ISHULLI I KRONOFAGËVE

Në gazetën “Shqip”, Fatos Baxhaku rrëfen për batiskafin e parë shqiptar dhe ndërtuesin e tij, Thoma Berberin.

Lexuesi i sotëm ndoshta nuk i kap menjëherë motivet që mund ta kenë shtyrë dikë të ndërtojë një batiskaf; meqë sot në Shqipëri, kur njerëzve u duhet diçka, e blejnë ose e marrin me qira.

Shpresa e Baxhakut, dhe e imja, është që ky lexues të rrokë, përtej absurditetit praktik të kësaj ndërmarrjeje, heroizmin prej pionieri, guximin për t’u matur me të pamundshmen.

Thomai tregon se si dëshira për ta ndërtuar këtë batiskaf i lindi tek diskutonte, me regjisorë dhe operatorë të filmit, mundësinë për të xhiruar nën ujë.

Autarkia ekonomike shqiptare, e shëmtuar në shumë anë, të cilat brezi im ia pati provuar në lëkurë, krijoi rrethanat edhe për ndërmarrje të tilla, të varur pezull mes hobby-t gjenial dhe donkishotizmit teknologjik.

Vetë historia si u sajua ky batiskaf të kujton mënyrën si u ndërtua Nautilus-i i famshëm i kapitenit Nemo; por Nemo-ja ishte i detyruar të vepronte në fshehtësi, si rebel dhe kryengritës që ishte; ndërsa Thomai, përkundrazi, bënte bricolage nga varfëria.

Një pjesë e punës u krye në uzinën mekaniko-bujqësore, që prodhonte pjesë këmbimi për autokombajnat; motorët elektrikë të batiskafit u morën nga ekskavatorë rusë të tipit “Voronezh”; xhamat dy centimetra të trashë u prodhuan në Fabrikën e Qelqit në Kavajë.

Batiskafi u zhyt për herë të parë më 25 nëntor të vitit 1977; autorit, për këtë arritje, i dhanë shpërblim një numër telefoni.

Thomai flet edhe për fundin e kësaj kryevepre të dadaizmit ekonomik shqiptar. E zhytur për herë të fundit në 1985, ajo kish qendruar në një magazinë deri në 1992, derisa e shkatërruan. “E prenë copa-copa dhe e dërguan për skrap,” shpjegon.

Fundi i trishtë i batiskafit është emblematik. Ne jemi një kulturë që jeton duke ngrënë të kaluarën e vet; dhe vetëm pasi i zhdukim gjurmët e historisë me rrënjë, kujtohemi për t’i adhuruar.

Ne kemi shkatërruar dhe djegur krejt trashëgiminë para-osmane; nuk kemi lënë manastir dhe kishë në këmbë, me përjashtim të ndonjë gërmadhe që s’e kemi shqepur e shkulur dot.

Ne kemi kanibalizuar deri edhe mermerin e Apollonisë, për ta përdorur si material ndërtimi në Myzeqe e për ta djegur në gropat e gëlqeres.

As trashëgimisë osmane s’i kemi lënë kusur. Qyteteve të vjetra u kemi futur traktorin, për t’i mbjellur me pallate të rrjepura dhe Komitete Partish.

Ne jemi ata që edhe kockat e të vdekurve i kemi nxjerrë nga dheu për t’ua shitur të tjerëve: hijena që bëjnë tregti me çakejtë.

Ne e kemi çuar rregullisht historinë për skrap.

Batiskafi i Thoma Berberit do ta kish vendin në Muzeun e Durrësit, në një sallë të posaçme, i ekspozuar me salltanet, si emblemë dhe një ikonë e një epoke aq të afërt dhe njëkohësisht aq të largët të historisë së Shqipërisë moderne.

Dëshmi të tilla të teknologjisë reale, të pagëzuar në punë e sipër, të shëmtuar dhe të shtrembër dhe të nxirë dhe të ndryshkur, kanë vetinë t’ia ruajnë magjinë së vjetrës.

Çfarë nisi si një projekt inxhinierik, sot do të kish zënë vend si vepër arti, unike edhe në kohë edhe në hapësirë.

Një batiskaf i menduar për të eksploruar fondalet e turbullta të portit të Durrësit, sot do të na shërbente për të eksploruar fondalet e turbullta të Shqipërisë autarkike (dhe të psikologjisë sonë kombëtare).

Në pamundësi për ta ruajtur, sot ruajmë shkatërrimin e tij, si boshllëk në kujtesën kolektive të kombit; së bashku me boshllëqe të tjera, gropa thithëse, vrima të zeza të historisë.

Sot e kësaj dite në qendrën e Tiranës regjimi i Berishës është angazhuar në një ndërmarrje jo më pak absurde, për ta copëtuar “Piramidën” dhe për ta dërguar edhe atë për skrap.

Ne sillemi si pushtues jo vetëm me truallin që na ka rënë në hise, jo vetëm me qytetet tona, jo vetëm me trashëgiminë tonë kulturore, por edhe me vetveten tonë si tërësi të përvojës në kohë dhe në hapësirë.

Nuk ka komente

  1. Dje, tek lexoja artikullin, me bindjen që “Ne e kemi çuar rregullisht historinë për skrap”, mu duk e çuditëshme që biga “Adem Reka” akoma i rezistonte jo vetëm babëzisë për skrap, por edhe “fushatës antikomuniste” të demokratëve të rinj për të fshirë nga faqja e dheut gjithçka që la trashëgim mundi i asaj periudhe…

  2. Po nuk ka ditur Thomai o fare per marketing; ti thosh Bashkise qe me ka nisur leter edhe ai francezi per batiskafin dhe menjehere do e kishin pushtuar me perqafime. Mbledhje Keshilli, e me the te thashe, qytetar nderi brenda unazes dhe ja batiskafi ngrihej ne shtize. Po kur ben gabime trashanike politike, shkon e thua qe me ndihmoi Iliri i Hoxhajve, cfare pret? Keta per skrap cuan te gjithe floten detare; te gjithen fare. I zhveshen te gjitha bazat nga anijet , per te kerkuar fonde per riparim infrastrukture; rast unik ne bote. Jemi i vetmi anetar i NATO-s qe kemi 1/3 e kufirit detar dhe kemi 5 anije te rojes bregdetare. I vetmi akt shpetues ishte mbytja e Huchuan-ve kineze te Sarandes ne kanalin e Korfuzit perballe Ksamilit. Te pakten do i ruaje deti si deshmi. Keshtu te kishin bere edhe me Batiskafin “Rinia”, me shprese se do dilte ndonje Thoma tjeter pasi te linim pas kuaternarin e psikopatise.

  3. ”’Ne kemi kanibalizuar deri edhe mermerin e Apollonisë, për ta përdorur si material ndërtimi në Myzeqe e për ta djegur në gropat e gëlqeres.””

    Pak a shume si kane bere edhe romaket me mermerin e Romes se lashte, in primis te Koloseut.
    Mermeri eshte material i shtrenjte qe duhet ricikluar ashtu si riciklohet ari ( ne gjithe boten duhet te ekzistoje ligji se ari nuk duhet varrosur me te vdekurin, jo per inat te arkeologeve dhe artit, po sepse eshte material shume i vlefshem ).

    Gjithsesi, progresi nuk pyet per trashegimine, ne emer te progresit mund ti vesh kazmen gjithe llojeve trashegimore.
    Mua me duket ca e pameshirshme kritika, meqe ne trojet tona jo vetem s’ka pasur ndonje formacion te qendrueshem politik shqiptar ( shteti i Shqiperise eshte rekordmen) por s’ka pasur as ndonje qendrueshmeri epokale socio-kulturore, si ta zeme Franca qe prej pushtimit frank ka vijueshmeri socio-kulturore 1500 vjeçare.

    Po aq e pamundur duket te paraqitet ne te ardhmen edhe qendrueshmeria e ketij formacioni politik rekordmen, ashtu sikunder ndonjefare vijueshmerie socio-kulturore, meqe kur te zhduket shteti i Shqiperise kjo nenkupton edhe braktisjen e kultures kombetare qe gjithsesi ka qene boshti ku jane verdallosur edhe ndryshimet ideologjike.

    Ne na pret koha e riçuarjes se historise per skrap, sepse e kerkon e ardhmja dhe do e bejme duke brohoritur.
    E kemi refleks te kushtezuar, perballe nje nxitjeje si kerkesa e se ardhmes ne shkojme tek venia e kazmes.
    Ky refleks mbase ka qene i nevojshem, mbase vazhdon te jete i nevojshem, por nje gje eshte e sigurte qe per tu zhdukur duhet njefare qendrueshmerie disashekullore ne radhe te pare politiko-kulturore.

  4. I dashur,

    Piramida, duke ndryshuar disa herë destinacionin e vet në këto 20 vjet, ka kapërdirë një sasi të madhe fondesh, të cilat sipas traditës demokratike kanë përfunduar në xhepat e pushtetmbajtësve. Piramida e diktatorit u shkërmoq dalëngadalë në piramida të vockla, që të lulëzojnë në bregdetin shqiptar, si shtëpi pushimi për ata maskarenj që qeverisin Shqipërinë. Tani ajo duhet shndërruar në varrin e vetes së vet, që kështu edhe gjithçka e vjedhur atje, të mos i mungojë më askujt. Duke u ndërtuar diçka e re, lind mundësia e vjedhjes së re të pasurisë publike.

    Prishja e saj nuk ka të bëjë aspak me perspektiva eventuale të pushtetmbajtësve për ruajtjen e pasurive kulturore kombëtare, apo pozicionime profesionale urbanistike, madje apo edhe të motivuare ideologjikisht, por është një nismë pragmatiste, e cila pjell para, që përfundojnë të vjedhura nëpër xhepa privatë. Kaq.

    Gjithkush ka gjynahet e veta. Unë për shembull si person privat kam investuar një herë një shumë të vogël, për bashkëndërtimin e një pallati, i cili është shumë i shëmtuar dhe shkatërron përfundimisht raportet hapësinore të një ndër ndërtesave shumë të pakta të shkollës “BAUHAUS” në Tiranë. Ta kisha tentuar këtë gjë në Dessau apo në Tel Aviv do të më kishin mbyllur në një çmendinë. Unë isha askushi i gjësë dhe kisha vetëm çelësat e kashtës. Ca të tjerë “të fortë” u morën me lejet dhe betonin. Unë kisha vetëm të drejtën të pretendoja një pjesë, ose të hiqja dorë. Ajo mizerja prej betoni do ngrihej edhe pa mua. Natyrisht që leja u morr më Bashki dhe gjithçka vijoi konform procedurave të kërkuara, por “ajo kulturorja” iku, vdiq, falë edhe heshtjes time; madje më keq akoma, unë e bashkëfinancova. Me siguri për këtë faj ferri im ka për të qenë ndonjë pallat me parafabrikate në periferi të Smolenskut. Tani po të isha vënë kundra, dhe të isha shtrirë poshtë ekskavatorit, që hapi themelet, me siguri të më kishin mbyllur në Shqipëri në çmendinë. Në rastin më të mirë kjo. Ose edhe ndoshta edhe jo. Mbase po të isha bërë qepaze, të isha lidhur me zinxhirë diku, të kisha kërcënuar se do të vrisja veten, të kisha derdhur kërcinjtë e këmbëve në beton, t’i kisha shkruar letra Hillarisë apo Karla Brunit, ndoshta edhe do të me kushtonin ndonjë tek Tema, por po të isha bërë vërtetë problem, do të më kishin bërë gropën.

    Ai pallati sa vjen dhe më hap barkun. Të tjerët më thonë se po i ritet vlera. Ndërkohë që ai fillestari, i vetmi me vlerë, qëndron i fshehur pas kësaj mizerjes time.

    Ndoshta Shqipëria duhet fotografuar për t’u ruajtur.

  5. Thoni ç’te doni por Berisha nepermjet ketij shkaterrimi total ku e ka futur vendin po realizon diçka me rendesi historike.

    Ishin te shumte ata veriore, por jo vetem, qe pas renies se komunizmit e ndjene veten si te pervuajtur e te perndjekur me shume se pjesa tjeter e shoqerise – jugore me se shumti.

    Mendonin ne menyre idiote se ndryshe nga te tjeret, nje padrejtesi u ishte bere, dhe nuk dihej se si do mund te çliroheshin nga ky budallallik.

    Ndersa tani, kur shohin se si i zgjedhuri prej tyre, ai i dale prej gjirit te tyre, ne te vertet s’po i le gje mangut Enverit qofte me shkaterrimet e objekteve, qofte me vrasjet e njerezve, dalengadale po u zbehet ai budallallik qe i kishte kapur dhe qe vetem ne nje menyre te tille idiote mund te dilte.

    Vetem nepermjet ketyre shkaterrimeve e nepermjet vrasjeve te te pafajshmeve mund te qetesohej shpirti i tyre, dhe qofte vertet i fundit ky shkaterrimi i Piramides qe duan ta bejne kurban.

    Nese shkaterrimi i Piramides do mund t’i qetesoj perfundimisht keta lloj njerezish, nese etja per shkaterrim qe ka kapur Tufen p.sh. kerkon edhe kete fli, atehere keshtu u befte.

    Edhe per ne te tjeret them se do jete me mire. Le te durohet kjo shembje sepse s’ka rruge tjeter per te qetesuar njerez te tille qe syte i kane te errura nga urrejtja. Ne djall vafte Piramida por vetem keta te qetesohen se nuk jetohet me mes njerezish qe kane etje per kurban.

    p.s. Tufen me duket se e futa kot ne kete mes, se ai vetem noi lek do; nuk eshte nga ata tipa ai.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin