PALLATI ME ÇATI, POSHTË KULLËS PA KRYE

Nga Eda Derhemi

Foto pa pallatin Kaceli

Një si kërkim, një si mall, një si rënkim i shtyn tiranasit e emigruar të tërhiqen pashmangshëm nga çfarë ka ngelur prej Tiranës së tyre. I përfytyroj që enden rrugëve si të zombifikuar nga mosgjetja e vetes dhe e së shkuarës, të varur e të hutuar për të kapur si kafshata mbijetese ato pak pika e vija me erë të njohur njeriu e me erë Tirane. Jam edhe unë në kërkim periodik e të përhershëm.  Në një farë mënyre, copa të tuat vdesin kur nuk e gjen të shkuarën.

Tirana ku duket qartë pallati Kaceli

Herë i kuptojmë, herë nuk i vemë re, ose lodhemi dhe adaptohemi; por kulturalisht segmente të pacaktuara të kujtesës dhe identitetit i kemi të mpira ose krejt të vdekura, frymëmarrja kulturore e qytetarit në qytetin që ka një të shkuar dhe një identitet formuar ngadalë e natyrshëm, pengohet nga ajri i prishur, nga filli i këputur. Tiranasit e emigruar, si të distancuar në hapësirë e shkëputur në kohë, janë thjesht ata që e ndiejnë këtë kalbje më fort e më dukshëm, por i njëjti proces përjetohet në forma individuale nga të gjithë qytetarët e Tiranës, qytetit që është arratisur nga vetja dhe nga njerëzit. Ndoshta për ata që s’i janë larguar ndryshimit të padëshiruar, trauma është edhe më e madhe e më e thellë, sepse, më e paanalizuar; gjithsesi, njeriu në fund bën paqe me ambientin, edhe me më të padëshirueshmin: paqe me dhimbje, paqe të ndërgjegjshme ose symbyllazi. Ose, paqe firauni.

Tirana e Vjetër, parë nga dritaret e katit të pestë të Kacelve

Një ndër ato pak ndërtesa që sa herë vij më bën të them se jam në vendin tim, është Pallati i Kacelve[i], dikur me specifikimin e rregullt publicitar e krenar mbi murin e vet perëndimor “Vllazën Kaceli”. Nuk kisha menduar kurrë sa isha e re e bridhja rrugëve të shtrembëta të Tiranës se kjo ndërtesë sot do bëhej kaq e rëndësishme për mua. Vitet e fundit i ngjitem Sahatit edhe dy herë në ditët kur vij në qytetin tim, shoh Malin e Dajtit që është aty ku e pata lënë, shoh edhe pallatin e Kacelve, dhe them me vete: jam aty ku më ka rënë koka. Akoma e kam lidhjen fizike me Tiranën, e akoma orientohem. Vij shpesh, edhe tri herë në vit ndodh. E prapë s’e gjej Tiranën. Një frikë më fërgëllon brenda se do vijë dita kur, nga Sahati, të shoh poshtë Xhaminë e Ethem Beut, më pas Bankën dhe Ministritë, dhe t’i pëshpëris vetes me ose pa turp: këto janë më të vjetrat ndërtesa që na kanë ngel në kryeqytet. Bën vaki këtë pallat e ndjek me pasion të pajustifikuar edhe pse ndoshta nuk e prisja të mbetej në këmbë mu në lule të vendit, në një Tiranë kaq të ngatërruar, të pasigurtë, e ku asgjëje prej muri e tullash nuk i dihet jetëgjatësia a statusi.

Jo se pallati Vllazën Kaceli më ka krijuar dobësi ndonjëherë për vlera të veçanta kur isha e re. Ndoshta ngaqë nuk jam arkitekte, dhe nuk gjykoj teknikisht. Por duket qartësisht solid dhe njëkohësisht ftues, i menduar mirë dhe i rregullt, i fuqishëm dhe i pastër si ndërtesë; kam lexuar se është ndërtuar sipas modelesh revolucionare arkitekture të kohës. Për brendësitë e pallatit do shkruaj më pas. Mua faqet e Lindjes dhe Perëndimit pa dritare nuk më pëlqenin hiç kur isha e vogël. Tani e di se ishin ashtu që të lidheshin me të tjera pallate që do projektoheshin në krah[ii], duke lejuar dritën të ndriconte hapësirat e banuara. Por ky pallati me çati, ndoshta i pari i Tiranës, i rri mirë dhe i ngjit asaj; dhe i ka ndenjur mirë edhe kur u ndërtua që në 1930[iii].

Është pallat që i ka dhënë një gur simbolik të pakrahasueshëm skyline-it të Tiranës parë nga qendra, si në fotografi si në pikturë. Pa të, nga gjithë fotot e pikturat e vjetra të qendrës së Tiranës, do kishim të ngelura sot veç Xhaminë dhe Sahatin pranë saj, dy qendra të pabanuara, dy simbole ideologjike të fesë dhe pushtetit, por pa jetë qytetarësh, pa kulturë e histori përditësie, pa gjak në to. Sepse çfarë tjetër kish gjak, u zhduk. Tirana me harqet e panumërt të Pazarit të Vjetër dhe rrugëve përreth që na bënin siç na takon të jemi vend Mesdhetar e ballkanas, harqe që u japin vibes dhe lidhje qyteteve të vjetra italiane, kroate e turke, u zëvendësuan me linjat kryesisht drejtkëndore musoliniane dhe sovjetike[iv]. Harkun si tipar të Tiranës mund ta konsiderojmë të vdekur, sepse kurrë nuk e zëvendësuam pasi e prishëm. Bashkë me të vdes edhe ngadalësia filozofike e sharmi oriental, Tirana me dyqanxhinjtë ngjitur bythë më bythë e me tendat valëvitëse njëra pas tjetrës të dyqaneve një- a dykatëshe, nën të cilat e kaloje rehat gjithë rrugën 28 Nandor a Rrugën e Barrikadave. Edhe ato janë zhdukur e s’janë zëvendësuar. Për të mos egërsuar qytetin duhej ruajtur kjo harmoni mes gjallërisë dhe energjisë së një qyteti të ri në moshë, sot të mbipopulluar, dhe të shkuarës së tij kulturore me jetë të ngadaltë, medituese, qejflie, të gjelbër e afër tokës në lartësi fizike dhe në shpirt. Ashtu si mbi Tiranë duhej ruajtur hapja e plotë ndaj malit të Dajtit. Veç ai, i bukur, duhej të bënte hije mbrojtëse mbi qytetin tokësor e të mësuar me malin.

Mes një Tirane të vjetër e të qetë, pa kakofoni arkitekture sido që e varfër, rrinte miqësisht edhe pallati Vllazën Kaceli. Tani, i vetmuar e stoik. S’do t’ia dijë? Shihni fotot e rrugës 28 Nandor dhe të Pazarit të Vjetër, si para ndërtimit të Pallatit Vllazën Kaceli, si pas tij. Pallati ngjit fare mirë. Shihni edhe si duket Tirana e vjetër nga maja e pallatit Vllazën Kaceli. Shihni më pas edhe foton e sotme me kullën absurde nga pas! Ajo kulla nuk i rri hiç mirë as pallatit, as Tiranës! Mendoni që e gjithë zallamahia e Teatrit Kombëtar bëhet vetëm e vetëm sepse duhet që më shumë kulla të tjera të ndërtohen po aty, e t’i shtohen binave pa kuptim që ndërkaq ia qijnë paq e pa lejë qiellin Tiranës, e ua përçudnojnë skyline-n e natyrshëm qytetarëve. Mendojeni tani atë pallatin e Kacelve të gëluar nga 5-6 kulla-lubi përreth. Pallati Vllazën Kaceli vdes kështu edhe pa e shembur fare.

Disa fotove të vjetra që shihen nuk ua di vitin ekzakt të fotografimit. Por ato foto tregojnë gjallërisht historinë e një Tirone të harruar në forma, por që mbetet e gjallë në mendjen dhe kujtesën e njerëzve, se nuk është e largët në kohë – sidomos si kujtesë shpirtërore e kulturore, jo veç si listë a qartë fotosh konkrete në memorien që kontrollohet prej racionales. Fotoja ku pallati Vllazën Kaceli nuk ekziston, duhet të jetë e para 1928-ës. Në të tjerat, ky pallati i pamungueshëm rri hijshëm e me modesti të fisme. Dritaret e brendshme të dy faqeve “quasi-kallkan” ishin të reja për Tiranën, por krejt të pranueshme, madje i bënin zejtarët zanotçi e katunarët e Tironës ta admironin e të nënqeshnin me qesëndinë e butë dhe ironinë tipike pozitive qytetase, po ashtu si edhe tregtarët e rinj e intelektualët e saj, me zgjidhjet artitekturore t’mençme t’kaurrit ene ’taljonit! Shi, shi, shi! Ku i ka shku menia! Nuk kam ende të dhëna të mjafta, por besoj se koncepti i “pallatit” me apartamente banimi të ketë hyrë pikërisht me këtë ndërtesë në Tiranë – pallat me apartamente që jepeshin me qira. Ende sot tironasit e vjetër thonë “ke pallati- Kacelve”. Ndërtesa nuk u ndërtua nga nevoja e vllazënve për banesë por me idenë moderne të pallatit qytetas. Një tjetër “pallat” i njohur i Tironës së vjetër është Pallati Kazazve, afër Shkollës së Kuqe, me të njëjtin koncept multi-apartamentesh që të ftojnë shumë familje pa lidhje me njëra-tjetrën. Por ky është ndërtuar shumë pas atij të Kacelve. Osmon Kaceli më tregoi se ata vetë si familje vazhduan të jetonin “ke shpit e Kacelve” tek Pisha, në afërsi të rrugës Tefta Tashko sot. Një tjetër Kacel, i brezit të bijve të “vllazënve”, Buroni, më tregoi se i ati, piktori Sadik Kaceli që qe edhe vëllai më i vogël, jetoi në një apartament në atë godinë gjatë viteve të Luftës, përfshirë luftën e Tiranës, me të shoqen nga familja Basha, me të cilën sa ishin martuar. Prej atyre dritareve, sidomos të katit të sipërm që funksiononte si papafingo dhe shihte mbi gjithë Tiranën e asaj kohe, Sadiku i ri që s’e pat hequr kurrë nga dora aparatin fotografik, ka fotografuar disa foto historike me vlerë të jashtëzakonshme. Ishte mu aty, kur në ditët e Luftës së Tiranës, automatiku gjerman i vendosur në bunkerin në qendër të sheshit sot Skënderbe, kapi rrezatimin e lentes së aparatit të Sadikut nga dielli, dhe e qëlloi me breshëri. Atë foto të gjermanëve në shesh Sadiku nuk e shkrepi dot, por fati e ndihmoi t’i shpëtojë breshërisë së ushtarit gjerman që hyri në dritaren e vogël nga ku Sadiku përpiqej të fotografonte, dhe shpoi një raportor vizatimesh veç pak centimetra larg tij. Raportori blerë në Francë po prej Sadikut, me atë të shpuarën prej plumbit gjerman, ndenji gjatë në familje, kujton Buroni.

E bukura dhe mençuria e ndërtesave të vjetra nuk lidhet me nostalgjinë (që edhe kjo më vete s’ka pse të turpërojë kënd se është arsye morale madhore); lidhet me historinë që ato mbajnë veshur si lëkurën e vet. Është historia ajo që pasohet me mall dhe që plotëson shpirtërisht, jo figura pa jetë. Por kur vret objektin e vjetër, këput lidhjen që mban gjallë historinë, kujtimin, riardhjen. Për historinë e pallatit Vllazën Kaceli do shkruaj më shumë më pas. Ndoshta duhej ta nisja me një figurë tragjike që socializmi e bëri kurban, njërin prej vllazënve, Jonuzin me ide përparimtare që herët, por që e ekzekutuan fare të ri në pushkatimet për shkak të bombës në Ambasadën Sovjetike, duke u ndjekur nga një kalvar vujtjesh për gruan e një tufë me kalamaj që la pas. Por edhe një grimcëz historie si ajo e Sadikut në baxhë, e paqme dhe fatlume, që unë veç sa gërvishta në sipërfaqen e një ndërtese të vjetër, nxjerr në dritë aq shumë shtresa e ngjyra, aq shumë lidhje e kompleksitete, aq shumë rregullsi e ngatërresa që janë në fakt shpirti historik i Tiranës, pa të cilën qyteti është kallp.

Tirana-deri-dje, ashtu si “bota deri dje”, edhe pse i fshijmë nga faqja e dheut kollaj dhe shpejt pjesë të peizazhit fizik, ia mbulojmë këmbësorit malin e Dajtit, edhe pse ndryshojmë radikalisht (ose jo) atë që quhet “ambient i ndërtuar”[v], që unë për arsye qartësimi të kuptimit, preferoj ta quaj në shqip “peizazh i krijuar shoqërisht”, Tirana e deri-djeshme nuk mund e nuk duhet fshirë e as fshehur[vi], sepse nuk paraqitet vetëm si ndërtesë e ndërtim, por kryesisht si mënyrë jetese dhe praktikë kulturore.

Ideja se qyteti me kulla ndryshon jetën e tiranasit dhe e bën atë papritur moderne, apo se fakti që 200.000 makina sot është shenjë e modernizimit në mendjen e tiranasve, janë qesharakë. Ka vlerë për njerëzit zbukurimi i shesheve[vii], ndreqja e rrugëve, përmirësimi i ambienteve… por jo kullat. Arkitektura ka vlerë edukuese, vërtet; por ndreqja e vrimave dhe shëmtive të Tiranës së tranzicionit nuk mund të justifikojë e as fshehë, si betonimin e saj, si arratisjen kriminale nëpër mal e kodrat përreth, ashtu edhe ngritjen e binave gjigante por meskine që pasurojnë grupe të vogla interesi dhe varfërojnë Tiranën e tiranasve. Ato janë përbindësha që i rrinë keq qendrës së Tiranës, e shëmtojnë dhe i prishin ekuilibrat socialë dhe ekonomikë; i prishin asaj historinë kulturore e shpirtërore. Kullat në Amerikë janë për njerëzit, por në Tiranë janë kundër njerëzve, kulturës së përditshme qytetase, madje edhe kulturës vizionare tiranase, janë kundër estetikës dhe arkitekturës qytetase, janë fyerje për varfërinë e madhe të popullatës, për papunësinë e pamundësinë që qytetari i Tiranës të shohë veten si pjesë e publikes dhe e peizazhit shoqërisht të krijuar në kryeqytet. Kullat nuk justifikojnë veten, edhe sikur pronarët dhe urdhëruesit e tyre të jepnin diçka në shkëmbim; edhe sikur të jepnin shumë. Tirana modernizohet, kur modernizohen njerëzit e saj, dhe kullat nuk përbëjnë asnjë domosdoshmëri në këtë proces. Ato janë brenga dhë lëngimi i Tiranës. Kullat janë thjesht arsenal për një Tiranën armike me Tironën. Kultura e qytetit dhe qytetarëve të tij, ajo që do u jepte perspektivë e vend të munguar edhe aq e aq të sapoardhurve në kryeqytet, merr vazhdimësi e pasurohet nga si Tirana mirëkupton Tironën, dhe nga paqja mes të dyjave.

 

 

Shënime

  1. Ky shkrim është pjesë e një cikli për Tiranën që po shkruaj, teksa vjen e afrohet 100-vjetori i shpalljes së saj kryeqytet.
  2. Falënderoj për ndihmën Osmon Kacelin dhe Buron Kacelin që kam intervistuar përkatësisht me shkrim dhe gojarisht, si dhe tim atë 82-vjeçar, Beqir Derhemin, me të cilin këshillohem për aq emra rrugësh, histori, njerëz e ndërtesa; falënderoj edhe sitin Tirona – komuniteti tironas “Venaliu” që më kanë ndihmuar me foto nëpërmjet FB.
  3. Fotoja e parë mbi shkrim është fotoja që shoqëronte një artikull të Rezarta Delisulës (https://tirona.website/shtepia-e-kaceleve-nga-rezarta-delisula/).

[i] Po e shkruaj në këtë shkrim pa “ë”, pra “Kacelve”, dhe ndonjëherë edhe pa nyjen “i”. Ka edhe një tjetër fis pronarësh pallati, për të cilin do flas në shkrimet në vijim, por jam përqendruar këtu tek emri i vjetër tiranas Kaceli, si emër i lidhur fort e sidomos dukshëm me ndërtesën dhe skyline-in e kryeqytetit, si asnjë tjetër familje në qendër të Tiranës. S’kam dashur aspak të nënvlerësoj emrin tjetër, sigurisht të një familjeje po aq të nderuar.

[ii] Sipas planit Italian të qytetit

[iii] Nëpër disa shkrime thuhet se u ndërtua në 1928-1929, një tiranas i vjetër më tha 1934, një ndër pinjojtë e Kacelve (Osmoni, i biri i të pushkatuarit ndër katër Vllaznit, i të ndjerit Jonuz Kaceli) më tha, më 1930; ndërsa i fundit që intervistova, Buron Kaceli më tha me siguri, 1929. Me sa duket, pallati ndërtohej mes 1929-1930.

[iv] E di që disa ndërtesa sovjetike përgjatë Lanës kanë harqe, dhe janë të lezeçme. Por Pallati i Kulturës, qendror e i zbarët, 15-katëshi, Muzeu Historik i fshijnë sa hap e mbyll sytë nga defteri harqet e pakëta të ngelura nëpër rrëza Tirane. Dhe harqe të vjetra s’kemi më.

[v] Built environment (angl.)

[vi] aq sa na ka mbetur pa humbur-

[vii] Flas këtu për sheshe të tjera dhe jo për sheshin qendror të Tiranës; gjithsesi dua të them, se çfarë i pëlqej më shumë sheshit qendror të ri të Tiranës, janë pikërisht “shkurret” me të cilat qytetarët sot, në fakt, tallen. Bimët e “macchia-s” mesdhetare që në disa pika të Sheshit të bëjnë të ndiesh erën e Himarës, Qeparoit dhe Lukovës, janë çfarë më prek pozitivisht dhe ndaj me ata që mbrojnë me çdo kusht sheshin tonë të mjerë e shëmtaraq.

 

Rreth Autorit

Eda Derhemi është shqiptare që sot jeton në Champaign, Illinois, ShBA. Ka lindur më 1963 në Tiranë, dhe është rritur e edukuar po aty. Përfundoi Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë e Letërsi Shqipe në 1985, dhe deri më 1990 punoi si pedagoge në Departamentin e Gjuhësisë në po atë universitet. Nga 1990 deri në vitin 1995 jetoi dhe punoi në Itali ku u përpoq të balancojë Italinë-ëndërr të brezit të saj, me Italinë-realitet të viteve 90. Balanca nuk punoi asnjëherë besueshëm në ato pesë vjet. Jeta, pritshmëritë, zhgënjimi dhe ëndrra silleshin të gjitha pandashëm në një vorbull absurde. Mes vitit 1995 e 2002 kompletoi shkallët konvencionale të studimeve pasuniversitare në ShBA: rinisi një master në gjuhësi, dhe pas tij kreu studimet dhe kërkimet për PhD në komunikim në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku vazhdon ende të japë leksione në sociolinguistikë e komunikim në Departamentin e Frengjishtes dhe Italishtes. Gjuhët në rrezik dhe mbrojtja e tyre janë pasioni i saj shkencor më afër zemrës. Shqipja, Tirana, dhe Shqipëria vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së saj të përditshme . Eda ka dy vajza, jeton me të shoqin, i falet familjes, dhe do fort e beson shoqet e shokët e vet.

Author Archive Page

10 Komente

  1. Nuk e dija historinë e pallatit “Vllazën Kaceli” dhe në atë rrugë kam kaluar gjithmonë me hap të shpejtë, si e si për t’i shpëtuar përbindëshit të lartë prej betoni që i zë frymën qytetit dhe të gjithë atyre që jetojnë nën të. Megjithatë, disa muaj më parë, dikur në vjeshtë, u ftova të merrja pjesë në një cikël diskutimesh mbi letërsinë feministe, organizuar nga ca gra të reja e të lëçitura. Mjedisi ku zhvilloheshin takimet ishte pikërisht brenda kësaj godine. Dera qendrore prej druri të ngrënë nga koha dhe aq e zbehtë sa ekzistenca e saj të habit ende, fshehin një mister që të bëjnë t’i avitesh plot kërshëri. Habia erdh’ e u zëvendësua shpejt nga një ndjesi mrekullimi që ofronte pamja që shpalosej brenda: shkallë tejet të mëdha, me krahë që dikur do duhej të kishin qenë të lëmuara e harkuara mirë dhe një parket druri përplot me pluhur, e ndriçuar keq. M’u duk vetja si të isha brenda ndonjë libri. Si ishte e mundur që e kisha anashkaluar gjatë gjithë jetës, këtë ndërtesë? Godina dhe arkitektura e saj më ngazëllyen më tepër se takimi atë mbrëmje. Gjithashtu, Biblioteka Kombëtare dhe pjesa tjetër e sheshit, duken vërtetë këndshëm nga dritaret e Kacelëve.

    Faleminderit për shkrimin Eda!

    1. Edhe mua, G., me emocionon brendesia e nderteses. Kesaj radhe e fotografova mire, se vertet nuk i dihet si vete puna. Ne nje nga copat e ardhshme do shkruaj me shume per ndertesen. Po me vjen mire qe e shohim me po aq admirim e nderim jetegjatesine e nje konceptimi funksional dhe estetik si ai i shkallareve te asaj ndertese. Dhe materialet jetegjata qe duket se jane perdorur keq prej gati nje shekulli, jane aq rezistente dhe aq te bukura ende! Dhe me e keqja, se lihet ashtu si pa vemendje, si pa vlere.

  2. E nderuar znj. Derhemi. Duke ju falenderuar per shkrimin tuaj rreth humbjes se identitetit dhe vlerave historike te qytetit tone Tirane, gjej me vend te bej disa korigjime rreth shkrimin tuaj. 1. Pallati eshte ndertuar nga dy bashkepronare, Gjon Laca dhe vellezerit Kaceli. Njihet si Pallati Kaceli sepse kjo familje eshte nga Tirana. Ndersa Gjon Laca, rrobaqepesi me I famshem shqiptar eshte shkodran ardhur ne Tirane ne fillim te shek. 20. 2. Pallati ka filluar ne 1933 e mbaruar ne 1937. Me respekt Gjon Papajani 0684093420. nip I Gjon Laca.

    1. I nderuar Gjon,
      Ju falenderoj per ndihmen me te dhenat. Falemnderit edhe per saktesimin e vitit. Ndoshta kur te kthehem ne Shqiperi ju telefonoj dhe takohemi. Sidoqofte, doja t’ju them se te dy personat e familjes Kaceli qe kam intervistuar me shpjeguan tamam ate qe thoni ju per familjen Laca, dhe folen me resekt te vecante per ju te gjithe. Nje cope te historise se si u takuan Gjoni dhe njeri prej vellezerve Kaceli, do e shkruaj me pas. Ju lutem shihni edhe keto dy shpjegime qe pata dhene ne fund te shkrimit (i gjeni me lart) dhe qe lidhen me saktesimet tuaja. Ju falenderoj serish.
      Eda


      [i] Po e shkruaj në këtë shkrim pa “ë”, pra “Kacelve”, dhe ndonjëherë edhe pa nyjen “i”. Ka edhe një tjetër fis pronarësh pallati, për të cilin do flas në shkrimet në vijim, por jam përqendruar këtu tek emri i vjetër tiranas Kaceli, si emër i lidhur fort e sidomos dukshëm me ndërtesën dhe skyline-in e kryeqytetit, si asnjë tjetër familje në qendër të Tiranës. S’kam dashur aspak të nënvlerësoj emrin tjetër, sigurisht të një familjeje po aq të nderuar.

      [ii] Sipas planit Italian të qytetit

      [iii] Nëpër disa shkrime thuhet se u ndërtua në 1928-1929, një tiranas i vjetër më tha 1934, një ndër pinjojtë e Kacelve (Osmoni, i biri i të pushkatuarit ndër katër Vllaznit, i të ndjerit Jonuz Kaceli) më tha, më 1930; ndërsa i fundit që intervistova, Buron Kaceli më tha me siguri, 1929. Me sa duket, pallati ndërtohej mes 1929-1930.

  3. Ne nuk e kemi nje qytet te perbashket. Po a mund te kete nje te tille?

    Ndaj edhe flasim si vendas per qytetin Tone, ate ku lindem dhe ku u rritem. Na duket se ne e kuptojme me mire se te tjeret trupin kohor te tij, se komunikojme edhe me guret, se shtyllat apo kendet e pallateve kane te ruajtura shikimet e bashkekohesve. Se neper portat qe tashme jane te shqyera dhe te mbuluara nga betoni eshte ruajtur pak drite nga femijeria jone, e mrekullueshme pse u muros me ndryshimet e pabesueshme dhe shkaterrimin e cdo lidhjeje me te. Jane qytete qe jane nje lloj gjeometrie e brezave, jeta e te cileve kaloi ne disa hapesira, por per arsye nga me intimet, e vetmja qe mbetet me te vertete E JONA, eshte ajo e femijerise. Cdo etape tjeter eshte e paragjykuar nga Te tjeret dhe merr forme ne kompromis me ta.

    Ne rastin e Tiranes mendoj se duhet bere nje vecim. Sepse, mire apo keq, ne trupin e saj, kujtimet e te gjitheve krijohen paralel me ndryshimet qe sjell secili. Tatuazhe ne trupin e saj, prishjet dhe nderhyrjet, deformimet dhe modernizimet, kioskat, pallatet, kendet e lojerave, vete era e rrugeve te ndryshme, jane ne fakt te pandara nga gjeneza qe duket se ne njefare menyre apo ne nje tjeter manipulon edhe ajo te ardhmen e ketij qyteti.

    Per nje te huaj Tirana ta percjell menjehere irelevancen e vet historike. Atipine e saj urbanistike e cila ne emertime rrugesh dhe adesash na flet per nje indiference dhe shkujdesje qe teksa tradheton nje leshtesi dhe butesi te papranueshme, deshmon edhe forcen qe kjo “zbythje” sjell ne nje kohe me te gjate.
    Rruga e Durresit, rruga e Kavajes, rruga e Elbasanit, rruga e Dibres, rruga e Kosovareve, te gjitha jane grabitje qe ne fund ben qe mbi Tiranen te triumfoje ndjenja e cuditshme i te qenit nje i huaj qe jeton ne qytetin e tij. Cili eshte ai qytet qe do pranonte keto lloj emrash?

    Eshte nje qytet qe e ben me turp nje shqiptar per ate qe eshte, qe ta gjykon dialektin, ecjen, veshjen, qethjen, qendrimin, shikimin. Qe te flet me moden e vet te vjedhur gjetke, por qe sheshon gradualisht dallimet, thepat e provinces qe kondensohet ketu ne nje tretesire e cila shnderron origjinat ne tharm i nje te ardhmeje ku ti mund te mos e dallosh me veten.

    E turperon shqiptarin per gernjen e tij, per kreshperimin e vet te terbuar, per harbuterine maskiliste, por qe ia kompenson me djallezi kete tredhje me kenget bulevardeske te nacionalizmit tifozerik. Sepse Tirana eshte qyteti i politikes se bulevardit, i kafenese, i paradave te kota. Ajo kerkon gjeografi edhe te kurveria.

    Ky qytet i nderron tonet cuditerisht shpejt. Njehere muzike italiane, njehere greke, njehere rock e nje here kosovare. Ku edukohet njerezia, kush eshte eoli i ketyre ererave te momentit, qe identifikojne dhe jane identitet, por qe shperfillin dhe neglizhojne cdo polemike, cdo perpjekje per ta frenuar kotesine dhe mendjelehtesine politike te kesaj qe na kalon para syve perhere.
    Tirana nuk e do debatin, ajo nuk e do sofistikimin, as thellesine. Sepse harron shpejt, ecen shpejt dhe e kap aty per aty ndryshimin qe i duhet ta percoje si parim qytetar. Tirana do konsumin dhe jeton per te. Ajo konsumon energjite dhe shpirtin e nje Shqiperie te tere, qe e ka thare deri ne fund. Ajo konsumon pa u lodhur identitetet, por konsumon pa problem edhe budallalleqet duke nisur nje dite te re. Cila eshte historia e vertete e ketij qyteti? I kujt eshte ky qytet me te vertete?
    Veshtire te pergjigjesh. Ai na e vodhi rinine per fajin tone por jo vetem. E megjithate eshte aty i gjithefuqishem te genjeje cdo shqiptar, sikurse beri me te tjere para nesh. I huaji i madh i te gjitheve.

    Tirana tjeter, ajo e rrugicave, e vjetra, ajo qe druhet perhere e me shume por qe rrezaton fort, cuditerisht eshte me e afert sesa “polisi”. Sepse aty mund te kuptoje kushdo se cfare po humbet ky qytet, cfare po i vjedhin, e teksa e sheh kete, e prek kete realitet, te kujtohet qyteti yt, humbja e tij dhe rrenimi perfundimtar i kujtimeve qe nuk mund te shpjegohen por vecse te konsumohen se brendshmi. Keto rrugica te pakten duket se te mirekuptojne ate qe po do ta thuash, rrefimin per qytetin tend, sepse jane ne qender dhe kudo, por te strukura si perferi e nje historie se ciles i ka mbetur vetem xhelozia e vendasve. Legjitime por qe rrefehet si nje histori e vecante dhimbjeje dhe nostalgjie, duke harruar se te huajt aty kane lene pas nje histori personale qe nuk zevendesohet. Ne fakt jane e njejta gje…

    1. n!
      Tirana jote e ploteson timen. Me pelqen menyra si e zbulon; nuk e di nese me duket aq e ikur pertej prehjes e vendesise qe cdo qytet duhet t’i krijoje qytetarit te vet. Shkrimi im akuzon prishjen, ndersa i yti me duket sikur pershkruan fundin tashme te kaluar te qytetit. I marre fund. Qe ka vrare me sukses historine e vet. Jam dakord qe shume nga kjo eshte tamam keshtu. Ndaj bertas kur shkruaj. Dhe me pelqen edhe menyra si ke izoluar paqendrueshmerine e nje profili dhe karakteri per qytetin, si te ishte nje qytet i paskrupullt, nje dallaverexhi e qenie pa forme e stabilitet. Sido qe sigurisht flet per njerezit dhe metonimizon nepermjet qytetit agjent prapesish te tilla, besoj se duke u folur njerezve dhe vene gishtin mbi ta, eshte e vetmja mundesi qe dicka te mbetet e te rikthehet nje cope historike. Nuk di; mua me shume se gjithcka njerezit e Tiranes me duken hallexhinj dhe qe nuk perkojne me ata qe bejne moden e qytetit qe pershkruan ti. Me duket sikur kane edhe ate stabilitetin qe dukja e Tiranes dhe aktiviteti i saj i jashtem nuk e njohin. Ndertesat e vjetra, mehallat dhe rrugicat qe ende nuk jane shkaterruar, jane ca cepa te frikesuar dhe depresuar si nga varferia (shumica, sido qe ka edhe ca vila te embla), si nga fakti se nuk dine ku te futen nga presionet e ndryshme, si nga banuesit vete, nga konshinjte, nga pazarlleqet e ndertuesve dhe pronareve, nga ligjet e reja dhe taksat e ndryshme, nga planet e reja urbanistike qytetase, nga mediat, nga dreqi vete. per mua polisi mund te linde vetem nga perqafimi praktikisht i historise se qytetit, i mbrojtjes se saj. Zhurmeria e Tiranes false, nuk eshte polisi, sado e madhe dhe energjike u dukte Tirana nje dite me diell neper rruget e qendres. Ne fakt, ndaj perpiqem te them edhe ne shkrim. Po shkruaj per Tiranen pertej nostalgjise. Nuk qaj te shkuaren; dhe mall kam per te ardhmen, jo per te shkuaren.

  4. Ndersa une kam nje perceptim tjeter per ate godine.
    Gjithmone me eshte dukur se ka dicka qe nuk shkon. Ne fakt, ashtu sic e shpjegon autoria, ajo ka nje arkitekture solide edhe pse jo kushedi se cfare. Por problemi i saj eshte tek urbanistika. Mesa duket eshte projektuar te qendroje me shoqe ne nje ansambel e jo e vetme sic eshte tani. Qendrimi i saj vetem te krijon nje ndjesi jorehatie. Si nje pyke e ngulur aty. Nje pyke e vogel dhe jo dhunuese por pyke gjithsesi. Duket si nje pjese e vogel e nje mozaiku te pambaruar. Dhe si e tille sherben me teper per te treguar se si mund te ishte ajo rruge sesa se cfare ka ofruar e ofron aktualisht ajo.

    P.S. Nga brenda nuk kam qene.

    1. Trekendesh, te kuptoj. Une kam ndryshuar pozicion ne raport me godinen. E mbaj mend qe kur isha e vogel e shihja me dyshim. Por me ka bere gjithnje te mendoj. Qe shume heret. Por ajo, per mua, respekton Tiranen. Kullat sillen mosperfillshem e idiotesisht me qytetin.

  5. Nuk eshte e lehte te permbledhesh ne pak fjale persiatjet dhe nostalgjine e Derhemit per Tiranen e saj te femijerise e rinise por edhe, me gjase, ndjeshmerite specifike te saj si te gjithe “tironsit” denbabaden, gjithmone te depresuar nga te ardhurit qe e transformojne qytetin ne nje hapsire gjitheperfshirese.

    Gjithesesi, duke e moderuar paksa gjuhen, mund te them se kendveshtrimi i saj i ndryshimeve dhe pershtatjeve qe Tirana ka perjetuar ne dekadat e fundit, sidomos gjate tranzicionit, eshte me se paku konservator dhe shume subjektiv.

    Tregues i thjeshte i ketij perceptimi subjektiv eshte edhe vete objekti qe Derhemi ka zgjedhur te vere ne epiqender te shkrimit te saj, Pallatin e Vllazenve Kaceli, ndertese qytetese me elemente arkitekture revolucionare, na thote ajo, si misherim i nje ndertimi qe i paskesh dhene jete qendres se Tiranes dhe objekteve pa shpirt si Kulla e Sahatit dhe Xhamia e Et’hem Beut.

    Gjykoj, nuk eshte e veshtire per shumekush, te perfytyroje se si jane ndjere “tironsit” denbabaden te atehershem, ata banoret e shtepiave te uleta me qerpica e avlli, qe shkonin e benin harxhet e nevojat e tyre tek Pazari i Vjeter me Harqe, qe na e paraqet edhe zonja Derhemi ne nje nga fotot e vjetra dhe ata qe shkonin falnin namazin tek Xhamija Et”hem Beut, kur kane pare Pallatin e Keceleve, te Kazazeve, te Petrelsve tek Rruga e Dibres, ndertesa me 4-5 kate, te shemtuara do te thoja , te ngritura si kunja dhe si sfida/karshillek, mbi mehallat perdhese qe i rrethonin dhe qe shtriheshin e zderhalleshin ashtu, qerpic-qerpic tejpertej hapsires se qytetit.

    Une per vete perfytyroj dhe besoj, se ndjesia e tyre, revolta e tyre dhe nostalgjija e tyre per jeten dhe arkitekturen e zvargur ku zvarriseshin dhe jetonin nga lindja ne vdekje prej dekakdash e dekadash, ka qene shume me e forte dhe therese se ndjesia qe zonja Derhemi na e percjell ketu per ate “kullen idiote”, moderne, qe duket nje nga fotot shoqeruese te shkrimit dhe jo vetem, por per te gjithe “kullat” qe po ngrihen si kaktuse ane e kend qytetit te sotem.

    Zonja Derhemi duhet ta kuptoje se ndertesat qytetese ne fjale, e Kacelve, Kazazve e Petrelsve, ishin athere investime biznesi, me siguri edhe me ndonje rrushfet nen dore per lejet e ndertimit, ashtu sikyrse jane sot “kullat”, per mire a per keq, investime biznesi qofshin edhe me ndonje tipar arkitektonik modern apo novator, qofshin edhe me rrushfetet e perfolura ne cdo kohe.

    Tirana, qe nga shpallja kryeqytet ne 1920, eshte rritur e transformuar, me ritmet dhe mundesite e etapave dhe sunduesve te jetes politike apo publike, duke u transformuar edhe ne kryeqendren arsimore, kulturale dhe shkencore te vendit dhe, pas 1990-s perfundimisht eshte kthyer ne nje metropol ballkanik,me tipare evropiane, ku eshte perqendruar popullsia dhe ekonomia e vendit.

    Eshte reaksionare te qash per Tiranen e brezave te tu, duke akuzuar brezat aktuale te banoreve te saj.
    Nese Tirana do te kishte mbetur ashtu, perafersisht sic ishte ne brezin Derhemit apo edhe ne brezin tim, nje dhjetevjecar me heret, do te ishte me te vertete per te qare hallet.

    Tirana u perket njerezve qe jetojne ne te, ne nje kohe dhe ne nje eopke te caktuar dhe duhet t’u sherbeje problemeve dhe interesave jetike te tyre.

    Nuk kam asgje kunder nostalgjive te brezave apo edhe te individeve te caktuar.
    Sidomos kur na sillen me nje pene elegante si ajo e zonjes Derhemi.

    Une vete jam po aq nostalgjik sa ajo.

    Kur shkoj ne Tirane, zakonisht ne pranvere a ne vere, vesh atletet ve kasketen dhe syzet e diellit dhe bredh ne kembe, cep me cep te rrugeve, lagjeve, shkollave ku kam kam kaluar femijerine, rinine dhe moshen e pjekurise sime dhe po aq sa cmallem me vendet e mija te shenjta, po aq gezohem kur shoh se si po transformohet qyteti im ne nje metropol, po aq te gjalle, te zhvilluar dhe modern, qe te mos them edhe me shume, sa qytetet e huaja qe kam pasur rastin te jetoj apo te vizitoj.

    Zonja Derhemi ne thote se ajo do te vazhdoj ciklin e shkrimeve per Tiranen e saj te nostalgjise.

    Une sinqerisht e pergezoj dhe pres me kersheri ti lexoj keto shenime, sepse jo vetem mund te sjelle material te vlefshem per tu arkivuar ne kujtesen e qytetit, por edhe sepse krijon nje rreth qofte edhe te ngushte njerezish, nder ta edhe une, qe ndajme te njejtat nostalgji dhe ndjeshmeri per Tiranen e viteve tona.

    Nese zonja Derhemi eshte ne kerkim te objekteve qe parashikon t’i sjelle per lexuesit e saj, do ti sugjeroja shume miqesisht, te shkruante dicka per ndertesa te tilla si Vila Fortuzi (ish Selia e PSD), apo si ajo ne fillim te rruges se Durresit, me tulla te kuqe, ku ka qene deri tani vone prefektura e Tiranes, ndertesa qe vertet perbejne arkitektura te spikatura edhe per kohen e sotme.

  6. Te falenderoj per komentin serioz, Parak. Ne fakt, ne kete cikel shkrimesh me shume se ne te tjere, mendohem shpesh nese jam e padrejte dhe i bindem emocionit tim me shume se arsyes, sepse sigurisht qe kujtimi ka vend te vecante ne shkrime si ky. Por nuk e dua Tiranen te jete si ajo e imja. S’e kam dashur atehere; nuk e dua sot pa dyshim. Nuk e kam konsideruar kurre te bukur, sido qe ishte e imja. Gjithashtu nuk them se ishte e bukur Tirana e viteve kur u ndertua Pallati per te cilin flas. Me vjen keq qe eshte ky reaksioni qe kam dhene tek ju. Kjo nuk do te thote qe nuk jam per ruajtje te disa karakteristikave qe e bejne Tiranen te kete nje lloj vazhdimesie, te lidhet mire me ambientin natyral perreth, te mos bjere ne dore te “bosave te krimit dhe politikes”, dhe sidomos dua qe te jete e qytetareve para se gjithash, pastaj e kujt perfiton, pelqen dhe perdor kullat. Gjithashtu nuk mendoj se ka barazi mes kullave te sotme dhe kunjave te djeshme. Kjo duke e ditur mire qe edhe ato te vjetrat ishin sipermarrje masive ekonomike kapitaliste si te sotmet. Por per mua ndryshimi mbetet shume i madh. Une dua nje Tirane per njerezit e Tiranes. Dhe une sido qe nuk jam aty, jam pjese e saj. Dhe se fundmi, doja te thoja qe ky nuk eshte nje shkrim per Kacelt, por per Tiranen. Historia e familjes dhe pallatit m’u duken nje shembull i mire per cfare dua te them. Shpresoj te ndiqni peizazhet, dhe te hasni shkrime te tjera te miat qe do vijne. E sidomos te mos mendoni se e dua Tiranen si ka qene dikur, kur them se dikur “versuljet” urbanistike kane qene me te mencura a te matura, dhe kur them se nje gur me histori ne te ka me shume vlere per njerezit e Tiranes se kullat qe jane te imunizuara te mbeten antihistorike. Une kete nuk e konsideroj reaksionare.

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: