SFIDA E TATUAZHIT

Në rininë time në Shqipëri, tatuazhe kishin ata që e kishin bërë shërbimin ushtarak në marinë – nga ku kishin trashëguar një spirancë shtrembake në parakrah, së bashku me vitin përkatës; edhe pse të tilla eksperimente krijuese ndërmerreshin edhe në burgjet, në shkollat e korrektimit, në kampet e punës së detyruar e kudo tjetër ku burrat e gratë detyroheshin të kalonin kohë së bashku ose të institucionalizuar. Dashur pa dashur, tatuazhi i atëhershëm, i ekzekutuar në mënyrë rudimentare e gjithnjë me bojë të kaltër në të gjelbër si gishtat e kalamajve të fillores, ishte një lloj shenje përkatësie, ose solidariteti të fituar gjetiu; ose në një hapësirë që pak kishte të bënte me hapësirën urbane të zakonshme.

Sot teknikat e vizatimit në lëkurë kanë ndryshuar, së bashku me imazhet; por çfarë ka ndryshuar më tepër është pritja e tatuazhit nga opinioni publik, të paktën në Perëndim. Dëshira për ta përdorur lëkurën tënde si një lloj kanavace, për të ekspozuar atje të pikturuar diçka që ka të bëjë me identitetin tënd, ose me një kumt që kërkon t’ua përcjellësh të tjerëve i ka kapërcyer tashmë kufijtë e transgresionit, për t’u derdhur në vathën e pseudo-dokeve mainstream, ku shpesh imitimi është më i fortë sesa vullneti për të kundërshtuar normat sunduese, ose pushtetin e etërve.

Djem dhe vajza, të pasur e të varfër, të mençur e të trashë, të ditur e analfabetë, fanatikë e libertinë, i shpalosin njëri-tjetrit gjithfarë yjesh, sirenash, nimfash, fluturash, trëndafilash, shqiponjash, luanësh, kryqesh, ëngjëjsh, dragonjsh, merimangash, tigrash, pilivesash, gjarpërinjsh, akrepash, diejsh, shenjash të Zodiakut dhe simbolesh të tjera të shumëkuptimshme, të cilat herë kanë ngjyrim erotik, herë thjesht tradhtojnë dëshirën për t’u konformuar me trend-in, e herë të tjera klasifikojnë në grupe të caktuara, duke dhënë identitet për veten nëpërmjet identitetit “për tjetrin”, si shqiponja dykrenare e aktores shqiptare-amerikane Eliza Dushku dhe mijëra shqiptarëve e shqiptareve të tjera, në pozicione anatomike nga më të larmishmet.

Në librin e vet “L’uomo delinquente” (botuar në 1875), psikiatri ligjor italian Cesare Lombroso i pati cilësuar tatuazhet si një nga shenjat dalluese të personalitetit kriminal (mund ta lexoni këtu, në frëngjishte, dhe këtu në italishte, krejt kapitullin përkatës); duke arsyetuar, ndër të tjera, se vetëm njerëz me prag shumë të lartë të dhimbjes, ose praktikisht të pandjeshëm e të paaftë për empati, mund t’i duronin procedurat primitive përkatëse, sidomos në kushtet e burgut. Lombroso përmend në studimin e vet edhe shembuj pacientësh të burgosur, burra dhe gra, që kishin tatuazhe të ekzekutuara drejtpërdrejt mbi mukozat e organeve gjenitale, çka do të ishte e pamundshme për t’u përballuar, sipas tij, nga njeriu normal.

Megjithatë, kur sheh sot një tatuazh të vogël të ekspozuar në mënyrë diskrete në shpinën e një vajze në rrugë nuk të shkon mendja te dhimbja, por më tepër te kumti që rrezatohet prej andej; ose e veçanta e veshur me petka të simbolesh aq të konsumuara sa trëndafili, flutura ose Kupidi. Nuk është vetëm objekti i vizatuar që duhet lexuar e interpretuar drejt, por më tepër vendi se ku është shkruar lëkura, dhe raporti i dykuptimshëm me veshjen. Nga ana tjetër, si edhe me shumë transgresione të tjera në epokën e mass mediave, tatuazhi sot, bashkë me body piercing, janë më tepër shprehje e një dëshire për t’u identifikuar nëpërmjet konformimit, sesa gjeste të një rebelimi të vetvetishëm.

Ndoshta dhimbja mbetet ende një faktor krenarie për tatuazhet masive, të cilat më tepër sesa simbole janë histori të shkruara në lëkurë, të ngjashme me pikturat në amforat greke ose afresket në pallatet e Egjiptit të lashtë – po çfarë historie rrëfehet vallë dhe nga kush? Jo rrallë, bota e tatuazhit rrethpritet sot me botën e romanit grafik, ose të mangave japoneze, për t’ia hapur dyert e komunikimit publik një bote thelbësisht të huaj për mendësinë alfabetike të Perëndimit. Dhimbja, inicimi në kult, përkatësia tribale qoftë edhe krejtësisht e imagjinuar, burrëria e shprehur nëpërmjet modifikimit të çka është blatuar prej natyrës – të gjitha këto përfaqësojnë tashmë një realitet që nuk ka më të bëjë me kriminelët e Lombroso-s, përveçse në imagjinatën e etërve.

E gjithë kjo, pa e sjellë fare në konsideratë temën e permanencës së shenjës, përballë një jete aq dinamike e aq kaotike, saqë tatuazhi të shërbejë si ankorim për identitetin, ose si kyç për ta mbajtur realen reale, nëpërmjet simbolikës. Përndryshe, të gjithë kemi parë ç’u bëjnë vitet tatuazheve dikur po aq të bukura sa edhe yjet e kinemasë; ironikisht duke i shkatërruar me anë të së njëjtës armë: rritjes dhe rrudhosjes së lëkurës, ose të pikërisht atij trualli magjik ku mbin e rritet bukuria që na ka lënë përndryshe gojëhapur. Kanë thënë që kush merr guximin të bukurshkruajë mbi trupin e vet nuk e ka sensin e të ardhmes ose të plakjes, sepse jeton vetëm në flluskën e së tashmes; sikurse kanë thënë që tatuazhi të lejon ta mbash edhe pak gjallë iluzionin e përjetësisë, ose bindjen se thelbi yt do të mbetet kurdoherë i barabartë me vetveten; ose kanë vërejtur se të tatuuarit nuk shpresojnë se do të jetojnë deri atëherë kur tatuazhet të nisin t’u përçudnohen, duke u deformuar sipas gjeometrish djallëzore, e duke u shtjelluar në trajta të frikshme, ekspresioniste, pothuajse anamorfike.

Shenjë e dhimbjes së përballuar, ose e përkushtimit ndaj një ideali intim, personal, delikat; emblemë e një kalorësie imagjinare; kumt i vetëgjymtimit në emër të një përkatësie pothuajse fetare, kultike e tribale, të personave të shenjuar, si djali i përrallave me yll në ballë; afirmim naiv por efikas i pronësisë ndaj trupit në një botë ku gjithçka tjetër e jotja mund të të shpronësohet; ose gjurmë dramatike e njëjtësimit me tigrin, luanin, dragoin, shqiponjën ose panterën totemike; tatuazhi është edhe një lloj kundërfotografie – meqë aty është bota, e përkthyer në gjuhën koncize të simboleve që përthyhet në lëkurë, duke dalë prej rrjedhës së kohës e duke u ruajtur si një “e shkuar e pranishme”, për ta thënë me Roland Barthes. Aq më e vërtetë është kjo kur e shkuara futet në krizë nga një e shkuar tjetër, dhe tatuazhi vetë vjen duke mishëruar entropinë, ose sublimimin e esencës që më kot kërkoi t’i rezistonte kohës.

Jetojmë në një kohë kur individit i kanoset mohimi asgjësues nga shumë drejtime; por sidomos nga joshja për t’ia besuar të drejtat grupit tribal, çka është në thelb edhe pranim i pafuqisë për t’i dalë botës ballë për ballë i vetëm, ose për ta sfiduar sy më sy. Edhe për koketën e trotuarit që ekspozon një zambak varur pezull midis dy segmenteve të trupit, tatuimi është akti i aderimit në tribunë difuze të atyre që komunikojnë nëpërmjet tatuazheve, ose kontaktit të syrit me lëkurën. Guximi, në atë rast, nuk ka aq të bëjë me të duruarit e dhimbjes, sesa me vetë bindjen se vitet do të tregojnë dhembshuri për lëkurën tënde, madje edhe përkundrejt plakjes ose vyshkjes së brendshmi. Kur komunikimi themelohet mbi elementin vizual, dukja dhe thelbi ndërrojnë vendet.

Thonë për brezat se, njëlloj si ato mizat efemere, e nisin dhe e mbyllin ciklin e të jetuarit brenda një dite të vetme; se mund të merren vesh vetëm horizontalisht, sipas viteve, e shumta dhjetëvjeçarëve të lindjes, për t’u rrethuar përndryshe nga gjuhë, hieroglife, simbole dhe isharete të pakuptueshme, të padeshifrueshme. Përndryshe, nuk di ç’do të zgjidhja, sikur të më detyronin, me shtrëngesë, për t’ia bërë vetes një tatuazh – më të përtejmë se nishanet, shenjat e plagëve, cikatricet, shenjat e vaksinave, shenjat e kafshimeve, shenjat e rrëzimeve dhe të gjitha tiparet e tjera, sa të padukshme aq edhe të padiskutueshme, të gjeografisë aksidentale të trupit. Ndoshta një pikë të vetme, më shumë të thellë sesa të shtrirë; një tatuazh në përmasën e tretë, që nuk tradhton aq dhimbje, sesa hapësirë në brendësi.

Uomo criminale vërtet, por për një sekondë të vetme.

4 Komente

  1. “….Ndoshta një pikë të vetme, më shumë të thellë sesa të shtrirë; një tatuazh në përmasën e tretë, që nuk tradhton aq dhimbje, sesa hapësirë në brendësi.
    Uomo criminale vërtet, por për një sekondë të vetme.”

    Shume e bukur.

    Ja se si do ta permblidhja une tatuazhin.

    Tradite: Simbole marinaresh, aventuriere detesh e piratesh, dergjur neper kuvertat dhe rrogozet e anijeve nen djellin pervelues tropikal.

    Trend: Simbole djemsh dhe vajzash qe kerkojne me teper vemendje nga sa meritojne tek sa ecin gjoja shkujdesur me pjesen e tuatazhit qellimisht zbuluar. Menget e prera per te treguar lleret dhe pantallonat e shkurtura per pulpat. Blluzkat e shkurtra te cupes per te nxjere nga pas “tramp-stamp-in” perkates.

    Vulgaritet: Simbole puntoresh ndertimi, shofera kamionash, redneck-esh gjithfarllojesh dhe blot-sat e dambllakosur nga methamphetamina lekure percelluar si djegje e shkalles se trete me perralla dhe rrefime psikoedilike.

    Fitues: Te zinjte dhe ata qe nuk e provojne tatuazhin.

    Them se mund ta vazhdoj me tatu-ne ne Tirane. Majmunet kopjojne gjithnje me te thjeshten.

  2. …”Them se mund ta vazhdoj me tatu-ne ne Tirane. Majmunet kopjojne gjithnje me te thjeshten…”

    Hemmm.
    Kur dandizmi kishte marre kopene neper Europe, me duket se ne pjese te Shqiperise tatuazhet ishin zakon.

  3. Iliro-traket ,po ti marrim per te verteta cka thone antiket, ishin shume te dhene pas tatuazheve. Zakonisht kishte figura standart, simbole te diellit apo gjarperit, qe shprehnin edhe perkatesine fetaro-shpirterore te individeve, po mund te kishte edhe ndonje skene qe i kushtohej vrasjes se nje armiku trim.

    Tatuazhi me i perhapur ne veriun e fillim shekullit 20 sipas nje autori qe kish bere nje studim, ishte dielli, ne forma nga me te ndryshmet, perfshire edhe swastiken, e gati perhere tatuazhi titullohej, Dielli i Zotit/Perendise. Ne fsh.com mund te gjenden shume figura te librit.

    Tatuazhi eshte nje simbol, me ane te cilit, individi do te shprehe me force nje pjese te rendesishme te personalitetit te tij.
    Nje shoku im beri ne gjysmen e krahut Shqiperine etnike te 1878(4 vilajetet) e ne mes perkrenarja e Skenderbeut.
    Padyshim qe ky eshte simbol i perkatesise etnike, nje ‘vule’ qe eviton cdo dyshim e nje shprehje krenarie per kete perkatesi.

    Pastaj ka shume tipe simbolesh, shpesh te vene sepse ne mode, ndonje dragua apo flutur, por keto pertej kenaqesise estetike te tipit pirsing, veshtire se tregojne ndonje gje nga personaliteti.
    Nje flutur mund ta mbaje nje femer qe ne fakt eshte neperke ose laraske, kurse nje dragua, nje tip qe ka shume fjale e pak vepra.

    Personalisht jam i terhequr nga simbolet fetare. Spo me mbushet ende mendja per nje forme ku gershetohet dielli me gjarperin, por shpresoj se heret a vone do shoh ndonje gje te ngjashme ne ndonje repert antik.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: