T’I GËZONI BOMBAT

Më la përshtypje të keqe titulli i një lajmiTema, në lidhje me qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj operacioneve ushtarake në Libi.

Natyrisht, e kam fjalën për foljen përshëndet, e cila – gjithnjë për mendimin tim – e bart me vete një konotacion gëzimi ose entuziazmi.

Fjala më e përshtatshme këtu do të ishte mbështet (shpreh mbështetjen, solidarizohet me, përkrah, rreshtohet përkrah etj.), sepse në fakt kryeministri shqiptar pikërisht këtë po bën, po mbështet një iniciativë të marrë tjetërkund, që lidhet me veprime ushtarake në një vend të largët, të huaj për Shqipërinë.

Madje edhe miraton do të ishte e tepërt në këtë kontekst, sepse Berishën tonë nuk e ka pyetur kush, nëse duhet sulmuar regjimi i Kadafit nga ajri apo jo.

Sa për përshëndet, në një kontekst si ky, ndoshta do të mund të përdorej nga rebelët që kanë ngritur krye kundër Kadafit; sepse për ata sulmet ajrore janë drejtpërdrejt lehtësim dhe shpresë, ose arsye për të marrë frymë dhe për t’u gëzuar.

Qeveria shqiptare, më anë tjetër, nuk ka pse të gëzohet kur bien bomba nga qielli – as në Libi, as në Irak, as në Afganistan; bombat vrasin dhe historia ka treguar se bombat nuk bëjnë dallim mes të mirëve dhe të ligjve, të fajshmve dhe të pafajshmve, sheqerit dhe shapit.

Ndonjëherë nuk ka rrugë tjetër – e pranoj. Kadafi thuhet se po masakron të vetët, me armë të blera nga pikërisht vendet që tani po e sulmojnë, me mercenarë të paguar me fitimet që ka nxjerrë duke u shitur naftë dhe gaz vendeve që tani po e sulmojnë.

Ndoshta dhe pavarësisht nga fiaskoja në Irak dhe në Afganistan, Perëndimit i ka mbetur (në dorë) e drejta morale për të bërë diçka, kur një regjim kthehet kundër popullit – kjo tingëllon mirë edhe për shqiptarët vetë, edhe pse jo ekzaktësisht për Berishën.

(Kur disa pilotë të Kadafit refuzuan të zbatojnë urdhrat e shefit të tyre dhe u arratisën në Itali, mua m’u kujtua menjëherë një incident i ngjashëm, gjatë trazirave të vitit 1997; në atë kohë, mes Berishës dhe Kadafit, nuk di se ç’përshëndetje po shkëmbeheshin; por kjo është çështje tjetër.)

Gjithsesi, të vijmë te përshëndetja – gjest që nënkupton gëzim, entuziazëm, haré. Në leksikun politik të shqipes, ky përdorim si më sipër është mbijetojë e megalomanisë së djeshme, kur regjimi totalitar i Hoxhës përshëndeste “revolucionet” anembanë botës dhe luftrat e popujve për liri – por këtu kemi të bëjmë me zhargon që përdoret mes rebelësh, ndoshta revolucionarësh; diçka si “high-five” mes kryengritësish dhe barrikadistësh, që sapo kanë marrë në kontroll Pallatin e Dimrit (me nder jush).

Në krye kujtova se mos për titullin më lart duhet të bëja me faj redaksinë e Temës, e cila kish shfrytëzuar rastin për t’i futur një thumb tërthorazi entuziastit tonë kryeministër; mirëpo pastaj pashë se i njëjti term dhe e njëjta atmosferë festive gjendej edhe në faqen zyrtare të KM-së.

Nuk ka komente

  1. Mbase nje interpretim i “pershendetjes” mund te ishte “u uron shendet” bombarduesve, ne kuptimin qe ta permbushin misionin ushtarak pa pasoja.

    Nje test interesant per lexuesve te ketij blogu do te ishte: imagjinoni sikur te ishin duke punuar per Berishen dhe do t’u jepej detyra te shkruanit mesazhin ne mbeshtetje te bombardimeve. Si do ta formulonit ju? Cfare titulli do te perdornit?

    Sigurisht qe pergjigjia me e thjeshte do te ishte: nuk do te punoja per Berishen. Mbase pergjigjia me e mire morale, mirepo nga ana gjuhesore e teknike jepeni nje shembull. Jam vertet kurioz.

    Shembuj:
    “Berisha mbeshtet moralisht sulmin mbi Libine”
    “Berisha mesazh aleateve: Shqiperia eshte me ju”
    “Berisha: Ju mbeshtesim nga larg”
    “Berisha: Godisni edhe ne emrin tone”

    Mbaj mend parrullen kur nisen bombardimet ne Kosove: “Bill Clinton, te lumte palla”. (Jo fare e palidhur me skandalin e presidentit me stazhieren Monika Lewisnky.)

  2. Xhaxha,

    Berisha eshte vete nje Kadaf i demokratizuar. Cfare po i ndodh Kadafit sot eshte cfare i ndodhi Berishes ne vitet 90. Por ne ndryshim me Berishen, Kadafi eshte diktatori me i ndritur dhe kreativ i botes arabe. Ka nje origjinalitet beduini qe nuk pranon as demokracine, as te drejtat e njeriut, as zgjedhje te lira, as demokraci, as krishterim, as ndarje pushteti sipas modelit perendimor. Asgje!

    Eshte me pak fjale nje despot i mrekullueshem oriental qe me arrogancen e tij nuk ka lene lider arab, e hipokrit perendimor pa ofenduar. Eshte nje hasem i vjeter i imperializmit perendimor qe tani qe po plakej u mundua te behet mik me hasmit e tij, te cilet me hipokrizine me te madhe po bombardojne ate me te cilin pinin kafe paj jave me pare.

    Ama Berisha eshte nje skuth, nje qen i rrahur keq nga Perendimi, qe pasi ka mesuar lojen e kerbacit Perendimor, eshte i gatshem te luaj skilen me te poshter qe i duhet perendimit per te qendruar ne pushtet. Berisha nuk meriton as te konsiderohet si skllav i Kadafit.

    Kadafi eshte amazingly great. I ashper, despot, islamik, beduin, i pa predikueshem. Eshte madheshtor.

    1. …”Kadafi eshte amazingly great. I ashper, despot, islamik, beduin, i pa predikueshem. Eshte madheshtor…”

      Aha. Sindroma e Laurencit te Arabise ? Apo eshte subsindrome …

      Gadafi eshte nja 100 vjet me vonese, eshte anakronik, eshte historikisht i vdekur. Eshte figure don kishoteske, i cili per dreq s`eshte personazh libri, por personazh i vertet, qe kur i mbushet mendja, ne emer te revolucionit te tij jeshil (te leshit), edhe te merr jeten.
      Njelloj me ate idiotin ne Shqiperi, qe ne emer te shtetit te vet (l’etat c`est lui),kujton se ka te drejte te vrase.

      Ndryshimi midis Gadafit dhe Sales, eshte se beduini ka shkruajtur nje liber. Ky idioti jone akoma jo. Por perndryshe te dy jane te semure nga trute e kokes.

      “Une i urrej vjershat politike. S`jane per mua…” – shkruante dikur nje nga libianet me te medhenj. Por jo ne arabisht

    2. Ka shume art dhe mizori ne fytyren e tij- Ky ishte perkufizimi qe nje femer beri per Gedafin.

      Ne fakt fotografite e tij jane copeza te rralla te nje profili politik qe ka dale nga koha. Per pasoje edhe ne kete drejtim mbeten histori. Pa lene menjane ate qe thote, qe nuk e has ne asnje lloj komunikimi. Ta zeme: Gazetaret e huaj jane qener dhe genjeshtare, ose: ata qe nuk me kane dashur do perfundojne ne ferr.

      Per “analogji”, neper pub-et e Tiranes ndodh jo rralle te shohesh fotografi te Churchill-i, me kapelen e tij, sy te qeshur dhe nje puro qe zgjatet para me nje arrogance karizmatike. E cuditshme sesi shumecka qe luftohet sot ne emer te parimeve qe mundesojne sistemin ku jetojme(te cilin na kane mbushur mendjen se eshte me i mire)apo qe lihet pas si nje e dhene qe ushqen anakronizem, fiton vlere “artistike”, apo bujt ne mjedise te ketilla, pa qene asnjehere deshmi konservatorizmi. Prandaj edhe sado qe pershendet Shqiperia e standardeve, “underground”, duket se Gedafi mund te aktualizohet si nje lloj Fideli afrikan qe terheq me vete nje lloje mode.

  3. Ndersa mua kjo pershendetje e Sali-ut per fillimin e sulmit nderkombetar ndaj regjimit gjakatar te Kadafit, me duket si nje urim tinzar qe ben nje njeri ziliqar, i cili ferkon duart sepse diktatoret e tjere po zbythen nje e nga nje, duke e lene ate “number one”. Dikush mund te thote se kjo nuk qendron, pasi dhe ky Saliu nuk eshte aq budalla sa te mos kuptoje qe shpejt a vone do ti vije edhe radha atij. E bukura ne fakt eshte se ai nuk e kupton kete gje. Dhe ska se si, pasi semundjen e te qenit i pari me hir a me pahir e ka ne gen!

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: