LAVDE DORËHEQJES

Historia e Shqipërisë totalitare nuk kishte si ta njihte dorëheqjen si koncept politik. Gjatë regjimit, kontrolli i rreptë i diktaturës nuk mund ta lejonte dorëheqjen të mbijetonte, për arsye se ajo nuk parashikohej nga rregullat gravitacionale të sistemit. Në qoftë se e pranojmë se dorëheqja e ka brenda një dozë mospajtimi, madje edhe kundërshtimi, atëherë kuptohet lehtë përse totalitarizmi, shqiptar ose jo, nuk mund ta toleronte atë në asnjë mënyrë. Mirëpo demokracia shqiptare ka histori të re, ndërkohë që nuk gëzon ndonjë traditë demokratike të hershme, edhe në fushë të dorëheqjes. Gjatë 50 vjetëve diktaturë asnjë shqiptar nuk mund të jepte dorëheqjen. Në fakt kjo barazohej me “kapitullimin”, fjalë me prejardhje ushtarake, sepse jeta në Shqipëri i përngjante shumë asaj të kazermës, ku mosmiratimi përkthehej në mosbindje dhe dorëheqja në dezertim. Fundi merrej vesh përballë gjyqit. Ushtarak natyrisht. Mirëpo ardhja e demokracisë nuk e zhdoganoi dot dorëheqjen nga damnatio memoriae ku historia e kishte flakur. Rastet e dorëheqjes janë të pakta, pothuajse të paqena. Duket sikur pushtetarët e Tiranës nuk e pranojnë dorëheqjen as si opsion. Të gjitha largimet nga pushteti janë bërë ose me zgjedhje, ose me dhunë, ose me largim. Mirëpo dorëheqja është një akt vullnetar, subjektiv, personal. Natyrisht, dorëheqja nuk jepet, ta zëmë, se kafja në Kryeministri kishte pak sheqer. Arsyet duhet të jenë politike, kur nuk kemi të bëjmë me motive të pastra personale, si sëmundjet, mospërballimi fizik, etj. Që dorëheqja nuk frekuentohet shumë në Shqipëri është e qartë, ashtu siç është edhe lidhja e saj me pushtetin. Nga ana tjetër, kjo lidhje duhet parë në kuadrin e sistemit shoqëror shqiptar. Në rastin më të mirë, ikja nga karrigia nënkupton mbetjen pa punë. Në rastin më të keq, hapen dyert e burgut. Në rastin më të vakët, të përjashtojnë nga partia ose nga grupi parlamentar. Kur nuk merret për dobësi personale, natyrisht. Me fjalë të tjera, dorëheqja nuk varet vetëm nga vullneti i politikanit apo i administratorit të radhës. Politika shqiptare i ngjan aq shumë xhunglës, sa është e vështirë që dorëheqja të konsiderohet alternativë. Në një demokraci ku pushtetarët gozhdohen pas karriges, ku as topi nuk i luan, por që pastaj mjafton një telefonatë e shefit dhe ikin me bisht ndër shalë, ka diçka që nuk shkon. Edhe skena e përplasjes së derës si “luanë“ pasi ua kanë treguar daljen, nuk ndryshon shumë nga ikja e qenit të rrahur. Në thelb në politikën tonë ekziston një ndërthurje morboze me pushtetin, ndërkohë që ky duhet të konceptohej si shërbim ndaj qytetarëve dhe si mjet për ndërtimin e politikave zhvilluese. Politikanët që japin dorëheqje përveçse ndjeshmërisë personale, dëshmojnë gjithashtu një ndershmëri politike. Kur marrëdhëniet brenda qeverisë p.sh. hyjnë në krizë, atëherë një ministër ose kryeministër nxjerr konkluzionet e duhura dhe jep dorëheqjen, meqë kriza ka të bëjë me besimin dhe pëlqimin. Por kur kjo ndryshore nuk merret parasysh është e lehtë të hamendësosh interesa të tjera. Është e kuptueshme që politika shqiptare, por edhe administrata e lartë dhe drejtësia, e urrejnë dorëheqjen sepse ndihen të dobëta përballë saj. Kështu ia mbyll të gjitha hapësirat duke e devitalizuar dhe më pas eliminuar. Mjetet janë të përhershme: veshi i shurdhët, ndjeshmëria zero, inflacionim akuzash, sulm për mbrojtje, konflikt për fshehje, servilizëm për heshtje, oportunizëm për përfitim, marrëveshje për marrëveshje. Sidoqoftë, dorëheqja duhet ruajtur nga shuarja e plotë, në rast se ka ekzistuar ndonjëherë në kulturën politike shqiptare. Jo sepse i jep një kuptim tjetër politikës, jo sepse dëfton realizëm të domosdoshëm, por sepse ndonjëherë dorëheqja përkthehet “dinjitet“. Për Shqipërinë, në këto kohë të vështira, nuk është pak.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin