HULUMTIM KONSPIRATIV

Në Shqipëri njerëzit janë të ndërgjegjshëm për shumë dukuri politike e shoqërore. Për çka njerëzit në të vërtetë diskutojnë është emërtimi i këtyre dukurive: oligarki apo demokraci, korrupsion apo bashkshish, vjedhje apo hak, mashtrim apo shkathtësi etj. Meqë prerjet analitike nuk i kënaqin të gjithë, të shumtët janë të lumtur  të gjenden në zonën gri, të cinizmit, ku emërtimet boshe shpërqëndrojnë, por faktet të drejtojnë udhën.

Diskutimet publike në media ngahera synojnë të ngrenë pluhur për të fshehur e shpërqëndruar vëmendjen nga thelbi dhe faktet konkrete. Rast shembullor është procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit. Gazetarët presin të zbulojnë zyrtarë të korruptuar  nga deklaratat direkte të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë (ILDKP). Por rezultati është shumë zhurmë për asgjë. Kur pritshmëritë nuk arrihen, gazetarët mirëpresin kockat e rreme që u lëshojnë institucionet zyrtare. Thelbi në këtë rast është se, në Shqipëri ka mjegulli informacioni, por edhe kur të dhënat për korrupsion janë të qarta, askush nuk ndëshkohet.

Sipas Gazetës Shekulli, Adriatik Llalla, Drejtori i ILDKP-ës ka deklaruar se “Zyrtarët japin të dhëna informale në deklarimin e pasurive të tyre”. Kjo frazë u përfol në gazeta e shoqëruar më një akuzë të Lallës ndaj prokurorisë për mbylljen e çështjeve pa kurrfarë argumenti (!), por nuk  u përmend pjesa tjetër.

Në fakt Llalla është shprehur “Pavarësisht nismave të ndërmarra nga Inspektorati i Lartë … në praktikën institucionale është konstatuar që në deklarimet periodike të subjektëve deklarues, pasqyrohen të ardhura në rrugë joformale, nëpërmjet personave të lidhur, si psh, dhurata në vlerat të konsiderueshme, huamarrje apo huadhënie në rrugë informale, etj.” Më tej Llalla vazhdon se “për personat e lidhur me zyrtarin që refuzojnë të bëjnë deklarimin e interesave private, nuk ka asnjë sanksion në Kodin Penal. Kjo ka ndikuar që në disa raste hetimi… Inspektorati i Lartë nuk ka arritur të japë konkluzione të plota. Për këto raste refuzimi, ILDKP ka aplikuar të vetmin mjet ligjor që ka në dispozicion, vendosjen në 3 raste të masës administrative “gjobë”, e cila është në vlerë të vogël dhe lehtësisht e përballueshme nga personat e lidhur me subjektet që refuzojnë të deklarojnë interesat private në ILDKP.”

Përvetëm së kaq, problemi nuk qëndron te prokuroria, porse te gjykatat: “problem permanent mbetet trajtimi në sistemin gjyqësor, i kallëzimeve penale të iniciuara nga Inspektorati i Lartë dhe rasteve të shqyrtimit të ankimeve të zyrtarëve të ndëshkuar për shkelje të ligjit të parandalimit të konfliktit të interesave. … Këtë shqetësim e kemi prezantuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë …”  Administrata gjithashtu nuk e luan rolin e saj: “mbetet problem marrja e masave disiplinore nga institucionet publike…”.

Shkurtimisht, kush dëshiron ta lexojë të vërtetën e lexon atë: në Shqipëri të gjithë të korruptuarit ja dalin pa lagur!  Faktet të tregojnë udhën. Emërtimet e analizat sa çorodisin.

Në rrafshin individual, individët nuk kanë asnjë shtysë positive apo negative të deklarojnë pasuritë e vjedhura. Në rrafshin institucional, si gjykatat por edhe administrata nuk i ekzekutojnë ato pak raste të dëshmuara.

Një dukuri interesante, përvetëm se deklarimit të pasurive joformale si dhuratat, biletat e avionit apo aparate të teknologjisë së informacionit (ipad, celularë, PC, TV etj.), të cilat duhet t’i deklarohen eprorit nëse  janë mbi 10000 lekë, apo blerjen e pasurive të patundshme nën emra të tjerë, unë me mendjen time konspirative shoh një skemë tjetër interesante mitmarrjeje: marrjen e kredive. Në këtë formë mitmarrjeje, nuk përfshihen vetëm personat përgjegjës, porse edhe bankat që lehtësojnë marrjen e kredive. Me një kredi prej 14-18% interes vjetor, i cili është një shpenzim i arsyeshëm për larje parash, realizohet pastrimi i parave të mitmarrjes brenda një afati të gjatë, por të qëndrueshëm.

Mendësia ime konspirative më thotë se ka disa kritere për të provuar se ekziston një lloj rregullsie në sjelljen e aktorëve të dyshuar si pjesëmarrës në këtë proces, e cila vlen të hulumtohet sistematikisht. Kriteret janë këto:

(1) Numri i bankave pjesëmarrëse në këtë skeme është i kufizuar, ndoshta dy ose tre për të gjithë (si benchmark: nëse rezulton në 25% të të gjithë aktorëve).

(2) Sasia e parave të dhëna hua është relativisht e lartë (benchmark: nëse kalon 50 000 Euro).

(3) Kësti i paguar brenda një viti për kthimin e kredisë është aq i lartë, sa nuk justifikohet me të ardhurat e deklaruara vjetore (benchmark: nëse është më shumë ose i barabartë me 1/3 e të ardhurave  vjetore).

(4) Qëllimi i marrjes së kredisë është për nevoja dytësore, si për shtëpi në plazh apo blerjen e makinës së tretë.

P.sh. unë kam mbledhur shkurtimisht këto të dhëna për këta aktorë jo-biznesmenë në vitet  e paraqitura në tabelë, edhe pse ILDKP duhet t’i kishte njesuar eurot me lekët.

 

Nga vëzhgimi sporadik nëpër faqet e gazetave në rrjet rezulton se, të dhënat nuk shfaqen aspak sistematike. Informacionet mbi kredinë janë të mangëta. Diku jepen të dhëna mbi bankën e diku jo. Të dhënat mbi arsyet e huamarrjes në përgjithësi mungojnë, sidomos në vitin 2011. Të ardhurat nuk janë vendosur në total porse në mënyrë analitike jo koherente, diku me euro, dollarë apo lekë. Disave u shpallen pasuritë e fëmijëve apo bashkëshortëve, ca të tjerëve jo, etj.

Bazuar mbi kriteret e vendosura më sipër vendosa se, të sipërpërmendurit lenë vend për dyshim nëse përmbushin të paktën tre prej katër kritereve (me të kuqe nëse përmbushet njëri kriter). Por informacioni i shpallur jo në mënyrë sistematikë e me boshlliqe lëshon vend për dyshim edhe për vërtetësinë e hipotezës. Kështu që jemi po aq të pasigurt sa edhe më parë.

Meqë shqiptarët i tuten faktit, por i gëzohen fshehurazi gjumit të dyshimit (ku ka zë, s’del pa gjë!), duhet menduar një model tjetër, ai i Norvegjisë. Norvegjia ka një sistem shumë të mirë përsa i përket deklarimit të pasurisë, në formën e deklarimit të shlyerjes së taksave. Ky model ndoshta nuk vlen për secilin qytetar, porse të paktën të ishte i detyrueshëm për politikanët, që balancat e tyre bankare dhe deklaratat e tatimeve të bëheshin publike për të gjithë në rrjet. Mediat tona kanë dështuar në përdorimin efikas të së drejtës për të kërkuar të dhëna të tilla.  Informacioni t’i lihet qytetarit për të gjykuar, dyshimi nuk do të përbënte më justifikim për letargji popullore.

Nuk ka komente

  1. Per mendimin tim, ne Shqiperi kaosi vjen si mungese e nje amnistie fiskale dhe kjo nuk behet jo se do perbente skandal popullor, por sepse nuk jane ngopur ende te dyja palet, kur te ngopen do i fusin nje amnisti fiskale dhe vete Shqiperia do hyje ne rrugen e ligjit, formalizimit te ekonomise dhe deklarimit te te ardhurave.

    Nje qeveri qe do te fuse Shqiperine ne binaret e ligjit, duhet me se s’ben ta nise nga amnistia fiskale, kush fitoi fitoi, kush humbi humbi, sepse alternativa eshte gjendja kaotike edhe ne te ardhmen, pa harruar qe parate me se shumti depozitohen ne bankat e parajsave fiskale.

    Modeli norvegjez i perket nje shteti qe ne indeksin e demokracise ze vendin e pare ne Bote, kurse ne jemi demokraci hibride.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: