SKËNDERBEU T’I DALË ZOT VETES

Shumë nga ne do ta kenë parë lajmin (dhe kushedi edhe videon përkatëse) për disa të rinj në Kaçanik të Kosovës, që kanë “maltretuar” një bust të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Këta të rinj qenkan arrestuar më pas; dhe si për përdhosjen e bustit, ashtu edhe për arrestimin ka pasur protesta.

Madje edhe vetë përdhosja e bustit qenka bërë për të protestuar ndaj pranisë së tepruar të imazherisë së Skënderbeut në Kosovë, sikurse po e thekson ndonjëri tani së fundi.

Tani, mënyra siç e shoh unë këtë, është se ka, në Kosovë, një kontingjent qytetarësh që nuk e gjejnë veten te Skënderbeu, as te roli i këtij në historinë e Shqipërisë, të Perandorisë Osmane dhe të Ballkanit.

Këta njerëz kanë një botëkuptim të vështirë për t’u rrokur, nga qytetarët e Shqipërisë “londineze”, e cila ndjek dhe ushqen një kulturë publike që është drejtpërdrejt vazhduese e politikave kulturore të Rilindjes Kombëtare, ku Skënderbeu luante vend qëndror, qoftë edhe vetëm si kryeshënjues.

Natyrisht, është e drejta e tyre të refuzojnë të identifikohen me Skënderbeun; dhe unë besoj se mund të jesh qytetar me të drejta të plota i Kosovës, dhe të mos kesh kurrfarë nderimi për një figurë historike si Skënderbeu.

Dhe nëse kjo është e drejta e tyre, siç edhe është, mua më mbetet e drejta për t’i refuzuar këta njerëz, për të mos i qasur në grupin ose komunitetin me të cilin identifikohem. Janë të huaj për mua, jo sepse unë nderoj dhe adhuroj gjë Skënderbeun si idhull ose edhe statujat e tij; por sepse i përkas një kulture e cila është themeluar dhe ushqehet me figurën e Skënderbeut, të përpunuar nga Rilindja kombëtare.

Çfarë nuk shkon në këtë mes, është përdhosja e një busti dhe shpërndarja e videos përkatëse – sepse këtu kalojmë nga refuzimi në provokim të natyrës histerike; që nuk mjafton të shpjegohet me papjekurinë e atyre që e kanë bërë.

Kemi të bëjmë, përkundrazi, me një gjest politik që ka implikime të thella.

Jo se kjo përligj arrestimin e atyre që kanë qëlluar një bust me shpullë; por se kjo përligj, madje kërkon një reflektim më të thellë.

“Skënderbeu është hero i Vatikanit, jo i Kosovës”, paskësh deklaruar Forumi i të Rinjve Myslimanë, sipas Shekullit.

A është vërtet kështu? Besoj se Skënderbeu është edhe hero i Vatikanit, për shkak të bashkëpunimit të tij sistematik me Papatin, gjatë çerekshekullit heroik të luftrave të tij anti-osmane.

Sikurse është edhe hero i Mbretërisë së Napolit, ngaqë shkoi dhe luftoi në mbrojtje të Ferdinandit, në trojet e tij të Italisë së Jugut.

Nuk e di se hero i kujt tjetër mund të jetë Skënderbeu – gjithsekush ka të drejtë të zgjedhë heronjtë e vet. Por mua më duket, dhe këtë dua ta theksoj, se Skënderbeu hero i Vatikanit ase i Ferdinandit të Aragonës nuk përkon krejtësisht me Skënderbeun hero të shqiptarëve.

Ne si shqiptarë nuk e ngritëm Skënderbeun në piedestal, as thurëm rreth tij mitin e historisë sonë kombëtare, ngaqë ai bashkëpunoi me Vatikanin ose Venedikun, mori pará prej Papës dhe mbretit Alfons dhe luftoi për të mbrojtur Krishterimin nga rreziku osman.

Përkundrazi, ne e ngritëm Skënderbeun në rangun e heroit kombëtar, ngaqë besojmë se ai filloi t’u jepte arbërve një vetëdije kombëtare, e cila do të kish çuar, në rrethana normale, në konsolidimin e një shteti arbëror në Ballkan; dhe se guxoi t’i bënte ballë, me një grusht luftëtarësh, Perandorisë Osmane – ose po asaj Perandorie nga e cila do të shkëputej Shqipëria e Rilindur, në kohët moderne.

Vetëm ky lexim i figurës së kryezotit të Arbërit i lejoi Rilindësit t’i mbledhin shqiptarët bashkë dhe t’i bëjë të ndihen pjesë e një projekti kombëtar.

Protestat dhe “protestat” juvenile, por jo gjithnjë juvenile, në Kosovë dhe gjetiu, kundër pompimit të tanishëm të Skënderbeut lidhen, qoftë edhe për pretekst, me dy zhvillime të reja në kulturë: (1) propagandimin e Skënderbeut si “atlet të Krishtit” dhe shpëtimtar të Europës; dhe të vetë mitit antemural të Shqipërisë, në kuadrin e përpjekjeve tona, gjithnjë pak të trasha, për t’u dukur europianë të kulluar dhe (2) përvetësimin ndonjëherë agresiv të figurës së Skënderbeut dhe historisë së luftrave të tij nga komuniteti katolik shqiptar dhe kodi kulturor i këtij komuniteti.

Të dy zhvillimet në fjalë kanë pasur ndikim negativ – i pari, sepse e ka denatyruar mitin e Skënderbeut, duke u përpjekur të na bindë se ky paska luftuar – duke rrezikuar gjithçka – “për Europën e krishterë”, gjë që nuk besoj t’i emocionojë shumë disa prej nesh; i dyti, sepse është gjithnjë e rrezikshme, për kohezionin e një kombi fetarisht të përçarë si yni, kur një figurë kombëtare merret peng nga një pakicë dhe përdoret për karshillëk (leverage) ndaj komuniteteve të tjera.

Këtë e kanë vënë re mirë edhe disa qarqe të caktuara kulturore në Kosovë, të cilat tani po thonë se “rinia kosovare rebelohet kundër kultit katolik të Skënderbeut”.

Shto këtu edhe përgatitjet për vizitën e ardhshme të Papës në Tiranë dhe eksitimin përkatës të elitave të kryeqytetit shqiptar, për të kuptuar arsyet e provokimeve të tanishme, të cilat mund të duken si juvenile, por që në fakt ushtrojnë trysni të rrezikshme, në zonat e fërkimit mes pllakave tektonike të shoqërisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

Ka vend këtu për shumë reflektime – duke filluar që nga rishikimi i vetë mënyrës si po kultivohet Skënderbeu në Kosovë, dhe nga kush; dhe duke vazhduar pastaj me nevojën, për komunitetin katolik në Kosovë e kushedi edhe në Shqipëri, që të mbajë parasysh përparësitë taktike në leximet kombëtare shqiptare të Skënderbeut si burrë shteti, gjeneral dhe figurë themeluese të mitit tonë kombëtar, në emër të shmangies së ekstremizmit; më tej, me ftesën autoriteteve të ruajtjes së rendit për të mos mbi-reaguar ndaj provokimeve duke shndërruar provokatorët në martirë; dhe më në fund, me ftesën tjetër, këtë herë autoriteteve laike kosovare, për t’u marrë seriozisht me alfabetizimin kulturor të qytetarëve shqiptarë të shekullit XXI, duke i lënë mënjanë krekosjet, flamujt dhe xhamadanët, si teknika që u ka skaduar tashmë afati.

 

2 Komente

  1. Une mbetem tifoz i teorise qe per aq kohe sa te qenit shqiptar nuk rezulton ne asnje perfitim konkret per 99% te popullates qe ka mbetur atje, hordhite islamiste do te shtohen e do te paraqesin te njejtin rrezik qe komunizmi pati per shqiptaret. Ekuivalentin e luftes te Spanjes po e shikojme ne Siri. Tani le te shohim kush do te jete ekuvalenti i Mehmet Shehut.

  2. Aq banale eshte situata sa degjova nje predikim te nje hoxhe ne Shqiperi qe u pergjerohej te rinjve te mos shkonin ne Siri per shkak se nuk paguanin dot dritat ne Shqiperi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin