DY ARTIKULIMET

Ky shkrim do të duhej të kish dalë si koment, te “Logjika e ngjizjes së fjalës” – por atje na u desh t’i mbyllim komentet, pasi u kalua në estradë; dhe estradës nuk ia kemi ngenë, dhe as duam të tallemi me diçka që po kritikojmë, sepse nuk është etike.

Dhe pikërisht: për të ilustruar atë që ai e quan “parimi i funksionit në emërtim”, brenda teorisë së tij të embriomorfeve, Agron Dalipaj përpiqet të demonstrojë se si “folja dhe embriomorfema [ra] = me rënë, merr pjesë në emërtimin e ca realieve që tregojnë fenomenin e rënies:

shi[RA] qur[RA] = që ra
shur[RA] kata[RA]kt = ka të ra (prej së larti) ujva[RA] = uj-ba-ra (v:b)
katu[RA] = ka tu ra (gr. katura = shurra)
[RA]ki = gr. RAqi = që RA nga llullaja.”

Në shembujt më lart, RA shfaqet si rrokje, ose edhe si pjesë e një rrokjeje (kataRAkt); por kaq nuk mjafton për t’i dhënë ngarkesë kuptimore.

Dhe kjo sepse rrokjet dhe morfemat u përkasin rrafsheve të ndryshme të artikulimit. André Martinet, tek Élements de linguistique generale, ka folur për artikulimin e dyfishtë të gjuhës – duke qenë i pari artikulim i njësive kuptimore ose monemave (morfema, fjalë, fraza), ndërsa i dyti artikulim i njësive tingullore ose fonemave.

Artikulimi i dyfishtë bën që çdo thënie të segmentohet në dy nivele: një nivel ku njësitë shfaqen si shenja saussureane, me shenjues dhe të shenjuar; dhe një nivel ku njësitë e sistemit të parë ndahen në njësi më të vogla, të cilat nuk kanë kuptim në vetvete, por marrin pjesë në diferencimin e njësive të nivelit të parë. I thjeshtuar, ky koncept mund të ilustrohet kështu: fjalët bashkë dhe pashkë dallohen mes tyre ngaqë njëra ka fonemën b atje ku tjetra ka fonemën p, por dallimi mes b dhe p nuk ka lidhje me dallimin kuptimor midis fjalëve vetë.

Rëndësia e artikulimit të dyfishtë është që, me një numër të kufizuar fonemash (30-40 për gjuhë) mund të ndërtohet një numër i pafund njësish të artikulimit të parë – fjalë dhe thënie.

Tani, sipas kësaj teorie që përgjithësisht është standard në gjuhësinë strukturale, rrokja si një njësi e artikulimit të dytë që shqiptohet me një emision të vetëm zanor (mund të jetë një zanore e vetme ose një grup që përmban zanore dhe bashkëtingëllore) nuk ka kuptim; edhe ka fjalë dhe morfema që konsistojnë në një rrokje të vetme. Që shqipja ka fjalën njërrokëshe RA, kjo nuk do të thotë që rrokja RA, e cila del në shumë fjalë të shqipes, ka ndonjë farë lidhjeje me kuptimin e fjalës RA. Dhe kjo sepse rrokja RA dhe fjala RA u përkasin dy niveleve të ndryshme të artikulimit; dhe fakti që kjo rrokje del, p.sh. në fjalën PARA (“money”), kjo nuk do të thotë se ka ndonjë lidhje mes parave dhe gjërave që bien.

Artikulimi i dyfishtë, si koncept, është i lehtë për t’u rrokur – por unë nuk jam i sigurt nëse z. Dalipaj e njeh, konceptin vetë ose teorinë gjuhësore të Martinet-së.

Tani, le t’i shohim edhe një herë fjalët që, sipas këtij autori, demonstrojnë pjesëmarrjen e një embriomorfeme [ra] në emërtimin e disa realieve:

shi[RA] qur[RA] = që ra
shur[RA] kata[RA]kt = ka të ra (prej së larti) ujva[RA] = uj-ba-ra (v:b)
katu[RA] = ka tu ra (gr. katura = shurra)
[RA]ki = gr. RAqi = që RA nga llullaja

Tani, nuk ka nevojë të pranosh gjuhësinë historike-krahasuese, por mjafton një analizë e thjeshtë gramatikore, për të parë se këto [RA] kanë prejardhje të ndryshme.

Te shira, –ra është prapashtesa e shumësit, e njëjta që del në barëra, plehra, e në plot fjalë të tjera; dhe që është forma e rotacizuar e (më të vjetrës) gegnishte -na: plehna, barna, etj. Formën e saj në toskërishte, kjo -ra e ka marrë relativisht vonë – në kohën kur ka vepruar rotacizmi.

Te qurra, sërish kemi të bëjmë me një prapashtesë shumësi, këtë herë -a, e cila i bashkohet një teme me -rr.

Te shurra, -a-ja është nyja shquese femërore njëjës në rasën emërore, njëlloj si si te moll-a, vajz-a, përrall-a. Kjo nyjë i prapavendoset emrit, dhe natyrisht nuk ka lidhje as me -a-në prapashtesë të shumësit, dhe aq më pak me embriomorfemën fantomatike [ra]. Fakti që një r dhe një a gjenden pranë e pranë në një fjalë, kjo nuk e ndjell automatikisht kuptimin ose “fenomenin” e rënies në kuptimin e fjalës.

Katarakt, është fjalë e huazuar, me zanafillë në greqishten e vjetër (katarhaktēs, καταρράκτης), që vjen nga folja καταράσσω (katarassō), dhe nuk i përket fare këtij grupi.

Te ujvara, rrokja -ra përmban një -a që është ose nyja shquese femërore si te shurra, ose mbaresa e shumësit -a, dhe natyrisht nuk ka lidhje me “fenomenin e rënies”.

E kështu me radhë (nuk po merrem me raki dhe katura, sepse aty fantazia e autorit e tejkalon kapacitetin tim për t’u artikuluar me fjalë).

Thotë Dalipaj: “Provoni që me vetëm parimin fonetik të zgjidhni etimologjinë e fjalëve të mësipërme”; edhe pse, me metodën e tij, as vetë lidhja aq evidente mes fjalëve RA dhe RËNË, si forma supletive të foljes BIE (pa folur për emrin RËNIE) nuk do të shkoqitej dot.

E përsërit: rrokjet si të tilla nuk mund të shërbejnë si bazë për analiza morfologjike dhe identifikimin e njësive të kuptimshme; sepse rrokjet i përkasin artikulimit fonologjik të gjuhës, njëlloj si zanoret, bashkëtingëlloret, theksi, intonacioni e kështu me radhë. Që e njëjta rrokje shfaqet në fjalë nga më të ndryshmet, kjo shpjegohet pikërisht me natyrën e artikulimit të dyfishtë, i cili mundëson që një numër i vogël njësish të artikulimit të dytë të përftojnë, nëpërmjet kombinimit, një numër të pafund njësish të artikulimit të parë. Nga ana tjetër, shqipja ka shumë morfema dhe fjalë njërrokëshe, por fjalët njërrokëshe nuk janë rrokje. Janë me qindra fjalët shqipe që përmbajnë rrokjen ra; por që nuk kanë të bëjnë me “fenomenin e rënies.”

Ngaqë këmbehet lirisht mes dy artikulimeve, Dalipaj nuk ka shans që të merret seriozisht, si “etimolog”, nga specialisti i fushës. Arsyeja që u zgjata në këtë shkrim është tjetër – desha të përshkruaj një gabim që e ndesh te të gjithë etimologët amatorë, dhe pikërisht ngatërresën e rrafsheve të artikulimit. E kuptoj që z. Dalipaj mund të distancohet nga teoritë gjuhësore të Martinet-së (dhe të Saussure-it); por ashtu do të distancohej edhe nga gjuhësia si e tillë, për t’u stabilizuar në rrafshin e dijes asociative-intuitive; ku tonin e japin zanate të tilla si leximi i filxhanit të kafesë, interpretimi i ëndrrave dhe hedhja e fallit me letra. Dua të them, me këtë, që kritika ime ka vlerë, në atë masë që z. Dalipaj vazhdon të kërkojë vëmendje dhe vlerësim nga gjuhëtarët dhe Akademia.

 

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

20 Komente

  1. Teorirat e ketij Dalipaj jane aq budallalliqe, sa që është edhe e vështirë ti hedhesh poshtë. Prandaj shtjellimi i emrit të tij në artikuj serioz është kontraproduktive, sepse ngritet ne nivel serioz dhe “hallku” fillojne te besojnë që dikush i ka inatin atij. Sepse fundja ai është duke punuar për “çështjen kombëtare”.

    1. Ndonjëherë edhe mua më duket sikur po përpiqem të luftoj një infeksion viral me antibiotik.

      Por Dalipaj dhe të tjerë të kësaj kategorie – dhe nuk janë pak – kanë zënë tashmë vend në mediat dhe nuk presin që t’i vendosin shkrime si ky imi gjëkundi.

      Mua më intereson dukuria, siç më intereson edhe popullariteti i këtyre turbo-albanologëve, që mund të matet lehtë.

      Mes shqiptarëve, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, por pa lënë jashtë diasporën dhe sidomos komunitetet online, opinioni publik e ka IQ-në relativisht të ulët.

      Kam përshtypjen se edhe rezultatet e PISA 2022, për të cilat po flitet kaq shumë në këtë moment, konfirmojnë jo aq një mangësi intelekti, sa një mangësi kurioziteti dhe angazhimi intelektual.

      Po të shohësh për çfarë bisedohet online…

      Përpjekja ime synon edhe të japë sqarime, për të gjithë ata që i kërkojnë. Ka njerëz që interesohen për çështje të historisë së shqipes – dhe unë dua të flas me këta dhe t’i orientoj me aq sa mundem.

      Idetë ndeshen mes tyre në mendjen e çdo individi. Edhe sikur një njeri i vetëm të përfitojë diçka nga mundimi im, ia ka vlejtur.

      Është moment i vështirë, kur dija dhe racionalizmi janë lënë mënjanë edhe nga institucionet publike që duhej t’u dilnin zot. Unë ndihem me fat që asnjë nga këto institucione nuk më kushtëzon dot.

      Kur them moment i vështirë, kam parasysh edhe veten dhe njerëz që i mendojnë gjërat ngjashëm me mua dhe që ndihen të asfiksuar sa nga kakofonia e rrjeteve sociale dhe mass mediave, aq edhe nga performativi i pushteteve.

      Turbo-albanologjia është vërtet endemike – gjithnjë ka pasur qasje të tilla dhe do të ketë; por edhe efekt anësor i amullisë së tanishme dhe degradimit intelektual të opinionit.

      1. Turbo albanologet kane ekzistuar gjithnje .Ndryshimi eshte se tani kane nje platforme per tu bere te njohur atehere s’kishin .Ndoshta ata opinion beres me emer e influence te cilet iu hapesire pa asnje lloj filtri ketyre teorive jane me fajtore se ata qe i fantazojnee keto teori .

        1. Edhe opinionberesit nuk jane te paket, madje edhe me shkolla te larta, deri edhe akademike. Listen e tyre te plote e gjeni tek organizimi i konferences kombetrsre dhe themelimi i Akademise Alternative te Shkencave te Shqiperise (kryetar Sazan Guri). Sponzoret po ashtu qe kane dale me moton e Patriotizmit Ekonomik (Birra Stela). Rol aspak te vogel luajne Massmediet. Pra kemi te bejme me nje semundje te tipit gangrenizues qe po rrok gradualisht strukturat e aparatit kulturor-mediatik gjitheshqiptar. Se ku do te perfundoje kjo dalldi kulturore-kombetare e krahasueshme me 97-ten, nje Zot e di.

      2. E vërteta, që të shfaqet, nuk ka nevojë për shumë stil dhe del edhe lakuriq… Stili i stërholluar i nevojitet gënjeshtrës për t’u shfaqur në vend të së vërtetës dhe të duket sikur ajo.
        Ju, z. Vehbiu, edhe pse ua kam përmendur në komentet e mia, me shumë stil i largoheni përmendjes së parimit morfologjik në formimin e fjalës dhe kështu doni ta devijoni krejt debatin në fushën ku vepron vetëm parimi fonetik. Doni të na futni në një “diskutim shkencor” ku refuzoni të merrni në konsideratë parimin më kryesor të asaj shkence e që është parimi morfologjik.
        Këtu pyetja për një milionë dollarë është: “pse shkenca e etimologjisë suaj nuk e përfill parimin morfologjik dhe e përjashton atë nga studimi etimologjik?”. Nëse ju nuk keni një përgjigjeni për këtë pyetje ose nuk doni të përgjigjeni, jeni duke i bërë bisht debatit shkencor dhe gjithshka që doni ta paraqesni si debat, nuk mund të jetë i tillë.
        Thuhet se “nuk ka pyetje të gabuar” dhe unë pres një përgjigje nga ju për pyetjen që ju bëra.
        Mendoj se çdo shkencë, që përjashton në studimet e saj parimin më kryesor të asaj shkence, nuk mund të arrijë kurrë në rezultate të pranueshme shkencore dhe është një “shkencë për shkencë”.

        1. Zoti Vehbiu shkruan ne shkrimin e tij per dy nivele te koncepsionit gjuhesor qe mbahen parasysh kur pershkruhet gjuha si mjet komunikimi ne shoqeri: thene thjeshtas, fjala si shenje gjuhesore pershkruhet gjuhesisht ne se paku dy nivele: niveli i nyjetimit tingullor, qe e zberthen strukturen tingullore te fjales ne nje bashkesi lineare tingujsh me funksion kuptimdallues (= fonemash) dhe ne nivelin morfologjik qe e zberthen strukturen e saj ne njesi me te vogla kuptimbartese (= morfema), te cilat bartin jo vetem kuptime leksikore si p.sh. [fshat], [shurre], [fare] por edhe kuptime gramatikore, si p.sh. mbaresat e numrit shumes ne gjuhen shqipe [-ra], [-a] ose edhe ne numrin njejes te shquar si p.sh. [-i], [-u], [-a] e shume eshume formante gramatikore qe ruan e miremban sistemi gramatikor i gjuhes shqipe. Ka edhe morfema te shumta me funksion fjaleformues, te cilat, ndryshe nga mbaresat, jane njefunksionale, si p.sh. [-ar], [-tar], [-tor], [-(e)s] qe perftojne ne gjuhe emra vepruesi: [fasht-ar], [pune-tor], [mesue-s], [punonj-es] etj. Morfemat me kuptime lesikore te mirefillta, te cilat ne ndergjegjen e sotme gjuhesore nuk zberthehen me tej, quhen edhe morfema rrenjore, si p.sh. [shi], [shurre], [fare] etj.
          Ne studimin historik-diakronik te gjuhes shqipe parimi morfologjik eshte njelloj i rendesishem, sikurse parimi fonetik. E kjo e ben gjuhesine shqiptare, njelloj si gjuhesite e gjuheve te tjera ne bote, te mos lejoje te behen lajthitje – sot ne fakt te natyres paranoike nder turbot e albanologjise e gjetke – por qe kishin njelloj imuniteti shkencor shekuj me pare – deri aty nga shek. XVI-XVII. Andaj edhe zoti Vehbiu rreket t’jua beje te qarte juve zoti Dalip, se zbatimi i kriterit morofologjik ne punen tuaj gjason me leximin e filxhanit te kafes, me te hedhurit fall me letra, etj., meqe ju e zbertheni strukturen e fjaleve ne qarkullim, si t’ju vije per mbare. P.sh. morfemen e shumesit [-ra] te [shi-ra] ju e lidhni me morfemen rrenjore [ra-] “bie”. Po te ishte keshtu, nuk do te kishim edhe te forma e shumesit [fshat-ra], [djathe-ra] nje fare *[ra fshati], [bie djathi] (nga qielli, nga mali, nga pema), etj. Dikush ne komentet e shkrimit te meparshem te z. Vehbiu, sajoi edhe punet e turbove te sotem si [Dalipera] dhe [Daliperi]. Mos kemi edhe ketu tani edhe [(na) ra Dalipi], te pakten uroj qe jo ju, se vaj halli ju personalishit te bini mbi ndonje gjynahqar te pamekat.
          Por jo vetem kaq. Ju guxoni qe edhe fjalen e parme [shurre] ta kaloni nje here ne trajten e shquar [shurr-a] e ta zbertheni me pas me parimin tuaj morfologjik si [shur-ra], pra i bini mespermes jo vetem struktures morfologjike te fjales, por edhe fonemen e mevetesishme [rr] shkoni e ndani permes, se ashtu i vjen per mbare tabeles suaj me embriomorfema. Po sikur Kongresi i Manastirit te kishte vendosur dikur te sajonte nje shkronje tjeter, dmth. teke per [rr]-ne e sotme, si do te vepronit kur t’ju vinte radha te benit [shurren] si nje studim i mirefillte etimologjik.
          Por jo vetem kaq, etimologjite tuaja arrijne nje pike kulmore kur…, ja ashtu,… i lexoni gjithe naze e avaze fjalet se prapthi, meqe, per djall, keshtu e shkruajme shqipen: nga e majta ne te djathte. Fale zotit qe Kongresi i atehershem i Manastirit vendosi per shkrimin e shqipes me alfabet latin. Jo se paskan menduar me shume per ju e sillojin tuaj; por vaj medet po te shkruhej shqipja me alfabet arab nga e djathta ne te majte; si do te benit?!
          Kaq lidhur me njohjen dhe pershkrimin e shenjes gjuhesore vetem ne dy nivele, te cilat qe jua ben te qarta z. Vehbiu si dita ne diell. Pra pa hyre ne nivele te tjera e sidomos pa cekur njohjen dhe pershkrimin historik te shenjes gjuhesore dhe vete gjuhes si mjet komunikimi i qenies njerezore. Aty ju nuk hyni dot se formimi juaj eshte nen ‘zero’, aq sa nuk ia vlen t’i vini ndonje xhufke permbi. Na shkruani se punimi ne “Science” ishte per ju eliksiri i punes suaj shumevjecare per shqipen si gjuhe kozmike. Fakt eshte se ju fatkeqsisht nuk merrni vesh asnje fjali e asnje rresht nga ai punim, sepse do te kishit shans te ktheheshit se mbari. Ai studim mbeshtet dhe vijon fund e krye punen dyshekullore ne studimin historik-krahasimtar te indoeuropianishtes dhe ofron nje teze te re lidhur vetem me vjetersine e formezimit te gjuhes se perbashket indoeuropiane, perkatesisht te zberthimit te saj ne deget kryesore qe formezojne se bashku familjen e gjuheve indoeuropiane dhe shqipja eshte vetem nje pinjoll ase dege e saj. Edhe literatura shkencore albanologjike ku mbeshtetet ai punim eshte fund e krye prurje e gjithe atyre brezave studiuesish albanologe shqiptare e te huaj, te cilet ju mendoni se po i sfidoni me nje te rene lapsi e me tabelen e famshme te Mendelejvit gjuhetar. Por s’kemi c’bejme: ju jeni ai qe jeni e pas gjase veshtire se ka [barera] qe do te mund t’ju sherojne dikur, edhe sikur te bien [ bari ra] prej qiellit. Andaj edhe mos pritni qe gjuhetaret t’ju bejne oponence, sepse nuk jane heqime ne profesion.

        2. Ajo çfarë bëni ju z. Dalipaj është një sharlatanizem dhe ska te bej fare as me shkencë dhe as me dije. Ju nuk keni lidhje me metoden shkencore. Iu duket sikur keni zbuluar një metodë që zgjedhon fjalë, me zhonglime e akrobacione germash e rrokjesh. Por ju më këtë metoden tuaj bëni projeksione në fjalë ku janë e ku s’janë ato dhe bëni kapercime të mëdha kohore e vendore. Dhe kështu krijoni përshtypjen e një logjike brenda asaj metode. Por unë asnjëherë nuk pash një fjalë të vetme që tregoni se si u zhvilluar në kohë ajo fjalë, si u dokumentua. Sepse kjo me metoden tuaj palidhje është e pamundur. Prandaj edhe gjeni njerez injorant që besojnë në akrobacione te kota (jo)logjike.

      3. Ju z. Vehbiu ini kategorik në linjën tuaj sikur në gjuhësi vepron vetëm parimi fonetik dhe kur bie fjala për etimologjinë, si besimtar i një teorie që fjalët i hamendëson të krijuara me marrveshje dhe emrat e realieve i sjell si etiketa që njerëzit në dakortësi ua kanë ngjitur atyre, afërmendsh mendoni se dini gjithshka rreth çështjes se si është ndërtuar fjala e mund të gjykoni dhe punën e të tjerëve, si në rastin me mua.

        Habia juaj se dikush bën etimologji dhe ka sukses e adhurohet prej publikut injorant (sipas jush) e ka burimin sepse ai tjetri respekton parimin fonetik dhe e hamonizon edhe me një parim, që ju nuk e konsideroni dhe është më kryesori në shkencën e etimologjisë.

        Ju nuk mund të injoroni se fjala shq. kamba (ka-mba) e it gamba emërtojnë funksionin [mba] = me mbajt. Përndryshe pse te tavolina, te karrikja, te kafsha, te njeriu etj, të gjitha pjesët a gjymtyrët që mbajnë peshën emërtohen ka-mba?

        Ju nuk mund kurrsesi të mohoni se [luga] ka si funksion për të [lu]-[gja]nat. Ju nuk mund të mohoni LUPA (thjerrza) është një paisje që [LU] [PA]mjen.

        Ju nuk mund të gjeni një tjetër etimologji për fjalën ÇENGEL, përveçse ajo që emërton funksionin QË-NGEL gjërat në të.

        Ose përndryshe, për gjithë fjalët më lart, jepni ca etimologji më bindëse, duke u mbështetur vetëm te parimi fonetik.

        Z. Vehbiu, ju mohuat se fjala UJVARA me metafonientizmën b:v tregon UJ-BA-RA = [uj] që [ba]n [ra]mje nga një lartësi. Te fjala uj-va-ra (uj-ba-ra) kemi një fjali embriomorfesh të përngjitur dhe parimi morfologjik (form-o-logj)ik duket qartë si ka vepruar dhe se ekziston.

        Ju mohoni ekzistencën e një parimi të rëndësishëm shkencor dhe në fakt keni mohuar vetë shkencën.
        Parimi morfologjik na bind se gjuha nuk ka karakter marrveshjesor dhe emrat nuk janë etiketa që me marrëveshje njerëzit ua ngjitën realieve.

        Z. Vehbiu, në mungesë të argumentit ju përdorni turli epitetesh ndaj meje, duke shpresuar se do mund të krijoni një opinion si prej të çmenduri për mua. Do ju sugjeroja të lexonit ndonjë libër nga botimet e mia.
        Në blogun tuaj lejohet kushdo që përtall punën time, por asnjëri prej tyre nuk futet në debat të drejtëpërdrejtë me mua.
        Meqë shkenca operon me parime, mirë do ishte që debatin ta nisim aty ku duhet. Unë nuk mund të kuptoj se si një disiplinë, që quhet shkencë (etimologjia), mohon parimin e saj më kryesor, atë morfologjik. Ndaj jam i sinqertë të di prej jush dhe t’ju pyes edhe një herë ju: pse është braktisur parimi morfologjik në studimin e ngjizjes së fjalëve?

    2. Tamam ashtu. Hedh një budalla një gur në lumë, i thonë kësaj pune. Të merresh me këta – qoftë edhe për t’ua hedhur poshtë marrëzitë – do të thotë t’i nxitësh që të hedhin edhe njëqind gurë të tjerë në lumë. Shiko përmbytjen te “debati” i komenteve poshtë shkrimit tjetër: vërshojnë poplat dalipjane si gurët e Ciklopit!

      E si mund t’i qasesh ndryshe, veçse duke mos iu qasur fare (ose me majën e hostenit), një të vetëquajtuari shkencëtar që shkruan kështu:

      Prurja ime më pikante në shkencën e gjuhësisë është tabela unike e shqipes me 370 embriomorfema, që është e ngjashme me Tabelën e Mendelejevit për kiminë. Embriomorfet bashkohen me njëra tjetrën në një reaksion (ekuacion) logjik për të krijuar fjalën njësoj si në një reaksion kimik, ku disa elementë bashkohen e bashkëveprojnë për të krijuar një lëndë të re me veti të reja e jo të ngjashme me vetitë e secilit element kimik që mori pjesë në reaksion.

      [Unë kam një prurje edhe më pikante për shkencën e gjuhësisë: një tabelë unike të shqipes me 36 elemente lozonjare-nazeqare që ngjiten dhe shqiten mrekulli-sht me njëra tjetrën në një reaksion-ekuacion morfo-llogj-ik për të krijuar fjalën, njësoj si në një reaksion al-kimik, ku elementet në fjalë bashkohen e bashkëveprojnë, pleksen e shpleksen magji-shëm për të krijuar çdo fjalë të çdo gjuhe tokësore dhe jashtë-tokësore. Teoria ime mban emrin “Albkimia Gjuhësore”. Amen.]

      1. Mundet qe te jete nje fushate e kurdisur nga qarqe te cilat pasi kane deshtuar ti bejne shqiptaret te ndihen mire per veten ne baze te mireqenies ,sundimit te ligjit ,arritjeve ne shkence etj po i bejne te ndihen mire duke i ngpour me luge te zbrazur, duke iu treguar perralla se si pollen qyteterimin boteror .Ose mundet qe te jene versioni albanologjik i rapsodeve folklorist te cilet e kane mbushur YouTube me kenge mbi trimerite imagjinare te cilat shqipot kishin ndermend ti benin por nuk i bene se ashtu ishte nje muhabet .

  2. ”’rrokja si një njësi e artikulimit të dytë që shqiptohet me një emision të vetëm zanor (mund të jetë një zanore e vetme ose një grup që përmban zanore dhe bashkëtingëllore) nuk ka kuptim;”’

    Por ne fillesat e gjuhes cdo rrokje mund te kete patur kuptim, meqe mund te kete pasur vetem nje rrafsh artikulimi. Me kohen e kombinimet e ndryshme, nje rrokje e vetme ka ruajtur kuptimin, duke u sjelle si morfeme, te tjerat jane rrokje pa kuptim.

    Ne PIE ka deh, peh,beh, ku eh=a-ne e dikurshme ( da,pa,ba)
    Ne shqip, ka (me) da, (me) pa,(me) ba

    Packa se mbaresat e prapashtesat e cdo forme morfeme gramatikore, kane ardhur, ikur e ndryshuar, rrenja e fjales ka ngelur ( rrokje, da,pa,ba ka plot).

    Ketu une besoj se z.Dalipaj synon, shquarjen e ketyre rrokjeve me kuptim, mes pafundesise se rrokjeve pa kuptim.
    Sa ia del pastaj eshte muhabet tjeter. Tentar non nuoce, thote italiani.

    1. Fjala ZMBRAPS shohim se është njërrokshe. Nga ana tjetër unë shoh se ajo është krijuar nga gegënishtja Za Me BAR PaS e ku pjesa PAS vjen nga një S’PA. Nëse ju shihni te kjo fjalë një rrokje, unë shoh një fjali të përngjitur të shqipes ku embriomorfet kanë humbur disa zanore konform ligjësive fonetike.
      Një embriomorfemë është një rrokje. Porse një rrokje jo gjithherë mund të jetë një embriomorfe.
      Nëse unë do ju pyesja se cila është morfema te fjala ZMBRAPSja, ju do më thoni se morfema është ZMBRAPS. Ndërkaq, pjesën ZMBRAPS, që ju e shihni si morfemë, unë e shoh si koncept ende të zbërthyeshëm në embriomorfema dhe këtu ju nuk doni të kuptoni se, ajo që njihni si morfologji, në shumicën e saj është konceptologji dhe ajo, që e shihni si një rrokje pa kuptim, mund të mbërthejë brenda edhe pesë kuptime.
      Gjuhësisë suaj i rrëzohet morfologjia përsa unë mundem ta zbërthej morfemën tuaj në embriomorfema.
      Tani më lini tu pyes edhe një herë mbas shpjegimit tim: pjesa ZMBRAPS është për ju njëmorfemë apo një koncept i zbërthyeshëm?

  3. Pa dashur te tallem me njeri, nuk me duket se po ia dalim. Duket se, nga gjithe faktoret qe mund te kishin pasur nje fare influence ne tkurrjen e fenomenit si pasoje e vetise njerezore te te qenit racionale, etimologet popullore interesohen vetem ne faktorin ‘vemendje’. Kjo u jep shtyse te perforcojne pozicionin e vet ose edhe te shpjegojne sa keq kane perfunduar gjuhetaret. Po te kishin pasur ndopak sens kritik ndaj vetes, ndoshta nuk do e kishin shpikur hic masen qesharake te shpjegimeve ne rritje. Lasciate ogni speranza voi che tentate! Kjo lloj corbe nuk do dilte kurre neper awsnje emision televiziv popullor askund ne bote. … ke te qash me pare!

    1. E nderuara znj. Derhemi, ju kuptoj kur shkruani se “…nuk po ia dalim” për të tkurrur vemendjen që po marrin etimologët popullorë ku me gjasë më fusni dhe mua, sepse kështu ua do puna…
      Jam diplomuar për gjuhësi dhe juve u pëlqen aq shumë të më futni te shporta e “popullorëve” e me gjasë ta pranoni talentin tim në etimologji si atë të klaniteristit Laver Bariu në muzikë…
      Gjat kohës që isha student në gjuhësi kam patur fatin të kem marrë leksione edhe nga akademikë të gjuhës e, kur ata thoshin: “kush ka pyetje?”, gjithmonë bëja një pyetje e kurrë nuk merrja një përgjigje. Vetëm heshtnin. Kuptova se isha në një sistem ku nuk mund të vihej në pyetje dogma.

      Më herët se të vija në atë shkollë kisha krijuar bindjen se morfologjia, që jepet në shkollat e sotme, në shumicën e saj është konceptologji dhe si e tillë morfema klasike ndahet edhe më në kuptime të tjera, që unë i quaj embriomorfema. Ndarja e morfemës në kuptime më minimale e trazon shumë shkencën e gjuhësisë dhe tregon se shumçka brenda saj nuk është shkencë e këtu radhitet edhe etimologjia. Doja pikërisht të tregoja këtë gjë te profesorët e mi, kur isha student i tyre, por ata rrinin si statuja të mermerta sa herë e çoja diskutimin te morfema e tyre që zbërthehej nga gjuha shqipe. Fakt është se morfema zbërthehet vetëm në gjuhën shqipe dhe kjo është veti e gjuhës së qendrës, që shumkujt mund t’i duket ide e marrë folklorike…, por shkenca ka vërtetuar jo pak absurde.
      Mbase nuk do kisha marrë kaq vemendje publike sa kam sot, sikur të mos më kishin përjashtuar përjetësisht nga shkolla me motivacionin si “antikombëtar, që hedh poshtë gjuhën shqipe e denigron figurat e mëdha të albanologjisë”. Sistemi juaj dogmatik më arrestoi tri herë në oborr të universitetit dhe më hapi disa çështje gjyqësore penale e ca të tjera civile. Them “sistemi juaj” sepse jeni duke e mbrojtur atë sistem që mua kërkoi të më denigronte me çdo kusht. Jo pa kast veprat e mia i shpie për oponencë në ASh. E di që atje kurrë nuk do ma bëjnë një oponencë sepse nuk duan por më shumë edhe pse s’munden.

      Zoti i ka bërë gjërat të thjeshta e ashtu ka bërë dhe gjuhën. Pretendoj se kam zbuluar parimet se si gjuha emërton realiet dhe konform teorisë sime të embriomorfemave, kam botuar tetë fjalorë etimologjikë që presin në ASh për ndonjë oponencë. Ca më quajnë fallxhor e turboalbanolog e ca ankohen publikisht pse më lejohet të dal në ekranet televizive. Bile, ka edhe nga ata që i kërkojnë ndihmë shtetit të heqë nga puna gazetarët që ftojnë në studio njerëz si A. Dalipaj. Nëse etimologjia ime do ishte e karakterit popullor, nuk do ishte aq shqetësim për sistemin tuaj dogmatik. Do mjaftonte që të më bëhej një oponencë e të rrëzonin diçka nga puna ime për të më hequr qafe përgjithmonë. Nga ASh e Tiranës më ka ardhur propozimi që ajo akademi të botojë një veprën time e kështu të quhet se më kanë pranuar teorikisht, por pa ma bërë një oponencë. Ndaj znj. Derhemi do ishte më e udhës nga ju të jeni më e kujdesshme në etiketimin e studjuesve si puna ime, sepse edhe nuk e njihni veprën time edhe s’keni tagrin të më klasifikoni publikisht te popullorët.
      Uroj çdo të mirë për Ju!

      1. Agron, teoria jote e embriomorfemave ku mbështetet? A i përket ndonjë rryme, shkolle a drejtimi linguistik? A ka ndonjë linguist që ti e konsideron si mësuesin tënd? Sepse që të ta marrin fjalën seriozisht, duhet të provosh se i përket dijes: dhe dija i ka rregullat të rrepta, nuk ia hap dyert kujtdo.

        Do të sillja shembullin e statusit të Mjekësisë Tradicionale Kineze (CTM) në SHBA; edhe pse ka shumë amerikanë që i besojnë asaj mjekësie dhe betohen për përfitimet prej saj, sërish ajo mbetet teorikisht e papajtueshme me mjekësinë standard. Për këtë ka pasur dhe ka debate të mëdha.

        Për mua, etimologjitë që ti bën kanë të njëjtin status me astrologjinë dhe të parët e filxhanit dhe leximin e pëllëmbës së dorës dhe shpjegimin e ëndrrave; njëlloj si daljet e tua në TV, edhe horoskopi ka popullaritet të madh, por kjo nuk është se e bën më të vërtetë a të respektueshëm.

        Sot ka ende njerëz që i besojnë astrologjisë si teori të leximit të botës alternative ndaj shkencës – por këta nuk i gjen në akademitë e shkencave. Njëlloj ka mjekë aq skeptikë, sa t’i japin deri edhe psikanalizës status të ngjashëm me atë të astrologjisë, por kjo nuk i pengon me dhjetëra mijëra pacientë të shtrihen në divane anembanë botës (së paku Perëndimore).

        (suksesi praktik nuk është kriter: edhe sistemi i Ptolemeut – gjeocentrizmi – ende mund të përdoret për të kalkuluar orbitat e planetëve, ose edhe si model teorik; por përndryshe është zëvendësuar nga heliocentrizmi i Kopernikut; detto questo, teoria jote e embriomorfeve krahasohet më mirë me teorinë e tokës së sheshtë).

        Edhe besimi fetar i përdëllyer ose rrëfimi (në katolicizëm) luajnë ende, për disa, rol të rëndësishëm terapeutik, në qetësimin e mendjes dhe të zemrës; por nuk besoj se kërkon njeri që këto të certifikohen si forma të psikiatrisë.

        Ta kam shkruar në një koment tjetër: establishmenti i dijes e ka për mision parësor që të mbrojë institucionet nga outsiders – dhe shpesh ky mision e bën establishmentin konservator dhe reaksionar, në kuptimin praktik të fjalës.

        Por kjo nuk do të thotë që çdo outsider ka potencialin që të revolucionarizojë dijen. Si rregull, ata që i qasen dijes nga jashtë, me synimin për të turbulluar ujërat, e kanë thjesht gabim dhe e meritojnë të trajtohen si turbullues dhe të mbahen sa më larg. Tek e fundit, edhe ti vetë troket në dyert e Akademisë më shumë për të marrë njohje (në thelb: terapi), se ngaqë e respekton atë institucion.

        1. Z. Vehbiu, kam përshtypjen se ju më kuptoni mirë dhe kinse hiqeni sikur nuk më kuptoni.
          Ajo çka më ndan me shkollën tuaj është morfologjia juaj, që për mua, në shumicën e saj, është konceptologji. Ç’kuptoj unë me konceptologji në vend të asaj që ju e njhni si morfologji? Do mundohem të jem më i qartë dhe i thjeshtë për t’ua shpjeguar. Le të marrim disa morfema, që për ju janë të pazbërthyeshme dhe për mua janë koncepte të zbërthyeshme në kuptime minimale e që unë i quaj embriomorfema.

          1. PAUZA (lat. pāusa), por që te “il nuovo etimologico” f. 1153 e lidhin me lat. e vonë [posàre] e [pausāre] dhe mandej arrijnë në konkluzionin “non e chiaro” (shih “il nuovo etimologico” f. 1236).
          Fjala pauza përdoret rëndom në shqip dhe shënon [pushim] = segment kohe midis një aktiviteti, kur je i lirë nga çdo detyrim. Ndaj shqipja pozon:

          PAUZA = PA-U-ZA(n) me diçka.
          PAUZË = PA-U-ZË(në) me diçka = jam i lirë.
          Shohim se kemi të bëjmë me një fjali të shqipes ku kemi:
          PA = pjesëz mohuese e shqipes.
          U = trajta e shkurtër e përemrit vetor.
          ZA / ZË = folja gegn. ZA = kap.
          Nga shembulli i mësipërm kuptojmë se morfema juaj [PAUZ]a/ë nuk është morfemë por është një koncept dhe kësisoj unë kam zbërthyer disa mijëra “morfema” në fjali embriomorfesh dhe për ju zbërthimi i morfemës është i papranueshëm sepse kështu bie e gjithë morfologjia e gjuhëve i.e.
          Ju mund të pyesni me të drejtë: “si nuk e kanë konstatuar më herët gjuhëtarët europianë këtë dukuri?!”. Unë do u përgjigjem se gjithë gjuhët i.e. janë konceptuale dhe zbërthimi i fjalëve të tyre në fjali embriomorfesh nuk mund të ndodhë brenda atyre gjuhëve sepse atyre u mungojnë në masë të madhe e të lira embriomorfet e shqipes. Një italian kurrsesi nuk mund ta kuptojë se lat [pausa] mund të zbërthehet në një fjali me tre kuptime të shqipes: “pa u zë”(në).
          Në fillim fizika pranonte se atomi ishte pjesa më e vogël e pandashme e materies, por ndarja e atomit revolucionarizoi fizikën dhe bëri të lindin shumë nënshkenca të tjera.

          Tani më duhet t’u pyes unë ju:
          -a mendoni se nuk ekzistojnë embrimorfemat?!
          Përsa unë kam gjetur brenda shqipes 370 embriomorfema (ku seicila nuk ka më shumë se një konsonante e një sonante) dhe këto kanë kuptim të lirë në gjuhën shqipe, pse ju nuk arrini të besoni se bashkimi i dy a më shumë embriomorfemave (kuptime minimale) mund të krijojë fjalë?! Koncepti i embriomorfemës nuk barazohet me rrokjen. Shqipja e sotme ka rreth 3000 fjalë një rrokshe, por vetëm 270 embriomorfe.

          Ajo që botërisht njihet si fjalë greke [EUREKA] = “e gjeta”, “e pashë”, për Babinjiotin nuk ka një etimologji (shih Babinjioti. ELNEG f. 518), porse në shqip ajo është një koncept i zbërthyeshëm. Në greqisht fjala nuk ka fonemën [U] por atë [V] si te gr. EVROPA e lat. EUROPA. Pra në greqisht kemi EVREKA për EUREKA që njohin europianët. Ndaj, nëpërmjet shqipes kemi:
          EVREKA = E V RE KA = E Vë RE KA = KA E Vë RE = KA E VREJ = e shoh = e gjej. Në këtë formë mua më janë zbërthyer disa mijëra fjalë dhe kjo sasi e madhe (në të tetë fjalorët e mi etimologjikë) konfirmon faktin se embriomorfet ekzistojnë dhe se fjalët janë kompozita embriomorfemash që mund të zbërthehen vetëm nëpërmjet shqipes, sepse vetëm ajo zotëron të plotë tabelën e emriomorfemave aq të ngjashme me Tabelën e Mendelejevit për kiminë.
          Shqipja është Hirushja e gjuhëve i.e. Shqipja është edhe gjuhë edhe shkencë. Asnjë gjuhëtar i huaj nuk do mundëte t’ia gjente këto vlera shqipes pa e patur gjuhë të intimitetit atë.
          Ata gjuhëtarë shqiptarë, që i kanë lexuar veprat e mia, më kuptojnë mirë dhe heshtin. Heshtin dhe nuk guxojnë të më bëjnë oponencë.
          Duan apo s’duan, zbulimet e mia mbeten të miat dhe janë aty për t’u rrëzuar, nëse dikush mundet të sjellë një tjetër metodë më efikase dhe etimologji më bindëse.

          RIVAL quhet vetëm ai që të
          RRI BALL. edhe këtu kemi metafonientizmat RR:R e V:B, ndaj emri RIVAL është shqipja RRI -BALL, porse shqipja ka importuar një koncept të saj të ripërpunuar në një gjuhë tjetër, ku fjalia e shqipes u përngjit edhe me ndikimin edy metafonientizmave.
          Z. Vehbiu, unë nuk kam kujt t’i referohem si paraardhësi im. Shumkush mendon se unë jam pasuesi i Zhejit, por kjo nuk është aspak e vërtetë. E fillova si autodidakt dhe zbulova ato që nuk ia merrte mendja kujt. Zheji nuk arriti të ndërtojë një fjalor të mirfilltë etimologjik. Sfida e një gjuhëtari është pikërisht të bëjë një fjalor etimologjik që t’i rezistojë kohrave. Nuk ma ndjen nëse puna ime do pranohet nesër si shkencore a pas 200 viteve. Çabeji e njihte mirë parimin morfologjik në etimologji por gjithsej e ka përdorur vetëm në dy a tri fjalë. Ndaj puna e tij në etimologji bie poshtë kryesisht. Në mos unë, atë do ta hidhte koha poshtë. Ndaj dhe unë nuk prekem nga epitetet që më ngjisni. E dija që askush nuk do më pranonte zyrtarisht në hapësirat shqiptare dhe punën time shkencore, me një gjuhë të thjeshtëzuar, ia përcolla publikut dhe ai më kuptoi. Tani janë disa universitete prestigjioze jashtë Shqipërisë që më kërkojnë dhe besojnë te teoria ime. Unë mbetem absurdi juaj. Ju do ta pranoni “absurdin” tim pasi atë ta ketë pranuar një universitet shumë i akredituar në shkencën botërore.

          Nëse ju dukem fallxhor, është problemi i juaj. Nuk dua t’u vë epitete si anologji sepse më mjafton e vërteta shkencore që përcjell. Epitetet “ndihmojnë” të pazotët e shkencës. Një ditë ju do ndjeheni ndryshe për gjithë sa keni shkruar kundër meje.

  4. Z. Bardhyl Demiraj, në komentin tuaj ka dy linja ku ndërthuren shkenca me përtalljen ndaj debatuesit. Polemika shkencore nuk i pranon ofendimet ndaj kundërshtarit. Këtu jam për të debatuar dhe për të sjellë atë që mendoj se ia vlen ta diskutojmë.
    Në fakt, të gjithë komentuesit këtu, si në një konkurs poshtërimi, mundohen të gjejnë epitetin më tallës ndaj meje.
    A mundet të debatojmë miqësisht?

    1. Nuk besoj se eshte e nevojshme t’ju kujtoj c’keni thene ju per A. Vehbiun apo shume te tjere – shpifje per te cilat ata do duhej t’i ishin drejtuar ndonje avokati. Po ju jepet hapesire dhe me ne fund po ju kthejne pergjigje njerez te cilet ju deri sot i keni shantazhuar si te shitur. Fatkeqesisht e keni humbur te drejten te pretendoni TANI per debat miqesor. Duhet te keni pak perulje e te pranoni qe keta njerez po mbajne hunden e po debatojne me ju. Ju, sic nuk pertoni te na e kujtoni sa here mundeni, keni audience pa fund qe ju duartroket sa here fluturoni me teorite qe shpikni. Ketu, si Vehbiu dhe Demiraj po ju japin nje shans te PERGJIGJENI JU meqe e keni kerkuar me ngulm oponencen. Kam frike se deri tani keni perfituar nga injorimi se ne fakt nuk jeni ne gjendje te jepni llogari as per gjerat me bazike qe po ju vihen ne dukje. Ju vazhdoni te shfaqeni ketu per te predikuar tezen tuaj pa dhene pergjigje. Ah, si dhe here te tjera, mos m’u pergjigjni mua.

      P.S. Emri im mund te jete anonim, por kush jam jo. Te drejtohem si moderatore e kesaj hapsire.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin