Mbijetesa shqiptare

Nga lashtësia deri vonë në Mesjetë, gjuhës shqipe i është rrezikuar mbijetesa më parë nga latinishtja, më pas nga sllavishtja. Kur trojet ilire u bënë pjesë e Romës, filloi edhe romanizimi i tyre intensiv; dhe ndryshe nga grekët e lashtë që vetëm ngrinin ndonjë koloni në bregdet për të bërë tregti me vendasit, romakët e kryenin romanizimin duke sjellë kolonë në trojet përkatëse, çka ndodhi jo vetëm në Ballkan, por edhe në Gali, Iberi e deri diku në Britani të Madhe. Në Ballkanin Perëndimor, kolonët latinishtfolës të Romës u vendosën ca në qytetet e ca në ultësira e sidomos atje ku kalonin rrugët publike e në lugina të lumenjve, siç e tregojnë sot edhe emrat e vendeve. Sikur të ishte kryer i plotë romanizimi edhe ndaj paraardhësve të shqiptarëve, ne do të kishim përfunduar diçka si rumunët, të cilët në thelb rrjedhin prej dakëve ose trakëve por flasin një formë të latinishtes ballkanike, me elemente të substratit të gjuhës jolatine që flisnin dikur. Mirëpo kjo nuk ndodhi, dhe vetë ekzistenca jonë sot provon se pati disa pjesë të Ballkanit jogrek të cilat i bënë ballë romanizimit. Se pse ndodhi kjo pikërisht, asnjë nuk e di; por logjika ta do që stërgjyshët e shqiptarëve të sotëm jetonin në një mënyrë të tillë, që nuk i ekspozonte shumë ndaj romanizimit. Kjo don të thotë, praktikisht, që jetonin në zona të izoluara; p.sh. në lugina të mbyllura; ose kishin një ekzistencë shtegtuese, si barinj bagëtish të imta. Analiza e shtresës më të lashtë të shqipes së sotme tregon se, në lashtësi, kjo flitej në një trevë jo shumë afër greqishtes, por edhe jo shumë larg; e nga ana tjetër, në kontakt të ngushtë me të parët e rumunëve.

Nuk ka dyshim, nga ana tjetër, që parashqipja në lashtësi flitej kudo në Ballkanin perëndimor e qendror, por një pjesë e mirë e folësve të saj përfunduan të romanizuar. Ne të sotmit jemi vazhdues të atyre stërgjyshëve tanë që e ruajtën gjuhën, jo të atyre që e humbën – gjë që ndonjëherë nuk mbahet parasysh sa duhet. Përsëri logjika ta do që romanizimit t’i kenë shpëtuar edhe enklava të tjera në Ballkanin jogrek, qoftë ilire qoftë trakase. Ka dëshmi historike për fisin trakas të besëve, i cili kishte mbijetuar deri në Mesjetën e Hershme në zonat qendrore të Ballkanit. Mbeturina të ilirëve mendohet t’u kenë mbijetuar romakëve edhe në trevat rreth Bosnjës së sotme. Megjithatë, çka kursyen latinët, e vunë përpara sllavët, të cilët u dyndën në Ballkan deri poshtë në Greqi, duke ia shkatërruar krejt strukturat riprodhuese qytetërimit latin, me përjashtim të pak qyteteve në bregdet, si Durrësi, që u rezistuan. Gjurmët e ngulimeve sllave në Shqipëri mund të ndiqen nëpërmjet emrave të vendeve; të cilat tregojnë se këta u vendosën më shumë në Jug sesa në Veri, dhe pati disa zona, si p.sh. Mati, ku ngulime sllave pothuajse nuk ka pasur. Megjithatë, ndikimi i sllavishtes në shqipen nuk ishte aq i fortë sa ndikimi i latinishtes më parë; çka tregon se shqiptarët e hershëm dhanë e morën me sllavët më shumë si të barabartë. Me kalimin e kohës, një pjesë e sllavëve përfunduan të asimiluar prej shqiptarëve në trojet ku flitet shqipja sot, sikurse një pjesë e shqiptarëve përfunduan të asimiluar prej sllavëve gjetiu. Përkundrazi, në Dalmaci e gjetiu, sllavët ia dolën të zhdukin çdo gjurmë mbijetese të popullsisë latine dhe ilire të lashtësisë, me përjashtim të qyteteve të bregdetit, ku latiniteti u ruajt deri në kohët e reja. Zhdukja e atyre popullsive duhet kuptuar më tepër si asimilim, ose ndërrim gjuhe dhe kulture; dhe nuk është e rastit që sllavët e Bosnjës kanë përfaqësuar gjithnjë një entitet më vete brenda sllavëve të Jugut, duke u diferencuar prej tyre më parë kur përqafuan bogomilizmin e më pas duke u islamizuar.

Megjithatë, enigma e mbijetesës së shqipes mes këtyre mokrave të pashembullta ose pllakave tektonike gjigante ende s’mund të quhet e sqaruar plotësisht. Gjatë së paku 2000 vjetëve të fundit, numri i shqipfolësve që kanë përfunduar të asimiluar prej popujve të tjerë, në trojet e tyre ose duke u zhvendosur gjetiu, do të ketë qenë shumë më i madh se numri i atyre që u kanë mbijetuar asimilimeve. Një historian gjerman, Stadtmueller, e përcaktoi zonën e Matit si pikënisje të ekspansionit demografik të shqiptarëve; një tezë e cila nuk do hedhur poshtë, por më tepër plotësuar me dëshmi që shqiptarë ka pasur edhe kudo gjetiu në Ballkanin perëndimor dhe qendror, por gjithnjë në asimilim e sipër prej të tjerëve. Mund të ndërtohet një model dinamik i demografisë shqiptare, sipas të cilit valët shqipfolëse janë përhapur gjithnjë nga mali drejt fushës dhe nga fshati drejt qyteteve, për t’u shuar atje e për t’u gëlltitur nga valë të tjera më të fuqishme; një model që funksionon edhe sot e kësaj dite, sa kohë që shqiptarët vazhdojnë të përhapen drejt Evropës, për t’u asimiluar atje përfundimisht. Shembull tipik i ekspansionit shqiptar është zbritja e elementit arbëror në Greqinë kontinentale gjatë shekujve XI-XIV; sidomos në More (Peloponez) dhe në zona të tjera të Greqisë perëndimore. Etnikisht, arbërorët ishin mbizotërues në shumë zona të Greqisë; por me kalimin e kohës u asimiluan, ndonëse edhe sot e kësaj dite kanë mbijetuar si arvanitas; por numri i grekëve të sotëm që rrjedhin nga arbërorët e Mesjetës është shumë më i madh se numri i arvanitasve që ende mund të identifikohen si të tillë.

Që këtej, mund edhe të pyetet pse jemi asimiluar. Në rastin e asimilimit masiv të arvanitasve prej një grushti grekësh, procesi shpjegohet nëpërmjet veprimit sinergjik të greqishtes si gjuhë e shkruar dhe greqishtes si gjuhë liturgjike e fesë ortodokse; ose simbiozës së gjuhës dhe të fesë në kulturën greke. Proceset qytetëruese, të cilave arbërorët e Greqisë nuk mund t’u shmangeshin, kërkonin edhe një akulturim gjuhësor nëpërmjet shkrimit, sikurse kërkonin një organizim të rendit social të mbështetur në Kishën si shtyllë të qytetërimit grek. Shqipja ka funksionuar shumë mirë si instrument i mbijetesës, por jo dhe aq mirë si instrument i jetesës, ose i qytetërimit; dhe pikërisht ngaqë nuk i është bashkëlidhur ndonjë feje, as ka pasur ndonjë traditë shkrimi të krahasueshme me traditën e greqishtes, të latinishtes e pjesërisht të sllavishtes së vjetër kishtare. Nga ana tjetër, asimilimi kryhet edhe nëpërmjet martesave të përziera, të cilat mund të ndodhin vetëm midis familjesh të së njëjtës fe; dhe arbërorët në Greqi kishin të njëjtën fe me grekët, prandaj edhe mund të shkëmbenin nuset me ta po aq lirisht sa edhe fjalët dhe produktet në treg.

Mund të vijmë atëherë në përfundimin se, që nga Mesjeta e Hershme e këtej, shqiptarët janë asimiluar në atë masë edhe që kanë marrë pjesë në qytetërimet e ndryshme; dhe kryesisht ngaqë këto qytetërime kanë ardhur shaluar mbi kuaj të feve e të gjuhëve të ndryshme nga shqipja; dhe se ata stërgjyshër tanët që e ruajtën shqipen, e ruajtën pikërisht sepse nuk iu ekspozuan shumë qytetërimeve që kërkonin t’i akulturonin duke i evangjelizuar. Me këtë nuk dua të them që nuk ka pasur një qytetërim shqiptar si të dallueshëm nga qytetërimi latin, sllav ose grek në Mesjetë; por vetëm që ai qytetërim shqiptar i përkiste një modeli të ndryshëm nga ai i perandorive, dhe nuk mbështetej në fjalën e shkruar as në kryqin; prandaj edhe ruhej si i tillë vetëm duke e mbajtur një distancë sigurie nga qendrat qytetëruese.

Çka ndodhi me islamizimin, përkundrazi, i përket një modeli tjetër qytetërues; sepse qytetërimi islamik nuk mbështetej mbi librin dhe liturgjinë e shkruar si qytetërimi bizantin ose sllav; as i përjashtonte rivalët e vet nga sfera publike. Luftrat e Arbrit kundër osmanëve në shekullin XV treguan se tanët ishin njëlloj të krishterë sa edhe evropianët e tjerë, në mos më shumë e po aq njëlloj merrnin pjesë në proceset akulturuese të Evropës së krishterë; por Krishtërimi i kohës së Skënderbeut mori fund me pushtimin osman të trojeve shqiptare, dhe vetëdija kulturore e shqiptarëve shtegtoi drejt Italisë, kur nuk u asgjësua në vend prej osmanëve. Dihet, për shembull, se Mehmeti II u tregua i pamëshirshëm me popullsitë e krishtera të qyteteve si Kruja, Lezha e Shkodra, që u kishin rezistuar gjatë ushtrive të tij; dhe i shfarosi ato popullsi krejt, duke i shkuar meshkujt në shpatë e duke i shitur gratë e fëmijët si skllevër; aq sa, në fillim të shekullit XVI, dëshmohet se në Shkodër, për shembull, nuk kish mbetur më asnjë familje katolike. Gjatë shekujve XVI-XVII qytetet shqiptare erdhën e u ripopulluan nga banorë të zbritur prej maleve, të cilët shqipen e kishin të vetmin instrument të organizimit dhe të riprodhimit social. Megjithatë, miti i islamizimit me dhunë të shqiptarëve nuk i qëndron kritikës historike; sepse vetë Islami e ndalon islamizimin me dhunë, dhe sepse vetë osmanët nuk kishin ndonjë interes ekonomik të islamizonin popullsitë e nënshtruara. Duke qenë qytetërimi osman i natyrës kryesisht urbane, e duke ndodhur islamizimi më parë në qytete e më pas në fshatra, mund të nxirret përfundimi se shqiptarët u islamizuan më shumë e më lehtë se të tjerët në Ballkan sepse qytetet e Shqipërisë u populluan rishtas, nga banorë të cilëve u mungonte krejtësisht tradita e jetës qytetare, e cila në Evropën e atëhershme identifikohej edhe si traditë e ritualit e në përgjithësi e besimit fetar.

Duhet thënë se, derisa trojet shqiptare nuk kishin rënë nën sundimin turk, identiteti shqiptar sidomos në zonat përtej vijës bregdetare do të përkufizohej gjithnjë në ballafaqim me identitetin sllav.

Marrëdhëniet shqiptaro-sllave, të cilat kanë zgjatur përafërsisht 8 shekuj, mund të gjurmohen në dy mënyra: nëpërmjet dokumenteve historike dhe nëpërmjet të dhënave gjuhësore. Historia dhe gjuhësia në këtë rast mbështetin njëra-tjetrën, sidomos kur vjen puna për çështje më të errëta të këtyre marrëdhënieve. Gjuhësisht sllavët në shqipen e sotme kanë lënë një numër fjalësh shqipe me burim sllav dhe një numër edhe më të madh emrash të vendeve. Teorikisht, huazimet sllave mund të kenë hyrë në gjuhë nga dialekte të serbokroatishtes, ose nga dialekte të bullgarishtes. Me të drejtë është menduar se gegërishtja do të ketë pasur më shumë kontakte me serbo-kroatishten, ndërsa toskërishtja me bullgarishten, edhe pse në shumë raste është e pamundur të thuhet nëse një fjalë e caktuar rrjedh nga serbo-kroatishtja, apo nga bullgarishtja, meqë këto dy gjuhë kanë qenë dhe mbeten të ngjashme. Është pranuar, përsëri në teori, se disa fjalë sllave mund të kenë hyrë në shqipen në një kohë kur gjuhët sllave nuk ishin ndarë ende kaq prerazi nga njëra-tjetra; ose në kohën e dyndjeve të hershme të fiseve sllave në Ballkan. Por mënyra të sigurta për t’i izoluar këto fjalë nuk ka.

Metodologjikisht, duhen dalluar gjithnjë disa shtresa në huazimet sllave të shqipes; sepse disa janë përhapur në mbarë gjuhën (të tilla si kyç, kovë, çuditem, grusht) dhe duhet të jenë të vjetra; ndërsa disa të tjera ndeshen më shumë në të folmet e shqipes që janë në kontakt kufitar me të folme sllave, p.sh. në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni, Korçë.

Shtresa më e vjetër e huazimeve sllave është e tillë që të bën të mendosh për kontakte horizontale midis dy popujve, çka nuk përjashton edhe asimilimin e enklavave sllave në trojet shqiptare. Këtu vjen në vështrim edhe problemi i madh i toponimeve sllave në këto troje. E vërteta është se ka një numër relativisht të madh emrash vendesh, në Shqipëri të Jugut dhe të Veriut, që rrjedhin nga gjuhët sllave: emra fshatrash, krahinash, malesh, lumenjsh, qytetesh. Kush i ka vënë këto emra dhe pse?

Disa albanologë mendojnë që këto emra i ka vënë administrata sllave e kohës së sundimit bullgar në Shqipëri, dhe pastaj kanë mbetur. Të tjerë albanologë janë të mendimit që këto emra i kanë vënë sllavët që kanë jetuar atje, dhe pastaj i kanë trashëguar shqiptarët. Këtë nuk mund të pretendojë kush ta zgjidhë vetëm me analiza gjuhësore; sepse analizat gjuhësore vetëm sa lejojnë të përcaktohet nëse toponimi është me origjinë sllave apo jo. Nga ana tjetër, numri i këtyre toponimeve është kaq i madh, saqë nuk mund të anashkalohet si rrjedhojë minore e sundimit sllav në disa zona të Shqipërisë. Edhe osmanët e administruan Shqipërinë për pesë shekuj, por toponime osmane (turke) në Shqipëri pothuajse nuk ka.

Vetë kam mendimin se toponimet sllave gjithnjë lidhen me banorë sllavë; çka nuk përjashton që në po ato vende të ketë pasur edhe shqiptarë. Selishçevi, një albanolog rus që i ka studjuar sllavizmat e shqipes më me rrënjë se kushdo, mendonte se për një farë kohe sllavë dhe shqiptarë kanë bashkëjetuar në zona të caktuara, që më pas u shqiptarizuan krejt; me sllavët në lugina duke u marrë kryesisht me bujqësi, dhe shqiptarët në mal, duke u marrë me blegtori. Që sllavët mund t’u kenë vënë emra fshatrave, luginave, lumenjve e maleve, kjo nuk do të thotë që këto nuk kanë pasur emra më parë, e aq më pak që në ato troje nuk kanë jetuar ndonjëherë shqiptarë. Don të thotë vetëm që shqiptarët që u zhvendosën dikur prej sllavëve nuk janë të njëjtë me shqiptarët që erdhën më pas dhe u ngulitën në të njëjtat troje.

Çka pajtohet, pak a shumë, edhe me kaosin që sundonte në Ballkan midis shekujve V-XIV, kur fiset shtegtonin paprerë, për të gjetur hapësira jetike ose për t’u shpëtuar luftërave, epidemive dhe zive të bukës.

* * *

Vetëm shkarazi e preka këtu çështjen e konvertimit të shqiptarëve në fenë islamike gjatë shekujve të sundimit osman; meqë tema e ndërhyrjes sime ishte mbijetesa e shqiptarëve në shekuj, jo mbijetesa e shqiptarëve të krishterë. Megjithatë, konvertimi në vetvete gjithnjë mbetet i hapur për diskutime, sikurse mbetet i hapur për mistifikime nga më të ndryshmet.

Që Porta e Lartë ndiqte një politikë tolerante ndaj pakicave të krishtera në Ballkan, kjo besoj nuk mund të vihet në dyshim nga incidente të ndryshme që kanë ndodhur në rrjedhë të shekujve. Njëlloj nuk mund të vihet në dyshim edhe që reagimi i osmanëve ndaj popullsive të krishtera që merrnin pjesë në kryengritje antiosmane ka qenë jashtëzakonisht i ashpër; deri në atë pikë sa njerëzit të viheshin para dilemës: konvertohu ose vdis. Por kjo nuk ka lidhje me konvertimin, sesa ka lidhje me politikën e brendshme të perandorisë. Edhe fuqitë katolike, p.sh. Venediku, njëlloj silleshin me popullsitë myslimane të qyteteve ose të zonave që u pushtonin osmanëve p.sh. në Greqi ose në Dalmaci; në mos më keq akoma, duke i shkuar të gjithë në shpatë.

Megjithatë, kur flitet për konvertim të shqiptarëve në fenë Islame, kihet parasysh qëndrimi i Portës së Lartë ndaj nënshtetasve të vet të krishterë në trojet shqiptare, jo ndaj kryengritësve të krishterë.

Pikërisht këtu, disa çështje tanimë mendohen si historikisht të zgjidhura, dhe pikërisht:

1. Të parët që u konvertuan në fenë islame ishin fisnikët e mesëm, për të ruajtur privilegjet e ndryshme ekonomike dhe politike.

2. Rol të rëndësishëm në konvertim luajti devshirmeja, ose rekrutimi i detyruar i fëmijëve meshkuj të krishterë në trupat e jeniçerëve. Shumë nga këta jeniçerë ktheheshin pastaj në trojet shqiptare si administratorë e ofiqarë të ndryshëm, dhe ndihmonin për të konvertuar familjet e tyre, fisin dhe krejt zonën.

3. Një pjesë e mirë e të konvertuarve kanë qenë fshatarë që kërkonin të vendoseshin në qytetet; sepse në qytetet, si qendra ku riprodhohej pushteti osman dhe qytetërimi islam, myslimanët gëzonin avantazhe të ndryshme. Popullimi i qyteteve nga fshatarë të islamizuar rishtas është i dokumentuar mirë.

4. Konvertime masive të popullsisë fshatare dokumentohen sidomos për shek. XVII. Pjesa më e madhe e të islamizuarve rishtas ishin meshkuj, ndërsa femrat mbeteshin të krishtera. Edhe kjo është e dokumentuar gjerësisht, dhe ka lidhje me dukurinë e kriptokristianizmit, ose të “laramanëve”.

Që këtej, mund të nxirret përfundimi – besoj unë – se islamizimi i shqiptarëve është shtjelluar si proces social gradual, jo si efekt i dhunës ushtarake e policore; që zgjati për disa shekuj dhe që mund të interpretohet drejt vetëm kur vendoset në rrethanat specifike të atyre shekujve. Përpjekjet për ta paraqitur këtë islamizim si rezultat të drejtpërdrejtë të dhunës osmane mbi shqiptarët “liridashës” nuk janë pa lidhje me pretendimet e kujt, edhe sot e kësaj dite, i konsideron myslimanët shqiptarë si “mish i huaj” në indin kombëtar. E kam thënë edhe herë të tjera se islamizimi, ose apostazia e shqiptarëve nuk mund të konsiderohet si incident historik, pse është pjesë integrale e atyre proceseve historike të cilat çuan në krijimin e Shqipërisë dhe të shqiptarisë moderne.

* * *

Pohimin që, në zona të tëra të banuara nga shqiptarët, dallimi midis myslimanëve e të krishterëve përvijohej sipas kufirit të gjinisë – me burrat që kishin përqafuar fenë e osmanëve, ndërsa gratë mbetur besnike fesë së mëparshme – e gjeta në Historinë e Shqipërisë, botim të Akademisë së Shkencave. Është një pohim që të lejon depërtime të thella në natyrën e shoqërisë shqiptare të atyre shekujve.

Në vështrim të parë duket sikur kjo ndarje e fesë sipas gjinisë pasqyron në thelb natyrën patriarkale të shoqërisë së atëhershme, meqë vetëm burrat mund të vepronin si subjekte autonome në jetën publike, ndërsa relevanca e gruas fillonte e mbaronte brenda mureve të familjes. Për këtë arsye, burrat ndërronin fe në mënyrë që familja të mund të gëzonte privilegjet e rezervuara për nënshtetasit myslimanë të Perandorisë; sikurse edhe që vetë këta (burrat) të merrnin pjesë në administrimin dhe qeverisjen lokale e qendrore të Perandorisë vetë.

Ku ishte kordha, atje vente edhe besa, po t’i besojmë Sami Frashërit.

Mirëpo dukuria vjen e ndërlikohet po të shihet në optikën e fesë si filtër të profilit etik të individit. Tek e fundit, ishin këto nëna të krishtera që do t’i edukonin myslimanët e ardhshëm, para se këta t’i dorëzoheshin ushtrisë, medresesë ose administratës. Për burrin shqiptar, Krishtërimi do të paraqitej kështu si fazë tranzitore drejt pozitës së tij përfundimisht sunduese në shoqëri.

Po të duam të spekulojmë edhe më, mund të themi se Krishtërimi to të prirej të përfaqësonte fytyrën femërore të shoqërisë e të kulturës shqiptare, ndërsa Islami fytyrën mashkullore.

Përtej një spekulimi të tillë, organizimi i jetës në mënyrë të tillë që Islami të strukturonte sferën publike, ndërsa Krishtërimi sferën private, do të bënte të mundshëm edhe një lloj sinkretizmi sekondar midis të dy feve, të cilat do të duhej njëfarësoj të bashkëjetonin në paqe jo vetëm brenda shoqërisë shqiptare si të tillë, por edhe brenda subjektit shqiptar individual. Them “sekondar”, sepse një farë sinkretizmi primar mund të gjendet që në marrëdhëniet e ngushta të birësisë midis Kuranit dhe Biblës si tekste të shenjta.

Megjithatë, feja praktike e shqiptarëve nuk mund të përcaktohej nga dispute të natyrës teologjike ose hermeneutike. Nëse myslimanët e së nesërmes ende edukoheshin si fëmijë nga nëna të krishtera, atëherë kufijtë midis etikës islamike dhe etikës së krishterë do të vinin duke u dobësuar, dhe etika individuale do të përfundonte e konsoliduar si tërësi tiparesh të përbashkëta midis njërës dhe tjetrës.

Sikurse embrioni njerëzor, që duke u zhvilluar rimerr disi fazat e evoluimit të phylum-it (Ligji i Haeckel-it, ose “ontogjeneza rimerr filogjenezën”), edhe i riu shqiptar, duke kaluar nga mjedisi amnor-familjar i krishterë në mjedisin atnor-publik mysliman do të rimerrte fazat nëpër të cilat kishte kaluar vetë shoqëria shqiptare.

Material i bollshëm për komente e spekulime, për psikanalistët e feministët në gjirin tonë!

Ndërkohë, mendoj unë, edhe dëshmi e mëtejshme në favor të unitetit kombëtar të shqiptarëve përtej kodit gjenetik të gjuhës.

[2006]

4 Komente

  1. Shkrove: ”… Etnikisht, arbërorët ishin mbizotërues në shumë zona të Greqisë; por me kalimin e kohës u asimiluan, ndonëse edhe sot e kësaj dite kanë mbijetuar si arvanitas; por numri i grekëve të sotëm që rrjedhin nga arbërorët e Mesjetës është shumë më i madh se numri i arvanitasve që ende mund të identifikohen si të tillë.”…

    Nuk ke permendur shqiptaret qe e braktisen Morene me ardhjen e Turqve, nje numer i konsiderueshem, dhe qe shtegetuan ne Italine e Jugut si dhe nje numer, prape te konsiderueshem, qe u eliminua nga Turqit pasi keta shqiptare paraprinin ne rezistence kunder pushtuesve.

    Dua te them me kete koment se numri i shqiptareve sidomos ne shekullin e XV ne More erdhi duke u zvogeluar ne krahasim me shekujt e pare te shtegetimeve dhe se greket nuk perbenin thjesht nje ”grusht”.

  2. Ne radhe te pare, nuk eshte e provuar se latinizimi hyri thelle ne trojet ilire,pasi psh ne shek 4 ka deshmi qe dalmatet e brendshem nuk flisnin latinisht, ndersa Jutbina, kudoqofte,kroaci apo bosnje afer sarajeves, tregon qarte se praktikoheshin zakone ilirike(te cilat i kane ruajtur pjeserisht iliret e sllavizuar te maleve boshnjake e malazeze) nga nje popullsi qe duket te kete ruajtur autonomi te gjere nen Romen.

    Kjo ndarja gjuhesore e ilirise ne dy pjese, greke e latine eshte spekullim i paster i atij rumunit a bullgarit qe kerkon te justifikoje prezencen latine ne brendesi te Ilirise e megaloidene greke qe shkon ne shkoder e shkup.

    Roma veteraneve u jepte toka si shperblim e me siguri nuk do u jepte toka aty ku ha dhia gure,sepse aty toka buke nuk ka, keshtu qe latinizimi i maleve ilirike si pasoje e veteraneve ilire te ushtrise romake nuk qendron.

    Nga ana tjeter Perandori Justin, ungji i Justinianit dallohej se e fliste shume keq latinishten(edhe pse kishte dhjetra vjet sherbim ushtarak e ishte gjeneral) e aspak greqishten.

    Kjo tregon jo vetem se latinishtja nuk ishte gjuhe amtare e Justinit,por edhe se me trupat ai nuk fliste latinisht e trupat e tij ishin me se shumti nga trojet ilire.

    Pra zona fushore e Shkupit nuk fliste as latinisht e as greqisht e shkupi eshte edhe kryqezim rrugesh e zone strategjike, keshtu qe si mund te me mbushe mendjen nje llogjike qe do asimilimin e maleve te ashpra ku ha dhia gur?

    Nje prove tjeter vjen po nga Eposi(i cili cuditerisht nuk merret parasysh nga xhaxhai ) e kjo eshte ruajtja fanatike (ne shek 7) e paganizmit. Dime qe gjithe latinet u kristianizuan diku rreth shek 4 – 6 e po ashtu dime qe ruajtja e fese kombetare(pagane) eshte shenje e ruajtjes se identitetit.
    Nese popullsia e Jutbines do ishte latine me siguri nuk do kishte ruajtur me fanatizem ne shek 7 e po ashtu nese popullsia e mevonshme do ishte kristiane e mire, nuk do kishte lene pa futur jezu krishtin ne epike, dmth ka nje vazhdueshmeri spirituale pagane prej koheve romake deri ne shek 20.

    Pra eshte e papranueshme qe te kemi latinizim te maleve e mbijetese iliresh vetem ne zonen e Matit.

    Po ashtu te thuash qe zbriten nga mati ne shek 11 e populluan per 2 shekuj deri ne Arte e pastaj u bene 300 mije ne peloponez ne 1451, kjo eshte thjesht perralle me mbret,pasi i bie te jete jashte cdo logjike riprodhuese te kohes ku ne 10 femije 8 vdisnin nga semundjet pa mbushur moshen e riprodhimit e sigurisht qe kjo do ishte vene re nga historianet e kohes,pa harruar se do kerkohej edhe nje aparat i ndergjegjshem asimilimi apo zhdukje te banoreve sic kishte psh Roma apo nje mentalitet asgjesues si i barbareve si dhe do ngelej ne foklorin popullor.

    Ekzistenca e toponimive sllave nuk mund te shpjegohet me asimilim te sllaveve pasi ne kete menyre do ngelej nje substrat sllav ne gjuhe,sic ka ndodhur psh ne rumanisht ku rreth 40% e fjaleve jane sllave( shume po shume me pak tek vllehet ) dmth ne rumani mund te flitet per nje asimilim te sllaveve prej latineve por jo ne Shqiperi.

    Po ashtu dime se sllavet i perkisnin races sllave e kjo race ne shqiperi eshte inekzistente, ka vetem pak elemente sllave(jonordik) diku aty,si psh floku qimeshellire( jobjond).

    Kete sllavet e shpjegojne me genin recesiv albin, por nese shumica e popullsise do ishte albine nuk ka absolutisht gjasa sipas ligjeve te mendelit te humbase raca si shurra e peshkut ne uje.

    Pra per toponimine duhet gjetur nje shpjegim jo tek shqiptarizimi i sllaveve por tek nje sedentarizim i shqiptareve brenda nje shteti sllav.
    Psh Bullgaria e kishte qendren e patriarkatit ne Oher, ushtaret bullgaria i mblidhte nga te gjitha trojet,psh Bullgaria e Samuelit i kishte humbur gati te gjitha trojet bullgare dhe bazohej kryesisht ne trojet qe ne quajme Shqiperia Etnike, keshtu qe nje vendosje e ketyre ushtareve ne toka, sic bente Roma dhe Bizanti, modelet qe mori Perandoria Bullgare , mund te shpjegoje formimin e shume fshatrave te reja.

    Ndersa ne kohen e Romes kishte nje identitet fisnor e vendbanime te qendrueshme ne formen e keshtjellave te vogla (opidum ne mos gaboj) kjo nuk ishte ne kohen para Bullgarise ,prandaj qendrueshmeria e nje vendbanimi ishte teper e vogel dmth te nguleshe ne nje fshat para shek 8 ishte baraz me vetevrasje. Ama ne zonen e Matit dmth lumit Mat e ne Koman, kemi qartesisht nje rezistence ndaj sllaveve e kjo besoj duhet te vije nga fakti qe as Roma nuk kishte arritur ti carmatose e te vinte administrate te qendrueshme e kete e tregon arkeologjia e historia, ne ate zone qytetet romake nuk ekzistonin.

    Nese ka shqiptarizim te sllaveve atehere edhe Kosova eshte toke serbe e asimiluar prej shqiptareve pasi aty toponimia shqiptare eshte ne gjendje inferioriteti traumatik.

  3. Hyllin, se ç’marrëdhënie kanë pasur latinët me ilirët, kjo është çështje e hapur për spekulime nga më të ndryshmet; por se ç’marrëdhënie ka pasur latinishtja ballkanike me atë formë të shqipes që flitej në atë kohë, këtu vend për spekulime nuk ka fare.
    Aq shumë fjalë latine ka në shqipe, sa disa gjuhëtarë nuk duan t’i trajtojnë fare si huazime, me argumentin se, kur u formua shqipja ashtu siç e njohim ne sot (d.m.th. me ato tipare formale që e bëjnë të ndryshme sot nga gjuhët e tjera), latinizmat ishin tashmë pjesë e saj, prandaj duhen trajtuar bashkë me fjalët burimore.
    Vetëm në paragrafin e parë të komentit tënd, unë gjej fjalë si shembull, shekull, dëshmi, qartë, pjesë, popull që janë fjalë latine të hyrë në shqipe në lashtësi (pa përmendur huazimet nga gjuhët neolatine, si praktikë, provoj, ilir, sllavizoj, autonomi).
    Aq i madh ka qenë ndikimi latin në shqipen e asaj kohe, sa fjalët latine që kanë hyrë zakonisht e kanë ruajtur gjininë që kishin në latinishte. Tani, kush merr vesh sado pak nga gjuhësia historike, do ta kuptojë menjëherë se çfarë implikon kjo – meqë si rregull huazimet përfshihen në grupet e gjinive të gjuhës marrëse në bazë të karakteristikave morfo-fonemike. Kur marrim nga gjuhët neolatine një fjalë si revolucion, e trajtojmë menjëherë si të gjinisë mashkullore, duke e përfshirë në klasën e fjalëve që në emërore njëjës të pashquar mbarojnë me bashkëtingëllore (gramafon, fron, zakon, ton, avion, etj). Kjo ndodh pavarësisht se në gjuhët neolatine fjala është rregullisht e gjinisë femërore (italisht: la rivoluzione, frëngjisht: la révolution, spanjisht: la revolución e kështu me radhë). Prandaj, konstatimi se fjalët që ka marrë shqipja e lashtë nga latinishtja e kanë ruajtur gjininë burimore të shtyn drejt hipotezës se një pjesë e shqipfolësve të asaj kohe, të cilët i huazuan ato latinizma, kanë qenë dygjuhësh.
    Vërtet, mund të ketë pasur zona të Ilirisë ku ndikimi latin ka qenë i dobët, por banorët e atyre zonave s’kanë të bëjnë me shqiptarët e sotëm; sepse, në qoftë se ka një gjë që mund ta themi pak a shumë me siguri përsa i përket historisë së shqipes në lashtësi, është se të parët e shqiptarëve të sotëm dhe latinët kanë pasur kontakte shumë të ngushta dhe shumë herët.
    Ti, Hyllin, flet edhe për paganizëm – mirëpo leksiku kishtar i shqipes mua më thotë se shqiptarët u krishtërizuan shumë herët, dhe krishtërimi u erdhi drejtpërdrejt nga Roma; dhe për këtë gjithashtu nuk ka shumë vend për spekulime, meqë leksiku kishtar i shqipes flet vetë. Prandaj, e përsëris, disa prej vërejtjeve të tua mund të kenë ndonjë farë relevance për ilirët, por jo për të parët e shqiptarëve; dhe mua çështja e ilirëve në vetvete, e trajtuar veçmas prejardhjes së shqiptarëve, nuk më intereson pothuajse fare.

  4. Dakort xha xha, fjale te huazuara ka plot, vecse i perkasin shumica pjeses lehtesisht te zvetenueshme( ne vend te asimilueshme) te leksikut te nje gjuhe, pra te emrave, ndersa jane pikerisht foljet le te themi ‘mielli’ i nje gjuhe. Vetem duke u nisur nga foljet dhe zhurmat e natyres mund te ndertosh nje gjuhe te re.
    Ne folje sa huazime gjenden ?

    Te thuash se nuk duhet folur per huazime sepse jane pjese perberese e gjuhes ,per mendimin tim eshte hedhur helm mbi gjuhen.

    ”’gramafon, fron, zakon, ton, avion”’ keto jane mashkullore ne italisht , il gram. il trono, il tono, l’aereo(avion eshte frengjisht e nuk e di si ben atje) por mund te kete shembuj kur jane te femerores si ‘la rivoluzione’ qe vjen nga ‘la rivolta’ e femerores.

    Prandaj fakti qe latinizmat e hershme kane ruajtur gjinine tregon por edhe nuk tregon,te pakten me kaq shembuj.

    ”””në qoftë se ka një gjë që mund ta themi pak a shumë me siguri përsa i përket historisë së shqipes në lashtësi, është se të parët e shqiptarëve të sotëm dhe latinët kanë pasur kontakte shumë të ngushta dhe shumë herët.””’

    Jam dakort, biles them shume me heret se c’thua ti duke qene se gjuha latine eshte nje mix latino-sabino-etrusko-grek ku vetem greqizmat s’kane te sosur, te pakten(per greqishten) sipas Garzantit, fjalori etimologjik me i famshem.

    Psh nje fjale qe eshte huazuar nga latinishtja, fashoj, vjen nga fasci nga vjen edhe Fashizem, vecse si fjala ashtu edhe gjesti qe shoqeronte dorezimin e fascit (simbol i pushtetit) thone me siguri se jane etruske.

    Leksiku kishtar, ka edhe fjale pagane, vete Zot e Perendi jane fjale pagane, fal po ashtu , faltore nuk eshte fjale e re pasi na e sjell kanuni, Hyj eshte pagane, Hyjneshat Ora mund te kene dhene fjalen ‘urate’ duke qene se -at eshte prapashtese ilire, nese kjo fjale nuk vjen nga konceptimi i priftit si ure mes njeriut dhe Zotit.

    Sigurisht qe krishterimi ka hyre pjeserisht qe ne kohen romake e biles edhe apostolike, por ti xha xha harron qe Gjergj Fishta u kendon Oreve dhe Zanave ashtu sikunder ben Eposi ,pavaresisht ne kendohet nga katolike apo myslymane.

    Nje gje eshte e sigurte, bestytnite qe crrenjosi Enveri ishin shumica pagane.
    Te gjitha mitet shqiptare e perrallat jane pagane edhe ne rastet(shumicen) e priftit qe u zevendua me hoxhen tek islamiket.

    Keshtu qe lidhja midis kesaj pjese kulturore pagane te shqiptareve me paganizmin e Eposit eshte domethenese e nuk mund te likujdohet me nje te rene te shpates,se huazimet e leksikut jane nga latinishtja,sidomos nese nuk harrojme se latinishtja ishte gjuhe e kishes deri ne mesjete e fjale si meshe e pashke i ka per vete te huazuara nga hebraishtja.

    Ajo pjese e kultures shqiptare, qe nga gojedhenat, perrallat ,epika e bestytnite, duke vazhduar me fustanellen ilire te gjetur ne 2 ‘stela guri, ‘me brezin ilir, me zakonin e lashte ilir te tatuazhit(swastika quhej dielli i zotit nga nje plake e veriut qe e kishte bere tatuazh rreth fillimit te shek 20) ,qeleshen, besen mbi gur etj deshmon per nje vazhdueshmeri te qarte te nje populli ne keto troje .

    Dakort jam qe gjuhesia eshte shume e rendesishme por kur flitet per mbijetesen e shqiptareve nuk mund te asgjesohen fushat e tjera, pasi ashtu gjendemi me nje tufe presh ne duar.

    Nje element gjuhesor iliro-shqiptar eshte -nt ,-nd , tjeter -st, -sht e nje mori prapashtesas, si -as,as(h) -es, -at, -et,-ot,-is etj

    E kam te pamundur te bej veshin shurdh ndaj ngjashmerive per ti dhene jehone ndryshueshmerive. Dihet, njeriu qe eshte i prirur te shohe ndryshueshmerite e nxjerr djalin femije te botes e jo te babait.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin