POETI DHE PROFETI

typewriterPër shkrimtarin Myrto M. dëgjoje vetëm fjalë të mira.

I ardhur nga gjiri i klasës punëtore, sipas disave, ose i fshatarësisë kooperativiste, sipas disa të tjerëve, Myrtoja ishte marrëzisht i dashuruar pas bukës dhe kripës, bagëtisë dhe bujqësisë, kantiereve ku vlonte puna ndërtimtare, nëntokës së minatorëve, kromit dhe qymyrgurit, shtyllave të tensionit të lartë, saldatorëve dhe fillrojtësve, heronjve të heshtur, kufitarëve dhe pilotëve, valltarëve popullorë, fustanellave dhe xhubletave, nënave me duar të rreshkura si putra e breshkës, malësorëve kreshnikë e fjalëpakë me mustaqe të zverdhura nga duhani, mjelëseve të kolme cipëbardha si kajmaku.

Edhe pse nuk dinte asnjë gjuhë të huaj dhe nuk kishte mbaruar asnjë shkollë të lartë, Myrtoja ndihej i sintonizuar me rruzullimin; letërsia botërore nuk i interesonte, por në veprën e tij do të gjeje gjithnjë jehona mjeshtërore të Nekrasovit, Wu Tang-ut,  Jashar Qemalit. Tiranës dhe jetës kryeqytetase i rrinte larg, duke parapëlqyer katunde të thella larg rrugëve të rrahura, në provincat ende të paprekura nga luksi bojërozë i liberalizmit, ku ende mund të pihej ujë në gjurmë të kalit. Kur ulej në sofër, kërkonte gjithnjë vezë të ziera fort, të cilat i shoqëronte me qepë, djathë të njomë, thelpinj arre dhe ndonjë gotë raki Skrapari ose Mati, në vartësi të gjerësisë gjeografike ku ndodhej. Mishin nuk e vinte në gojë.

Kritika e çmonte për realizmin dhe vëmendjen gati antropologjike ndaj detajit; dy tregime të tij ishin përshtatur tashmë për filma artistikë, ndërsa një i tretë po vihej në skenë si tragjedi revolucionare nga teatri “Skampa” i Elbasanit; Myrtos gjithashtu i kishin blatuar Çmimin e dytë të Republikës për një vepër minore, romanin Plisat e zemrës, të cilin prej vitesh po e ripunonte për ta shndërruar në trilogji.

Njihej si njeri i fjalës, por edhe i veprës. Tregonin si një herë, hipur në autobusin e linjës Kinostudio-Kombinat, ishte përfytur me një parazit, pasi ky kishte ngacmuar me fjalë të pahijshme një tekstiliste të re, me ç’rast edhe bashkëpunëtorët e parazitit e kishin kërcënuar haptazi me thikë.

Por hyrje-daljet e shpeshta të këtij princi muzhik të letrave në ndërtesën e zymtë të Gjykatës së rrethit nuk përligjeshin dot të gjitha me incidentin e shumëpërfolur në autobus, as me dëshirën e tij për t’i ndjekur, drejtpërsëdrejti në sallë të gjyqit, ngjarjet siç kishin ndodhur, nga goja e aktorëve, pjesëmarrësve, punëtorëve të drejtësisë, dëshmitarëve, vetë keqbërësve. Ishte koha kur Myrtos sapo ia kishin botuar novelën Gjarpri nën dërrasë, në të cilën heroi negativ, shoferi i hidrocentraleve Frrok N., ruante një figurinë të Shën Mërisë fshehur në një kthinë të kabinës së Skodës; një kuadër i forcave të rendit rrëfeu, gjatë një darke në Klubin e Ministrisë së Brendshme, se po atë mëngjes kish parë të merrej në pyetje një traktorist çfarëdo me prejardhje nga fshati malor i Nkollit, për të njëjtin krim simboliko-ideologjik – fshehjen e një shtatoreje të Shën Mërisë në kabinë të automjetit pararojë.

Nuk ishte hera e parë që jeta imitonte artin; aq më tepër kur arti rridhte nga pena e një shkrimtari si Myrtoja, të shkrirë me masat e gjëra punonjëse, të cilin natyra e kishte bekuar me talentin për të parë më larg e më mirë se të tjerët, ose me dhuntinë marksiste të tipizimit. Megjithatë, pati nga ata që nuk u mjaftuan me këtë shpjegim teorik, por vërejtën se edhe figura e urryer e personazhit Kopi B., në tregimin Qivuret e frikës, dukej se ish modeluar sipas armikut Çome L., ish-drejtor famëkeq i Ndërmarrjes Ushtarake të Varrimeve, që tani vuante dënimin e merituar në një burg të republikës.

“]Tim Noble and Sue Webster, Dirty White Trash [With Gulls]

Tim Noble & Sue Webster, Dirty White Trash

Qëmtimi i veprës letrare të Myrtos për përkime me realitetin u shndërrua kështu në sport të parapëlqyer të atyre pak të ngeshmëve që u kishin mbetur kafeneve të Tiranës. Disa prej nesh krahasuan itineraret e vizitave të Myrtos anembanë vendit, me fushata arrestimesh ose gjyqesh popullore të rëndësishme; hartat dhe diagramet rezultuan më të ngjashme se ç’pritej. U përsiat tek-tuk mundësia që Myrtoja, përveçse shkrimtar tabani dhe tribun i vlagës së dheut, kryente edhe detyrën fisnike të informatorit të Sigurimit të Shtetit, duke raportuar rregullisht për gjithçka vrojtonte ose dëgjonte gjatë hallakatjeve të veta poshtë në bazë.

Më shumë kish të ngjarë, gjithsesi, që Sigurimi i Shtetit t’ia vilte shkrimtarit të madh të dhënat e nevojshme drejtpërdrejt nga dorëshkrimet ende të freskëta, kur këto u dorëzoheshin shtëpive botuese ose organeve të shtypit për shqyrtim. Virtuoziteti i Myrtos për të fiksuar në letër realitetin në shumëllojshmërinë e vet dialektike buronte, në mënyrë të natyrshme, nga dëshira e tij për t’i rrëfyer gjërat ashtu siç ishin; prandaj nuk shkonte që ta trazoje, për ta vënë drejtpërdrejt në shërbim të politikës dhe të përgjimit të përgjithshëm.

Që nga ajo kohë lexuesit gjithnjë e më të shumtë të këtij autori, ndoshta më i shquari i realizmit socialist në mbarë hemisferën perëndimore e më gjerë, nisën t’ia zhbirojnë Myrtos veprën jo vetëm për të pikasur motivet e për të ndriçuar rrethanat përndryshe të fshehta të arrestimeve, spastrimeve, internimeve dhe zhdukjeve për të cilat pëshpëritej poshtë e lart, por edhe që të informoheshin, sado pak e dykuptimshëm, për fushatat e zhvillimet e afërta; grupet dhe pikëpamjet që do të goditeshin pa mëshirë nga shteti i punëtorëve dhe i fshatarëve; gabimet ende të pazbuluara, ndoshta ndonjëherë edhe të pakryera; jagot të cilëve do t’u përdridhej qafa si e zogut.

Krahasimi i veprës letrare së Myrto M. me jetën përtej nuk shtyhej dot më tej se identifikimi i përkimeve, ndonjëherë të frikshme në saktësinë dhe shtrirjen e tyre; sepse qëmtuesit e kishin praktikisht të pamundur të bënin dallim midis shkakut dhe pasojës, përgjimit dhe leximit, profesionit dhe pasionit, punës agjenturore dhe kulturës. Ideja e mirënjohur se shkrimtarët merrnin pjesë aktivisht në edukimin revolucionar të masave dhe ndërtimin e socializmit pasurohej kështu me kuptime të reja, sa bashkëkohore, aq edhe tronditëse për nga premtimet që sillnin.

5 Comments

  1. Mirë o Maks që na shkruan per Myrtot e djeshëm.
    Por më duket se tashmë ka më shumë se sa e imagjinojmë Myrto po aq të devotshëm karshi shtetit tonë prej letre higjenike, sa shpesh të ze tmerri nga ky realitet-as art e as hajnllëk e spihunllëk.
    Shqipëria me Myrtot në ballë po shkon nga fitorja në fitorje!!!
    Të na rrojë Myrtizimi o miq…

  2. Me eshte dashur pak kohe te lokalizoj elementin kohe ne serialin e Maksit. Stilizimet epokembartese te titujve, termave apo emertesave te enteve, me fillesa kuptimore lidhur me nje epoke qe pak a shume e kemi jetuar, perfundojne ne fakt si kompozita shenuese te nje lloj te ardhmeje te diktatures, te cilen mund ta jetonim. Personazhi “Diktatori” qe tejshpon si shish cdo cope te serialit, edhe eshte edhe nuk eshte Ai qe njohim: me teper eshte ajo krijesa pa datevdekjeje qe vegjeton “”nga fitorja ne fitorje”, paralel me jeten, ne inkubatoret e tregimit “Koma”, disa amuaj me pare.

    Perndryshe e gjithe atmosfera rezaton te njejtat marrdhenie, te njejtat prirje e shije familjare te 25-30 a me tej viteve me pare. Efekti i mimetizimit harmonik brenda paradigmes se pandryshuar te RPSSH te hibrideve te metejshme institucionale/ terminologjike, te persosjes se teknikave te mbijetese ne rrethim a te luftes se klasave, tregon per zhvillime qe s’munden pervecse te dalin pertej historise: tregon se kalendari i serialit distopik te Maksit mund te perkoje ne shifra me tonin.

  3. Maks,

    E ndjek rregullisht tematikën tuaj me tregime. Ndër ta, kam lexuar jo pak perla, epitet të cilin e përdor shumë rrallë, sidomos për të cilësuar tekste letrare.

    Përpos urimit që një ditë t’i shoh ata të botuar, dëshiroj t’ju them se ky tregim, për mendimin dhe shijen time, rradhitet posaçërisht ndër më të mirët.

  4. Të dashur Epiriot dhe Enki, por edhe të gjithë ju që i keni lexuar tregimet e mia gjatë këtyre muajve – ju jam shumë mirënjohës. Kam shpresë që së shpejti t’i shoh këto vepërza të botuara së bashku, qoftë edhe si përkujtim të gjithçkaje më ka bashkuar me ju këto kohë.

  5. FIGURINAT

    I. Humbaba dhe Trashëgimia

    Baba vdiq natyrshëm. I erdhi Ora për të vdekur. Çasti e ikjes ja behu. Ajo që ndodhi pas vdekjes ishte edhe më e tmerrshme se vet vdekja. Aq sa me plot gojë detyrohem të them: “Baba humbi!”

    Caku që e shkëputi Humbabën prej nesh shënoi kufirin e ndarjes midis “Tokës së Trashëgimisë Lindore” & “Tokës së Ëndrrave Perëndimore”.

    Humbaba ishte i papërsëritshëm në karakterin e vet. Tek e fundit pyes veten në fund të fundit: “Si ka mundësi? Ky njeri? I vetëm e krijoji këtë armatë kaq të përkryer kukullash? Çfarë gjeniu?”

    Në një kohë kur kjo traditë daton që prej mëse katër mijë vjetësh. Ati. Vetë Ai. Ah ti! Ti. Nuk ke si ta kuptosh çfarë strategu ishte Ai? Ati mundi të riinterpretojë dhe ringrejë në skajet më të larta Teatrin e Kukullave. Artin e Trashëgimisë Lindore që kishte mbërritur në kufirin e Ëndrrave Perëndimore. Shumë kohë më parë se Aktorët e Skenës të shfaqeshin me Aktrime Teatrore. Ati dhe Arti. Ishin e njëjta gjë. Ati ishte vet Arti. Arti mishërohej tek Ati.

    Kukullat e Dorës nuk i kalojnë të pesëdhjetë centimetrat. Kanë kokë të madhe. Fill pas kokës janë të lidhura me dorën. Dora e Humbabas e zhytur nga Poshtë mbërrin gjer tek koka. Prandaj quhen Kukullat e Dorës. Krahun e kukullaxhiut e mbulon një dorezë e gjatë që nuk është gjë tjetër veçse trupi i kukullës, që vishet e ç’vishet sa herë që ndërron rol. Humbaba lëvizjet e kukullës i kryen me gishtat e një dore të vetme. Veçmas. Ose të bashkuara. Grusht. Gishtat luajnë rolin më funksional të lëvizjeve. Sidomos në hapje-mbylljen e gojës. Ato i japin shpirt kukullës.

    Kukullat e Shkopit i kalojnë të pesëdhjetë centimetrat. Gjatësia e tyre shkon shpesh një metër. Ashtu sikurse Kukullat e Dorës edhe ato kanë mbërritur nga Toka e Trashëgimisë Lindore. Ndërsa të parat në mënyrë amatore e fituan popullaritetin e tyre më të madh në Evropën Perëndimore. Në vendet e Evropës Lindore Kukullat e Shkopit e ngritën Artin e tyre në Institucion. Një profesionalizëm i vërtetë drejt institucionalizimit. Trupi i kukullës mbahet mbi një shkop të ngulur nga Poshtë. Qafa dhe krahët funksionojnë nëpërmjet thuprave që kryejnë lëvizjet. Pikërisht. Këtu qëndron ndryshimi. Krahët dhe koka e të gjitha Kukullave të Shkopit pa përjashtim kryejnë lëvizje të pavarura nga trupi. Ky nuk është një ndryshim i vogël. Kukullaxhiu punon me të dyja duart. Me një mban trupin. Me tjetrën lëviz gjymtyrët. Goja është statike.

    Kukullat e Hijes kanë të njëjtën gjatësi me Kukullat e Dorës. Ndryshimi qëndron tek gjerësia. Ato janë petashuqe. Të shtypura si të kishin kaluar përposhtë një makinerie të rëndë, që e shndërron trupin në karton. Lëvizjet e tyre ndryshe nga llojet e kukullave të mëparshme komandohen nga Lart. Janë të varura në fije të perit. Ato duhet patjetër të përftojnë Hijen e tyre në një ekran që ndriçohet me anë të një prozhektori nga pas. Hija ngelet akti më i diskutueshëm në evolucionin e historisë së zhvillimit të kukullaizmit. Çfarë mund të na thotë sot për shembull dizneizimi që po e shndërron mbarë Globin në një Disneyland? Pordhë me rigon! Asgjë e re në këtë botë imituesish. Gjithçka është e parathënë. Kukullat e Hijes e kanë ideuar vizualisht këtë rrugë këtu e katër mijë vjet më parë. Shumë kohë më parë se disneizmi. Prejardhjen e kanë nga Kina. Çudi. I vetmi rajon ku kjo farsë teatrale u popullarizua në Evropë së pari ishte Ballkani i Jugut.

    Marionetat më kanë tunduar që kur kam filluar të kuptoj s’e po plakem. I dashuroj marionetat. Në thelbin e karakterit tim artistik nuk jam as më shumë e as më pak veçse një marionetist i talentuar. Ato komandohen nga Lart gjithashtu. E veçanta qëndron në faktin se janë të përbëra nga pjesë të veçanta trupore. Çdo cope të ndryshme të trupit të kukullës i përket një tel lëvizës. Shumë tela përbëjnë shumë lëvizje. Normalisht funksionojnë me nëntë tela. Por në Mayanmar (Burma e dikurshme, ose ndryshe në Birmani) thonë se i komandojnë me gjashtëmbëdhjetë tela. E pa-be-su-esh-me! Po të mendosh se është një kukullaxhi i vetëm që duhet të kryej gjithato lëvizje? Një mjeshtëri e vërtetë! Më besoni. Po jua them unë këtë fakt. Dhe unë vlej «njëqind-karatë». Jam mjeshtri i marionetizmit. Po të më jepej mundësia më herët, të udhëtoja drejt vendesh të largëta të lindjes, do të zgjidhja padyshim Vendin e Bekuar të Gjashtëmbëdhjetëtelëshit. Atë pikë të Globit të rrethuar nga Gjiri i Bengalit dhe Deti Andaman. Marionetat që prodhohen aty janë e ardhmja e kukullaizmit modern.

    II. Zëhumbur

    Unë jam i lindur Këtu. Në vitin 1967. Me një dekret të posaçëm ndërzimi. Jam rritur Këtu. Nuk kam dalë asnjëherë jashtë territorit të Këtu. Nga Këtu mbaj mend shumë histori për Këtu.

    Ndjesia që kam fiksuar nga fëmijëria ime është dora e Humbabas. I kapur pas saj baba më shpuri një ditë në Xhaminë e mbyllur pas gjashtëdhjeteshtatës.

    Kishin marrë vendim nga Lart që kulti të shndërrohej në teatër kukullash. Kishin filluar planet për ndryshimin e tij, nga një objekt besimi në një vend për kukulla. Humbaba drejtonte punimet dhe ishte urdhri i tij i formës së prerë, që muret e trasha gati një metër të shkallmoheshin në pjesën e brendshme të ngrehinës. Kjo bëhej “për t’i dhënë hapësirën e nevojshme sallës” – sipas fjalëve të babës.

    Kur pothuajse muri i brendshëm i Xhamisë ishte hedhur në tokë, Baba ulëriti që t’i ndalnin shkallmimet. Në gjerësinë prej një metro të krijuar midis murit u gjendën qindra qypa të muruara horizontalisht. Punëtorët e komunales i hodhën tej kazmat dhe varetë. Nën mbikëqyrjen e të plotfuqishmit dhe shpurës së tij. U vërsulën përmes pluhurit drejt grykave të qypave si të babëzitur. Duke rrëshqitur duart e tyre si gjarpërinj brenda enëve misterioze. Me gishtat e tyre si nepërka pikëlore u endën më kot të preknin monedhat e arit që ata mendonin se ndoshta mund të gjenin brenda tyre. Me fytyra të habitura filluan të ndijonin zbrazëtinë e eterit të ajërt. U thartuan kur nuk gjetën absolutisht asgjë të prekshme. Asnjë send. Asnjë monedhë të vetme. Asgjë intriguese. Veçse frymë. Frymë në ajrì mbushte qypat e zbrazët që rrethonin muret. Qypa të çuditshëm. Qypa me gryka të kthyera nga hapësira e sallës së brendshme. Mure të veshura me qypa.

    “Mos!” Thirri Baba. Ma lëshoi dorën. Mbështolli ballin e vet duke e goditur me grusht. “Mos! Çfarë bëmë?!”

    “Çfarë?” Pyeta unë kureshtar.

    “Muri ishte i trashë një metër. Jo më kot!” Foli i dëshpëruar duke i kapsallitur sytë nën rrënoja. “Ishte i tillë. Jo më kot! Aty janë shtresuar qypa nga të gjitha anët e mureve të sallës. Jo më kot! Grykat e qypave janë të drejtuara nga brenda. Jo më kot!”

    “Jo më kot?” Pyeta i shushatur në pritje që Ai vet të ma thoshte arsyen përse jo më kot ishin renditur të gjitha këto gjëra jo më kot.

    “Nuk po e kupton?” Më pyeti duke ma rimarrë dorën.

    “Jo.” Thashë i trembur.

    “Pa ja filluar mirë punës që kemi nisur sapo kemi humbur zërin biri i babës!” Foli me një keqardhje që buronte nga sytë e tij dhe finalizohej me shtrëngimin e dorës time e cila filloi të më dhembte. Me gjysmëzë ja nisa të ankohem, por ai nuk e kishte fare mendjen tek unë.

    “E humbëm jehonën! E humbëm akustikën! E humbëm zërin! E humbëm muzikën!” Ulërinte.

    “Si nuk na shkoi mendja xhanëm? Jo më kot muret ishin ndërtuar kështu. Që salla të kumbojë. Që Fjala të përçohet në veshin dhe shpirtin e gjithsecilit. Tash do të na duhet të thërrasim e të ngjiremi. «Do të endemi si çifutët në shkretëtirë…» dhe askush s’ka për të na dëgjuar. E humbëm zërin ende pa ja filluar mirë me Fjalën. «Fjala na la…» me shembjen e këtij muri. Ah po ta dija! Po ta dija? Ah! Nuk kisha për ta bërë këtë gabim. Dhe kjo firane Fjalë është hapi i parë.”

    III. Zhozi

    Nga çastet shterpe kur të kaplon hidhërimi baba e dinte se po lindte vazhdimi. Pikërisht. Në ditët në vijim (pas shembjes së murit të brendshëm të tempullit). Pikërisht. Pas atij Akti kur ai pretendonte se e kishim humbur Fjalën (që për hir të së vërtetës unë e imagjinoja si person të gjallë). Lindi qenia e tij më e dashur. Lindi mes nesh Zhozi. Krijesa e babës.

    Ato Orë jete të kaluara në Xhaminë e shndërruar në teatër kukullash janë e gjithë fëmijëria ime. Skena me perdet e trasha. Kadife e kuqe. Portreti i Humbabas në krye të sallës. Kukullat e bëra në mënyrë artizanale nga mendja dhe duart e Humbabës. Dhe padyshim Zhozi. Krijesa më sublime e babës zëhumbur.

    “Këtej e tutje,” më kishte thënë Ai, “Zhozi do të jetë shoqja jote e pandarë. Do ta kesh si motër më të vogël. Do të kujdesesh për të si për dritën e syve për aq kohë sa të shohësh nga sytë.”

    Rrëqethesha i tëri kur e mendoja se ç’forcë e pazakontë i kishte rënë për hise Zhozit në të gjithë këtë traditë historike. Dridhesha kur e komandoja dhe luaja me të nga poshtë. Sepse në ato vite nuk kishte marioneta. Kukullat e Dorës ishin më praktike për kushtet tona të vështira ekonomike të shoqërisë së re që po ndërtonim. Krahu im bëhej mornica-mornica sa herë që kishim shfaqe. Futej nga poshtë Zhozit dhe përfundonte m’u në gojën e saj. Nga emocioni dora më mpihej. Kështuqë Zhozi mund të konsiderohej si një fëmijë i ndrojtur që nuk e hapte shpesh gojën.

    Vitet e rinisë sime përkuan me ndryshime në regjimin tim të interpretimit. Kukullat e Dorës kishin dalë jashtë loje. Ishte një fenomen normal në kushtet dritëdhënëse të materializmit dialektik. Po aq sa ishte normale që Koha ikën dhe Zhozi rritet. Trupi i saj kishte marrë të atillë zhvillim, sa një dorë e vetme nuk mund ta komandonte më. I ngulëm një shkop nga poshtë me vendim të posaçëm nga Humbaba. Ajo u bë dyfish më e gjatë nga ç’kishte qenë si kukull dore. Kështu lindën Kukullat e Shkopit. Në fakt nuk ishte vetëm Zhozi që po pësonte ndryshim. Të gjitha kukullat u ngulën mbi shkopinj. Dhe atëherë kur shkopinjtë mungonin përdornim kallama të grumbulluara me punë vullnetare nga kallamishtet e pafundme buzë lumenjve. Humbaba e bëri të gjithë trupën me krahë. Krahët filluan të lëviznin me thupra. Zhozi duartrokitej tashmë nga e gjithë armata e teatrit të kukullave sa herë që interpretonte subjektet teatrore ku e nxirrnin ujdhesat fabuleske të ndryshimit.

    Një ditë pas shfaqes, i vetëm në prapaskenë, Zhozi po më dukej më e bukur se kurë. Tonaliteti i shprehjeve të saj entuziaste kishte një shikim romantik që tretej tek perdet e kuqe. Nuk mu durua. Isha rritur me të. Ushqeja ndjenja të papërmbajtshme qysh nga fëmijëria. E mbërtheva vetëm-për-vetëm pas skenës. Pas perdeve që në teatër përkufizohen si quinta. Pas vetes. E putha. Kjo ishte puthja ime e parë. Zhozi nuk kundërshtoi. Nuk bëri gëk-mëk. E heshtur më vështronte me sy të fiksuar drejt e mbi duart e mia që dridheshin si veshë lepuri.

    “Përse më shikon ashtu?” I thashë. “Fundi i fundit mos harro! Ti je një kukull dhe bëj ç’të dua me ty!”

    Ajo vazhdonte të më shikonte qortueshëm me dashuri dhe përgjunjëzim. Nuk munda ta duroj më gjatë atë vështrim. Nuk ishte një shikim normal për kushtet e një kukulle. Kukullave u është e ndaluar të vështrojnë kukullaxhiun drejt e në kokërdhok të syrit. Vështrimi i kukullës të çmend. Si i çmendur e ktheva vrullshëm me shpinë nga vetja që mos t’ja ndeshja vështrimin. Më kishte hipur gjaku në kokë që ta ndreqja. Fillova t’ia shtyja shpërfillës shkopin poshtë e më poshtë që e mbante në skenë lart e më lart. Me fytyrën e përmbysur mbi tavolinën e punës, krahë çarfalitur si një fluturzë-flamur, nuk bëzante.

    Që nga ajo ditë e komandoja më mirë. E fiksuar mbi shkop ajo ja doli mbanë të ishte personazhi më i shikuar për shikuesit dhe një nga kukullat e mia më të preferuara. Megjithëse baba dyshues shpesh më thoshte:

    “Kujdes me Zhozin! E ke si motër më të vogël.”

    Nuk munda t’ia vë veshin fjalëve të tij. Brenda meje gëlonte një ndjenjë e tillë që nuk kishte fjalë ta shprehte. Gjë që më bënte automatikisht dy herë fajtor. Së pari, ngaqë gjithçka e kryeja në konspiracion të plotë në një vend të pazakontë: pas skene, pas kuintave, pas vetes. Mundet ta kisha shpënë Zhozin larg prej aty. Në ndonjë kopsht me mollë, për shembull. Por ja që vetullnxehtë e kisha kryer pikërisht aty Aktin tim. Kjo nuk mjaftonte. Isha i zhytur thellë e më thellë në mëkat kur mendoja se së bashku me këtë Akt kisha kryer një Incest njëkohësisht. Zhozi nuk do të ishte më motra ime e vogël por skallvja ime përgjunjësisht e dashur. Në qoftëse i vutë veshin me kujdes fjalëve të mia do të kuptoni se kjo situatë më bënte automatikisht fajtor. Nuk thashë dhe as po ju them se ndihesha apo ndihem fajtor. Përkundrazi. Shpesh më verbon xhelozia dhe do të dëshiroja po të kisha mundësi t’i ngulja një thikë pas shpine Humbabës kur ndër krahë merrte Zhozin për t’i ndrequr ndonjë kostum apo paruke.

    “Mos!” Gërthisja. “Mos e prek Zhozin se e rregulloj vetë!”

    Vazhdoi kështu një farë kohe të gjatë. Gjersa një ditë Humbaba solemnisht deklaroi para të gjithë trupës se “kisha marrë tërësisht pamjen e një kukullofili”. Unë kukullofil? Natyrisht Ai e thoshte këtë në kuptimin e dashurisë time të përgjithshme ndaj të gjitha kukullave dhe traditës teatrore në përgjithësi. Por mua kjo fjalë e thënë në një kuptim dytësor më sëmbonte parësisht në shpirt. Ma priste rrugën koronare të zemrës si me brisk. Ma zhvendoste zemrën tjetër kund. Si transplantim i parë i zemrës që ishte kryer po në vitin 1967. Vit kur kisha lindur. Sepse më zhvishte brenda vetes ndjenjat e veshura për qenien e vetme që dashuroja përdhunshëm. Zhargozanën e Zhargonit. Zhargonkën si zana. Që shkurt me ledhatim e thërrisnim Zhozi. Cipa e rrjepur e Aktit që kisha kryer me të më kishte shndërruar automatikisht në një kukullofil. Që nga ai çast po e kuptoja s’e nëpërmjet ndjenjave që ushqeja ndaj Zhozit isha pjekur dhe isha shndërruar në burrë. Një burrë i përhumbur në mekanizmin e komandimit më të përsosur që mundej t’i bëhej kukullave brenda teatrit të kukullave.

    Me këtë lloj të vetëndjeri rinia ime e hershme kishte marrë fund. Isha unë tashmë që në fundin e kësaj etape hodha idenë e madhe revolucionare se diçka domosdoshmërish duhej të ndryshonte mes nesh. Incesti. Ishte një ndjenjë evoluimi për t’iu shmangur kontaktit të drejt-për-drejtë me trupin e Zhozit. Me atë trup që po aq sa e dëshiroja, po aq më neveritej vetja njëkohësisht. Ndaj i propozova Humbabas të hidhnim në veprim një tjetër traditë lindore të lojës me kukulla.

    IV. Hijet

    Gjithçka filloi me spastrimin e kukullave më të vjetra me të cilat ja kishim filluar. Shumica e vështrimeve të tyre ishin dëshmi e asaj që në të vërtetë kishte ndodhur ndërmjet meje dhe Zhozit. Por këtë pak-kush e dinte. Këta si të thuash ishin dëshmitarët e parë që mund të rrezikonin daljen në shesh të veprimeve të mia. Ndaj edhe duhej të zhdukeshin menjëherë. Por kishte edhe personazhe të reja të cilat nuk i përshtateshin frymës së re që po përpiqeshim të sillnim në traditën tonë. Të gjitha i dogjëm. Zjarri përfshiu edhe pjesën më të madhe të dekorit. U dogjën pyje dhe kodra të panumërta prej kompensate. U zëvendësuan me një tip fortifikimi që quhet Bunker. U militarizua krejt rekuizita jonë me armatime të rënda prej kartoni. Kostumet u thjeshtëzuan në xhaketa dhe pantallona ushtarake treçerekëshe të prodhuara në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” në Tiranë, apo, Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat.

    Veç t’i shihje fytyrat e kukullave të reja. Pa qime ndër faqe. Zëvendësuese të burrave të vjetër me mustaqe. Humbaba filloi t’i derdhte ato me sy gjysmë të mbyllur dhe buçkat e faqkave si mandarina. Madje edhe Zhozi morri një pamje krejt tjetër mandariniste. Të shtypura në profil kukullat gjithë-gjithë çfarë u kërkohej të bënin ishte përftimi i Hijes. Pas bezes së bardhë ishte përherë i pozicionuar prozhektori. Kukullat parakalonin përpara ekranit në radhë. Hija e tyre gjigante shpërfaqej në sfond. Shikuesit i ngulnin sytë në ekranin e improvizuar shumë kohë më parë se në jetët e secilit nga ju të hynte televizori.

    Sa më tepër Zhozi ndryshonte aq më tepër ndihesha i epur për ndryshim. Kënaqesha dhe ndihesha krenar që baba tashmë i plakur po e lëshonte drejtimin e trupës gradualisht në duart e mia. Unë isha biri i babës. I vetmi trashëgimtar që po e kuptonte se baba po humbte dalëngadalë.

    “Jam krenar për ty!” Më thoshte Ai. “Jam i qetë që po e lë traditën e trashëgimisë lindore në duar të sigurta!”

    Këto ishin fjalët e fundit përpara se të vdiste natyrshëm. Sepse baba ishte një titan i shëndetshëm që nuk vuante nga asnjë sëmundje trupore. Përveç sëmundjes së sheqerit. Edhe kjo ngaqë ishte një personalitet shumë-shumë i ëmbël me spektatorin. Por, Ora për të vdekur ja behu. Çasti e ikjes erdhi. Pas asaj grime, humbi baba. Kufiri e ndarjes midis “Tokës së Trashëgimisë Lindore” & “Tokës së Ëndrrave Perëndimore” ishte i hapur. Në një kohë kur tradita e kukullaizmit daton që prej mëse katër mijë vjetësh. Ja tek po ta përsëris edhe njëherë se Humbaba. Vetëm Ai. Ah ti! Ti. Lexues i ri. Nuk ke si ta kuptosh çfarë strategu ishte Ai! Ati mundi të riinterpretojë dhe të ringrejë në skajet më të larta Teatrin e Kukullave. Artin e Trashëgimisë Lindore që kishte mbërritur pas këtij çasti në kufirin e Ëndrrave Perëndimore. Me një origjinalitet të papritur shumë-e-shumë kohë më parë se Aktorët e Skenës të shfaqeshin me Aktrime Teatrore. Ati dhe Arti. Ishin e njëjta gjë. Ati ishte vet Arti. Arti mishërohej tek Ati.

    V. Hiri

    Si të mos mjaftonte vdekja e babës, ato ditë, një rrufe e shkëputur prej Qielli, depërtoi mistershëm nga deriçka e hapur e Minares, që i rezistonte kryelartë, si halë peshku syrit të gjithkujt e prej aty, si një ortek zjarri, një Orbe, gurrë përvëlonjës, u rrokullis nëpër shkallaret spirale, duke fituar shpejtësinë zhbiriluese të një përdredhësi gjigant, duke depërtuar drejt e mbi perdet e kuqe të kadifenjta, të cilat e përcollën zjarrin brenda tempullit, të shndërruar, që prej një kohe të gjatë, në teatër kukullash. Hataja që ndodhi ishte edhe më e tmerrshme se vetë vdekja. Aq sa me plot gojë detyrohem të them se vetëm pas asaj katastrofe baba humbi plotësisht në të gjithë kuptimin e fjalës.

    Vetëm muret e tempullit ngelën të paprekura nga ajo zjarrmori e paimagjinueshme. Flaka përfshiu krejt trupën, dekoret, rekuizitat, kostumet, shikimet e përhumbura të kukullave dhe trupin e pajetë të babës. Tek e fundit, pyes veten, në fund të fundit: “Ç’ishte ky mallkim?”

    Pasi zjarri shkrumboi gjithçka, aty ku fillonin hamendjet, rrëfimi im, nuk do të ishte asnjëherë i njëjtë si më parë. I kisha përshkuar rreshtat e mësipërme, në kolonat e të cilave, pati kaluar fëmijëria, rinia, burrëria ime, fillesat, dhe vijueshmërinë e traditës sonë, sukseset, dhe ndryshimet e nevojshme, para dhe pas skenën, pothuajse, pa asnjë presje. Po. Po. Për presjet, shenjat e piksimit e kam fjalën. Nuk kam përdorur në rrëfimin e mësipërm shumë të tilla. Njësoj si të përshkoja «The Waste Land», zonën neutrale, që ndan dy kufijtë midis “Tokës së Trashëgimisë Lindore” & “Tokës së Ëndrrave Perëndimore”. Pa e parashikuar, se fundi, nuk do kishte fund, asnjëherë, në fund të fundit, për aq kohë sa do të kaloja nëpër djerrinën asnjanëse, të mbushur me tabela ku shkruhej “Zonë e Lirë” apo “Zonë e Ndaluar”.

    Zjarri do të kalonte këndej. Zjarri nuk do të vononte. Ai veç kishte pritur Orën të mbërrinte. Të shkrumbonte, t’i shkrumbonte, të shndërronte, t’i shndërronte, të gjitha në Hi. Një hi i hirtë, ku nuk mund të gjeje se ku kishte përfunduar mbeturinat e trupit të djegur të babës. Gjithçka ishte njëtrajtësuar në humbje, dhe nuk kisha më tej ç’të humbja nga humbja, veç të shpëtoja trupin gjysmë të djegur të Zhozit, për të mos humbur. Të vetmen gjë që e mendoja si shpresë dhe me atë, të rendja i tmerruar në lumë.

    I lumi Lumë na mori dhe na përplasi andej-këndej, duke na pështyrë detrave.

    VI. Gaforre dhe Marioneta

    Ranishte e gjerë dunatike përshkonte brigjet e thata ku lum Lumi na nxori. Këtu fije bari nuk kishte. Në rërë nuk mbin asgjë. Rëra është tokë e vdekur (waste land). Aty mund të ushqehesh vetëm me atë që Deti të jep. Nuk qaheshim nga ushqimi. Këtu kishte bollëk të jashtëzakonshëm. Peshq të llojeve të ndryshme edhe fruta deti. Karavidhe, midhje, sepje, kalamarja, aragosta, e mbi të gjitha, gaforre të panumërta. Mund të quhej ndryshe «Bregdeti i Gaforreve».

    Zhozi, që nuk kishte parë gaforre me sy, i shihte e mahnitur lëvizjet e tyre shumëkëmbëshe. Në një nga ato vështrimet e saj, që të linin pa gojë, kuptova se ajo dëshironte një fëmijë nga unë. Nuk e kisha çuar ndër mend një gjë të tillë. Për të parën herë tash që pleqëria me sa dukej po më trokiste në prag. Këtu kuptova se koha ishte tamam që të bëhesha baba si baba im. Vdisja nga dëshira që edhe ky Akt i fundit të më njëtrajtësonte me Timonierin Humbaba; Strategun e udhëtimeve të mia; Pishtarin tim. Që të bëhesha tëpkë, njësoj si ai. Si? Qysh? Tek? Zhozi ishte kukull. Një kukull nuk mund të lindë fëmijë.

    Më filluan të më sëmbonin në tru pikëpyetje, që gjer në atë cak, as që i kisha shkuar ndërmend, përgjatë gjithë jetës sime paqësore të njëtrajtshme si kukullaxhi. Kush kishte qenë nëna ime? Si nuk e kisha ndeshur asnjëherë më parë? A ishte qenie njerëzore? Apo kishte qenë njësoj si Zhozi, një kukull e pagojë, zëhumbur, hije, hi? Përse Humbaba nuk më kishte folur asnjëherë për të? Dhe si nuk e kisha ndier nevojën ta pyes, se nga kisha ardhur unë në këtë botë magjike? E vetmja gjë që dija ishte se kisha lindur pas vitit 1967. Në po të njëjtin vit kur njerëzimi kishte realizuar transplantimin e parë të zemrës. Kisha lindur nga një dekret i posaçëm. Por ç’ishte ky dekret? Kush e kishte lëshuar? Kush e kishte firmosur miratimin e tij? Kishte ardhur nga Lart? Apo nga Poshtë? Si nuk kishte depërtuar asnjë Presje e vetme si fije bari në prozaiken histori të shkruar të një jete që ishte vet jeta ime? Përse nuk mbarte gjelbërim ranishta? Përse Lumi përshkon hapësirat, thjesht, për të përfunduar në Det? Qysh, kaq shumë rrugë, për të përfunduar në një Bregdet Gaforresh? Përse kaq shumë gaforre? Gaforre?

    Instinkti m’i ringjalli përsëri shpresat. Kukullat e Hijes kishin qenë një rrugë e gabuar, e pranoj, me një përkatësi shumë të dyshimtë për të mbajtur një teatër kukullash së bashku me traditën lindore të gjallë në këmbë në këtë bregdet ëndrre ku kishim përfunduar, Këtu në perëndim.

    Ndryshimi ishte pjesë e imja që më bënte vazhdimisht ta mbaja nën tundim publikun. Shikuesit e këtushëm kërkonin gjëra të reja gjithmonë në lëvizje. Në lëvizje të shumanshme. Ndaj dhe shpëtimi im ishte Gaforrja. Kukullat duhet të lëviznin njësoj si ato për të qenë të suksesshme në një botë që popullohej nga ëndrrat e tregut. Fillova nga zeroja të rindërtoj gjithçka nga e para. Shkallë pas shkalle rivinte në syrin e shikuesit: trupa, dekori, rekuizitat, efektet skenike, kuintat (me perde Blu, me perde Rozë), gjithçka e ideuar saktësisht me paramendim në sajë të modelimit tim origjinal qyshkur. U bëra marjonetisti më i vetpërsosur Këtu. Njëshi i atyre që pretendonin se ishin Njisha. Humbaba do të ishte krenar për mua. Do të doja që biri im krenar në të ardhme, të thoshte ty shikues i nderuar i teatrit të kukullave, të njëjtat fjalë që unë thosha dikur për babën tim:

    “Ati im. Doravetë Ai. Ah ti! Mosbesues njeri. Ti, nuk ke si ta kuptosh çfarë strategu është Ai?! Ati im, riinterpreton dhe ringreh përherë, në skajet më të larta, Teatrin e Kukullave. Artin e Trashëgimisë Lindore që po kapërcen kufirin e Ëndrrave Perëndimore. Shumë kohë më parë se Aktorët e Skenës së sotme të shfaqen me Aktrime Teatrore. Ati dhe Arti. Është e njëjta gjë. Ati është vet Arti. Arti mishërohet tek Ati.”

    Por, trashëgimtari, biri im, ende nuk ekziston. Zhozi po çmendet që ta ketë në bark. E vetmja zgjidhje, pasi e kisha shndërruar vet Zhozin, nga një Kukull Hije në Marionetë, ishte t’i qepja fort një gaforre vocërrake brenda barkut. Dhe ashtu bëra. I futa në trup një gaforre, të gjallë, që nuk reshtte së lëvizuri. Ja qepa pazgjidhshmërisht të gjitha cepat e kostumit, në mënyrë të atillë që mos të kishte se nga të dilte, dhe Zhozi të kënaqej gjithë kohën, duke menduar vazhdimisht se mbart në barkun e saj, trashëgimtarin tonë të ardhshëm.

    VII. Përpjekja e fundit

    Popullariteti i marionetave dhe fama ime si marionetist më shtynë në hulumtime dhe kërkimin e rrugëve të reja të Shprehjes. Jo më tepër përsa i përket pasionit tim për t’u shprehur, gjë e cila nuk më mungon, por sepse me këtë mënyrë shihja rrugën e vetme për t’u bërë jashtëzakonisht i pasur. Pará. Paré. Zhutra. Llove. Më duhej të fitoja pará me thasë tashmë që po e ndieja se po plakesha dhe njëkohësisht do të kisha një trashëgimtar të ri i cili do të trashëgonte edhe tregun. Një bir të cilit do t’i lija krejt trashëgiminë time të trashëguar. Lovet. Zhutrat. Paret. Kështuqë ja bëra të ditur Zhozit se do të nisesha drejt e në Birmanì. Thonë se atje i komandojnë me gjashtëmbëdhjetë tela marionetat. E pabesueshme, hë! Dhe të mendosh se është një kukullaxhi i vetëm që duhet të kryej gjithato lëvizje? Një mjeshtëri e vërtetë. Apo jo? Po më jepej kjo mundësi. E pse mos të udhëtoj drejt Lindjes së Largëme? Pse mos të sjell ndër ju traditën e gjashtëmbëdhjetëtelëshit? Prej brigjeve të Gjirit të Bengalit. Rrethuar nga deti Andaman. Këto lloj kukullash janë në vetvete shprehja më kulmore e Artit të Kukullaizmit. Një prirje legjitime drejt modernizmit. S’më mbetej tjetër veçse edhe njëherë, ndoshta për të fundit herë, të nisesha nga “Toka e Ëndrrave Perëndimore” drejt “Tokës së Trashëgimisë Lindore”. Dhe u nisa.

    Nuk e kisha menduar kurrë se do të ndeshesha me kaq-e-kaq vështirësi. Rruga për në Mayanmar nuk kishte të sosur dhe sa më tepër i afroheshe – aq më e largët bëhej.

    Ma shton imazhin e gënjeshtërt edhe kjo shkretëtirë e pafundme ku shtegtoj pafundësisht. Ku Dielli ta pjek lëkurën. Ku Deti i tërhequr që prej mijëra vjetësh nuk ka ndërmend të rikthehet një Ditë. E etur, pa Lumenj, kjo hapësirë vdekjeprurëse ta mpin mendjen dhe në të mund të shihje gjithçka që nuk ekziston. Ose që lind, jeton, vdes, po Këtu; brenda parapërfytyrimit tënd të tunduar nga etja. Nga etja për pará. Nga etja për tregje të tjera fitimprurëse që lëvizin botën mbarë.

    I etur kërkoja një pikë ujë të vetme. Dhe i vetmi send që gjeta, ishte një shishe Coca~Cola. Koka’e’Kolës ishte si të thuash shpëtimi im. E ndoshta shpëtimi i «Generation Pepsi-Cola» ?!

    Një shishe e hedhur në shkretëtirë, e boshatisur jo gjer në fund, përfund barkut të saj, mbante shpresën më të fundit, të përpjekjes së fundit, në fund të fundit, për të mbijetuar së fundmi. U zhyta brenda saj me një frymë duke thithur me buzë të etura pjesën e lëngut freskues që kishte mbetur për mua. Dhe ky ishte gabimi im i vetëm që nuk ja fal vetes! Një Dorë e padukshme, jo si ato që komandojnë Kukullat e Dorës, por si ai trupi i rrumbullakët i hapësirës, i zbritur nga Lart, që Poetët në gjuhën e tyre të zgjedhur magjikisht e thërrasin Orbe, e vulosi shishen, dhe unë u gjenda përjetësisht i kapur në grackë.

    Më është e pamundur të dal jashtë prej Këtu. Më duket sikur kam një jetë të plotë që jetoj Këtu. Me sy të përlotur, Këtu, më vjen ndërmend e gjithë jeta ime. Humbaba. Kukullat e Dorës, Kukullat e Shkopit, Kukullat e Hijes. Marionetat, Zhozi, që kujton se është shtatzënë, që më pret të kthehem pranë saj. Ah, ç’gabim i pafalshëm që ia qepa atë gaforre të mallkuar në bark, duke mos i lënë asnjë cep daljeje! Kështu Zhozi ka për të marrë fund, sepse krijesa që mban në bark do të qelbet, dhe karriera e Zhozit do të digjet si hiri, do të thërrmohet si rëra, shumë shpejt. Më shpejtë se koha që do të më duhet për të mbërritur në Birmani, dhe riinterpretuar një Zhozi të re, të hatashme, me gjashtëmbëdhjetë lëvizje mahnitëse, që do t’ju hipnotizojë. Më shpejtë se koha e panjohur e qëndrimit Këtu, brenda kësaj shisheje të mallkuar, ku nga mërzia kam filluar ta mbush krejt trupin tim me tatuazhe. Figurina të panumërta që më mbulojnë nga koka tek këmbët.

    Askush s’ka për të më njohur më. Sepse kam ndryshuar. Për kaq-e-kaq Orë, askujt nuk i bie rruga këndej, dhe kjo më ka mbushur plot mllef e urrejtje, për fatin tim. Megjithëse ndjekësit fanatik të teatrit të kukullave, në mbarë botën, ata që më njohin, edhe ata që vetëm kanë dëgjuar të flitet për legjendën time, do të pyesin me kureshtje:

    “Ku u zhduk mjeshtri i marionetave? Ku gjendet tash, Tani i Shejt?”

    E di. E di se kam edhe kundërshtarë, të cilët pa ngurrim nuk reshtin së nëmuri:

    “Mos e luaj Shejtanin nga shishja!”

    Xheloz. Ata. Duan të më shohin të ndihem i rrënuar nga kjo përpjekje e fundit. Por, jam i palodhur të shpresoj se një ditë, një tjetër i etur si unë, rastësisht do kalojë këndej duke e hapur shishen, sa për të shuar etjen dhe duke bërë ndoshta aksidentalisht realitet përpjekjen time të fundit. Dhe atëherë do të jetë krejt ndryshe. Besomë!

    – Gjer kur do të vazhdoj të pres Këtu? Nuk të vjen keq për mua? Po më merret fryma. Po më erren sytë! Mos nguro, o kalimtar i etur! Hajde, hape shishen…

    – Si? Ti nuk më beson? Me të gjitha forcat jam përpjekur veç për ty dhe bijtë e tu.

    – Ende nuk më beson?

    – Hape pra shishen, dhe vetëm atëherë do të më zësh besë.

Comments are closed.