ZEBRA HA PULA

nga Arben Dedja

Ja tri poezi që ia kam shqipëruar Walt Whitman-it (West Hills, 31 maj 1819 – Camden, 26 mars 1892). Dhe po rrëfej historinë e “zulmës” së shqipërimit të së parës syresh (“I Hear America Singing…”). Që këtej titulli sipër. Natyrisht, i ziu Walt nuk ka lidhje me zebrën (dhe as me pulat).

Hap prapa. Filloren e kisha kryer te “Migjeni”. Aty, dhe te disa shkolla të tjera të zgjedhura në vend, gjuha e huaj hyri si eksperimentale qysh në klasë të dytë. Kështu e fillova anglishten. Mirëpo kur mbaruam filloren (“Migjeni” ishte vetëm shkollë fillore) u shtrua problemi se ç’do të bëhej me ne dhe me eksperimentin e mësimit të hershëm të gjuhëve të huaja: do të vdiste aty dhe do ta fillonim edhe njëherë anglishten nga e para në klasë të pestë apo do të vazhdonim si klasë eksperimentale me program të avancuar. U vendos për të dytën, ndaj u desh që klasat tona, pasi të mbaronim “Migjenin”, të zhvendoseshin en bloc te shkolla tetëvjeçare “Jeronim De Rada”, aty pranë. Më qëlloi kësisoj të kisha time ëmë për mësuese kimie (gjë që do të kisha dashur ta shmangia) dhe kolegët, koleget (nganjëherë shoqe të saj) për lëndët e tjera. Anglisht më jepte zysh Maja, gruaja ruse e profesor Skënder Luarasit. Ndërkohë, aty nga klasa e gjashtë fillova të studioj me mësues privat si italishten, si anglishten. Mësuesi im privat i anglishtes quhej Filip Tola. Mësues Filipi i binte ca shkurt në fakt, se përdorte si metodë për mësimin e anglishtes thjesht librat tanë shkollorë (flas në shumës, se ishim dy nxënës të tij: unë dhe Arban Domi). Kësisoj, ndodhte që ne, për dy-tre muaj, e mbaronim librin e atij viti shkollor (me gjithë ushtrimet) dhe hidheshim te librat e klasave më të larta. Pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj ishte që mua mësimet e zysh Majës m’u kthyen në torturë. Isha i pavëmendshëm; bëja atë që quhej “zhurmë”, pa qenë ajo domosdo zhurmë në kuptimin literal. Një ditë e teprova. Zysh Maja po thoshte fraza të ndryshme në shqip, që klasa duhet t’i përkthente anglisht. Një moment tha:

“Dhelpra ha pula!”

Tani, për hir të së vërtetës, shqiptimi që zysh Maja i bënte shqipes nuk ishte i përsosur, ndaj unë e dëgjova sikur tha: “Zebra ha pula!”. Edhe të tjerë shoqe e shokë të mi ashtu e dëgjuan, se kujtoj që klasa pati një si ndrydhje. I sigurt, ngrita dorën dhe thashë:

“Zysh, zebra nuk ha pula! Zebra ha bar!”

Zysh Maja çuditërisht u nxeh (nuk nxehej kurrë) dhe më nxorri jashtë. Natyrisht, kur shkova në shtëpi ime ëmë dinte gjithçka dhe më bëri për ujë të ftohtë. Kaq incidenti i zebrës, por, ama, prindërve sikur iu hapën sytë dhe i kërkuan mësues Filipit që, të paktën, të përdorte një tjetër metodë për të na e mësuar gjuhën, në mënyrë që mërzia e orëve shkollore të anglishtes të mos kapte përmasa depresive. Kështu ia filluam me metodën e “The Essential English…” dhe… vazhdimi është histori:  zbulova poezitë e leksionit 36 (nga libri i tretë) dhe nisa t’i shqipëroj. Shumë syresh rezistojnë ende fletorkave të mia. Por ndonjëra mungon. Njëra që mungon, ndonëse e kam shqipëruar, është [O my Love’s like a red, red rose] e Robert Burns-it. Këtë e kam grisur.

Kisha filluar vitin e parë gjimnaz te “Sami Frashëri” kur të mitë u bënë të vetëdijshëm që numri i poezive që përktheja po rritej bindshëm. Mësuesi im Skënder Gjylhasani, me të cilin, pasi kisha mbaruar italishten ia kishim nisur frëngjishtes, i vetmi që m’i lexonte përkthimet (por edhe poezitë e mia), i mburrte pa masë.

“T’ia tregojmë ndonjë përkthyesi të njohur” tha im atë.

Dhe i shkoi mendja te Skënder Luarasi, për poezitë anglisht. Natyrisht, për të gjetur lidhjen nuk ishte aspak e vështirë; si zysh Maja, si ime ëmë vazhdonin punën te “Jeronim De Rada”. Skënder Luarasi ishte për mua një mit. Kisha lexuar mjaft nga përkthimet e tij: “Çajld Haroldi”, “Wilhelm Telli”, “Fije bari”. Gjithashtu, në bibliotekën e tim gjyshi pata gjetur librin e tij “Ismail Qemali (jeta dhe vepra)” dhuruar me këtë autograf të çuditshëm:

Sh.

Gjeneral Dr. Ibrahim Dervishi:
në Spitalin Ushtarak, ku më dërgove,
fitova shëndetin dhe kuptova se n’ush-
trinë tonë popullore, që mbron atdhenë tonë,
po formohet qytetari i Shqipërisë së re.
Më vjen keq që jam tepër i shkuar nga
mosha e s’mund të vete dot ushtar.
Me mirënjohje që s’do ta harroj kurrë,

Skënder Luarasi
1 janar 1963.

Më bënte veçanërisht përshtypje ajo puna e ushtarllëkut, mua, që e kisha babain Kryetar të Komisionit të Lartë Shëndetësor të Ushtrisë. (Grimca bisedash shtëpiake me këtë temë s’ka shumë që mora guximin, me gjithë dhembjen që të shkakton letërsia, t’i hedh e zezë mbi të bardhë, në një tregim).

Kështu, me një shkrim të qartë dore përgatita për Skënder Luarasin dy nga poezitë që kisha shqipëruar ndërkohë prej anglishtes. Zgjodha [O my Love’s like a red, red rose] të Burns-it dhe, nuk di a ta quaj karshillëk, ironi apo çfarë, pikërisht [I Hear America Singing…] të Whitman-it (të cilës ia kisha gjetur tekstin origjinal në një antologji që sapo më kish rënë në dorë nuk e mbaj mend se sipas cilit kombinim yjor). Janë shqipërime ku vihet re gjithë naiviteti prej përkthyesi të ri, prirja për t’i ndryshuar gjërat, ai mosrespektim i autoritetit tipik adoleshencial. Ia dashë tekstet mamasë, që t’ia jepte zysh Majës, që t’ia jepte të shoqit…

“Përktheka poezi ai i zebrës?” u habit zysh Maja.

Pas nja dy javësh, nga të rriturit gjithçka ishte organizuar në mënyrë të atillë që një ditë, pas mësimit, unë të prisja te dera kryesore e shkollës “Jeronim De Rada” time ëmë, që do të dilte bashkë me zysh Majën. Do të vinte edhe Skënder Luarasi për të marrë të shoqen dhe për të më takuar e thënë dy fjalë. Ashtu u bë. Profesor Skënderi më dha dorën gjithë seriozitet. Vinte nga trupi më i vogël se ç’e imagjinoja (ndërkohë unë isha zgjatur dymbëdhjetë centimetra brenda një viti).

“Ke punuar shumë mirë” më tha.

U gëzova.

“Në fakt, atë poezinë e Burns-it e ke katranosur” tha pastaj.

Mbeta.

“Po nuk ke faj. Ajo është këngë skoceze. Këndohet…” Në këtë pikë profesori filloi të këndojë këngën. Kalimtarë të rrugës “Fortuzi” kthenin kokën të pataksur.

“Kurse poezinë e Whitman-it e ke qarë. E ke përkthyer më mirë se unë. Të lumtë!”

Më dha dorën, më kërkoi t’i bëja të fala tim gjyshi dhe, pasi i hodhi krahun të shoqes, u largua ngadalë. Sa shkela derën e shtëpisë, i grisa të gjitha kopjet që kisha të shqipërimit të Burns-it.

I Hear America Singing… | E dëgjoj Amerikën që këndon…

I hear America singing, the varied carols I hear,
Those of mechanics, each one singing his as it should be blithe and strong,
The carpenter singing his as he measures his plank or beam,
The mason singing his as he makes ready for work, or leaves off work,
The boatman singing what belongs to him in his boat, the deckhand singing on the
[steamboat deck,
The shoemaker singing as he sits on his bench, the hatter singing as he stands,
The wood-cutter’s song, the ploughboy’s on his way in the morning, or at noon intermission
[or at sundown,
The delicious singing of the mother, or of the young wife at work, or of the girl sewing or
[washing,
Each singing what belongs to him or her and to none else,
The day what belongs to the day—at night the party of young fellows, robust, friendly,
Singing with open mouths their strong melodious songs.

E dëgjoj Amerikën që këndon, ja, këngë gëzimi,
këngë për punën e çdonjërin që këndon me forcë, hare
e dëgjoj: zdrukthëtarin teksa mat dërrasa, trarë,
muratorin, nënë zë, kur në punë shkon, punën lë,
varkëtarin që i këndon ç’i takon në varkë atij, a detarin që shtrin këngën mbi kuvertë të
[avullores,
përmbi bankën e tij të punës këpucarin, kapelarin që këndon tek rri e rri,
të druvarit këngë, të pendarit, djalë i ri në mëngjes rrugës, në pushim të drekës, në muzg,
eh, të brishtën këngë të nënës, gruas së re në punë e sipër, a të vashës që lan e qep,
që të gjithë duke i kënduar ç’u takon atyre veç;
dita, ç’i përket asaj – ndërsa mbrëmjeve djelmosha të shëndetshëm, shokë e miq,
këngë të fuqishme, melodioze me gjëmim i ngrenë lart.

[A sight in camp in the daybreak gray and dim,] | [Vështrim në kamp një agim gri, të vagullt,]

A sight in camp in the daybreak gray and dim,
As from my tent I emerge so early sleepless,
As slow I walk in the cool fresh air the path near by the hospital tent,
Three forms I see on the stretchers lying, brought out there untended lying,
Over each the blanket spread, ample brownish woolen blanket,
Gray and heavy blanket, folding, covering all.

Curious I halt and silent stand,
Then with light fingers I from the face of the nearest the first just lift the blanket;
Who are you elderly man so gaunt and grim, with well-gray’d hair, and flesh all sunken
[about the eyes?
Who are you my dear comrade?

Then to the second I step–and who are you my child and darling?
Who are you sweet boy with cheeks yet blooming?
Then to the third–a face nor child nor old, very calm, as of beautiful yellow-white ivory;
Young man I think I know you–I think this face is the face of the Christ himself,
Dead and divine and brother of all, and here again he lies.

Vështrim në kamp një agim gri, të vagullt,
tek dal nga çadra herët, i pagjumë,
tek eci në freski, ngadalë shtegut që të shpie në çadrën-spital,
shoh tri trajta jashtë shtrirë pa u ruajtur, vigjesh shtrirë,
hedhur mbi çdonjërën trajtë një velenxë e murrme e leshtë
dhe e bollshme gri e rëndë gjithëmbuluese kjo velenxë.

Ndaloj kurreshtar e i heshtur rri,
Pastaj me të lehtë gishtërinj të parit, më të afërtit nga fytyra sa ia ngre velenxën;
kush je ti, burrë i plakur, kaq thatim dhe i mnershëm, i tëri i thinjur, me sy të gërryer?
Kush je ti, miku im i shtrenjtë?

Pastaj tek i dyti çapitem: po ti kush je, fëmijë e i dashur?
Kush je ti, o çun bukurosh, me mollëza ende të lulëzuara?
Pastaj tek i treti: një fytyrë as fëmije as plaku; gjakftohtë, si prej fildishi të bukur
[ngjyrëqumësht;
më duket se të njoh ty, djalosh: fytyra jote është fytyra e Krishtit vetë;
i vdekur dhe hyjnor, vëlla i të gjithëve, dhe prapë këtu i dergjur.

[A noiseless patient spider,] | [Një merimangë të heshtur durimtare,]

A noiseless patient spider,
I mark’d where on a little promontory it stood isolated,
Mark’d how to explore the vacant vast surrounding,
It launch’d forth filament, filament, filament, out of itself,
Ever unreeling them, ever tirelessly speeding them.

And you O my soul where you stand,
Surrounded, detached, in measureless oceans of space,
Ceaselessly musing, venturing, throwing, seeking the spheres to connect them,
Till the bridge you will need be form’d, till the ductile anchor hold,
Till the gossamer thread you fling catch somewhere, O my soul.

Një merimangë të heshtur durimtare
pashë mbi një thep të rrinte veças,
e shqova tek n’eksplorimin e rrethinave të gjera të zbrazëta
fije villte, fije, fije tutje, jashtë vetes,
gjithnjë duke i çmbështjellë, pa u lodhur duke i zhdirvjellë.

Edhe ti o Shpirti im po rri
i rrethuar, i shkëputur, n’oqeane të pamata hapësire,
pa prajë duke guxuar ftilluar flakur synuar sferat për t’i njësuar ato,
gjer ura që t’u desh të merrkësh trajtë, gjer spiranca e epshme të mbaka,
gjer peri i pezhishkës q’e hedh diku të kapka, o Shpirt.

Siç thashë, unë kopjet e shkruara të shqipërimit të Burns-it i grisa, por mendja, ama, ajo djallushkë, ma ka ruajtur edhe sot e gjithë ditën strofën e dytë dhe të tretë:

Aq sa e shtrenjtë, vashëz, je
të dua, sa asnjerin;
do t’dashuroj, o vashëz ty,
gjer detet gjithë të shterin.

Gjer detet, vashëzë, të shterin
edhe shkëmbinjt’ të treten;
do t’dashuroj, o vashë, paçka
se gjer në fund pak mbeten.

(nga turpi, nuk po e shoqëroj me origjinalin).

© 2023 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin