FLUTURON…

Debati mbi domosdoshmërinë e një samiti mbi diasporën, solli në diskutim edhe dobitë e kostot e mëdha financiare të këtyre organizimeve. Rreth 500 mijë EUR, që mund të jetë kjo mbledhje tre ditore, është gati sa 1/10 e buxhetit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ose afërsisht sa shuma totale që është shpenzuar në 2018-2019 për udhëtime jashtë shtetit nga kjo ministri (MEPJ). Shqiptarët po ikin, por mbrapa, me të njëjtin zell, por besoj turistik, i gjëmojnë edhe zyrtarët e shtetit të tyre të varfër.

Për të kuptuar diçka mbi praktikat e shpenzimeve të buxhetit të shtetit në lidhje me udhëtimet jashtë vendit, unë analizova të dhënat e publikuara nga OpenData.al (http://spending.data.al/en/treasury/list/year/2015). Këtu paraqiten disa nga përfundimet e mia mbi shpenzimet e MEPJ dhe të institucioneve të tjera për udhëtimet jashtë vendit (të dhënat për përpunim të mëtejshëm i gjeni këtu). Analiza bazohet mbi rreth 13.6 mijë transaksione në total dhe afro 3.6 mijë transaksione të MEPJ.

Rreth 38-50% e shpenzimeve të MEPJ-së shkojnë për rimbursime të TVSH. Pra buxheti faktik i MEPJ është rreth 3 milion EUR. Një pjesë, nga 16% deri në 25%, sipas vitit, shkojnë për paga, dieta e të tjera shpenzime për personelin. Shuma të konsiderueshme shkojnë edhe për pritje të delegacioneve, disa prej të cilave kushtojnë mbi 50 mijë EUR.

 

 

 

Nga rreth 25 milion EUR që janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit prej 2014, vlerën dhe numrin më të madh të udhëtimeve e kanë Kuvendi Popullor (mbi 1.5 milion EUR) dhe Ministria e Jashtme. Bashkia e Tiranës (afërsisht 700 mijë EUR, me shpenzime të mëdha që fillojnë në periudhën 2016-2018) dhe Universiteti i Elbasanit ua kalojnë edhe institucioneve qendrore. Një pjesë e këtij buxheti mund të jenë edhe nga projektet ndërkombëtare, financimi i të cilave kryhet nëpërmjet derdhjeve në llogarinë e Thesarit të Shtetit. Rreth 44% të vlerës totale e kanë shpenzuar institucionet e paraqitura në grafikun e mëposhtëm.

Nga grafiku i udhëtimeve gjatë muajve, vihet re se një pjesë e madhe kryhen (ose regjistrohen si shpenzime) në dhjetor. Jo se konferencat, trajnimet apo takimet janë lënë për dhjetor, por sepse atëherë janë pushimet e pazaret e Vitit të Ri, sidomos për Kuvendin Popullor.

 

Në të njëjtat kushte fluturojnë edhe nëpunësit e Ministrisë së Kulturës, që për të shpenzuar rreth 310 mijë EUR (2014-2018), gjithashtu zgjedhin kohën e fundvitit për udhëtime. Ndoshta, veç koncerteve të fundvitit, afron planifikimi i buxhetit, dhe shume programe rishikohen nëse nuk shpenzohen fondet e parashikuara për projektet.

Ndër universitetet, Universiteti i Elbasanit ka shpenzuar shuma të konsiderueshme në udhëtime (rreth 300 mijë EUR në vit). Ose këta duhen lavdëruar, ose duhen kontrolluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi ia kalojnë disa herë Universitetit të Tiranës, i cili duket se shpenzon shumë pak për mobilitetin e pedagogëve.

 

Rreth 10 firma kanë qenë përfituesit kryesorë të fondeve të shtetit, me rreth 80% të të gjitha shpenzimeve për udhëtime. Më poshtë përfituesit e preferuar sipas institucioneve buxhetore.

 

(c) 2019, autori.

1 Koment

  1. Arjan, ju beni ate pune qe te tjeret edhe per ta degjuar ose lexuar do te kishin pertese. Per kete nje bravo dhe faleminderit ne emer te cdo qytetari qe interesohet sado pak per shpenzimet shteterore. Por disa shifra duhet ti specifikoni me sakte, sepse nuk kuptohen. Kemi 1/2 mil. euro per samitin 3 ditor! Kemi 3 mil. euro ne buxhetin e Min. Jasht., por nuk kuptohet se cilen periudhe mbulon ky 3 milionsh! Mendoj te jete vjetori, por i sigurte nuk jam, sepse thuhet qe vetem biletat e udhetimeve te zyrtarve te M.J. per 2018-2019 jane dhjetfishi i kesaj shume, cfar i bie 5 milion euro vetem per bileta avionesh dhe dietash!!! E vertete kjo? 3 mil. euro buxheti vjetor (kryesisht paga) dhe 5 mil. euro per udhetime?!? Pa llogaritur ketu pritjet e delegacioneve, sic thua!
    Kemi pastaj shifren prej 25 mil. euro per udhetime qysh nga viti 2014 per te gjithe (pusht)shtetaret, nga te cilat 1,5 mil. euro vetem deputetet, e te gjithe per fund viti jashte shtetit!!! A jepen hollesira se kush deputet ka udhetuar me shume jashte shtetit dhe pse? Po ndihmat financiare shteterore per firma private pse nuk jane pasqyruar ne shtypin shqiptar?
    Artikulli eshte mjaft interesant, por gjithashtu mjaft i cekte. Edhe linket e dhena jane te pakuptueshem, te komplikuar dhe ne anglisht! A nuk mund te kepen shifra me te qarta, tabelare apo sidoqofte!?

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: