MALLI PËR KOHËN QË IKU

nga Eleana Zhako

Vi sono molte più cose sulla terra e in cielo,
Orazio, di quante ne possa mai spiegare la tua filosofia.
(Don Gaspare).

Dall “Amleto,” William Shakespeare, atto I, scena V.

“Fantasma d’amore” është ndër filmat e paktë të adoleshencës sime të hershme në Shqipëri, që më është ngulitur gjatë në kujtesë. Në kutinë time kinematografike, fytyra diellore e Romy Schneider është zëvendësuar nga fytyra e vrarë dhe e ligështuar e Anna Brigattit, protagonistes kryesore së filmit. Romy ose Anna Brigatti, mban një pardesy ngjyrë qumështi të shkopsitur, ka flokë të shpupurisura, vështrim të vagullt dhe dhëmbë të nxira e të rralla, në kalbëzim e sipër. Fytyra e saj ngjan e pajetë dhe shkëlqimi i mugët i syve, të krijon ndjesinë e një gruaje, që ka lënguar për një kohë të gjatë. Anna ishte dashuria madhore e Nino Montit, protagonistit qendror në film, që luhet nga Marcello Mastroianni. Edhe Nino Monti mban pardesy, flokët e tij janë të krehura me kujdes dhe në fytyrë i lexohet me ngulm, një shqetësim i plogësht, që e ka kapërthyer të tërin. Të dy janë pasagjerë të rastësishëm në autobusin e qytetit. Anna hyn rrëmbimthi në autobus, duke i thërritur ngultazi shoferit të ndalojë, ndonëse nuk ndodhej në stacionin përkatës. Pasi hyn brenda, kërkon që të bleje biletë, por në vend të të hollave, përpiqet të fusë në aparat një kartmonedhë. Një pasagjer i përgjigjet, që duhen vetëm cento lire për biletën. Ky është elementi i parë në film, ku shfaqen shenjat fillestare të mosnjohjes së realitetit përditësor nga Anna Brigatti. Nino, që gjendet aty pranë, do i ofrojë të hollat për biletën, duke i thënë me një ton indiferent, që nuk bëhet fjalë për ndonjë shumë të madhe, kështu që nuk i detyrohej asgjë.

Por, Anna, ashtu si në mitologji, ku të vdekurit duhet t’i paguajnë Karontit monedhën e kalimit në botën tjetër, në mënyrë, që të mos enden pafundësisht brigjeve të Akerontit, nuk i ndodhet “monedha shpëtimtare”. Ajo do vazhdojë të endet në botën e Ninos, ndonëse kanë kaluar mbi njëzet vite pas ndarjes së tyre. Anna mësyn sërish në jetën e Ninos, atëherë kur ai ka kapërcyer pragun e moshës së mesme dhe jeta e tij familjare kornizohet nga një martesë konvencionale. Veçantia e regjisë së Dino Risi-t, e cila bazohet mbi librin e Mino Milanit “Fantasma d’amore”, qëndron në ndërthurjen artistike të reales me imagjinaren, të së shkuarës me të tashmen, dilemave ekzistenciale dhe shqetësimeve metafizike, normalitetit dhe skizofrenisë, të dheshmes dhe së nëndheshmes. Zëri i ngrohtë dhe i thellë i Marcello Mastroiannit, i cili është narratori kryesor në film, krijon një atmosferë përralle, aq sa s’do të rreshtësh së dëgjuari. Muzika e Riz Ortolanit, interpretuar nga klarinetisti i njohur i jazz-it Beny Goodman, bashkë me arkitekturën mesjetare të qytetit italian të Pavias, i shton kësaj atmosfere një nostalgji të ndezur, atë lloj nostalgjie që nuk ikën kurrë, një nostalgji e pakohë.

Nino Monti, pavarësisht periudhës kohore, zbulon se vazhdon të jetë i dashuruar me Anna Brigattin. Gruaja në autobus, i kujton në mënyrë të pavetëdijshme shëmbëlltyrën e Annës, veçse Anna e tij kishte një bukuri jetësore. Kjo pavetëdije zgjohet, kur i telefonon gruaja e autobusit, e cila i prezantohet si Anna Brigatti, ish e dashura e tij. Nino vendosë të kërkojë Annën e tij në Via Porta, në adresën që mendonte se jetonte Anna dhe ndesh në rrugë Annën e autobusit, e cila i kërkon ta përqafojë, në kujtim të dashurisë së tyre të dikurshme. Nino, nuk mund të fshehë pështirosjen e tij dhe i thotë, që ka kaluar një kohë shumë e gjatë dhe, që ajo s’është më e njëjta. Atëherë, Anna i rrëfen me dhimbje, që ka qenë e sëmurë për një kohë të gjatë, por që brenda saj ndihet e njëjta, si dikur. Anna shtron çështjen e kohës, nëse koha ekziston në të vërtetë apo është një sajesë, raportin mes kohës së brendshme dhe kohës së jashtme të njeriut.

Më vonë, në një mbrëmje miqsh, Nino rrëfen ndodhinë e çuditshme me gruan e autobusit, por ndërkohë një mik i tij mjek, i tregon që Anna Brigatti ka vdekur prej tre vitesh dhe, që ka qenë pacientja e tij. Nino, i turbulluar nga ajo çka dëgjoi, shkon të takojë Annën në Sondrio, jashtë Pavias, ku sipas fjalëve të mikut të tij jetonte me të shoqin para se të vdiste. Por aty konstaton, që Anna ishte ende gjallë. Anna e tij, nuk kishte asnjë lidhje me Annën e autobusit, fytyra e saj ishte ende rrëzëllitëse dhe pasionante. Nino, i rrëfen për ndodhinë e fundit me Annën tjetër, dhe ajo i thotë në mënyrë hokatare, që bëhet fjalë për një grua tjetër, e cila për shkak të xhelozisë që ndien për Anna Brigattin e vërtetë, përpiqet të miklojë të tjerët, duke u shtirur si ajo. Anna Brigatti është një bashkëshorte e devotshme, por një grua e palumtur.

Takimi me Ninon, ringjall dashurinë e tyre dhe vendosin një ditë, të bëjnë shëtitje në natyrë, si në ato kohë të lumtura. Ndërkohë, që po shëtisnin me varkë në lumë, varka përmbyset dhe Nino shikon me tmerr sesi Anna fundoset në ujë me shpejtësi vetëtime, pa mundur t’i vijë në ndihmë. Skena finale e filmit, tregon Ninon në një spital psikiatrik, që i flet shokut të spitalit për gjendjen e tij.

Vede caro signore, tutto quello che dicono dell’aldilà, dell’aldiquà sono tutte storie. Perché siamo sempre noi, siamo vivi e siamo morti nello stesso tempo. Lei non mi crede? Lo so, è difficile da spiegare, ma è così. Io l’ho conosciuta, l’ho amata pazzamente, ho provato orrore e passione e poi mi è sfuggita. È scomparsa nel fiume definitivamente. Già, ma è proprio così? E no! No guardi, io glielo confido in segreto, lei non è scomparsa affatto, è sempre qui attorno a me. Perché, me l’ha detto lei, ha bisogno di me per vivere, come del lume una farfalla notturna, e finché io sarò vivo, lei sarà viva, capisce? Perché l’amore è la vita eterna, è la vita in morte.”.

Për Ninon, vdekja është një formë tjetër e jetës dhe të vdekurit jetojnë fizikisht, për aq kohë sa jeton dhe kujtimi i tyre. Kujtimi i së dashurës do endet edhe në spitalin psikiatrik, këtë herë jo në formën e Annës së venitur, por të Annës si infermiere, që do i mbajë butësisht dorën. Motivi i infermieres veshur në të bardha, është një motiv i preferuar nga shumë shkrimtarë. Uniforma e saj në fantazinë mashkullore, është simboli i bardhësisë absolute, që ngjan me ardhjen e një foshnje në jetë, që mbështet kokën e butë mbi gjoksin femëror, pa vramendje, dhe gjithçka përreth i shfaqet e bardhë. Uniforma e bardhë është pëlhura erotike e dëshirave të tyre imagjinare, e një dore të rrumbullaktë e të ngrohtë, që do i çojë në një botë tjetër, përtej reales.

Ndonëse në plan të parë, mund të duket një gjetje e rëndomtë, Risi arrin përmes lojës së aktorëve, të përshkallëzojë emocionin dhe mallëngjimin te shikuesi në mënyrë aristoteknike. Zëri i Romi Schneider në italisht, që është dhe gjuha origjinale e filmit, është i dubluar, ndërsa në frëngjisht, zërat e Marcelo Mastroianni-t dhe Romy Schneider, realizohen nga vetë aktorët. Duke u përpjekur të krahasoj dy variantet, pavarësisht bukurisë së italishtes dhe forcës narrative, zëri i Romy Schneider është disi më emocionues në frëngjisht, për shkak të frankofonisë së saj; në rastin e frëngjishtes, nuk i është dashur të marrë hua zërin e një aktoreje tjetër. Ndërsa zëri i Mastroiannit në frëngjisht, ndonëse “dublohet” nga vetë ai, nuk ka thellësinë e rrëfimit në italisht.

“Fantasma d’amore” është një elegji e zakonshme për një dashuri të humbur, por që përmes lojës së aktorëve, regjisë, muzikës dhe fotografisë së filmit, arrin të shndërrohet në një dashuri të jashtëzakonshme, një nga ato dashuritë që do donte të përjetonte çdokush, që s’njeh ligjet e kohës; një nga ato dashuritë, që trondisin themelin e ekzistencës tonë dhe ngrihet mbi çdo filozofi ekzistencialiste, kapërcen kufijtë e absurdit dhe sundon të gjallët e të vdekurit, të gjallët e vdekur dhe të vdekurit e gjallë.

Një vit pas realizimit të filmit, Romy Schneider do gjendet e vdekur në apartamentin e saj në Paris. Fati i saj ishte parashkruar në atë të Anna Brigattit, i cili ishte dhe roli i saj i fundit.

(c) 2018, autorja.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin