashethem dalë nga zyrat e tyre, dhe bursat fillojnë e qajnë. Opinionet publike i shohin si gjykatës planetarë nga gishti i të cilëve varen ekonomitë e vendeve të ndryshme. Nuk ka asgjë të keqe tek kontrolli, përkundrazi, por gjykatësi duhet të jetë si gjithnjë asnjanës për të gjykuar mbi palët.

Pikërisht tek luajnë rolin e arbitrit asnjanës këto agjensi tradhtojnë disa kundërshti themelore. E para lidhet me faktin se financohen nga banka e institute që më pas duhet të kontrollohen prej tyre. Por a mund të kontrollohet ai që të mban me bukë? Mund të pështyhet në pjatën ku hahet? Edhe mundet, por besueshmëria vihet në pikëpyetje domosdoshmërish.

Ka nga ata që e konsiderojnë me të meta të mëdha aktivitetin e agjensive. Si të thuash, gjykohet puna në vetvete, cilësia e kontrollit. Të gjithë kritikët u kujtojnë rastin e krizës së fundit financiare, kur bankat me probleme të mëdha deklaroheshin nga agjensitë e vlerësimit si të qëndrueshme, kurse produkte financiare toksike, praktikisht plehra, vuloseshin si të shëndetshme. Nuk duhet harruar se Lehman Brothers konsiderohej si bankë e qëndrueshme derisa falimentoi, ndërkohë që tregu financiar ndërkombëtar priste që agjensitë ta vinin alarmin prej kohësh. Po kështu nuk u paralajmërua falimentimi i shoqërisë Enron në dhjetor të 2001-t, megjithëse simptomat i dinin pothuajse të gjithë.

Mos vallë notat vihen nga profesorë të papërgatitur? Ka mundësi. Kjo do të thotë se agjensitë nuk dinë ta bëjnë punën e vet, nuk janë në lartësinë e duhur. Këto ditë në Europë pati polemika të ashpra kundër zhvlerësimit që agjensia Moody’s i bëri Italisë. Kritikat, në kufi të akuzave, u bënë jo vetëm nga qeveria italiane, çka do të ishte deri diku normale, por edhe nga institucione europiane. Këtu ndoshta duhet cituar David Wyss, shef i sektorit ekonomik në agjensinë Standard&Poor’s deri në korrik të 2011-s, i cili paska thënë: “Agjensitë vlerësuese nuk dinë për borxhet e qeverive asgjë më shumë se një djalosh në rrugë që lexon gazetën”.

Nuk mund të mohohet se agjensitë e mësipërme ruajnë një rol institucional, pothuajse gjysmë publik, çka kërkon asnjanësi e përgjegjësi të madhe. Roli rregullues i tyre nuk mund të shkojë drejt plotfuqishmërisë pa kaluar nga kontrolli i institucioneve, sepse nga mendimi i tyre varen banka, shoqëri, ndërmarrje, vende. Tek e fundit, njerëz e familje. Pa përqafuar akuzat më të rënda që bëhen kundër agjensive vlerësuese mund të thuhet se ekziston rreziku për instrumentalizim, çka do të thotë se spekulatorët mund të shfrytëzojnë gabimet eventuale të agjensive për të shkatërruar subjekte përndryshe të shëndosha.

Shqipëria, e zhytur në problemet e pluhurit të përditshëm, e zënë me ndërtimin e kargove, rigorozisht sipas ritit të kultit të kargove, nuk ka kohë as mendje t’i kritikojë agjensitë e mësipërme. Ndoshta në këtë moment nuk ka as të drejtë. Mirëpo agjensitë vlerësuese të kreditit janë nga ato lloj perëndish që shfaqen në mënyra të ndryshme. Sot dalin si agjensi, nesër si organizata, pasnesër si shumëkombëshe, forume, media ose qendra studimore. E nuk flasin vetëm për vlerësime krediti. Çështja është e koklavitur, por mund të fillohet me një pyetje të thjeshtë: “Në cilat Perëndi duhet të besojmë?”.

Nuk ka komente

  1. Shqipëria, e zhytur në problemet e pluhurit të përditshëm, e zënë me ndërtimin e kargove, rigorozisht sipas ritit të kultit të kargove, nuk ka kohë as mendje t’i kritikojë agjensitë e mësipërme.

    Andej nga 2007-ta Shqiperia u perpoq te ngrinte ca fonde ne tregjet nderkombetare te kreditit. Pasi mori nje note jo te kenaqshme nga S&P Sali Berisha mendohet te kete thene ‘u thoni t’a ndryshojne se nuk me pelqen’

  2. “…Këto ditë në Europë pati polemika të ashpra kundër zhvlerësimit që agjensia Moody’s i bëri Italisë. Kritikat, në kufi të akuzave, u bënë jo vetëm nga qeveria italiane, çka do të ishte deri diku normale, por edhe nga institucione europiane…”

    Me c`shkruhet sot ne shtyp(http://www.telegraph.co.uk/finance/financialcrisis/9410275/Monti-plans-Greek-style-takeover-of-Sicily-to-avert-default.html), Sicilia eshte ne prag te falimentimit, me nje deficit prej 7 miljard euro, te cilat s`dihet se nga ku do dalin. Dhe ky njoftim ndodhi pak dite pas zhvleresimit te Italise nga Moody’s. Dhe te mendosh se Sicilia, simbas Moody’s, nuk kishte noten me te keqe ne ekonomi, ne krahasim me rajonet e tjera te Italise. Pra agjencia e ka bere punen e vet sic duhet, duke i lajmeruar bleresit e mundeshem te bonove te thesarit italian apo te kambialeve te rajonit te Sicilise qe hapni syte. “Po i dhate pare atyre ose kerkojuni nje perqindje me te larte, ku rreziku i mos pagimit te shumes kryesore te kompensohet nga fitimi i mundeshem, ose mos u jepni asgje.”
    Thenia e David Wyss do pare ne kontekstin e mangesise se te dhenave te plota/sakta ekonomike dhe finanziare nga ana e entiteteve/shteteve, dhe jo ne ate te pa aftesise apo pamundesise se agjencive te kreditit per te bere punen e tyre.
    Borxhi i botes eshte 43 trilion dollar. Qe paguan interes kreditorit. Tregu i bursave ne bote eshte cope-cope, ku po shkove per vetulla, ka gjasa te leshe jo vetem syte por edhe dhembet. I vetmi treg qe ka nje lloj qartesi eshte ai borxhit publik, te garantuara nga shtetet sovrane, si tip super-kompanishe. Nuk eshte se eshte kush e di se cfare fitimi, 1-3 % tek e shumta. Hiq prej kesaj inflacionin , dhe rrezik cdokush qe merr pjese, qofte edhe ne tregun me te sigurte sic eshte ai i bonove the thesareve shteterore, rrezik del me humbje. Por kur edhe keto shtete sovrane dalin nje Enron ne fuqi te kushedi se sate, atehere njeriu s`di ke te besoje me : agjencite e kreditit, qeverine e vet, veten e vet ?

    E gjithe kjo gjendje eshte e nje natyre ideologjike. Nuk ka te beje as me moralin e aktoreve, as me aftesite e tyre profesionale. Thjesht me idene qe kane ata mbi realitetin.
    Shqiptaret uroj t`i besojne instiktit te tyre. Ne mos pasurine, u ka siguruar te pakten mbijetesen.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: