PUNA SI MUNDIM

Nëse jemi dakord për rëndësinë që ka puna në jetën tonë, jo vetëm në planin e mbijetesës, atëherë pyetjet që lidhen me raportin që kemi me profesionin nuk duhet të tingëllojnë të çuditshme. Sipas një studimi të fundit, 6% e indianëve, 15% e gjermanëve, 17% e italianëve, 20% e amerikanëve, 29% e hungarezëve, 40% e turqve dhe 65% e meksikanëve, nuk bëjnë punën që do të dëshironin të bënin, d.m.th. “kanë gabuar” punë. Po shqiptarët? Statistikat nuk e thonë, por ne e dimë si “qëndron puna”.

Me sa duket, një pjesë e madhe e shoqërisë aktive nuk është e kënaqur me punën që bën. Kam përshtypjen që përqindjet e mësipërme duhen interpretuar, përveçse nyjtuar, sepse rezultatet varen edhe nga kohëzgjatja e punës. Një person që ka studiuar në një fushë të caktuar dhe bën një punë tjetër prej vitesh, që ka pak lidhje me studimet rinore, tashmë mund të jetë shndërruar në profesionist i thekur tek fusha e dytë. Pse jo, mund edhe ta ndjejë veten mjaft mirë. Po ta kishim pyetur vetëm pak vite më parë, do ishte përgjigjur ndryshe. Gjithashtu, nuk duhen ngatërruar “punët” midis dëshirave dhe punës konkrete që njeriu kryen. P.sh. ëndrrat për t’u bërë zjarrfikës ose zdrukthëtar në fëmijëri, jo gjithnjë realizohen. Për fat të mirë. Sepse pas disa vitesh, kur rritemi edhe pak, nuk përputhen më me dëshirat tona.

Dikur në Shqipëri shinat e jetës dukeshin më të shtruara dhe më të dukshme. Karriera profesionale, nëse për karrierë mund të flitet, vërtet varej nga njëmijë ndryshore, por kur futej në vijë, gjërat sikur qartësoheshin. Pasi merrje diplomën (e shkollës së mesme ose të lartë), shtegu drejt punës ishte disi i shenjuar. Përgjithësisht, kush studionte për tornitor shkonte në uzinë, kush mbaronte veterineri shkonte në stallë, kush mbaronte mjekësi shkonte në spital. Me fjalë të tjera, dhe duke e thjeshtuar problemin, mund të themi se lidhja midis shkollës, profesionit e punës ishte më e drejtpërdrejtë dhe më shkakor seç paraqitet sot. Kjo vinte ngaqë tregu i punës së asaj kohe ishte i planifikuar, i kontrolluar, si vetë ekonomia dhe shoqëria.

Është e tepërt ta them, por idealja do të ishte që çdokush të bënte punën që dëshiron. Dikur thuhej se i duhet gjetur punës njeriu dhe jo njeriut puna. Në kuptimin që, çdo njeri e bën më mirë punën që zgjedh, dhe jo atë që ia imponon babai apo tregu. Mirëpo, të gjithë e dimë se jeta nuk planifikohet dot, si rrjedhim as puna. Por kjo e fundit ka shumë rëndësi për identitetin e individit. Madje është vendimtare, përderisa jemi dhe përcaktohemi nga çka bëjmë. Puna ka qenë vendimtare edhe për njerëzimin. Deri në atë pikë sa – thotë dikush – ishte puna që e bëri majmunin njeri.

Kalimi nga diktatura në demokraci, bëri që në Shqipëri ngurtësia legjendare e tregut të punës të zhdukej në kohë të shkurtër. Modaliteti me të cilin u krye ky ndryshim epokal i përngjante më shumë shpërthimit se sa lëvizjeve të ngadalta tektonike. Në pak vite, oficerët dhe sigurimsat u shndërruan në ndërtues, bankierë e tregtarë, matematicienët dhe dhjetoristët në ministra, fizikantët dhe veterinerët në presidentë, doktorët dhe mjekët më shumë. Pas pak vitesh të tjera, ndodhi e kundërta. Kthimi në identitet përfshiu edhe punën.

Ajo që e ka karakterizuar punën në epokën e demokracisë ka qenë përkohshmëria. P.sh. një vit më parë ishe duke mbrojtur diplomën dhe një vit më vonë e gjeje veten zv/Ministër; në krye të pak muajve nga skafist bëheshe biznesmen; nga tregtar në manjat mediash; nga Drejtor Drejtorie ktheheshe i papunë; nga profesor në universitet në ngrohës kolltuku; nga akademik në flamurmbajtës; nga injorant në editorialist; nga shoqëruese në prezantuese; nga shtrati në ekran; nga mësues në bananeshitës; nga mallist në imprenditor; nga bandit në hero. Puna u kthye në llotari. Meritokracia në shkërdhatokraci.

Me fjalë më moderne, tregu shqiptar i punës shfaqet sot si bingo në qiell të hapur, ku duhet të bjerë numri i duhur për të fituar. Natyrisht, nuk duhet përgjithësuar. Ka ende nga ata që e zgjedhin punën sipas profesionit dhe profesionin sipas pasionit. Mirëpo, një treg që bazohet kryesisht në fat e njohje, nuk mund të ketë njerëz të lumtur për çka bëjnë. Mund të jenë të lumtur për sa fitojnë, por jo për punën që bëjnë. Ndokush mund të më kundërshtojë duke thënë se sot ka rëndësi sa fiton dhe jo çfarë bën. Fitimi justifikon punën. Mund t’i përgjigjesha duke i kujtuar etikën, por kam frikë se në Shqipëri keqkuptohem. Pra është “punë që s’bëhet”.

Në mërgim lidhjet me punën janë më të qarta. Po t’i pyesnim mërgimtarët tanë nëse bëjnë punën që do të dëshironin të bënin, përqindja e të kënaqurve nuk do të ishte tejet e lartë. Është botërisht e njohur se emigrantët kanë marrëdhënie instrumentale me punën që bëjnë. Si të thuash, e bëjnë nga halli, jo nga malli. Emigrantët shqiptarë e ndjejnë veten të frustruar në mërgim, sepse zakonisht nuk u njihet profesionalizmi dhe angazhohen në punë që nuk përputhen me arsimin e tyre. Kjo, natyrisht, shkon në dëm si të emigrantëve, ashtu edhe të vendeve pritëse. Këto të fundit nuk dinë t’i shfrytëzojnë sa më mirë potencialitetet intelektuale dhe profesionale të emigrantëve. Pra, duke mos qenë faji i tyre, emigrantët mund të shfajësohen lehtë. Po në Shqipëri, nëse përqindja e të pakënaqurve do të ishte e lartë, ç’do të thuhej? Apo do ngushëllohemi me përqindjet e Turqisë mike?

6 Comments

  1. Sot ne tregun e punes ne pergjithesi mbizoteron kjo:

    Nuk ka rendesi se sa djeni ke, por cilin njeh.

    Puna eshte mundim i njefishte kur ben ate qe do dhe nuk te japin aq sa te takon.

    Puna eshte mundim i dyfishte kur nuk ben ate qe do dhe nuk te japin ate qe te takon.

  2. qafirarnaut,

    Jo gjithmone puna qe do eshte qejf. P.sh. ne kohen e kaluar pothuaj qe te gjithe ne Shqiperi benin punen per te cilen ishin shkolluar dhe trainuar. Pra, pak a shume mund te themi se benin punen qe donin por perseri nuk ishin te kenaqur sepse paguheshin shume pak. Nga fundi i viteve 60′ te gjithe njerzit punonin fort dhe vazhdonin te paguheshin ne ate mase sa nuk plotesonin kerkesat minimale. Me kalimin e viteve, kur filloj ngadale ti dilte boja propagandes per nje te ardhme me te ndritur, njerzit po punonin gjithnje dhe me pak deri sa aritem ne ditet qe i dime te gjithe. Dhe se fundi doli edhe thenia: Ne bejme sikur punojme. Ata bejne sikur na paguajne.

    Nuk jam ne nje mendje me ty qe e quan qejf punen qe do per sa kohe ajo nuk te paguan ate qe ti mendon se meriton. Eshte tjeter gje kur nuk ke nevoje per tu paguar dhe punon per pasion. Do kisha deshire shume te madhe te isha ne ato kushte.

  3. Ka nje anektode qe thote se kur e pyeten fshatarin se “c’eshte dashuria; pune apo qejf?” ai u pergjegj “po te ishte pune beu do ma linte mua, nuk do e bente vet”
    Edhe mua po te me pyesin nese ato qe bejne politikanet tane (dikur fizikante, doktore e agronom dhe sot presidente, kryeministra dhe deputete) jane pune apo qejfe, do t’i pergjigjesha me te njejtin naivitet, sikurse fshatari, duke thene: po te ishin pune do na i linin neve, dhe nuk do t’i benin vete…

  4. Sikur e konfjuze pak punen o ujk i zi. Ndoshta ti ketu e ke fjalen ne vazhdim te mendimeve per shkrimin por une do thoja se politikanet tane te medhej ne pune bejne qejf dhe ne qejfe bejne po qejf. Pra kemi ate….qejf o qejf. Ne po flasim per ata qe ju ka rene per hise’ qe te punojne ne kete bote dhe jo per ata qe bejne gallate.

  5. “Me fjalë më moderne, tregu shqiptar i punës shfaqet sot si bingo në qiell të hapur, ku duhet të bjerë numri i duhur për të fituar.” – tha Pishaku…

    Sakte. Kjo shpjegon fjala vjen edhe numrin prej 105 kandidatesh per anetare te ardhshem te Gjykates se Larte. Nese sheh cv e shumices prej tyre kupton shpejt se jane ne ultesine e vc te tyre, por kjo nuk i ka stepur hic djemte, pasi historia e ndritur e kombit ka rrefyer me dhjetra here se nuk eshte puna ajo qe te qit ne selamet, por miku i mire ne dite te veshtire:).
    Shpreh bindjen se nuk do te kemi zhgenjome as kete rradhe…

Comments are closed.