Demis Roussos në Tiranë

Lexova te “Koha Jonë” së këngëtari i shquar dhe i harruar grek Demis Roussos është ftuar të japë një koncert në Shqipëri, më ç’rast autori i shkrimit shprehte indinjatën e vet për çmimet e larta të biletave, të cilat çmime, sipas tij, e shndërronin aktivitetin në një lloj zbavitjeje ekskluzive për elitën tiranase. “Koha Jonë” tani së fundi rreshtohet gjithnjë e më hapur në pozicione populiste, me sa duket më synimin për të bërë për vetë sa më shumë lexues, që t’ua pilotojë votat në momentin e duhur, po edhe kjo nuk e përligj dot pretendimin – qesharak – për t’i hapur dyert e sallës të koncertit, që të lihen të hyjnë edhe ata që nuk ua mban dot xhepi çmimin e tanishëm. Megjithëse unë e di fare mirë që elita e re tiranase mezi pret që të mbërrijë ora e ekzibicionit të radhës (asgjë për t’u habitur: ekzibicionizmi është pjesë e definicionit të një elite), prapë më pëlqen ta përfytyroj mbrëmjen me Demis Roussos si një katarsis nostalgjik për të gjithë ata që e deshën këngëtarin në kohën e “Aphrodite’s Child”, e të bashkëpunimit të tij më një nga muzikantët bashkëkohorë më gjenialë, grekun Vangelis, e që nuk ma merr mendja të jenë aq shumë sa të rrezikohet shqyerja e rrufeshme e dyerve të sallës nga turma e pabiletë. Megjithëse më kujtohet edhe kur na erdhi një herë në Tiranë dirigjenti suedez Hans Joachim Rips, dhe policia nuk po e kontrollonte dot më sheshin Skënderbëj, aq sa me siguri andej nga blloku i udhëheqjes kaluan në ndonjë plan emergjence nr. 3, pse pakkush do ta parashikonte që garipat e rrugës së Barrikadave do të përlesheshin më dëshpërim për të dëgjuar live suitën “Peer Gynt” të Grieg-ut! O tempora, o mores! Prandaj edhe përpiqem të marr më mend një lidhje mes thyerjes së atëhershme të xhamave të Pallatit të Kulturës, dhe zemërimit të sotëm të të gjithë atyre që do të mbetën pa e dëgjuar “yllin” grek të rokut progresiv të fillimit të viteve ‘70, të cilin zemërim na e përcjell tani më frymë të lartë kulturale “Koha Jonë”. Këtyre gazetarëve do t’u këtë mbetur ora natën kur Ramiz Alia lejoi çiftin kitsch Albano & Romina të kendonin para turmës oqeanike të Stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”: në një event që pa dashje u kthye në epifaninë politikisht më transgresive të muzikës pop italiane a la Sanremo e Canzonissima. Ndoshta ka ende tutkunë në Tiranë që ëndërrojnë të kurdisin një revolucion të ri të kadifenjtë, duke zhvarrosur skema të thjeshta të regjimit.

[2000]

2 Komente

  1. ….”rain and tears” – …xhaxha?…
    …ka disa kengetare te medhenj qe megjithese jeton ne mes te usa nuk arrin ti shikoh dot ne koncert…
    ….duhet me emigru ne shqiperi ti shikosh… 🙂

  2. Mos fol më, sepse unë edhe Vangelis e kam pikë të dobët dhe e dëgjoj gjithnjë. Megjithatë, as në NYC nuk mund të ankohesh — sepse unë kam parë, bie fjala, Jethro Tull live…

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: