TË VDEKUR E TË PAKALLUR

Njërit prej nesh, aktorit dramatik Vilson Z., i vdiq papritur i vëllai, që e kishte ushtar në një repart afër fshatit të vogël Palivadh në brigjet të Jonit; u tha se i kishte shkrepur arma në duar ose diçka e ngjashme, por shokun tonë dhe askënd tjetër nuk e lanë ta shihnin kufomën, përveçse për së largu, në një ceremoni mortore çuditërisht të mbikëqyrur nga Ministria e Mbrojtjes.

Ishte një nga ato aksidente që ndodhin herë pas here, sepse nuk mund të mos ndodhin; dikush duhet të vdesë pa arsye, që ne të tjerët të kujtojmë se kemi arsye të rrojmë; prandaj edhe i ndjeri vëlla i Vilsonit do të ishte harruar shpejt, po të mos kish rënë fjala një ditë përsëri për fshatin Palivadh. Radio Europa e Lirë, që në ato kohë vetëm pak shpirtra rebele e dëgjonin, paskësh thënë se pikërisht në Palivadh organet e Sigurimit të Shtetit kishin selinë e komandës së tyre operative, prej nga edhe organizonin kontrabandën e armëve të lehta me vendet e Magrebit.

Me atë rast, Radio Europa e Lirë paskësh përmendur edhe një artikull të revistës gjermane Zeitbild, sipas të cilit këtë kontrabandë gjysmë shtetërore e drejtokësh një ish-nazist, konti Ernst von Schefferling, i degdisur në Shqipëri në vitet 1950, pas disa mosmarrëveshjeve metodologjike me trajtuesit e vet sovjetikë, e që përndryshe në Perëndim e kërkonin për ta gjykuar dhe dënuar si kriminel lufte.

Që në Shqipërinë e pas-Luftës II Botërore tek-tuk ende mund të gjeje ndonjë dinosaur kësisoj, këtë e kishim dëgjuar prej kohësh; por nuk kishim ditur gjë për komandën sekrete të kontrabandës së armëve në Palivadh, edhe pse plazhet e asaj treve ishin shpallur zonë ushtarake, të mbyllura për pushuesit verorë.

Nëse kishte pasur ndonjë lidhje mes vdekjes së vëllait ushtar të Vilson Z., dhe pranisë në ato rrethina të një ish-hitleriani të rangut të lartë si konti Von Schefferling, këtë nuk do ta sqaronim dot veçse pak javë më pas, kur të kthehej nga një turne miqësor në Perpignan të Francës Jashar T., ngritës peshash i nivelit olimpik, që e pinte tek-tuk ndonjë birrë edhe me ne.

I trashë nga trupi, por i hollë nga mendja, Jashari na tregoi se rastësisht kishte lexuar, në revistën L’Equipe, për një operacion sekret të ndërmarrë nga një ekip i posaçëm i Mossadit izraelit nën drejtimin e majorit legjendar Yoav Sibner, në brigjet e ashpra të Shqipërisë së Jugut.

Sipas artikullit që paskësh lexuar Jashari e që ne nuk e besuam, forcat izraelite të ndërhyrjes së shpejtë, hipur në dy motobarka Zodiac, kishin zbarkuar një natë dimri pa hënë në një plazh të shkretë afër Palivadhit, prej nga kishin sulmuar selinë e komandës operative të kontrabandës, ku kishin të dhëna se fshihej Von Schefferling-u.

Kompleksin e ruajtkësh një ushtar i vetëm – pas gjase vëllai fatkeq i Vilsonit tonë – të cilin e kishin hequr qafe duke ia prerë gurmazin me brisk, për të depërtuar pastaj në thellësi të kompleksit, drejt vilës ku jetokësh krimineli i luftës.

Kishin shqyer me eksploziv derën e blinduar, ishin derdhur me shpejtësi të rrufeshme në korridoret, drejt së vetmes dhomë ku digjej zjarri bubulak në oxhakun e punuar me mjeshtëri, ku edhe kishin gjetur, të ulur në tryezën e vet të punës, një kukull prej kashte në madhësi natyrale, veshur me uniformën origjinale të oficerit të lartë SS.

3 Komente

  1. Antinostalgji*

    Me pensionin e tij të merituar plotësisht, xha Miçua, përveç se të mund të hante dhe të pinte, ja lejonte vehtes edhe të paguante kafetë për të shtyrë ditën në klubin përpara pallatit.
    Xha Miçua e konsideronte vehten me fat… përveç se për të ngrënë e për të pirë, nuk vuante nga ndonjë sëmundje dhe kështu nuk do i duhej të harxhonte pjesë të pensionit për ilaçe.
    Por, përveç këtyre, ai e konsideronte vehten me fat se klubi i tij i preferuar gjëndej pranë njërit prej universiteteve më të mirë të vëndit, pranë Universitetit “Peisazhet e Pishakut”… e duke qënë pranë, frekuentohej nga studentët që vinin aty jo edhe aq për të pirë kafe, sa për të ndënjur ulur dhe për të diskutuar për ato ç’ka kishin studiuar.
    Në atë orë të pasdites, përveç xha Miços në klub disa tavolina më tutje ishte edhe hoxhë efendiu që gjerbte avash avash kafenë e tij dhe në një tavolinë ndërmjet tyre ishin të ulur tre studentë.
    Duke kërkuar material në internet për detyrën e kursit, gjeta një material mjaft interesant që padyshim shumë historianë nuk e kanë “kapur” deri më sot– po fliste kokverdhi, njëri nga studentët,“në jug të Shqipërisë gjatë periudhës së komunizmit bëhej tregëti armësh. Problemi im është se nuk di të gjej se sa mund të ishte në sasi kjo tregëti… për një vënd të vogël si Shqipëria nuk mund të ketë qënë ndonjë gjë kushediseçfarë”.
    Nëse është e vërtetë kjo që thua, duke patur parasysh sasinë e madhe të armatimeve dhe armëve që kishin në depot e tyre, duhet të kenë bërë namin, u hodh tjetri me kokën të rruajtur taze.
    Nëse ti bën një kërkim në internet me fjalën “Gërdec” do ta kuptosh se ç’përmasa mund të ketë patur një tregti e tillë” u hodh kokëkuqi i parrojtur.

    Ndërkohë biondi kishte hapur kompjuterin e tij dhe po lexonte me zë të lartë artikullin… menjëherë sapo mbaroi së lexuari, kokëkuqi u hodh e tha:
    Më tepër se tregëtia e armëve, duhet të të kishte tërhequr vëmëndjen indiferenca shtetërore ndaj vdekjes së ushtarit
    Nostalgjik i pandreqshëm do ngelesh gjithë jetën o nipi i sekretarit… po pse ore, akoma me “njeriu kapitali më i çmuar” mendon ti se ecën bota? u hodh “tullaci”

    “Tobestrafurullah!!!”… e dija që do gjeja që izraeljanët do i kishin futur hundët edhe këtu… tani ta shikojnë ata… u dëgjua të fliste ndërsa çohej pa mbaruar kafenë e tij hoxhë efendija dhe largohej me nxitim duke u përplasur nëpër karrige.

    “Tobestrafurullah!” i shpëtoi padashje edhe xha Miços, dhe ju kujtua kur ishte i ri dhe shkruante me pseudonimin Mix Gjermani që ai artikull ishte një nga shkrimet e tij të hershme…

    Antinostalgji* jo në kuptimin se është kundër nostalgjisë, por në kuptimin e një “nostalgjie” për diçka të mundshme të ndodhë në të ardhmen 😛

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin