KATALONJA, E PARË NGA DRITARJA

Konfuzion i madh ka përcjellë, në mediat dhe në rrjetet sociale, aventurën e Katalonjës drejt pavarësisë.

Veçanërisht të ngazëllyer më janë dukur të gjithë ata që kanë hequr paralele me pavarësinë e Kosovës, madje që i kanë përshëndetur indipendentistët ngaqë e kanë ndier si detyrë patriotike.

Mua nuk më duket se nga krahasimi mes këtyre dy shkëputjeve – njëra tashmë e realizuar, tjetra në tentativë dhe gjithsesi e pagjasë – mund të nxirret ndonjë përfundim me vlerë.

Në vija të trasha, Katalonja si realitet politik dhe kulturor njihet fare pak mes shqiptarëve (përtej vizitave turistike në Barcelonë) dhe kjo e komprometon edhe më gatishmërinë tonë për të mbështetur përpjekjet e tanishme për pavarësi.

Edhe pse, le ta themi, askujt nuk i bëhet vonë se ç’mendojnë shqiptarët, të ditur e të paditur, për këtë punë.

Përveç ndoshta neve vetë, që nuk njohim shumëçka nga Europa, dasitë e saj dhe prirjet edhe njësuese edhe qendërikëse dhe motivet historike dhe kulturore të lëvizjeve politike.

Prandaj u habita kur lexova një shënim për këtë çështje të autorit Luan Rama (shkrimtarit jo politikanit, po të gjykosh nga fotografia), të cilin përndryshe e ndjek prej kohësh dhe ia vlerësoj kontributet me vlerë në lëmin kulturor.

Sepse, me sa lexoj sot, Luan Rama paska shkruar

Historia e Katalonjës nuk është si historia e Kosovës. Katalonjasit janë si spanjollët e tjerë të Spanjës, i njëjti popull me të njëjtën gjuhë, histori, fe, kulturë.

Çfarë nuk më duket e saktë. Sepse katalanët (unë do t’i quaja kështu, jo “katalonjas”) mund të ndajnë shumë gjëra me qytetarët e tjerë të Spanjës, por me siguri jo gjuhën, dhe historinë vetëm pjesërisht.

Sa për gjuhën katalane – katalanishten – kjo jo vetëm është gjuhë e ndryshme nga spanjishtja (castellano), por edhe nuk ka “rrjedhur” prej saj; përkundrazi, vijon pa ndërprerje latinishten vulgare të lashtësisë njëlloj si simotrat gjuhë romane dhe, nga pikëpamja krahasimtare, afëritë më të mëdha i ka me oksitanishten, që flitet në Francën e jugut dhe njihet edhe me emrin Languedoc.

Sot katalanishtja flitet e shkruhet jo vetëm në Katalonjë, por edhe në zonat përreth, si në Valencia dhe në ishujt Baleare. Edhe pse është dokumentuar shumë herët me shkrim, ajo e ka vuajtur trysninë e kastilianishtes (spanjishtes) dhe vetëm relativisht vonë i ka fituar të drejtat e plota, si gjuhë zyrtare e Katalonjës.

Për shkaqe politike, ekonomike dhe demografike, ata që identifikohen si katalanë janë zakonisht dy-gjuhësh, dhe flasin e shkruajnë lirisht edhe spanjishten e Madridit (kastilianishten).

Ky argument nuk është vendimtar, sepse nuk mjafton të flasësh një gjuhë tjetër nga ajo zyrtarja e shtetit “mëmë”, për të pretenduar pavarësinë: pa u larguar nga Spanja, mjaft të kujtojmë galicianishten (galego), e cila flitet nga rreth 4 milion frymë në komunitetin autonom të Galicisë dhe që historikisht e ka nisur jetën si dialekt i portugalishtes; përndryshe, edhe oksitanishten në Francë, ose gjuhën sarde, në Sardenjë; madje kjo e fundit, gjithë duke qenë gjuhë romane e pavarur, mendohet se ka mbetur më e afërt me latinishten “mëmë” se të tjerat motra.

Në çdo rast, kastilianët dhe katalanët nuk e marrin vesh njëri-tjetrin, nëse flasin (ose shkruajnë) secila palë në gjuhën e vet amtare; kjo të paktën teorikisht, sepse përndryshe çdo katalan është i detyruar deri edhe me kushtetutë që ta njohë spanjishten e Madridit – por jo e kundërta.

Shkruan Rama:

Atëherë, si gjysma e katalonjasve dhe shumë krahina mund të shpallnin “Republikat” e tyre nga gjysma e bretonëve e deri tek gjysma e mirditasve me përvojë në këto shpallje republikash, dhe atëherë, ne europianët e tjerë, do të humbnim në labirinthet e kësaj Europe të përçarë me një mori emblemash e flamujsh.

Në fakt, problemi ndoshta duhet shtruar ndryshe: a është Spanja doemos “shtet komb”, apo jo?[1] A duhet identifikuar identiteti i nënshtetasit të Spanjës me identitetin etnik kastilian? Fakti që edhe Katalonja edhe Galicia janë njohur si entitete autonome, nga Madridi, tregon se është normale që të jesh edhe qytetar i Spanjës edhe katalan (ose, gjithsesi, jo kastilian), edhe pse një katalan nuk mund të pretendojë që ta përdorë lirisht dhe aq më pak ekskluzivisht gjuhën e vet jashtë Katalonjës.

Përndryshe, Katalonja është ndoshta krahina e Spanjës ku jetohet më mirë, në çdo pikëpamje (edhe pse rajoni i Madridit ka të ardhura më të larta për frymë); çfarë do ta shfuqizonte menjëherë çdo krahasim me gjendjen e Kosovës në Jugosllavi (ose si krahinë të Serbisë). Siç e kanë vërejtur të tjerë tashmë, ngjashmëritë më shumë duhen kërkuar me lëvizjet autonomiste në Italinë e Veriut – meqë në të dy herët bëhet fjalë për një revoltë “taksapaguesish”. Edhe katalanët, edhe shumë italianë në Lombardi, në Veneto dhe gjetiu në veri, nuk e shohin me vend që të ardhurat e përftuara prej tyre të përdoren, nga qeveritë qendrore, për të kompensuar prapambetjen ose “parazitizmin” e zonave më të prapambetura. Sikurse e provon shembulli i Italisë, gjuha në këtë rast as që vjen në vështrim si argument.

Sërish Luan Rama:

Korifejtë e hershëm të Spanjës së El Grekos dhe Gojas, do të ngriheshin nga varret prej zhurmës së këtyre thirrjeve “fitimtarësh”.

Pak e çuditshme që të përmendet, në këtë kontekst, El Greco-ja, një artist me prejardhje greke (Doménikos Theotokópoulos, nga Kreta, e që shpesh i nënshkruante pikturat e veta duke e shkruar emrin e vet greqisht), që pat studiuar në Venezia me Ticianin, para se të vendosej në Spanjë; ose një provë – do të thoja elokuente – që arti i madh gjithnjë përfiton nga kontaktet ndërkulturore. Në bibliotekën e tij gjeje veprat e autorëve më të mëdhenj të Greqisë klasike dhe të Romës, përveç poezive të Petrarkës, epikës së Ariostos dhe traktate të arkitekturës nga autorët kryesorë të Rilindjes. Nuk më rezulton të ketë pasur gjësendi mirëfilli “kombëtariste” spanjolle, në veprën e tij; sikurse nuk më rezulton që të ketë qenë uniteti kombëtar i Spanjës, që t’ia ketë mundësuar El Greco-s krijimtarinë.

Thjesht, e kam vështirë ta besoj që ky shkrim të ketë ardhur nga ai Luan Rama që njoh.

Përndryshe, them se gjithkush ka të drejtë të ketë një opinion për çfarë ndodh në botë; por për çështje të ndërlikuara, si kjo e Katalonjës, opinionit duhet t’i paraprijë njohja me problemin, rrethanat historike dhe politike dhe aspektet thjesht konstitucionale të tij; çfarë nuk mund të kompensohet nga zelli patriotik dhe efektet anësore të pavarësisë së Kosovës. Në parim, çdo komunitet ka të drejtë të kërkojë vetëvendosje; por krijimi i shteteve të reja kam frikë se nuk mund të reduktohet në një çështje të së drejtave të njeriut. Dhe gjithsesi, që mos harroj tani në fund, katalanishtja është gjuhë e ndryshme nga kastilianishtja (ose ajo që e quajmë spanjishte).

(c) Peizazhe të fjalës


[1] Një diskutim i kësaj çështjeje mund të lexohet këtu.

22 Komente

  1. Do kisha shumë dëshirë që kjo temë të shtjellohen më gjerë këtu në PTF. Për fat të keq, nuk kam ndeshur dot në një shkrim mirëfilli të argumentuar në internetin shqip, çka ma bën të vështirë ta kuptoj situatën e Katalonjes, për sa kohë nuk I kam vetë njohuritë historike, sociologjike, linguistike apo konstitucionale. Në pritje… 🙂

  2. “Edhe katalanët, edhe shumë italianë në Lombardi, në Veneto dhe gjetiu në veri, nuk e shohin me vend që të ardhurat e përftuara prej tyre të përdoren, nga qeveritë qendrore, për të kompensuar prapambetjen ose “parazitizmin” e zonave më të prapambetura.”

    sot keshtu, se para olimpiades se 1992-shit qe te mundte barcelona te perballte peshen ekonomike te lojrave, sakrifikoi me taksa te renda e gjithe spanja. dhe nga lojrat perfitoi pothuajse ekskluzivisht barcelona (dhe si rrjedhim katalonja) e cila u shnderua ne nje qytet modern (shih psh barceloneten e cila para lojrave ishte si keneta e maliqit).

  3. Jane politikanet dhe intelektualet serbe e filoserbe ata qe,meseshumti, kane krahasuar rastin e Katalonjes me ate te Kosoves.E kjo,per te treguar,sipas tyre,”dyfytyresine” e Europes.
    Ajo qe ka dashur te thote Luan Rama,sipas meje,eshte kjo:lidhjet kulturore mes Katalonjes dhe Spanjes jane te atilla qe nuk mund te krahasohen me ato te Kosoves dhe Serbise.Kjo eshte shume e vertete.
    Zotni Vehbiu ben nje autogol kur thote (dhe me te drejte) se kemi te bejme me nje “revolte taksapaguesish”;sepse,eshte po zotni Vehbiu qe ne rastin e debatit per bashkimin Shqiperi-Kosove (te kujtojme qe zoteria eshte nje nder kundershtaret me te zeshem te bashkimit Shqiperi-Kosove) ,argumente te tilla te ngjashme ,qe nga ana e tyre jane edhe argumentet thelbesore,i anashkalon, duke i dhene peshe argumentit kulturor!

    1. Timur, shkruan në lidhje me mua:

      te kujtojme qe zoteria eshte nje nder kundershtaret me te zeshem te bashkimit Shqiperi-Kosove

      meqë ty të kujtohet kjo aq mirë sa kërkon t’ua kujtosh edhe të tjerëve, a më sjell dot, të lutem, ndonjë referencë se ku e paskam kundërshtuar unë në mënyrë kaq “vokale” bashkimin kombëtar, aq sa ta kem merituar këtë etiketë që më vë?

      Kjo që bën ti në komentin më lart është përgojim; dili zot.

      1. I nderuar zotni Vehbiu,nuk e dija se e paskeshit problem t’ju vene ne dukje se jeni shprehur kunder bashkimit te Shqiperise me Kosoven.Nese e keni fjalen vetem per cilesimin “me te zeshem”,po e terheq,megjithese mua keshtu me duket.
        Fjala juaj ka peshe ne opinionin publik ( edhe ju vete, jeni i vetedijshem per kete),prandaj perseritja e qendrimit ndaj ceshtjes se bashkimit kombetar,ka efekt me te madh se e disa publicisteve apo opinionisteve te tjere.
        Nuk me ka shkuar mendja tek referencat ,per kete rast,sepse e mendoja si nje fakt te mireqene dhe te pranuar ,ne radhe ta pare,nga zoteria juaj.

        1. Do të të lutesha që ta ndryshoje, tash e tutje, atë çfarë merr për të mirëqenë dhe të pranuar për këtë çështje në sa vijon:

          Të kujtojmë që zotëria nuk është treguar nga përkrahësit më të zëshëm të bashkimit Shqipëri-Kosovë

          Dhe, në shenjë konfirmimi që jemi marrë vesh, do ta bëj unë vetë këtë korrigjim në komentin tënd të mëparshëm, duke supozuar – se edhe unë kam të drejtë të supozoj – se e kam siguruar tashmë autorizimin prej teje për të ndërhyrë.

    2. Timur, une nuk e di c’mendim ka Ardiani per bashkimin e Kosoves dhe Shqiperise dhe as me intereson! Por me intereson kjo aktakuze qe ti po hedh ketu dhe qe e sheh edhe ne vende te tjera ne Internet ne lidhje me kete ceshtje! Pasi duket se ata qe shprehen kundra ketij bashkimi, duken sikur jane tradhetare, sikur jane kundra panvarsise se Kosoves, sikur jane perjetsisht kundra bashkimit te shqiptarve te kosoves dhe atyre te Shqiperise (tek kjo e fundit perfshihet nje game e gjere opsionesh). Pra i bie qe keta njerez te gjykohen!..
      Une vete kam qene dhe jam kundra ketoij bashkimi, biles per momentim jam edhe kundra perhapjes se ketyre tezave “patriotike”, qe (per mua) dalin nga zyrat e nacionalisteve serbe. Te flasesh tani per bashkim, ne kete kohe kur Kosova nuk eshte akoma de jure shtet i pavarur (i njohur nga OKB-ja), kjo do te thote t’ia firmosesh ti vete serbit aktin e sulmit mbi Shqiperine, per ta bere edhe kete cop vend lesh e li.
      Po dhe keq nuk u ka rene ketyre lloj patrioteve (nga Kosova kryesisht) qe flasin per bashkim, sepse pashaporten shqiptare e kane marre, shtepi ne shqiperi kane blere, nga Shkodra e deri ne Sarande), biznese bejne, etj.-etj. perfitime materiale kane gjetur, kudo, ne Kosove, perendim, Shqiperi. Pse te mos luajne karten e patriotit keta lloj njerzish!?

      1. r.th.
        Une e kam fjalen per bashkimin ne PARIM.E kam fjalen per ata intelektuale te Shqiperise,qe jane kunder bashkimit ne PARIM.
        Jo per kohen se kur.Bile,edhe une vete,nuk jam per ndonje bashkim tani per tani.Bile,bile jam per nje bashkim,qe te jete ne harmoni te plote me vullnetin,jo vetem te fuqive perendimore,por edhe te fqinjeve tane.Pra,nuk jam per ate bashkimin klasik,per te cilin foli para dy vitesh nga Mali i Zi, Kryeministri Rama.
        Shqetesimi im nuk ka te beje pra,me kohen dhe modalitetet,por me mosdeshiren te ndoca intelektualeve te Shqiperise,te majte dhe kryesisht (me duhet ta them edhe kete,sepse keshtu eshte) nga/ose me origjine nga jugu i Shqiperise.
        Keta zoterinj te nderuar nuk perfillin asnje nga argumentet thelbesore,sic jane ato ekonomike,gjepolitike,diplomatike dhe ushtarake po te doni;por kapen pas te vetmit argument,qe ne nje rast tjeter,vete keta intelektuale te nderuar,do te ishin tallur me te: me argumentin kulturor!
        Do te ishin tallur,sepse si te majte dhe kozmopolite qe thone se jane,keta jane ne parim kunder perdorimit te argumenteve te tilla!
        Jam perpjekur ne menyra te ndryshme te zbuloj arsyen e ketij qendrimi por,meqe te gjitha keto “perpjekje” me kane cuar tek ajo “arsyeja” vecanerisht banale,sic eshte ajo e krahinorizmit, mundohem t’i mbush mendjen vetes se nuk mund ta gjej dot!
        Sepse,a nuk eshte per te vene duart ne koke qe intelektuale,disa nga ata me te vertete te dalluar,te kene paragjykime te tilla krahinore?!

        1. Politikanet shqiptare nuk i merr kerrkush si argument, aq me pak ne rastin e kosoves, fatin e te ciles e ndajne kryesisht fuqite e medha! Biles fat i madh qe Shqiperia ka ndenjur paksa e menjanuar gjate 80-90 vjeteve te fundit ne lidhje me problemin e kosovarve shqiptare, pasi keshtu ia ka lene serbise perhere rolin e aktorit aktiv, pra edhe ate te trazovacit, per te cilin Serbia paguan sot. Shqiptaret duhet te mos bien pre e provokimeve banale e te mos proklamojne patriotizma bufonike, pasi ne kohet e sotme te telekomunikacionit mund te fitojne pike vetem me dije dhe kulture. Musklat duhen perdorur vetem ralle e per raste specifike.
          (Persa i perket faktit qe permend me siper mbi rolin e disa politikanve shq. te majte nga jugu, nuk di c’te them, sepse (as)pak i ndjek lajmet se cfare thote njeri e tjetri, pra nuk kam njohuri fare, ndaj dhe s’mund te komentoj.)

        2. Kam rastisur njëherë të jem brenda një laboratori biokimik, ku analizoheshin mostrat e gjakut, të cilat ishin vendosur në një centrifugë të vogël që rrotullohej me shpejtësi. Pas pak çastesh, në provëzat e gatitura për analizë shihej qartë plazma dhe përbërësit e tjerë më të rëndë të gjakut, të dekantuar në saj të veprimit të forcës centripetale.

          Në sferën e marrëdhenieve midis shteteve europiane, forca centripetale (klubi i xhentëlmenëve që vendos për të gjithë) duam apo s’duam, bashkon më fort ato që janë të njëjta dhe i ndan ato që janë të ndryshme. Kosova dhe Shqipëria nëse nuk do të dinë të shfrytëzojnë tani këto rryma që bashkojnë e ndajnë, rrezikojnë të mbeten si një kallo e dhimbshme për rajonin dhe vetë Europën.

          Fernando Betancor (ekonomist amerikan që jeton në Madrid), e shikon ëndrrën Europiane të kërcënuar nga ndodhitë e Katalonjës: https://www.socialeurope.eu/catalonia-death-european-dream

          Në artikull, sikundër edhe në diskutime të tjera, më ka habitur gjithmonë lehtësia me të cilën hiqen paralele krahasuese midis SHBA dhe BE.

  4. Katalonia nuk mund te krahasohet me rastin e Kosoves, ani pse ne disa pika ka ngjashmeri.
    Spanja, qysh ne kohen e Frankos, ka ushqyer nje politike nacionale diskriminuese ndaj entiteteve tjera, ne vecanti ndaj baskeve dhe katalonasve. Pas vdekjes se Frankos, Katalonia u be njesi autonome, duke pretenduar qe me e zgjeru me tej autonomine e vet.
    Fakt, eshte se Partia Socialiste Spanjolle kishte me shume tolerance ndaj entiteteve tjera dhe pas vitit 2000 e tutje nis bisedimet me katalonasit per me shume autonomi, gje qe solli deri te ndryshimet kushtetuese, ku katalonasit perkufizoheshin si komb.
    Me ardhjen ne pushtet te krahut konzervatov me ne krye kryeministrin Rahoi, atehere keto ndryshime kushtetuese u ndalen dhe permes proceseve gjyqesore u shfuqizuan…. Pra, katalonasit, donin vetem qe e drejta e tyre te quheshin komb te sanksionohej me kushtetute dhe as sot nuk e besoj qe jane per ndryshim kufijsh dhe pikerisht me qeverine konservatore spanjolle ne kete pike u thyen heshtat.
    Katalonia eshte sprove per Bashkimin Evropian.
    Nese nuk e trajton si mundesi te decentralizimit te metejshem, atehere per BE-ne, vertet nuk ka te ardhme….

  5. Kur Luan Rama shkruan se katalanët janë si gjithe spanjollet e tjere të Spanjes, ndofta ka parasysh faktin me të cilin bien dakort të gjithe demografët: Katalonja, me nje popullsi rreth 7.5 miljone banoresh nuk numëron më teper se 2.5 miljone katalanë “puro”. Të tjeret janë katalano-spanjolle ose “puro” spanjolle.
    Nuk i kane bere fort mirë hesapet indipendentistet katalane. Nuk ka vetem hesape ekonomike në kete bote. Ka dhe demografike (e nuk po flas për hesape social-politike!!)

    1. Skocezet nuk flasin fare gjuhen e tyre por anglisht, kjo nuk i ben angleze puro apo skocezo-angleze. Nga ana tjeter mbi 1 milion jane emigrante qe flasin spanjisht se ajo eshte gjuha zyrtare, do u marrin doren emigranteve katalanasit. Demografet jane ata qe bejne rremujen me te madhe ne rajone te nxehta.
      Por mesa duket qeveria spanjolle nuk ua ka shume besen ketyre demografeve qe permend, perderisa nderhyri me dhune qe te prishte referendumin, apo kur nuk ia tregon qejfin pakices katalanase duke organizuar nje referendum te ri, keshtu t’u thyejne hundet me voten popullore.:D

      1. Patjeter qe do u marrin doren “emigranteve” sepse nuk janë emigrante, por në shtepine e tyre. Apo spastrim etnik ENDE pa u njohur as edhe nga nje shtet i vetem??
        Ky nuk ishte referendumi i parë i indipendentisteve, por i treti. Dhe i fundit, me ç’duken gjasat

        1. Spanja ka 6 milione emigrante, nga te cilet mbi 1 milion jane ne Katalonje. Emigrantit nuk ia merr njeri doren, sepse emigranti nuk voton per zgjidhjet politike, pse u dashka marre mendimi i tyre per nje akt si Pavaresia, kur deri tani ne Spanje nuk mund te thone dot asgje as per punesimin e nje pastrueseje ne administraten shteterore ? Del si pa kuptim apo jo ?
          Referendumin le ta beje shteti spanjoll, meqenese i paska numrat kunder pavaresise. Nga ana tjeter e detit, ne Korsike u be nje referendum para disa vjetesh, qe u humb 51:49, ne Skoci vjet u humb referendumi, çfare paska kaq anormale ne Katalonje ?

          Persa na perket ne shqiptareve, duhet te kemi parasysh se Spanja nuk e ka njohur pavaresine e Kosoves, keshtu qe parimi i reciprocitetit do te kerkonte te ishim pro-Pavaresise se Katalonjes, pak a shume keshtu, ti si Spanje je proserbe ne si shqiptare jemi prokatalane.
          Ky eshte i vetmi qendrim qe duhet mbajtur ne rast se hapim gojen, perndryshe mund te bejme sikur nuk ekziston fare Katalonja, se ne fund te fundit nuk eshte se s’po na ze gjumi ne lidhje me ngjarjet atje.
          Ne fakt kemi disa lidhje tregtare me Spanjen persa i perket fasonerise me duket, mund edhe te shihet interesi tregtar ne mbajtjen e qendrimit.
          Por qe ne te mbajme qendrim kunder Pavaresise se Katalonjes, nuk ka fare asnje argument, perpos argumentit te pashallareve shqiptare para 2 shekujsh, kur per llogari te shtetit osman, derguan ushtare per te shtypur kryengritjet serbe e greke. Kesaj radhe nuk jemi as brenda Perandorise, po ca gjera i bejme edhe gratis mesa duket. Popull reaksionar do te thoshin komunistet.

          1. E vura në thonjeza fjalen ’emigrant’, ok? E thashe qe në krye të heres: nga 7.5 miljone banore, vetem 2.5 miljone maksimumi e ndiejne veten katalanë, të tjeret janë të perzier ose aspak katalane. Shto qe Barcelona eshte qyteti më kozmopolit i BE.
            Kot lodhesh, nuk të lexoj, ti shkruan çarcafe :))

  6. Besoj se do te kishte vend edhe nje permendje qe Alfonsi i Aragones dhe Napolit fliste katalanisht apo katalançe apo qe hispaniket e pare qe njohim jane pikerisht katalanet e komanduar nga Katallani.
    Shteti spanjoll lindi si nje bashkim mes kurorave te Kastiljes dhe te Aragones, ne vija te trasha mes elitave qe flisnin kastiljançe/spanjisht dhe atyre qe flisnin katalanisht, meqe aragonishtja dhe katalanishtja mbahen si e njejta gjuhe ose dialekte te se njejtes gjuhe.

    Natyrisht kjo marreveshje historike mes katalaneve dhe kastiljaneve si dy etnite kryesore numerikisht, por edhe shtetet me te fuqishme ne Spanje, duket qartazi qe eshte shkelur me kalimin e shekujve, keshtu katalanet kaluan nga bashkepronare te shtetit ne qiraxhinj. Si te kalonin psh (pseudo-)frankofonet zvicerane ne qiraxhinj te gjermaneve te Zvicres e jo ne bashkepronare.

    Krahasimi me Kosoven mund te behet thjesht ne parim, vetevendosja e popujve, por pertej kesaj s’ka me asnje ngjashmeri. Kosova nuk pranoi te bashkohej me Serbine, as ka pasur ndonjehere bashkejetese paqesore, gjithe kohes ka qene gjendje e ndere, plas sot, plas neser.

    Nga ana tjeter, rasti katalanas nuk eshte ”klasik” si i Kosoves. Shqiptaret dhe serbet jane dy etni diametralisht te kunderta, rastet e ketilla jane klasiket, ndersa katalanet dhe kastiljanet i perkasin se njejtes ”bote latine”, bote ku etni te ndryshme neolatine jane bashkuar ne kufijte gjeografike, duke dhene 3 shtetet e medha, France, Itali e Spanje, me Portugaline e cila u gelltit nga Spanja ne 1580, por i shpetoi rregullit gjeografik, si pasoje e nderhyrjeve te shteteve te tjera europiane qe ishin te tmerruara nga nje Spanje qe perfshinte brenda kufijve edhe Portugaline (rifitoi pavaresine 60 vjet me vone, 1640).

    Me rastin katalanas krijohet nje preçedent ne boten latine, qe mund te sjelle humbje te shume krahinave nga ana e Italise dhe Frances, por edhe te vete Spanjes, ku in primis jane galicianet qe jane portugeze, por edhe andaluzet mund te pretendojne shtetin e tyre.

    Une vete nuk shoh ndonje te keqe qe katalanet, aragonezet e valencianet te rikrijojne shtetin e tyre si ne kohen e Alfonsit dhe Ferdinandit apo qe galicianet te bashkohen me Portugaline, meqe vete portugezet vijne nga Galicia, dmth eshte rajoni i tyre i origjines. Spanja do te sillet si nje shtet monoetnik, me pushtet te perqendruar, ne nje kohe qe i takon modelit zviceran.
    Por ama nje populli nuk i falet pavaresia, duhet ta meritoje, te beje pjesen e vet. Katalanet nuk jane as ne faze federale si skocezet apo si ishin popujt jugosllave, sovjetike e çekosllovake, Qe te arrije ne nje faze pavaresie me referendum i duhet nje faze me e avancuar e autonomise rajonale, me mire akoma njohja si shtet federal.

    Mendoj se nqs katalanet nuk jane te vendosur dhe nuk i kane mjetet (gjenerale me reparte katalanase te ushtrise aktuale spanjolle) atehere maksimumi qe mund te marrin eshte nje forme federale me shprese per nje shkeputje te ardhshme me ane te referendumit.

    Nderkaq sjellja e Europes si BE eshte sjellje tipike perandorake dhe imperialiste, gje qe konfirmohet serisht pas simpatise qe ngjallen skocezet ne Europen post-Brexit, me pak fjale simpati per nacionalistet skoceze proeuropiane dhe sulm ndaj nacionalisteve katalanas.
    Europa beri figure shume te keqe, sidomos gjermanet, te cilet mund ta qepnin fare mire gojen, perderisa popujt europiane simpatizuan per bashkimin e Gjermanive ne 1990.

  7. E c’te keqe ka se Katalonja mbajti nje referendum per panvarsi? Demtoi demokracine dhe lirite e njerezve? Jo! E c’do te ndodhe nese Katalonja e shpall (apo u be) e pavarur? Do iki ne Afrike? Jo! E cfar pastaj se ne Europe do te kerkojne edhe krahina te tjera panvarsi dhe do te krijohen edhe disa shtete te tjera? Do te lidhen ato me Kinen dhe do te sjellin ushtaret kineze ne Europe? Jo!
    Asgje nuk do te ndodhe! Atehere? Le te behen 50, 100 shtete europine! Marrdheniet ekonomike po ato do te vazhdojne! Vetem do rinisin pas pak javesh, e shumta disa muajsh, kerkesat e reja per hyrje ne EU! Jeta do te vazhdoje si me pare, pervec shtimit te teknokracise dhe burokracise, te cilat do te pakesohen serish me pas!
    Nuk e kuptoj se pse dhe sot e kesaj dite shqiptaret mbesin ne shumice te tyre idiote dhe mercenare, servile dhe bythlepires, njerez pa ide dhe ideale, makuter dhe kriminele -gje qe kujtojne se i mbulojne permes mburrjeve si trimosha!? Dhe ja ku kane perfunduar sot, e do te kishin perfunduar me keq, po t’mos i kish ndihmuar Europa (perendimore)!

    1. Shkruan Z. Vehbiu:
      “…askujt nuk i bëhet vonë se ç’mendojnë shqiptarët, të ditur e të paditur, për këtë punë. Përveç ndoshta neve vetë, që nuk njohim shumëçka nga Europa, dasitë e saj dhe prirjet edhe njësuese edhe qendërikëse dhe motivet historike dhe kulturore të lëvizjeve politike.”

      Duke vijuar optikën e shkrimit, le ta lëmë për një çast dritaren e të dalim në ballkon për të kundruar Europën e sotme, me sprovat dhe pasiguritë e saj. Nëse i lejojmë vetes shijimin e një kapuçinoje nga shtëpia (në vend të kafesë me pak 🙂 mund t’i hedhim sytë nga Italia fqinjë, nga ku kanë dalë ideologët e parë që mpiksën idenë e Europës së Bashkuar për të kuptuar se cili ishte motivi dhe forcat lëvizëse fillestare drejt bashkimit.

      Idetë e para për një Europë të bashkuar i takojnë Giuseppe Mazzinit, një politikan, gazetar dhe aktivist i cili punoi për unifikimin e Italisë së shekullit të 19-të (që dihet se ishte e ndarë atëherë në disa shtete të sunduara kryesisht nga fuqi të huaja). Republikan në ide dhe besimfortë në Zot, për Mazzinin Atdheu ishte “shtëpia ku na ka vendosur Zoti, bashkë me vëllezërit e motrat, me të cilët na lidh gjaku, besimi, historia dhe gjuha.” Ndër të gjitha këto nyje përbashkuese, ai e konsideronte elementin fetar si universal e të pavdekshëm (edhe pse herë pas here nuk i kishte fort mirë punët me Kishën Katolike).

      I soditur nga distanca e viteve dhe e zhvillimeve që e pasuan, duket se koncepti Mazzinist kishte si pikë nevralgjike dhe motivuese për veprim, besimin në Zot, që përbën në fakt, nënshtresën e mendimit politik të republikanëve të dikurshëm dhe të sotshëm. Mazzini ishte i pari që hodhi idenë e “Shteteve të Bashkuara të Europës” duke e paraqitur këtë bashkim si një vazhdim logjik të unifikimit të Italisë së çliruar nga ndërhyrjet e huaja.
      Sot flasim për Bashkimin Europian dhe jo për Shtetet e Bashkuara të Europës, duke i mëshuar edhe për nga vetë formulimi gjuhësor një koncepti qendëriks në modelin e arsyetimit të bashkëekzistencës.
      Kryesisht për shkak të konfigurimit politik (pa harruar gjithashtu zbehjen e faktorit besim), Europa e sotme duket se ka përqafuar një qasje të ndryshme nga ajo e Mazzinit, atë të një italiani tjetër, aktivistit komunist Altiero Spinelli, emrin e të cilit mban ndërtesa e Parlamentit Europian në Bruksel.

      Produkti i këtyre mendimtarëve duhet parë në kontekstin historik, duke mbajtur parasysh faktin që disa nga idetë e Mazzinit u shfrytëzuan nga deliri Musolinian, ndërsa Spinelli që në moshë të re ishte kundërshtar i Partisë Nacionale Fashiste të Musolinit e u burgos për 10 vjet për shkak të qëndrimeve të tij radikale komuniste. Në “Ventotene Manifesto” (shkruar prej tij së bashku me Ernesto Rossin, në letra cigaresh brenda qelive të burgut në prag të L2B), ai argumentonte se nëse përpjekja kundër forcave fashiste do të fitonte, do të ishte e kotë të synohej ringritja e sistemit të vjetër Europian që bazohej mbi ndryshimin e aleancave të shtete-kombeve. Kjo sipas tij do të shpinte përsëri në luftë. Përndryshe, ai propozonte krijimin e një federate Europiane nga forcat demokratike, pas luftës.

      Është interesante të vëresh (nga ballkoni ku po rrimë për pak) sesi liderët europianë të sotshëm janë së bashku në homazhet pranë varrit ku prehet Spinelli dhe po ashtu gjatë kremtimit për hapjen e tunelit Gotthard në Zvicër, në një shfaqje ku u panë elementë që disa i quajtën paganë e të tjerë mitologjik/folklorik. Në këtë Quo Vadis Europiane duket se besimi ka gjithaq rolin e vet, duke shërbyer si tutkall për konstruktin ndërshtetëror. Çështja është ajo që ka qenë gjithmonë: Të besojmë? Ku? Në Zot, apo para?

      Prirjet e kohëve të fundit për formimin e shteteve të reja, si në rastin e Katalonjës, (pavarësisht dramacitetit dhe pamundësisë së momentit për shkak ndoshta të mungesës së ideve dhe jo të gjeneralëve) i ngjajnë atij procesit të përzgjedhjes së një imazhi fotografik me sa më shumë pixel, në vend të një amullie të përbashkët që s’di pse më duket njëtrajtmërisht gri.

      1. Europa si BE ka dale nga zyra e Shumanit, si projekt imperialist freng me miratimin gjerman dhe ne ate rruge po vazhdon, ose me mire projekti tashme eshte gjerman me miratimin freng. Shkeputja e Katalonjes nuk i prish asgje Europes, aq me teper kur nje Europe e Bashkuar kalon pikerisht nga decentralizimi i pushtetit.

        Nje Europe e te barabarteve jo vetem qe kerkon prej seciles etni te kete hapesiren e vet shteterore, por edhe shperberjen e shtet-kombeve te medha. Gjermania psh ne funksion te decentralizimit duhet te shperbehet ne landet perkatese ose ne rajone edhe me te vogla. Franca po ashtu duhet te shperbehet ne shume rajone, Italia e Spanja duhet te ndjekin po te njejten rruge decentralizimi.

        Shqiperine e ”ndane” ne 61 bashki ne funksion te decentralizimit dhe supozohet mireqeverisjes, Amerika ka 50 shtete federale, Europa mund te kete fare mire 100 rajone nga mesatarisht 4-5 milione banore.

        Perndryshe nje Europe qe mban edhe Gjermanine me 80 milione edhe Sllovenine me 2 milione, normal qe eshte nje entitet i çekuilibruar dhe s’ka fare shanse te dale jashte logjikes se forces.

        Ne rastin katalanas po pervijohet pikerisht Europa si burgu i popujve. Ne kete kuptim jo vetem shqiptaret qe s’i pyet njeri, po s’pyet njeri as hollandezet, as çeket e asnje nga popujt e parendesishem brenda BE-se, sepse eshte klubi i te medhenjve.

  8. Problemi i Katalonjës me Spanjën nuk duket aq i komplikuar sa për të mos u zgjidhur dot paqësisht – nëse të dyja palët arrijnë të lenë mënjanë emocionet, sigurisht – ashtu si dhe u takon t’i zgjidhin këto lloj problemesh shoqëritë e civilizuara dhe të pasura, nga njerëz që as urrehen, as kanë luftuar kundër njeri-tjetrit.

    Kërkesat e katalanasve – respektimi i gjuhës, kulturës dhe identitetit katalanas, më shumë kompetenca për qeverinë lokale nga qeveria qëndrore (decentralizim) dhe mosdiskriminim në shpërndarjen e të ardhurave fiskale – janë të tilla që mund të plotësohen brenda modeleve ekzistuese, që zbatohen në vende të tjera të Evropës: modeli i autonomisë së zgjeruar, i llojit të Tirolit të Jugut, ose ai i konfederatës, siç është Zvicra.

    Kërkesa dhe më pas referendumi për pavarësi erdhën vetëm pasi Madridi refuzoi zgjerimin e autonomisë të kërkuar më parë nga qeveria dhe parlamenti katalanas. Po ashtu nuk është e sigurt që shumica e katalanasve janë për pavarësinë, nisur nga pjesëmarrja e ulët në referendumet e viteve të fundit. Shanset për mirëkuptim duket se janë aty, por duhet vullnet për kompromis nga të dyja palët, sidomos nga qeveria qëndrore. Me dajak policor dhe urdhëra arresti arrin vetëm të kundërtën.

    (Vetëm kështu së jashtmi, pa pretenduar që e njoh historinë e Katalonjës dhe detajet e marrëdhënies me shtetin spanjoll…)

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: