EMRAT E DELEGJITIMIMIT

Dhjetori është kohë rrëfimesh në mediat, nga të mbijetuarit e “ngjarjeve të dhjetorit”, një grup laraman njerëzish me një këmbë në të shkuarën dhe me status diku midis atij të vetaranit dhe atij tjetrit, të homo sacer.

Këta risjellin, me zell që lejon të ndërduket virtyti i të drejtit, kujtimet e tyre për ditët e revoltës së studentëve dhe krijimit të PD-së – sipas rastit duke përmendur elemente të reja, ose gjysmë-sekrete; duke korrigjuar njëri-tjetrin dhe duke denoncuar komplote, herë fshatarake e herë ndërkombëtare; që fillojnë në Drashovicë dhe mbarojnë në Katovicë.

Dhe pikërisht në këto rrëfime, si shkumë në ujërat e rishprazura të kujtesës, spikatin listat e atyre që ishin – emra dhe mbiemra që, pa çka se një pjesë e tyre përsëriten nga viti në vit, nuk i thonë asgjë lexuesit; sepse më pas shumë nga të përmendurit janë tërhequr nga historia, kanë zbritur nga tribunat, kanë dalë nga kuadri a fokusi i kamerave, u janë shmangur mikrofonëve.

Disa të zhgënjyer thellë, disa të dëbuar, disa me ambicie të tjera, disa ngaqë ua zunë karriget, disa ngaqë e kuptuan se ishin gjendur kot aty, disa të pakënaqur që nuk u dhanë një kockë, disa sepse aq e kishin misionin, disa ngaqë dhjetorin 1990 e përdorën si platformë për karrierë tjetër dhe aventurë, disa ngaqë kanë harruar; ose janë urdhëruar të harrojnë; më në fund, disa edhe ngaqë u kthyen pastaj të vazhdojnë studimet.

Lista që provojnë se historia më shumë ndodh, sesa e bëjnë të ndodhë; dhe se protagonistët shpesh ndërrohen vetiu, madje edhe pa i ndërruar kush.

Sikurse provojnë edhe se historinë gjithnjë duan ta bëjnë jo aq të përmendurit në lista, ose dëshmitarët, por hartuesit e tyre, të cilëve ata dëshmitarë u duhen për verifikim statusi; ose të gjithë ata që rrëmojnë në kujtesën e vet dhe të së tjerëve, kushedi edhe në dokumente dhe në arkiva, për të arritur në këto bashkësi emrash të zgjedhur.

Besojnë se po vënë historinë në vend, duke përmendur të gjithë ata që kanë qenë – sipas tyre – dëshmitarë; pa çka se në fakt janë duke e rishkruar; në mos edhe thjesht duke e ripërjetuar.

Dhjetori 1990 vuri përballë tyre dy kampe – edhe pse sot askush nuk ka arritur t’i përkufizojë, as t’ua ftillojë synimet strategjike, përtej deklaratave dhe rrëfimeve dhe librave me “ju rrëfej…”

Kjo ngaqë këto kampe janë ende duke luftuar mes tyre; dhe një nga armët, me të cilat po luftohet, janë edhe listat.

Pa çka se shumë nga këto lista bien në sy edhe për mungesat; ose për emrat e atyre që ishin të pranishëm por tani nuk përmenden; dhe emrat e atyre të tjerëve që nuk ishin.

Ja një listë për t’u lexuar: ajo e të munguarve.

Dhe një e tretë – lista e atyre që përmenden, por që nuk i njeh askush veç miqve; e atyre që nuk u bënë dot publikë, për shkak të bërrylave, ose ngaqë parapëlqyen të mbeten në hije.

Dhe ashtu mbetën, duke lënë mbrapa emrat; protagonistë të një historie alternative, e cila nuk u materializua dot.

Përndryshe, nga ata emra që i sheh a i dëgjon të lexuar njërin pas tjetrit, ti nuk e kupton mirë nëse po të jepen ty për t’i nderuar – synim fisnik ky; apo si investim ndaj një versioni të së vërtetës, ose një masë dëshmitarësh – synim sërish fisnik; apo, më në fund, si emrat e të ftuarve në dasmën mistike, zgjedhur nga vetë autorët e listave.

Sikurse nuk je në gjendje të thuash as edhe nëse po të ofrohen apo jo ty, që dhjetorin 1990 kërkon veç ta kuptosh; apo atyre të tjerëve, që atij dhjetori i kanë hyrë tashmë në bark, si akejtë Kalit të Trojës, për të depërtuar tinëzisht në Historinë me H të madhe.

Sepse ngjarjet e vrullshme politike të fillimviteve 1990, që u kurorëzuan me kolapsin dhe kaosin e vitit 1997, ishin të tilla që nuk arritën dot të shërbejnë si legjitimim, për klasën e sotme politike.

Ajo e mëparshmja gjithnjë të kujtonte se kish dalë nga Lufta; kjo e sotmja është më shumë e ardhur, sesa e dalë.

Dhe për fat të keq, dhjetori 1990 po vazhdon të riprodhohet, ri-inskenohet dhe rikrijohet në mënyrë të tillë, që të mos legjitimojë dot asgjë; aq sa të vjen të besosh ata që thonë, të armatosur edhe ata me lista, që qëllimi i manipuluar i revoltës së atëhershme – a i mosbindjes civile nëse doni – ishte jo legjitimimi, por delegjitimimi i çka do të pasonte.

Kështu do të shpjegohej edhe kjo mizëri listash, që palët ia përmendin njëra-tjetrës, ca si emra shenjtorësh dhe engjëjsh, ca të tjerë si emra demonësh.

Dhjetori vërtet kohë rrëfimesh; por gjithë kjo zhurmë kushedi ç’heshtje kërkon të mbulojë.

1 Koment

  1. E gjej plotesisht me vend kritiken per histori ri-beresit, politikane-mafiozet e sotshem tranzitokraciste te cilet duan te legjitimojne te sotshmen aktuale dhe te felliqur me ngjarjet rreth permbysjes se monizmit, pavaresisht se si dhe sa u gjenden keta njerez ne ato ngjarje historike. Eshte sidomos e nevojshme kjo kritike sot ngaqe sa me shume dhjetore shenon kalendari, aq me shume bajate behet perpjekja per te gjetur legjitimitet per palacolleqet dhe palo-demokracine aktuale tek historia tashme 25 vjecare.

    Por, shkrimi i mbyllur keshtu me le nje shije te athet, shije dhjetor-asgjesuese, sidomos kur ’97-a paraqitet si klimaksi i ayre ngjarjeve te fund-monizmit. Jam i sigurt qe 2xha nuk synote aspak kete, ama nese edhe pa dashje ato ngjarje reduktohen ne thes (toptan) si lista te listaxhinjve te tranzitokracise, vetiu biem pre gjithashtu e dukurise liste/ngjarje-reduktuese, ani pse ne kete rast anasjelltas, dmth reduktojme te shkuaren per hir te kritikes ndaj se tashmes zhgenjyese.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin