NJË STATUJË PËR TË GJITHË

Një piedestal i zbrazët i veshur me rrasa të murrme mermeri ngrihet në sheshin kryesor të qytetit N. – shumë nuk e mbajnë mend se për çfarë ka pasë shërbyer, ndërsa ata pak që mbase e dinë, parapëlqejnë të heshtin.

Çdo ditë, një qytetar i zgjedhur me short ngjitet në piedestal nëpërmjet një shkalle gjarpëruese të brendshme dhe pastaj pozon atje për 24 orë. Statutet e qytetit lejojnë që pozuesi të zgjedhë të ulet në një stol të thjeshtë, në qoftë se shëndeti a mosha nuk ia lejojnë të qëndrojë në këmbë, ose për arsye modestie.

Megjithatë, të paktë janë ata banorë që zgjedhin rehatinë dhe sigurinë e stolit, ndaj krenarisë së të qëndruarit në këmbë, përballë qytetit të tyre.

Një pllakë me emrin e pozuesit përgatitet dhe montohet te piedestali rishtas çdo ditë.

Në zheg dhe në acar, në shi dhe në dëborë, me supet të mbuluara herë me akull e herë me të pëgëra pëllumbash, qytetari në piedestal, ky stilit[1] i ndërrueshëm, komunikon me të gjithë admiruesit e vet poshtë duke mos lëvizur.

Vetëm pak herë mbahet mend që një statujë prej mishi të gjallë të ketë vdekur në krye të detyrës: dikush ngaqë është goditur nga rrufeja, dikush tjetër nga një atak në zemër ose nga apopleksia. Më shpesh ka ndodhur që pozuesi të jetë ligështuar a sëmurur, ta kenë lënë fuqitë dhe të jetë rrëzuar përdhé – me ç’rast ligji e kërkon që piedestali lihet i zbrazët derisa t’i vijë radha pozuesit tjetër, dhe ajo ditë shënohet paskëtaj në kalendarin bashkiak si e zezë. Kuptimi i kësaj praktike së trashëguar nuk dihet.

Ka ndodhur edhe që ndonjë prej pozuesve të ketë refuzuar të zbresë prej piedestalit, pasi të kenë kaluar 24 orët; për ta hequr janë dashur të ndërhyjnë rojet e përbetuara të shërbimit dhe agjentët e policisë shortare, të ndihmuar nga pozuesi që po pret radhën për t’u ngjitur.

E prapë se prapë, shumë nga ata që kanë pozuar tashmë për qytetin, i vuajnë për vite me radhë pasojat e ekspozimit; të cilat u shfaqen herë si rëndim e therje gjymtyrësh, herë si kriza ngërçi a tetanie dhe herë të tjera si verbim nëpërmjet shkrirjes së bebëzave të syve ose si kalcifikim masiv të lëkurës. Të flasësh në publik për këto pasoja, tek vetja a tek i afërmi, konsiderohet tabu, kushedi që nga kohët kur lepra ende lemeriste.

Edhe pse kushdo që fiton lotarinë e piedestalit ndihet fatlum dhe për fatlum e mbajnë edhe të tjerët, arsyet e kësaj tradite relativisht të hershme nuk janë shpjeguar mirë; disa gjykojnë se njeriu hipur në piedestal për së gjalli mishëron idealin demokratik, të tjerë se ky zakon pritet t’u kujtojë të fuqishmëve se janë po aq vdekëtarë sa të sunduarit prej tyre.

Të gjithë ata që e kanë shlyer detyrimin për të pozuar pranohen në një kastë të mëvetësishme brenda sistemit social të qytetit – duke fituar, mes të tjerash, të drejtën për të mbikëqyrur hedhjen e shortit për statujat e ardhshme.

Nga radhët e këtyre të iniciuarve dalin edhe astrologët bashkiakë, korrierët, ushqyesit dhe zbutësit e pallonjve ornamentalë, burizanët, krye-barnatarët, parashikuesit e motit, kufomalarësit, prerësit e monedhës, regjistrarët e gjendjes civile, kadastrarët e lagjeve, kandillonaftët e periferive, djegësit e temjanit, pjekësit e tavave, xehetarët e piritit, kopshtarët e varrezave, gjerbësit e mushtit lokal, mprehësit e sëpatave ceremoniale, përshëndetësit e turistëve, steganografët, shpikësit e folklorit, fallxhorët, gjeometrat sakralë, parashikuesit e tërmeteve, koreografët, shkoqitësit e traditës, flamurtarët, mirëmbajtësit e çezmave kryesore dhe shtruesit e trotuareve të qendrës.

Edhe pse asnjë ligj në statutet nuk e kërkon këtë haptazi, asnjë qytetar në moshë madhore nuk do të guxonte të shfaqej dhe të qarkullonte lirisht në publik pa pasë pozuar më parë për të tjerët; dhe shumë prej atyre që nuk kanë pozuar parapëlqejnë ngujimin ndaj poshtërimit. Prandaj edhe shumë ish-statuja e bëjnë zakon të kalojnë çdo ditë nga sheshi, për t’ia parë fytyrën dhe për t’ia mësuar emrin bashkëqytetarit të porsakualifikuar të radhës.

Për këtë arsye praktike as grave nuk u lejohet që të shfaqen në piedestal të mbuluara.

Disa studiues të qytetit mendojnë se statuja e ndërrueshme në qendër shërben si strumbullar rreth të cilit organizohet komuniteti urban; disa të tjerë, gjykojnë, përkundrazi, se ky farë rituali nuk është veçse një mënyrë e stërholluar për kastën publike që ta mbajë nën zgjedhë kastën private. Pavarësisht nga këto kundërti, ose kushedi pikërisht për shkak të tyre, mendimet e studiuesve nuk i pyet asnjëra prej kastave në qytet.

Për t’u shënuar edhe që statutet e qytetit N. e ndalojnë rreptësisht artin e skulpturës e të krijimit të shëmbëllimeve tripërmasore si dhe ekspozimin a tregtinë me pakicë të produkteve të tilla; shkelja e kësaj dispozite ndëshkohet si një formë idhujtarie dhe fajtorët zhvishen në mënyrë të pakthyeshme nga e drejta për të pozuar në piedestal.

[1] Stilitë quheshin, në mesjetën e hershme, ata murgj të krishterë që jetonin në majë të një kolone, në shenjë pendese, por edhe për të provuar forcën e besës në Zot.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin