UDHË E MBARË

Partia Socialiste ka nisur të vetëshpallet fituese e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kjo mund të jetë një strategji elektorale ose vetëbesim në fitore. Gjasat janë që Partia Socialiste të fitojë në këto zgjedhje.

Rama ka zgjedhur të përballet me kryeministrin Berisha si kryeministër i ardhshëm, por nuk kabineti i ardhshëm nuk dihet. Përballja me persona konkretë do të përligjte ambiciet për ministër ndër deputetët e PS-s në këto çaste të sprovës. Të përballurit e ministrave aktualë të korruptuar si Ruli, Imami apo Mediu, me ministrat potencialë të PS-s, me gjasa njerëz me integritet, është një strategji që sjell parehati në rreshtat e kundërshtarit politik dhe siguri në elektorat për të ardhmen. Vështirë të shquash ndonjë teknicien të PS-s me integritet dhe njohuri të mjaftueshme të përballet me ministrin aktual të arsimit apo atë të financave.

Partia Socialiste ka bërë gati dhe platformën e qeverisjes së ardhshme. Ajo ka një program të gjerë dhe të dallueshëm politik. Por në një shqyrtim të përciptë të politikave të arsimit vërejmë se disa objektiva janë të paqarta e të tjera jo medoemos të dëshiruara.

Objektivat politikë janë parashtruar në programin politik të PS-s. Programi përqendrohet në katër linja kryesore politike: (1) politikat ekonomike; (2) politikat sociale dhe arsimore; (3) demokratizimi; (4) dhe politikat e integrimit e të mbrojtjes. Objektivat janë paraqitur qartë dhe konkretisht, p.sh. pas pasqyrimit të situatës se arsimi zë vetëm 2.8% të buxhetit për arsimin ndaj PBB-s në vitin 2011, Instrumentet financiare për realizimin e programit përmenden në sloganin e programit: “Ne jemi të vendosur ta ndryshojmë këtë realitet e ta ripërtërijmë shoqërinë tonë përmes frymës së solidaritetit social.” Nënkupton se politikat sociale të ndërmarra do të kërkojnë mirëkuptimin e gjithsecilit për një shpërndarje sa më të denjë të të ardhurave kombëtare.

Lajtmotivi i rrëfimit strategjik është “rilindja” në format e saj sipas linjave: rimëkëmbja ekonomike, ripërtëritja shoqërore, rivendosja e demokracisë, ribashkimi me Evropën. Rilindja – si “catchword” (fjalë që mbërthen vëmendjen) është fjalë e gjetur për marketimin e programit.

Arsimit gjendet në kapitullin e dytë të programit me temën “Ripërtëritja Shoqërore” dhe nëntemën “Edukim, dituri, kulturë”. Për PS-n “kapitali njerëzor është pasuria më e çmuar e vendit”. Përdorimi i termit “kapital njerëzor” do të thotë se arsimi vendoset në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit. Arsimi (përdoret fjala “edukim”) i shërben individit dhe mirëqenies sociale. Synimi kryesor në program është “edukimi cilësor për çdo fëmijë”.

Fillimisht renditen të gjitha prapësitë e qeverisë. Në aspektin e përgjithshëm strategjik qeveria ka ulur vazhdimisht buxhetin e arsimit, ka pezulluar reformat, nuk ka një vizion të qartë dhe thjeshtë propagandon masivizim dhe përhapjen e teknologjisë së informacionit. Institucioni shkollor në përgjithësi e ka humbur rolin e tij edukues dhe zhvillimi i arsimit nuk përputhet me nevojat e tregut të punës. Në arsimin parauniversitar është rritur numri i analfabetëve, cilësia e mësimdhënies është e ulët, sistemi i menaxhimit i vjetruar, baza didaktike e varfër dhe formimi profesional i pamjaftueshëm për nevojat e tregut. Në arsimin e lartë pranimet janë jo cilësore, reforma financiare është konfuze, klienteliste dhe diplomat shqiptare nuk njihen jashtë vendit.

Objektivat e PS-s në arsim më pas vijojnë. Në aspektin e përgjithshëm strategjik prioritet janë (1) krijimi i mundësive për edukim, nëpërmjet politikave sociale; (2) rritja e financimit për arsimin; (3) depolitizimi i shkollës dhe emërimeve; (4) formimi profesional; (5) rritja e cilësisë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Në arsimin parauniversitar programi fokusohet në depolitizimin e shkollës, shpërblimin e mësuesve sipas meritës, rritjen e sigurisë, arsimin parashkollor dhe edukimin kulturor të nxënësve.

Në arsimin profesional synohet të ndërtohen “kolegje kombëtare”, “kolegje komunitare” dhe “qendra të lëvizshme” të formimit dhe trajnimit profesional për të zhvilluar formimin profesional në “sinergji” me nevojat e tregut të punës.

Në arsimin e lartë përparësi i jepet: (1) rritjes së cilësisë në arsimin publik dhe privat; (2) pranimit të studentëve nëpërmjet konkurrencës dhe meritës; (3) rritjes së pranimeve në shkencat natyrore dhe inxhinierike; (4) rritjes së autonomisë së universiteteve; (5) politikave restriktive për licencimin e institucioneve fitimprurëse; (6) ngritjes së një Sistemi të Pavarur Vlerësimi dhe Renditje të Shkollave të Larta; (7) dhe mbështetjes së kërkimit shkencor.

Në një tjetër prezantim të programit theksi iu vu edhe përdorimit të teknologjisë së informacionit. Edi Rama shpalli se “brenda mandatit të parë qeverisës, çdo të zbatojë] një sistem të plotë kombëtar dixhital për arsimin dhe pjesë e këtij sistemi të jetë çdo nxënës dhe çdo student, çdo edukator dhe çdo prind.” Sipas tij, ky ishte “një synim i guximshëm”.

Kjo ishte përmbledhja e programit të PS-s me pak fjalë. Zotimet janë substanciale. Ato rrekin të zgjidhin disa prej problematikave të perceptuara si të tilla nga PS-ja dhe elektorati, sidomos çështja e cilësisë së mësimdhënies, mospërputhja e ofertës së arsimit me kërkesat e tregut të punës apo ndërhyrjet partiake në sistem.

Programi, dhe pse bën një pasqyrë të shkurtër të gjendjes aktuale, niset nga zeroja, pa marrë parasysh se çfarë është bërë në këto vite. Flitet për ripërtëritje apo rimëkëmbje, por s’do të thotë medoemos rinisje apo “reboot”. Megjithë problematikat e çdo sektori, diku duhet filluar. Pse jo aty ku e kanë lënë paraardhësit? Mohimi i gjithçkaje të realizuar, mire apo keq, nuk është udha e duhur. Në disa sektorë do të kërkohet të “ri-niset” e në të tjera do të mjaftonte një “përmirësim” ose edhe “vazhdim”.

Në aspektin e përgjithshëm strategjik është i paargumentueshëm zotimi i PS-s për rritje të financimit në sektorin e arsimit. Nga do të merren këto fonde? Ku do të shpenzojë më pak PS-ja?

Në arsimin parauniversitar edukimi kulturor i nxënësve është që tani një mundësi në shkollat e mesme, në lëndët me zgjedhje si “Histori arti”. Por nuk është edukimi kulturor problemi kryesor i nxënësve. Pas dështimit të “profilizimit” të shkollave të mesme në shkolla “me profil shoqëror” dhe “shkencor”, problem ngelen ende mangësitë e theksuara në edukimin shkencor (dëshmuar në provimet me zgjedhje të maturës shtetërore, ku tre në katër nxënës zgjedhin lëndë me profil shoqëror).

Sistemi digjital për arsimin, ose ndryshe sistemi i menaxhimit të arsimit, projekt dhjetë-vjeçar, i nisur që me Luan Memushin, ka filluar disa herë dhe ndoshta është në përfundim me këtë qeveri. Projekti quhet “amza digjitale” (Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 59, datë 21.01.2009 “Për miratimin e strategjisë ndërsektoriale të shoqërisë së informacionit”). Ministria e arsimi ka një agjenci të quajtur Agjencia Kombëtare e Provimit (www.akp.gov.al ) që merret me regjistrin digjital të maturantëve dhe studentëve.

Shpërblimi i mësuesve sipas meritës është problematik në kontekstin shoqëror shqiptar, ose do të bëhet burim fiktiviteti për vlerësimin e nxënësve ose burim pushteti për drejtorët.

Objektivat dhe instrumentet për realizimin e tyre në pjesën e arsimit profesional nuk janë të qartë. Propozohen disa modele si ai amerikan “kolegji komunitar” ose “kolegjet parauniversitare kombëtare” por nuk dihet zbatimi i tyre. Së pari tradita shqiptare e arsimit profesional parauniversitar duhet të zhduket, sikur ndërmarrjet e dikurshme shtetërore që thithnin këta të diplomuar. Arsimi i mesëm profesional ka diku tek 20% të nxënësve të arsimit të mesëm në përgjithësi, numër i stabilizuar falë ndërhyrjeve të qeverisë me kosto të lartë. Së dyti gjithkund prirjet janë që arsimi profesional të zhvillohet në arsimin e lartë. Në Shqipëri po e kapërcejmë procesin e masivizimit (50-60% i Gross Enrollment Ratio) dhe prirja është drejt universalizimit të arsimit të lartë, pra diku tek 85% e 18-21 vjeçarëve në shkallë republike të regjistrohen në arsimin e lartë.

Kolegjet komunitare janë një zgjidhje për përthithjen e një pjesë të mirë të kërkesës, çfarë do të mundësonte ruajtjen e cilësisë në universitete dhe përmbushjen e kërkesave të tregut me të kualifikuar. Kolegjet do të shërbenin edhe për ndalimin e prirjes së akademizimit të studimeve profesionale. Në ligjin e arsimit të lartë aktual ato quhen “kolegje profesionale” dhe PS nuk po sjell ndonjë risi. Kolegjet komunitare ofrojnë programe 2-vjeçare profesionale post-sekondare me mundësi vazhdimi për “bachelor”. Universiteti i Durrësit i ofron këto programe, ashtu sikur disa shkolla të larta private. Këto programe kërkojnë investime serioze dhe përfshirjen e sipërmarrësve. Në Shqipëri kanë rezultuar me sukses tepër të vogël, pasi tregu kërkon të arsimuar me diplomë Master (5-vjetë shkollë) dhe ka një inflacion të kualifikimit akademik në treg (p.sh. arkëtaret e bankave janë me kualifikim akademik master shkencor).

Kolegjet profesionale kombëtare me arsim profesional një-vjeçar apo dy si modelet angleze kanë rezultuar të dështuara gjithashtu, sidomos pas liberalizimit të arsimit të lartë në Shqipëri. Këto ekzistojnë në Shqipëri si “qendra të formimit profesional”, licencuar nga Ministria e Punës dhe janë kryesisht të përqendruara në fushën e estetikës dhe kujdesit trupor.

Shqipëria nuk ka nevojë për modele të tjera institucionesh. Që tani sistemi arsimor vuan një shtrirje dhe shpërndarje tej mase të madhe institucionale. Universiteti i Durrësit ka filial në Peshkopi, Universiteti i Tiranës ka në Sarandë dhe Kukës, Universiteti Bujqësor në Lushnje, Universiteti Kristal dhe Amerikan gjithkund në Shqipëri. Ligji i arsimit të lartë njeh shumëllojshmëri institucionesh si universitetet, akademitë, shkollat e larta dhe kolegjet profesionale.

Qeveria ka një strategji për zhvillimin e qendrave rajonale pranë universiteteve rajonale publike, por mungon zelli dhe mjetet financiare për zbatim. Strategjia e duhur do të ishte përqendrimi institucional dhe rajonal i këtyre institucioneve. Kjo do të sillte rritje të standardeve, përdorim eficient të burimeve dhe kontroll mbi uljen e densitetit të popullatës në disa zona, mundësuar edhe nga përmirësimi i infrastrukturës. P.sh. zonat përreth mund të mblidhen në suazën e vetë Universitetin e Gjirokastrës dhe Universitetin e Korçës, si dhe të gjitha shkollat profesionale përreth në një Kolegj profesional të Korçës.

Shteti mund të shtetëzojë edhe asetet e universiteteve private nëse përputhet me strategjinë e zhvillimit të një rajoni. Studentët të dërgohen në universitetet publike, për t’i seleksionuar jashtë sistemit, e dërguar më pas në kolegjet profesionale. Por më shumë se mend, zgjidhja e këtij problem kërkon vullnet politik për t’iu shkëputur lojërave provinciale politike, ku edhe një kryetar komune me 2000 banorë kërkon të ketë një universitet në fshatin e tij.

PS synon në programin e saj për arsimin e lartë rritjen e cilësisë dhe ndërtimin e një Sistemi të Pavarur Vlerësimi dhe Renditje të Shkollave të Larta. Shumë mirë. Por, ekziston një agjenci akreditimi (www.aaal.edu.al ), me pikërisht këto detyra, të akreditojë cilësinë dhe të nxjerrë “ndonjëherë” ndonjë renditje të shkollave të larta. Të dyja këto funksione agjencia deri më tani i ka realizuar. Këtu PS-ja duhet të ishte e qartë e të shprehej: agjencia e akreditimit nuk ka funksionuar fare deri në 2005, ka funksionuar si arkëtar fitimesh për shpurën e kryeministrit pas 2005 dhe duhet të riorganizohet e të përmirësohet në mandatin e PS-s, të gjithë anëtarët e këshillit të akreditimit dhe ekspertët e përfshirë në praktika korruptive gjatë kryerjes së detyrës do t’i nënshtrohen një komisioni të etikës dhe do t’u hiqet titulli akademik.

Pranimi i studentëve bëhet nëpërmjet maturës shtetërore sipas sistemit meritë-preferencë. Nuk shoh ndonjë mundësi “përmirësimi” nëse PS nuk bën të qartë se si. Ekziston një agjenci kombëtare provimesh që merret pikërisht me këtë dhe alternativë më të mirë ndaj maturës shtetërore nuk ka pasur.

PS synon të rrisë autonominë e universiteteve. Në fakt problem, sikur dëshmon edhe përballja e fundit e rektorit të UT-s Dhori Kule me biznesmenin dhe pronarin e gazetës “Panorama” Irfan Hysenbelliu apo korrupsioni i pedagogëve, është llogaridhënia dhe përgjegjësia, jo autonomia. Asnjë universitet publik deri më tani nuk i është nënshtruar ndonjë evaluimi të jashtëm të cilësisë. Autonomia e universiteteve është kthyer nga rektorët në zotërim pa llogaridhënie ndaj shtetit, sidomos kur rektorët mbështeten nga politika. Rasti i fundit ishte ndryshimi i ligjit të arsimit të lartë për zgjatjen e mandatit të rektorëve, iniciuar nga Vangjel Tavo – LSI. Kjo nismë u dekretua brenda një kohe rekord në historinë e legjislacionit shqiptar.

Rritja e pranimeve në shkencat natyrore dhe inxhinierike ka pesë vjet që synohet edhe nga qeveria Berisha, me suksese relative. Në matematikë dhe fizikë shkojnë ende studentët më të dobët. PS-ja nuk sqaron se çfarë mund të bëjë ndryshe në politikat e saj nxitëse, ndryshe nga ç‘ka provuar deri më tani ministria e arsimit.

PS nuk merr një pozicion të qartë ndaj arsimit privat. Shprehet se do t’i japë fund praktikës së licencimit të universiteteve “thjesht me qëllim fitimi”. Një fjali evazive edhe në qëllim. Çfarë do të bëj me të tjerat që ekzistojnë “thjesht për qëllim fitimi”? Sistemi i vlerësimi dhe i renditjes nuk mund t’i nxjerrë këto nga tregu vetëm se janë të tilla apo me cilësi të ulët, sa kohë ka studentë që kërkojnë një copë letër për valëvitje. PS-ja duhet të shprehet qartë në lidhje me qëndrimin e saj ndaj arsimit privat dhe rolin e këtij sektori në arsimin e lartë.

PS synon që kërkimi shkencor të mbështetet në Shqipëri. Por si? Me çfarë mjetesh? Cilin model preferon PS-ja për një përdorim eficient të burimeve të kufizuara? Sistemi i kërkimit shkencor ka nisur në Shqipëri në ngjashmëri me atë napoleonik, ku kërkimi shkencor kryhej në qendra kërkimore jashtë-universitare dhe universiteti merrej thjeshtë me mësimdhënie. Me ardhjen e një humboldiani si Myqerem Tafaj në skuadrën e këshilltarëve të Berishës, sistemi i kërkimit shkencor u bë “humboldian” dhe u vendos pranë universiteteve për t’i shërbyer kështu procesit të e njohur studentët me zhvillimet e fundit të fushës. Përveç “Qendrës së Studimeve Albanologjike”, të gjitha qendrat kërkimore të ministrive të linjës u integruan kështu në universitete dhe kërkimi shkencor u integrua “teorikisht” në mësimdhënie. Ky proces u realizua relativisht me sukses, por për çështje klienteliste ngeli çibani i “Akademisë së Shkencave”, një trup cirku që prodhon ndonjë broshurë pa vlerë në lëmin përkatës njëherë në kaq vjet. PS duhet të gjejë forcën dhe ta zhdukë këtë mbetje.

Përfundimisht, në arsimin e lartë PS-ja ka një program politik të cekët, pa objektiva dhe rezultate të qarta. Këtu specialistët e PS-s duhet të punojnë më shumë. PS nuk ka një model të financimit të arsimit të lartë, prandaj duhet të japë dhe të nxisë ujdinë politike për reformat e synuara nga qeveria aktuale. Atje ku reformat e nevojshme kanë ngecur për shkak të mosvullnetit të PD-s për t’i çuar më tej, atje PS duhet të shtyjë qeverinë ose t’i vazhdojë kur të jetë në pushtet.

Gjithashtu PS duhet të pozicionohet qartë në lidhje me përgjegjësitë e universiteteve. Universitetet duhet të shtyhen të jenë “sipërmarrëse”, të gjenerojnë të ardhura duke diversifikuar burimet e të ardhurave me veprimtari “të treta”, t’i përgjigjen kërkesave të studentëve dhe të përmirësojnë mekanizmat e brendshëm të sigurimit të cilësisë. Masivizimi i arsimit të lartë në pranime duhet shoqëruar me një seleksionim të fortë brenda sistemit. Sistemi i vjetër i kredencialeve akademike me “profesor shteti” që e mbart titullin dhe në varr, duhet të hiqet përfundimisht dhe të lidhet me vendin e punës. Shqipëria të ketë dy ose tre universitete publike, dy ose tre universitete private dhe dy akademi publike, të gjitha institucionet e tjera të shndërrohen në kolegje profesionale publike ose private nën hyqmin e universiteteve publike apo private. PS nuk mund të jetë kaq radikale në ekzekutim, porse duhet të jetë në qëllim.

 

Nuk ka komente

  1. Shkencat natyrore dhe inxhinjerite nuk mund te hecin para pa industrite, se nuk ke ku t’i punesosh, del inxhinjeri mekanik nga shkolla dhe i bie te merret me rregullimin e makinave. Prandaj edhe ka 20 vjet qe shkojne ata me mesatare te ulet.

    E njejta gje me kerkimin shkencor, pa nevoja industriale ngelen vetem kerkimet ne shkencat shoqerore e meqe s’ka fonde, por edhe sikur te kishte s’do gjenim dot ndonje gje ne ndonje fushe tjeter perpos albanologjise, sepse merret gjithe Perendimi me keto kerkime.

    Shqiperia eshte ‘e denuar’ te merret vetem me kerkime albanologjike, biles ne kushtet e sotme, te merrej me gjera te tjera do te ishte veç humbje parash.

    PS-ja, nuk mund te thote ndonje gje ne lidhje me shkencat natyrore dhe kerkimin shkencor, ne rast se nuk ka nje program te qarte industrializimi. Ne fakt, PS-ja nuk ka ndonje program industrializimi, prandaj edhe t’i kerkosh qartesine ne keto pika eshte humbje kohe.

    Une do te guxoja te hidhja tezen, se ne keto 20 vjet, perqendrimi i vemendjes se shkolles tek matematika, fizika, kimia, ka sjelle deme te medha, sepse ne mungese te industrise, keto lende s’kane arsye prestigji, ndoshta shpetohet matematika( deri diku).

    Praktikisht, e gjithe energjia drejt ketyre lendeve, ka sjelle qe me te miret e tyre, te bejne shkollat jashte e te ngelen jashte, qe, me pak fjale, i bie te kushtezosh edukimin ndaj nevojave te jashtme.

    Me e keqja eshte se ende sot, sistemi shkollor nxit keto lende, duke u mundesuar keshtu pak shqiptareve te jene konkurrenciale jashte shtetit, dhe te zhvendosen atje.

    Me parate e shtetit shqiptar, edukohen shqiptare qe do te rrijne jashte dhe nuk do t’i rikthejne asgje bashkesise shqiptare, perpos kurrikulumit qe bejne jashte, me te cilin ne s’mund te bejme gje tjeter, veçse t’i pijme lengun.

    Kjo, eshte e papranueshme.

    Dy jane zgjidhjet, o mbahet ky sistem shkollor dhe vendoset si perparesi zhvillimi industrial ( se industria e ka kushtezuar sistemin) ose duhet ndryshuar rrenjesisht gjithe sistemi.

    PS-ja, nuk ofron as njeren as tjetren, pra ben thjesht retoriken e zhvillimit e cilesise, qe te marre vota syleshesh.

    1. Zhvillimi industrial nuk varet nga PS. Shqiperia eshte ne periferi te zhvillimeve teknologjike dhe per me teper industriale. Ideja eshte qe te kalojme ne nje shoqeri post-industriale, ku te jemi prodhues idesh e patentash, se revolucionin industrial e pame sesi doli (metalurgjiku dhe azotiku vane per skrap).

      1. Cilat jane shoqerite post-industriale qe s’kane infrastrukture te zhvilluar industriale ?

        Vendet e BRIC-ut, kane zhvillim rekord fale industrise e energjitikes (edhe kjo ne thelb dege e industrise eshte).

        Qe te prodhohet nje ide e patente, duhet te nxjerresh shume inxhinjere, e keta mundesohen fale nevojave industriale te vendit. Me tej, pretendohet kerkimi shkencor dhe ndokush mund te thote eureka.

        Te nxjerresh pilote te zote, nuk mjafton te kesh shkolle per pilot, por duhet nje flote ajrore, ku nga 200 pilote, mund te dalin 20 te afte per t’i nxjerre ne tregun nderkombetar.

        Metalurgjiku ka mbajtur keto 20 vjet industrine e ndertimit, e vetmja qe ka pasur bum. Perfytyroje Shqiperine pa metalurgjikun, do te importonte hekurin nga jashte, rrjedhimisht shtepite do te ishin me te shtrenjta.

        Problem madhor jane ilaçet, ne s’kemi industri farmaceutike, importojme çdo gje, makuteria na çon tek te skaduarat, nderkaq çmimet jane te larta.
        Tani, si do krijojme patenta per ilaçe, ne rast se nuk ekziston nje industri farmaceutike ?

        Si do te dale patenta informatike, ne rast se nuk ke industrine perkatese ?

        Universiteti nuk nxjerr shkencetare, universiteti nxjerr punetore te kualifikuar.Me te kualifikuarit kane nevoje per nje korporate e cila u paguan kerkimet shkencore ( qe s’i e thote batuta, na duhen kerkues qe gjejne, jo kerkues qe kerkojne) dhe rrjedhimisht vjen edhe patenta.

        Ti thua, heqim nga hallka korporaten se kjo nenkupton industrine (metalurgjikun e azotikun) dhe nxjerrim patenten. Per mua kjo eshte veç enderr e bukur, edhe po te ishim populli me IQ-ne me te larte ne bote, nuk do te realizohej dot.

        Prandaj, PS-ja, pa nje program, ku te nxise industrine, krijimin e korporatave te medha, atehere kot sa merret me shkencat natyrore dhe inxhinjerite.

        1. Shiko si e perfytyroj vazhdimin e idese tende.

          Universitetet nxjerrin, ta zeme, 1 000 inxhinjere te ndryshem. Tani, pa industri ku te punesohen, keta o do bejne hidrauliket e pompistet, ose do te mbahen nga shteti me bursa doktorature per 4-5 vjet, qe te mesojne sesi behet kerkimi shkencor.

          Pasi harxhuan nje thes me leke, per te mesuar si behet kerkimi, keta 1 000 do te mbahen prane universiteteve me leke nga shteti, me qellim qe te fillojne e te kerkojne mos gjejne ndonje gje. Shumica do dredhin zinxhirin se e kane rrogen te garantuar, do botojne ndonje perkthim nga revistat e huaja shkencore e do justifikojne rrogen.

          Kush e ha eshte taksapaguesi i varfer shqiptar, 1 mije kendeze çdo vit, qe kendojne nga mengjesi ne darke e s’bejne veze.

          Nderkaq logjika ta imponon natyrshem, qe ne keta 1000, 990 do te shkojne prane industrive, 10 me te miret ne universitet, qe bejne kerkime te financuara nga korporata te ndryshme.

          Alternativa eshte, pa industri, s’ka inxhinjeri, dmth reformohet krejt sistemi arsimor, perqendrohet tek lendet te cilat jane te nevojshme per terciarin.
          Keshtu, do perqendrohen tek turizmi, shkolla per kamarier, banakier, portier hoteli, guzhinjer etj.
          Nje restorant apo hotel, ka nevoje per nje ekonomist dhe avokat, keto dy dege zhvilloji.

          Tjeter, produktet financiare. Te duhen ekonomiste dhe legjislacion prej parajse fiskale, si Zvicra ose te pakten si Luksemburgu.

          Po ashtu te duhen juriste qe merren me agjencite e sigurimit dhe natyrisht njerez me kapacitet informatik e qe njohin gjuhe te huaja.

          Sikunder duket qarte, alternativa te imponon thuajse fshirjen e shkencave natyrore e inxhinjerive, perveç matematikes se thjeshte, shumezim/pjesetim e ndonje fuknsion.

          1. ke te drejte ne perfundimet e tua, por besoj se premisa eshte e gabuar. Premisa jote eshte ajo e nje ekonomie te mbyllur, ku Shqiperise i duhet te prodhoje cdo gje vete. Kjo premise eshte e gabuar se globalizmi etj.. c’ka duhet qe PS t’i meshoj agjendes te nderkombetarizimit te universiteteve tona (universitetet private kane qene ne kete aspekt flamurtare te kesaj nisme: me sukses Universiteti Epoka, University of New York dhe Universiteti Katolik, te cilat japin programe te perbashketa studimi me disa prej universiteteve te njohura boterisht).

            Gabimi i dyte ne premise eshte se ideja se kerkimi shkencor duhet te “gjeje”, pra te kete inovacion, shpikje etj. Inovacioni per vendet e vogla duhet perqendruar ne ate qe quhet “kerkimi i aplikuar, apo i zbatuar”. Pra risia te qendroj ne zbatimin e nje teknologjie te caktuar (modelet boterore ne Malajzi, Indi dhe Kine). Une fola patenta per te diskutuar ne menyre te skajshme per mundesite qe ofrohen.

            1. Premisa ime nuk eshte e nje ekonomie te mbyllur, por e nje ekonomie prodhuese. Ekonomia ndahet ne dy pjese, ekonomia reale dhe ajo virtuale. Ekonomia reale perbehet nga bujqesia dhe industria, qe ne vendet e zhvilluara qendron ne raport 10-15/1 ne favor te industrise(ne rastin e Gjermanise 35/1). Ekonomia virtuale nga terciari, sepse terciari nuk prodhon asgje reale, te prekshme, vetem para virtuale ( qekur hoqen standartin e arit, paraja eshte plotesisht virtuale).

              Nderkombetarizimi eshte i domosdoshem, por ne kushtet e Shqiperise perkthehet ne largim truri, ne fitojme padyshim, se ngreme nivelin e pergjithshem, por kete e paguajme me largimin e me te mireve. Kjo pastaj perkthehet ne 0 ide e patenta.
              Kete gje e vuan nje shtet i madh si Italia, jo me ne, por kjo tregon se nderkombetarizimi i universiteteve i nenshtrohet ligjit te parase, truri shkon drejt parase, dmth SHBA, Gjermani, Angli etj.

              Po, per mua kerkimi shkencor duhet te gjeje, ‘kerkimi i zbatuar’ eshte pune perkthyesish e jo kerkuesish shkencore. Kur flasim per ide e patenta, flasim per gjetje.Kerkimi i zbatuar eshte thjesht importim i dijes, kjo eshte normale qe do te ekzistoje.

              Si dallohet per mua gjetja nga importi. Te marrim historine. Nese dikush kerkon ne arkiva dokumente origjinale, ta zeme ne spanjisht, ai ka gjetur, nese ato i gjen ne ndonje permbledhje qe e ka bere nje studiues kinez dhe pastaj i perkthen ne shqip, ky nuk eshte kerkues shkencor, por perkthyes apo importues.

              Kerkuesit tane, ne çdo shkence i takojne zakonisht kategorise se perkthyesit, por keta nuk jane shkencetare, jane importues te dijes.

              Tani, ne rast se kemi importuesit e nje dijeje, qe lidhet me teknologjine, por nuk kemi industrine ku kjo dije i sjell fitim Shqiperise, atehere per çfare sherben ky importuesi ?

              Kinezi e indiani, nuk e importojne dijen teknologjike per hir te dijes, por sepse kane industri ku kjo dije i sjell fitim Kines e Indise.

              Prandaj ne mungese te industrise, te paguash importues te dijes teknologjike, thjesht per hir te dijes, eshte pune pa ndonje perfitim, andaj gjeja me e mire eshte t’i nderpresesh pagesat e kota,ose t’i çosh ne minimum, derisa vendi te jete ne gjendje te perfitoje nga teknologjia.

              Ja ta zeme, ç’i duhet Shqiperise nje inxhinjer informatik ? Vetem per te bere teknikun apo jo ? Prandaj inxhinjeri informatik do te largohet jashte vendit, se s’mund te mjaftohet me profesionin e ‘hidraulikut’ te kompjuterit.

              Nese Shqiperia ka kompani prodhuese, inxhinjeri informatik nuk iken jashte, por do gjeje vendin e vet ne industrine informatike.

              Nderkaq sistemi shkollor shqiptar vazhdon t’i torturoje nxenesit me profesoret zakonisht te fandaksur te fizikes, te cilet jane krejt jashte loje ne nje ekonomi pa industri.

              Per çfare sherben lenda e kimise, ne rast se nuk ke industri kimike ? Per ata pak mesues te kimise dhe farmaciste qe i duhen vendit ?

              Apo do vazhdojme ende me kulturen e pergjithshme, qe ne kohet e sotme te hiperspecilizimit eshte donkishotizmi me xixellues qe ekziston ne mendesine shqiptare ?

              Ti thua qe PS-ja, mund te vazhdoje ne gjurmet e PD-se, se diçka e mire ekziston. PS-ja ate do beje ne fundit, por nuk eshte ajo qe duhet bere me sistemin arsimor ne Shqiperi.

              Sistemi duhet reformuar me themeli, ne varesi te projektit strategjik ekonomik qe kerkon realiteti i sotem.

              Deri tani nuk ekziston asnje projekt i ketille, rrjedhimisht sistemi arsimor vuan nga kontradiktat dhe eshte pak efiçent.

              Per mua, asnje parti politike qe nuk ka nje projekt strategjik ekonomik qe perputhet me realitetin, nuk duhet te nderhyje ne sistemin arsimor, sepse nderhyrjet pa strategji sjellin vetem deme e falimentime, si ajo reforma qe the, e ndarjes ne klasike e shkencore.

              PS-ja nuk ka strategji ekonomike, ka nje lemsh kundertheniesh, prandaj nderhyrjet e saj ne sistemin arsimor duhet te jene kozmetike.

  2. Shkruar nga nje njeri qe ka mendje , po shume gjate dhe disi kokolepsur ceshtjet . Edhe nickname Kapedani duket i sforcuar aq me shume qe ka veshtiresi per t’u updated / jetesuar.

    1. Kapedani eshte thjeshte nofke, e nuk jam ketu te me vleresosh mendjen, por idete, qe mund te jene edhe budallaqe.

      Ke te drejte mbi stilin, eshte ca i nderlikuar, duke menduar se mund te thuhen shume gjera ne nje fjali.

    2. Zotëri, ne nuk lejojmë komente të tilla ad hominem në këtë blog. Autorët nuk shkruajnë këtu që të merren në analizë, si autorë, nga galeria.

  3. Universitetet sjellin kaq shume probleme, per shkak te miopise se shtetit dhe mendesise shqiptare qe e do letren (dipomen) per prestigj e per te shitur gazra ndaj fshatarit injorant qe mban peng vendin.

    Shteti ne vitet ’90 ruajti nje sistem universitar meritokratik, por qe ishte i tille per shkak te nevojave te kufizuara gjate komunizmit dhe modelit ekonomik te perqendruar tek industria.

    Mirepo, sistemi ekonomik ndryshoi rrenjesisht, rifilloi urbanizimi i shpejte, terciari u be motori i zhvillimit.

    Ende sot, jane te punesuar ne terciar vetem 30% e fuqise punetore , ndersa ne shtetet e zhvilluara shkon ne 70-80%.

    Shteti, ne vend qe te lironte dege te rendesishme si ekonomiku dhe juridiku, vazhdonte i mbante mbyllur.

    Nje shoqeri ne urbanizim e siper, pa sistem bankar e financiar modern, ka nevoje urgjente per ekonomiste, nderkaq konfliktet qe kane nevoje per avoketer i gjejme ne qytet e jo ne fshat, ose sipermarrjet private qe kane nevoje per juriste, i gjejme po ne qytete.

    Kjo miopi e shtetit, si gjate Berishes, si gjate Nanos, beri qe nevojat socio-ekonomike, te gjenin zgjidhje tek privatet. Ne fakt, pothuaj te gjitha universitetet private, kane ekonomik e juridik, me tej si fakultet i trete me i gjendur eshte ai i shkencave politike, qe deri ne 2000 nuk ekzistonte fare ne Shqiperi.

    Nderkaq, faktori demografik beri qe bumi i lindjeve pas vitit 1930, te perkthehej gjate ketyre 20 vjeteve por edhe ne vazhdim, ne shtimin e moshes se trete si perqindje popullsie.
    Kjo do te thote me shume te semure, me shume ilaçe, me shume dhembe te prishur etj, pra vendi do te kishte gjithnje e me teper nevoje per mjeke, farmaciste, dentiste etj.

    Normale, qe kjo miopi, solli bumin e universiteteve private, sistemi universitar i shtetit, eshte shembull i persosur i kokemushkesise idiotizuese.

    Nga ana tjeter, po dihet qe letra(diploma) u duhet shqipove per te shtuar prodhimin e gazrave, sa me prestigjoze letra aq me e sofistikuar behet infrastruktura industriale e prodhimit te gazrave. Ndokush e ka marre edhe thjesht per mbrojtje te presitigjit te fituar familjar, si pasoje e pareve te fituara me tregti a pune te pista.

    Bumi i universiteteve i shkaktuar ne radhe te pare nga miopia e shtetit, si çdo bum sjell rritjen e sasise ne dem te cilesise.

    Perderisa jemi ende ne fazen e bumit, eshte e kote te pretendosh cilesine, kjo qe po kalojme eshte faze fiziologjike. Shpresat se tregu mund ta rregullojne gjendjen jane te vaketa, sepse tregu kontrollohet kryesisht nga politika dhe miku, meqe shumica e te diplomuarve punojne ne shtet.

    Heperhe, zgjidhja kalon nga nje rol me i madh i Universitetit te Tiranes ne dege si ekonomia, juridiku dhe te lidhurat me mjekesine. UT-ja duhet ‘specializuar’ ne keto dege, duke kaluar shume dege drejt universiteteve te tjera shteterore.

    UT-ja, mund t’i mbyse universitetet private me prestigjin qe ka, nderkaq reduktimi i numrit te universiteteve private eshte utopi. Jetojme ne kohe te lirise ekonomike, shteti duhet te rivalizoje me privatin, jo t’ia mbylle ndermarrjet.

  4. Hyra per here te pare te Peizazhe te Fjales dhe duket se nuk ndjehem mire . Nje nderhyrja ime tek Kapedani mori prej tij pergjigjen … mos me vlereso mendjen por idete, qofshin ato dhe budallaqe … Une modestisht nuk shikoj ndonje ndryshim midis mendjes dhe produkteve te saj pra ideve .
    Me pas nderhyn xha Xhai qe me “prepotence ” me urdheron – mos u merr me njeriun por me ceshtjen …Po dal nga ky blog i nderuar per te qendruar ne galeri , ku ndjehesh me lirshem, sepse zakonisht lozhat apo platea jane gjithnje te mbushura me mendjendritur.

    1. Zotëri, ironia që përdorni nuk ju ka hije. Mendoj se ju treguam vetëm rregullat e lojës. Me mirësjellje, pa prepotencë. Në këtë hapësirë nuk lejohen komente për autorët, sikurse nuk lejohen komente ad hominem për komentuesit.
      Në një farë mënyre ishte ftesë qytetare për të diskutuar për problemet e ngritura, jo për mendjet e autorëve. Ky është rregull i vjetër i blogut. Komentin e parë e moderova unë, duke ju konsideruar lexues të ri dhe duke i interpretuar me mjaft bujari radhët tuaja.
      Në qoftë se nuk e ndjeni veten mirë në PTF, e në qoftë se nuk i keni kuptuar përgjigjet e kolegëve, mund t’ju citoj titullin e shkrimit që komentuat, duke i shtuar pikëçuditje: “Udhë e mbarë!”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin