TË RRISH SHTREMBËR…

Që kur lexova artikullin e fundit të Edison Ypit për Elisa Spiropalin, botuar në Gazetën Panorama para disa ditësh, bluaj në mendje mungesën e dukshme të liderëve, heronjve, dhe role models në shoqërinë e atjeshme. Shqipërisë jo vetëm që i mungojnë por shoqëria atje as është e gatshme t’i përfytyrojë si imazhe që më vonë të dijë si t’i kultivojë në realitet. Qëlloi pastaj që Xha Xhai nxori mbrëmë një shkrim që vë në dukje po këtë krizë në zgjedhjet presidenciale që ka mbërthyer Shqipërinë javët e fundit. Kushdo që e lexon ‘Elisa e Çudirave’ të Ypit pasi ta ketë lexuar ‘Pari dhe Surrogato‘ të Xha Xhait, do vërë re që Ypi me pavetëdishmëri, ia atribuon rolin e surrogatos një Ylli (Elisa Spiropalit), çka më bën të mendoj se e vetmja mënyrë që Shqipëria e sotme mund të prodhojë e pranojë këto burra e gra shteti është nëse i kremton si yje, pse jo si Celebrities. E gjithë ekzistenca e asaj që mund të quhet shoqëri civile – që në fakt dominohet nga MJAFT – shtjellohet brenda fenomenit të spektaklit/ teatrit ku yjet ngrihen e zbresin në skenë. Në vetvete s’më duket se ka gjë të dëmshme nëse shoqëria civile dhe Mjafti në këtë rast gëzojnë një status të tillë nëse kjo u jep mundësinë të arrijnë misionet e shumta apo nëse e kanë përfituar atë status nga puna e bërë mirë, por në asnjë mënyrë nuk do ta pranoja që kjo lëvizje të mbahet në këmbë me patericat e famës.

Pa dashur të ul aspak vlerat e vajzës Elisa dhe punës që ajo ka bërë me minatorët dhe duke shpresuar që do t’ia dëgjoj përsëri emrin për mirë, dua t’i drejtohem përsëri Ypit për ta pyetur pse vallë po përpiqet të shesë sapunin për djathë. Me fjalë ypjane e pa kursyer pikëçuditëset e pikëpyetëset ai tenton t’i ngrejë Elisës një lapidar duke u ulur kokat të tjerëve. Si mos të dalë Yll tjetra kur ai situaten në Shqipëri e errëson kaq shumë. Thjesht më duket shumë patronizing kur autori përdor fjalë si “e pabesueshme” e “fatmirësisht,” a thua se Elisa është shpresa e fundit… Nënë Tereza vetë! Shqipërisë i duhen besimtarë, jo shenjtorë. Ypi ndoshta maskohet pas stilit të tij ironik, por më duket se humbet rastin per t’iu ofruar lexuesve një shembull nga i cili mund të mësonin e jo të ndiheshin te perbuzur. Duke e veçuar Elisën si Yll humbet rastin për të qenë më kërkues ndaj publikut të gjerë me shpresën që dhe këta të ngrihen në nivelin e Elisës, që një ditë të mos ketë fare nevojë për Elisat e kësaj bote. Ai e shpërfill njeriun e thjeshtë të rrugës, edhe pse pikërisht ky njeri i rrugës duhet të fillojë të sillet e të mendojë si Elisa sa më shpejt, nëse vërtet Shqipëria ka shpresë të arrijë gjëkundi ndonjëherë.

Ypi pastaj e përfundon artikullin pa i përmendur fare përpjekjet e minatorëve të Bulqizës. E gjithë fitorja (që u shoqërua me njoftime për shtyp nga të gjitha anët) do të kishte më shumë rëndësi nëse “minatoret” e së nesërmes – peshkatarët, druvarët, mamitë, shoferët – do të mund ta riprodhonin këtë fitore pa shkëlqimin e Elisës. Çka dua të them është që Ypi bie pikërisht në grackën e bujshmërisë/ VIPizmit që sundon skenën politike – jo se Mjafti kishte nevojë për Ypin, meqë tashmë e ka përsosur mirë veten në këtë rol.

Aq më dëshpëron Ypi, sa them se më mirë të mos e kishte marrë fare mundimin ta bojatiste këtë afishe. S’do kishim humbur ndonjë gjë të madhe. Nuk ka kuptim që të nisesh të frymëzosh të tjerët me “heronj” e “udhëheqës”, e të përfundosh t’u këndosh himne Pop Starëve në Shoqërinë Civile. Elisa nuk frymëzon kënd, sa kohë që na paraqitet si hyjni. Gjërat që ka bërë për minatorët mund të jenë vërtet domethënëse, por Ypi nuk e bind lexuesin, kur lë të kuptohet se ky sukses, më tepër sesa rezultat i veprimit dhe sakrificave kolektive, qenka fryt i virtytit personal të Elisës, domethënë i faktit që ajo e don Shqipërinë, merr frymë në ajrin e Shqipërisë, thuase të tjerët nuk i bëjnë këto. Ndoshta shembulli i Elisës mund të përcillej si shpresë për liderat e munguar dhe për të përforcuar idenë që shoqëria civile nuk nis e mbaron me MJAFT-in apo Elisën. Premtimin e shoqërisë civile e kemi të gjithë në vete.

Tani që lexoj Xha Xhain, them se Shqipërisë do t’i vonohet akoma kjo shtrese elite, por nuk ka arsye pse mos të kultivohet që sot, duke filluar me Elisat; por duke kultivuar ndjenjën e përkatësisë, jo personat përkatës. Duhen krijuar role, që pastaj t’i mbushin aktorët e së ardhmes!

 

5 Komente

  1. I/E nderuar s.c., ju lutem kini parasysh se këtë material e ka shkruar Parrulla Armiqësore; dhe blogu Peizazhe të Fjalës ka disa autorë/kontributorë e synon të ftojë të tjerë; edhe pse tani për tani jam unë që po shkruaj më shpesh…

  2. Nuk e kisha vene re (me terhoqi vemendjen “pasi ta ketë lexuar ‘Pari dhe Surrogato‘ të Xha Xhait” por nuk i kushtova rendesi).
    Gjithesesi gezohem qe cfare thashe me larte vlen per me shume se nje njeri.

  3. Nene Elisa Spiropali e Bulqizes.

    Askush nuk duhet te mare seriozisht Sonin. Ka kohe qe eshte i c’ekulibruar dhe nuk arrij te kuptoj se si ka mundesi qe Panorama vazhdon qe ti botoje shkrimet e tij. Nuk mund te them se Soni nuk di dhe nuk ka lexuar por ka vite qe dijet qe ka nuk i vendos ne rendin qe te kene kuptim ose qellimisht i vendos ne ate forme qe te behen me te nderlikuara. Kuptohet per te keqen e tij.

    Sa per shkrimin mbi bemat e Elises mendoj se asaj i ka sjelle me shume dem se sa perfitim. Elisa vete ne mos e ka demtuar ceshtjen e minatoreve ajo nuk e ka zgjidhur ate ne fitim te tyre por qe vetem i ka bindur ata qe ta nderpresin ate. Nuk dime rezultatet konkrete te cilat bene qe ata ta nderpresin greven. Nese ata hallexhinj ishin futur ne greve per te pritur qe te degjonin nje qe t’ju thoshte ndonje lutje ne vend te nje marveshje qe do plotesonte te drejtat qe ata kerkonin atehere kjo eshte pune tjeter. Pra shtrohet pyetja se me c’fare cilesie dhe misioni kishte shkuar Elisa tek ata!?

    Me vend Parrulla thote qe atij vendi i mungojne besimtaret dhe ndjekesit shume me teper se sa shenjtoret te tipit Elisa.

  4. Pash Zotin, Soni është Edison Ypi, i flisni ju kështu a po është “nome de guerre” i tij, apo i flet me përkëdheli dhe shkurt publiku…?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin