KËRMAT E TABUVE

Calvin_Klein_AdGazeta shqiptare e hap sot faqen e vet në Internet me një lajm për dy çifte homoseksualësh që kapen duke kryer marrëdhënie seksuale në publik (Homoseksualët seks në qendër të qytetit). Pas ndërhyrjes së policisë dhe shoqërimit të të kapurve në komisariat, këta paskan deklaruar se  “nuk kanë shkelur asnjë ligj pasi këto marrëdhënie janë të lira”.

Nuk besoj të jem i vetmi që, përballë këtij lajmi, të më ketë shkuar mendja te tallazi mediatik javët e shkuara, pas deklaratës së kryeministrit Berisha se shteti shqiptar do të ligjësojë martesat mes homoseksualëve. Nëse ata të rinjtë që dëfrenin shoku-shokun në mes të Tiranës shpresonin se ashtu po ia afronin Shqipërinë Europës, për këtë nuk jam i sigurt; por seksi homoseksual në publik, në një vend si yni ku deri dje edhe një puthje heteroseksuale në autobus do të shihej shtrembër nga bashkudhëtarët, më tregon se çfarë mund të ndodhë me një shoqëri që i trajton tabutë e veta si të ishin rregulla trafiku.

Pak ditë më parë, një tjetër tallaz mediatik u ngrit rreth një shkrimi të A. Nurellarit, që bënte thirrje për ligjësimin e përdorimit privat të hashashit në Shqipëri, duke e arsyetuar këtë nevojë me argumente të natyrës ekonomike. Ne në PTF e kemi mbrojtur këtë ligjësim prej kohësh, me argumente të ngjashme; por sidomos ngaqë jemi të bindur se tabuja e hashashit në Shqipëri është e imponuar artificialisht nga jashtë dhe pikërisht nga Europa, në një kohë që, tradicionalisht, shoqëria shqiptare nuk e ka çarë shumë kryet për përdorimin e drogave – që nga alkooli e duhani, deri te opiumi e morfina.

Çdo shoqëri dhe kulturë ka tabutë e veta, madje themelohet mbi tabutë e veta. Vetëm 20-30 vjet më parë, një i ri me flokë të gjata në rrugë do t’u jepte material për muhabet e thashetheme të gjitha kafeneve të Tiranës; njerëzit ndonjëherë druheshin të flisnin, deri edhe në mjedise familjare, për vdekjen e Enver Hoxhës… Tani ndoshta të gjithë e kemi harruar, por asokohe deri edhe letrat e bixhozit ndaloheshin për t’u shitur në publik (por mund t’i siguroje po të njihje njeri… në Bankën e shtetit!); ndërsa rrobaqepësia private ose stolisja profesionale e nuseve konsiderohej si veprimtari subversive për ekonominë socialiste.

Dukuri në kufirin midis ligjit dhe paligjshmërisë, të tilla si prostitucioni, kumari, dhënia e huave me kamatë të lartë, shitblerja e fëmijëve për qëllime adoptimi, aborti, kultivimi i drogave për përdorim privat (rakia, hashashi), shitja e kufomave dhe e organeve, mercenarizmi dhe pornografia – për të përmendur vetëm disa – e kanë mbijetuar kalimin nga totalitarizmi në post-totalitarizëm; dhe ende gjykohen si porta drejt kriminalitetit të mirëfilltë.

Të tjera dukuri, si martesa në farefis, incesti, masturbimi, poligamia, seksi për hir të seksit ose edhe konsumi i mishit të derrit (ndër myslimanët), i kanë rrënjët edhe më thellë, dhe pikërisht atje ku marrëdhëniet shoqërore mpleksen me botëkuptimin fetar.

Vëzhguesve të jashtëm, nga shoqëri që u binden tabuve të tjera, gjithnjë u tërheq vëmendjen “irracionaliteti” i disa prej këtyre praktikave shmangëse; edhe pse nuk mund të ketë organizim social, qytetërim dhe kulturë, pa një sistem tabush dhe ndalimesh, të arsyetuara ose të imponuara nga lart.

Mjaft të përmend anti-semitizmin, i cili deri një shekull më parë i përshkonte tej e ndanë shoqëritë e krishtera, në Europë dhe gjetiu; ndërsa sot është shndërruar në një nga tabutë më të forta në Perëndim, deri në atë shkallë sa të quhet krim në një numër shtetesh përndryshe liberale dhe garantuese të pluralizmit të mendimit e lirisë së fjalës.

Në Shqipëri, vetëm një shekull më parë, shitblerja e vajzave për martesë ishte ndër praktikat më të zakonshme, që rregullonin marrëdhëniet midis familjeve, fshatrave, fiseve dhe krahinave anembanë vendit; sot një gjest i tillë do të manifestohej menjëherë si dinosaur etnografik, ose relike e habitshme nga një kulturë përndryshe e perënduar.

Megjithatë, ndryshimi i tabuve, që të jetë i suksesshëm, duhet të nxitet dhe të përgatitet gradualisht, si pjesë ndryshimesh sociale të gjera dhe gjithëpërfshirëse; jo si ndërhyrje mekanike dhe e dhunshme në sisteme aq delikate, sa ato që rregullojnë marrëdhëniet mes individëve dhe grupeve, sidomos në shoqëri tranzicionale, si jona.

Kështu, çlirimi i gruas, ose “emancipimi”, siç e quanin ideologët komunistë, do kuptuar si një proces gradual, i cili është shtjelluar  krahas afrimit të Shqipërisë me vlerat europiane, rritjen e peshës specifike të qyteteve në jetën e vendit, shkollimin dhe veçanërisht përfshirjen e gruas në jetën publike jashtë tutelës familjare ose fisnore. Vetëm ashtu mund të rroket mirë logjika e kalimit nga gruaja e mbuluar kokë e këmbë që shohim në foto bardhezi të fillimshekullit, te gruaja në minifund dhe décolleté, që çapitet me taka të larta rrugëve të Tiranës natën, duke shpërfillur me një ngritje të thjeshtë supesh çdo ofertë për marrëdhënie seksuale nga kalimtarët dhe sehirxhinjtë e rastit.

Paradoksalisht, ndonjëherë është më e lehtë ta kthesh tabunë kokëposhtë, sesa ta çrrënjosësh krejt; ashtu, ndalimi që i bëhej dje ekspozimit të fytyrës dhe të mishit të femrës në publik, shpesh ka mbijetuar sot si tabu histerike ose zemëratë laike ndaj vajzave dhe grave myslimane që i mbulojnë flokët me shami.

Ky mekanizëm ndalimesh ka të bëjë me konformizmin, si lubrifikant marrëdhëniesh sociale. Në një tryezë feste, gostari që refuzon të vërë rakinë në gojë ka deklaruar, vetvetiu, armiqësinë ndaj rregullave të lojës. Chi non piscia in compagnia, o è ladro, o è spia, thotë një proverb italian. Forca e tabuve duket edhe kur këto thyhen kolektivisht, si gjatë karnevaleve ose orgjive; madje edhe natyra e tyre, si mekanizma rregullues të sjelljes kolektive, ose të pjesëmarrjes.

Këtu nuk është vendi për të diskutuar në hollësi marrëdhëniet midis tabuve dhe etikës; për të parë cila përcakton tjetrën, dhe ku mbaron arbitrariteti, për të filluar arsyeja. Dikur, në një darkë në Romë, më ofruan biftek me mish kali – të cilin e hëngra me ëndje; po të më kishin ofruar mace të zgarës, ose tru majmuni, ndoshta do të isha stepur. Nga ana tjetër, nuk besoj se do të isha ndier mirë sikur e zonja e shtëpisë, një grua rreth të shtatëdhjetave, të ishte ulur në tryezë lakuriq ose të më kish ftuar t’i bëja shoqëri kur urinonte.

Për një pjesë të publikut lidhjet midis tabuve dhe etikës janë të tilla, që çdo dilemë etike zgjidhet vetvetiu duke iu referuar tabuve. Kështu, shoqëria shqiptare, madje edhe pjesa më e emancipuar e saj, do t’i kundërvihet sot përdorimit të hashashit, thjesht ngaqë përqafimi i tabusë së hashashit përfaqëson një nga kushtet për t’u pranuar në Europë. Përkundrazi, askush nuk e sheh me vend të indinjohet shumë për hapjen e kazinove në qendra të qyteteve, numrin e aborteve të dëshiruara, ose kamatën; edhe pse të gjitha këto dukuri njëlloj u bashkëlidhen tabuve tradicionale dhe sjelljeve etikisht të dënueshme.

E keqja, në këtë kontekst, nuk ka lidhje as me tabutë, as me shkeljen e tyre – por me mënyrën si po e motivojmë imponimin ose shkeljen, ose me relativizimin total të çështjeve që, përkundrazi, prekin thelbin e qenies sonë sociale. Shqiptari tradicionalist, patriarkal ose edhe thjesht konformist, që dje do ta kish kalbur të bijën në dru po ta kishte kapur duke u puthur me një djalë në rrugë, sot druhet të revoltohet haptazi ndaj dy meshkujve që kryejnë seks me pagesë në një vend publik, sepse nuk është më i sigurt se çfarë përbën tabu, dhe çfarë jo.

Konformizmi, si forcë motivuese, gjithnjë detyron më fort se etika, estetika ose politika; por edhe konformizmi kërkon modele të qëndrueshme, të cilat pastaj t’i ndjekësh…

Drama e shoqërisë shqiptare është se, për shkak koniunkturash politike në thelb perverse, krejt etika tradicionale, duke përfshirë tabutë, po perceptohet si pengesë ndaj modernizimit; çka bën, anasjelltas, që modernizimi të identifikohet me thyerjen e tabuve.

Nuk dua të flas për konfliktet e thella dhe të dhimbshme që sjell kjo në marrëdhëniet midis brezave; por dua vetëm të theksoj që nuk mund t’i kapërcejmë tabutë e vjetra duke i kthyer kokëposhtë. Nëse dje regjimi totalitar e ndalonte brutalisht çdo manifestim të përkatësisë fetare në publik, kjo nuk mund të kompensohet sot duke varur kryqin në qafë si bizhuteri; nëse dje deri edhe letrat e bixhozit t’i ndalnin në doganë e të duhej autorizim i posaçëm për t’i tërhequr, kjo nuk do të thotë që sot të luash kumar për të treguar distancimin tënd prej traditës; nëse dje vajzat shiteshin e bliheshin si kokë bagëtie, kjo nuk do të thotë që sot të shiten e të blihen baballarët, në mënyrë që vajzat të shëtisin trotuareve të veshura me Prada dhe Gucci.

Edhe ata katër homoseksualët që i kapën gafil në mes të Tiranës, mbrohen tani me interpretimin – origjinal – që ia bënë propozimit kryeministror për ligjërim të martesave gay në Shqipëri; dhe vështirë t’i bësh më me faj se ç’mund të bësh Berishën vetë, i cili si edhe herë të tjera nuk ngurron të bëhet zëdhënës i kargokultizmit më brutal që ka parë ndonjëherë kultura politike shqiptare.

Të gjitha këto nuk mund të mos i lexosh si shenja se shoqërisë shqiptare i ka humbur forca për t’u kundërvënë etikisht, ose elasticiteti etik (resilience); dhe një shoqëri që ka humbur elasticitetin është e gatshme për t’u manipuluar e formësuar nga i pari demagog që do t’i bjerë rruga andej.

8 Comments

  1. Po gjakmarrjen ku mund ta fusim dhe përkufizojmë? A është gjakmarrja një tabu ndër shqiptarë?

    1. Nuk besoj… tabuja gjithnjë ka lidhje me një ndalim, apo jo? Gjithnjë e ka një [MOS] ose një [NUK] brenda. Gjakmarrja, përkundrazi, është imperativ për të vepruar.

      1. Kam përshtypjen se në “faljen e gjakut” ka një tabu, e cila vepron frenueshëm. Në opinionin publik të grupit social, ku akti i gjakmarrjes është një mjet i zakonshëm i komunikimit, “mosmarrja e gjakut” është një akt tabuthyers, pasi vetkuptueshmëria e vrasjes së tjetrit është sistemi i zakonshëm komunikimit ndërmjet palëve në gjak si dhe i domosdoshëm i rrjedhjes së gjërave brenda grupit social.

  2. Kam përshtypjen se ky projektligji Gay u hodh në treg thjesht për të zhvendosur vëmendjen larg aferave të vogla me Pollo-pronat… Jo do t’ua marrim atyre që s’e punojnë etj., sipas parimit komunist: «Ne ua dhamë me ligjin nr. 7501, dhe ne prapë ua marrim!»

  3. c’eshte me shqetesuese eshte se gazetat u jepnin emrat e autoreve te ”krimit”. nuk ka ligj qe te mbroje dhunuesin/ te dhunuarin nga publiku vojerist ne kete rast?

    ok, mesuam per ngjarien, por pse te dime edhe emrat e autoreve, kur eshte per shoqerine tone nje tabu e tille?

  4. ”””Nuk dua të flas për konfliktet e thella dhe të dhimbshme që sjell kjo në marrëdhëniet midis brezave; por dua vetëm të theksoj që nuk mund t’i kapërcejmë tabutë e vjetra duke i kthyer kokëposhtë””’

    Mendoj se kthimi kokeposhte eshte rruga me e shkurter, e shqiptaret ne cdo rrafsh i jane turrur rruges me te shkurter.
    Po te dinim , do vepronim si lumi, qe shkon perhere ne rrugen e pershtatshme. Ne kete rast, eshte pikerisht fakti qe jemi krijesa te ndergjegjshme qe na ben te kembengulim ne nje drejtim. Do thoja qe per shperdorim energjie populli yne eshte per tu futur ne Guinnes.

    Megjithate, te keqen e madhe e shoh tek hecja per pune te vet, dmth nuk mund te flasim dot se teresia shqiptare po ben revolucion apo evolucion, pra nuk po hecen me te njejtin hap.
    Po krijohen e zgjerohen ishuj te ndryshem, ku ata qe thyejne tabute gjejne vetveten. Po veprohet me force, shtypje nga nje ane, qe sjell kunderpergjigjen ne anen tjeter.
    Si pasoje e ketyre shqypjeve, mund te quhemi populli i ‘kriptove’, kriptopagane, kriptokrishtere, kriptoislamike, kriptoliberale, kriptoliberiste, kriptokonservatore, kriptonoliste, kriptofishtjane,kriptoenveriste,kriptostataliste, kriptostoriciste, kriptogege, kriptotoske, kriptoindividualiste, kriptofisnor e shume kripto te tjere.

    Sodit, duhet me qene kripto qe te mbijetosh…. Sikur te kishim ndonje tradite shoqerish te fshehta, ne Shqiperi do kishte me shume shoqeri ne fshehta se ne cdo vend te botes. Po ti futem punes, mund te gjej per veten se ne sa ‘kripto’ futem.

    Pastaj normal qe te duket se ta kane te gjithe me te futur.

    Keshtu edhe kjo puna e tabuve, duhet pare edhe nga ana e kriptos, cfare kerkon realisht ai qe thyen tabune dhe a po e thyen tabune per arsye racionale apo po e thyen se ndjen se duhet thyer.
    Se tabu nuk do te thote perhere keq. Tabu eshte edhe ngrenia e mishit te miut tek ne apo tabuja me e madhe ne ceshtje ushqimi, njeringrenia, qe eshte thyer vetem ne raste ekstreme.
    Shume tabu, ndodhen ne formen e ligjit.

    Tabuja per mendimin tim nuk prodhon ‘kripto’ vetem atehere kur asgjesimi i saj kerkohet prej arsyes kolektive e jo prej modes apo deshires se njerit, tjetrit apo nje pjese te bashkesise.

  5. Do kete qene me rastin e nje mbytjeje masive te rradhes emigruesish ne Otranto, ndoshta para 6-7 vitesh, kur faqet e para te disa gazetave si edhe ballinat e disa emisioneve lajmesh ne TV, u hapen me te njejten foto ilustruese: nje vajze prej viktimave mbi tavolinen e morgut, me bustin zbuluar.

    Felliqesia nuk ishte aspak e limituar ne ndonje cep te editorise shqip, perkundrazi. Gjithkush mund te kerkoje e tí gjeje keto foto ne nje koleksion cfaredo te shtypit shqiptar te fillimviteve 2000: faqe te para qe hapen me gjoksin e zhveshur te nje vajze te vdekur.

    Vajza, (me kujtohet fort mire mosha e saj, 18 vjec) nuk ishte e vetmja viktime ku mund te mbeshteteshe per ilustrim te ngjarjes, e per me teper, edhe nese duhej mbeshtetur pikerisht tek imazhi i saj, dora e fotografit mund te ishte mjaftuar ta tepronte thjesht duke e shpalosur carcafin e morgut deri ne kufinjte e portretit. Por rasti per te vrare me nje gur edhe disa zogj te tjere, vendosi se gjoksi i viktimes duhej perdorur per nevojat iniciatike te nje shoqerie ende te paguximshme per te thyer tabu te rendesishme, ne kete rast ate te lakuriqesise vendase ne media. Ne rastin e mesiperm, tabuja lakuriqesise, u thye bashke me tabutin e nje vajze, bashke me tabune e shperdorimit te vdekjes.

    Ashtu si viktima te tjera qe historikisht na kishin sherbyer per tí kthyer ne parabola mobilizuese a kurbane justifikuese, duke ua interpretuar vdekjen si na e do puna, edhe nudoja post mortem ne te njejten menyre iu hodh turmes qe priste qe me mengjes pertej sportelit mediatik.

    Prita disa jave se mos shoh ne shtyp ndonje reagim, ndonje denim, ndonje distancim prej kujtdo (keshill etike diku, grup pensionistesh, konference ipeshkvnore), po hic.

    Per tí provuar vetes se nuk kisha bere fare qejf mbi trupin e nje te vdekure ne morg, se nuk me kishte sherbyer trupi i saj shelbyes i zhveshur dhunshem per tú bere me evropian e me pak enverist apo oriental, si edhe per disa argumente te tjera, shkrova vete nje reagim, denim e distancim.

    Te cilin e botuan ne faqen letrare.

  6. Pas ndërhyrjes së policisë dhe shoqërimit të të kapurve në komisariat, këta paskan deklaruar se “nuk kanë shkelur asnjë ligj pasi këto marrëdhënie janë të lira”.

    I kthehem ketij shfajesimi te te rinjve disa here per te bluar ne koke rrezikun e fenomenit te kultit te kargove. Si asnjehere me pare, ketu shfaqet brishtesia e demokracise dhe e vlerave te orkestruara nga lart (Europa) dhe nga poshte (elitat lokale), kur mungojne veglat e duhura muzikore. Demokracia (zberthejeni si te doni kete) me shume se per ligje, ka nevoje per transparence dhe pergjegjshmeri, mungesen e te cilave nuk e ploteson dot me ligje e praktika te reja. Propozime radikale ne vete kulturen e nje shoqerie, si martesa mes cifteve homoseksuale duhet te shoqerohen me programe qe t’i qartesojne e te ndihmojne zbatimin e tyre, jo te lihen jetime. Ne kete blog, e me gjere, eshte diskutuar shpesh per rreziqet qe sjellin politikat e gatuara enkas per Bashkimin Europian, pa shume kokecarje per efektet, kontekstin, aktoret, nevojen dhe praktiken ne terren. Kjo Euromani ben qe politikanet te pergjigjen “Deri ku?” kur Europa thote “Hidhu” ne vend qe te pyesin “Si?” Mire qe e kane vendosur te ndjekin pike per pike udhezimet e tekat e BE-se, por nuk me duket e tepert kerkesa qe cdo vendimmarrje te shoqerohet me programe edukimi dhe informimi. Ndoshta nuk kam njohuri te mjaftueshme por kam pershtypjen qe ligji i propozuar kishte per objekt te drejten e marteses mes cifteve homoseksuale dhe nuk prekte aspekte te tjera, si veprimtarine seksuale ne publik, qe ma do mendja do te ishte e ngjashme me veprimtarine e cifteve heteroseksuale. Fakti qe ketyre te rinjve nuk u eshte bere e qarte se c’parashikon ky ligj (per martesat), kryerjen e marrdhenieve ne privat e publik, tregon haptazi se sa pa seriozitet zbatohen detyrat e shtepise. Organet perkatese kane deshtuar ne detyren kryesore per te informuar publikun hollesisht se c’perfshihet ne kete ligj, duke krijuar keqkuptime per interpretimin e tij- per te mos permendur rolin qe pritet te luajne mediat. Sigurisht marredheniet jane te lira dhe te garantuara me ligj, por asgje nuk me thote qe ky ligj te perdoret sipas qejfit per te shfajesuar krime te tjera, si prostitucioni. Me duket e papranueshme qe ligje e praktika te ndryshme importohen one-size-fits-all, por eshte edhe me e papranueshme indiferenca per te edukuar e informuar publikun rreth tyre.

Comments are closed.