Reklama

ARBËRESHËT – ÇËSHTJE TË HAPURA

Kur e bashkëndava në Facebook shkrimin tim të mëparshëm, Mendime për historinë e dialekteve të shqipes, një koleg më pyeti se si mund të zbatohej arsyetimi im, në rastin e greqishtes. Iu përgjigja se e njoh fare pak dialektologjinë greke, sikurse e njoh fare pak greqishten vetë. Historia e greqishtes është histori e ndërveprimit të territorit me traditën letrare (dhe liturgjike); dhe sa për dialektet gjeografike të greqishtes moderne, këto u regjistruan vonë, pas mesit të shekullit XIX, praktikisht në një kohë me ato të shqipes, dhe nuk dihet mirë evolucioni i tyre në shekuj. Mendohet, megjithatë (këtu po citoj burime standard) se dialektet e greqishtes së sotme, me përjashtim të cakonishtes, rrjedhin nga greqishtja e koinesë dhe nuk kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me dialektet e greqishtes së vjetër. Dialektologjia greke dallon mes dialekteve të mirëfillta (cakonishtja, pontishtja, kapadokishtja) dhe idiomave (rumelishtja, epirotishtja, thesalishtja, peloponezishtja, greqishtja e Qipros), që kanë dallime më të buta mes tyre. Nga këto vetëm cakonishtja është e pakuptueshme nga folësit e tjerë të greqishtes dhe mund të konsiderohet si gjuhë më vete.

Duke qenë greqishtja e shpërndarë në Mesdhe, edhe në vise krejt të izoluara nga vise të tjera ku flitet greqisht, pra në “ishuj”, nuk është e lehtë për dialektologun që t’i përfshijë këto në modelet dialektologjike klasike, ku dialektet ndajnë mes tyre një vijueshmëri territoriale, madje me kufij shumë të butë (të folmet kalimtare, etj.). Kjo edhe pa marrë fare parasysh ndikimin homogjenizues të gjuhës së shkruar, koinesë, greqishtes liturgjike dhe greqishtes së administratës, i cili ka vepruar në shekuj. Për shqipen – sepse këtu e kemi fokusin – problemi lind kur i duhet gjetur një vend, në hartat dialektore, të folmeve të arbërorëve në Greqi dhe të arbëreshëve në Itali, të cilat janë të rrethuara, në të dy rastet, nga gjuhë të tjera. Është vënë re prej kohësh që arbërishtja – po e quaj kështu edhe atë të Greqisë, edhe atë të Italisë – i përket tipologjikisht toskërishtes jugore, duke qenë madje më e afërt me çamërishten; sikurse është vënë re se marrëdhëniet mes të folmeve arbëreshe nuk janë si ato mes të folmeve të një dialekti a nëndialekti; dhe kjo kryesisht sepse kemi të bëjmë me ngulime të shpërndara si arkipelag në territore ku flitet italishtja; pra fshatrat arbëreshe nuk kanë qenë dhe aq më pak janë në kontakt mes tyre si fshatrat ku flitet një nëndialekt ose e folme, në trojet e shqipes në Ballkan.

Të folmet arbëreshe nuk janë ndriçuar mirë edhe nga pikëpamja diakronike – sepse nuk është gjetur dot me saktësi se nga janë shpërngulur pikërisht bartësit e tyre, me ndonjë përjashtim (p.sh. Arbëneshi në Borgo Erizzo (Zara), Dalmaci, Villa Badessa në Abruzzo, etj.); edhe pse Shqipëria e Jugut mbahet si zona më me gjasë për vendburim.[1] Kjo veç duhet pajtuar pastaj me legjendën e themelimit të këtyre ngulimeve, e cila i paraqet si pasoja të luftërave anti-osmane dhe pushtimit të Arbërisë nga osmanët; meqë këto luftëra janë kryer në masë të madhe në Veri të Shqipërisë, ose në zona ku pritej të flitej gegnishtja, në një kohë kur gjurmët e gegnishtes, në të folmet arbëreshe, janë sporadike[2]. Ndoshta ata arbër që flisnin gegnisht u larguan drejt Venedikut dhe porteve të tjera italiane të Adriatikut, ku edhe u asimiluan shpejt, për shkak të njëjtësisë në fe. Shto pastaj edhe se të folmet arbëreshe, si në Greqi ashtu edhe në Itali, kanë marrë shumë greqizma me gjasë nëpërmjet kontaktit (por jo ekskluzivisht), të cilat do të shpjegohen me marrëdhënie të ngushta me popullsi greqisht-folëse, çfarë sërish do të duhej përjashtuar, nëse shpërngulja do të kish ndodhur nga Arbëria, sidomos ajo e periudhës së Skënderbeut dhe menjëherë më pas. Qarkullon edhe një legjendë tjetër, pak a shumë e mbështetur, se një numër i madh arbëreshësh janë shpërngulur në Itali nga zotërimet e Venedikut në Peloponez (koronejtë, etj.), pasi këto ranë në duart e osmanëve, çfarë edhe do të shpjegonte shkallën e “greqizimit” në leksikun e tyre: këta kanë qenë arbëreshë të Greqisë, si të thuash, para se të bëheshin arbëreshë të Italisë. Në çdo rast, tiparet gjuhësore të së folmeve arbëreshe në Itali mund të shërbejnë dhe kanë shërbyer për të rindërtuar forma më të vjetra të shqipes, por nuk duket se ndihmojnë shumë për të kuptuar strukturën dialektore të shqipes ballkanike, gjatë shekujve XV-XVI; dhe as për të ndërtuar historinë e shpërnguljes së banorëve – përveçse po të jemi gati të pranojmë se toskërishtja jugore sot e Labërisë dhe e Çamërisë, flitej në atë periudhë deri lart, në Krujë e në Mat.

Çabej[3] vëren se “tradita gojore në Shqipëri, në krahina të ndryshme të veriut dhe të jugut, ruan kujtimin e shpërnguljeve lokale të hershme për në Itali; kështu në Lumë e në Mat, në anët e Krujës e të Kavajës, në anët e Vlorës e në vise të ndryshme të Bregut të Detit me hinterlandin e tij dhe gjetkë”[4], për të vazhduar pastaj se “po të pyesim ndërkaq se cila është treva prej nga u shkulën pjesa më e madhe e banorëve që zunë vend në krahinat e ndryshme të Italisë Jugore e të Siqelisë, aty, pa hyrë ne këtu në hollësira, rezulton se masa dërmuese e themeluesve të ngulimeve arbëreshe rrjedh prej bregdetit, ç’mban afërsisht prej anëve të Vlorës gjer në anët e Prevezës në Çamëri dhe prej hinterlandit përkatës[5].” Kjo e bën problematike legjendën se arbëreshët e Italisë u bartën atje për t’i shpëtuar luftërave të periudhës së Skënderbeut dhe pushtimit osman. Çabej pastaj vazhdon: “ka indice, historike, gjuhësore e të tjera, të cilat dëshmojnë se elementit arbëresh të Italisë në prag të kohës së re erdhi e iu shtua edhe një komponente ardhësish të ikur prej Greqie, veçanërisht prej Moreje.”

Çabej vëren, më në fund, se ndërsa arbërishtja e Italisë pasqyron një toskërishte në thelb jugperëndimore, të një faze më të vjetër, me tipare të përbashkëta me shqipen e Greqisë, ajo flitet në “ishuj” gjuhësorë, ku mund të ketë pasur, madje do të ketë pasur, edhe “vendosje ardhësish me rrjedhë prej visesh të ndryshme në një ngulim të përbashkët”, çfarë do të thotë se “arbërishtja e Italisë jo vetëm u bart prej tejdetit, por edhe u formua në trojet e reja”, duke krijuar një farë njësie në mjedis të dialekteve të shqipes. Këtu është për t’u mbajtur parasysh edhe që afria gjeografike e dy katundeve arbëreshe nuk përkthehet detyrimisht në afri gjuhësore: ngulimet janë ishuj gjuhësorë jo vetëm në raport me dialektet e italishtes që fliten përreth, por edhe në raport me njëri-tjetrin.[6]

Çabej ndalet edhe në vlerën që kanë dëshmitë nga onomastika – emrat e njerëzve dhe të familjeve, emrat e vendeve në gjeografi dhe në folklor, etj., – për të përcaktuar zonat e origjinës së ngulimeve arbëreshe. Ndërkohë, thotë ai, “prej fushës së etnografisë, nga objektet e kulturës materiale, siç janë orenditë shtëpiake dhe kostumet e grave, nga sa e njohim ne materialin, nuk ka gjë që mund të shtihej me dobi në punë” për të ndriçuar çështjen e prejardhjes. Nga ana tjetër, “kumtet me burim prej Shqipërie” flasin për shpërngulje arbrish drejt brigjeve të Italisë përballë, si në Puglia ose në Le Marche – por këto ngulime janë zhdukur më pas; si edhe ato të Puglia-s përballë brigjeve të Arbërisë, që janë asimiluar herët, me gjasë pse kanë qenë në zona fushore.

Për emrat e njerëzve, mbiemrat dhe emrat e familjeve, ky autor shënon se “familjet e ardhura rishtas, sidomos në popullsinë katundare, si emër të vetin mbajnë emrin e pandryshuar të vendburimit të tyre, ose ua ngjit këtë emër rrethi i ri ku kanë zënë vend. Nga një shoshitje e emrave familjare arbëreshe e kryer nga kjo pikëpamje, shihet se një pjesë e mirë e tyre na shpie në trevën ç’merr prej Vlore e gjer lart në Prevezë në Epir, bashkë me hinterlandin përkatës, një trevë ku këto emra na dalin si emra vendesh”, çfarë konfirmon, vazhdon ai, se “një pjesë bukur e madhe e elementit shqiptar që u shkul për Itali e ka vatrën e vendburimin e saj në trevën e përcaktuar të Shqipërisë Jugore.” Megjithatë, na duket me rëndësi të madhe pohimi në vazhdim, i të njëjtit autor, që i referohet përfundimeve të studiuesit K. Sathas: “Shumica e emrave familjare të arbëreshëvet t’Italisë (Bala, Basta, Borsci, Borscia, Carnesi, Dara, Dorsa, Lala, Licursi, Loes, Manes, Nasaracchia, Matranga, Petta, Schiada, Sciales, Scura, Suli, Variboba, etj.)… na shfaqen edhe nëpër krahina të ndryshme të Moresë, si emra vendesh që kanë qenë shqiptare dikur ose që janë edhe sot e kësaj dite; emra qytetesh e katundesh të Moresë, si Nauplia, Koron, Mothon, Misistrá, na dalin edhe nëpër këngët popullore të arbëreshëvet t’Italisë… Në këto rrethana shtrohet pyetja: Bartësit e këtyre emrave familjare a erdhën në Itali prej atdheut mëmë, prej Shqipërisë, apo prej Moreje? Përgjigjja për këtë është e vështirë” dhe, “Visari i emrave topike e familjare, që kanë të përbashkët elementi shqiptar i Greqisë dhe i Italisë, në thelb, e kanë burimin tek e njëjta vatër, në trevën e atdheut mëmë që u përkufizua më sipër.”

Prejardhjen e arbëreshëve të Italisë e ka trajtuar, nga shumë anë, edhe Arshi Pipa në monografinë Ethosi dhe ethnosi në traditën letrare arbëreshe, edhe pse më shumë në funksion të një arkeologjie të asaj letërsie. Natyrën e tipareve kulturore të atyre ngulimeve, Pipa e sheh si një kombinim të kulturës bizantine të shprehur përmes ndikimit të ritit ortodoks, të kulturës shqipe të rrënjosur në origjinën etnike dhe gjuhësore dhe të kulturës së Italisë së Jugut, si vendi pritës gjeografik. Thotë ai autor: “Nuk është e rastit që pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve u ngulën në atë pjesë të Italisë Jugore (Basilicata dhe Calabria) që në Mesjetë përbënte Italinë bizantine, cila përputhet pothuajse pikërisht me Magna Graecia […] Letërsia arbëreshe është në tërësi vepër e shkrimtarëve arbëreshë bizantinë.”[7]

Pipa vëren se “shqiptaro-sicilianët janë në shumicë të origjinës Epiro-moreote (shqiptarë nga Moreja), ndërsa arbëreshët e kontinentit janë rezultat i një përzierjeje ndërmjet të parëve dhe të dëbuarve nga vendi amë.” Këtë e provon, gjithnjë sipas tij, edhe fakti që saga e Skënderbeut është ruajtur nga të dytët, ndërsa “mungon në mënyrë të dukshme në traditën gojore të shqiptarëve të Sicilisë.[8]

Në çdo rast, objekti i hulumtimeve të Pipës te kjo monografi është tradita letrare arbëreshe; çfarë edhe e shtyn të hetojë natyrën gjuhësore dhe onomastikën në këngët popullore, në Rapsoditë e mbledhura nga De Rada dhe të botuara në 1866 nën titullin “Rapsodie d’un poema albanese, raccolte nelle colonie del Napoletano, tradotte da Girolamo De Rada e per cura di lui e di Niccolò Jeno De’Coronei”[9] dhe pastaj në tekstet letrare të këtij të fundit, për të krijuar një tablo të “gjeografisë poetike” në atë traditë. Por modeli që ndjek Pipa duket se është dëmtuar, në mos komprometuar, nga pesha që u jep ai të ashtuquajturve “koronej” në formësimin e kulturës arbëreshe. Koronejtë ishin të ardhurit rishtas nga Moreja, pas rënies në duart e osmanëve të fortesave veneciane në Peloponez; shkruan autori: “Këta aristokratë imponuan mbi pjesën tjetër të popullatës arbëreshe vlerat dhe zakonet e tyre dhe kontrolluan për një kohë të gjatë jetën shpirtërore dhe politike të komunitetit. Ata ngritën kisha dhe institucione kulturore të përcaktuara për të edukuar udhëheqësit shpirtërorë dhe laikë nën drejtimin e tyre, ata ishin përfaqësues të kultit dhe të kulturës arbëreshe. Gjithashtu ata lëvruan gjuhën dhe mblodhën folklor, duke përdorur ndërkohë kritere përzgjedhëse që pasqyronin ndërgjegjen e klasës dhe të kastës së tyre. Letërsia arbëreshe është heraldike në një masë të madhe dhe shpirti aristokratik është i dukshëm në poezinë gojore…”[10]

Sfondin gjeografik të Rapsodive të mbledhura nga De Rada Pipa e sheh si tripjesësh: një zonë e Shqipërisë veriore dhe Malit të Zi të sotëm, përfshi Dukagjinin, luginën e Drinit dhe Mirditën; një zonë që përfshin një sipërfaqe thesalo-maqedonase, prej Ohri deri në Rendinë, duke përfshirë Selanikun; dhe një zonë e tretë që u përgjigjet zotërimeve venedikase në Moré, dhe pikërisht portet e Koronit, të Modonit dhe të Nauplias. Epiri mungon nga kjo tablo – edhe pse epirotët shqiptarë u përfshinë në luftërat anti-osmane përbëjnë masën e të shpërngulurve. Sërish Pipa: “mund të flasim për dy cikle të dallueshme të Rapsodie: njëri që përqendrohet te Skënderbeu… dhe tjetri që i mungon pika fokale dhe që bart betejat që shqiptarët e Moresë bënë si kundër bizantinëve ashtu edhe kundër turqve.” Cikli i Skënderbeut, thotë Pipa, “e ka zanafillën me ushtarët e Skënderbeut që emigruan në Italinë e jugut pas vdekjes së tij. Koronianët shartuan mbi këtë trung primitiv një cikël të origjinës së Moresë, duke i dhënë ndërkohë këtij të fundit, në zanafillë rural, një lustër urbane që pasqyron statusin e tyre shoqëror.” Me gjasë, asnjë nga këto hipoteza të Pipës nuk i qëndron kritikës.

Gjithnjë sipas Pipës, ka në Rapsoditë një shtresë që vjen nga një hapësirë tjetër gjeo-etnike, që mund të përshkruhet si maqedono-rumune dhe që i referohet simbiozës shqiptare-arumune në zona të Perandorisë Bizantine në Ballkan, simbiozë ku jo rrallë merrnin pjesë edhe elemente sllave (bullgare). Pipa gjen prova për këtë edhe në leksikun e disa rapsodive, edhe në strukturën e tyre narrative; duke vërejtur se bota sociale që i nënvendoset Milosaos, poemës së njohur të De Radës e cila merr shumë elemente nga Rapsoditë, përkon më shumë me kulturën sllave dhe rumune, jo atë të Arbërisë. Që këtej, Pipa formulon një hipotezë tjetër: dy rryma të emigracionit shqiptar u bashkuan në More: njëra nga Shqipëria Veriore dhe Serbia, tjetra prej Shqipërisë Lindore dhe Maqedonisë. Të dyja rrymat duhet t’i kenë bartur arumunët me vete. Unë do të shtoja këtu, anash, se rryma e parë, ajo e ardhur nga Shqipëria Veriore dhe Serbia, dhe që paska lënë gjurmë në folklorin e arbëreshëve të Peloponezit, nuk duket të ketë lënë ndonjë gjurmë të spikatur, në gjuhën e tyre; përndryshe, do të na duhet ta rishikojmë me rrënjë historinë e gegnishtes, në periudhën para-shkrimore të shqipes.[11]

Për t’u shënuar edhe se është vështirë të thuhet me siguri sa ka vënë dorë De Rada në Rapsoditë e mbledhura dhe të botuara prej tij për herë të parë, në vitin 1866; një problem ky që ua bën jetën ferr studiuesve të kulturës orale, dhe jo vetëm ndër arbëreshët.

Cikli për Skënderbeun në Rapsoditë[12], përfshin tetë këngë, me titujt “Trimi dhe vasha”, “Motra e Skënderbeut”, “Skënderbeu dhe Miloshini”, “Martesa e Skënderbeut”, “Skënderbeu dhe Ballabani”, “Vjehra e keqe”, “Skënderbeu dhe Vdekja”, “Vdekja e Skënderbeut.”

Në një artikull të vitit 1949[13], Dhimitër S. Shuteriqi mbronte tezën se këto këngë të botuara nga De Rada nuk janë popullore autentike, por të paktën të prekura, dhe jo rrallë të ndryshuara nga “mbledhësi” (De Rada), i shtyrë nga dëshira e mirë për t’ua dhënë arbëreshëve (dhe shqiptarëve) një faktor themelor të identitetit.[14] Sipas Shuteriqit, në disa prej këngëve Skënderbeu është futur si një afterthought, meqë përndryshe bëhet fjalë për këngë të rëndomta dashurie, ose legjenda me motive të rinjohjes, të përhapura në të gjithë Ballkanin bizantin. Disa këngë të tjera, përkundrazi, dëshmojnë se kush i ka krijuar, ka njohur Barletin dhe Biemmi-n (p.sh., në njërën prej këngëve, gruaja e Skënderbeut del me emrin Marina, siç e quan Biemmi); çka konfirmon se të paktën pjesërisht, këngët nuk janë “popullore”. Po ashtu, te “Skënderbeu dhe Ballabani”, poeti anonim përsërit disa motive të marra nga Barleti, të cilat Barleti vetë dihet se i kishte marrë madje kopjuar nga Tit Livi. Disa prej këngëve kanë paralele të forta me epikën mesjetare greke, veçanërisht me atë akritike. Aty përmenden edhe emra vendesh të Moresë, prej nga mërguan drejt Italisë një pjesë e madhe e arbëreshëve. Shuteriqi beson se këngët arbëreshe për Skënderbeun pjesërisht janë këngë popullore standard, të prekura nga autorë të lëçitur, të cilët kanë shtuar aty Skënderbeun; dhe pjesërisht janë shkruar prej këtyre autorëve, sidomos De Radës. Vetë De Rada pat përsiatur se këto këngë që ai kishte gjetur, nuk ishin veçse relikte të një epike popullore shqiptare për Skënderbeun; çka edhe e përligj deri diku dëshirën e atij poeti për t’i ndrequr dhe plotësuar këngët, duke e “rindërtuar” epikën. Në kulturat e ndryshme europiane, kjo dukuri njihej me emrin osianizëm, që prej një mistifikimi të poetit skocez MacPherson, i cili botoi një cikël poemash kinse të shkruara prej poetit legjendar Osianit. Shuteriqi thotë se kultura arbëreshe është në thelb toske, me elemente të forta ballkanike-bizantine; në një kohë që Skënderbeu si personazh historik dhe ikonë e qëndresës anti-osmane i ka përkitur më tepër Arbërisë gege. Arbërorët që jetonin në Moré dhe gjetiu në Greqi nuk kishin ndonjë arsye të fortë t’i këndonin Skënderbeut, meqë nuk u prekën drejtpëdrejt nga përpjekjet e tij çerekshekullore[15]; por edhe arbërorët e viseve jugore të Arbërisë përgjithësisht nuk morën pjesë në Skënderbejadë.

Historisë arbëreshe të imagjinuar ia ka bërë një çmontim të kujdesshëm Matteo Mandalà, në veprën (e përkthyer në shqip me titullin) Mundus vult decipi: Mitet e historiografisë arbëreshe, Naimi 2016, duke filluar nga “miti i prejardhjes ushtarake të ngulimeve arbëreshe”, te “Koronejtë e Rodotàsë dhe miti i aristokracisë arbëreshe”. Pa hyrë në hollësi, po mjaftohem të vërej se këto mite, pas analizës së atij studiuesi, tregohen të jenë fryt i dëshirave, manipulimeve, fantazive dhe falsifikimeve të mirëfillta, të cilat kanë synuar edhe fisnikërimin e origjinës së ngulimeve, edhe sigurimin e privilegjeve (fiskale, etj.).

Tradicionalisht, elitat arbëreshe kanë folur për marrëdhënie të ngushta mes ngritjes të ngulimeve dhe Skënderbejadës, madje duke i bërë këto marrëdhënie gur themeli të identitetit arbëresh: ushtarët e Skënderbeut dhe familjet e tyre, pas rënies së Arbërisë në duart e osmanëve, u shpërngulën për në Itali, duke përfituar edhe nga marrëveshjet e dhe marrëdhëniet e mira mes Skënderbeut me mbretit Ferdinand.

Mandalà-ja flet për “funksionin mitformues” që historiografia e porsalindur arbëreshe i caktoi figurës së Kastriotit dhe rolin e kësaj figure, si “gur themeli në ngrehinën që do të ruante […] të vërtetën e shenjtë të shpikur nga tradita historiografike arbëreshe e shekullit XVIII”, të mbështetur, sipas këtij studiuesi, në tri kolona konceptuale (citoj):

1) Arbëreshët mbërritën në Itali ose që në gjallje të Skënderbeut ose menjëherë pas vdekjes së tij;

2) Duke përjashtuar këta të fundit, të parët qenë të afërm të princit arbër, prandaj i përkisnin ose kastës ushtarake, ose aristokracisë arbre, e për këtë arsye

3) Gëzonin të drejta të veçanta ose privilegje të mëdha mbretërore, kishtare a baronore në viset italiane ku u mirëpritën.

Njëlloj si miti i origjinës ushtarake të ngulimeve, nuk i qëndron kritikës as miti tjetër i rolit të fisnikëve koronej, që mbërritën në Itali nga Koroni venedikas i rënë tashmë në duart e turqve. Sipas rrëfimit historik të Rodotà-së, disa nga arbrit e Skënderbeut, duke u ikur osmanëve pushtues, u vendosën më parë në këtë qytet të Peloponezit (Moresë) dhe vetëm më pas kaluan në Itali.

Por edhe “koronejada” rezulton, sipas Mandalà-së, asgjë më tepër se një koleksion hiperbolash, mistifikimesh dhe falsifikimesh: edhe nëse ka pasur arbëreshë të Greqisë që të kenë ardhur në Itali, pas luftërave të Venedikut me Osmanët, ata të Koronit nuk kanë qenë më shumë se disa pak mijëra; dhe, në çdo rast, nuk kanë qenë as fisnikë, as të pasur dhe as të kulturuar. Aq më tepër, elita e këtyre të shpërngulurve nuk mund të ketë qenë veçse e përbërë në masë të madhe nga priftërinj, të cilit duhet të kenë qenë grekë etnikë, të cilët u “arbëreshëzuan” më pas.[16]

Mandalà-ja këtu i referohet gjerësisht Paolo Petta-s, i cili vëren, mes të tjerash, se prania e fortë e elementit grek dhe “aristokratik” në traditën kulturore italo-shqiptare shpjegohet (1) me praninë e madhe të “arvanitasve” nga Moreja dhe himariotëve në ngulimet e Italisë së Jugut dhe (2) me rolin e klerit të formuar në traditën kulturore bizantine dhe jo rallë me prejardhje greke, nga Kreta dhe Qiproja.

Ndikimi aq i përmendur i koronejve, në kulturën arbëreshe, rezulton të jetë trillim, që ndjek të njëjtin skenar mitizues, për t’i lidhur arbëreshët me një të kaluar të lavdishme, luftarake dhe aristokratike; dhe kjo vlen edhe për meritën e tyre të supozuar, në mbledhjen dhe përpunimin e folklorit të ngulimeve të Italisë.

Mandalà-ja thekson që “nuk ka dyshime që në bashkësitë arbëreshe ka pasur një prani të ndjeshme të grupeve pak a shumë të mëdha të shqiptarëve të ardhur në Itali nga Greqia.” Por kjo nuk i jep ndonjë mbështetje, as vërtetësi, mitit të trilluar të koronejve fisnikë dhe trashëgimtarë të një kulture aristokratike.

Me këtë temë lidhet edhe historia e këngës tashmë të lumnuar, “O e bukura Moré”, të cilën e ka shtjelluar Francesco Altimari dhe e risjell Mandalà-ja të komentuar në veprën e cituar; dhe që e ka përmbledhur sërish, me komente dhe përsiatje tangjenciale, Eda Derhemi, në një shkrim me dy pjesë, botuar te Peizazhe të fjalës (Udhëtimi i këngës 1 dhe Udhëtimi i këngës 2). Këta studiues kanë theksuar se bëhet fjalë për një këngë rituale (funerare) të ripërmbajtësuar me kuptime historike të paqena, më parë të përkujtimit të ditës së rënies së Bizantit në duart e osmanëve dhe pastaj si “këngë patriotike ku qahet atdheu i të parëve dhe himnizohet malli për të” (Derhemi). Çfarë më bën të mendoj edhe për gjasat që folklori i arbëreshëve të jetë ndikuar fort nga kisha, liturgjitë bizantine dhe përpjekjet e barinjve të komuniteteve – priftërinjve të ritit ortodoks – për t’u dhënë këtyre një identitet lokal edhe etnik.

Mbetet për t’u sqaruar sa vendimtare ka qenë, në konstituimin e gjuhës dhe të kulturës të ngulimeve italo-shqiptare, përbërësja greko-arbërore, “arvanite” e tyre – ose të ardhurit nga ajo pjesë e Ballkanit jugor që sot i përket Greqisë, përfshi këtu arbrit ortodoksë të Epirit dhe të Çamërisë, arbrit e Jonit, arbrit e Thesalisë, përveç atyre të Peloponezit dhe të viseve të tjera fqinje; në raport me pjesën tjetër, të ardhur nga Arbëria.[17] Dhe kjo, ndarazi nga analiza e rolit që kanë luajtur vetë mitet e sendërtuara, në ngjizjen e kësaj kulture, veçanërisht duke i dhënë kësaj elementin heroik, në kontekstin e një përpjekjeje kulturore për ta krijuar traditën (invention of tradition, për çfarë flet edhe Mandalà-ja). Nëse arvanitasit kanë përbërë shumicën e këtij migrimi, edhe pse të artikuluar në valë të njëpasnjëshme, atëherë kjo do të shpjegonte edhe pse kujtimi i epopesë së Skënderbeut, mes ngulimeve në Itali, të jetë ushqyer në masë të madhe “nga lart”, si në rastin e De Radës dhe të rapsodive të “trukuara” prej tij. Mes arbëreshëve në Greqi Skënderbeu nuk është se duhet të njihej shumë; ndërsa ata që identifikoheshin me të dhe përpjekjet e tij nuk rezulton të kenë qenë të pranishëm, në masë, te popullsia e ngulimeve në origjinë. Një pjesë jo e vogël e memories kolektive, për skënderbejadën, nuk është çudi që t’i detyrohet kulturës humaniste të priftërinjve të ritit grek (pavarësisht nëse grekë etnikë, arbëreshë ose italianë, por me gjasë njohës të Barletit dhe të dijes/legjendës humaniste për Kastriotin), barinj shpirtërorë të këtyre komuniteteve përndryshe rrënjëprera.[18]

Disa historianë të Mesdheut, përfshi edhe Alain Ducellier-në që është marrë gjatë me Arbërinë në Mesjetë, janë munduar të argumentojnë se motivi kryesor i mërgimit shqiptar më parë në Greqi, dhe më pas në Itali, ka qenë me natyrë ekonomike – varfëria, zia e bukës, epidemitë dhe shkatërrimet e shkaktuara nga luftërat gjithfarësh.[19] Nëse ka qenë kështu, atëherë të mërguarit kanë qenë kryesisht fshatarë të varfër, blegtorë dhe bujq – jo ushtarë dhe aq më pak fisnikë. Me logjikë, ata fisnikë arbër që vendosën t’i linin zotërimet e tyre dhe, ndaj konvertimit në Islam, parapëlqyen mërgimin, u vendosën në qytete të mëdha dhe u asimiluan shumë shpejt, duke lënë pas vetëm ndonjë mbiemër dhe ndonjë varr tek-tuk.

Edhe analiza mirëfilli gjuhësore, e arbërishtes së Italisë, tregon sa e vështirë është, për gjuhëtarin, që ta trajtojë atë si dialekt të shqipes, të një rrafshi me gegnishten dhe toskërishten; sepse, siç e kanë vërejtur shumë studiues, të folmet e fshatrave jo vetëm ndryshojnë mes tyre në mënyrë jo të vijueshme, por edhe janë rezultat zhvillimesh konvergjente, në komunitete të përftuara në rrethana kaotike, ndonjëherë edhe në hambarët e anijeve që i tragetonin të mërguarit drejt Italisë. Arbërishtja duket më shumë si koine të folmesh të toskërishtes jugore, se dialekt; për të mund të thuhet me siguri, siç edhe është thënë, që i përket në vija të trasha toskërishtes jugore, duke ruajtur trajta arkaike; dhe me një leksik ku spikatin jo vetëm italianizmat e kontaktit (siç pritej) por edhe një numër i madh huazimesh nga greqishtja (siç nuk pritej doemos)[20]. Mbase nuk do të gabonim, po ta quanim shqipe bizantine, të organizuar kulturorisht rreth ritit grek, në një hapësirë gjeografike të rrethuar nga italianët katolikë. Nuk janë gjetur atje, gjithsesi, ca tipare esenciale të gegnishtes, siç do të ishin mungesa e rotacizmit (krahas me dukuritë me gjasë të bashkëlidhura, si mungesa e hundorësisë ose dominimi i grupit zanor -ua të toskërishtes, edhe në mbaresat dhe prapashtesat gramatikore) dhe paskajorja e tipit me punue (me ndonjë përjashtim, që, për ta thënë me një klishe, vërteton rregullën); sikurse mungojnë, në folklorin arbëresh, disa tipare sa karakteristike, aq edhe arkaike, të folklorit të Shqipërisë së Jugut, si isopolifonia. Në çdo rast, gjasat janë të mëdha që edhe mbledhësit e folklorit arbëresh, veçanërisht në shekullin XIX, të kenë vënë dorë në materialet, duke i “ndrequr” dhe “plotësuar”, çfarë ua rrezikon mjaft statusin e vërtetësisë.

Shënimet paraprijëse nuk janë aq shteruese, sa të na lejojnë të nxjerrim përfundime, me përjashtim të disa pak vërejtjeve mbyllëse, dhe pikërisht:

  1. Që arbërishtja nuk është mirëfilli dialekt i shqipes, por produkt sui generis i një rrethane socio-linguistike sa të jashtëzakonshme, aq edhe artificiale, ku u gjendën një numër i madh të shpërngulurish dhe të rishpërngulurish shqipfolës nga Ballkani, pas kalimit të detit Adriatik dhe Jon drejt Italisë së Jugut. Megjithatë, struktura fonetike dhe gramatikore e të folmeve arbëreshe të Italisë, dhe e leksikut të atyre të folmeve (me praninë masive të huazimeve me gjasë të kontaktit nga greqishtja), mundësojnë supozimin se shumë prej banorëve të katundeve të arbëreshe e kanë prejardhjen nga familje dhe komunitete të shpërngulura aty nga skajet më jugore të trojeve ku flitet shqipja, përfshi Labërinë, Bregun e Detit, Çamërinë, Epirin, Peloponezin, Akarnaninë, Thesalinë dhe zona të tjera të Ballkanit të Jugut, dikur të populluara me arbër (shqiptarë), në kontakt të ngushtë me folës të greqishtes.
  2. Që narrativa historike, që i rrëfen vetes tradita arbëreshe dhe ajo romantike-rilindëse-kombëtariste ndër shqiptarë, për lidhje të ngushta mes shpërnguljes së arbëreshëve drejt Italisë dhe luftërave të Arbrit kundër osmanëve, veçanërisht Skënderbejadës, është produkt i një përpjekjeje mistifikuese-hiperbolizuese rutinë për krijimin e një të kaluare të lavdishme, në kontekstin e ringjalljes romantike të vetëdijes etnike në komunitetet përkatëse (miti i “prejardhjes së shkëlqyer”) dhe mbjelljen e saj të kujdesshme, në vetëdijen kolektive arbëreshe. Njëlloj e sajuar ka gjasa të jetë edhe legjenda e koronejve, si një elitë fisnikësh arvanitë të pasur dhe të ditur, që ua sollën arbëreshëve sqimën aristokrate nga Peloponezi (Moreja), pas rënies së zotërimeve venedikase të atjeshme në duart e osmanëve.
  3. Që roli, në themelimin e komuniteteve arbëreshe të Italisë, i përbërëses arvanite – ose i valëve të shpërnguljeve arbërore nga trojet e Ballkanit të Jugut, si Çamëria, Epiri, Peloponezi, Thesalia, Etolia, Akarnania, etj., ka nevojë të rishihet me kujdes, tani që edhe miti i prejardhjes ushtarake të ngulimeve, edhe miti i koronejve, janë vënë në dyshim nga kritika historiografike; sikurse ka nevojë të rivlerësohet edhe shkalla dhe natyra e kujtimit të Gjergj Kastriotit dhe Motit të Madh, në narrativën kolektive të identitetit arbëresh.
  4. Që të shpërngulurit nga ajo pjesë e Arbërisë, e goditur më rëndë nga luftërat anti-osmane të Gjergj Kastriotit, nuk mund të kenë përfaqësuar shumicën e të vendosurve në ngulimet e reja në Italinë e Jugut, sepse – me të dhënat që kemi sot – këta të shpërngulur do të kishin folur gegnisht; në një kohë që gjurmët e gegnishtes në të folmet arbëreshe janë, në rastin më të mirë, pak të përfillshme. Kjo lidhet edhe me pyetjen në dukje naive në mos simpliste: Ç’dialekt të shqipes fliste Skënderbeu? Gjithnjë me gjasë, të ikurit bartës të gegnishtes, pas vdekjes së Skënderbeut, u vendosën kryesisht në Lazio, Le Marche, Veneto dhe gjetiu në brigjet e Italisë Adriatike përfshi edhe zonat fushore të Puglia-s, por jo në komunitete të shkëputura dhe të veçuara; dhe ashtu u asimiluan shpejt. Megjithatë, duke pasur parasysh sa shpesh përmenden vise të Shqipërisë së mesme – sidomos Durrësi, por edhe Kruja, Mati, Dibra etj. – si vendburime të popullsive të ngulimeve, edhe mes arvanitëve edhe mes arbëreshëve, nuk duhet përjashtuar mundësia që në ato vise, para pushtimit osman, të flitej ndonjë formë përndryshe e padokumentuar e toskërishtes.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Falënderoj Eda Derhemin, njohëse e shkëlqyer e arbëreshëve dhe të folmeve të tyre, që e lexoi një version të kësaj eseje dhe më ndihmoi me disa koncepte dhe hipoteza. Falënderoj Anila Omarin, për ndihmën si gjithnjë të pakursyer, me referenca (AV). Ky punim ka trajtën e një eseje – disa prej ideve i kam hedhur të papërfunduara dhe të pambështetura deri në fund, me shpresë se do të ngjallin diskutime me bukë. Sipas një tradite te Peizazhe të fjalës, nuk i kam vënë numrat e faqeve në citimet: të interesuarit le të mundohen dhe t’i gjejnë vetë, se shfletimi veç mirë do t’u bëjë.

 


[1] Gjovalin Shkurtaj, i cili arbërishtes i ka kushtuar një studim monografik (Ligjërimet arbëreshe, Tiranë 2006), shkruan kështu: “Koha dhe vendi i shpërnguljes së mërgimtarëve që themeluan ngulimet arbëreshe në Itali mbeten gjithsesi në hije; dokumentet janë të pakta ose mungojnë krejt, gjë që, natyrisht, e bën të vështirë rindërtimin e situatës së asaj kohe.”

[2] Ka një hipotezë se e folmja e Vakaricos ruan disa tipare fonetike të gegnishtes (e mbështetur edhe nga një monografi e Erik Hamp). Gj. Shkurtaj përmend disa gegizma në të folmen e Shën Kostantinit, në Basilicata. Nga ana tjetër, ka shumë familje arbëreshe, emrat e të cilave i referohen qartazi Shqipërisë së Veriut, ose zonave ku flitet gegnishtja; por kjo nuk do marrë si provë e ardhjes së tyre drejtpërdrejt nga ato zona (mund të përfytyrohet një shpërngulje e parë në trojet e Epirit ose gjetiu në Ballkanin e Jugut).

[3] Për qëndrimin e Çabejt, po i referohem kumtesës “Çështja e prejardhjes së ngulimevet arbëreshe të Italisë në dritën kryesisht të gjuhës e të emrave vetiake”, mbajtur në Kongresin VIII Ndërkombëtar të Studimeve Onomastike në Amsterdam, më 28 gusht 1963, dhe të botuar më parë gjermanisht. Versioni shqip, të cilit i referohem, është botuar në Studime Filologjike, no. 2, 1972.

[4] Gjithsesi, “në Itali vetë janë të rralla gjurmët që kanë mbetur nga kujtimi i një prejardhjeje nga një krahinë e caktuar e Shqipërisë”.

[5] Por le të vërehet edhe mungesa e isopolifonisë ndër arbëreshë, muzika popullore e të cilëve nuk ka shumë pika takimi me atë të shqiptarëve në zonat që përmend Çabej.

[6] Këtë ma konfirmon edhe Eda Derhemi, duke shtuar se madje në regjistrat kishtarë të ngulimeve të veçanta janë dokumentuar ardhje të njëpasnjëshme ose shtresime shpërnguljesh, të cilat nuk dihet se nga e kanë pasur origjinën a burimin; çfarë të bën të mendosh se edhe të folmet e katundeve veç e veç mund të jenë rezultat përzierjesh të formave me prejardhje të ndryshme.

[7] Për fat të keq, nuk e kam gjetur dot origjinalin anglisht të kësaj monografie, prandaj i jam referuar këtu e më poshtë versionit shqip, nga botimet Princi; edhe pse kam rezerva shumë serioze për cilësinë e përkthimit.

[8] Nuk ka gjurmë të ndonjë kujtimi të Skënderbeut, mes arbëreshëve të Greqisë.

[9] Për të krijuar një ide më të plotë rreth kontekstit kulturor të këtij botimi, po shënoj këtu se në parathënien e veprës, Niccolò Jeno de’Coronei i quan shqiptarët “popolo semitico disperso nel 1900 a.C. all’epoca degli Hyckshos [sic], che andò in Grecia, in Italia ed in altri luoghi del Mediterraneo” dhe më tutje “Gli albanesi, semiti, come tutti gli scrittori asseriscono, immigrati in Grecia or dominatori or soggetti della razza giapetica.” Edhe ky autor, sikurse De Rada vetë, i prezanton rapsoditë si pjesë të një poeme tashmë të fragmentuar.

[10] Vite më vonë, Matteo Mandalà do të provonte, në mënyrë vështirë të kundërshtueshme, se miti i “koronejve” në kulturën arbëreshe është, në fakt, i rremë dhe mbështetet në një kombinim falsifikimesh historike dhe fantazish provinciale ngushëlluese. Por te Mandalà-ja do të kthehem më tutje në këtë shkrim.

[11] Lexuesi do të gjejë një tipologji historike të shpërnguljeve të shqiptarëve në Mesjetë te studimi i Pëllumb Xhufit Emigracioni shqiptar në Mesjetë – një vështrim tipologjik”, në “Studime në nderim të Prof. Francesco Altimarit me rastin e 60-vjetorit të lindjes”, përg. B. Demiraj, M. Mandalà, Sh. Sinani, Tiranë, Albpaper, 2015. Studimi konfirmon, mes të tjerash, një lidhje mes migrimit shqiptar në Greqi dhe në Itali, në mesjetë, dhe institucionit të stratiotëve. Tek Arvanitët, Histori e shqiptarëve të hershëm në Greqi në shekujt XIII-XIX, nga Irakli Koçollari (Naimi, 2012), lexoj se në zotërimet venedikase, në Peloponez dhe gjetiu në Greqinë Perëndimore, kish një numër të madh stratiotësh, të vendosur aty me familjet, në vendbanime të njohura si stratopia por që thirreshin edhe katune (nuk është e thënë që katundet e ngritura rishtas, të stratiotëve nga Arbëria, t’u përgjigjeshin katundeve në atdheun mëmë; në të njëjtin katund mund të jenë vendosur familje me prejardhje nga zona të ndryshme të Arbërisë, çfarë e bën arvanitikishten të ngjashme me arbërishten e Italisë edhe nga mënyra e përftimit); vetëm për Peloponezin e kohës së Teodorit I Paleologut flitet për 10 mijë të tillë. Ka disa burime greke të kohës, që i citon Koçollari, dhe që i cilësojnë të ardhurit si “nga Durrësi” – çfarë sërish përbën një problem për dialektologjinë e shqipes mesjetare, sa kohë që arvanitikishtja nuk para ka gjurmë të gegnishtes. Por Durrësi mund të ketë qenë edhe thjesht porti ku u imbarkuan ata që po shpërnguleshin.

[12] Sipas Dh. S. Shuteriqit, kënga e parë arbëreshe mbi Skënderbeun është botuar nga Vinçenc Dorsa, në vitin 1847; asnjë autor arbëresh para Dorsës nuk përmend praninë e këngëve të tilla në katundet e ngulimeve. Këtë pohim nuk kam arritur ta konfirmoj në mënyrë të pavarur.

[13] Me titullin “Skënderbeu në poezinë epike të arbëreshëve të Italisë”, botuar pastaj në vëllimin Nëpër shekujt letrarë, 8 Nëntori, Tiranë, 1973.

[14] Për të mos thënë të krijuara ab ovo.

[15] Që Skënderbeut nuk i këndohej nga arbrit e Moresë dhe as i ruhej gjëkundi kujtimi, këtë ma konfirmon edhe Mandalà-ja.

[16] Gjithsesi, koronejada si mit në kulturën dhe ideologjinë nacionaliste arbëreshe duhet trajtuar veçan nga marrëdhëniet mes ngulimeve arbëreshe në Itali dhe popullsisë shqiptare/arvanite anembanë Epirit dhe Greqisë. Bartja masive e këtyre të fundit, drejt Italisë së Jugut, mund të ketë pasur lidhje me pushtimin osman të Ballkanit të Jugut, por jo dhe aq me periudhën e Skënderbeut; dhe nëse faktet në terren konfirmojnë që ngulimet arbëreshe të Italisë janë me prejardhje nga Shqipëria e Jug-Perëndimore, Epiri dhe zona të tjera të Greqisë ku jetonin arvanitët (Peloponezi, Thesalia, Atika), atëherë mbizotërimi i mitit të Skënderbeut dhe Motit të Madh, në vetëdijen etnike të arbëreshëve gjatë Rilindjes, duhet parë (edhe) si pasojë e një tradite të shpikur (invented tradition).

[17] Arbëreshët në Jug të Italisë janë quajtur shpesh greci prej fqinjëve të tyre italianë; ka madje edhe një katund, Greci, komunë në provincën e Avellino-s, rajoni Campania, Itali. Dijetarët zakonisht e shpjegojnë këtë me fenë e këtyre komuniteteve, që njihet me emrin cattolici di rito greco. Krahas shqipes (arbërishtes), në kishat e këtij komuniteti përdoret tradicionalisht liturgjia dhe gjuha greke bizantine. Qarkullon edhe ndonjë mendim se mes arbërve që u shpërngulën drejt Italisë së Jugut, në shekujt XIV-XVI në Mesjetë, jë numër i madh i përkiste tashmë kishës greko-katolike (uniatizmi mes shqiptarëve të Jugut).

[18] Në hyrjen e veprës studimore Arvanitika : die albanischen Sprachreste in Griechenland, Wiesbaden, O. Harrassowitz, 1991, v.1, Hans-Jürgen Sasse vëren se Luca Matranga, autori i veprës së parë të letërsisë arbëreshe, Dottrina Cristiana, të shtypur në 1592, i përkiste një familjeje siciliane që ish shpërngulur në Itali nga Peloponezi, në mes të shekullit XVI, dhe se vepra vetë “është shkruar në një gjuhë ende shumë të afërt me ur-arvanitikishten” (f. 9).

[19] Në një artikull të hershëm (1939), Çabej rrëfen se “në provincat italiane në breg t’Adriatikut, shqiptarët shfaqen të përzier me elemente sllave. Në Recanati, në Market, përmenden shqiptarë që më 1437. Në 18 janar 1456, këshilli i qytetit të Recanati-t vendosi që për të evituar murtajën dhe kolerën, të mos pranohen shqiptarë dhe sllavë dhe të dëbohen ata që kanë ardhur…”

[20] Po i referohem këtu një analize që ia ka bërë Arshi Pipa leksikut të poemës Milosao të De Radës: sipas këtij autori, teksti i versionit të parë të poemës përmban 704 fjalë, nga të cilat 14% janë huazime nga greqishtja e sotme (Pipa, Arshi, Jeronim De Rada, Botimet Princi, maj 2013). Një analizë e ngarkesës semantike dhe stilistike të greqizmave në poemë (që mbetet për t’u bërë) me gjasë do të konfirmonte edhe rolin e tyre më të spikatur në tekst, në krahasim me fjalët e tjera. Pipa thotë: “Prania e kaq shumë fjalëve të greqishtes së sotme në një poemë të shkruar në dialektin e Makjes më 1836 ripohon edhe një herë se stërgjyshat e atyre që populluan Silën greke […] vinin nga Epiri e nga Greqia.” Përkundrazi, vazhdon ai, huazimet nga dialekti kalabrez e ndonjë edhe nga dialekti napolitan arrijnë në më pak se 5% të leksikut. Në veprat e mëpasme të De Radës, përfshi edhe variantet e tjera të Milosaos, leksiku i përdorur pasurohet, por kjo edhe nëpërmjet shtimit të numrit të greqizmave. Nevoja për leksik më abstrakt, ndonjëherë edhe të natyrës fetare-teologjike, e bëri De Radën jo vetëm të huazojë fjalë abstrakte nga greqishtja dhe italishtja, por edhe të krijojë një numër të madh neologjizmash.

Reklama

6 Komente

  1. Perzierja e toskeve me geget, ne afatgjate prodhon ose toske ose gege, keshtu behet i mundur kufiri gjuhesor edhe ne Shqiperi e Maqedoni. Flitet toskerisht sepse shumica kane qene toske e pakica gege dhe gegerishtja humbi. Tosket ne Itali kane qene sa nga arvanitet sa nga epirotet dhe as ketu ska ndonje risi.

    Ajo qe perben habi eshte pohimi qe arberishtja nuk eshte dialekt apo nendialekt i toskerishtes.

    Kjo do te ngrinte pikepyetjen mbi prejardhjen e arvaniteve, sepse kjo prejardhje supozohet nga Toskeria, ne kuptimin e banoreve qe flisnin 3 nendialektet e toskerishtes, te cilat jane bashkuar per te dhene arvanitishten, si bicim koineje e toskerishtes, qe anoi me shume nga camerishtja meqenese shumica e arvaniteve mund te kene qene came.

    Por ne rast ne ky arsyetim eshte i gabuar, atehere i bie qe arvanitishtja te kete qene folur si zone origjine afer Camerise/Epirit meqe ngjan me shume me camerishten, pra ne Etoli-Akarnani ose Thesali si territore qe jane kufitare me Epirin.
    Pra, i bie qe arvanitishtja te jete formuar ne kufi me camerishten dhe folesit te kene emigruar ne Greqi, duke e lene territorin origjinar relativisht bosh ose thjesht nga territori origjinar folesit e mbetur u asimiluan ne greke ose vllehe.

    Ne kete rast, pra e arvanitishtes si nendialekt i toskerishtes njesoj si 3 te njohurat ( veriorja, laberishtja, camerishtja) dhe jo si i formuar nga 3 te njohurat, me afersi te qarte ndaj camerishtes, i bie qe arvanitishtja te jete formuar ne territoret e Greqise antike, cka ne fakt do te ngrinte pyetjen se sa kohe kane shqiptaret ne territoret e Greqise Antike ( sipas gjasave ne Etoli-Akarnani me shume sesa ne Thesali), prej nga pastaj u perhapen ne dukaten e Athines dhe Peloponez.

    Nqs nuk kuptojme tosket ne Ballkan nuk mund te kuptojme ata ne Apenine.

    Si eshte formuar atehere arvanitishtja dhe pse ka afersi me camerishten ?

    1. Çështja është më shumë teknike, dhe lidhet me përkufizimin e fjalës “dialekt” – që në kontekstin tonë, ka një komponente gjeografike: vijueshmërinë e territorit. Arvanitikishtja dhe arbërishtja e Italisë nuk e kanë. Dy fshatra fqinje, në Kalabri, nuk kanë mes tyre të njëjtën marrëdhënie gjuhësore si dy fshatra fqinje, të themi, në Lunxhëri. Arbërishtja “ËSHTË” toskërishte, meqë i përmbush kushtet formale (rotacizmi, etj.); por edhe NUK është toskërishte, sepse nuk është dialekt.

      1. Ky paradoks besoj se zgjidhet duke perdorur terminologjine qe perdorin kinezet per variantet e tyre gjuhesore disashekullore ne Indokine, vecanerisht Singapor, Malajzi e Indonezi. Perndryshe, eshte akt besimi qe te pranosh se dicka edhe eshte, por njekohesisht edhe nuk eshte.

        Nga ana tjeter, nje argumentim i tille me shume alla Hegel, do e bente te detyrueshme si po thoja me siper qe nendialekti toske i arvanitishtes te formohej si fqinje me 3 nendialektet e tjera, perderisa ky eshte nendialekt.
        Apo edhe arvanitishtja eshte toskerisht, por dhe nuk eshte ?

        Gjithsesi besoj se ketu kemi vetem problem konvencioni dhe jo paradoks te mirefillte logjik.

      2. Mon chapeau Ardian!!! Studiues te mirefillte te arberishtes (Walter Breu) dhe te arvanitishtes (Sasse) perfaqesojne mendimin se kemi te bejme me gjuhe me vete, duke rrokur perpos tyre edhe shqipen ne hapsiren kompakte kompakte shqipfolese dhe ate te arberesheve te Zares ne familjen (= degen) e gjuheve shqipe: nje koncept qe ia vlen te mbahet parasysh kur diskutohet per kufinjte midis ‘gjuhes’ dhe ‘dialektit’ (Demiraj + Breu + Kovacec + Nehring ne “Wieser Encyklopedie des europäischen Ostens”, Bl. 10, f. 47 – 76.
        Per historikun, dokumentacionin, rrethanat dhe shkaqet e arvanitizimit te Greqise (se djeshme) duke filluar prej gjysmes se dyte te shek. XIII nuk ka ende ndonje punim qe te konkurroje sadopak punen mirakandes (sado empiriciste, tekniciste…) te Jochalas-it “Über die Einwanderung der Albaner in Griechenland”, ne “Dissertationes albanicae” bl. 17, 80-106.

  2. Jo per te qene ne kundrarryme, por edhe Prof e nderuar Arberesh Mandala, Altimari, i ndjeri Belluscio (shih: TRACCE INTERDISCIPLINARI PER ATTESTARE UNA PROVENIENZA: IL CASO DEGLI ARBëRESHë. DAI DOCUMENTI STORICO-LINGUISTICI AL DNA (secoli XV–XXI) deri tek G.Valentini, kane evidentuar mjaft fakte qe e shembin Historiografine e mitizuar ne lidhje me origjinen dhe dinamiken e dyndjeve Arberore ne Itali gjate shek XV-XVI, para disa muajsh u botua (me ne fund!) Defteri i Morese i viteve 1460-1463 (The Early Ottoman Peloponnese: A Study in the Light of an Annotated Editio Princeps of the TT10-1/14662 Ottoman Taxation Cadastre (ca. 1460-1463), e bleva dhe me pelqeu, dhe praktikisht ne baze te asaj qe konstatova tumirte cka hamendesoja! Arbereshet e Italise ne nje mase te konsiderueshme jane pasardhes te Arberoreve te Greqise (e folmja e Leke Matranges eshte deshmi e qarte) gjithashtu edhe te Arberoreve nga Vlora deri ne Preveze (mos harroni qe djali i Skenderbeut si piknisje te Kryengritjes te vitit 1481 kishte Bregun e detit – Himaren). Pra Arbereshet e Italise kishin origjine te ‘perzier’ nga Greqia & Shqiperia jugore (Toskeria), ceshjta me interesante eshte origjina krahinore e Arberoreve\Arvanitasve, toponimia dhe patronimia e tyre perbejne nje faktore vendimtare ne kete aspekt, psh ne nje zone te Etolo-Akarnanise perendimore hasen keto toponime: Karavasta, Spolat, Babinj, Kryekuq etj qe perkojn me disa toponimi omonime te nje zone te Myzeqese, ne nje zone te Thesalise hasen keto toponime: Mashkullore, Mengul\Mingul, Picar, Kurtes etj qe perkojn me fshatrat e vjeter perqark Gjirokastres, ne nje zone poshte Kosturit hasen keto toponime: Skrapar, Pilur (Devolli), Gjinush, Qinam, Panarit, Mollas, Shen Kolle etj, ndersa ne lidhje me Atiken, Beotine, Peleponezin, Euben etj toponimia e katundeve Arberore eshte heterogjene, por mbizoterojne toponimet qe sot gjenden ne Delvine dhe Cameri, rasti i Atikise: Kakos, Kaparjel, Lopes, Filat, Dramez, Markopull, Kalenxhi, Shales etj.

    Pra ne baze te ketyre te dhenave mund te nxirren edhe perfundimet perkatese ne lidhje me te folmen e Arberoreve te Greqise (ngjajshmerine me Camerishten!).

    Ceshtja me ‘pikante’ dhe kontroverse ka te beje me pranine e Arberoreve ne Epirin qendrore-jugore Historike, ate qe ne e perkufizojm rendom si Cameri (qe si koncept gjeografik-historik, per hir te se vertetes, nuk rezulton asgjekundi para Shek XVI !!). Po te zbatojm te njejten metodologji – hulumtimin e origjines ne baze te korrespondencave toponimike\patronimike – edhe ne lidhje me toponimet e vjetra Arberore\Shqiptare te Camerise, do te arrijme ne perfundimin se nje pjese e mire (!?) e ketyre toponimeve perben thjesht nje fare ‘copy paste’ te toponimeve qe sot gjenden kryesisht ne Laberi dhe Myzeqe …
    Konkretisht: Gumenice, Picar, Margellic, Kuci, Suli, Krane, Bondar, Nikolice, Mengulat\Mingulat, Karbunare, Lopesi, Muzak, Maz\Mazrek\Mazarak, Damezi\Dramezi, Peshtan, Lavdar, Psareza†\Psar, Gllave†, Toshkez\Toshkezaq, Lipe, Peta, Romes, Gardhiq, Plesha, Kurtes, Barci, Malakasa, Krapsi, Shales etj

    Egzistojn gjithashtu edhe toponime ‘endemike’ Epirote si psh: Kalenxhi, Dara, Burlesha, Pangrati, Shqadhe etj.

    Por fatkeqesisht pothuajse asnje nga keto Toponime tipike qe i bartnin Arberoret ne ‘shtegetimet’ e tyre drejt Morese nuk evidentohen ne burimet Bizantine ne lidhje me Epirin para shek XIII, prania e Arberoreve ne brigjet Epirote (perkarshi Korfuzit) dokumentohet qe me 1210, por prania ‘masive’ e tyre evidentohet pas 1320. Pra keto te dhenat duket sikur e peshtjellojne akoma me shume kuadrin, dinamiken edhe kronologjine ne lidhje me ‘bumin demografik’ Arberor ne Mesjet dhe zhvendosjet e tyre masive ne drejtim te jugut, duke pasur parasysh edhe implikimet perkatese gjuhesore !!

    1. Nuk ka asnje gjuhe me vete arvanite apo arbereshe, keto jane brockulla te financuara nga dreqi me te birin, nuk kane te bejne me cfare eshte gjuhe e cfare dialekt.

      Persa i takon toponimive duhet pasur parasysh qe gjithe Ballkani gelon me toponime sllave, prandaj duhet pasur kujdes kur flitet per toponimi te ngjashme dhe keto qellojne te jene ne shumice sllave.

      Per me teper qe ka nje kontradikte, se thua qe toponimet ne Greqi vijne nga Cameria ( prandaj ngjan arvanitishtja me camerishten), nga ana tjeter thua qe toponimet ne Cameri vijne nga Myzeqeja e Laberia dhe pas vitit 1320.

      Keto pohime japin qe nga Myzeqeja e Laberia ne te njejten kohe te fillim shek 14 kane levizur si ne Cameri e si ne Greqi, cka do te jepte qe camerishtja flitej ne Myzeqe e Laberi dhe jo ne Cameri. Atehere i bie qe Zoti e di se cfare dialekti flisnin atehere shqiptaret ne Epir ne ato pak vendbanime te verifikueshme te para shek 14 ( pra na rruan e qeth brisku i Okamit ketu).

      Per te evituar paradokse e kundertenie duhet arsyetuar me mendte ne krye e jo ne fundshpine si ata autoret qe te kane shtyre ne pikepyetje te kota.

      Si e thote A.V. ne artikull gjithe dialektet greke, perfshire ate qe flitet ne Epir jane te prejardhura nga koineja e shkruar ( si me thene standarti) dhe jo nga dialektet antike, pra te folurat greke parasllave jane zhdukur kudo, me perjashtim te cakonishtes ne Peloponez dhe pontishtes e kapadokishtes ne Azine e Vogel.

      Keto 3 gjuhe jane pasardhese te dialekteve antike dhe nuk kalojne nga koineja ( ndoshta kapadokishtja ka kaluar nga koineja shume heret, kurse pontishtja ka kaluar nga jonishtja e Detit te Zi dhe cakonishtja sipas gjasave nga dorishtja- ndoshta edhe arkadishtja-).

      Pra ne shek 9 me themen e Nikopojes fillon e hyn greqishtja e koinese ( ajo mesjetare kuptohet) dhe me kalimin e shekujve jep dialektin grek ne Epir.
      Pushteti bizantin vjen bashke me kishen dhe administraten. Duhet pasur parasysh se sllavet ne Cameri, kane qene pagane ne kete kohe, si sllavet kudo ne Ballkan. Pra, krishterizimi i tyre ishte edhe proces greqizimi gjuhesor.

      Ne keto kushte pyetja eshte, perderisa sllavet e Epirit u greqizuan prej shek 9 e ketej, ne cfare shkalle u greqizuan vllehet dhe shqiptaret e Epirit?

      Ajo qe verejme ne shek 14 eshte zhdukja e Bizantit nga keto ane, pra edhe frenimi i greqizimit ne Epir si kudo ne Arberi. Me ndalimin e greqizimit del ne skene edhe karakteri arberor i Toskerise deri ne Etoli-Akarnani, po njesoj si do te ndodhe me shqiptaret ortodokse me vone, me ndalimin e greqizimit dhe grekomanise dalin shqiptaret ortodokse per shqiptare dhe jo per vllehe apo greke ( pavaresisht se qarqe te caktuara shqiptare nacional-islamike dhe nacional-katolike do te preferonin t’i quanin ende sot vllehe e greke).

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: