Për këto shënime u bë shkak një shkëmbim me Endrit Markun, që pjesërisht vazhdoi edhe në privat, rreth raporteve të titullit me veprën e artit përkatëse.
Zgjedhja e titullit ka historinë e vet, që shembëllen në shumë anë historinë e artit dhe të kulturës; mjaft të kujtoj këtu se origjinali i një vepre që sot e njohim si “Gulliver’s Travels” titullohej “Travels Into Several Remote Nations of the World. In Four Parts by Lemuel Gulliver, First a Surgeon, then a Captain of Several Ships”, duke i ofruar kureshtarit shumë më tepër informacion.
Ngjashëm, romani “Robinson Crusoe”, nga Daniel Defoe, u pat botuar në krye me titullin “The Life and Strange Surprizing Adventures of Robinson Crusoe, of York, Mariner: Who lived Eight and Twenty Years, all alone in an un-inhabited Island on the Coast of America, near the Mouth of the Great River of Oroonoque; Having been cast on Shore by Shipwreck, wherein all the Men perished but himself.”
Tituj të tillë janë përshkrues (deskriptivë) dhe shërbejnë edhe si “parapamje” (preview”) e historisë që rrëfehet në libër; semiotikisht i ngjajnë, kuriozisht, trailer-it të një filmi sot.
Nga ana tjetër, kemi një roman si ai i Robert Grudin-it, i botuar në vitin 1992, me titullin “Book” – edhe ky përshkrues, për me një efekt krejt tjetër. Disa autorë post-modernistë eksperimentuan vrullshëm me titujt, duke na dhënë romane si “This is not a novel”, nga David Markson, që haptazi i referohet titullit të tablosë “Ceci n’est pas une pipe” të Magritte-it.
Tema meriton një trajtim të plotë; po mjaftohem të them se biseda me Markun u shtjellua rreth asaj nëse titulli është diçka që i vihet veprës (i shtohet); apo pjesë e saj integrale; një diskutim që vjen e i ngjan atij, më filozofik, rreth natyrës së emrave dhe arbitraritetit (Kratylos-i i Platonit). I. Kadareja ia ka vënë “Kështjellës” së vet disa tituj – përfshi këtu edhe “Daullet e shiut”; një prerogativë kjo e autorit, por që sjell me vete pyetjen nëse vepra ka mbetur e njëjtë edhe me titull të ndryshuar. Për krahasim: po sikur Ismail Kadareja vetë ta kish pasur emrin Lefter Karfica…?
Dhe meqë emërtimi i një vepre me titull na shpie drejt një debati që i përket logjikës, paradoksi nuk vonon. E ilustroj me imazhin që kam vendosur në kopertinë – një skulpturë, në një galeri, me diciturën PA TITULL, paçka se kjo diciturë është, nga çdo anë që ta marrësh, titulli i skulpturës; dhe në këtë kuptim dicitura sakaq e përgënjeshtron atë që pohon. Filozofi mund të hetojë se çfarë ndodh, sikur ta heqim fare diciturën; skulptura do të mbetet tani pa titull (pa diciturë) – edhe pse, po të duam ta quajmë kështu, ia kemi vënë edhe titullin.
Këtu do të ndërhynte strukturalisti, për të vërejtur se, edhe pa diciturë, skulptura në fjalë nuk do të ishte pa titull, por thjesht me titull zero; për shkak të marrëdhënieve që ajo vendos me skulpturat e tjera në galeri, ose edhe në univers. Dhe kjo nuk ka fare të bëjë me identifikimin që ia bëjmë, si skulpturë ose si vepër arti, përkundrejt diçkaje të ngjashme, që do të gjenim në plehrat e rrangallat e një dyqani biçikletash.
Pavarësisht nga statusi që ka në logjikë dhe në semantikë (gjuhësi), titulli i një vepre arti është edhe ai produkt i një procesi krijues të artistit – edhe pse në shërbim të veprës; dhe kjo përtej funksioneve praktike që ka, për ta dalluar veprën nga vepra të tjera, ose për të ndihmuar me identifikimin e saj. Falë titullit, veprat kodifikohen si shenja themelore të universit kulturor – që nga “Flauti magjik” te “Të mjerët” te “Demoiselles d’Avignon” te “Odiseja” e Homerit dhe “Uliksi” i Joyce-it.
Pyetja që më mbetet pa përgjigje, është nëse zgjedhja e titullit, për secilën nga këto kryevepra, ka luajtur ndonjë farë roli në statusin e tyre sot.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me Flux.