LOJËRA NË RRUGË

M’u kujtua një lojë – lojë? – që kemi pasë bërë, herë pas here, si gjimnazistë te Samiu (në vitet 1970); dhe pikërisht, kur na anulohej ndonjë orë mësimi, dhe kishim kohë për të vrarë.

E quajta lojë – por mund ta kisha quajtur edhe rreng, siç mund ta kisha quajtur happening, ose teatër rruge. Se ja çfarë bënim: dilnim në grup, zakonisht te Rruga e Barrikadave ose më rrallë edhe te Rruga e Dibrës, ashtu nja 15-20 vetë të klasës (jo gjithë klasa, por quasi), ia vinim syrin një personi, zakonisht gjynahqar ose të çuditshëm, pak në moshë ose të rënduar (“xhajë”), mundësisht edhe një çikë të pirë, që shkonte ngadalë në punë të vet. Një nga ata tipa që i ndesh kudo, po t’u kushtosh vëmendje kalimtarëve – por që përndryshe janë pothuajse transparentë, anonimë, të padukshëm, “figurantë” (extras) të rrugës. Now you see them, now you don’t.

E pikasnim, pra, këtë tip, dhe fillonim ta ndiqnim nga prapa, njëri pas tjetrit, në njëshkolonë, duke u kujdesur të ruanim shpejtësinë, distancën dhe – aq sa mundeshim – seriozitetin. Kolona sa vinte e zgjatej. Kur ky tipi ecte në trotuar, ecnim edhe ne në trotuar. Kur ky ndalej te ndonjë vitrinë, ndaleshim edhe ne. Kur ky kapërcente rrugën, e kapërcenim edhe ne, pa e prishur formacionin. Ashtu vazhdonim, për një copë herë, pa iu ndarë dhe duke u zbavitur pa masë, por duke dëfryer edhe kalimtarët e habitur.

Përfytyrojeni këtë njëshkolonë, të kryesuar nga xhaja hundëkuq, me ndonjë qese me bishta prasi në dorë, që çante në rrugët e qendrës së Tiranës së atyre viteve.

Çfarë ishte kjo që bënim tamam? Para së gjithash, “gallatë”. Por kjo nuk ishte lojë dosido – sepse e luanim për vete, por e luanim edhe për të tjerët, që na shihnin. Këta ishin të tjerët anonimë, publiku i rrugës, njerëz që nuk i njihnim dhe as do t’i njihnim; por sytë dhe hilariteti i tyre na duheshin, për ta shijuar lojën edhe ne.

Dhe nëse luanim për dikë tjetër, ky ishte një farë teatri, sui generis. Detyrimisht pantomimik. Me elemente të forta koreografike – tek e fundit, ruajtja e njëshkolonës ishte gjithçka, sikurse edhe ruajtja e shpejtësisë.

Eksperienca teatrale krijohej dhe pastaj shpërbëhej në çast, duke banuar momentin. Kuptimi i saj ishte që nuk kishte kuptim.

Si monsieur Jourdain-i i Molière-it që s’e kish ditur se folkësh në prozë, po organizonim një happening pa dashka; ose ndoshta një flash mob. Gjithsesi, një formë e teatrit të rrugës, art performativ i vetvetishëm, jashtë kornizave të ideologjizuara të kohës.

Rruga ishte skena ku konsumohej ky lloj argëtimi – prej nesh dhe prej kalimtarëve të rastit. Argëtoheshin edhe ata, edhe ne: një tjetër tipar i happening-ut.

Tani që mendoj, them edhe se ky të ecur kaq i organizuar, në një mjedis të përkufizuar nga ecja e lirshme, do të ketë qenë – për ne – edhe çlirim ndaj formave disiplinore të ecjes rreshtore, që na impononin në shkollë – nga ecja “me hap” në fizkulturë dhe në ushtarake, te paradat parakalimet dhe manifestimet, madje edhe koreografitë e gjimnastikës së mëngjesit në oborrin e shkollës dhe bashkërendimi i hyrjes së nxënësve në shkollë në mëngjes dhe, më në përgjithësi, mënyrat e organizimit të turmave, gjatë veprimtarive masive aso kohe aq të shpeshta.

Formacione të tilla si rreshti dhe kolona, përndryshe instanca të disiplinimit dhe shprehje e nënshtrimit ndaj një autoriteti, i riprodhonim tani me dëshirën tonë, në trajta të lojës – në të gjitha kuptimet e kësaj fjale, si “gioco”, por edhe si “lojë” skenike, ku hynim në role të përkohshme, para njëri-tjetrit dhe publikut.

Ashtu edhe e riprodhonim grupin tonë jashtë vijave autoritare dhe disiplinore të forcës, duke i “përqeshur” këto struktura si absurde, qoftë edhe duke i nxjerrë lakuriq.

Sërish, ju ftoj përfytyroni një kolonë gjimnazistësh, që çan mes për mes Tiranës, duke ndjekur këmba këmbës një “geezer”, një qyqar, një xhajë, një anonim të pazarit. Madje jo thjesht duke e ndjekur, por duke i blatuar rolin momentan të liderit, të udhëheqësit, të udhërrëfyesit, të atij që prin përpara – ose të një kryemetafore të propagandës dhe të artit të realizmit socialist. Rolin e komandantit, të prijësit, të autoritetit. Duke u renditur dhe pastaj ecur në kolonë pas tij, e vinim këtë anonim të rrugës në fokus, para publikut; e vinim në piedestal, duke përmbysur – gjithnjë simbolikisht – hierarkitë.

Teatër i rrugës (street theater), happening, dérive, mbase edhe flash mob – koreografi fluide, rikontekstualizim i simboleve të rrugës, riprodhim i sensit të grupit, çlirim nga imponimet disiplinore nëpërmjet imitimit, parodisë, re-enactment; të gjitha këto, por edhe thjesht rreng.

Ai tipi që kishim zgjedhur për të na “udhëhequr”, në zhvendosjet tona simbolike përmes Tiranës, shndërrohej nga agjenci, në viktimë – luante një rol skenik, por pa qenë i vetëdijshëm për këtë. Edhe atëherë kur nuk e kuptonte çfarë po i bënim dhe nuk e vinte re kolonën me gjimnazistë që e ndiqte pas, sërish i shfaqej publikut ashtu si nuk do të donte – meqë thjesht koreografia jonë e kish vënë në fokus, under the spotlight.

Ishte njeriu i rrugës, i zhveshur nga çdo kapacitet për t’u fshehur mes të tjerëve; ndërhyrja jonë lojcake e kish veçuar nga turma e kalimtarëve, e kish zgjedhur, e kish ngarkuar me mision skenik.

Ashtu mbijetonim ne, mbase mbijetonte edhe rruga.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.