RREGULLA MBI RREGULLA

Pak kohë më parë, vendimi i qeverisë shqiptare për rregullimin e marrëdhënieve me jashtë të institucioneve të ndryshme tërhoqi vëmendjen e shumë mediave, disa prej të cilave e vunë edhe në faqe të parë.

Titujt u përqendruan kryesisht tek njoftimi se ministrat e ndryshëm duhet të marrin leje për udhëtimet që zhvillojnë jashtë shtetit tek Ministri i jashtëm. Lajmi u personalizua me emrin e Bushatit dhe me idenë e kontrollit të Ramës ndaj qeveritarëve. Por kryesorja, lajmi u dha si diçka e re, e panjohur më parë.

Ja disa tituj: Vendimi i Ramës, “Ministrat relacion tek Bushati për bisedat me diplomatët e huaj brenda e jashtë vendit (Oranews), Qeveria: Biseda me të huajt, ministrat raport tek Bushati. Vizitat jashtë, me leje nga MPJ dhe Rama (Balkanweb), Zbardhet urdhri, Rama izolon ministrat, zv/ministrat dhe kryebashkiakët: Mos bëni asnjë vizitë, ftesë, lëvizje dhe deklaratë jashtë shtetit pa pyetur Ditmir Bushatin (Sot), Leje dhe raportim te Ditmir Bushati për çdo kontakt dhe bisedë me të huajt (Tema), Urdhri:Ministrat të marrin leje te Bushati për vizitat jashtë vendit (Shqiptarja) e kështu me radhë.

Vendimi i qeverisë Rama (Nr. 734, datë 9.9.2015, Për rregullimin e veprimtarisë me jashtë të administratës shtetërore) në thelb nuk është i jashtëzakonshëm (mund ta lexoni këtu). Që në ligjin e vitit 2003 për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë (Nr. 9095, datë 3.7.2003) vendosej përparësia e Ministrisë së Jashtme në raport me vendet e huaja. Në fakt neni 5 thoshte: “Bashkëpunimi me institucionet e tjera. Ministritë, institucionet qendrore dhe organet e pushtetit vendor ushtrojnë funksione të marrëdhënieve me jashtë brenda fushës së veprimtarisë së tyre. Në ushtrimin e këtyre funksioneve ato veprojnë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe e njoftojnë atë për çdo veprimtari”.

Pra vendimi i qeverisë Rama vetëm sa disiplinon duke i artikuluar me akt të posaçëm funksionet e veprimtaritë e institucioneve të ndryshme në marrëdhëniet me jashtë.

Duhet të shtojmë se praktika e bashkëpunimit të institucioneve të ndryshme (edhe ato vendore) me Ministrinë e jashtme, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me jashtë, duhet konsideruar si diçka normale dhe e natyrshme. Ministria e jashtme është ndërfaqja e qeverisë me botën dhe si e tillë i takon asaj të filtrojë e/o të bashkërendojë marrëdhëniet e Ministrive të tjera kur këto flasin me jashtë. Gjithsesi kemi të bëjmë me diçka të njohur, me një praktikë tashmë të konsoliduar në botë.

Po përse vallë Rama e nxjerr pikërisht tani këtë vendim me udhëzime kaq të hollësishme e kaq shtrënguese? Aq më tepër që, nga ana thelbësore e institucionale, nuk kemi asgjë të re? Një rregull mbi rregull? Për arsyet kontingjente mund të hamendësohet, se nuk pati ndonjë konferencë shtypi që ta shtjellonte këtë vendim, por një gjë është e sigurtë: Rama e nxori vendimin se e konsideron të nevojshëm. E këtu mund të përfytyrojmë nevojën për t’i sistemuar pak marrëdhëniet me jashtë, meqë ma merr mendja, udhëtimet jashtë vendosen sipas kokës së çdo institucioni që, sipas gjasës, as e marrin mundimin t’i dërgojnë informacion për objektin e rezultatet e takimeve. Sa andej këtej, dëgjohen gjithnjë zëra kritikë për kaosin e udhëtimeve jashtë dhe mungesën e koordinimit të tyre. E jo vetëm gjatë kësaj qeverie.

Nuk mund të përjashtohen motivet e brendshme, pra që kanë të bëjnë me qeverinë, sikurse nuk mund të injorohen edhe episode problematike që mund të kenë ndodhur. Por këto kanë rëndësi relative, nëse ekzistojnë. Përkundrazi, mund të ketë arsye politike më serioze. Pikërisht në këto momente, ndoshta Rama dëshiron që t’i marrë në duar frerët e politikës së jashtme dhe të komunikimit me botën, sepse e kupton që aktualisht ato kanë rëndësi jetike për qeverinë e tij. Shumë nga këto arsye u trajtuan në shkrimin e në komentet e “Me vrap drejt Europës“. Fakt është që Shqipëria dhe qeveria e saj nuk mund t’ia lejojë vetes luksin që t’i paraqiten faktorit ndërkombëtar si tek komedia e Mario Monicelli-t: L’armata Brancaleone.

Pavarësisht se vendimi i mësipërm mund të ketë cenet e veta, duke filluar nga qëndrimi prej tutori ndaj ministrave të tjerë, duhet të pranojmë se vendimi nuk është i mjaftueshëm, për sa kohë nuk do të mbështetet nga një kulturë e caktuar pune. Mbaj mend se vite më parë, në një takim për sindikatat, përfaqësuesi i sindikatës gjermane më tregoi se, pas vizitës që kishte bërë në Ballkan, i kishte dërguar një relacion të hollësishëm Ministrisë së jashtme të Gjermanisë. Nga sa e kuptova e kishin si praktikë. Madje të njëjtën gjë kishin bërë edhe disa fondacione e organizata jo qeveritare. Natyrisht, nuk e kanë për detyrë, se nuk bëjnë pjesë në administratë, por mendojnë se kështu ndihmojnë në përpunimin e strategjisë së vendit të tyre në marrëdhëniet me jashtë. E gjithsesi, dëshirojnë të jenë bashkëbisedues, pra faktorë në raport me shtetin. Tek e fundit, nuk e ndjejnë veten jashtë strategjisë së vendit, edhe kur kanë pikëpamje të ndryshme. Kjo presupozon që nga ana tjetër të ketë dëgjues, përndryshe askush nuk dërgon relacione vetëm për arkivin.

Tani, kuptohet që kur ka teprime e prapamendime, kontrolli i rreptë i marrëdhënieve me jashtë të lë një shije që na kujton kohë të shkuara, por jo të harruara, sepse tendencat autoritare mund të vihen re edhe këtu. Por ideja është se shteti shqiptar duhet të mësojë të sillet si sistem i vetëm dhe të punojë në rrjet në mënyrë të koordinuar. Mundësisht pa urdhra me ngjyrë ushtarake. Përndryshe na pret metafora e filmit të famshëm të Monicelli-t.

Nuk ka komente

  1. Shtetit shqiptar, pervec deshires se mire, i mungon ne menyre te tmerrshme pikerisht kjo: ngrehina e dokumentave, urdheresave te brendshme, manualeve te procedures dhe gjithe ato dokumentave te tjera qe perbejne ngrehinen burokratike te nje shteti modern. Kjo ngrehine nga jashte duket si nje behemoth shtypes por po ta shikosh me kujdes, eshte garancia me e mire, packa se vazhdimisht ne permiresim, qe publiku ka ndaj abuzimit te individeve dhe institucioneve, si ndaj publikut edhe ndaj fondeve publike.
    Thene kjo, cdo dokument, akt nenligjor, urdherese me shkrim, etj, qe i zvogelon brimat e abuzimit eshte e mirepritur nga dashamiresit e rregullit, qofshin keto edhe “redundant”.
    Zbatimi po ashtu eshte i mire, por kur nuk eshte e qarte se c’duhet te zbatohet, kjo perben problem.
    Dhe nje nga veglat per rritjen e zbatueshmerise eshte pikerisht ajo burokracia qe prodhon dokumenta e “commentary” mbi dokumentat, aktet nenligjore, ligjet e keshtu me rradhe.

  2. Pervec faktit qe kjo eshte pune rutine e cdo drejtorie pergjegjese per marredheniet me jashte, pjese e organikes ne cdo ministri, une e shoh problematike kete nderhyrje te kryeministrit mbi “institucionet e tjera dhe qeverise vendore”.

    P.sh. qeveria vendore ka autonomi, ndersa vendimi pika 3 shprehet se ” në korrespondencën me
    ambasadorë e përfaqësues të tjerë të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë, për çështje
    me karakter politik … duhet te njoftojne.. paraprakisht” dhe te marrin miratimin e ministrise e jashtme..

    Kush e vendos se cfare do te thote karakter politik?

    Kerkohet relacion per takime me personalitete te huaja – pikesepari, nese keta jane te akredituar apo me ftese te shtetit, njoftohet gjithsesi ministria e jashtme, perndryshe “personalitete” mund te jene edhe ata qe vijne me pushime e nuk ka pse kryetari i bashkise ti percjelle info ministrise se jashtme..

    kesisoj duan gjasme te rregullojne ato informacionet qe percilleshin neper ambasadore nga deputete dhe zyrtare te larte, sic deshmoi Wikileaks, nuk besoj se ka ndonje qellim te mire pervec se te merret vesh se kush takon ke.

    perndryshe, sic thashe, kjo pune eshte rutine dhe vendimi nuk ka sjelle ndonje gje te re.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: