NJERIU NË SHTYLLË

Ka pasur, gjatë shekujve të parë të Krishterimit në trojet e Perandorisë Romake të Lindjes, eremitë që kishin zgjedhur të jetonin në majë shtyllash a kolonash, duke praktikuar ashtu një lloj asketizmi të rreptë – i ekspozoheshin shiut dhe diellit, ngricës dhe zhegut, dhe agjëronin për ditë të tëra, teksa faleshin dhe pendoheshin. Këta njiheshin si stilitë, nga greqishtja στυλίτης, që vetë vjen nga στῦλος, “shtyllë, kolonë”.

Më i njohuri prej këtyre është siriani Simon Stiliti (plaku, 390-459; se ka pasur edhe një Simon Stilit “të ri”, që hipi majë shtyllës kur ishte tetë vjeç, dhe ndenji aty 68 vjet), që jetoi 37 vjet mbi një platformë të vogël, majë një shtylle afër Aleppo-s. I përshpirtshëm dhe i tërhequr nga bota që në moshë fare të re, i shtyrë nga dëshira për t’u larguar nga të gjithë ata që i vinin për vizitë dhe i kërkonin këshilla ose që të luteshin me të, Simoni u vendos në majë të një shtylle në mes të rrënojave në Telanissa, duke e marrë në sy që ta kalonte jetën atje. Djem të vegjël nga një fshat aty pari i sillnin bukë dhe qumësht dhie, çfarë i mjaftonte për të mbetur gjallë.

“Ai mund të ketë qenë i vetmi njeri që pat guxuar të jetojë mirëfilli i vetëm,” pat thënë për të Konstandin Kavafi.

Shtylla ku pat hipur në fillim Simoni nuk ishte më shumë se 3 metra e lartë – por më vonë ai u zhvendos në shtylla të tjera, prej të cilave e fundit ishte më shume se 15 metra e lartë. Në majë të kësaj të fundit thuhet se gjendej një platformë rreth 1 m2, e rrethuar me një parmak.

Sipas Gibbon-it, që e ka përshkruar jetën e Simonit te The History of the Decline and Fall of the Roman Empire, ky jetoi majë shtyllash për tridhjetë vjet, duke u falur ndonjëherë në këmbë, me krahët të hapur për të marrë formën e kryqit; dhe më shpesh duke e përkulur trupin përpara. Gibboni gjithashtu lajmëron se Simoni vdiq pa zbritur nga maja e shtyllës.

Që andej ai bisedonte, çdo pasdite, me vizitorët që i vinin për ta parë dhe që i afroheshin platformës nëpërmjet një shkalle; dihet edhe se që andej ka predikuar, ka shkruar letra dhe u ka dhënë mësime nxënësve të vet.

Falë edhe famës që fitoi Simoni, praktika e tij askete u ndoq nga të tjerë anembanë Lindjes së Krishterë – ku udhëtari dhe vizitori ndesheshin rëndom me pamjen e këtyre eremitëve majë shtyllave, që ishin zakonisht pjesë e rrënojave romake. Të tjerë stilitë parapëlqyen të vendoseshin majë kolonave shkëmbore natyrore të Meteora-s, në Greqi.

Simon Stiliti, ikonë nga një autor i panjohur.

Mendohet se të qëndruarit në majë të një shtylle të lartë shërbente edhe si mjet për ta përhapur dëshminë e besimit, si një lloj shfaqjeje e pandërprerë për publikun. Eremitin në majë të shtyllës e shihnin të gjithë dhe ashtu ndiheshin të ftuar të mendonin për temat e mëdha të fesë dhe të shelbimit. I vendosur në lartësi, falë një suporti material solid, stiliti mishëronte një formë të hershme të komunikimit masiv, një lloj antene të përvuejtnisë dhe besës.

Vetë fjala stilit, në Athinën e Lashtë i referohej një qytetari, emri i të cilit ishte gdhendur mbi një shtyllë, për të treguar se kish kryer krime kundër të tjerëve, ose kundër atdheut – duke shërbyer shtylla si një lloj tabele e zezë, ku athinasit të njiheshin me emrat e keqbërësve në qytet. Kuptimi i emrit natyrisht ndryshoi, në epokën e Krishterë – por pa u prekur gjithsesi thelbi i marrëdhënies me shtyllën, si një formë elementare publiciteti. Në fakt, eremiti që zgjidhte të hipte dhe të jetonte në shtyllë e bënte këtë kryesisht për t’u shpëtuar kontakteve me të tjerët, në kërkim të vetmisë totale; por gjithnjë edhe me dëshirën që eksperienca e tij asketike të soditej edhe prej të tjerëve, çfarë nuk e përjashtonte kontaktin (vizual dhe tjetërlloj), madje e parakuptonte. Tek e fundit, stiliti majë shtyllës nuk do të mbijetonte dot, pa ata që i sillnin për të ngrënë e për të pirë.

Të ngjashëm me stilitët ishin dendritët, murgj eremitë që e kalonin jetën e tyre të lutjes dhe të pendesës majë një peme, për të ndenjur aty deri në vdekje. Dendrit do të ketë qenë edhe Baroni rebel i Calvinos, çfarë na kujton se vendimi për të jetuar në majë – të shtyllës a të pemës – është edhe një lloj rebelimi, një lloj ikjeje nga e përditshmja, në kërkim të një kontakti më intim dhe të mirëfilltë jo vetëm me veten dhe me hyjnoren, por edhe me Tjetrin.

Mua kjo praktikë e stilitit që e kalon jetën majë një shtylle më ndihmoi për të konceptuar tregimin “Një statujë për të gjithë”, botuar më parë në Peizazhe të fjalës dhe pastaj te vëllimi CASTIGAT; atje përshkruaj një praktikë imagjinare, në një qytet anonim, ku çdo ditë një qytetar i zgjedhur me short ngjitet në një piedestal në qendër të qytetit, për të pozuar si statujë për 24 orë. Shkruaja atje:

Disa studiues të qytetit mendojnë se statuja e ndërrueshme në qendër shërben si strumbullar rreth të cilit organizohet komuniteti urban; disa të tjerë, gjykojnë, përkundrazi, se ky farë rituali nuk është veçse një mënyrë e stërholluar për kastën publike që ta mbajë nën zgjedhë kastën private.

Më kish ngacmuar raporti – jo dhe aq imagjinar – mes pamjes së stilitit në majë të shtyllës, dhe statujat në piedestale, që hijeshojë, ose të paktën pikësojnë, qytetet tona moderne, duke shërbyer si përkujtesa dhe konfirmime të pushtetit kulturor. Çfarë edhe më pat ndihmuar për t’i përfytyruar jo vetëm statujat e sotme si njerëz të derdhur në bronz, në granit e në mermer; por edhe njerëzit në rrugë si statuja ose në kërkim të piedestaleve, ose të arratisura prej tyre.

Sepse edhe piedestalin – këtë formë të glorifikuar të shtyllës së stilitit – fare lehtë mund ta përfytyrojmë si një lloj qelie, një vend ku hiqet liria, një burg të zgjedhur me hir a me pahir, nga ku stiliti e ka po aq të vështirë të arratiset, sa edhe statuja. Pamja që më vjen në mend, është ajo e magjistarit Gandalf, te “Zoti i unazave”, të cilin e burgosi kolegu i vet, dhe njëherazi armiku i vet Saruman, në majë të një kulle, nga ku ish e pamundur të arratiseshe (por Gandalfi, si magjistar që ishte, ia doli mbanë të thërriste, nëpërmjet një fluture nate, shqiponjën që do ta transportonte drejt lirisë, si një lloj kali me flatra).

Stiliti, statuja në piedestal dhe i burgosuri në majë të kullës – a nuk janë të gjitha këto ftesa për të medituar, rreth vetmisë së ekzistencës?

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Simeon the Stylite, nga Carel Willink.

1 Koment

  1. – a nuk janë të gjitha këto ftesa për të medituar, rreth vetmisë së ekzistencës?

    Eremiti në shtyllë ishte dëshmi e gjallë e fuqisë së besimit të robit ndaj Zotit, por ne, bashkë me besimin, kemi humbur edhe aftësinë për të komunikuar me atë kohë a për të gjetur një pikë kontakti me spiritualitetin e asaj bote. Simon Stiliti, mendoj, nuk jetonte në vetminë e ekzistencës, sepse ai ishte aty në shoqërinë e Zotit dhe të mësimeve të tij. Por mund të ketë qenë edhe ndryshe, hendeku është më i gjerë se 16 shekuj, janë dy universe fare të ndryshme, që nuk puqen: universi i arsyes përballë (kundër) atij të besimit, i materializmi kundër idealizmit, i Athinës versus Jeruzalemit.

    Edhe pse mënyra e vetme, përtej trivialitetit dhe banalitetit racionalist, me të cilën ne mund t’i qasemi sot jetës spirituale – dhe sakrificës – së Simon Stilitit, është ajo filozofike, e doktrinës së ekzistencës, edhe kjo, në vetvete, është po ashtu produkt i arsyes, pra pothuajse po aq larg besimit dhe idealizmit, sa edhe ateizmi dhe materializmi.

    Nëse do të bënim një lojë mendimesh, si e ku do të shfaqeshin Shën Simonët e sotëm? Me gjasa,do t’i gjenim të ngujuar përjetë në ndonjë qendër tregtare, duke u stërvitur në ndonjë palestër ose së eglendisuri në ndonjë resort turistik, në tempujt e konsumit, metafizikës së epokës sonë: “I shop therefore I am”. Konsumoj, pra ekzistoj.

    Ps. Me këtë rast, faleminderit AV dhe EP për rihapjen e Peizazheve për komente këtu, në burim. PTF-ja është si Hotel California te kënga e famshme: you can check out anytime you like, but you can never leave. Mund të bësh dalje kurdoherë, por nuk largohesh dot asnjëherë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin