Përlavdim dhe nëpërkëmbje

Ripërtëritja dhe riprodhimi i kulturës shqiptare në këtë periudhë kalimtarie e ndonjëherë krize varen në masë të madhe nga perceptimi që i bën publiku historisë së kulturës ose çka është quajtur përmasë diakronike. Raportet e kulturës së re, krijuar a konsumuar rishtas, me të shkuarën e vet, nga një palë mbahen si themelore për mbijetesë e zhvillim, nga një palë tjetër si pengojca që duhen hequr qafe. Vetë e shkuara priret të marrë trajta të ndryshme e shpesh të pabashkëmatshme, sipas ideologjive, mitologjive dhe bestytnive të atyre që i referohen, për ta ngritur në qiell ose shpërfillur. E gjithë kjo ethshmëri mund të tregojë gjallëri dhe fermentim, por edhe obsesion me një përmasë që, fare lehtë, mund të shndërrohet në fantazmën e vet groteske.

Makdonaldizim i alfabetit?

Prej kohësh është vënë re se futja e kompjuterave në jetën publike, së bashku me shtegtimin e një pjese të komunikimit kulturor në hapësirat virtuale të Internetit, i sfidon drejtpërdrejt kulturat kombëtare, sa kohë që gjuhë dhe formë kulturore e universit digjital mbetet anglishtja. Sfida u paraqitet shqiptarëve në trajta të ndryshme, por kohët e fundit ka pasur debate deri edhe për nevojën e një rishikimi a reforme të pjesshme të alfabetit të shqipes, i cili nuk iu përshtatka mirë modeleve shkronjore të anglishtes për shkak të shenjave të posaçme që përdor me ë-në dhe ç-në. Mjaft t’u hedhësh një sy botimeve shqiptare në linjë – pa përmendur forumet e ndryshme ku përdoret shqipja – për të parë se nuk ka një mënyrë të vetme të pranuar për ta zgjidhur kokëçarjen e këtyre dy grafemave kryeneçe. Një palë i bien shkurt dhe i mënjanojnë krejt; një palë tjetër duan t’i përdorin, por jo gjithnjë shfletuesit ua interpretojnë drejt kodet; një palë e tretë kërkojnë ta përdorin këtë krizë për të sugjeruar reforma të alfabetit dhe zëvendësim të shenjave të posaçme (diakritike) me zgjidhje të tjera të praktikueshme me alfabetin standard. Sa herë që hapet një diskutim i tillë, më vjen në mend një mik imi i dikurshëm, filozof “pozitivist”, që gjysmë-seriozisht i parashtronte viktimës së radhës idenë e vet për ta thjeshtuar sistemin morfologjik të shqipes sipas modelit të kolauduar të anglishtes; në mënyrë të tillë që, bie fjala, një folje çfarëdo të zgjedhohej kështu: unë shkoj, ti shkoj, ai shkoj, ne shkoj, etj. Të gjithë atyre që s’e mbanin dot gazin, miku im u vërente se gjuha është tek e fundit marrëveshje për adoptim të një sistemi rregullash arbitrare. Mirëpo kur vjen fjala tani për shkrimin e shqipes kompjuterike, deri edhe Panorama, gazetë qendrore në Shqipëri, disa herë e ka rimarrë çështjen seriozisht duke propozuar, nëpërmjet analistit të vet Kopliku, që ë-ja të fillojë të shkruhet ee, dhe ç-ja cz ose ch. Kjo zgjidhje më tingëllon tipike prej teknokratësh miopë ndaj përmasës historike të alfabetit dhe domethënies kulturore të atyre pak shenjave që ndriçimtarët e Rilindjes u detyruan t’i lënë në alfabet, megjithëse të vetëdijshëm për kokëçarjet teknike që po u sillnin tipografëve të së ardhmes. Në krahasim me gjuhë të tjera madje madhore si spanjishtja, frëngjishtja dhe italishtja, e jona i përdor shenjat e posaçme vetëm në dy raste; në një kohë që alfabetet e polonishtes, çekishtes, sllovakishtes, kroatishtes, rumanishtes e turqishtes janë të krimbura me diakritikë. Natyrisht, një ndryshim çfarëdo në alfabet do t’ua ndërlikonte krejt kot brezave që vijnë komunikimin me trashëgiminë kulturore, sepse alfabeti është nga ato fillesa që duhet t’u mbijetojnë ndryshimeve për t’u siguruar vijueshmërinë e duhur; ndërsa vështirësitë e të shkruarit në kompjuter dhe të afishimit në Internet nuk kanë të bëjnë me mangësi të alfabetit vetë, por me papajtueshmëri të programeve kompjuterike, prandaj edhe mund të zgjidhen natyrshëm me rrugë administrative (siç e shpjegon mirë Bato Bujku në blogun e vet “Kurveleshi”). Shqipja përndryshe e ka alfabetin relativisht të ri dhe ende krejt funksional; madje këtij funksionaliteti të kënaqshëm i detyrohet pjesërisht alfabetizimi masiv i shqiptarëve gjatë shekullit XX, i cili ende mbahet me të drejtë si arritje për t’u krenuar e programit kombëtarist të Rilindjes.

Kultura si nostalgji

Merita Halili, këngëtare e shquar e folklorit urban të Shqipërisë së Mesme, prej kohësh është vendosur në SHBA, ku e shoqëruar nga një grup instrumentistësh të thekur vazhdon të japë koncerte për një publik kryesisht të mërgatës shqiptare të Përtejdetit. Për një artiste që kërkon t’i mbetet besnike repertorit tradicional, vështirësitë e karrierës të njëmendtë në kushte të mërgimit kanë të bëjnë kryesisht me pritjet jo gjithnjë racionale, as mirëfilli estetike, të mërgimtarëve artdashës. Shqiptarëve muzika popullore u shërben edhe si sfond momentesh kritike të jetës së familjes dhe të komunitetit; madje për shumëkënd këngët e folklorit urban janë të pandashme nga dasma tradicionale shqiptare, ku gëzimi i ritualizuar shpesh i përshoqërohet natyrshëm sentimentalizmit të skajshëm. Çështja është nëse një funksion i tillë mund të bartet në rrethanat të reja të mërgimit, pa e humbur mesazhi ngarkesën artistike. Koncerti i fundit i Merita Halilit në New York e konfirmoi edhe njëherë kundërvënien e sotme midis artistit me frymëmarrje kombëtare dhe publikut të vet më të përkushtuar, njëlloj sikurse konfirmoi magjinë estetike të repertorit klasik të këngëtares. Për fat të keq, programi i koncertit jo vetëm ishte përzgjedhur i tillë që të kënaqte një turmë sa më gjithëpërfshirëse shqiptarësh të djegur për shqiptarë të tjerë, por edhe dukej se mëtonte jo aq kumtin muzikor sesa nostalgjinë për një mot tanimë të lënë pas, të kapërcyer, të mbetur peng të kujtesës. Pati çaste kur këngëtarja, derdhur posaçërisht në një fustan të kuq me shqipen dykrenare ngjitur në abdomen, dukej sikur po i deklamonte publikut në ekstazë alfabetin muzikor të gjeografisë kombëtare. Ky masazh atdhetarizmi u kurorëzua pastaj me interpretimin e papritur të “Bjeri gajdes, gajdexhi,” një këngë e lehtë ahengu që, ndër të tjera, përmban vargje të tilla si “sot ka festë kooperativa”, duke iu sjellë haptazi asaj të kaluare mitike kur shqiptaria përvijohej si diçka më e madhe se shuma e pjesëve të veta. Kështu, finalja rituale e koncertit sikur e la pak në hije pjesën e parë, ku vlerat artistike kishin përparësi ndaj mesazhit ideologjik; edhe pse lirizmi i atmosferës intime të disa prej këtyre këngëve i përshtatet më mirë natyrës dhe personalitetit muzikor të artistes. Muzika – opium apo komunikim? Si koncert, ky i Merita Halilit u përjetua me ngazëllim të paparë nga plateja dhe do mbajtur mend si sukses, por suksesi s’i jep dot përgjigje pyetjes së mësipërme. Vetëm sugjeron që, për shumëkënd, ajo kulturë kombëtare që i mbledh shqiptarët së bashku nën një çati e zhytur në të njëjtat gëzime, ende vijon t’i referohet kohës kur gjithçka kompaktësohej nga totalitarizmi i regjimit – të paktën gjithçka përtej mishrave të pjekur dhe gotës së rakisë.

Muzeu i mureve

Nëse totalitarizmi ishte edhe përpjekje për t’iu imponuar shqiptarëve një identitet kulturor tejkrahinor të themeluar në adhurimin e shtetit, periudha post-totalitare po shtjellohet, të paktën në kulturë, edhe si përpjekje për restaurim të fillesave krahinore dhe shumëfetare të vetëdijes kombëtare. Dallesa të tilla si komunistë dhe antikomunistë, të majtë dhe të djathtë, të krishterë dhe muhamedanë, gegë dhe toskë, katolikë dhe ortodoksë, kombëtaristë dhe kozmopolitë po kristalizohen shpesh e sidomos në kulturë, duke u betonuar pas personaliteteve përkatëse dhe duke mbjellë segmentim të mëtejshëm në jetën normale të komuniteteve. Një debat i kohëve të fundit në hapësirat e Internetit rreth figurës së Gjergj Fishtës si poet dhe vendit të tij në historinë e letrave shqipe tregoi, ndër të tjera, sa i vështirë po bëhet komunikimi mes shqiptarëve që qëllojnë të gjenden në dy anë të kundërta të një barrikade çfarëdo. Për disa, poeti autor i Lahutës është i pandashëm nga Fishta personalitet i shquar i Rilindjes; ndërsa për disa të tjerë s’është aspak e parakohshme që vepra letrare e Fishtës të gjykohet me kritere thjesht estetike në raport me veprën e shkrimtarëve të tjerë romantikë të kohës, ose edhe nga perspektiva e interesit që ka për atë poet lexuesi i sotëm shqiptar tipik. Debate të tilla nuk bien ndonjë kontribut kritik të mirëfilltë, pse shpesh shtjellohen midis amatorësh të rrëmbyer, që identifikohen me heronjtë e tyre njëlloj siç identifikohen tifozët me skuadrat e zemrës; mirëpo diskutimet ndonjëherë lënë të tejduken zhvillime të vetëdijës shqiptare që fare lehtë mund të rrezikojnë nesër vetë integritetin kulturor të shqiptarisë. Nëse një palë adhurimtarësh e nderojnë Fishtën në atë masë që vepra e tij, letrare dhe joletrare, është edhe mishërim i një frymëzimi kombëtarist tejkrahinor të kulluar, një palë tjetër e mbajnë për “të tyrin” vetëm ngaqë e kanë të krahinës ose të fesë së tyre. Tolerimi shpesh dashamirës i një partikularizmi të tillë ka doemos të bëjë me kujtimin e përndjekjes së pamëshirshme, prej Hoxhës & Co., të fesë katolike në veri të Shqipërisë dhe kulturës që i përshoqërohej asaj feje. Mirëpo kjo nuk më duket se ia përligj qëndrimin, bie fjala, një autori si Zef Simoni, kur ky shkruan në një artikull (shpërndarë në Internet) se po e lut Zotin “mos me harrue kurr figurat e shqueme të religjionit e të atdheut tonë, tue fillue me Shën Jeronimin […] me Marin Barletin meshtar e shkrimtar i fuqishëm, së bashku me Beçikemin, me Buzukun, Budin, Bardhin e Pjeter Bogdanin e veprave monumentale, grup i denjë i letërsisë së vjetër shqipe […] me autorët e fuqishëm kryesorë të letërsisë shqipe, si: Mjedën, Harapin, Fishtën, Zadejen, Palajn e sa të tjerë […]”; dhe pikërisht në një trajtesë ku denoncohet ateizmi i një poeti tjetër shqiptar, Migjenit. Veç autorit blasfem të Vargjeve të Lira, në Top-Ten-in letrar të ipeshkvit ndihmës në Arqipeshkvinë e Shkodrës nuk kanë gjetur dot vend as De Rada, as Naimi, as Samiu, as Asdreni, as Lasgushi, as Konica, as Noli, as Skiroi… për të mos përmendur të tjerë të mëvonshëm që na i lexon bota mbarë. Natyrisht, partikularizmi dhe parrokializmi nuk duan marrë si viktima të diktaturës prandaj edhe nuk ka pse të rehabilitohen; dhe aq më pak në kuadrin e një kombëtarizmi shpesh sentimental, mitizues e ndonjëherë edhe instrumental.

Kujdes me kujdestarët!

Janë të shumtë ata shqiptarë, brenda e jashtë Shqipërisë, që duan ta përdorin kulturën për të arritur qëllimet e tyre – fisnike e shpirtvogla, të larta e të ulëta, utopike dhe praktike. Por njëlloj të shumtë janë edhe ata që kulturën shqiptare e shohin si substancë të identitetit, ose medium të komunikimit me bashkësitë në të cilat përfshihen. Për këtë arsye kaq ekzistenciale kujdesi për kulturën nuk u duhet besuar kurrsesi as reformatorëve të alfabetit as nostalgjikëve që e duan sa kohë ua riprodhon hierarkitë dominuar prej atyre vetë, e më në fund as krahinoristëve, që e shohin me dyshim çdo fillesë kulturore jolokale. Në të vërtetë, të gjitha këto grupime duket se po e përjetojnë mundimshëm përmasën kohësore (diakronike) të kulturës; meqë duan ose ta lënë mënjanë në emër të modernizimit abstrakt, ose ta adhurojnë si të ishte perëndi e të sotmes, ose ta shpërbëjnë në emër të një autenticiteti “filologjik”, gjithsesi anakronik nëmos arkaik. Edhe pse lëvizje e dëshira të tilla periferike nuk duket se ngrenë peshë përballë trysnisë së frikshme të kulturës pop amerikanizante ndaj mekanizmave riprodhuese dhe mirëmbajtëse të komunikimit kombëtar, ato megjithatë kanë ndikim të shpërpjesëtuar në elitat me dhe pa pushtet, sa kohë që elitat ushqehen me këtë apo me atë utopi të radhës. Shqetësimi i sotëm ndaj rravgimeve të tilla do të mund të parandalonte materializimin e tyre nesër, kur do të ishte vonë për t’i mjekuar.

[2004]

9 Komente

  1. ””’një folje çfarëdo të zgjedhohej kështu: unë shkoj, ti shkoj, ai shkoj, ne shkoj, etj. Të gjithë atyre që s’e mbanin dot gazin,”””

    Se mbajta dot gazin, prandaj e pahnxorra.

    ””’miku im u vërente se gjuha është tek e fundit marrëveshje për adoptim të një sistemi rregullash arbitrare.””’

    Sado qe ky eshte provokim nuk mund te mos them se e mira e do qe marreveshjet te persosen e jo te perdhosen.
    Gjeja me e thjeshte eshte ti zgjidhesh problemet duke perdorur armet, vecse duhet pasur kujdes se koken e kujt pret.
    Shpresoj qe te mos vije dita qe shkrimi te mesohet ne kompjuter.
    Shkrimi ne fletore mbart edhe nje lidhje spirituale midis atij qe shkruan dhe germave, ashtu si ne fillimet e veta shkrimi dukej si gjest hyjnor. Kjo lloj lidhje, deri diku mistike justifikon/moralizon vete krimin ndaj gjuhes se folur, dmth vete shkrimin.

    Mekanizimi i plote i shkrimit eshte i pandalshem ashtu si mekanizimi i plote i njeriut, por kjo nuk duhet te thote qe do anglo-saksonizohet edhe shqiptari, prandaj duhet shpetuar c’eshte e shpetueshme, nder te tjerat edhe germat e denoncuara .

    Muzika popullore ka nje vecori qe nuk e ka as muzika klasike e as rrymat e shek 20; ajo del prej shpirtit te popullit e jo prej gjenive te muzikes apo aparateve te sofistikuara.
    Muzika popullore ben pjese me te drejte tek kultura spirituale e nje populli, por a mund te themi te njejten gje me muziken individuale ?
    Ne kete pike eshte e kuptueshme qe ne caste nostalgjie emigranti ndjen nevojen te thithe pak nga spiritualiteti i popullit te tij e kjo eshte nje ndjesi e nevoje njerezore.

    Qe njeriu i ri, deshirohet sa me afer parimeve matematikore , kjo nuk diskutohet ama ky proces ka nevoje per kohen e vet e per mendimin tim duhen pare me simpati perpjekjet e rezistences, jo dhe aq se parimet matematikore zbatohen tek roboti/androidi, por se sa me shume rezistence, aq me shume kohe do jete ne dispozicion te kalimit jo te dhunshem dmth pak a shume ti kursejme traumen e kalimit.

    Nje nga te mirat e te qenit popull i vjeter eshte se njeh domethenien e shprehjes: ti japim kohe, kohes!

    Clidhje ka kjo me muziken ? Shqiptareve per 10 vjet iu ofruan 72,7 rryma muzikore, ama ne fillim te mijevjecarit rinovimi mbi parime matematikore i muzikes popullore beri bum te papare, aq sa sot ska ngelur kengetar shqiptar pa kenge popullore ne repertorin e vet, perfshire porno-kengetaret.
    Populli shqiptar instiktivisht kerkoi kohe.

    Per Fishten mund te thuhen shume gjera, ama cdo popull ka nevoje per nje; ‘Gjergj Fishta’. Ka poete qe i kendojne dashurise,politikes, problemeve te gruas e te homoseksualeve e keta jane te nevojshem , ashtu sikunder duhet nje Poet qe te kendoje:

    E para dekës, atëherë, bijnë rob e mbreta;
    Shkrehen mbretni, qytet kulm rroposen;
    Shuhen krenija, po, dhe shkimet jeta
    Ka’ ajo sjell kosën.
    ………………….
    Vetëm s’përkulet para Dekës njai trimi,
    N’zemër t’cilit nuk randojnë punë t’liga,
    E që s’e ndalë ku atë ta lypë perlimi (detyra)
    As paja as friga.
    Për nën mburojë t’ndërgjegjes s’vet t’kullueme;
    Atje n’kufi t’Atdheut ase n’truell
    T’elterit shenjtë, pa u tutë, ai dekës s’shëmtueme
    I rrin kundruell.
    …………………………………………..

    Jo po: as n’flakë t’armëve nuk veton ai sye,
    As buzës humnerës nuk i dridhet themra:
    Sheklli, po, mbarë me pasë për t’u shpërthye
    S’i ban lak zemra.
    Rekton mbarë jeta për nën fyell t’kërçik’e
    Të dekës s’shëmtueme, s’përmnerëshme mizore:
    Vetëm BURRNIJA – një BURRNI çelike
    Asaj i rrshet dore.

  2. Hyllin me kenaqe me keto vargje. E them pa hile. Me ne fund mund te kuptojme se edhe ne ate qe ne me aq lehtesi mund ta quajme patetizem i tejkaluar fshihet nje dritherime e brendshme qe te pershkon fundekrye. Mund te jete nje epike e sforcuar, e dyndur ndoshta edhe ne mbivleresime, por per njat zot eshte e bukur, sidomos kur vjen ne partiturat e Fishtes. “Si ban lak zemra”, kjo vertet eshte monumentale.

  3. Lexoja ketyre diteve poezi te reja shqipe te hedhura gjithandej nderrjetit, kur hasa shprehjen tipike: “me rreshtin e fundit e ke prishur” qe nje lexues i drejtohej nje autori. Nuk eshte kjo e para here qe kam ndeshur dicka perafersisht te tille; kur ma kane thene e kam neutralizuar me te njejtin mekanizem qe neutralizoj sharrje/levdatat, kur nuk kam mundur ta mbaj dot dhe e kam thene vete jam menduar mire kujt ja them e si t’ja them dhe besoj do kem perdorur moderues prej arsenalit te “po sikur-eve”, “per mua-eve” “do ishte me mire-eve”… kjo ishte e para here qe instiktivisht, isha duke bere pune krahu , gjuha me lexoi/ mendja c’me shkroi: poeti nuk eshte lope. Poezia nuk eshte kove me qumesht qe nga nje shqelm i vetem te permbyset, e qe shpie dem gjithe poezine e poezise.
    Burrnija e Fishtes eshte nje poezi per te cilen i kam kerkuar dhe i jam lutur gjykimit tim te me lejonte t’ja ofroja lexuesit si nje nga me te mirat e gjuhes shqipes. Gjykimi im vazhdon te jete i patundur ne “Jo-ne” e vendimit te tij. Argumenti i tij eshte nje fjale e vetme: burrnija. Poezia behet gabueshem e burrave, ne daci e burrneshave, por jo e gjinise tjeter. Mes seancash, gjykimi im me ka thene: me ma gjet n’origjinal trimnija, po.
    Me falni se u zgjata (ndonese jo aq sa nje gjyq).

  4. Orges, Fishta nuk ka bere thjeshte poezi, por epike me vete e duhet trajtuar si epike.
    Eposi hedh vetem 12 vargje per ngjarjet e 1878, pasi ne epos nuk hidhen ngjarjet e fresketa, por hidhen pasi ka kaluar kohe dhe ngjarja vleresohet si e rendesishme e ka marre formen e gojedhenes.
    Fishta per ngjarjet e 1878, zuri vendin e popullit, beri epiken qe normalisht e ben populli (lahutaret anonime qe gjuajne castet historike qe populli do te kujtoje) dhe shume lahutare kendonin vargjet e Fishtes duke kujtuar se ishin te vete Eposit.

    Cyprinon keto problematikat qe ngre ti, mund ti shkojne per mbare femrave apo europianeve por jo atyre qe thellohen ne kulturen shqiptare e domethenien e burrnise.
    Trimeria nuk eshte fjale qe e perfshin burrnine, por burrnia e perfshin trimerine, pra me perdorimin e burrnise ai e ka nenkuptuar trimerine por donte te jepte nje mesazh me shume sesa trimeria.

    Vargjet mbartin nje filozofi te thelle. Aty jepet ideja se shkelqimi i mbreterive bazohet ne nje moralitet qe nuk i reziston dot vdekjes, shkaterrimit, pra mbreter e qytete groposen, humbin, civilizimet zhduken ndersa per te qene i perjetshem duhet te kesh me fjalet e tij:

    N’zemër t’cilit nuk randojnë punë t’liga,

    dhe

    Për nën mburojë t’ndërgjegjes s’vet t’kullueme;

    Pra pertej trimerise, Fishta jep mesazhin e moralitetit te forte te njeriut, nje njeri qe nuk ka ber pune te liga, i pakorruptuar, qe ka ndergjegje te kulluar, i ndershem etj.

    Keto vargje mbartin vertet nje filozofi jete, filozofine e njeriut qe sipas fishtes po vete kultures shqiptare, duhet te zoteroje nje integritet moral te pacenueshem dhe te jete burre me tri zemra (si thote ne vargje te tjera).

    Vetem keshtu arrihet sipas Fishtes burrnija e vetem keshtu shoqeria mund te jete e perjetshme e ti rezistoje shekujve pa u shkaterruar, pra te jete ndryshe nga mbreterite e qytetet qe :

    E para dekës, atëherë, bijnë rob e mbreta;
    Shkrehen mbretni, qytet kulm rroposen;

    Trimeria ne vend te burrnise nuk do jepte mesazhin e duhur, se nuk eshte vetem me trimeri qe i rezistohet kohes, por duhet edhe ndergjegja e kullueme.

    Keto jane vargje para se ciles veshtire se shqiptaret e sotem nuk mund te mos e ndiejne veten te vegjel e si pasoje nuk mund te mos sillen para saj me arrogance e indiferentizem.

  5. Edhe pse ke shkruar keq, keq fare per nje kombetarist, te kuptoj ashtu si kam kuptuar dhe Fishten c”ka desh me thane.
    Mbeshtetur ne sofizma argumenti nuk ecen dot.
    Fishta thote:
    Vetem s’perkulet para Dekes njai trimi
    dhe jo: … njai burri.

    U be burre, thuhet per kedo qe i dirs mustaqja,
    u be trim, edhe pse ne kete forme perdoret rralle, (u be trim e i doli Dekes balle) perdoret per burrat e rralle, trimat.

    Kjo poezi eshte celik, por si celiku, dhe ngadale, ka te trupezuar perberesin qe e ndryshk.

  6. A jo cyprinon, fjala burre ka disa kuptime ne shqip, i referohet mashkullit kur i dirs mustaqja, per te thene qe ky tani eshte seksualisht i formuar, meqe dirsja e mustaqes nenkupton rritjen e testosteronit. Ne kete kuptim burre do te thote seksualisht gati per riprodhim, pra mund te luaje rolin biologjik te mashkullit.
    Thuhet eshte burre, kur njeriu mban fjalen . Ai eshte tamam burre jo legen.
    Thuhet burre kur eshte seksualisht i fuqishem e ben shume femije.
    Thuhet burre kur eshte trim. Ai po qe eshte burre, e cfare burri, nuk eshte burracak.

    Tek poezia sigurisht qe kapet me teper trimeria e do thote trimi e jo burri, por lajtmotivi i tij nuk eshte thjesht vecoria e burrit ,trimeria sepse Fishta ne keto raste specifikimi perdor vargjet te tipit,’djali nuk dallohej per duke e pashi, por per zemer e trimeri’ qe perdoren shpesh tek Lahuta.

    Pra vecoria e ketyre vargjeve eshte pikerisht moraliteti i mashkullit, kuptimi i plote ‘joseksual’ i fjales burre, pra ndergjegja e kulluar dhe trimeria.

    Aty prandaj jepet se mbreterite nder shekuj zhduken e njerezit vdesin , sepse njerezit nuk njohin burrnine e celikte, pra faktori kohe qe futet jep pergjithesine e vdekja ka kuptimin e zhdukjes.
    Trimi nuk eshte njejes por eshte modeli i Burrit, se nuk eshte se trimi eshte i pavdekshem nder shekuj, njeri eshte edhe ai e kap plumbi dhe e pret shpata, por shoqeria qe perbehet nga te tille njerez nuk shkaterrohet, nuk zhduket neper shekuj ashtu si mbreterite e civilizimet.

    Burrnija e celikte eshte sipas Fishtes perfaqeson formen me te arritur te njeriut, jo vetem trimerine.

    Kjo poezi nuk eshte celik, kjo eshte diamanti i Fishtes , e pavdekshme, eshte nje mesazh qe do risillet perhere ne jeten shqiptare ashtu si mesazhi i Mbinjeriut te Nices, sillet here pas here ne shoqerine europiane e ka per tu risjelle perhere. Me nje vecanti, ka pasur me shume ‘burra fishtjan’
    sesa ‘mbinjerez nicean’.
    Te dyja palet kane nje dobesi: Perbuzin dredhine dhe egoizmin, qe jane nder bazat e civilizimit te shkelqyer.
    Perbuzin italianin le ta percaktojme nje tip njeriu.

  7. A jeni, si jeni, burra!

    Sipas teje përkufizimi i burrit është: trim me ndërgjegje të kulluar; (pa harruar) qe … asaj i rrshet dore. Vetëm Krishti është i tillë burrë: dihet si ai i plotëson këto kushte, dihet “kufiri” i tij qiellor. Nuk shkon: me armë ndër duar/ me ndërgjegje të kulluar.
    Burrnija, cilado qoftë ajo që ne do pranojmë ta quajmë burrni, nuk i shpëton Dekës. Ajo që i shpëton Dekës, kur “Rekton mbarë jeta për nën fyell t’kërçik’e” është mëmësia, lindja, që vjen prej femrës e jo prej mashkullit. Vër re gjinitë femërore, e kujtohu pse rilindasit të dhanë Mëmëdheun.
    Po ripërsëritën pa nevojë aspektin material (mbretëritë që groposen e qytetet që fundosen). Në postimin e parë bëra të qartë se i kërkoja vetes ta ofroja këtë poezi për tek më të mirat e shqipes. Për mua që të bëjë vend atje, duhet edhe që ti japë lexuesit atë që s’ja ka dhënë ndonjë poezi tjetër. Lexuesit dhe poezi je i lutur ti marrësh për botëror dhe botërore. Nuk e ke lexuar Ozymandias, një sonet të Persi Bisi Shellit, botuar më1818, apo vë qëllimisht në punë mosdijen?
    Pranoj sugjerimin për ta quajtur këtë poezi diamant, më saktë diamant sintetik.

  8. Shiko cyprinon, se ketu po bejme nje debat, ku ti akuzon Fishten se ai ja ka futur ‘kot’ per burrnine ne nje poezi mbi burrnine, ndersa une them qe perkundrazi jo vetem nuk ja ka futur kot po ka edhe nje mesazh mjaft te rendesishem per te dhene.

    Tani sa jane gjasat qe nje njeri i pergatitur si Fishta, njeri qe kishte levizur , marre me ceshtjen kombetare e si prift me moralitetin e njeriut dhe sidomos te moralit shqiptar(pertej atij katolik, duke qene se burri i Fishtes nuk ka te beje gati fare me Krishtin),poet epike, pra ky njeri , ne poezine mbi burrnine t’ja fuse kot per burrnine ?

    Eshte e kuptueshme qe ne kete shoqeri te sotme duken perralla, vlera, ide e mesazhe te se kaluares, por veshtire se mund te akuzohet autori i se kaluares se e njihte me keq situaten se autori i tanishem, biles deri ne stadin e keqkuptimit.
    Mund ti veshesh keto vecorite qe dallohen rendom sot per negative, si romanticizmi, kombetarizmi, spiritualizmi etj por nuk mendoj se mund ti korrigjosh mesazhin qe ka dashur te percjelle.

    Deka nuk eshte thjeshte vdekja ne kuptimin e mosfunksionimit te organizmit te njeriut, por ka kuptimin e zhdukjes se nje shoqerie dhe trimi eshte simboli i nje shoqerie qe nuk vdes.
    Behet fjale per mbijetesen e shoqerise ne kete poezi jo ne perjetesine e pavdekshmerine e individit.

    Thua qe duhet ti jape lexuesit ate qe sja ka dhene nje poezi tjeter. Kjo poezi nuk ka te dyte ne poezine shqiptare e as ka per te pasur.
    A e ke lexuar Dosjen H dhe permendjen e Hyja-Njeriut nga Kadareja ? Une nuk e di ne ishte shpikje e Kadarese apo koncept shqiptar ama eshte ne linje me Fishten.

    ‘Nje moral i tille eshte vetlavderim’ – thote Nicja duke folur per krijuesit e moralit.
    Nga kjo shihet nevoja e vetlavderimit ne krijimin e moralit e nevoja e Fishtes per te folur per burrnine e celikte. Perkundrazi perbuzja e vetes sjell cmoralizim apo huazim te moralit, pak a shume c’po bejme keto 20 vjetet e ‘cmitizimit’.

  9. Ai soneti ben fjale per nje Ramses, qe nenkupton dhe nje shoqeri e qyteterim te lulezuar. Une s’kam pse ta kem per njeriun.
    Poezia per burrnine eshte shume e bukur. Burrnia, ajo burrni e kohes qe jetoi Fishta ka qene e shemtuar, dhe e tille mbetet. Prej asaj burrnie ne trasheguam shprehje si ajo e burrit dhe legenit; afersia ne gjuhe shpreh afersine ne jete, burri shihte legenin ne te cilin i lante kembet gruaja.
    Keshtu, une lavderoj Fishten qe prej karbonit te burrnise shqiptare shtypi ne mendjen e vet te ftohte nje diamant. Ai e beri kete kur nje pjese e burrnise shqiptare te asaj kohe beri mrekullira, e ai ju ndjehej detyran, nje pjese e burrnise boterore beri marrezira, e ai… por ama nuk duket se kjo perkon me ate qe poeti tek Fishta e dha tek madhorja Lahute, ne te cilen ai ve ne rol si burrat dhe grate (packa se femrat i ka mitologjike e jo mish koska e mustaqe si burrat). Nga Fishtat brenda Fishtes une jam me te Lahutes dhe jo me te Burrnise. Une nuk akuzoj, nuk them se ai ja fut kot apo ‘kot’, une ve ne raport, trimerine me burrerine, Lahuten me burrnine, shoqerine (jo matriarkale) me patriarkatin.
    Superlativat e tua i pranoj sic pranoj shijet e ndryshme, por me vjen keq qe do perparimin e vendit (gjuhes/poezise) tend dhe shprehesh se si kjo poezi as ka per te pasur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin