KUR QYTETI DËSHIRON TË FLASË ME NE

nga Brunilda Basha, arkitekte

Realiteti në të cilin ne jetojmë si shtysë e vetvetishme për veprime të pavetëdijshme, na rrëmben duke na vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat e duhura për t’iu përgjigjur atij. Shpesh na mahnit, na lëndon, na dhuron mbresa, emocione, ndjenja të përkohshme apo të përhershme të cilat lënë gjurmë të dukshme. Njeriu është fenomen i jashtëzakonshëm që formësohet nga fragmente të rastësishme apo të mirëmenduar në tërësinë e kozmologjisë së jetës. Në mënyrë të pavetëdijshme ne lidhemi që herët me konceptin e shprehjes së anës sonë të brendshme nëpërmjet fjalëve dhe hapësirës e cila na rrethon në ato momente. Parë në këtë prizëm, lidhja “Njeri-qytet” është pikërisht ai binomi i cili ndërvepron që nga lindja deri kur mbyll ciklin. Qyteti është ai vendi ku merr trajtë çdo ndodhi, aty ndodh dinamika, drama, tragjedia, aty është mentaliteti, shoqëria, por edhe arti, kultura, fryma që ne marrim. Qyteti është vetë ritmi i jetës, tiktaku i zemrës.

Po qyteti, çfarë është?

“Qyteti është një ligjërim dhe ky ligjërim është në të vërtetë një gjuhë: qyteti u flet banorëve të tij, ne i flasim qytetit tonë, qytetit ku jemi, thjesht duke e banuar, duke e përshkuar, duke e parë.”- do të thoshte Barthes.

Pra, ai është Ne.

Ka mundësi, pasi qyteti me arteriet e tij pulsuese nga çdo individ që frymon në të ka qenë dhe është pasqyra e shpresave dhe ambicieve tona kolektive. Sepse, Qyteti shkon përtej një koleksioni ndërtesash dhe rrugësh; ai është një organizëm i gjallë i krijuar nga shpresat, vështirësitë dhe këmbëngulja e banorëve të tij, Ne. Jetët tona janë të ndërthurura me historitë e qytetit, zhurmat e rrugëve, pëshpëritjet e ndërtesave të vjetra, dhe në kontrast, qeshjet e gjalla në parqet e mbushura me fëmijë.

Zhytur në të tilla mendime, gjendem sa herë diskutojmë mbi qytetin, cilësinë e jetës, rutinën e ditës. Duke u rrokur sa andej këndej nëpër hapësirat konkrete aq dhe absurde të qytetit tim, nxitimthi për të mbyllur të gjitha angazhimet e ditës, por që realisht gjithmonë ngel diçka peng për nesër, jo sepse janë shumë, por sepse qyteti “im” ma vështirëson çdo hap që hedh, pyes veten: Në ishim ne ata që e kemi formuar këtë qytet, apo ky po na formëson ne? Churchill, ashtu si dhe Gehl thonë: Po, jemi ne të parët. Ne të gjithë, si kolektiv me një penel në dorë, e kemi përdorur këtë kanavacë të qytetit secili duke shtuar ngjyrat, zhgarravinat, përrallat, idealet tona. Dhe me apo pa vetëdije i kemi dhënë një formë të caktuar këtij mjedisi urban, duke imponuar tek ata që vijnë më pas “të bëhen ajo që ata shohin”. Por, a është reale apo sureale ajo që ne shohim?

“Në fillim jeta, pastaj hapësirat, pastaj ndërtesat – e kundërta nuk funksionon kurrë.”- Jahn Gehl

Në ekran me shfaqet koncepti “Green Obsession” i Boerit në rendera dhe diagrame të një qyteti ku jeta është mbi gjithçka, dhe paralel me të, dëshmojmë realitetin e një Tirane me mushkëri të rënduara, frymëmarrje të vështirë, kaos urban, parregullsi dhe lëvizshmëri minimale.

Pra, pavarësisht “madhështisë” së këtij qyteti prezantuar me qiellgërvishtës dhe rendera, qyteti mund të ofrojë pengesa për ndërveprimin personal. Dhe për më tepër me ritmin e tij të shpejtë, metropoli “modern”, aq më tepër Tirana, mund të tjetërsojë individët.

Kur ai nuk arrin të realizojë dhe mbajë në balancë ekuilibrin midis dinamikës së aktiviteteve dhe shkallës njerëzore, ai dështon. Kështu ndjejmë të ketë dështuar dhe Tirana, sepse në Tiranë në fillim vijnë ndërtesat, pastaj hapësirat, dhe në fund, vetë jeta!

Në Tiranë ka një “poezi”. Por poezia e këtij qyteti nuk flet për qytetërim, as dhembshuri, as drejtësi, as mirëqenie të përbashkët. Në Tiranë nuk ka hapësira harmonike, ka vetëm hapësira fizike të cilat të detyrojnë të tjetërsohesh, të përshtatesh shëmtuar, ashpër, dhunshëm. Tirana mund të të japë gjithçka, veç paqes shpirtërore e mendore jo. As organizimin e rregullt shoqëror, as përgjegjësinë, as reflektimin e përbashkët për rritjen kolektive apo mbështetjen reciproke ndër veti.

Ne e kemi mbytur Tiranën, selvitë, parqet, ajrin, rrugët, pazaret, të shkuarën; me një fjalë të gjitha vlerat. I kemi marrë gjithçka që kishte, në këmbim, i ofruam vetëm kulla të pajeta e makina tymzeza. Dhe ajo, sot, po na gllabëron ne të gjithëve, pak nga pak, çdo ditë…

 

© 2023 Brunilda Basha. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Shënim: Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin