MAKINA QEPËSE

singerSi ta shpjegojmë kënaqësinë e fshehtë që ndiejmë, sa herë që dëgjojmë kur ndonjë prej mostri sacri të kulturës dhe të artit sulmohet rëndë, me të drejtë dhe pa të drejtë në publik, ose edhe shkatërrohet krejt, me një batutë të vetme?

Thjesht zili, Schadenfreude, apo konfirmim se ti vetë nuk është se të është hapur gjë gabimisht parashuta në një botë të banuar prej titanësh; apo lehtësim i inferioritetit total, që të pat kapluar dikur, kur u përpoqe me mund t’i qaseshe shpirtërisht ndonjë kolosi të tillë pa ndier dhe kuptuar gjë?

Bach-u është kështu – në madhështinë e tij muzikore ka gjithnjë diçka matematike, ose që kalon përtej perceptimit, për t’u futur në hapësirën e formave ideale. Kompozitori që arrin të krijojë, nga njëra anë, Die Kunst der Fuge dhe nga ana tjetër një arie si Erbarme Dich* nuk i përket të njëjtit univers si ti dhe unë.

Apo i përket megjithatë?

M’u kujtua këto ditë një batutë e kompozitorit anglez Arnold Bax, një romantik dhe impresionist i shekullit XX, të cilit Bach-u nuk i pëlqente shumë (ndoshta ngaqë i kishin mbiemrat praktikisht të njëjtë).

Ky Arnold Bax, të cilit nuk ia njoh mirë muzikën, paskësh thënë njëherë se “Të gjitha kohët e fundit të [koncerteve të] Bach-ut dëgjohen si makina qepëse,” batutë që më mbush me hilaritet, sa herë që e sjell në mendje; edhe pse Bach-ut unë ia adhuroj muzikën.

Në fakt, kush i njeh koncertet e gjermanit të madh (të atyre për tastierë dhe orkestër, ose për violinë dhe orkestër, për oboe dhe orkestër e kështu me radhë; ose më mirë akoma, koncertet e Brandenburg-ut), nuk do ta ketë harruar ritmin e shpejtë, takikardik të kohëve të fundit: allegro, presto, allegro assai…

Dhe, më keq akoma, kush i ka parë këto koncerte të interpretuara në sallë, do ta ketë parë vajtje-ardhjen frenetike të harqeve të violinave, si të ishin sovajka të një makine qepëse ose avlëmendi, të palodhura në endjen e një muzike që kërkon të ngjitet e të ngjitet e të ngjitet deri në klimaksin e heshtjes që e pason.

Shto këtu edhe këmbën që përplas ndonjëherë pa dashur, për të shoqëruar ritmin e ndezur të muzikës, dhe krahasimi me makinën qepëse vjen e bëhet i përsosur.

Pa përmendur pastaj që, kujt përfytyron një makinë qepëse nga ato me pedal, do t’i dalë para syve edhe marka Singer, ose e makinës që këndon.

Batuta kaq epike e Bax-ut duket sikur thotë: Bach-u është vërtet i madh, por jo aq i madh sa të mos ia shohim mangësitë në krijim; dhe kushedi janë këto mangësi që e bëjnë edhe më të madh.

Madje edhe duke e vendosur në një sistem të universit ku edhe muzika e këtij gjeniu, edhe makina qepëse, u binden të njëjtave rregulla e ligjësi logjike të organizimit.

Një mësim për t’u nxjerrë, në mënyrën si u qasemi edhe mostri sacri-ve të kulturës sonë; një përkujtesë se nuk kanë aq nevojë për t’u ruajtur, sesa për t’u trajtuar si njerëz mes njerëzve.

Sa për Bax-un, shpresoj se muzikën – që do t’ia dëgjoj një ditë – ta ketë po aq elegante sa edhe humorin.

Shënim: Zgjodha vetë ta ilustroj arien e njohur, nga oratorioja “Pasioni i Shën Mateut”, me një interpretim të pazakonshëm, vetëm instrumental (violinë, violonçel dhe organo), në vend të interpretimit klasik, me soprano, violinë dhe orkestër; jo të gjithë e shijojnë dot sot mënyrën si këndon sopranoja, ndërsa interpretimi vetëm instrumental kushedi ndiqet më lehtë. Gjithsesi, në YouTube do të gjenden lehtë shumë variante të aries të cilat i qëndrojnë besnike frymës së pjesës dhe qëllimit të kompozitorit vetë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: