JO VETËM PUNË ETIKETASH

Lexoj se Kryetari i Parlamentit të Izraelit, Yuli Edelstein, gjatë një takimi në Jeruzalem me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, paska thënë, mes të tjerash, se

Shqipëria është prova që tregon se Izraeli mund të ketë marrëdhënie të mira me vendet myslimane.

Nuk kam arsye të dyshoj për qëllimet e mira të kësaj deklarate, por ajo, megjithatë, është e pabazë; dhe si e tillë duhej të kundërshtohej menjëherë dhe me delikatesë nga Meta.

Capture

Dhe është e pabazë, thjesht sepse Shqipëria nuk është “vend mysliman”, pa çka se po e dëgjojmë këtë të na thuhet sot nga shumë anë.

Çfarë e bën një vend të jetë mysliman? A mjafton tradita e përkatësisë në një perandori si ajo Osmania, për këtë, apo duhet edhe diçka tjetër, që ka të bëjë me mënyrën si funksionon dhe riprodhohet kultura dhe shoqëria përkatëse?

Në Shqipëri doemos ka një numër të madh praktikantësh të fesë Islame në të gjitha nivelet, dhe një numër edhe më të madh qytetarësh të prejardhur nga familje dikur të fesë islame, por që sot nuk e gjejnë më veten në Islam.

Shifrat për këto komunitete mungojnë, ose janë krejtësisht të pasakta; dhe nuk e përligjin dot pretendimin se “Shqipëria është vend mysliman.”

Për arsye të ndryshme dhe të mirënjohura, Islami luan një rol relativisht margjinal në jetën publike, në shoqërinë dhe në kulturën shqiptare; është fare pak i pranishëm ndër elitat me pushtet dhe pa pushtet, si dhe në sistemin arsimor, akademik dhe universitar, me pak përjashtime. Nuk ka në Shqipëri parti islamike me ndikim në zgjedhësit, nuk ka lëvizje politike me frymëzim islamik; madje nuk ka as ndonjë përpjekje serioze, nga ana e partive politike kryesore, për të mikluar me premtime specifike zgjedhësit e fesë islame, gjatë fushatave elektorale, siç ndodh, përndryshe në Kosovë.

Nuk ka as gjurmë të Islamit, në legjislacionin në fuqi.

Feja islame, në Shqipëri, ka vendin e vet të njohur dhe të respektuar në shoqërinë civile, krahas fesë së krishterë; por ndikimi i saj i mirëfilltë, në fytyrën që i tregon sot shqiptari botës është relativisht i vogël – dhe këtu kam parasysh edhe elitat, të cilat kërkojnë me çdo kusht të tregohen europiane dhe filo-kristiane, edhe pse kjo veçse i bën elitat më kitsch në gjithë kontinentin; edhe masën e qytetarëve, të cilët paraqiten si laikë dhe, jo rrallë, të pafe.

Për arsye edhe politike, sidomos pas 11 shtatorit dhe rritjes së kërcënimit të terrorizmit dhe, përkatësisht, të islamofobisë në Europë dhe përgjithësisht në Perëndim, shqiptarët – herë me të drejtë dhe herë me të shtirur – janë përpjekur të distancohen, publikisht, nga e kaluara e tyre “islamike”.

Vetë Shqipëria, si ide dhe vizion në periudhën e Rilindjes, lindi në kundërvënie me rendin osman islamo-centrik; rilindësit, mes të cilëve kishte besimtarë të feve të ndryshme, por edhe agnostikë dhe ateistë, u përpoqën për t’u dhënë shqiptarëve një vetëdije kombëtare të çliruar nga përkatësia fetare; meqë vetëm ripërmasimi i rolit dhe i peshës së feve në jetën publike të Shqipërisë së ardhshme do të mund t’i siguronte kësaj stabilitetin dhe mbrothësinë, brenda Europës.

Prandaj përcaktimi i Shqipërisë së sotme si “vend mysliman” duhet refuzuar menjëherë, haptazi dhe pa mëdyshje; dhe jo për shkak të ndonjë armiqësie ndaj Islamit ose ndonjë përbuzjeje a përçmimi të qytetarëve shqiptarë që i përkasin kësaj feje; por ngaqë e shtrembëron realitetin, në emër të një oportunizmi shumë të ngjashëm, me atë tjetrin që i bën shqiptarët të përgjëruar pas Krishterimit, që në kohën e Shën Palit dhe pastaj me mitin antemural të Skënderbeut si atlet të Krishtit dhe kryqtar të Papës.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta duhej ta kish refuzuar këtë përcaktim edhe ngaqë Shqipëria, si realitet politik, nuk mund dhe nuk duhet të lejohet të përdoret, nga palë të treta, si provë ose argument për konfliktet e tyre partikulare; në kuptimin që marrëdhëniet e mira që ka Izraeli me Shqipërinë nuk duan të thonë absolutisht asgjë, në kontekstin e konfliktit deri edhe ekzistencial që ka sot Izraeli me disa vende të Lindjes së Mesme, kryesisht arabe, për punë të çështjes palestineze.

Marrëdhëniet e mira Shqipëri-Izrael mund të mbështeten, siç është e logjikshme, në vlerësimin që u bëjnë hebrenjtë shqiptarëve, për mbrojtjen dhe mikpritjen që u dhanë këta të fundit hebrenjve të persekutuar prej nazizmit, gjatë Luftës II Botërore; sikurse mbështeten edhe në faktorin amerikan dhe në maninë tonë proverbiale për t’iu jargavitur atyre që na duken si të fortë; por, të mos harrojmë se këto marrëdhënie janë të mira sidomos ngaqë mes Shqipërisë dhe Izraelit nuk ka kurrfarë mosmarrëveshjesh; dhe kjo mungesë mosmarrëveshjesh vjen edhe ngaqë – ironikisht – Shqipëria e pas-1990-ës nuk është rreshtuar asnjëherë me vendet e njohura si “myslimane”, kur ka qenë puna për të dënuar Izraelin dhe për të përkrahur palestinezët; përkundrazi.

Unë nuk e di nëse Izraeli ka sot nevojë për të gjetur me çdo kusht një vend “mysliman” me të cilin të ketë marrëdhënie miqësore (tani që i ka ftohur punët edhe me Turqinë), në kushtet e një izolimi dhe stigmatizimi diplomatik të pakëndshëm, që tani ka përfshirë edhe shumë vende të Europës Perëndimore dhe që nuk mund të likuidohet lehtë si shprehje e anti-semitizmit. Nuk e di as nëse politika e Tiranës i ka dhënë vërtet përparësi zhvillimit të marrëdhënieve të shumanshme me qeverinë e tanishme izraelite, nga të cilat Shqipëria kushedi mund edhe të përfitojë në shumë fusha jetike.

Me fjalë të tjera, edhe sikur të jetë me rëndësi kritike për interesin kombëtar të Shqipërisë, që ne të mbajmë dhe të kultivojmë marrëdhënie të ngushta politike, ekonomike dhe kulturore me Izraelin, kjo nuk duhet të na detyrojë, si shtet me një profil politik, social dhe historik të caktuar, që të paraqitemi ashtu siç nuk jemi, ose të lejojmë, pa na u dridhur qerpiku, që të tjerët të na pikturojnë ashtu siç u intereson atyre, madje edhe sikur këta interesa të jenë fisnikë deri në fund.

Vërtet kemi investuar në manipulimin e imazhit që i tregojmë botës, ndonjëherë edhe duke paguar miliona dollarë; por ka edhe një kufi, përtej të cilit manipulimi i imazhit shndërrohet në prostituim.

Përveç Izraelit, mund të ketë madje ka edhe vende të tjera që të jenë të interesuara për ta paraqitur Shqipërinë si “myslimane” – herë për mirë, ose për ta sjellë si shembull të një vendi “mysliman” ndryshe; dhe herë e sidomos për keq, ose për të argumentuar se Shqipëria duhet mbajtur larg komunitetit të vendeve Perëndimore (“të krishtera”), pse është bartëse vlerash “të huaja” për këto vende.

Në të gjitha këto kontekste kaq pragmatike dhe jodinjitoze, Shqipëria përfundon e keqparaqitur dhe e përdorur, dhe pikërisht këtë keqparaqitje dhe përdorim duhet ta parandalonte diplomacia jonë, përfshi këtu edhe veprimtarinë diplomatike të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta; dhe ta ndalonte jo ngaqë elitat tona, me dhe pa pushtet, përndryshe “nuk duan” që t’ua përmendësh Islamin në Shqipëri; por ngaqë asnjë e mirë afatgjatë nuk mund të na vijë nga gënjeshtra dhe shtirja.

13 Komente

  1. Perveç qe nuk eshte lehtesisht e verifikueshme nese kjo strategji eshte fitimprurese ose jo, prandaj çdo qendrim ha diskutim, artikulli bazohet tek nje keqkuptim. Ne boten perendimore te quajturit vend i krishtere apo myslyman nuk percaktohet nga numri i besimtareve neper kisha e xhamia ( kam pershtypjen se Franca do dilte vend me shumice myslymane), por nga perqindjet qe ofron tradita.

    Per me teper, tashme kudo qyteterimet po perceptohen me baze fetare (ne vete jemi me te prirur te quajme kroatet katolike me europiane se serbet, hungarezet katolike me europiane se rumunet ortodokse, madje edhe ata te Trasilvanise qe kane ndjekur fatet e hungarezeve per 900 vjet), keshtu qe ne kete bote qe po i jep gjithnje e me shume te drejte Huntington-it, padyshim shqiptaret dalin si komb myslyman.

    Vertet qe ne Shqiperi, tradita ofron raportin 70:30, por ne teresi kombi ka raportin 85:15 dhe ketu ka pak per te lozur me interpretime pasi nen 20% perben padyshim pakice qe nuk merret shume ne konsiderate ne kombformim, shtetformim apo ne çfaredo konteksti ku flitet per shtyllen kurrizore apo per esencen. Ketu nuk ka shume per te diskutuar pse ka minorance qe perfillet e minorance qe s’perfillet, meqenese nuk po merremi me teorite e Sorrosit e te se ardhmes paqesore e tjeterdashese, por me fakte te sterprovuara nga realiteti historiko-politik.

    Duam s’duam, jemi si lakuriqi i nates tek fabula, as shtaze e as shpese, por po aq myslymane sa jane gjitare lakuriqet e nates.

    Nje konsiderate tjeter lidhet me intesitetin politik qe prodhojne fete dhe mbase ne Shqiperine londineze nuk verehet por ne rang mbarekombetar nuk ka dyshim qe Islami prodhon intensitet me te larte, i cili mandej shumefishohet per arsye propagandistike si nga sllavet e Serbise e Maqedonise ashtu edhe nga kryqtaret e rinj te Perendimit. Me intesitet te larte nuk nenkuptoj vetem rol ne politiken e brendshme por edhe ne ate te jashtme, mjaft te verehet numri i luftetareve shqiptare ne Siri e vete ”respekti” qe i beri shqipes Kalifi i ISIS-it. Foli ne 5 gjuhe te botes e njera prej tyre ishte shqipja jone sa e mire, sa bukur, sa e vlere.
    Nuk do ti, po ja qe do Kalifi, Mire Metes, po Kalifit si t’ia bejme hallin.

    Ne fund fare, le t’ia bejme nje nder te ketille Izraelit, shtet ne fije te perit, qe ngjason aq shume ne mbreterine e Jeruzalemit qe krijuan kryqtaret ne vitin 1099, saqe jeta e tij mund te parashikohet aq e gjate/shkurter sa edhe e shtetit kryqtar te mesjetes, i lidhur kerthizisht me fuqine dhe deshiren ekspansive te Perendimit.

    1. Më lexohesh shumë fatalist dhe i gjunjëzuar para traditës. Në fakt shumëçka me vlerë që ka ndodhur në Europë, këtë gjysmë shekulli, ka qenë pikërisht në sfidë dhe në kundërshtim të traditës – duke filluar me armiqësinë franko-gjermane, që u shndërrua në miqësi solide mbi bazë interesi. Dhe, nëse vërtet duam të flasim për traditë, le të mos harrojmë rrethanat kur u krijua Shqipëria – kush e krijoi, si dhe pse: si një largim nga Perandoria Osmane; dhe është pikërisht ky largim i vetëdijshëm që na afron, sado paradoksalisht, me Turqinë e sotme laike, e cila gjithashtu u themelua mbi largimin nga e shkuara, dhe tradita osmane.

      1. Nuk besoj se ka rendesi çfare dua une apo çfare do ti, madje as çfare do Meta e Rama, sepse Kalifi i ISIS-it apo kreret izraelite nuk varen nga ne. Nga ne nuk varet as domethenia perendimore e nje vendi te krishtere apo myslyman. Ne mund t’i japim percaktimin tone se kur nje vend mund ta quajme te krishtere apo myslyman, kaq besoj se kemi ne dore, por jo te ndryshojme te tjeret. Mund te refuzojme edhe qe te tjeret te na ndryshojne sipas ligjit aksion-reaksion.
        Gjithsesi keto na sjellin perseri tek problemi se ne marredhenie ka rendesi edhe si na sheh tjetri jo vetem si e shohim veten, keshtu qe nqs tjetri ne marredheniet nderkombetare na sheh si myslymane duke qene se me te njejtin arsyetim i del vetja i krishtere (çifut,budist,induist, shintoist etj), atehere kemi nje problem qe nuk varet nga ne. O do perpiqemi te nxjerrim ndonje fitim duke ua pranuar kendveshtrimin ose do te perpiqemi me sa eshte e mundur t’u mbushim mendjen se nuk jemi komb myslyman (gje qe ne fakt nuk se sjell ndonje fitim).

    2. Ne boten perendimore te quajturit vend i krishtere apo myslyman nuk percaktohet nga numri i besimtareve neper kisha e xhamia, por nga perqindjet qe ofron tradita.

      Cila tradite? Po vende me shume nuanca si Shqiperia po Libani ne cilen shporte u dashka te futen?

      1. Libani per ate qe eshte, nuk se po ndahen fiqte neper shporta.
        Shqiptaret si komb jane diku 85:15, aty afer jane edhe egjiptianet me nje mesatare te pretendimeve diku tek 10-15% te krishtere te kishave te ndryshme.
        Sigurisht qe mund te kete vetem krahasim sasie mes shqiptareve dhe egjiptianeve, por jo cilesie, meqe Islami ne Shqiperi pati abort kulturor.

        Ceshtja eshte se nuk mund te ”sqarosh” dot se pse nuk je vend apo komb myslyman, pasi nuk mund te nxjerresh dot qe je i krishtere dhe nuk ta merr kush parasysh qe je me shumice ateiste e anjostike, meqenese gjithe Perendimi eshte me shumice te atille (por jo per kete je njesoj).
        Keshtu qe me mire mos te ngacmohet fare kjo çeshtje e nese e ngacmojne te tjeret duhet te dalim patjeter myslymane te mire.

        Mund te spekullohet se xha xhai shqetesohet deri diku se mos te qenit vend islamik te ben vend te dyshimte per Perendimin, per te mos thene armik te mundshem, meqenese ka kohe qe armiku i filmave hollivudiane eshte rregullisht myslyman, anipse terrorist, sikunder deri dje ishte rus, anipse komunist.

        1. Unë ndonjëherë e mendoj kështu – si për veten time. Unë nuk jam as mysliman, as i krishterë. Që rrjedh nga një familje myslimane, kjo nuk diskutohet, por edhe nuk do të thotë gjë… shumë, shumë, më bën të tregoj më shumë mirëkuptim për diversitetin fetar dhe të mos i shoh myslimanët si karikaturën e Tjetrit. Por sikur të më thoshte njeri që ti je mysliman, ose të më trajtonte njeri si të tillë, unë nuk do të pranoja – thjesht ngaqë nuk është e vërtetë. Të jesh mysliman, do të thotë të përmbushësh disa kritere – të cilat në rastin e individit mund të ndryshojnë nga kriteret që përdoren në rastin e një shteti ose të një kombi, por prapë kritere janë. Dhe unë nuk i përmbush. As Shqipëria i përmbush. Atëherë pse duhet t’i lëmë të tjerët t’i bien kësaj cyleje të shtrembër, pa i kundërshtuar? Sepse ata na duan myslimanë, që pastaj të na shesin si “myslimanë të mirë”, ndryshe nga ata të tjerët, të ligjtë; ndërsa ne mund dhe duhet të paraqitemi si një shtet ku myslimanët janë po aq qytetarë sa edhe të krishterët dhe agnostikët; por nuk “tolerohen” si në Europë, as celebrohen, si të ishin cirk shëtitës; dhe as luftohen e përbuzen. Pra, një shtet jo mysliman, ku myslimanët janë normalizuar.

            1. Unë të them vetëm se të dhëna si këto që sjell u duhen treguar atyre që e quajnë Shqipërinë “vend mysliman.”

          1. Unë të them vetëm se të dhëna si këto që sjell u duhen treguar atyre që e quajnë Shqipërinë “vend mysliman.”

            Kerkoj ndjese, nje problem ne kompjuter nuk me lejoi ti pergjigjesha nen degen e Hyllinit.

          2. Per mendimin tim, kur vjen puna tek feja fshihemi pas Shqiperise londineze, perndryshe pohojme qe shqiptaret jane 7-8 apo 10 milion ( E. Hoxha qe ne 1980 thoshte jemi komb 6 milionesh).
            Une vazhdoj te flas per gjithe shqiptaret, ne menyre qe te mos na ndaje qasja ndaje fese me Kosoven e Maqedonine, kurse ketu lexoj kembengulje qe ”te distancohemi” si shqiptare londineze ndaj atyre ne Kosove e Maqedoni. Pra vete ne te paret i fusim nje diskriminim fetar, keshtu si me lezet, si per te pohuar qe Perendimi duhet te na trajtoje ndryshe sepse ne jemi ”vertet ndryshe”. Pak a shume i bie qe ne te Shqiperise londineze jemi absolutisht te mire, ata andej jo edhe aq.
            Po na ndau qasja ndaj fese atehere eshte rruge e shkurter per tek ndarja prej fese. Ne kete kendveshtrim i bie qe perendimoret e çifutet na bejne nder te madh qe na quajne te gjitheve si myslymane te mire.

          3. Po na ndau qasja ndaj fese atehere eshte rruge e shkurter per tek ndarja prej fese.

            Sigurisht qe dikush nga Shqiperia do te kete tjeter qasje nga dikush nga pjesa tjeter e shqiposferes ku feja u instrumentalizua nga qeverite e huaja per interes te tyre. S’ka pse te jete faktor percares qasja.

  2. Dakort me menyren se si e shtroni ceshtjen Xha Xha. Por ka nje problem te madh. Shqiperia vetem ” …nje shtet normal ku myslimanet jane normalizuar” nuk eshte. Sepse Shqiperia ose me sakte nje pjese e mire e saj (sidomos ata qe kane ne duar pushtet e media) ka treguar se ka nje problem te madh me myslimanet. Nje problem qe ata as vete nuk e dine se c’eshte. Kjo sepse ata por edhe vendi si i tille eshte ne nje konfuzion se cfare eshte me tamam. Ne keto raste mire eshte t’i shpjegohet te huajve se Shqiperia nuk eshte nje vend musliman. Eshte nje vend Rrumpalle. Por nuk e besoj se Izraelitet apo shume te tjere do ta kuptonin kete koncept mental …

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin