SINQERITETI I NJË RRËFIMI

shënime leximi për librin “Lindur së prapthi” të Rita Petros

nga Marsela Neni

 

Libri “Lindur së prapthi” është vepra e parë në prozë e autores, pas disa vëllimeve poetike. Pavarësisht elementeve autobiografike, ky libër nuk është autobiografi. Për nga zhanri letrar mund të klasifikohet si autofiction, ku rrëfehen ngjarje reale, për persona realë, pjesë e jetës së autores në Tiranën e viteve ’70-’80 të ndërthurura me ngjarje të kohëve më të vona, pas viteve ’90.

Në këtë libër Rita Petro është autore, rrëfyese dhe personazh i librit të saj, edhe pse e paemër, ndryshe nga personazhet e tjerë të shumtë të së shkuarës dhe të së tashmes së saj, të identifikuar me emër, të përshkruar e disa më të ndërtuar si karaktere me historitë e tyre personale që lidhen në një mënyrë a një tjetër me atë të personazhit kryesor.

Parë në perspektivën time si lexuese ky libër ka disa vlera që e bëjnë atë të veçantë në llojin e tij:

Së pari, përmes rrëfimit autorja bën një skaner të ndjesive të saj më të imta intime, ndjenjave fëminore, paragjykimeve për veten në fëmijëri e në rini dhe gjykimin e të tjerëve. Një rrëfim krejtësisht i sinqertë dhe objektiv, pa fshehur asgjë, pa u kursyer, të shoqëruar me qëndrime vetjake veçse në pak raste, paraqitje faktesh nisur nga përjetimi vetjak me një gjuhë jopoetike, por e shoqëruar herë-herë me një ironi të hollë e gjuhë shpotitëse. Autorja përdor një strukturë të thjeshtë (por jo telegrafike) në ndërtimin e frazës dhe në përcjelljen e mendimeve dhe ideve, të ildisur padukshëm me ndjeshmëritë më të thella e më holla njerëzore, siç janë ato që lidhen me ndërtimin e identitetit individual, atij gjinor, seksual, shijes dhe esencës së përvojave intime.

Përshtypja që m’u krijua teksa e lexoja librin në këtë perspektivë ishte ajo e qenies përpara pasqyrës, së cilës i përvijohet vija e jetës me ngjarjet që e kanë shënjuar më tepër. Autorja i shpalos këto ngjarje me  realizëm disa herë të trajtuara përciptazi, herë të tjera duke u zhytur më në thellësi dhe duke lënë vend për meditim personal në përqasje me përvoja të ngjashme a krahasimisht të përafërta të lexuesit.

Ashtu si në poezinë e saj, në këtë aspekt, autorja është e guximshme në paturpësinë e saj për t’u shprehur rreth temave a çështjeve që jo vetëm në letërsinë shqiptare, por edhe në shoqërinë shqiptare flitet me ngërç për shkak të një mendësie  jo të rritjes. Gjithashtu ajo është e guximshme në ndershmërinë e saj për të rrëfyer të vërtetën  pa pasur frikë nga paragjykimi i të tjerëve, edhe pse është përbaltur jo pak në përvoja të mëparshme letrare.

Stili i zhveshur në figuracion, mosmbajtja qëndrim ndaj ngjarjeve, përzgjedhja e detajeve interesante, fraza e shkurtër që përqendrohet te rrëfimi i asaj që ndodh jashtë dhe brenda personazhit, pa e shoqëruar atë që ndodh me shpjegime a justifikime përligjet me qenësinë e rrëfimtares, e cila i rrëfen ngjarjet parë me sytë e një vajze të vogël, të një adoleshenteje e më tej një vajze të re, pak më të pjekur në moshë. Perspektiva rrëfyese zgjedh gjuhën e veprës dhe mendoj se kjo ishte ajo çka më shijoi më shumë gjatë leximit. Kjo zgjedhje artistike e autores më erdhi si një fllad Annie Ernaux.

Nobelistja franceze Annie Ernaux shkruan: “Është më e vështirë të gërmosh për të nxjerrë fakte nga kujtime të harruara, sesa t’i sajosh ato.” Me këtë ajo nënkupton që kredhja në errësirën e vetvetes për të zbuluar skutat më të fshehta, përjetimet më intime, mbresat që na kanë formësuar, plagët me koret e fjetura, thellë të cilave gëlon tinëz qelbi, nëse ia zbulon dritës, nëse ia rrëfen vetes, njerëzve që të rrethojnë, atyre që ke frikë se lëndohen më së shumti, i ke dhënë vetes mundësinë për të fituar lirinë e vërtetë. Siç e gjykoj kjo është një nga mesazhet e fuqishme që përcjell vepra te lexuesi: guximi për të qenë vetvetja në një botë që përpiqet të të manipulojë, të të kontrollojë, të të shantazhojë, të të robërojë me ligje, ideologji e rregulla absurde me një moral të gënjeshtërt.

Së dyti, autorja bën një skaner të shoqërisë së kohës dhe problematikave në Shqipërinë e izoluar në diktaturën komuniste. Çfarë tematikash prek Rita Petro në librin “Lindur së prapthi”?

Tematikat e motivet janë të shumta: figura atërore si Zoti në një shoqëri patriarkale; marrëdhënia femërore ndër breza, arsimimi i gruas, barazia e saj e gënjeshtërt; propaganda e fuqishme komuniste; dhuna në familje; dhuna ndaj gruas; edukimi i rreptë dhe dogma komuniste; vetëvrasja, korrupsioni dhe morali; internimi;  lufta ideologjike dhe klasore; frustrimi dhe perversiteti; aborti ilegal; përgjimi dhe spiunimi; ngacmimet seksuale; partishmëria, (mos)liria e fjalës dhe e besimit etj.

Koha përbëhet prej njerëzish

“Koha përbëhet prej njerëzish” duket se na sugjeron vepra “Lindur së prapthi” nëse i referohemi morisë së personazheve të këtij libri. Njeriu formësohet nga përvojat me njerëzit që e rrethojnë dhe mënyra se si i përjetojmë këto përvoja. Ajo çka e veçon heroinën kryesore që e bën atë të identifikohet e më pas të vetë-identifikohet me sintagmën “e lindur së prapthi”, është se ajo thotë me zë të lartë, ato çka shumë i mendojnë dhe i ndjejnë, por nuk guxojnë t’i thonë.

Për shembull kur vajza i thotë: “Mami, sa i bukur dukej gjyshi në arkivol, si Drakula…” e bën personazhin të nxitet të mendojë se “çfarë e shtyu vajzën 10-vjeçare të bënte një krahasim të tillë.” Përshkrimi i figurës atërore me sytë e të rriturës: “Ai vërtet ngjante madhështor, si një gjysmëperëndi i vdekur përkohësisht. Ky është perceptimi im për tim atë, kur e pashë në arkivolin me shandanët e lartë te koka dhe rrethuar me kurora e buqeta lulesh…” ia lë vendin retrospektivës që demaskon dhe rolin autoritar të babait në familje parë në sytë e fëmijës në pjesën “Zoti jetonte në shtëpinë time”.

“Apartamenti ynë ishte i vogël, aq i vogël, si ato shtëpitë e kukullave me të cilat luaja me Arianën. Dhe në atë hapësirë aq të vogël, babi ngjante edhe më gjigant… Ai ishte aq zot, saqë, kur kalonte nga njëra dhomë te tjetra, askush nuk mund t’i dilte përpara. Ne mbështeteshim te muret ose pas perdeve. Pasi babi zinte vend, atëherë lëviznim ne. E vetmja që përplasej herë pas here me babin, ishte mami…Zotit tonë i dëgjonim çdo ditë pordhët…”

Apo kur ndjen momentin e parë të lirisë në ditën e trishtuar të vdekjes së gjyshes, kur mendon se tani që gjyshja kishte vdekur ajo do të mbante çelësin në qafë:

Përdorimi me mençuri i pasurisë leksikore të shqipes krijon shpesh situata të këndshme leximore ku lexuesi vë buzën në gaz, edhe pse në fakt është gaz-dhimbje për shkak të dykuptimësisë, si për shembull përdorimi i homonimisë në funksion të naivitetit fëminor në këtë fragment:

“Pastaj dëgjova dhe fjalën çimka brenda nëpër tuba. E si munden çimkat të na përgjonin apo fotografonin?! Kurrë nëpër përralla nuk kisha lexuar për fantazi të tillë. Edhe gjyshja i përmendte shpesh. Por thoshte se ky dyshek apo ky jorgan ka çimka. Kujdes nga çimkat. Ato jetojnë me gjakun tonë.” (fq. 61)

Figurat femërore në vepër

Figurat femërore në vepër, fillimisht gjyshja, pastaj nëna, por dhe halla apo tezja, janë ato që ia shpjegojnë situatat në vogëli duke nënkuptuar kështu edhe ndikimin e madh në jetën e personazhit kryesor. Modeli femëror jep premisa për gjetjen e lirisë edhe në kohën e mungesës së saj. Këtu lexuesi bën edhe llogaritë me veten, sepse ajo çka përshkruhet për njerëzit dhe Tiranën e atyre viteve mund të ketë qenë ndryshe për provincën.

Personalisht më kanë intriguar në vepër kapitujt “Trotuari i mesit” ku si në një parakalim vijnë aq të gjallë personazhe si Maria, që e quanin zuskë; Linda, gruaja më e ëmbël dhe më e bukur e qytetit por me biografi të njollosur; Zhaneta, vejusha e bukur që të ndërmend personazhin e Malenës në filmin Italian “Malena” të Xhuzepe Tornatores (Giuseppe Tornatore); Liza vajza e çmendur me karrocën e qymyrit. Personazhet mashkullore siTedi, djali sportist, Kastrioti, djali që ecte sikur kërcente, Goni, Ladi, Çimi etj. Po kështu kapitujt “Në studion e Shkrimtarit” dhe “Shtëpia e Shkrimtarëve” përpjekjet dhe iluzionet e humbura të personazhit për të të botuar krijimet e para letrare.

Vepra provokon edhe me nëntekst, por edhe me zgjedhje interesante. Me interes për t’u analizuar edhe më thellë gjej “shenjtërimin” e aktit të parë dashuror/ seksual i cili ndodh në dhomëzën e rrëfimit në kishën e kthyer në kino “Rinia” si simbol i kultit të dashurisë, në radhë të parë për veten dhe zbulimin e kënaqësisë që të jep liria.

Ky libër lexohet shpejt, ofron disa mundësi leximi dhe analize dhe, edhe pse është rrëfim në prozë, arrin të të përcjellë një energji të veçantë, të ngjashme me rrëfimet në vargje të poeteshës Safo.

(c) 2023 Marsela Neni. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Rreth Autorit

Marsela Neni (Haxhimusai): Lindur në Elbasan. Autore e vëllimit poetik "Nântë herë grue"; bashkautore e një sërë tekstesh shkollore të Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë në AML; ish-lektore e lëndës së semiologjisë në UE. Aktualisht arsimtare dhe trajnuese kombëtare pranë "Filara Education".

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin