MIZA

Në përshkrimin e tij prej entomologu të thekur, Maks Gjerazi, kur foli për insektet që flurojnë në hapësirën publicistike shqiptare, “harroi” qëllimisht insektin më të njohur e më të përhapur. E bëri për arsye pedagogjike (për të matur vëmendjen e lexuesve) dhe për arsye metodologjike (shkenca ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për këtë nënkategori dyflatrorësh). Unë po marr guximin e po hedh dy shënime, me bindjen se MIZA meriton edhe më shumë.

Karakteristika e parë e Mizës (Musca domestica) është përhapja e saj. Gjendet dhe riprodhohet kudo, në çdo vend të përfytyrueshëm, pavarësisht se në emrin latin duket sikur jeton vetëm në shtëpi. Aftësia e saj për t’u shumuar është legjendare. Vezët i vendos në grupe deri në 150 njësi, të cilat hapen në kohë të shkurtër, nga disa orë deri në pak ditë. Larvat rriten me po aq shpejtësi, derisa shndërrohen në miza. Si të thuash, miza është në përputhje me kohërat që po kalojmë, pra në unison me globalizmin.

Vetë përhapja e saj, nga zyrat në stadiume, nga banjat në pyje, nga stallat në studiot TV, nga shkollat në lokale, dëshmon një farë epërsie të këtij insekti. Ajo ka zukatjen e bezdisshme të mushkonjës në forume, këmbënguljen e pleshtit snob në diskutime ex cathedra, tangërllëkun e tartabikut ofiqeshumë, pickimin e grenxës hetuese. Në këndvështrimin funksional, miza është përzierja e përkryer e disa insekteve. Sipas situatës dhe interesave, miza të bezdis si mushkonja, të ngjitet si pleshti, të ngacmon si tartabiqja, të pickon si grenxa.

Si sintezë e shumë insekteve simotra, miza nuk ka karakter të përcaktuar qartë. Në fakt, kalon nga një forum tek tjetri, nga një diskutim tek tjetri, nga një gazetë tek tjetra, pa mëdyshje koherence. Lehtësinë me të cilën ajo kalon nga një vend tek tjetri, studiuesi i njohur prof. Zukat Thumbi, e ka quajtur “sindroma 2M”, duke nënkuptuar me M, dy ushqimet që i pëlqejnë më tepër insektit tonë, ushqime që bashkëndajnë edhe ngjyrën, sidomos mjalti i gështenjës. I vetmi problem i Mizës, është se kur kalon nga M në M harron, ose nuk di, ta ndryshojë regjistrin e komunikimit: villte/hante në M dhe vjell/ha në M. Për të, komunikimi bëhet njëlloj si në pijetoret e Karakasit ashtu edhe në restorantet e Parisit, mjafton të jetë efikas.

Miza është produkt sa i postotalitarizmit aq edhe i postmodernitetit. Mungesën e shtyllës kurrizore e quan pasuri kozmopolite bashkëkohore, mëson më shumë gjuhë të huaja se shqip, lexon më shumë indekset e bursës se çmimet e pazarit, del më shumë në televizion se në lagje. Mizën nuk e habit dot, i di të gjitha, edhe kur nuk i di, i “kishte marrë me mend”. Miza është e bindur se mungesën e durimit e ka trashëgimi nga gjeniu që jeton brenda saj. Nuk ka kohë të rrijë gjatë në një vend. Fluturon dhe ikën gjetiu, pa pasur kohë ta bindësh për çka thua. Edhe pse e konsiderojnë të sipërfaqshme, ajo e ndjen veten filozofike. Idealizmin e shikon me mëshirë, kurse mëshirën me cinizëm; këtë të fundit me admirim, kurse admirimin vetë e quan fëmijëror.

Pseudonimet në internet i quan cool, por i përdor rrallë, se nuk ka kohë. Botën e sheh me syrin e artistit dhe spektatorit njëkohësisht, më saktë e sheh thjesht si skenë ku mund të luajë ndonjë rol. Për mizën, mediat janë pasqyrë ku mund të krihet rregullisht ose të fërkojë flatrat me kënaqësi. Ka imagjinatë fantastike për të krijuar shoqata të ndryshme: emrat i kopjon nga interneti ose nga Ong perëndimore. Ushqehet rregullisht me fonde, me të cilat ble gjithnjë modelin e fundit të lap top-it Apple, me sistemin Linux brenda dhe të pamungueshmin Open Office, edhe pse hap rregullisht Word-in. Kompjuterin e përdor kryesisht për të shpikur logo shoqatash dhe slogane ekranethyese.

Miza nuk ka kriza identiteti, anipse të gjithë ia bëjnë pyetjen: “Kush je, nga vjen dhe ç’kërkon?” Ajo përgjigjet gjithnjë simpatikisht dhe mediatikisht: “Ne jemi e reja, ne jemi ndryshimi”. Miza është fotozhenike, prandaj edhe krahas pseudonimit në internet vë fotografinë e vet. Por cilësia më dalluese e mizës, e shtirur ose jo, është indiferenca. Miza bën sikur nuk i intereson biografia jote, feja apo lidhjet me të kaluarën; bën sikur nuk i sheh këpucët e tua ngjyrë rozë, as librat që ke shkruar nuk t’i lexon. Miza do të donte ta njihte origjinën tënde, por nuk i dallon dot emrat myslimanë nga ato ortodoksë; do të donte ta njihte familjen tënde, por nga regjimi njeh vetëm Mehmet Shehun; do të donte t’i kishte këpucët ngjyrë rozë por i duket tashmë ide e konsumuar; do të donte të hetonte të kaluarën tënde, por nuk di nga t’ia fillojë. Për të gjitha këto Miza deklaron vazhdimisht: “Ne jemi e ardhmja” dhe nuk kuptohet pse flet gjithnjë në shumës.

Miza është eksperte e gjithshkaje. Dijen dhe jetën e trajton si ushqimin: ha dhe bën pak nga të gjitha. Ka lexuar përmbledhjen e “Luftës dhe Paqes”, ka parë teatrin “Ferri” të bazuar tek Komedia Hyjnore, ka bërë tre faqet e para të sitit të vet me gjuhën Html, ka kënduar novelën “Dasma” të Kadaresë, ka tymosur bar disa herë (pa efekt), ka parë premierën e dokumentarit për Nënë Terezën, ka intonuar himnin shqiptar, ka mësuar përmendësh Vaso Pashën, ka ngrënë darkë me Bamir Topin, ka shpëtuar në formatin jpeg, ka praktikuar Kamasutrën me figura, ka pozicione politikisht të baraslarguara, ka dalë në revistën “Vipsa”, ka dashuruar motrën e Çiljetës.

Miza ka shkruar edhe një roman autobiografik, të cilin e dhuron rregullisht në takime me autoritete të huaja. Nuk e njeh leksikun e totalitarizmit shqiptar, kryesisht për faj të moshës, por mendësinë ia ka përthithur më së miri. Në fakt nuk sheh me ngjyra, por vetëm bardhezi. “Ju jeni e kaluara, ne jemi e ardhmja”, thotë gjithnjë. Miza është e pavdekshme. Kur kujton se e ke asgjësuar me argumente, po aq të efektshme sa bombolat me flit, ke gabuar kryekëput. Je i pashpresë. Miza respekton ligjin natyror “Një bie mijëra ngrihen”.

2 Komente

  1. Shkrim i mrekullueshem. Me ke sjelle nder mend Mark Twain me llojin e humorit. Kisha kohe qe s’kisha lexuar dicka te tille, dhe sigurisht nuk prisja qe ta lexoja ne internet, por ja…
    Faleminderit

  2. !!
    “vazhdim” i denje , qe nuk bie me pak poshte me shkrimin “Insektofobia”..
    pergezime per kete shkrim te shkelqyer.
    une nuk mendoj fare se e egzagjeroj kur them se sjelljet e njerezve tane do merrnin permasa me te dobishme nese do ti bluanin me shume ne koke shkrime ne kete blog:)

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: