TEK YJET LART, TE BRETKOSAT POSHTË

(Nxjerrë nga libri “TE TEATRI”, Berk, 2023. Botuar për herë të parë te Shekulli, 2011)

nga Elsa Demo

A ia vlen të luash?

Kjo pyetje nuk ka dalë e drejtpërdrejtë nga aktori Gazmend Gjoka. Para premierës së komedisë “Riverside Park” që, pas tetë vjet mungesë, po e sillte në skenë me rolin e një personazhi me çrregullime mendore, Gjoka shprehu mall për të luajtur, për të luajtur mirë, “jo vetëm për veten, po dhe për të tjerët”. Nga ky pohim del që aktori të ketë jetuar me dyshimin “A ia vlen të luash?”, e barabartë me “A ia vlen të jetosh”?

Pyetja, si për njërin rast edhe për tjetrin, nuk kërkon përgjigje të shpejtë. Për një kohë të gjatë nuk do të kërkonte fare përgjigje. Periudha e mohimit – të gjithë kalojnë nëpër një periudhë mohimi – mund të rezultojë për profesionistin periudhë e pastër kërkimi.

Po përpiqemi për të shpjeguar me fjalë atë që Gazmend Gjoka e ka arritur pa fjalë.

Pjesë e një trupe të vogël profesionistësh pranë Akademisë së Arteve, ai përfaqëson te kjo shfaqje thelbin e artit të teatrit, që është teknika skenike e aktorit.

Spektatori ndien menjëherë që i vjen nga skena tjetër lojë, tjetër angazhim, angazhim total, së brendshmi e së jashtmi, në pauzë dhe në recitim, kur qesh dhe kur qan, kur dëshpërohet thellë e i fiket drita e syve dhe kur gëzohet po aq thellë – e këtu po e lëmë mënjanë objektivitetin – e i vjen një shkëlqim sysh ujku. Është shprehje e një transformimi të vullnetshëm, të llogaritur, ciklik, duke kaluar nga një natyrë gjendjeje emocionale në antipodin e saj.

Ai ka futur në disiplinë një personazh që vuan nga çrregullime mendore. Gjendjet e paqëndrueshme të këtij personazhi, Fred Seviç quhet, aktori i ka kultivuar me shenjat e veta.

Themi aktori dhe jo koncepti regjisorial, i Milto Kutalit në këtë rast, sepse po e marrim të mirëqenë që ky rezultat skenik i Gazmend Gjokës ka kaluar nëpër një rrugë të drejtuar nga ai vetë.

Komedia me një akt e Woody Allenit është stereotip i një vepre që mbahet prej dialogut në veprim. Tre njerëz me gjithë ç’janë, ç’kanë jetuar, çfarë kanë bërë e nuk do të donin ta kishin bërë, shfaqen në dialogë. Një skenarist, Xhimi (Arben Derhemi) dhe e dashura Barbara (Niada Saliasi), një njeri i diagnostikuar me dementia praecox (Gazmend Gjoka). Palët vijnë në park të “zgjidhin litarin nga këmbët”, që e kanë lidhur vetë, ose ua ka lidhur bota. Skenaristi dhe e dashura janë tipa të drejtpërdrejtë, të parashikueshëm, të zakonshëm. Po aq zakonisht ndodh që aktorët t’i mbajnë këto role duke përdorur klishe dhe artifica.

Personazhi i Gjokës është i paparashikueshëm, sepse është jo i zakontë. Me përqendrim absolut, me kujtesë “portative”, i marrë, skizofren, por jo që të ketë humbje të aftësisë intelektuale. Përkundrazi, me imagjinatë të eksituar, me aftësi për të parodizuar modelin njerëzor të varur prej zhvillimit teknologjik, prej përligjjes së këtij modeli që priret t’i përgjithësojë përvojat, një model miti modern që rrafshon vetëdijet individuale.

Nuk është karakter personazhi i Gjokës. Është njeri i tronditur psikikisht, njeri i tmerruar nga zhgënjimi përballë tabuve të lashta, si dashuria dhe Zoti. Këmisha e forcës, goma mes dhëmbëve dhe elektroshoku janë disiplina që përdor njeriu ndaj të zhgënjyerve, si Fred Seviç. Ky flet për kozmetikë dhe semantikë të botës, për tradhti dhe besnikëri, për jetë të drejtpërdrejtë dhe për transjetë.

Interpretimi i aktorit paraqet në skenë kalimin nëpër një proces të qartë mendor, fizik dhe emocional, nëpër një tension të plotë dhe përqendrim po aq të plotë, gjë që e bën lojën e tij të vërtetë dhe gjendjen shpirtërore të njeriut të quajtur Fred (me këtë emër të zakonshëm si të ishte një copë e rënë lëkure), një kopsht të përbashkët e të përmallshëm njerëzor.

Kjo lojë dhe kjo atmosferë është e kundërt me atë lojë aktori i cili, duke u hequr i natyrshëm, sjell në skenë një kopje banale të jetës, iluzionin e jetës, jo jetën. “Arti nuk është kopje e realitetit. Një e keqe do të na mjaftonte”, thotë Virginia Woolf.

Ky aktor arrin të kapërcejë stereotipa edhe me mimikë kur bën brejtësin, kalin, kalorësin mesjetar, qenin, një kokë të elektrizuar nga valët dhe zërat e mbinatyrshëm. Gjesti i djersitjes së duarve, gjesti prej maniaku depresiv i lëvizjes mekanike të qafës, i mbylljes së gojës, i fiksimit të vështrimit dhe i muskujve të fytyrës, janë gjeste të mirëstudiuara nga Gjoka.

Bindesh duke e parë në net të ndryshme lojën e Gjokës, që ky efekt transformimi i të gjithë trupit të aktorit është rezultat i një procesi të vullnetshëm e të disiplinuar. Ndien efektin e imagjinatës dhe përfytyrimit të aktorit kur ai kap dritën me duar dhe e trupëzon atë. Këto janë momente – personazhi ka halucinacione – kur Gjoka krijon gjeste që shkrihen në një përjetim, të cilin spektatori mund ta prekë.

Gazmend Gjoka shfaq mundësi të skajshme që e bëjnë aktorin njërin prej nesh. Është kjo një formë e lumturisë? Ai mall për të luajtur mirë “jo vetëm për veten, po edhe për të tjerët”? A është ky gëzimi për një artist, që jeton në gji të botës shqiptare, e cila i bëhet varr po edhe djep, rilindje dhe përtëritje prej mohimit?

Trajtimi i profesionit si zanat profanësh është tipar i kohës dhe mjedisit tonë. Kanë rënë kërkesat për ta njohur profesionin nga bazat deri në kufijtë e tij, dhe ndjenja për detyrën është hije e një morali të braktisur: të jesh pak nga të gjitha e të mos japësh asgjë sa dhe ku duhet. Për paradoks, kjo gjendje njerëzore duket sikur jep më shumë siguri se pasioni. Pasioni merr më qafë. Po del që, më e sigurt se pasioni është puna në të zezë, apo varësia nga kreditë bankare që vjedhin me matematikë.

Kultura e përdorimit të profesioneve tek ne është pa imunitet. As nga artet dhe profesionistët e tyre nuk mund të pritet në këto kushte një këngë yjesh. Por për këtë duhet luftuar. Akademia e Arteve, që në një të ardhme do të ketë statusin e Universitetit, duhet të luftojë për të krijuar hapësira dhe mundësi financiare për laboratorë kërkimi në fushat e arteve përkatëse. Nuk harrohen kioskat në oborr deri vonë, që tregonin nënshtrimin e hapur të drejtuesve politikë të Akademisë ndaj biznesit.

Nga ata laboratorë kërkimi nuk ka si të presësh ndonjë metodë për t’iu përgjigjur objektivisht pyetjes: Në cilin vend do të donit të krijonit, tek yjet lart apo te bretkosat poshtë?

Këtu, praktika e jetës, që janë veprat e njeriut, i ndan njerëzit.

(Shekulli, 2011)

© 2023 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin