MESDHEU NË PASQYRË

Fjalë më shumë e toskërishtes, LEVEND ndeshet edhe në gegnishte, si shumë fjalë të tjera që kanë hyrë në shqipe nga turqishtja. Etimologjinë e fiksuar prej Miklosich-it nga osmanishtja, duke dhënë si kuptim “freiwilliger Soldat auf türkischen Galeeren, Vagabund, Schandbude, eig. Levantiner” e rimerr Tahir N. Dizdari te Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, duke cituar S. Frashërin, që te Kâmûs-ı Türkî e nxjerr turqishten levend (dhe levent) nga italishtja levantino, ushtar me rrogë, nga ata që vendikasit rekrutonin në Lindjen e afërme. Më parë, në Perandorinë Osmane levendët ishin ushtarë të marinës. Më vonë ka marrë edhe kuptimet “i hedhur, i pashëm, i shpejtë, trim etj.” Nga turqishtja, ka hyrë në të gjitha gjuhët e Ballkanit.

Italishtja levantino, nga ana e vet, i referohet lindjes gjeografike, it. Levante, vendi ku lind dielli (si leva, nga folja levare). Treccani e shpjegon levantino si emër me të cilin quheshin banorët e Levante-s, pra të Mesdheut lindor, veçanërisht shtresës europianizante të qyteteve komerciale të Greqisë, Turqisë (Stamboll, Smirne/Izmir), të Sirisë, Palestinës dhe Egjiptit; dhe pastaj edhe një stereotip dinak, i djallëzuar, i paskrupullt.

 

Në kuptimin e vet të kufizuar, si banor i Mesdheut lindor, levantini e ka origjinën nga një kulturë dhe histori specifike, e viteve kur atë det e ndanin mes tyre kryesisht Venedikasit dhe Osmanët; dhe ai, levantini, vinte nga ajo botë ku këto dy pllaka tektonike ishin në kontakt pak a shumë paqësor: qytetet bregdetare, shtresat e mesme, tregtarët; dhe prandaj edhe shënjonte një qasje specifike ndaj marrëdhënieve me tjetrin, në kontekstin kozmopolit të atyre qyteteve (lexoni më shumë këtu).

Levantinë quheshin edhe anëtarët e komunitetit me origjinë italiane që ishin vendosur që në kohët e Kryqëzatave dhe Republikave Detare të Italisë në Lindjen e afërme, veçanërisht në qytetet bregdetare të Turqisë së sotme: Stamboll – Galata dhe Pera – dhe Smirne (por edhe në Krime); duke e ruajtur fenë katolike. Në Turqi, këta u specializuan në disa zeje dhe profesione tipike për pakicat – përfshi edhe tregtinë dhe trafiqet gjithfarësh dhe ashtu edhe i dhanë kuptim të keq fjalës levantin, si dikush që ta hedh, që të mashtron. Por levantinë ishin edhe dragomanët, të cilët ofronin shërbimin e vyer të përkthimit gojor, në takimet diplomatike; dhe ndërmjetës të tjerë. Veç italianëve, komunitetet levantine të Turqisë Osmane numëronin edhe maltezë, katalanë, spanjollë dhe polakë – të cilët i bënte bashkë feja katolike. Mosmarrëveshjet mes tyre i zgjidhnin jo gjyqet osmane, por ambasadat dhe konsullatat përkatëse, sipas ligjeve të vendeve të origjinës.

Për t’u shënuar këtu që në Turqinë osmane levantinët, pavarësisht nga etimologjia e fjalës, ishin ata që vinin nga Europa perëndimore; ndryshe nga ç’ndodhte në Europën Mesdhetare Perëndimore, ku levantinët i përkisnin Mesdheut lindor. Identiteti i levantinit ishte fluid – sa kohë që levantini zinte vend diku midis subjektit dhe Tjetrit absolut (p.sh. italianit për turkun osman, ose turkut osman për italianin); një krijesë që u përkiste të dy botëve, njëfarësoj duke i bashkuar.

Një ese për konceptin dhe temën e levantinit te Konica, por jo vetëm, e ka botuar te Peizazhet Sait Saiti (LEVANTINË PA LEVANT); i pasur në informacion dhe përsiatje, ky tekst duhet lexuar përbri shënimeve të mia këtu; krahas me Eloge du levantin, nga Claude Liauzu, një referencë që po e risjell nga eseja e Saitit.

Nga ana tjetër, levend e shqipes popullore nuk ka lidhje me levantinin, si stereotip të qyteteve bregdetare të Mesdheut; sepse ndryshe nga levantini, levendi sot përdoret me kuptim të mirë, si djalë i shkathët dhe i hedhur, i fuqishëm e trim, duke i humbur krejt lidhjet e veta me Levantin dhe Turqinë osmane. Edhe pse etimologjia e fjalës turke i referohet emrit për Mesdheun Lindor në Mesdheun Perëndimor (veçanërisht në Itali), levendi në shqipe dhe në gjuhë të tjera të Ballkanit ka hyrë duke ecur, si të thuash, së prapthi.

Një nga ato fjalë me histori kurioze, dëshmi vajtje-ardhjesh leksikore në Mesdhe, shoqëruar me një shilarëse semantike të admirueshme, mes kuptimesh herë-herë të kundërta.

Shënim: lutem mos ofroni etimologjitë tuaja private në komentet.

© 2023 Shqipologji™ dhe Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Shënim: imazhet janë krijuar me AI.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin