DEPOLITIZIMI I ARRITJEVE

Lexoj te “Koha Jonë”, në fjalën e mbajtur në parlament nga Ledi Shamku-Shkreli, se një nga pyetjet në provimin e maturës shtetërore të këtij viti paska qenë:

Cilat janë tri arritjet e qeverisë, që sollën edhe liberalizimin e vizave?

Nuk di, as arrij të përfytyroj, se çfarë lidhje mund të ketë matura, si moment kritik në zhvillimin e të riut, me “tri arritje të qeverisë”, të cilat paskan sjellë liberalizimin e vizave.

Lexojeni edhe një herë: pyeten maturantët për arritjet e qeverisë, dhe jo thjesht për arritjet, por për tri arritjet, që është frazeologji kineze, ose kinezëri e kohës së dymbëdhjetë fitoreve dhe gjashtë dhëmbëve të gjarprit, shtatë gabimeve të Konfucit dhe pesë rrëshqitjeve ideologjike të kuzhinierit të Lin Biaos.

Lexojeni edhe një herë: pyeten studentët jo për liberalizimin e vizave, po për arritjet e qeverisë që çuan në liberalizimin e vizave; të thuash se maturantëve tash e tutje nuk u mbetet veçse të fillojnë të udhëtojnë nëpër Europë, duke mbajtur librin me citate të vendimeve qeverisë në xhep e duke ua lëvduar të huajve.

Lexojeni edhe një herë: pyetja i merr të mirëqena arritjet e qeverisë; ose bindjen se kjo qeveri ka pasur arritje – a thua se matura konsiston në sensibilizimin e të rinjve, ndaj arritjeve të qeverisë; jo në edukimin e tyre me sens kritik, ndër të tjera, edhe ndaj qeverive që vijnë dhe ikin.

Kësi pisllëqesh unë s’mbaj mend t’i kem studiuar as në maturën time, të fjalimeve të Plenumeve famëkeqe; sepse edhe atëherë, kur nuk lihej vepër e Enver Hoxhës pa konspektuar, ruhej një farë distance kohore nga vendimet politike, për t’i lejuar, si të thuash, të fermentoheshin.

“Sigurisht nxënësit nuk ditën t’u përgjigjeshin,” thotë Shamku-Shkreli, pasi “për t’iu përgjigjur, nuk duhet të studionin, por duhet të kishin konspektuar fjalën e shokut Sali, siç e konspekton aradha e servilëve ne Ministrinë e Padijes.”

No comment, veç solidaritetit me deputeten.

Nuk ka komente

  1. Edvodeta, përgëzime për entuziazmin për të mos e lënë këtë vend në dorë të maskarenjve! Si shumë pesimiste jam. Se të gjithë ata një tufë me maskarenj më duken. Pa përjashtim.
    Këtë Profesoreshën tënde fort për zemër e kisha sa ishte jashtë politikës. Uroj ta marrë pushtetin PS-ja. U bëftë ministre e Arsimit znj. Shkreli dhe përpos të tjerave, të na fusë në shkolla dhe gegërishten që ma flet aq bukur në TV. Të shoh e të më bëhet zemra mal dhe mua per arritjet.

  2. Kjo puna e teksteve, pyetjeve ne provime, ajo cfare mesohet ne nje modul te caktuar, zgjedhja e nje topic-u qe studenti do beje nje ese a coursework jane problematike gjithkund ne varesi te kendveshtrimit qe ka secili prej nesh. Tani rasti ne fjale, per inat te Enkelejda Shkrelit, eshte nje moment qe shenon nje arrritje te Shqiperise. Nga izolimi i thelle ku ishim, ku njerezit rrezikonin gjithcka per te kaluar kufijte e Shqiperise sot shqiptaret mund te udhetojne ne Europe pa rrezikuar asgje dhe e bejne kete si te barabarte me te tjeret qe udhetojne ne kontinent dhe kjo eshte dicka e pranuar edhe nga opozita si arritje. Ata qe e kane shkruar ate pyetje kane menduar qe nuk do ishte keq qe nje nxenes te dinte se cfare ishin ato qe cuan ne nje vendim te tille nga Europa, sigurisht duke dhene nje numer te kufizuar prej tyre, vetem 3 (le te themi nxenesi perfiton po te dije se siguria e dokumenteve te identifikimit te shtetasve, ulja e kriminalitetit, sigurimi i kufijve jane nder tre arsyet e kesaj).

    Enkelejda Shkreli i ka hyre detit ne kembe si thote populli se aty sulmon edhe maturen shteterore, edhe kjo e vleresuar nga PS-ja.

    Me sakte une problemin e ketyre e shoh qe as zonja deputete e as PS-ja nuk vjen dot ne pushtet dhe kjo eshte gje e mire per shqiptaret. Imagjinoni sikur te kishim nje ministre te tille arsimi.

    1. Une jam per ngeljen e atyre qe s’dine arritjet e shokut Sali dhe Partise dhe marrjen e masave kunder prinderve dhe mesuesve. Komandanti Sali e ka bere naten dite, keta hajvanet ankohen, ke pare ti ?! Si thua i meritojne nja 16 vjet ne Spaç keta?

  3. Vjedhja e votës në mënyrë që qeveria të quhet qeveri, a ishte në një ndër opsionet, apo bëhet ky indoktrinim thjesht për fushatë nga partia qeverisëse ndër këta votues të rinj?

  4. Përveç një të papriture në titull, vura re se “Koha jonë” e paska asgjësuar me sukses zëroren totemike kudo tjetër: për be një artikull nuk po gjej me ë aty.

    Kujtova se mos ndonjë tendencioz nga redaksia kishte sabotuar fjalimin e deputetes, por jo: ishte një ‘arritje e depolitizuar’ e gazetës…

    Ka një efekt lëbyrjeje, një situatë kthimi drite si shuplakë syve kjo futja masive në një këpucë i ë-së me e-në, një lloj mbetjeje pa burrë… sa realisht më përzihet. (Ta mendosh, më ndodh mua që e pi kafen pa sheqer, që i shqiptoj a s’i shqiptoj dy-tre mijë syresh në vit ).

  5. Pyetja vlen per formimin e pergjithshem te maturantit, por ndoshta nuk shkon e ndertuar si detyra te realizuara nga qeveria ; me kete rast , nderkohe qe ndodhesha ne zyre , diten e provimit nje miku im qe interesohej per djalin , me kerkoi shpejt e shpejt pergjigjen per kete pyetje : i numerova keto tri arritje : – pajisja e shtetasve me pasaporte biometrike , – sigurimi i kontrollit ne hyrje dhe dalje te kufijve , – perfundimi i marreveshjeve te ripranimit me shtetet antare te BE .Une jam opozitar i perjetshem, madje i thekur per kete qeveri , por realisht dy arritjet e para i takojne qeverise se Berishes , e treta ka pjese dhe qeverisja e meparshme . Duket se edhe deputetja e respektuar Shkreli e ka shtruar jo shume sakte problemin ne parlament.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin