METODA E FRIKËSIMIT

Nga ndërhyrjet – një pjesë me siguri të porositura – në mediat, po krijohet përshtypja sikur drejtësia në Republikën e Shqipërisë është e vetmja pengesë në rrugën drejt “begatimit shpirtëror dhe material”, prandaj duhet reformuar menjëherë, sepse – siç e tha Elisa Spiropali në një editorial tani te “Panorama”, “Drejtësinë, atë që do të duhej ta kishim më të drejtën, e kemi më të shtrembrën”; dhe se kjo reformë është “guri i themelit, zanafilla e ndryshimeve të ardhshme të qëndrueshme, harmonizimi i përpjekjeve individuale dhe kolektive, thyerja e guaskës së autoritarizmit të verbër të të pushtetshmve për ta demokratizuar më tej vendin në mënyrë të pakthyeshme, garancia se si popull dhe superstrukturë politike mund të punojmë, ndërtojmë, prosperojmë.” Ndërkohë, ndonjë “Perëndimor” është bindur tashmë – ose e kanë bindur – se, në qoftë se “në fund të ditës neve na krijohet përshtypja që kjo reformë nuk është e dëshiruar, që lufta ndaj korrupsionit nuk funksionon ashtu siç duhet, atëherë ne, në fund të ditës do të marrim vendimin që t’jua heqin statusin e vendit kandidat” (Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në “Bundestag, Gunther Krichbaum). Nga njëra anë, Spiropali flet me gjuhë të drunjtë, sovjetike, abstrakte; nga ana tjetër, ky aparatçiku – që duhej të fliste edhe ky me gjuhë sovjetike – çaprashit sikur ka të bëjë me fëmijë, të cilët mund t’i trembë me “dënime.” Por, ndërkohë, të gjithë duken të kapur deri në fyt me çështje procedurale dhe askush nuk ka kohë të ulet dhe të shpjegojë pse qenka kaq jetike kjo reformë për fatet e “demokracisë” në Shqipëri dhe për luftën kundër korrupsionit; ose çfarë shton ose heq ajo, që legjislacioni i tanishëm nuk e ka. Tek e fundit, të gjitha institucionet e sotme të shtetit shqiptar janë produkt formal i një legjislacioni të hartuar pikërisht me ndihmën madje diktatin e Perëndimorëve, vetëm pak vjet më parë: ta kenë pasur vallë kaq gabim atëherë, ata që e propozuan dhe këta të tjerët që e kopjuan? Dhe nëse e kanë pasur gabim – gjëra që ndodhin – atëherë ku qëndron gabimi pikërisht? Këto pyetje, nga sa kuptoj dhe shoh poshtë e lart, nuk i kam vetëm unë. Deri edhe një deputet i PS-së, si Ben Blushi, në fjalën e vet tani së fundi në parlament, e pranoi se “askush nuk ua shpjegoi shqiptarëve çfarë është reforma në drejtësi. Çfarë do të ndryshojë reforma për drejtësi, çfarë do të sjellë ajo për Shqipërinë dhe shqiptarët” duke theksuar pastaj se: “Edhe nëse ka konsensus produkti do jetë i panjohur dhe burokratik, jo vetëm për ne, përfshi edhe për mua, por për për të gjithë shqiptarët.” Mua, si vëzhgues nga jashtë, më duket sikur propaganduesit e nevojës për reformë po lënë të kuptohet se fajin, për kapjen e pushtetit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri, e ka sistemi gjyqësor dhe jo sistemi në tërësi. Në një vend tjetër, ky egërsim i njërit pushtet kundër një pushteti tjetër do të shkaktonte krizë kushtetuese; por te ne jo – sepse te ne “populli e ka thënë fjalën e vet.” Nga ana tjetër, opozitën me Bashën në krye, që ka humbur kredibilitetin duke u marrë me gjithfarë budallallëqesh prej vitesh, nuk e beson kush edhe sikur të thotë që uji i detit është i kripur; dhe jo më ta besojë kur thotë se kjo reformë synon përqendrimin e pushteteve në duart e atij ekipi që po e promovon me të madhe. Kam frikë se problemi i vërtetë është se, deri më sot, ndarja e pushteteve si kërkesë elementare e çdo sistemi pluralist, u ka shërbyer interesave të grupeve dhe jo atyre publike; por asgjë nuk garanton, dhe aq më pak kjo reformë, që kufizimi i të drejtave të palëve, përfshi këtu edhe ripërmasimin kushtetues të funksioneve dhe të kompetencave të Presidentit të Republikës, nuk do t’i shërbejë edhe ai demokraturës, ose monopolizimit të pushtetit nga shumica e thjeshtë parlamentare. Çështja këtu është nëse do ta besojë dot apo jo publiku se reformën e sistemit mund ta kryejnë vërtet po ata njerëz, të cilët i kanë shkaktuar problemet e sistemit; përfshi këtu edhe ata që lejuan ndryshimet kushtetuese në frymë krejt partitokratike të vitit 2008.

4 Komente

  1. A nuk eshte ca si teper vone per t’u shqetesuar per reformen ne drejtesi …? Njeres pale do t’i pelqente shume ky sebep: reforma nuk eshte shpjeguar, nuk eshte kuptuar; ta shtyjme perseri !
    Blushit ia do politika te sillet sikur reforma nuk eshte qartesuar. Arsyet e tua vec mund t’i imagjinoj.

    1. Mua më bën përshtypje shpërpjesëtimi midis rëndësisë që i është dhënë reformës dhe shpjegimeve minimale për publikun (shpjegime që shpresoja se herët a vonë do të arrinin). Në vend që të shtjellohet se ç’do të ndryshojë pikërisht reforma dhe pse është kjo kaq e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, të gjithë promovuesit e saj flasin me të madhe për efektet e saj afatgjatë. Si proces, më duket shumë i dyshimtë, i paqartë, i pasinqertë.

  2. Ne mos qofsha gabuar, kjo reforme eshte kerkuar nga Lart (Bruxelles), dhe besoj se i shkon per shtat zgjidhjeve ideologjike te Brukselit e jo domosdoshmerisht Shqiperise. Mantra qe kendohet sot eshte qe po sigurove pronen, dhe pate nje sistem ligjor me ‘Habeas Corpus’ e terrci e verrci “gjithcka do veje si jo me mire” (Himni perandorak Austro-Hungarez).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin