GJUHA SHQIPE DHE LETËRSIA NË SHKOLLË – VITET ’50-’60

nga Natasha Shuteriqi Poroçani

Në vitet 1950 dhe fillimi i viteve ’60-të arsimi i detyruar kalon nga sistemi 5-vjeçar në atë 7-vjeçar. Ky sistem i zgjeruar i arsimit të detyruar i jep rëndësi dhe hapësirë më të gjerë mësimit të gjuhës shqipe në shkollë. Duke u shtrirë gjuha nga klasa e parë deri në të 7-tën, u arrit që njohuritë gjuhësore të merreshin të plota dhe në mënyrë të përshkallëzuar. Synohej që nxënësit të ishin të përgatitur në dy aspekte: të përdornin gjuhën me gojë e me shkrim dhe kontingjentet që do të vijonin më tej mësimet në shkolla të mesme, të kishin përgatitje të mjaftueshme për të përballuar planin mësimor në tërësi, sidomos lëndët e gjuhës shqipe dhe të letërsisë[i].

Në këto ritme do të vazhdojë mësimi gjuhës shqipe dhe letërsisë edhe në shkollë të mesme (në klasat VIII-X). Sipas Programit të vitit ’58-të, mësimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të ofrohet në dy qasje metodike: të mësuarit ose më mirë të përsëriturit e gramatikës me orë të caktuara dhe sistematikisht, të mësuarit e shprehjes gjuhësore letrare përmes analizave dhe komenteve të copave[ii]. Efikasiteti i tyre do të arrihej përmes objektivave:

  • të thellohen e zgjerohen dijet e fituara në shkollën 7-vjeçare;
  • të sqarohen disa karakteristika që ka gjuha jonë nga ana ortografike e ndërtimit të fjalisë;
  • të njihen disa momente të zhvillimit të gjuhës së shkruar;
  • të hyhet më thellë në strukturën e saj të sotme;
  • të kuptohen e karakterizohen veçoritë gjuhësore të krijimeve letrare. (po aty, f. 41)

Nxënësit e klasës X punonin me tekstin ndihmës “Gramatika shqipe” me autor K. Cipon dhe “Sintaksa” me autor M. Domin, botime të vitit 1954. Gramatika e ndarë në dy pjesë trajtonte njohuri mbi Fonologjinë dhe Morfologjinë, ndërsa Sintaksa trajtonte njohuri mbi Fjalën, Frazën dhe Ligjëratën. Ky kombinim shumë efikas, mbështetej nga udhëzimet: për ushtrime të zgjidhen copa letrare, sepse ushtrimet e teksteve të gjuhës së 7-vjeçares ishin të punuara tashmë nga nxënësit[iii].

Krahas teksteve të veçanta për mësimin e gramatikës u botua edhe Metodika e gjuhës shqipe[iv].  Metodika ishte ndihmë për mësuesin. Aty ofroheshin metoda për të realizuar objektivin parësor të mësimit të gjuhës shqipe: të përgatisë njerëzit të zotërojnë bazat e gjuhës, të kuptojnë fenomenet e ligjëratës dhe të munden t’i venë në praktikë në punën e përditshme njohuritë e fituara dhe nga pikëpamja letrare. (po aty, f. 3).

Ndërsa në tekstin e gjuhës shqipe, ngulmohet që mësimi i gramatikës…..duhet të jetë krejt praktik. Nuk duhet të humbasë koha duke u mësuar nxënësve përmendsh rregulla të thata gramatikore, lakime dhe zgjedhime mekanike, por, duke pasur për bazë gabimet gjuhësore që bëjnë nxënësit, të mësohen këta të fitojnë vetëdijen e gjuhës së folur dhe të shkruar.”[v]

Parime, kritere e metoda në lidhjen e gjuhës me letërsinë

Në vitin 1956 u reflektuan në programe ankesat e mësuesve për mbingarkesë, ndaj programet ulin njohuritë e gramatikës dhe synojnë gjetjen e instrumenteve për të ngulitur te nxënësit njohuritë gjuhësore praktike: “Gramatika ka për detyrë t’i bëjë nxënësit të zotë ta shkruajnë dhe ta flasin gjuhën amtare mirë, drejt dhe pa gabime në të gjitha format e saja, që t’i lidhin mirë dhe t’i shprehin qartë mendimet e tyre, si në të folur ashtu edhe në të shkruar.”[vi]

Në vitet `60 vijon metoda spirale e rimarrjes së njohurive gjuhësore: të forcohen e thellohen dijet që kanë fituar nxënësit në shkollën 7-vjeçare për t’i bërë nxënësit që të shkruajnë dhe të flasin drejt e në nivel më të ngritur të programit të shkollës së mesme.

Të ngrihet kultura gjuhësore e nxënësve duke i bërë të njihen me karakteristika të veçanta të gjuhës sonë (ortografi, ndërtimi i fjalisë ose i frazës) që janë të vështira për t’u përvehtësuar nga nxënësit në shkollën 7-vjeçare[vii].

Anës praktike të gjuhës vazhdon  t’i jepet vëmendje e veçantë në udhëzimet e programit, duke sjellë cilësime të posaçme për organizimet e pjesëve të analizave apo detyrave shtëpiake. Mësuesi duhet të zgjedhë copa letrare për detyra krijuese. Për të zhvilluar në të njëjtën kohë edhe aftësitë e nxënësve për të shkruar, duhet të kërkohen hartime të vogla zakonisht gjysmë faqeje, ku të përdoren bukur e me vend pjesët e ligjëratës që janë trajtuar në klasë. (prog. i viteve ’63-64-65).

Formimi i gjuhës kalon në trajtesa teorike të rregullave të gramatikës (sintaksë e morfologji), ndërsa letërsia duhet të luajë një rol shumë të madh për ngritjen e mëtejshme të ligjëratës së folur e të shkruar të nxënësit, (po aty) duke iu referuar në këtë mënyrë interesimit për aktin ligjërimor.

Programi parashikonte që nxënësi si përdorues i mirë i shqipes, do të duhej të njihte edhe zhvillim e saj. Ndaj dhe rruga më e mirë ishte njohja e procesit të zhvillimit të gjuhës së letrave, të vërejturit e veçantive të gjuhës brenda kufive të krijimtarisë së një shkrimtari. (f. 192)

Nëse në vitet ’40-të si metodë themelore në mësimin e gjuhës shqipe në tërësi kemi sintezën, në këto vite metodë e rëndësishme për të zotëruar format dhe aktet ligjërimore të gjuhës shqipe, sugjerohet diskutimi (f. 208). Rëndësia e diskutimit lidhej me kushtin që mësonjësi të dijë ta sigurojë rregullin e këmbimeve të mendimeve dhe të përfundimeve, sepse kjo zhvillonte aftësinë e të folurit dhe vëmendja e mësonjësit drejtohet mbi kujdesin për t’u mësuar nxënësve, që të japin argumenta të qarta dhe logjike (f. 209). Për ta saktësuar këtë hap të rëndësishëm programet ngulisin skema diskutimi, të cilat janë pothuajse kalke të skemave që do të rivijnë në programet e viteve 2000:

Diskutimi zakonisht ndjek këtë rrugë:

hyrje e shkurtër e mësonjësit; fjalimet pro dhe kundra; këmbimi i mendimeve; fjalët përfundonjëse të referentave; përfundimi i mësonjësit. (f. 209)

Paralelisht me Metodikën e gjuhës shqipe botohet Metoda e letërsisë dhe hartimit[viii], e cila orienton mësuesit e letërsisë në përputhje me objektivat e programit lidhur me edukimin gjuhësor e letrar:

Paralelisht me studimin e procesit historiko-letrar, nxënësit mësohen që të bëjnë vërejtje edhe në fushën e historisë së gjuhës letrare, duke fokusuar hapat që përcaktuan evolucionin e shprehjes nëpërmjet shpjegimeve të mjaftueshme mbi fjalë e shprehje që kanë lidhje me rrethanat historike, duke shpjeguar edhe fjalët që kanë dy kupëtime a po që një kupëtim kanë në një krahinë dhe tjetër në një tjetër[ix], duke njohur zhargonin (të folurën personale)[x].

Metodat për njohjen dhe pasurimin e gjuhës, janë ato përshkruese, historike dhe krahasuese, të cilat i gjykojmë mjaft të përparuara për kohën dhe tepër të vlefshme për zotërimin e gjuhës sonë nga nxënësit.

Lidhur me procesin e të shkruarit, Metodika është reflektive ndaj hapave konkretë, të cilat përkojnë me nivelin e njohurive letrare dhe gjuhësore që ka marrë nxënësi deri në atë nivel shkollimi. I përket kësaj fushe të studimit detyra e pajisjes së nxënësit me instrumentet me anë të të cilave do të identifikojë: monografinë, artikullin dhe llojet letrare të mëdhaja (po aty, f. 242) dhe do t’ua nënshtrojë një plani shkrimi, i cili sugjerohet të jetë në dy pjesë: plani i parë në hartim ndihmon për të kërkuar materiale…, ndërsa plani definitiv fikson zhvillimin e mendimeve në hartim. (po aty, f. 243)

Përzgjedhjen e mjeteve didaktike  programi ia ngarkon mësuesit, i cili duhet të realizojë teknika të tilla, që t’u vlejë nxënësve të bëhen të aftë të komentojnë lirisht pjesë të papunuara në klasë[xi]. Instrumenti kryesor për ta realizuar këtë është unifikimi  i kërkesave për komentet, të cilat përputhen krejtësisht me nevojat e aftësimit praktik të nxënësit:

  • karakteristikat e gjinisë letrare që i përket pjesa;
  • lexim ekspresiv;
  • ndarja në pjesë dhe lidhja mes tyre;
  • komenti i secilës pjesë duke analizuar mjetet letrare;
  • stili;
  • vlerat artistike, gjuhësore etj.[xii]

Që në shkollën 7-vjeçare nxënësit janë njohur me disa elemente të metrikës dhe stilistikës. Në shkollën e mesme këto njohuri thellohen dhe sistemohen. Mësuesi duhet të përdorë dhe kërkojë shembëlla të shumta nga nxënësit, të bëjë nxënësin të kuptojë rolin që kryejnë mjetet dhe figurat artistike në vepër. Shpeshherë nxënësit e njohin figurën si përkufizim, por nuk dinë ta gjejnë atë dhe të shpjegojnë rolin e  tyre. Kjo rrjedh nga mësimi mekanik[xiii].

Në dispozicion të mësuesit dhe nxënësit në vitin 1962 botohet tekst i posaçëm për Teorinë e Letërsisë nga Sterjo Spasse: Elementet e para të teorisë së letërsisë, stilistika poetike[xiv].

Teksti në fjalë është konceptuar si një ndërthurje e teorisë me praktikën ku vendin kryesor e zë konkretizimi i dukurive stilistikore. I pasur me shpjegime teorike, shembujt janë të larmishëm nga folklori dhe letërsia shqipe. Në fund të çdo mësimi aparati pedagogjik synon të verifikojë praktikimin e teorisë. Teksti rrok tërë figurat e stilistikës poetike (f. 8-20), më pas ndalet në fjalë dhe shprehje (f. 21-26) figurative, fjalori poetik (f. 27-30) dhe sindaksa poetike (f. 30-37).  Gjithsesi, konstatojmë se teksti ka karakter përshkrues dhe materiali letrar është konkretizim i formulimeve teorike. Aparati pedagogjik është riprodhim i teorisë: Ç’është metrika?/Cili është dallimi mes prozës e poezisë?/Ç’quajmë asonancë?[xv] etj., me karakter praktik të limituar. Çuditërisht do t’i ndeshim përsëri më vonë, pothuajse në të njëjtën formë edhe në tekstet e viteve ’90-të.

Procesi i shkrimit vijon të gjejë një hapësirë të konsiderueshme te hartimet. Nis në këtë periudhë vetëqortimi i hartimeve, një formë e vetvlerësimit dhe vetëstimulimit: të qortohen hartimet për qartësinë në të shkruar, lidhjen me pjesët letrare (analizën  tyre) dhe përputhshmërinë në udhëzimet që mësuesi u jep paraprakisht[xvi]. Pjesë e rëndësishme fillojnë të jenë diktimet, qortimet e të cilëve lidhen me njësimin dhe ngulitjen e rregullave të drejtshkrimit.

Në mesin e viteve 1960 arsimi i detyruar bëhet 8-vjeçar dhe lënda e gjuhës shqipe nuk përfshihet në programet e gjimnazit për një periudhë të caktuar, por gjykohej se aftësitë gjuhësore të nxënësve do të përvetësoheshin e do të arrihej formimi i tyre gjuhësor nëpërmjet mësimit dhe studimit të thelluar të letërsisë. Kjo sjell reagim të fortë në rrethet e gjuhëtarëve dhe mësuesve, për të cilat do referojmë në punimet vijuese.

Në shkollat e mesme lidhja e gjuhës me letërsinë realizoi një marrëdhënie të posaçme e cila e shihte artin e të shkruarit si zotërim të formës më të bukur të gjuhës, mjeti me të cilin realizohet arti i krijimit. Ndonëse udhëzimet institucionale synonin përdorimet praktike të gjuhës dhe nxisnin aftësimin e nxënësve si përdorues të saj, me gjithë praninë e jo pak orëve mësimore për hartime, programet e tekstet dhe puna e drejtpërdrejtë e konkrete e mësuesit me nxënësit nuk u arrit që në këtë periudhë objektivat e programeve të realizoheshin bindshëm.

(vijon)

© 2023 Natasha Shuteriqi Poroçani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[i]http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2013/10/Doktoratura-Besnik-Rama-Fakulteti-i-Histori-Filologjise-Departamenti-i-Gjuhesise.pdf, fq 22.

[ii] Programi i shkollës 11 vjeçare 1958, f. 40.

[iii] Programet e viteve ’63-68-të.

[iv] Metodika e gjuhës shqipe, Botim Ministrisë s’Arsimit dhe Kulturës, Tiranë, 1955.

[v] Dodbiba, L., Spasse, S., Gramatika e gjuhës shqipe, 1947, 1948.

[vi] Programet mësimore të viteve 1947, 1950, 1956.

[vii] Program i shkollës së mesme, Tiranë, 1963.

[viii] Metodika e letërsisë dhe e hartimit, Tekst për mësuesit e gjuhës të shkollave shtatëvjeçare dhe të mesme dhe për studentët e Institutit të Lartë Pedagogjik, Botimi i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturë, Tiranë 1955.

[ix] Në këtë rast jepet p.sh. shpjegimi i kuptimit të fjalës “kopile” e cila në Gjirokastër ka kuptimin e vajzës shërbëtore, kurse kuptimi më i përhapur është i fëmijës jashtë martese. Fjalën e gjejmë edhe në mashkullore edhe në femërore, ndërsa te arbëreshët dhe në Gjirokastër gjendet vetëm në femërore (f. 191).

[x] Metodika e letërsisë dhe e hartimit, f. 96.

[xi] Programet e viteve ’63-64-65.

[xii] Po aty.

[xiii] Programi i vitit ’68.

[xiv] Spasse S., Elementet e para të teorisë së letërsisë, stilistika poetike, Drejtoria e Botimevet shkollore, Tiranë 1962

[xv] Po aty, f. 43, f. 59.

[xvi] Programi i vitit ’68, f. 21-26.

Rreth Autorit

Natasha POROCANI (SHUTERIQI) Diplomuar në gjuhë shqipe dhe letërsi. Doktoruar në fushën e gjuhësisë së aplikuar, autore e një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore në Shqipëri e diasporë.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin